VOAL

VOAL

Dokumenti – si u korruptuan Ali Ahmeti e Musa Xhaferi me 5 milionë €

September 6, 2015

Komentet

Kërkonin ryshfet, në pranga përfundojnë më shumë se 35 policë e doganierë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka realizuar sonte një aksion të madh policor në dy lokacione të vendit, ndërsa në pranga kanë përfunduar më shumë se 35 policë e doganierë.

Sipas informacioneve, aksionet janë zhvilluar në Strumicë dhe Gjevgjeli ku janë arrestuar edhe disa doganierë.

Arrestimi është bërë për shkak të punës së papërgjegjshme në shërbimin doganor dhe marrjes së parave.sn

Presidenca e Maqedonisë së Veriut “nuk njeh” gjuhën shqipe, Qeveria pjesërisht, ndërsa Kuvendi po

Portalb.mk ka analizuar përdorimin e shqipes për një javë në komunikatat me mediat dhe ueb-faqet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Presidencës dhe Kuvendit, tani që me këto institucione kryesojnë njerëz të rinj.

Gjatë shtatë ditëve të analizuara (12-18 shtator) të komunikatave të këtyre tre institucioneve, vërehet që Presidenca nuk e përfill fare gjuhën shqipe, Qeveria dërgon komunikata edhe në shqip edhe pse me vonesë dhe jo të gjitha, ndërsa Kuvendi gjithmonë e zbaton gjuhën shqipe, përveç përjashtimeve tepër të rralla.

Presidenca

Gjatë shtatë ditëve të analizuara, presidenca nuk e ka dërguar as edhe një komunikatë në gjuhën shqipe, ndërsa praktikë të ngjashme ka pasur edhe gjatë kryesimit të këtij institucioni nga ish-presidenti Stevo Pendarovski. Megjithatë sërish nuk ka qenë në këtë nivel. Edhe pse me raste shumë të rralla, dërgohej tek-tuk ndonjë komunikatë në gjuhën shqipe.

Kur bëhet fjalë për ueb-faqen, situata nuk është më e mirë, por përsëri është funksionale edhe në shqip. Megjithatë, nuk është përditësimi i njëjtë si në maqedonisht. Për shembull, gjatë kontrollit të ueb-faqes nga redaksia jonë më 19 shtator, në versionin maqedonisht të ueb-faqes komunikata e fundit e Presidencës është e datës 18 shtator, ndërsa në versionin shqip është e datës 10 shtator, ndërkohë që mes datave 10-18 shtator ka pasur çdo ditë informacione në gjuhën maqedonase. Pra, për 8 ditë të plota, ueb-faqja nuk është përditësuar me asnjë informacion shqip. Ndërkohë, në versionin shqip, pjesa e “Kategorive” është në gjuhën maqedonase, siç mund të vërehet në fotografitë e mëposhtme (djathtas):


Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së
Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së
Versioni në shqip i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së
Versioni në shqip i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së

Kuvendi

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në shtatë ditët e analizuara, pothuajse të gjitha komunikatat i ka dërguar në të dyja gjuhët, përveç një komunikate që është dërguar vetëm në maqedonisht.

Edhe sa i përket ueb-faqes së Kuvendit, njoftimet ditore dhe agjenda janë vazhdimisht të përditësuara me informacione të reja edhe në gjuhën shqipe. Ndërsa kur bëhet fjalë për të dhëna më të veçanta, nuk gjenden në versionin në shqip. Për shembull rubrika “Të dhëna të hapura” dhe “Regjistër për organizata”, nuk ndodhet në versionin shqip të ueb-faqes.

Sidoqoftë, krahasuar me Qeverinë, e me presidencën as që bëhet fjalë, Kuvendi i RMV-së e zbaton gjuhën shqipe, veçanërisht në komunikim me mediat.

Kjo praktikë në Kuvend ka qenë edhe kur kryeparlamentar ishte Talat Xhaferi. Pra nuk ka ndryshime në këtë institucione, përkatësisht mund të konstatohet që gjuha shqipe zbatohet në tërësi.

