Mbledhja nisi punën e vet n’ orën 4 pasdreke me nji fjalë të Z. Myfid Bej Libohovës, i cili bashkë me z. Mehmet Bej Konica qe organizator i kësaj mbledhje. Ai tha se shoku i tij, Mehmet Bej Konica, ishte i sëmundë dhe mbasi ai vetë nuk mund të kryesonte, paravuni për zavêndës të Kryetarit z. Fejzi Bej Alizotin edhe mbledhja e pëlqeu.
U kënduen emnat e delegatvet (dokumentat e të cilvet u vërtetuen pas ligjës) qi janë këta:
Delvinë: Namik Bej Delvina, Hiqmet Bej Delvina;
Gjinokastër: Myfid Bej Libohova, Polo Mekshi, Petër Poga, Apostol Dhima, Vasil Dilo, Thanas Noti;
Tepelenë: Sulejman Shehu, Koço Harito;
Përmet: Baba Xhemali, Dhimitër Kacimbra;
Leskovik: Lytfi Myftiu, Vangjel Tashua;
Kolonjë: Abdullah Beu, Petër Prodani;
Deshnicë e Këlcyrë: Baba Mustafaj, Baba Hysejni;
Frashër: Behxhet Selfua;
Kurvelesh: Ali Koka;
Berat: Sami Bej Vrioni, Dhimitër Tutulani, Fejzi Bej Alizoti;
Fier: Qemal Bej Vrioni, Leon Xoxa;
Mallakastër: Hajredin Bej Cakrani, Kamber Belishova;
Lushnje: Ahmet Bej Resuli, Jakov Bozua;
Skrapar: Xhelal Bej Koprencka, Servet Bej Zaloshnja;
Elbasan: Shefqet Bej Vërlaci, Lef Nosi, Ahmet Dakli;
Peqin: Ismail Haki Kadiu, Xhavid Bej Leskoviku;
Kavajë: Qazim Bej Hyti, Sheh Hamdiu;
Tiranë: Abdi Bej Toptani, Ismail Efendiu, Shefik Kondi;
Krue: Muharrem Pengili, Xhemal Belegu;
Shijak: Ymer Bej Shijaku, Rexhep Jella;
Mat: Abdurrahman Çela, Hasan Bej Zogolli;
Për Qarkun e Shkodrës, Mirditës e Malsís, zavêndsi i Prenk Bib Dodës, Luigj Gurakuqi.
Shkodër: Riza Dani, Ndoc Çoba;
Durrës: Hafiz Aliu, Mihal Truja, Mustafa Kruja;
Mungojnë delegati i Tiranës, Z. Abdi Toptani, e Z. Ndoc Çoba, i Shkodrës.
Z. V. Dilo, delegati i Gjinokastrës, paravên qi të zgjidhet edhe nji Nënkryetar, qi pas mendjes së tij duhej të jetë i krishtênë.
Z. Hiqmet Bej Delvina paravên z. Pjetër Pogën edhe mbledhja e pëlqeu; por mbasi disa nga delegatët thanë se nuk do t’ ishte mirë qi zyra e Kryesís t’ishte e formueme krejt prej Toskësh, muer fjalën z. Gurakuqi, i cili tha se mbledhja pranon paravuemen e z. Dilo qi t’emnohej nji Nënkryetar, pse kështu e don nevoja e zakoni i të gjitha mbledhjevet, por âsht kundra, qi në nji mbledhje kombtare, të përmenden fjalët toskë e gegë, e të krishtênë e myslimanë.
Z. Poga pra pëlqehet si Nënkryetar pa vue re fenë e vêndin e tij.
Z. Gurakuqi paravên prap qi të plotësohet zyra e kryesís tue zgjedhun për Sekretar z. Mustafa Kruja dhe si Sekretar ndihmës të tij, z. Sif Nosi, edhe mbledhja i pëlqeu. Sekretari ndihmës këndoi letrën e Zz. Sotir Peci, Syrja Bej Pojani e Idhomen Kosturi si këtu poshtë:
KRYETARIT TË MBLEDHJES KOMBTARE DURRËS
Marrim nderë me ju çfaqë në njërën anë falënderjet për mirësín qi pattë tyke na nderue me thirrje për me marrë pjesë në mbledhjen të së cilës i jini Kryetar dhe më tjetër anë hidhërimin t’onë qi nuk mundemi me mbushë këtë detyrë patriotike mbasi fatkeqësisht qyteti i ynë gjindet ndë tjatër shtet dhe kështu nuk ka qenë e mundur me dërgue delegatët të zgjedhur rregullisht dhe na nuk mundemi me e përfaqsue.
