Titulli është huazuar me një ndryshim numerik nga romani i Lermontovit “Një Hero i Kohës sonë” që pa dritën e botimit fillimisht në revistën letrare ruse Otečestvennye Zapiski, aty ku i botonin veprat e tyre edhe Gonçarov e Fjedor Dostoevskij. Vetëm titullin kam huazuar se dy heronjtë tonë nuk kanë asgjë të përbashkët me Peçorinin, dandy-n romantiko-Bajronik të zhgënjyer nga jeta.
Jo, dy heronjtë tanë janë e kundërta e Peçorinit. S’kanë lidhje fare me heronjtë e romanticizmit anglo-sakson apo rus.
Janë dy heronj të shekullit XXI, të këtij shekulli të mbytur nga indiferenca, konsumizmi ekstrem dhe dehumanizimi i shoqërisë në rrang global, ku mëshira nuk njihet më, ku në Mesdhe mbyten me mijëra refugjatë dhe askënd nuk e vret ndërgjegjia.
Ata janë dy heronj që puna i solli të vinin në vendin e Shqipeve, kthyer në vendin e horrave, ku gjithçka është në shitje, ku nocioni i së mirës është konvertuar me të keqen, ku s’ka solidaritet, s’ka humanizëm, ka vetëm ligj xhungle, ku më i forti e mund gjithmonë të dobtin vulnerabël, ku pandershmëria fiton, ku shpërdorimi i vlerave dhe i pushteteve është arma e suksesit, ku korrupsioni i ka marrë frymën shoqërisë shqiptare dhe ka kapur për fyti gjithë popullin, ku populli shqiptar është zhgënjyer për çerek shekulli nga mashtrimet e klasës politike e cila sot është omnipotente, sepse ka bindjen e thellë që me para ka mundësi të korruptojë edhe Zotin në qiell.
Ata janë dy heronj që i mbijetuan fushatës kriminale linçuese të ndërmarrë nga politika shqiptare, ku opozita dhe pozita janë la même chose, e njëjta gjë sepse përfaqësojnë klasën politike, shkaktaren kryesore të kësaj katrahure këta 25 vjet kohë e djegur.
Ata janë dy heronj që nuk iu trembën gjuetisë së shtrigave as undergrounde-ve me shpifje qëllimzeza për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të tyre.
Ata ia dolën të triumfojnë mbi të keqen që është mbjellë në Shqipëri nga kapja e shtetit prej oligarkisë politike që gjithçka e ka arritur jo përmes djersës të ballit por përmes shpërdorimit të pushtetit dhe votës së popullit.
Dy heronjtë e Shqipërisë sime të bukur, Donald Lu dhe Romana Vlahutin mbollën shpresën në tokën pjellore por të bërë shterpë nga padrejtësitë që e ka detyruar rininë shqiptare ta humbasë besimin se ekziston shteti i së drejtës apo meritokracia, sepse të gjitha të mirat e vendit, vendet e punës e gjithçka janë në duart dhe tentakulat e kastës të pangopur të profiterëve politikë.
Kasta e anatemoi me të gjitha mjetet Amerikanin Donald Lu dhe Kroaten Romana Vlahutin. I pari vinte nga vendi që iu është gjendur më pranë shqiptarëve si askush në këtë botë; e dyta, vjen nga Kroacia, një vend ballkanik dhe mik i shqiptarëve, i integruar në NATO dhe BE, që lufton për të arritur standardet perëndimore, që fut në burg Kryeministrin e vendit kur ky i shkel ligjet e shtetit; ajo është bashkëpatriote me Kolinda Grabar-Kitarović, presidenten e Kroacisë, një figurë emblemë dhe model për të ardhmen e integruar të Ballkanit në BE.
Të dy Lu-Vlahutin, janë binomi që tronditi kënetën dhe status quo-në e klasës politike shqiptare, e cila ka në duart e veta dhe nën kontrollin e saj gjithçka, duke filluar nga listat e deputetëve deri tek të gjitha pushtetet, që kontrollon sistemin e drejtësisë, që ka nën kontroll gazetat, televizionet, portalet, kreun e shtetit, shërbimin sekret e gjithçka, duke e degraduar deri në skaj sistemin.
Për të treguar kalbjen e sistemit, po ju sjell vetëm një fakt që tashmë e dimë të gjithë. Disa kohë më parë anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea së bashku me të shoqin Odhise Andrea, që kishte bërë seksesin, janë akuzuar nga Prokuroria për korrupsion. Gjyqtarja e Gjykatës të lartë Majlinda Andrea kishte gjykuar Gërdecin, çështjen Mark Frroku, kishte dhënë pafajësi në vitin 2011 për Ilir Metën, dhe kishte qenë e vetmja që votoi kundër lehtësimit të masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi, ndërsa i shoqi i saj Odhise Andrea, ndaj të cilit prokuroria ka dhënë masën e arrestit, deri në momentin kur u kap me presh në duar, ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë!
