FATION BINJAKU/ “Panorama” zbardh rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për kandidatët e përzgjedhur me short, për të qenë pjesë e trupës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.
Procesi i përgatitjes së raporteve për kandidatët, që vijnë nga radhët e avokatëve, profesorëve dhe shoqërisë civile ka kaluar në duart e tre sekretarëve të përgjithshëm të Kuvendit dhe secili prej tyre ka trajtuar në mënyrë të ndryshme raportin.
Në raportin e firmosur nga ish-sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Alban Brati, jepen vlerësime shumë të ulëta për kandidatin e zgjedhur nga avokatët për në KLP, Kozma Jano. Për këtë të fundit, Kuvendi ka vlerësuar se nuk ka qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndryshe nga dokumentet që PD publikoi se ky i fundit kishte pasur pseudonimin “Telefoni”.
Por ai dhe përgatitja e tij vlerësohen nën mesataren, platformë të dobët dhe të paplotë dhe pa vizion. Alban Brati ka vlerësuar dhe kandidaten tjetër të KLP-së, Floreta Gjini, por për asnjë nga kandidatët nuk ka paraqitur vlerësimet e ONM-së. Ndërsa ishsekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, ka bërë vlerësimin e kandidatëve të Avokaturës, por për KLGJ.
Ajo ka zbuluar se Sokol Lamaj ka pasur detyrime në Tatime dhe ato i janë falur nga amnistia e vitit 2017. Ndërsa për kandidatët e tjerë ka dhënë vlerësime pozitive, pa cituar në raporte vlerësimet e ONM-së.
Ndërsa raportet e fundit, për Ilir Pandën, Mirela Bogdanin, Erjon Muharremajn, Alfred Ballën janë hartuar nga Genc Gjonçaj, sekretari aktual i përgjithshëm i Kuvendit dhe për ta ka dhënë dhe vlerësimet e ONM-së. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë kërkuar skualifikimin e Alfred Ballës që fitoi garën në KLP dhe kanë evidentuar se Ilir Panda ka qenë në funksione shumë të larta politike.
KANDIDATËT E ZGJEDHUR ME GOGLA PËR KËSHILLIN E LARTË TË PROKURORISË
Kandidatët e zgjedhur nga avokatët
KOZMA JANO
(VLERËSIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KUVENDIT)
-Për sa i takon nivelit të studimeve akademike rezulton se kandidati ka përfunduar ciklin 4-vjeçar të studimeve të larta në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate nën mesataren.
-Platforma e paraqitur nga kandidati është e dobët dhe e paplotë. Në përmbajtjen e saj nuk paraqitet një vizion i qartë i detyrave dhe përgjegjësive, që do të ketë kandidati si anëtar i mundshëm i KLP-së.
– Kandidati nuk ka vërtetuar me dokumentacion njohuri të gjuhës së huaj. -Kandidati nuk ka paraqitur asnjë certifikatë për trajnime, brenda apo jashtë vendit.
FLORETA GJINI
(VLERËSIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KUVENDIT)
-Për sa i takon nivelit të studimeve akademike rezulton se kandidatja ka përfunduar ciklin 4-vjeçar të studimeve të larta në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate mesatare.
-Platforma e paraqitur nga kandidatja është një platformë bazë, e cila nuk ofron një panoramë të qartë mbi rolin dhe përgjegjësi institucionale që ka institucioni i KLP-së.
-Testi i anglishtes është kryer nga ekspertët e Komisionit Ad hoc.
-Referuar shkresës së DPT-së, rezulton se kandidatja nuk ka detyrime tatimore të papaguara.
Kandidatët e zgjedhur nga profesorët për KLP
ENEIDA SEMA(VLERËSIMI I ONM)
– Platforma e paraqitur nga kandidatja konsiston më shumë nga një letër motivuese dhe deklaratë parimesh dhe vlerash.
-Angazhimi akademik/shkencor duket të jetë mbi mesataren.
MIRELA BOGDANI
(VLERËSIMI I ONM)
-Platforma tregon dijeni të mirë për problemet që prekin gjyqësorin/prokurorinë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet KLP, si dhe një qasje të mjaftueshme pragmatike.
