Pas tre vite përplasje dhe një sage të gjatë gjyqësore, më në fund Sali Berisha zotëron Partinë Demokratike edhe ligjërisht. Partia Demokratike është regjistruar në Gjykatën e Tiranës me kryetar Sali Berishën. Në një dokument të firmosur nga Sekretarja e Regjistrit të Partive Politike dhe të shpërndarë nga PD, thuhet: Vërtetojmë se në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton se me urdhër nr.12 datë 19.12.1990 të Ministrit të Drejtësisë, është miratuar krijimi i Partisë “Partia Demokratike”, me iniciale “PD” ose “PDSH”. Kryetar i Partisë është z.Sali Berisha. E lëshojmë këtë vërtetim në përgjigje të kërkesës së subjektit të interesuar”.