Kur një anëtare e Gjykatës të Lartë shitet, kur një anëtar i Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e Shqipërisë blihet me 50 mijë Euro, a mund të më thoni, a ka Shqipëria sovranitet ?
Ne që dëgjojmë ditë e natë se si ulërasin me histerizëm se gjoja po shqetësohen për sovranitetin e vendit krerët e politikës shqiptare, kemi të drejtë të pyesim: a doli ndokush prej tyre të denonconte skandalin e Majlinda dhe Odhise Andreas, kur që të dy kishin vende kyçe në shtetin shqiptar?
E pra ky skandal është vetëm një mikro nga makro korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga oktapodi që me tentakulat e tij ka kapur shtetin në çdo qelizë dhe e vetmja shpresë që ky vend t’i rikthehet jetës është reforma në drejtësi.
Kjo klasë politike nuk kishte për ta reformuar kurrë drejtësinë shqiptare, dhe do të bëjë gjithçka kundër reformimit, sepse drejtësia shqiptare ka fytyrën e klasës politike prandaj i urrejnë kaq fort dy heronjtë e kohës sonë.
Oktapodi i urren, por populli i do. Të të urrejë oktapodi dhe të të vlerësojë populli shqiptar, të cilit i kishte humbur edhe ajo që nuk vdes kurrë, shpresa!
Dy heronjtë e kohës tonë, Lu dhe Vlahutin, nuk u dorëzuan, ata dëshmuan se kauzat e fuqishme të japin shansin e fitimtarit.
Lu dhe Vlahutin i treguan popullit shqiptar se nuk duhet të rendin pas demagogjive boshe të politikanëve, por pas kauzave jetike!
Lu dhe Vlahutin meritojnë mirënjohje!
Sepse në një moment krize identiteti, kur politika e ka kthyer popullin në një turmë amorfe, dy njerëz të vendosur e guximtarë, i treguan rrugën e lirisë!
…..rastesisht, e gjeta shkrimin…!Asht po aq aktual edhe sod… Komplimenta! Je nji zonj me ndjenj dashnije per vendin, e si rrall kush din edhe me diftue ,…Jane dy momente,vecanarisht,qe me terhoqen ,pergjat leximit,njeni kur thue”….se kauzat efuqishme te japin shansin e fitimtarit…”..shume e bukur e shume e vertet…dhe tjetri,”…ata jane dy heronj qe puna i solli te vinin ne vendin e Shqipeve,kthyer ne vendin e ….horrave…!….qe qeveriset nga horat po ,sigurisht,ne pothuej, tan harkun kohor te ketyne viteve…po jo kurrsesi ,vend i horave….jo ,jo…asht edhe vendi i shum njerezve te mir e te vuejtun e te ndershem..!Sdq..due me te falnderue me gjith zemer per cka tjeter,shkruen,e madje shkrueni! Shum miqesisht Sokoli.
Sapo e pashë titillino një rreqethje më shkon shtatit. Si è lexova me gjithë shpirt e falënderova zonjën Elisa Buçpapaj autore e shkrimit.
Në shkri gjeta edhe gabimet e mia e të sa e sa shqeptarëve të cilët në shenjë dashurinë pë Amerikën apo dëshirës për t’u gjendur sa më shpejt në gjiro e Evropës hezitohet të thonë të vërtetën. Fatti ështëndryshe. Duhet thënë hapur ajo që ndjen.
…dhe çfarë ndjejmë?
Askujt nuk i shkon në mendje se Lu nuk e dinte se qeverisje e Ervin Ramës Po përkrahte kultivimin e drogës. Për çudi jo vetëm nuk u luftua, por përkundrazi në moments kritike detyrohet opozita të futet në zgjedhjet me votues të blerë me para drove.
As kush nuk mendo se Lu nuk e di se shqiptarët vuajnë nga zgjedha dredharake e bijëve të diktatorit e oborrtarëve të tij , siç e di se këtu katilë Po të luftohen prej tij nuk i ze mbrëmja në ato kolltuqe.
Janë shumë gjëra që I di Amerika e çudia është Se cilën rrugë po ndjen ajo me ne ?Nëse flasim a e dëgjon Amerika? Nëse heshtimku po na resht Amerik?
A e Shikoku Amerika në ç’ gjendje është katandisur populli? Ta ket humour dhimbjen për këtë popul? E përse? Mos vall ngaqë ndonjëherë e ka hapur gojën? Unë shpresoj se Lu do ketë ndonjë plan të madh në të mirë të nipave tanë se edhe bijtë tanë në dorën e bijëve të komunistëve po i lëmë.