Qeveria

Kur jemi te Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk është se ka ndryshuar shumë praktika e komunikatave të dërguara në gjuhën shqipe nga koha e Qeverisë teknike apo nga ajo e LSDM-së. Në të tre rastet, komunikatat në gjuhën shqipe dërgohen në mënyrë të parregullt. Gjegjësisht, çdo komunikatë fillimisht dërgohet në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët njëherësh dhe dallimi midis dy komunikatave arrin deri në mbi dy orë. Kjo do të thotë, se pasi gazetarët tashmë e kryejnë punën, e përkthejnë komunikatën dhe plasojnë lajmin, arrin komunikata në gjuhën shqipe.

Më poshtë ilustrohet dërgimi për shtatë ditë i komunikatave nga Qeveria:

18 shtator – Qeveria ka dërguar 9 komunikata, pesë prej tyre edhe në gjuhën shqipe, të tjerat vetëm në maqedonisht. Njëra prej komunikatave e dërguar në shqip është dërguar pas dy orësh.

17 shtator – Në këtë datë janë dërguar 3 komunikata, dy vetëm në maqedonisht, ndërsa njëra në shqip dhe maqedonisht. Gjegjësisht, njëra prej komunikatave është dërguar njëherë në maqedonisht, ndërsa të dytën herë në shqip dhe maqedonisht.

16 shtator – Qeveria ka dërguar 11 komunikata. Të gjitha edhe në shqip edhe në maqedonisht, por si gjithmonë me 30 minuta e deri në një orë vonesë. Përkatësisht, 5 komunikata fillimisht janë dërguar në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët. Një komunikatë e kësaj date është e 15 shtatorit, e cila në këtë datë, u dërgua vetëm në maqedonisht.

15 shtator – Në këtë datë është dërguar një komunikatë vetëm në maqedonisht. E njëjta në të dyja gjuhët është dërguar më 16 shtator.

14 shtator – Në këtë datë është dërguar poashtu vetëm një komunikatë vetëm në maqedonisht.

13 shtator – Qeveria ka dërguar pesë komunikata, dy prej të cilave fillimisht vetëm në gjuhën maqedonase, pastaj në të dyja gjuhët, ndërsa një komunikatë është me lista të zëdhënësve që nuk nevojitet përkthim.

12 shtator – Në këtë datë janë dërguar nëntë komunikata, katër njëherë vetëm në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët. Njëra është dërguar vetëm në gjuhën maqedonase.

Sa i përket ueb-faqes së Qeverisë, gjuha shqipe është më e zbatueshme se sa e Presidencës, e cila për tetë ditë nuk e ka përditësuar ueb-faqen në shqip me informatat më të fundit. Qeveria, përditëson me një ose dy ditë vonesë versionin shqip të ueb-faqes. Kontrolluar më 20 shtator të dy versionet, vërehet se në versionin maqedonisht ka informacione të po kësaj dite, ndërsa në shqip janë të një dite më parë, 19 shtator.

Problemi me kategoritë, ashtu sikurse në ueb-faqen e Presidencës, hasen edhe në ueb-faqen e Qeverisë. Për shembull, siç mund të vërehet në fotografitë e mëposhtme, “Meta podatoci” dhe “Sliçni objavi” në të dy versionet e ueb-faqes janë në maqedonisht.

Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Qeverisë së RMV-së
Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Qeverisë së RMV-së
Versioni në shqip i ueb-faqes së Qeverisë së RMV-së

Sa për krahasim, mes tre qeverive, asaj të LSDM-së, asaj teknike dhe të VMRO-së nuk është se ka ndonjë dallim të madh, ajo që vërehet si ndryshim është se në krye me Talat Xhaferin, komunikatat shqip dërgoheshin gjithmonë paralelisht me ato në gjuhën maqedonase.
Gjithashtu, gjatë Qeverisë së Xhaferit, në shqip përktheheshin vetëm komunikatat ku si “protagonist” e kishin kryeministrin Xhaferi, ndërsa lidhur me anëtarët tjerë të Qeverisë, nuk dërgoheshin fare komunikata edhe në shqip. Në raste të rralla dërgoheshin komunikata në shqip, kur nuk kishin të bënin me Xhaferin edhe atë në lajme tepër të rëndësishme.

