Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë me Skype në rubrikën Opinion në News24 ka komentuar dokumentarin e RAI 3, që kritikonte ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe shigjetonte disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
Lubonja thekson se dokumentari i RAI3 shfaqi mbretin lakuriq. Ai shton se shteti është ndërtuar si një organizatë kriminale. Sipas Lubonjës, fakti që RAI3 flet për korrupsionin e qeverisë Rama tregon se qeverisjes së tij i ka dalë boja edhe tek ndërkombëtarët.
“Ne shpesh i dimë gjërat më herët nga se e thonë të huajt. Artikulli i RAI3 ishte skandaloz. Këtu shteti vetë është ndërtuar si organizatë kriminale. Këtu funksionon vetëm propaganda. RAI3 e nxorri edhe reformën në drejtësi sesi funksionon. Presioni mbi politikën bëhet nga ata që janë në pushtet, jo nga ata që janë të arrestuar. Presion është që të mos arrestosh Veliajn, edhe kur e di se çfarë ka bërë. As mos ta thërrasësh fare madje. Edhe kur nuk heton as Edi Ramën dhe as nuk e thërret. Presioni ndonjëherë është i dukshëm dhe i padukshëm. Rama ka njerëz të tijtë në SPAK, që ndoshta bëjnë presione mbi prokurorët. Dashët nuk janë kapur nga brirët, por nga pas.
Arben Ahmetaj dhe të tjerët janë bishtat e dashit. Jetojmë në një vend, ku krimi i organizuar merr shtetin, shkon lart dhe merr paratë. Qeveria jonë dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar dhe kjo gjë duhet hetuar, duhet hetuar edhe korruptimi i të huajve. Mbreti ka dalë lakuriq nga skandalet. Tani po iu del boja edhe nga të huajt. Rama mendoi se do marrë mbështetje nga Georgia Meloni, por harroi se në Itali ka opozitë dhe ka media të guximshme. Mediat italiane po shohin se ky nuk qenka ai i majti që promovohej. Atë investigim që bënë italianët nuk e bënë për ne, e bëjnë për vete. Sistemi që ka ngritur Rama është kriminal. Në një vend demokratik, kjo qeveri do të binte me kohë. Me kapjen e shtetit, edhe drejtësia është e kapur”, tha Lubonja.
Më tej, Lubonja komentoi edhe deklaratat e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumani. Lubonja deklaroi se Meta tha disa të vërteta, por se të vërtetat duhen thënë më qetë.
“Disa thonë se është çmendur Meta. Ilir Meta mund të thoshte gjëra që qëndrojnë, si prsh kapja e drejtësisë. Mund të thoshte se drejtësia është e kapur. Mund të jetë që ka humbur ekuilibrin nga tensioni. Sharjet janë të panevojshme kur do të thuash diçka të vërtetë”, u shpreh Lubonja.
(Balkanweb)