Mbetemi me nderime të tilla tue i urue mbledhjes mbarim të plotë të qëllimevet të nalta.
Durrës, me 25 Dhjetor, 1918.
Nënshkrimi: S. Peci, Syrja Pojani, I. Kosturi.
Pastaj u këndue urdhni i ditës si vijon, paraqitun prej disa delegatvet edhe mbledhja e pëlqeu.
Të nënshkruemit paraqesim me pëlqimin e mbledhjes kombtare këtë urdhën të ditës:
Mbledhja kombtare çfaqë:
Nga nji anë gazmêndin e pasosun të saj tue pamë se Kombi i ynë mbërrîni sot me anën e përfaqësuesvet të vet t’i dalë zot me të tâna mënyrat të drejtavet të pahumbëshme të Shqiptarís; dhe nga tjetra hidhnimin e madh pse në nji ditë kaq bujënore nuk po shef në gjinin e saj edhe përfaqësuesit zyrtarë të Peshkopís (Dibra e Poshtme), Lumës, Starovës, Korçës, Himarës e Vlonës, qi janë pjesë të padame të Shqipnís; uron qi në të parën rasë qi mund të çfaqet për nji mbledhje të përgjithshme kombtare, të mos mbetet asnji pjesë e Atdheut t’onë të dashun pa u përfaqësue.
Qazim Bej Elbasani, Ismail Kadiu, M. Xhavid, Muharrem Pengili, Lef Nosi, Mustafa Asim Kruja, Qerim Bej Begolli, Ndrek Çoba, Ahmet Dakli, Sotir Peci, Ymer Del Alliu, Luigj Gurakuqi, Xhemal Belegu, Dr. Syreja Pojani, Abas Kupi, Riza Dani, Rexhep Jella, H. Zogolli, A. Çela.
Z. Lef Nosi, delegati i Elbasanit, duke treguem gëzimin e gjith Shqiptarvet për këtë mbledhje kombtare, e cila uron qi të japi pemë të mira për t’ardhmen e Shqipnís, paravên nji falënderje për Qeverín Italjane për ndihmën qi âsht duke i bâmë Shqipnís.
Z. Gurakuqi, duke u bashkuemun me fjalën e Z. Lef Nosi, paravên qi mbledhja të diftojë shpresë e besim në Qeverít e mëdha të marrëveshtjes, të cilat me anë të Ministravet të tyne kanë tregue sa e sa herë se lufta qi po bahesh kishte për qëllim triumfin e së drejtës e mprojtjen e kombeve të vogla. Paravên prap qi t’i dërgohet nji shëndet mirënjohës të Madhit qytetar Amerikan, Wilsonit, i cili tue u mbështetun mbi të drejtat e kombësís, shpalli parimin e vetvendimit të popujvet, si edhe Senatorit Amerikan, Z. Lodge, i cili tha se nji nga themelet mbi të cilat do të vendoset paqa e përgjithshme do të jetë qi edhe Shqipnís ndër Shtetet e Ballkanit t’i bashkohen të gjitha ato vise ku flitet gjuha shqipe e rron kombi Shqiptár.
Z. Polë Mekshi paravên qi t’i dërgohet nji shëndet Shoqatës “VATRA” n’ Amerikë si edhe të gjitha Shoqnivet tjera Shqiptare qi përpiqen për të mirën e Atdheut.
Paravumet e Z. Lef Nosi, Luigj Gurakuqi, Polë Mekshi u pëlqyen prej mbledhjes me të trokituna duersh.
Pastaj u vu në bisedim urdhni i ditës, i paravumë prej Organizatorvet të mbledhjes, zz. Mehmet Bej Konica e Myfid Bej Libohova.
Urdhni i ditës âsht ky:
I. Formimi i nji komiteti përmbarues qi do të përpiqet për të çuemit e nji dërgate Shqiptare në Konferencë të Paqës e qi përmbrênda do të veprojë për sigurimin e jetës kombtare politike të popullit Shqiptár.
II. Formimi i nji pleqsije, e cila do të mblidhet nji herë në dy muej në nji vênd të pëlqyem dhe do të kqyri punën e bâme prej komitetit veprues për të këshilluem komitetin.
Mbledhja duke mos e gjetë të dobishme formimin e nji komiteti përmbarues për interesat e Atdheut, nuk e pranoi pjesën e parë t’ urdhnit të ditës të sipërshkruem.