Në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.

Heqja e tabelave shqip- Flasin qytetarët e Dibrës së Madhe: Me luftë do ta mbrojmë gjuhën shqipe

Pak ditë më parë në pikën e kalimit kufitar me Kosovën në Bllacë të Maqedonisë së Veriut u hoqën tabelat e sinjalistikës rrugore që përmbanin edhe gjuhën shqipe.

Kjo krijoi një zemëratë tek shqiptarët e shtetit fqinj. Tabelat që ishin vendosur në rrugën Bllacë – Shkup nuk përmbanin gjuhën shqipe, ndërsa ato janë zëvendësuar sapo rasti u bë publik në media.

Në lidhje me këtë ngjarje, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin situatën si kthim mbrapa në kohë, por që janë të vendosur se nuk do ta lejojnë të ndodhë. Qytetarët e Dibrës së Madhe shprehen se është luftuar në gjithë këto vite për gjuhën shqipe dhe se nuk mund të ketë një kthim në vitin 2001. Të tjerë qytetarë thonë se fillimisht do të organizojnë protesta, nëse do të ketë një tentativë për ta hequr gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.

Shumë tabela në rrugët e Maqedonisë së Veriut u dëmtuan duke iu hequr gjuhën shqipe. Ndërkohë, Ndërmarrja Publike për Mbrojtjen dhe Mirëmbajtjen e rrugëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se do t’i kthejë tabelat në gjendje e mëparshme, me gjuhën shqipe të mbishkruar në to, ndërsa për përgjegjësit e kësaj vepre kërkojnë veprim nga institucionet përkatëse.bw

Heqja e mbishkrimeve shqip nga tabelat, kryeministri i RMV, Mickoski: Pjesë e planit për destabilizimin e vendit

Kryeministri i RMV Hristijan Mickoski ka deklaruar se heqja e mbishkrimeve në shqip nga tabela në pikën kufitare Bllacë është pjesë e një plani për destabilizim të vendit. Ai thekson se përgjegjësia për këtë veprim nuk i përket ndonjë institucioni të veçantë, por përbën një veprim të struktura kriminale që për vite me radhë janë pasuruar në dëm të qytetarëve. Mickoski sugjeron se këto veprime janë rezultat i panikut nga disa grupe që janë të shqetësuar për afrimin e hetimeve ndaj tyre.

“Nuk mund të identifikoj një institucion të veçantë përgjegjës për këtë, sepse nuk besoj se është një institucion i caktuar, por është pjesë e një plani për destabilizim nga struktura kriminale që kanë përfituar përmes aktiviteteve të paligjshme në kurriz të qytetarëve. Kriminelët politikë që kanë manipuluar me institucionet, kanë ndarë licenca për video-lotari të paligjshme dhe lotari online, tani janë të frikësuar pasi hetimet po i afrohen. Këta individë, të cilët ndihen të kërcënuar, përpiqen të destabilizojnë shtetin, por nuk do të kenë sukses,” u shpreh Mickoski.

Nga ana tjetër, Arben Taravari nga VLEN ka kritikuar dramatizimin e rastit, duke theksuar se heqja e mbishkrimeve në shqip ishte një manovër për të shpërqendruar opinionin nga vendimi i Gjykatës së Apelit që kishte rikthyer vulat e partisë së Taravarit. Sipas tij, një arsye tjetër për këtë defokusim ishte konferenca e njëjtës ditë ku u shpalosën parregullsi nga ish-funksionarët e BDI-së.

