Botues Shoqata e Shkrimtareve dhe Artisteve Shqiptare ’’Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Fjala e redaktorit, Prof. Dr. Mehmet Rukiqi
Hyrë Tejeci Murati, botoi veprën monografike, me titull “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”. Arsimi, arti, kultura dhe shkenca shqiptare, në përgjithësi, shënojnë edhe një shkallë të ngritjes më lartë të zhvillimit. Për objekt studimi, Hyra zgjodhi veprën kapitale “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, të themeluar me 26 nëntor 2011, nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klemeneti XI Albani”.
Autorja na përkujton krijimtarinë e shoqatave, shoqërive, apo kolonive të mërgimtarëve shqiptarë të para 132 viteve, në kohën e Rilindjës Kombëtare, në prag ose pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqipe”, të themeluar nga mërgimtarët shqiptarë në Stamboll, më 1879 – 1891, në krye të saj u zgjodh Sami Frashëri, Pashko Vasa, e Jani Vreto. Më vonë edhe Koto Haxhi, Abdyl Frashëri e Zija Prishtina. “Dituria”, degë e “Dritës” në Stamboll, u krijua më 1881 në Bukuresht. Më vonë, të dy këto shoqëri, u quajtën “Drita”. Nikolla Naço (1843-1913), nga Korça, emërohet kryetar i shoqërisë në Bukuresht, më 1887. Ishte edhe drejtor i gazetës “Shqiptari”, që doli në këtë qytet, më (1881 – 1903), dhe drejtor i shkollës normale shqiptaro-rumune në Bukuresht, më 1892, për të përgatitur mësues të gjuhës shqipe.
“Dëshira”, e mbante emrin “Shoqata e Mërgimtarëve Shqiptarë në Sofje”. Nxori edhe revistën “Kalendari Kombiar”, më 1897-1926 dhe më 1926-1928, që i përngjante veprës “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare”, të tanishme, në Suedi, të trajtuar shkencërisht nga autorja Hyrë Tejeci Murati. “Kalendari Kombi ar”, ishte botim i përvitshëm. Për nga natyra e materialit, që e botoi, ishte enciklopedi kulturore, letrare e politike. Numri i parë doli më 1897, me titull “Ditërrëfënjësi (Kalendari) Shqip”. Nga viti 1898, më titull “Ditërrëfënjësi (kalendari) Kombiar”. Nga viti 1901 e deri në fund, me titull “Kalendari Kombiar”. Në periudhën 1898-1908, u botua në Sofje, nën drejtimin e Kristo Luarasit dhe Kosta Jani Trebicka. Më 1909 – 1910, u botua në Selanik; më 1911 – 1916, në Sofje; më 1926, në Tiranë, nën drejtimin e Lumo Skendos. Më parë, më 1912, në Bukuresht, drejtohej nga Ismail Qemajli, ku botoi Platformën e Pavarësisë.
Shoqëritë: “Besa-Besën”, “Flamur i Krujës”, “Shoqëria Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”, që u formua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpejt u bashkuan në një Federatë të madhe, të quajtur “Vatra”. Kryetar i parë u zgjodh Fan Noli. Aktiviteti i shoqatave, ku më shumë e ku më pak, u zhvillua edhe në Kajro, Liban dhe në Itali, nga Jeronim De Rada, me gazetën “Fjamuri Arbërit”.
Kritikë, në kuptimin letrar, do të thotë shkathtësi e gjykimit, e dobësive dhe të metave, lëshimeve e vënieve në pah të gabimeve, gjatë punës në aksione e angazhime, në detyra e sjellje, dukuri apo veprime të individëve apo grupeve. Këto kërkesa u aplikuan në veprën e autorës. Hulumtimi racional i vështirësive të ndonjë hipoteze, konfirmoi a supozoi një teori apo pikëpamje të sistemit shkencor e filozofik. Kritika nuk është vetëm qortim, por edhe lavdërim.
Vepra e Hyrë Tejeci Muratit, në kuptimin e kritikës letrare, është ajo pjesë e shkencës mbi letërsinë, që shërben si lidhje midis veprës dhe lexuesit. Është ndër veprat e para të këtij lloji. Ka për qëllim që, sa më hollësisht të zbulojë ato domethënie dhe bukuri artistike e estetike që përmban vepra vuluminoze “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Do t’u ndihmojë lexuesve për kuptimin e kënaqësisë sa më të plotë, që rrjedh nga leximi i veprës me rëndësi. Në këtë funksion, del edhe vlerësimi i veprës letrare e shkencore. Autorja, përgatitë faktorë të rinj të përgjithësimit të mëtejmë të teorisë letrare dhe estetike. Me përgjithësim apo gjeneralizim të veprës “Thesar Kombëtar” mund të indentifikohet edhe vepra e autorës “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”. Mund të jetë e vlerësueshme edhe për të gjitha ato veçori të reja, që vepra letrare e shkencore i përmban në vete. Të përmblidhet, apo të përgjithësohet një vepër madhore si “Thesar Kombëtar”, kërkohet një njohuri e gjerë shkencore e teorike, mbi natyrën e veprës artistike. Në bazë të aftësive kritike, të zbulohen e të shikohen drejtimet e reja në krjimtarinë, në përgjithësi, dhe atë artistike në veçanti.
