Ish-presidenti amerikan, Donald Trump thotë se është paditur me akuza për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Florida, duke nxitur një ndjekje penale federale që është ndoshta më e rrezikshmja nga kërcënimet e shumta ligjore kundër tij ndërsa zoti Trump kërkon të rimarrë Shtëpinë e Bardhë.
Departamenti i Drejtësisë nuk kishte asnjë koment apo konfirmim të menjëhershëm.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në platformën Truth Social të enjten se administrata e presidentit Biden ka informuar avokatët e tij se ai është paditur.
Një person në dijeni për situatën, i cili nuk ishte i autorizuar për ta diskutuar atë publikisht, tha se avokatët e Trumpit u kontaktuan nga prokurorët pak para se ai të njoftonte në platformën e tij “Truth Social” se ai ishte paditur. Zoti Trump tha se do të dalë në gjykatë të martën pasdite në qytetin e Majamit.
Shtatë akuzat kundër ish-presidentit përfshijnë komplot për të penguar drejtësinë, mbajtje të qëllimshme të dokumenteve dhe deklarata të rreme, sipas dy burimeve në njohuri me aktakuzën.
Brenda 20 minutave nga njoftimi i tij, Donald Trumpi kishte filluar grumbullimin e fondeve për fushatën e tij presidenciale të vitit 2024.
Rasti shton thellimin e rrezikut ligjor për Trump-in, i cili tashmë është paditur në Nju Jork dhe përballet me hetime shtesë në Uashington dhe Atlanta që gjithashtu mund të çojnë në akuza penale.
Aktakuza lind nga një hetim njëmujor nga prokurori i posaçëm Jack Smith për të përcaktuar nëse Trumpi shkeli ligjin duke mbajtur qindra dokumente të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago, dhe nëse Trumpi ndërmori hapa për të penguar përpjekjet e qeverisë për t’i rimarë ato.
Prokurorët kanë thënë se Trump mori afërsisht 300 dokumente të klasifikuara në Mar-a-Lago pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë rreth 100 dokumenta që u sekuestruan nga FBI-ja gushtin e kaluar gjatë një kontrolli të shtëpisë që qartësoi peshën e hetimit të Departamentit të Drejtësisë.
Zoti Trump dhe ekipi i tij e kanë parë prej kohësh hetimin e këshilltarit special si shumë më të rrezikshëm se çështja e Nju Jorkut – si politikisht ashtu edhe ligjërisht. Ndihmësit e fushatës ishin përgatitur për pasojat që kur avokatët e Trump-it u njoftuan se ai ishte objektivi i hetimit, duke supozuar se nuk ishte çështja nëse do të ngriheshin akuzat, por kur do të bëhej një gjë e tillë.
Mbetet e paqartë se cilat do të jenë pasojat politike të menjëhershme dhe afatgjata për Trumpin. Aktakuza e tij e parë solli miliona dollarë në kontribute nga mbështetësit e zemëruar dhe nuk e dëmtoi Trumpin në sondazhe. Pa marrë parasysh se çfarë, aktakuza – dhe lufta ligjore që pason – do ta kthejnë Trumpin përsëri në qendër të vëmendjes, duke tërhequr vëmendjen nga kandidatët e tjerë që po përpiqen të ndërtojnë vrull në garën presidenciale të 2024-ës.