“Rasti është dramatizuar pa arsye. Heqja e tabelave ishte një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga vendimi i Gjykatës së Apelit dhe nga parregullsitë që u zbuluan në konferencën për shtyp. Tabela ishte ndryshuar me urdhër të ish-drejtorit të ndërmarrjes për rrugë publike dhe tani është rikthyer në përputhje me standardet. Përsëri, tabela e re do të jetë në tri gjuhë,” tha Taravari.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga opozita shqiptare, të shtunën u bë e qartë se tabelat e reja që kishin hequr mbishkrimet në shqip janë zëvendësuar sërish me ato që përfshijnë edhe gjuhën shqipe. Reagimi i opozitës dhe veprimet e ndjekshme kanë sjellë rikthimin e tabelave në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet shumëgjuhëshe.bw

Krenar Lloga: Vazhdon degradimi i shqiptarëve në Armatën e RMV

Ish–Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ndaj degradimit që sipas tij ju bëhet shqiptarëve në Armatën e RMV-së.

“Vazhdojnë degradimet në Armatën e Maqedonisë së Veriut, Shefi i J2 në ARM apo ndryshe përgjegjes i seksionit për Zbulim, kundërzbulim dhe siguri, Kolonel Salija Mustafa shkarkohet dhe në vendin e tij emërohet kolonel Zlatko Stanoeski.

#VasaliteriNukVlen” – thekson Lloga.bw

Dështon nisma për mocionin e mosbesimit ndaj kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

VOA

Parlamanenti i Maqedonisë së Veriut nuk e miratoi mocionin e mosbesimit të ngritur nga partia nacionaliste ‘E Majta’ ndaj Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

21 deputetë të opozitës maqedonase, ‘E Majta’ dhe LSDM votuan pro, ndërsa 72 deputetë votuan kundër.

Nisma nuk u mbështet as nga ligjvënësit e Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim në opozitë, por ata nuk morën pjesë në votim; u larguan nga salla para se nisma të hidhej në votim.

‘E Majta’, e akuzonte Gashi për shkeljen e rregullores së punës së parlamentit dhe për nxitjen e disa skandaleve. Partitë shqiptare e cilësuan nismën për interpelancë (mocion mosbesimi) si të motivuar mbi baza etnike.

Kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev theksoi se kryetari i parlamentit nuk e respekton gjuhën dhe flamurin maqedonas; se ka shkelur parimin sekular të shtetit duke organizuar një lutje fetare në parlament (me rastin e përkujtimit të përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës); se ka ndërhyrë kundër ligjeve në rastin e kontrollit në aeroportin e Shkupit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ka keqpërdorur shërbimet zyrtare dhe policore me pjesëmarrjen e tij në një dasmë në Kosovë.

Ndërkohë, kryetari i parlamentit nismën për mocionin kundër tij e vlerësoi si përpjekje për thellimin e ndasive në shoqëri, për heqjen dorë nga rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe nga anëtarësimi në NATO. Zoti Gashi iu përgjigj me kundër-akuza partisë ‘E Majta’ për qëndrimet e saj, “albanofobe dhe islamofobe”.

”Ne të gjithë flasim me zë të lartë për BE-në; qytetarët flasin për bashkëjetësën. Të gjithë themi se jemi këtu bashkë në të mirë dhe në të keqe, ndërsa vetëm kjo parti (E Majta) flet kundër tri shtyllave themelore të shoqërisë sonë: orientimin tonë euro-atlantik, përkushtimin tonë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe përkushtimin tonë për harmoni ndëretnike. Është shumë keq kur luan në kartën e nacionalizmit të gjykimit të tjetrit pa i dëgjuar të gjitha faktet dhe argumentet”, tha Gashi.

Ai nuk qëndroi në seancën plenare me arsyetimin se nuk dëshironte që me praninë e tij të ndikonte tek rrjedha e debatit, teksa u bëri thirrje ligjvënësve që të votonin sipas bindjeve individuale.