Qendrimet e autorës janë në lartësi të përcaktuar. Ne veprën e saj, reflektojnë dituri moderne shkencore e letrare, ekonomike e shoqërore, filozofike e logjike, etike e politike, humanitare e historike, të nxjerra e të përgjithësuara në mënyrë thelbësore nga vepra “Thesar Kombëtar” , në nëntë vëllime. Ideali dhe forca krijuese e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, u përqendrua në thesarin e kulturës dhe të krijimtarisë. Shumica e aktivistëve të saj janë shkrimtarë. Morën për bazë artikulimin e fuqishëm në letërsi. I dhanë hov veprimtarisë nacionale e autentike. U morën me traditën shekullore shqiptare, thuajse nga të gjithë lëmenjët e jetës dhe të punës. “As një popull tjetër, besoi, nuk u denue, si i yni, nga fati me marrë rrugat e gerbetit. Shqipnia, nonse e vogël, i ka bijtë e vetë, të shpërndamë në katër kandet e dheut, për një përmirësim gjallese”, – thotë Ernest Koliçi. Edhe malli i shqiptarëve në Suedi i afrohet mallit e përmallimit arbëresh për Shqipërinë. Ky mallëngjim, u bë frymëzim potencial për krjimin e veprave madhore, letrare, filozofike e shkencore. Kjo arsye i shtyri mërgimtarët shqiptarë në Suedi të krijojnë Shoqatën e Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”. Data e krijimit, sipas autorës Hyrë Tejeci Murati, është 26 nëntori i vitit 2011. Kjo datë mbetet historike. Vendimi u mor në Kuvendin Themelues, ku morën pjesë 61 delegatë, që përfaqësonin, pjesën më të madhe të mërgatës në Suedi. U miratua dhe statuti. U zgjodhën kryesia dhe komisionet.
Autorja i përmend themeluesit e Shoqatës, sipas radhës alfabetike: kryetar u zgjodh Hysen Ibrahimi, i njohur për aftësitë dhe aktivitetin e tij të gjithanshëm; nënkryetarë: Bajram Muharremi, Bedri Paci, Fetah Bahtiri, Hamit Gurguri, Ibrahim Abedini, Osman Ahmetxhekaj, Remzi Basha dhe Sokol Demaku; anëtarë të kryesisë: Adem Ahmeti, Advije Imeri, Albert Jashari, Avdyl Uka, Avni Rama, Emin Hoti, Emin Rrustemi, Halil Hoti, Idriz Gashi, Jusuf Bajraktari, Keq Marku, Mone Juniku, Miftar Havolli, Mustafë Kabashi, Mursel Shkupolli, Naim Besim Latifi, Qibrije Hoxha, Ramadan Hyseni, Sadulla Zendeli – Daja, Saranda Iseni, Skender Jashari, Shaban Murseli, Shfeqet Tafilaj dhe Xhavit Çitaku; sekretar Fahredin Berisha; arkëtar Rrahman Rrahmani.
Shoqata nxori vëllimin e parë të punimeve letrare shkencore me rëndësi gjithëkombëtare. Autorja Hyrë Tejeci Murati e përcolli me një vemendje dhe angazhim cilësor, daljen e blenit të parë më 2012 dhe të vellimeve në vazhdim deri tek i nënti me radhë, që doli sivjet. Libri “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”, është një përmbledhje e nëntë vëllimeve , me 5570 faqe, të cilat janë botuar deri tani në “Thesarin Kombëtar”.
Në Suedi jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova. Autorja flet për organizimin e shqiptarëve. Angazhimi i tyre ishte vlerësuar nga Ibrahim Rugova, presidenti i parë historik i Kosovës, si aktivitet i gjithanshëm. Ndihmat për Kosovën. Autorja thekson edhe pajtimin e gjaqeve. I jep me numra vlerën e ndihmave për familjarët dhe popullatës. Ofron edhe dokumente të rëndësishme. Hyn në detaje për të saktësuar rrjedhën dhe vendet e ndihmave financiare. Njëri ndër aksionet e para për ndihmë ishte “Familja ndihmon familjen”, me regjistër të emrave dhe sasitë e ndihmave. Spikatë lista e Këshillit Nismëtar për Themelimin e Lidhjës Demokratike të Kosovës. Autorja përmend edhe degën e LDK-së në Suedi, bashkë me të gjitha nëndegët e saj. Ndër aktivistët , i përmend: Muhamet Shatrin, Beqir Sadikun, Bajram Nikçin, Hysen Ibrahimin, Zymer Qupevën dhe Qibrije Hoxhën.