Sekretari z. Sif Nosi këndoi urdhnin e ditës qi vijon, paraqitun prej zz. Namik Bej Delvina e Riza Dani mbi formimin e nji Qeverije të përkohshme:
“Delegatët e të gjitha visevet të Shqipnís, të mbledhun në qytet të Durrësit, në mbledhjen kombtare të përgjithshme, tue pasun besimin e plotë mbi diftimet e bâmuna prej Qeverivet të Mëdha të marrëveshtjes për mprojtjen e të drejtavet të kombevet të vogla; tue u mbështetun mbi parimet fisnike të çfaquna prej Kryetarit të Shtetevet të Bashkueme t’ Amerikës mbi të drejtën e të gjitha kombevet për zgjedhjen e vendimit mbi fatin e tue e themeluem sidomos mbi vêndimin e Konferencës së Londrës 1912-1913 qi njohu e proklamoi nji Shqipni të lirë e të pavarme në formën Shtetore të caktueme prej asaj, mbasi ndëgjuen emnat e nisjatorvet të kësaj mbledhjeje Zz. Mehmet Bej Konica e Myfid Bej Libohova mbi nevojën e krijimit të nji organizate kombtare, vêndojnë me zana të plota themelimin e nji Qeverije së përkohshme për me u bâmun ballë nevojavet të sotme t’ Atdheut.
Për Kryetar të kësaj Qeverije zgjidhet Shkëlqesija e tij, Turhan Pasha, e për nënkryetar Shkëlqesija e tij, Prenk Bib Dodë Pasha, e për antarë zgjidhen Zz. Sami Bej Vrioni, Emzot Luigj Bumçi, Myfid Bej Libohova, Dr. Turtulli, Mehmet Bej Konica, Luigj Gurakuqi, Mid’hat Bej Frashëri, Lef Nosi, Fejzi Bej Alizoti, Mehdi Bej Frashëri, Pjetër Poga, Mustafa Kruja. Nga këta pjestarë, disa do të dalin përjashta nën Kryesín e Turhan Pashës për të mprojtun të drejtat e Shqipnís ethnografike në Konferencën e Paqës e të tjerët do të mbeten në veprim përmbrênda”.
Namik Delvina, Riza Dani
Ky urdhën i ditës u pëlqye prej të gjith delegatve, të cilët në shênjë pranimi u ngritën në kambë. Në këtë tregim të përbashkët nuk muerën pjesë vetëm Zz. Dilo, Dhima Harito e Noti, të cilët nëpër gojë të z. Dilo, thanë se nuk ishin të pregatitun për me hŷmë në bisedimin e paravumë qi shkoqitja e kësaj çâshtje të lihesh për të nesërmen. Mbledhja me zâ e me të trokituna duersh përsëriti edhe nji herë vêndimin e dhânun mbi formimin e Qeveris së përkohshme, kështu qi Kryetari e pa me udhë të mbylli bisedimin, ndonse disa nga delegatët kishin kërkuem fjalën për t’i kundërshtuem z. Dilo.
Sadoqi urdhni i ditës i paraqitun prej Zz. Namik Delvina e Riza Dani u pranue plotësisht, megjithkëtë kryetari pyeti edhe nji herë delegatët n’ ishin të gjith në nji mêndim mbi êmnat e pjestarvet të Qeverís së përkohshme edhe prap me nji shumicë të madhe pëlqyen e vërtetuen nji nga nji si Kryetarin Shkëlqesín e tij, Turhan Pashën, si Nënkryetarin, Shkëlqesín e tij, Prenk Bib Dodën, ashtu edhe të dymbëdhetë pjestarët e tjerë.
Z. Polo Mekshi, tue përmêndun fjalët e shkrimtarvet e të vjershtarvet të Shqipnís, porositë vllaznimin e bashkimin në mest të Shqiptarvet pa ndryshim feje e fisi e uron qi Qeverija e re të veprojë me fitim për të ruejtunit e të drejtavet të Kombit Shqiptár.
Z. Kryetari, z. Poga, e z. Gurakuqi thonë se të gjitha fetë duhen të jenë të nderueme. Z. Gurakuqi shton se çâshtja e lirís dhe e nderimit të fevet në Shqipní duhet të zgjidhet mbas formulës “Feja e lirë në shtet të lirë”.
Ndêja mbaroi n’ orën 6 e bisedimi mbi pjesën e dytë t’ urdhnit të ditës u la për të nesërmen.
Komentet