Lidhja Social Demokrate e opozitës i dha mbështetje interpelancës ndaj zotit Gashi, duke e akuzuar atë për rastin në aeroportin e Shkupit dhe udhëtimin me veturë zyrtare në një dasmë në Kosovë, me ç’rast e gjithë kolona e krushqëve kishte kaluar kufirin Maqedoni – Kosovë pa iu nënshtruar kontrollit të dokumenteve personale në pikën kufitare të Bllacës.

Ligjvënësit e Frontit Evropian që hodhën mjaft kritika për punën e kryetarit të parlamentit, e kundërshtuan nga ana tjetër interpelancën, duke e cilësuar atë si të motivuar mbi baza etnike.

“Konstatojmë dhe jemi të mendimit se motivi për këtë interpelancë nuk ka të bëjë me punën e kryetarit të parlamentit, por ka të bëjë me përkatësinë e tij etnike”, tha Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Por, Xhaferi sikur se edhe disa kolegë të tij të Frontit Evropian, theksoi një sërë vërejtjesh për punën e kryetarit të parlamentit për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm, sipas tij, të procedurave të vendosura me rregulloren e punës së parlamentit.

Kryeministri dhe kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski e ka quajtur “sjellje të papjekur dhe të krisur” të Lidhjes Social Demokrate, BDI-së dhe të Majtës duke shtuar se nuk ka asnjë bazë për interpelancë ndaj kryetarit te parlamentit, Afrim Gashi.

Interpelanca në Maqedoninë e Veriut është ekuivalente me mocionin e votëbesimit. Shumica parlamentare ka 76 deputetë nga 120 sa ka githsej parlamenti i vendit.

VMRO i rikthehet idesë kundër gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

Dy muaj pas formimit të qeverisë së VMRO-DPMNE me kryeministër Hristian Mickoski dhe në koalicion me shqiptarët e VLEN, në qarqe të ndryshme siç është institucioni më i lartë i barazisë ligjore, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, po shfaqen qëndrimet e para kundër gjuhës shqipe. Dje, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski ka paralajmëruar iniciimin e një nisme kundër gjuhës shqipe. Ai tha se “me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik”.

Në bazë të kësaj deklerate të kreut të Gjykatës Kushtetuese ky ligj së shpejti mund të shfuqizohet dhe përpjekjet për një nismë të tillë mund të nisin pa humbur kohë nga faktori maqedonas.

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut u arrit pas përpjekjeve të gjata të faktorit politik shqiptar, për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit e cila shënoi fundin e konfliktit të armatosur në RMV. Kujtojmë që VMRO-DPMNE ka mbajtur vazhdimisht qëndrime antishqiptare qëkur drejtohej nga ish-kryeministri Nikola Gruevski.

Pas deklaratës së kreut të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski, kanë ardhur edhe reagimet e faktorit politik shqiptar.

Koalicioni VLEN, partitë shqiptare në bashkëqeverisje me VMRO e kanë konsideruar nismën për kontestimin e dygjuhësisë si tentativë për grusht shteti. Një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Fronti Europian, koalicioni i partive shqiptare opozitare i përbërë nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët të cilët bëjnë thirrje të mos preket gjuha shqipe.

Nga ana tjetër, Agjencia Për zbatimin e Ligjit për Gjuhët e pakicave ka deklaruar se “nismat e këtilla janë kryekëput me karakter politik, nacionalist dhe antinjerëzor”. “Gjuha shqipe u përket shqiptarëve dhe nuk rrezikon askënd. Tendenca për ta përjashtuar shqipen nga përdorimi zyrtar, është ide e vjetër e cila, siç e dimë, ka prodhuar tensione dhe konflikte”.

Ligji i miratuar në vitin 2018 për dygjuhësinë parashikon që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar. sn

Gashi përballë një interpelance për incidentin në Aeroportin e Shkupit

Interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, do të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën plenare që do të mbahet më 3 shtator.

“Do të jetë mesazh i mirë për të gjithë, për publikun dhe për partitë politike se ne jemi të hapur për debat”, tha Gashi në një prononcim për media.

