SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË ”PAPA KLEMENTI XI ALBANI”, SUEDI BOTON LIBRIN: ”THESAR KOMBËTAR I MËRGATËS SHQIPTARE NË SUEDI …” VËLLIMI 9″
SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË ”PAPA KLEMENTI XI ALBANI”, SUEDI…, I KTHEN KAH HISTORIKU I SHOQATAVE TË TILLA PREJ SE NJË SHEKULL E KËNDEJ
…tha Prof. dr. Mehmet Rukiqi
OPINIONE TË CILAT NDODHEN NË THESARIN 9:
Kujtim Mateli: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, rrezaton fuqishëm në të gjitha trojet shqiptare, me kontributin e saj në promovimin e figurave të shquara të kombit tonë që janë krenaria e historisë sonë mijëvjeçare. Po kaq mbresëlënëse ishte dhe fjala e kryetarit të Shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, z. Hysen Ibrahimi, i cili tregon pse udhëton kaq shpesh në trojet shqiptare, pse ndodhet kaq pranë njerëzve të penës dhe të fjalës: “Bashkimi të pamundurën e bën të mundur, kurse ndarja dhe të mundurën e bën të pamundur”. Kjo filozofi që udhëhoqi Rilindjen tonë Kombëtare, është shprehur bukur nga një tjetër patriot i madh siç është z. Hysen Ibrahimi dhe që tregon arsyet pse kjo shoqatë është duke kryer një punë voluminoze që do t`ia kishin zili dhe institucione shtetërore që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, pikërisht për të kryer një punë të tillë.
Prof. dr. Mehmet Rukiqi: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klmenti XI Albani” në Suedi, shumë dashamirë e lexues të pasionuar të revistës së saj tejet të begatshme ”Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” i kthen kah historiku i shoqatave të tilla prej se një shekull e këndej. Shoqata në fjalë, na shpie në përkujtimin e simotrave të saj, prej ”Flamurit të Arbërit” të drejtuar nga Jeronim de Rada dhe ”Dritës” së Stambollit më 1879. Na shpie te jeta dhe veprimtaria e drejtuesve sivëllezër të saj: Hysen Ibrahimi, Fetah Bahtiri, Bajram Muharremi, Saranda Iseni etj.
Ali Asllani: Nuk është e lehtë, dhe aspak e thjeshtë, të marrësh përgjegjësi ta shkruash një libër sado i thjeshtë dhe i lehtë qoftë ai për lexuesin. Po ashtu, aspak nuk është e lehtë ta sprovosh dhe sfidosh veten për të shkruar, jo vetëm një libër, por kaq shumë sosh, e me vlera kaq të mëdha. Do të thosha vlera të përmasave enciklopedike kombëtare. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI – Albani” në Suedi, përmes këtyre Thesarëve, të cilët unë e kam shumë vështirë t’i ndaj cili është më i miri prej tyre, ka bërë ripërtëritjen shpirtërore dhe morale të shqiptarëve, jo vetëm në Suedi, por edhe në të gjitha trevat tona shqiptare.
Nga dr. Nuhi Vinca Të jesh mërgimtar në Suedi, të punosh për të realizuar detyrat si shtetas apo punëtor suedez, të mbash brengën shpirtërore e materiale për vendlindjen dhe njerëzit e saj, të edukosh e të brumosësh gjeneratën e re shqiptare në Suedi me ideale kombëtare – është një detyrë e rëndë dhe sublime. Është kjo një çështje që kërkon mund pa fund për “art magjie” siç thotë Lasgushi apo të kesh horizont të madh diturie…
Drita Nikoliqi – Binaj: Vlera reale e një ndërmarrjeje kulturore, siç është tanimë kjo shoqatë, ndërlidhet me lartësinë e realizimit të saj dhe kështu ndërlidhet lartësia e realizimit të botimeve të Thesarit Kombëtar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani në Suedi, në krye me Hysen Ibrahimin.
Ramë Manaj: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi, me emrin e gjetur “Papa Klementi i XI Albani”, me opusin e saj, pra anëtarëve të saj, tashmë ka tejkaluar kufijtë e njohjes vetëm në Suedi apo vendet skandinave. Kontributi dhe rezultatet e saj janë madje të mirënjohura edhe nga qarqe kulturore joshqiptare në Suedi e më tej.
Prof. dr. Hysen Matoshi: Këto vëllime, që po e shohin dritën e botimit, janë treguese të kapaciteteve aktuale kreative e intelektuale të shqiptarëve në Suedi, por edhe një faktografi relevante për rolin historik të kësaj pjese të kombit tonë në vitet vendimtare të ndryshimit të rrjedhës historike.
