Regjistri themeltar konfirmon se Berisha rezulton me emra të ndryshëm, njëherë Salih dhe pastaj Sali
Pas bërjes publike të formularëve të vetëdeklarimit të deputetëve, lidhur me dekriminalizimin, një nga deputetët me “probleme” më të mëdha me të dhënat personale ka rezultuar Sali Berisha. Pas ndryshimit të datës së lindjes, të cilën e ka deklaruar dhe vetë se e ka ndryshuar, ish-kryeministri Berisha tashmë rezulton se ka ndryshuar emrin e tij dhe të babait në regjistrat themeltarë të shtetasve.
Ndryshimi i emrit dhe atësisë
Nëse sheh regjistrin themeltar, vështirë se mund të kuptosh se si quhet Sali Berisha. Në kohë të ndryshme Berisha ka emra të ndryshëm. Njëherë Salih, pastaj Sali, herën tjetër përsëri Salih e pak më gjatë më pas, Sali. Përmes fotove të publikuara të regjistrit shihet se ish-kryetari i PD-së rezulton me emër të ndryshuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me emrin e babait të tij. Ai shfaqet njëherë si Ramë dhe herën tjetër si Ram. Ndryshimi i emrit ka prekur edhe zonjën Berisha. Ajo njëherë rezulton me emrin Lirije dhe herën tjetër Liri. E vetmja e dhënë personale që figuron në regjistër e pandryshuar është ditëlindja: 1 korrik 1944. Ish-kryeministri e ndryshoi edhe atë kur mbushi 65 vjeç. Dita e lindjes ndryshon vetëm përmes aktit të lindjes ose një vendimi gjykate, por për këtë të fundit, duhet sërish akti i lindjes ose një provë tjetër e pakundërshtueshme, në bazë të së cilës të merret vendimi për një ditëlindje të re. Faqja e parë e formularit të vetëdeklarimit kërkon 8 të dhëna, ku përfshihen emri, atësia, ditëlindja. Tre prej tyre, Sali Berisha i ka të rreme dhe të ndryshuara. Në çdo dokument të vjetër ligjor, emri i tij ka qenë Salih dhe jo Sali, siç pasqyrohet dhe deklarohet sot. Gjithashtu dhe atësia nuk është ajo e deklaruara. Në dokumenta të vjetër ligjore, Salih Berisha është i biri i Ramë Berishës, jo i Ram Berishës. Elementi i tretë është ditëlindja. Salih Berisha është shprehur se deklarimi i ditëlindjes prej tij në datën 15 Tetor 1944 ishte një teknikalitet.
Ndryshimi i datëlindjes
Por e vërteta është se Sali Berisha e ka ndryshuar me kërkesë të tij ditëlindjen. E ka bërë këtë në vitin 2009, saktësisht ne 28 tetor të vitit 2009. Me aktin numër 342, me 28 Tetor 2009, para një punonjësi të zyrës së gjendjes civile, Salih Berisha ka vendosur ta ketë ditëlindjen në 15 Tetor 1944. Më kaq ndryshime të të dhënave personale, natyrisht që është diçka serioze dhe arsyet duhet të jenë po të tilla. E gjitha duhet të ketë një shpjegim, të dëshmuar e të provuar. Ligji i dekriminalizimit i ngritur me aq ngulm nga të gjithë faktorët vendas dhe të huaj është i ngarkuar për të “zbuluar” rastet e tilla. Ligji që u hartua, votua e hyri në fuqi, siç kërkonte Sali Berisha do të penalizojë të gjithë personat që japin të dhëna të rreme, konsumojnë një vepër penale, përtej faktit se çdo funksion që mban merr fund.
Pritet që organet e drejtësisë të nisin hetimin për rastin në fjalë, në bazë të ligjit të dekriminalizimit. “Skandal.al” shkruan se “më 28 tetor 2009, një prej oficerëve të grupit të sigurisë së ish-kryeministrit, mbërriti në zyrën e gjendjes civile duke kërkuar ndryshimin e ditës së lindjes në regjistër e më pas edhe në dokumentin e lëshuar me këtë ditëlindje të re. Me herët, aty kish mbërritur urdhëri i zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në bazë të të cilit punonjësit duhet të vepronin. Kështu u bë. Ai që për ne, ditë më parë u identifikua si akt me numrin 342, në fakt nuk është i tillë. Është thjesht numri i veprimit të kryer në regjistër dhe kaq. Punonjësve të gjendjes civile iu premtua se do t’u jepej akti i lindjes, si dokumenti bazë me anë të të cilit po kryej ndryshimi i ditëlindjes. Por ky akt nuk është depozituar ende edhe sot. Atëherë, katër gra të gjendjes civile janë mbledhur e kanë hartuar një procesverbal për aktin e kryer, ndryshimin në regjistër të ditëlindjes së kryeministrit në detyrë që sapo kishte marrë një mandat të ri”, shkruan “Skandal”.