Sipas Rregullores së re të Kuvendit, nëse ndonjë anëtar i Kuvendit bën kërkesë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit, kjo çështje duhet të vendoset si pikë e parë e seancës së radhës plenare.

Kërkesa për interpelancë ndaj Gashit u bë nga deputetët e partisë E Majta, pas incidentit në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Atëbotë, Lidhja Social Demokrate opozitare kërkoi largimin e Gashit, duke thënë se ai ishte përgjegjës për incidentin. Deputetët opozitarë e mbajnë përgjegjës Gashin dhe i kanë kërkuar kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se nuk mbështet një interpelancë ndaj Gashit.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Çfarë tha Presidenca për incidentin në aeroport?

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

Kryeparlamentari Gashi gjatë konferencës tha se pas telefonatës së Osmanit, ai dëshironte që së bashku me sigurimin e tij të shkonte në Aeroport, por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera. Sigurimi i tij shkoi në Aeroport dhe u informua më pas se incidenti ishte zgjidhur. Gashi shtoi se nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme.

Pas incidentit, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u konfrontuan me policët e Aeroportit, pasi kishin insistuar që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurimit dhe hapi procedurë ndaj dy truprojave të tjerë.

Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i nisi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqeodninë e Veriut dhe diskutoi me Mickoskin për këtë incident.

Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase. REL

Shkup, arratiset ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani

VOA/Isak Ramadani

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut konfirmoi të enjten arratisjen nga arresti shtëpiak të Blerim Ramadanit, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili qe ndaluar nga autoritetet policore maqedonase në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Ministria e Brendshme u tha medieve lokale se do të shpallë një “urdhër arrest qendror” për zotin Ramadani.

Autoritetet nuk japin hollësi mbi rrethanat e arratisjes së shtetasit të Kosovës, një portal në gjuhën maqedonase shkroi se zoti Ramadani është arratisur nga shtëpia e miqve të tij në Shkup, ku qëndronte nën arrest shtëpie në bazë të një urdhri të gjykatës themelore në Shkup. Sipas portalit sdk.mk, pas ankesës së Prokurorisë, tre gjykatës të Gjykatës Penale të mërkurën i kishin caktuar Ramadanit masën e paraburgimit efektiv prej 30 ditësh për shkak të rrezikut se mund të arratisej. Gjithnjë sipas portalit, dikush nga Gjykata Penale e kishte njoftuar zotin Ramadani i cili më pas është arratisur.

Javën e kaluar ministria e Jashtme e Kosovës tha se një gjykatë në Shkup vendosi të mos e dorëzoj tek autoritetet serbe zotin Ramadani, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie në Shkup deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut.

Blerim Ramadani u arrestua në fund të korrikut gjatë në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Glloboçicë – Jazhincë, afër Tetovës. Pas disa ditësh qëndrimi në paraburgim ai u la më 1 gusht në arrest shtëpie tek miq të tij në Shkup, derisa autoritetet gjyqësore të merrnin një vendim përfundimtar se a do ta ekstradonin atë në Serbi ose jo.

Autoritetet e Kosovës, përmes ambasadës në Shkup kishin kërkuar lirimin e tij. Blerim Ramadani ishte pjesëtar i Zonës Operative të Nerodimes të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veteranët e UÇK-së nga Ferizaji, ku bënte pjesë ish-luftëtari Ramadani, kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa aktakuzat e autoriteteve të Serbisë kundër pjesëtarëve të UÇK-së i quajtën të fabrikuara dhe arrestimet “të padrejta dhe shqetësuese për të gjithë veteranët”.

Serbia e akuzon zotin Ramadani për “krime lufte në rajonin e Nerodimes, në komunën e Ferizajt në verën e vitit 1999”.

Ky nuk është rasti i parë kur autoritetet maqedonase ndalojnë shtetasit e Kosovës në bazë të urdhër-arresteve të Serbisë.

MPJD: Shkupi nuk do ta ekstradojë në Serbi ish-ushtarin e UÇK-së

Një gjykatë në Shkup e ka hedhur poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, njoftoi të premten Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).