Dr. Don Lush Gjergji: Këtu paraqiten dhe promovohen thesaret tona kombëtare nga ana e mërgatës sonë, e cila përpos mallit, mallëngjimit për atdhe, gjuhë, vendlindje, punës së rëndë dhe të vazhdueshme për mirëmbajtjen e familjes, merret edhe me kultivim, ruajtje, vazhdimësi të vlerave dhe të virtyteve tona, si thesar pa të cilin nuk do të ishim më vetvetja, Shqiptarë, dhe nuk do ta kishim në mend dhe në zemër parimin e madh dhe të shenjtë: të Vërtetën dhe Dashurinë.
Viron Kona: Kjo vepër, që mban siglën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi, është një arritje e madhe, një dokument madhor e vezullues, që do t`u dëshmojë brezave shqiptarë të së ardhmes përpjekjet dhe dashurinë për gjuhën shqipe dhe kombin, por edhe për bashkimin e energjive që secili, atje ku është, në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të zi e Çamëri, por edhe në të gjithë mërgatën, të valëvisë sa më lartë dhe fuqishëm flamurin me shqiponjën tonë sypatrembur e dy krenare.
Prof. Halil Mulaku: Unë, prof. Halil Mulaku, ju përshëndes me zemër e shpirt për punën tuaj shumë të çmuar që po bëni tani në të mirë të atdheut, i cili qe i persekutuar pamëshirshëm nga shumë pushtues të huaj, por kurrë i përkulur e i dorëzuar.
Ju, o burra, djem e vasha, paçi jetë të gjatë e shëndet, paçi vullnet të përbashkuar si grusht për të mirën e të drejtën tonë, për mëvetësinë e vendit tonë shumë të dashur e shumë të bukur!
Dr. Bashkim Lajçi : Se shqiptarët mund të japin kontributin e tyre për vendin amë, kudo që ndodhen, këtë më së miri e dëshmon Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Veprimtaria e saj, botimet e shumta, aktivitetet e shpeshta letrare e kulturore i shërbejnë ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe edhe në një vend të largët, siç është Suedia, në raport me vendlindjen e të parëve, me trojet e banuara nga shqiptarët në shekuj.
Kadri Tarell:
“Volumet e “Thesarit Kombëtar”, janë një enciklopedi e jetës dhe e punës 40–50 vjeçare, duke filluar që me mërgimtarët e parë e deri në ditët e sotme. Pikërisht këtu do t’i gjeni të gjitha dhe do të bindeni se si e kanë filluar ata, që nga hiçi… Kam përshtypjen, (këtu dua të jem i gabuar), se organizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI, Albani”, është model për t’u njohur dhe ndjekur nga shumë shoqata simotra, të shpërndara nëpër botë, kudo ku ka shqiptarë. Unë nuk di të ketë të dytë për nga veprimtaritë e shumta nëpër qytete të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe në Suedi, ku shpalosin vlerat e “Thesarit tonë kombëtar”.
Xheladin Mjeku:
Kjo punë e vyer e këtyre entuziastëve të përkushtuar në ngritjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe artistike gjithandej kah veprojnë për dekada, që pastaj t’ua lënë trashëgimi brezave që vijnë, që ta njohin dhe ta vazhdojnë kultivimin e e kulturës së trashëguar kombëtare nga paraardhësit gjithandej në vendet e Skandinavisë ku është i përqëndruar komuniteti shqiptar. Shikuar nga këndi i lexuesit të rëndomtë, botimi i këtyre “Thesarëve…” mund të konsiderohet një punë e vlefshme dhe e rëndësisë së veçantë, ku në çdonjërin prej këtyre vëllimeve gjejmë diçka që përmbush kërkesat e lexuesit që të njihet më për së afërmi me aktivitetet, sukseset dhe emrat e shumtë, që tashme kanë lënë gjurmë të pakontestueshme në fusha të ndryshme të artit, kulturës, gjuhësisë, pastaj në veprimtari tjera humane e aktivitete të ndryshme në ngritjen e çështjes sonë kombëtare. Aktiviteti i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi “Papa Klementi i XI Albani” ka për synim ngritjen e vlerave kulturore, krijuese dhe shpirtërore të krijuesve gjithandej në diasporën shqiptare, jo vetëm në Suedi, duke mbledhur rreth vetes krijues zhanresh të ndryshme, për të prezantuar fuqishëm këto vlera edhe për opinionin artdhashës gjithandej në shtetet skandinave, që si ambassador të denjë përfaqësojnë këto vlera kombëtare me shumë përkushtim.
Sali Asllani: Është mirë t’i shohim shqiptarët të organizuar, sepse zakonisht dimë të jemi të mirë individualisht, por në kolektiv jemi shumë të zbehtë. Z.Ibrahimi e tha që puna kolektive është gjithmonë më e dobishme dhe ky është një shembull i mirë se si duhet punuar. Ju dëshiroj sukses dhe këto botime të vazhdojnë pa ndëpërerë edhe pasqyrimet e një historie të re, të themi të viteve 90-ta, ku 3% dhe kontributi i mëgratës në përgjithësi, jo vetëm në aspektin financiar, ka qenë shumë i madh, unë mendoj që kontributi në lobim të sensibilizimit të opinionit perëndimor ka qenë më i madh se ky i shprehur në shifra, edhe pse shifra ishte shumë impozante.