Interesim të veçantë për lexuesin do të japë kapitulli i librit të autorës “Arsimi dhe shkollat shqipe në Suedi”, që nga viti 1968 në Malmo dhe mësuesit e parë, Begzat Beqiri, Kosovë Rexhë Bala, si dhe librat shqipe, prej abetarës e tutje, në saje të Lidhjës së Arsimtarëve Shqiptarë në Suedi “Naim Frashëri”. Profesor Fetah Bahtiri kishte hartuar një planprogram për shkolla të mesme dhe punonte sipas tij.
Autorja Hyrë Tejeci Murati, nga ngjarjet me rëndësi historike në vëllimet prej 1- 9 përmend 2 korrikun 1990, kur deputetët shqiptarë në oborrin e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, shpallen Pavarësinë; 7 shtatorin e këtij viti, shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut. Flet edhe për manifestime të tjera, 28 nëntorin e 17 shkurtin.
Flet për mobilizimin e shqiptarëve e për çështjen e Kosovës, organizimin e demonstratave në shumë qytete të Suedisë, sidomos prej 1989-1999. Kishin përkrahjen edhe nga diplomatë suedezë, si Carl Bildt, Anna Lind, Ullmar Qvick, Ewa Jonsson, Anders Wessman, Margaretha Larsson, Margaretha Wiklund, Göran Wasenius, etj. të këtij shteti mik të madh të Kosovës dhe të shqiptarëve.
Hysen Ibrahimi, sipas autorës, më së miri, prezanton historikun e mbështetjes, ndihmës dhe përkrahjës së Suedisë. Thekson se “Suedia na siguroi kulmin mbi kokë, na i hapi dyert e shkollave, xhirollogaritë për ndihmë pavarësisë, ngriti zërin në mbarë botën e qytetruar, na lejoi mbajtjen e demonstratave kundër burgosjes, dhunës, vrasjeve dhe spastrimit etnik që bënë serbët në Kosovë. Na ndihmuan edhe Kishat protestane që hapën dyert për strehim”.
Emërtimi “Thesar”, ka një kuptim të qëlluar e përmbajtjesor. Është tërësia e vlerave të mëdha të kulturës materiale e shpirtërore, që ka një vend si Kosova e një popull si populli shqiptar. Vepra studimore – monografike e autorës Hyrë Tejeci Murati, del me një titull të qëlluar “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”. “Monument” nga latinishtja, monumentum do të thotë përmendore. Tek autorja del kuptimi monument madhështor me vlerë, rëndësi të madhe artistike, kulturore, historike e shkencore. Përflakje, në kuptimin figurativ është flakë që del nga zjarri i zemrës së dashurisë së mërgimtarëve për atdhe. Këtë vlerësim, autorja e përcaktoi në bazë të rëndësisë së përgjithshme kombëtare dhe dobisë së gjithanshme që ka vepra e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. Qëllimi i autorës del si përpjekje për njohje sa më të thellë të trashëgimisë shpirtërore e nacionale.
Pas leximit dhe rileximit redaktorial, vërehet një diskurs me praktikë origjinale të vlerësimit. Del një sistem i mendimit dhe argumentimit të vlerës së përgjithshme e të gjithanshme. Vërehet një aureolë e autorës, përkatësisht, paraqitjës sikur me shkelqim ngjyrë ari të nderimit të mërgimtarëve të kësaj shoqate, që nga Hysen Ibrahimi kryetar, e tutje, për themelimin, angazhimin e veprimtarisë së saj gjithpërfshirëse e deri më tash. Autorja, në kuptimin metodologjik, si duket në shkrimet e saj, lexon, analizon, informon, njofton dhe interpreton në nivel të duhur. Në veprën e saj reflektojnë metodat që zbatoi autorja, si metoda aksiologjike, që do të thotë vlerësim i gjithanshëm. Vepra e saj me veçanti të rralla, hyn në lëmin e shkencës mbi letërsinë, zbulimet e cilësive të reja, metodën inventive dhe dialektike që ofojnë material të vlefshëm për teorinë letrare të përgjithësimit që është objekt i këtij studimi. Kriter i veçantë i vlerësimit është prezantimi me fakte. Mendimi përgjithësues është nxjerrë pas shqyrtimit të nëntë blenjëve të “Thesarit Kombëtar”, duke u mbështetur në të dhëna të ndryshme. Autorja dha një përfundim logjik dhe të drejtë.
Në fund, në cilësinë e redaktorit, konstatoj se Hyrë Tejeci Murati ka aftësi kritike dhe vlerësuese, letrare e shkencore. Shquhet me njohuri shprehëse gjuhësore, stil të rrjedhshëm e të përsosur. Libri i saj “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”, është edhe një vepër e suksesshme me vlerë të gjithanshme kulturore e shkencore. Përgëzoj autorën, duke i dëshiruar suksese edhe më të mëdha në punën e mëtejme.
Komentet