“Z. Ramadani do të vazhdojë qëndrimin në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final (ex officio) të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha MPJD-ja në një njoftim në Facebook.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Sipas MPJD-së, autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare. REL

MPB e Maqedonisë së Veriut po heton rreth 19 vjeçarit të dyshuar për një komplot për të sulmuar koncertet e Taylor Swift

VOA

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, i tha të enjten Zërit të Amerikës se autoritetet austriake kane kërkuar nga kjo ministri “kontrollin e një personi me origjine nga Maqedonia e Veriut, i cili dyshohet për përfshirje në planifikim të një një sulmi terrorist në Vjenë”.

Autoritetet austriake arrestua të mërkurën një shtetas të Austrisë 19 vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, si të dyshuar për përfshirje në një komplot të dështuar për të sulmuar koncertet e këngëtares Taylor Swift, tashmë të anuluara, që planifikoheshin të mbaheshin në Vjenë

Shkupi sipas përgjigjes dhënë Zërit të Amerikës “po po vepron në bazë të kërkesës së parashtruar” nga autoritetet austriake, por nuk dha më shumë hollësi se nga cila pjesë e vendit e kanë origjinën prindërit e të dyshuarit.

Ndërkohë autoritetet austriake thanë se gjetën materiale të grupit të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës në shtëpinë e të dyshuarit të dytë për përfshirje në komplot.

Nuk ka të dyshuar të tjerë në kërkim pasi dy të dyshuarit u arrestuan, tha të enjten në Vjenë, ministri i Brendshëm Gerhard Karner.

“Situata ishte serioze, situata është serioze. Por mund të themi se u parandalua një tragjedi”, tha ai.

Autoritetet e sigurisë thanë se i dyshuari i dytë, një shtetas austriak 17-vjeçar me origjinë turke dhe kroate, u arrestua nga forcat e posaçme të policisë pranë stadiumit ku planifikohej mbajtja e koncerteve këtë javë. Të mërkurën është një 19-vjeçar austriak. Emrat e të dyshuarve nuk u publikuan në përputhje me rregullat austriake të privatësisë.

Zyrtarët austriakë të sigurisë pretenduan se dy të rinjtë donin të kryenin një sulm jashtë stadiumit, duke vrarë sa më shumë njerëz që të ishte e mundur duke përdorur thika ose mjete shpërthyese artizanale.

Ata u thanë gazetarëve në një konferencë për shtypin shtypi në Vjenë se i dyshuari kryesor, një 19-vjeçar austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut, rrëfeu plotësisht planet e tij të sulmit. Ata thanë se ai ishte “qartësisht i radikalizuar në frymën e Shtetit Islamik dhe mendon se është e drejtë të vriten të pafetë”.

I dyshuari i dytë ishte punësuar pak ditë më parë në një kompani që ofron shërbime në mjediset e koncerteve. Hetuesit thanë se gjetën materiale të gjera në lidhje me grupin e Shtetit Islamik dhe al-Kaida në shtëpinë e tij.

Anulimi koncerteve pikëlloi adhuruesit e këngëtares Taylor Swift në të gjithë botën, shumë prej të cilëve kishin shpenzuar mijëra euro për udhëtime dhe akomodime në kryeqytetin e shtrenjtë të Austrisë për të ndjekur koncertet.

Sipas Franz Ruf, drejtori i sigurisë publike në ministrinë e Brendshme të Austrisë, në shtëpinë e të dyshuarit 19-vjeçar u gjetën lëndë kimike dhe pajisje teknike.

Në një intervistë të enjten me programin Oe1 të transmetuesit publik ORF, zoti Ruf tha se hetuesit po vlerësojnë provat e sekuestruara nga shtëpia e të dyshuarit. Vetëm pak javë më parë, 19-vjeçari kishte postuar në një llogari në internet një betim për besnikëri ndaj udhëheqësit aktual të grupit Shteti Islamik, shtoi ai.