Prof. dr. Zejnepe Alili Rexhepi: Më vjen mirë që ai zgjodhi pikërisht Tetovën për të bërë promovimin e veprës së tij ”Thesar Kombëtar” e cila, botohet vazhdimisht prej disa vitesh, shkrime me vlerë që i dedikohen vërtet ”Thesarit tonë kombëtar”. Në këtë libër botohen shkrime mjaft të rëndësishme të autorëve shqiptarë gjithandej botës dhe për këtë meritor është pikërisht zotëria i nderuar Hysen Ibrahimi, i cili mbledh gjatë tërë vitit këto shkrime, të cilat njëkohësisht edhe përmes një konference që mbahet në Suedi i përzgjedhin dhe i përgatisin për ditën e botimit. Unë me të vërtetë e falenderoj që ai më bëri pjesë të këtij promovimi që të thosha këto fjalë përshëndetëse para jush auditor i nderuar, ndonëse e çmoj lart punën dhe veprën e tij.
Prof. Mursel Ibrahimi: Unë kam pasur fatin të flas për këto libra dhe do të keni edhe ju fatin t’i keni në duar dhe të shihni veprimtarinë dhe kontributin e mërgatës shqiptare. Sot po përurohen edhe thesarët edhe libri ”Vepra” e autorit Hysen Ibrahimi, i cili libër paraqet jetën e mërgimtarëve në Suedi, duke filluar me përshkrime, më kontribute dhe të gjitha ndihmat që janë bërë për arsimin shqip, që ka filluar që nga viti 1968 në Suedi.
Prof. dr. Zeqir Kadriu: Do të them ca fjalë që më lanë mbresa dhe janë shumë të rëndësishme për veprimtarinë e kësaj shoqate që është munduar në tetë vëllimet e saj të paraqes dokumente dhe dëshmi se çfarë aktiviteti ka kryer kjo shoqatë, me çka është marrë, përfshi të gjitha përvojat kur çështja e Kosovës ka pasur më së shumti nevojë dhe ka vuajtur nga thundra serbe, e cila fatmirësisht theu qafën dhe iku përgjithmonë. Gjeneratat që vijnë pas do t’i shohin këto materiale, do t’i lexojnë dhe do të kuptojnë se cilët ishin këta mërgimtarë dhe me çfarë sakrificash e kanë bërë punën e tyre dhe kjo për mua është një vlerë shumë e madhe. Atëherë pa dashur që ta zgjas shumë, sepse qëllimi për të cilin u mblodhëm është promovimi i këtyre vëllimeve kaq të mëdha që janë një dëshmi për veprimtarinë e kësaj shoqate të cilës unë i uroj që të ketë edhe shumë suksese të tjera se një veprimtari e tillë kërkon edhe më tej sakrifica, të cilat aktivistët tanë me në krye Hysen Ibrahimin, po i bëjnë ashtu si duhet.
Mr. Sadije Aliti: Aty ku shkruhet historia, mbeten gjurmët e një të kaluare, si një dëshmi e një të ardhmeje mbetet historia e kohës, nëpër kohë, “Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, i botuar në disa vëllime është një dëshmi e historisë, dëshmi e një të kaluare dhe një të ardhmeje. Historinë e shkruajnë njerëzit e penës, dhe njerëzit e veprës, njerëzit e punës, puna ekipore e kësaj shoqate është si një shembull edhe për shtetet tjera ku gjeden shqiptarët, vitet kalojnë e koha ikën, vetëm gjërat e dokumentuara i mbeten kohës, i rezistojnë asaj dhe dëshmojnë e faktografojnë një jetë e një epokë, të sotme për gjeneratat e reja për nesër.
“Thesari kombëtar” ,vepër e mërgatës shqiptare në Suedi, është një dëshmi e gjallë për breznitë e reja.
Rami Kamberi-Studiues: Do të them fjalën time për veprimtarinë e shoqatës që sot na dëshmon për ecurinë e tyre duke na lënë tetë vepra në histori. Shoqatë kjo nga shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Suedi. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI – Albani” ku shihet qartë nga libra 1 deri në 8, libra të cilat kam pasur rastin t’i lexoj dhe t’i studioj mirë dhe jo vetëm numrin e fundit, por disa nga këto libra që sot kanë arritur mes nesh dhe kanë fjalën e titullit të vështrimit që e thash më herët. Dëshmon për një disiplinë dhe përgjegjësi para aktivistëve, para shoqërisë dhe para kombit shqiptar. Ndaj për fund më mbetet të them se veprimtaritë kulturore dhe dëshmitë e shkruara mbetën e vetmja gjurmë që kohës i themi ne jetuam shqip. Kjo thënie vlen edhe për shoqatën në fjalë.
Komentet