Prishtinë – Kryeministri Albin Kurti në takimin e djeshëm me ambasadorët e QUINT-it, ku është diskutuar gjendja aktuale në vend, me theks te rregullorja e Bankës Qendrore për Operacione me Para të Gatshme, ka prezantuar disa dokumente, përmes të cilave ka paraqitur gjendjen faktike.
Në dokumentet e siguruara nga RTKlive, të cilat i pari i ekzekutivit ua ka dorëzuar ambasadorëve, ai ka prezantuar funksionimin e strukturave ilegale të Serbisë brenda Kosovës, e të cilat e cenojnë rëndë rendin juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës.
Kryeministri ua ka bërë të qartë ambasadorëve se Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, marrëveshjet me Serbinë dhe Pakoja e Ahtisaarit nuk parashikojnë krijimin ose funksionimin e sistemit ilegal apo komunave të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se këto struktura, të cilat ofrojnë shërbime ilegale për qytetarët e komunitetit serb, janë pengesë për integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.
Tutje në këtë dokumente theksohet se të punësuarit në këto struktura janë përzgjedhur përmes një procesi tërësisht jotransparent, ku rolin kryesor e kanë strukturat e sigurisë në bashkëpunim me Milan Radojçiqin dhe se të njëjtat përdoren për qëllime politike dhe të sigurisë, duke ushtruar ndikim dhe presion mbi qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.
Duke qenë struktura të kontrolluara tërësisht nga shteti serb, punonjësit dhe hapësirat e tyre ishin në shërbim të plotë të shërbimeve sekrete serbe apo ruse.
Është bërë e qartë se këto struktura ilegale, me urdhër të qeverisë serbe, po vazhdojnë të financojnë bizneset dhe personat që janë në listën e zezë të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës.
Sipas dokumenteve të paraqitura, kryeministri Kurti ka bërë të qartë se aksioni policor për mbylljen e komunave ilegale nuk kishte si objektiv mbylljen e sistemeve shëndetësore, arsimore, farmaceutike apo postare.
Në këto dokumente është prezantuar edhe lista e masave proaktive të ndërmarra për të përmirësuar pjesëmarrjen e serbëve në institucionet dhe jetën publike të Kosovës.
Kurti ka thënë se janë të përkushtuar që të sigurojnë që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës dhe përmes dokumenteve të paraqitura i ka bërë thirrje BE-së që të mbështesë rishqyrtimin e propozimit për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët serbë të Kosovës me pasaporta të Serbisë, duke i bërë thirrje BE-së që t’i bashkohet fushatës së Qeverisë së Kosovës për të inkurajuar dhe thirrur të gjithë serbët e Kosovës që të marrin pasaportat e Kosovës dhe të kontribuojnë në normalizimin e mëtejshëm dhe marrëdhënies së mirë fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket çështjes së ndalimit të dinarit, kryeministri Kurti ka paraqitur dokumente në të cilat dokumentohet se qytetarët e komunitetit serb tashmë kanë një llogari bankare në euro në një institucion të licencuar, pasi ata tashmë i marrin pensionet, pagesën e asistencës sociale, përfitimet e fëmijëve dhe pagat nga Thesari i Kosovës, në euro, në llogaritë e tyre bankare. Sipas kreut të Qeverisë, pagesat e marra nga Serbia për shumicën e këtyre familjeve janë burimi i dytë i të ardhurave, krahas asaj që marrin nga Thesari i Kosovës.