Zëvendës kancelari i Austrisë Werner Kogler, shkroi në platformën e sociale X se “për shumë njerëz, një ëndërr është shkatërruar sot. Në tre mbrëmje në Vjenë, dhjetëra mijëra adhurues të këngëtares Swift duhet të kishin festuar së bashku”.

“Më vjen shumë keq që ua mohuan këtë. Adhuruesit e Swiftit qëndrojnë së bashku, urrejtja dhe terrori nuk mund ta shkatërrojnë atë”, shkroi zoti Kogler të mërkurën vonë.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Shkupi kërkon të braktisë korridorin VIII- Nga Sebastian Zonja

Së fundmi, ministri i Transporteve në Maqedoninë e veriut Aleksandër Nikoloski tha se do të marrë fondet për Korridorin 8 t’i përdorë për Korridorin 10.
Korridori 8 lidh Maqedoninë e veriut me Shqipërinë, ndërkohë korridori 10 e lidh me Greqinë dhe Bullgarinë. Për të mos u larguar nga ekonomia ballkanike, duhet të sjellim në vëmendje edhe marrëveshjen e fundit të Serbisë me Rumaninë për gazsjellësat. Të gjitha këto janë zhvillime brenda pak ditësh dhe të vrullshme.

Korridori 8 është pjesë e rrjetit panevropian që në vitin 1994 dhe do të duhej të kishte përfunduar që në vitin 2005. Por ne patëm ca probleme në vitin 1997 se Sali Berisha s’kishte votat për t’u bërë prapë president dhe e shtymë ca vite ndërtimin.

Teksa projekti mbeti në hije sepse Berisha s’u zgjodh dot president së dyti, qeveria Nano as që e pati mendjen aty. Filluan ndërkaq të zhvillohen rrjetet rrugore dhe hekurudhore me financime kineze që në Mesdhe nuk na preknin fare. Ndërkohë, nëse do kishte pasur ndopak vëmendje nga qeveritë e mëpërshme dhe kjo tani, do ishim bërë me kohë pjesë integrale e korridoreve europiane. Gjurma e Korridorit 8 përfshin porte detare, aeroportete, rrugë dhe hekurudha. Në total janë 1270 kilometër hekurudha dhe 960 kilometër rrugë.

Njolla e tij është nga porti i Barit dhe Brindisit në Itali, në Durrës dhe Vlorë te ne. Niset nga Tirana, shkon në Shkup, më pas në Sofje, përmes Plovdivit, dhe përfundon në Det të Zi, në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës.

Durrësi, për shembull, apo Vlora, sipas të dhënave, kur përfundon aksi me hekurudhë, rrit vëllimin tregtar deri në 40%.

Por ne do e prishim këtë portin se duhet të ndërtojmë pallate. Në Vlorë do ndërtojmë Lungomaren njëherë që të shesin njerëzit buzë rruge, pa portin të shohim nga vitin 2159 t’i bëjmë ndonjë zgjerim.

Le të shohim pak edhe hekurudhat që do të duhej të ishin, por nuk u zgjodh dot sërish Berisha president në vitin ’97 dhe qeveria Rama ka halle të tjera, ndaj i lamë fare.

Nga historia kemi kuptuar se sa më shumë defaktorizohet transporti rrugor dhe hekurudhor me fqinjët, aq më shumë dobësohet ekonomikisht vendi. Sa më shumë ndërlidhen fqinjët, aq më të izoluar ne.

Dikur, nga viti 1850, gjermanët ndërtuan korridorin Nish – Selanik se u duhej për tregtinë e tyre. Ne shqiptarët dolëm nga harta fare. Sot, ndërsa fqinjët bëjnë plane ekonomike për korridore jetësore tregtare, qeveria jonë ka hallin si të vjedhë sa më shumë me koncesione, ndërsa opozita të akuzojë SPAK-un se ka arrestuar padrejtësisht Sali Berishën, siç i hoqën padrejtësisht presidencën në vitin 1997.

(BalkanWeb)


Send this to a friend