-Jetëshkrimi tregon se kandidatja është përfshirë në mënyrë intensive në veprimtarinë e shkollës së Magjistraturës.
– Për fat të keq, nuk ishte e mundur nga jetëshkrimi i kandidates të krijohet një pasqyrë e plotë e arritjeve të saj shkencore/akademike.
Kandidati i zgjedhur nga Shoqëria Civile për KLP
ALFRED BALLA (VLERËSIMI I ONM)
-Përveç faktit që ky kandidat nuk plotëson kriteret ligjore të përmendura në nenin 152.d, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar se platforma e paraqitur nga ky kandidat është pothuajse plotësisht një plagjiaturë e një platforme të paraqitur nga një kandidat tjetër (Plarent Ndreca), aplikimi i të cilit u refuzua në fazat e mëparshme të procesit, duke qenë se nuk i plotësonte kriteret formale.
– Për këtë arsye, vëzhguesit ndërkombëtarë janë të mendimit se ky kandidat nuk ka integritet të lartë moral që shpresohet në një anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
* * *
KANDIDATËT E ZGJEDHUR ME GOGLA PËR KËSHILLIN E LARTË TË GJYQËSORIT
Kandidatët e zgjedhur nga profesorët për KLP
ILIR PANDA (VLERËSIMI I ONM)
-Platforma është një përshkrim i përgjithshëm i detyrave të anëtarit të KLGJ-së, pa dhënë ndonjë përshkrim objektivave, prioriteteve ose strategjisë personale.
– Jetëshkrimi nuk pasqyron pozitën e rëndësishme të kandidatit në bordin e drejtorëve të një banke ndërkombëtare.
– Kontributi akademik/shkencor i kandidatit është mesatar
– Ka qenë i angazhuar politikisht në nivel shumë të lartë në të kaluarën.
ERJON MUHARREMAJ (VLERËSIMI I ONM)
-Platforma tregon një ekuilibër të mirë midis motivimit dhe vizionit, me referencë specifike në disa fusha të ndërhyrjes dhe dijeni për instrumentet kryesore ndërkombëtare.
-Dokumentacioni i ofruar nuk jep ndonjë informacion të vlefshëm për kontributin shkencor/akademik të kandidatit.
Kandidatët e zgjedhur nga avokatët për KLGJ
SOKOL LAMAJ (VLERËSIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KUVENDIT)
-Sekretari i Përgjithshëm i është drejtuar me shkrese zyrtare nr. 1450/5, datë 17.05.2017 dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për të kërkuar informacion për shlyerjen e detyrimeve tatimore nga secili prej kandidatëve.
-Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me shkresën nr. 11086/3, datë 25.5.2017, ka informuar se Studio Ligjore “Lamaj” ka detyrime tatimore të pashlyera në shumën 32 276 lekë, prej të cilave 20 mijë lekë falen në bazë të ligjit nr. 33/2017 dhe shuma prej 12 276 lekësh ka afat pagese deri më 20.07.2017.
– Studio Ligjore “Lamaj: me detyrime tatimore një pjesë e të cilave falen sipas ligjit 33/2017, ndërsa pjesa tjetër ka afat pagese deri ne datën 20.07.2017. Për këtë arsye, nga rivlerësimi i ulën 3 pikë.
Vlerësimi përfundimtar është 75.6- 3= 72, 6 pikë.
Kandidati i zgjedhur nga Shoqëria Civile për KLGJ
ALTIN HAZIZAJ (VLERËSIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KUVENDIT)
-Për sa i takon nivelit të studimeve akademike rezulton se kandidati ka përfunduar ciklin 4-vjeçar të studimeve të larta në Fakultetin e Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës me rezultate të larta dhe studimet pasuniversitare “master”, në fushën e studimeve europiane.
-Kandidati ka marrë pjesë në trajnime profesionale të organizuara nga organizata të shoqërisë civile jo vetëm si trajnues, por edhe si lektor.
– Ka paraqitur një platformë të mirëstrukturuar dhe të kompletuar, e cila tregon për vizion dhe njohuri për angazhimet që do të ketë në kuadër të ushtrimit të funksionit, për të cilin kandidati po aplikon.
Komentet