Kundërshtimi
Nga ana e tij Berisha ka refuzuar t’i përgjigjet një serie mospërputhjesh në të dhënat e tij personale, të shkruara në formularin e vetëdeklarimit për efekt të ligjit të “dekriminalizimit”. I pyetur nga mediat në lidhje me ndryshimin e datës së tij të lindjes, Berisha pati thënë tha se kjo është çështje teknike. Sipas tij, një ndryshim i tillë nuk ka rëndësinë që ka ndryshimi i të dhënave si emri apo mbiemri. “Unë bëj fjalë për ndryshime që fshehin dosje. Është një teknikalitet pa asnjë vlerë. Por ndryshimi nga Edvin në Edi të shpëton. E ka ndryshuar, ekziston një akuzë për ‘të, për një dosje krimi. Është kryeministër, t’u thotë qytetarëve se e kam ndryshuar emrin. Ndryshimi i datës time të lindjes është teknikalitet. Kur ka ndodhur nuk e mbaj mend. Po të krahasoni të pakrahasueshmen, është sikur të bëni krim. Unë nuk e kam deklaruar sepse nuk futet në kërkesa”, pati deklaruar Berisha.
Reagimi i ish-truprojes
Izet Haxhia, ish-truproja e Sali Berishës, ka akuzuar ish-kryeministrin se ka djegur regjistrat e gjendjes civile për të fshehur të vërtetat rreth gjeneraliteteve të tij. “Unë as nuk kam patur nevojë të djeg regjistrat e gjendjes civile në vendlindje, siç bëri ‘dhëndri i Serbisë’ në ’97-ën në Tropojë, me anë të bashkëpunëtorit të UDB-së, Bislim Demiraj, që më vonë kreu edhe aktin e vrasjes së dy heronjve të UÇK, Ilir Konushefcin e Hazır Malajn, dhe për këto shërbime “dhëndri i Serbisë”, kur erdhi në pushtet, ia bëri motrën Shefkie Demiri, gjykatëse të besuar të tij të çështjeve që kriminalizonin atë dhe të birin”, shkruan Haxhia në rrjetet sociale. Izet Haxhia, për shumë vite truprojë e ish-presidentit Sali Berisha, u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen e Azem Hajdarit dhe ndodhet në Turqi me statusin e azilantit.
Topalli: Pa u kthyer Berisha në Kuvend, s’ka takim mes Bashës dhe Ramës
Deputetja demokrate Jozefina Topallit, deklaroi dje se përjashtimi i Sali Berishës nga jeta parlamentare për 10 ditë tregon situatën jo normale në të cilën ndodhet vendi. Vendimin e Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar Berishën me 10 ditë pas akuzave të ish-kryeministrit në adresë të pasardhësit, ajo e cilësoi të padrejtë.
“Analiza duhet bërë nga shkaqet që e detyrojnë Berishën që të akuzojë këtë qeveri që ka sjellë në këtë gjendje vendin. Maxhoranca ka frikë nga fjala e lirë dhe ky është një nonsens i madh, pasi ne kemi bërë 25 vite përpjekje për të garantuar lirinë e fjalës, në mënyrë të veçantë në Kuvend. Parlamenti është vendi ku opozita të flasë në emër të të gjithë atyre që nuk kanë votuar për këtë qeveri dhe të atyre që janë zhgënjyer. Ajo është ndalur te takimi i shumëpërfolur mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas saj në një vend normal, dialogu politik zhvillohet në Parlament dhe jo jashtë tij. Ky takim, sipas saj nuk i zgjidh çështjet dhe problemet e shqiptarëve. “Nuk di të them nëse takimi Rama-Basha do të mund të realizohet pas përjashtimit për 10 ditë të Sali Berishës nga Parlamenti. Pastaj duhet ta kemi të qartë se Kuvendit është vendi ku dialogu politik zhvillohet e jo jashtë tij”, tha Jozefina Topalli. Pavarësisht linjës zyrtare të PD-së, Topalli vazhdon të mbështesë fort idenë e protestave pa ndërprerje në çdo qytet të vendit. Zhvillimet e ditëve të fundit konfirmojnë sipas saj, nevojën e masave të tilla drastike.
“Po të varej nga unë nuk do të ndalja protestat as në Tiranë e as në një qytet tjetër. Një gjë e tillë, kur ti nuk i jep shpresë brezit të ardhshëm është një delegjitimim total për ato që qeverisin. Por kjo do të delegjitimonte komplet klasën politike nëse opozita nuk do të reagonte fuqishëm për të ndryshuar këto situata. Në këtë aspekt unë kam pasur gjithmonë diferenca me politikën zyrtare të Partisë Demokratike”, tha ajo. Para zgjedhjeve të parakohshme lokale siç kërkon Astrit Patozi, për Topallin duhet të zhvillohen ato të parakohshme parlamentare. Po ashtu nën vizionin e saj ligji i dekriminalizimit është i pamjaftueshëm dhe duhet plotësuar me të tjera nisma ligjore për të frenuar të inkriminuarit në politikë.
Komentet