Ka qenë vjeshta e vitit 1966, kur Fatmir Gjata, një nga shkrimtarët më në zë të kohës, pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Zvicër, ka përfunduar në internim në Lapardha të Beratit. Një ngjarje e pazakontë në Zyrihun e largët ka shënjuar fatin e keq të njeriut të letrave, që regjimi e mbante në ballin e kolegëve.
Ndryshe nga shumë të tjerë, që kishin pasur rastin të udhëtonin jashtë shtetit dhe ishin penalizuar, kryesisht për cektësi politike apo mungesë vigjilence në komunikim me të huajt, Fatmir Gjata u kryqëzua me një motivacion të padëgjuar qysh nga koha e luftës. “Kapitullim pa kushte para armikut!”. Akuza e çuditshme që fund e krye fokusohej në reagimin e shkrimtarit të njohur ndaj një incidenti banal, në gjykimin zyrtar u stigmatizua gjunjëzim ndaj një provokimi politik.
“Armiku”, që kishte gjunjëzuar Fatmir Gjatën në Zvicër, kishte qenë një adoleshent, që kishte provuar ta frikësonte një moment shkujdesje, duke i vënë te koka pistoletën-lodër. Mysafiri nga Shqipëria, i zënë në befasi, kishte ngritur duart lart dhe kishte thirrur në ndihmë policinë. Në Tiranë, fillimisht, historia e incidentit u prit me sportivitet e humor, sidomos nga të njohurit dhe kolegët e shkrimtarit.
Tjetër rrjedhë morën zhvillimet kur ngjarja mbërriti në veshin e udhëheqjes. Në optikën e saj, s’bëhej fjalë për shaka, por për një akt politik, për dorëzim pa kushte ndaj presionit borgjezo-revizionist. Se Gjata nuk ishte një qytetar i zakonshëm, por një komunist, madje deputet dhe drejtues i lartë i një institucioni të rëndësishëm. Që këtej pastaj nisën bataretë e goditjes që drejtoheshin nga Komiteti Qendror.
Të parët që iu vërsulën vrullshëm ishin komunistët e organizatës së Lapardhasë, ku bënte pjesë viktima e incidentit të Zyrihut. Rrebeshi i tyre ishte i pamëshirshëm: “Na njollose me turp, u trembe, mendove vetëm të shpëtoje kokën”, “Kapitullove para presionit borgjezo-revizionist”, “Nuk mendove të vdisje, do bëheshe dëshmori 28.001″, “S’kujtove se rrojmë për një nder, për një copë bukë jeton edhe qeni”, “Shkele betimin për të dhënë jetën për Partinë, se t’u dhimbs vetja”, “I kërkove mbrojtje policisë së një vendi kapitalist dhe harrove nga vije e kë përfaqësoje”, “Tregove sjellje mikroborgjeze, se je i cekët politikisht”, “S’je armatosur me mësimet e Partisë, se s’di gjë për vietnamezët dhe as për qëndrimin e kinezëve në Xhakarta”, etj.
Pak a shumë me këtë frymë është gjykuar “akti antikomunist” i Fatmir Gjatës edhe në mbledhjen e Byrosë së Partisë së rrethit të Beratit. Në raportin për çështjen që kjo e fundit i drejton Komitetit Qendror, të cilin e publikojmë sot të plotë, bie në sy një lloj grotesku, i denjë për krijimet e humorit nga ato të tipit të “Portokallisë”…
DOKUMENTI
Raport për Komitetin Qendror të Partisë
LËNDA: Mbi masat që u morën ndaj shkrimtarit
Fatmir Gjata
Komitetit Qendror të Partisë
Tiranë
Organizata e Partisë e Kooperativës Bujqësore Lapardha dhe Byroja e Partisë së rrethit Berat, analizuan qëndrimin e shkrimtarit Fatmir Gjata jashtë shtetit, duke e cilësuar atë si një faj të rëndë politik dhe kapitullim para armikut. Vetë Fatmiri, si në organizatën bazë dhe në Byronë e Partisë së rrethit, mbajti qëndrim autokritik dhe dënoi fajin e bërë. Përgjithësisht në diskutimin e vet, ai tha këto gjëra:
-Në Zyrih, unë i ktheva shpinën armikut, më mungoi fryma revolucionare dhe humba disa veti revolucionare, që besoj se i kam pasur. Gabimi që bëra është i rëndë dhe jo vetëm për mua, por edhe për çdo shqiptar të thjeshtë. Mua s’më lejohet jo si komunist, jo si përfaqësues i popullit që isha (deputet), jo si shkrimtar, por as si qytetar që të frikësohem. Edhe po ta kishin ata për qëllim, unë s’duhet të lëkundesha. Edhe po të vritesha unë, Shqipëria s’do humbiste gjë; kurse unë vlerësova veten, veprat e mia, punën time dhe harrova veprën dhe punën e popullit.
Komunisti duhet të vërë interesat e popullit mbi ato të tijat, ndërsa unë u tremba, mendova vetëm të shpëtoj kokën. Në ato momente, unë harrova shumë gjëra; s’kujtova shokët e luftës që u vranë për liri, midis të cilëve edhe babanë tim, harrova sakrificat e popullit dhe heroikën e kohës tonë, harrova 12 librat e mi. Unë kam bërë dyfish gabim edhe si komunist, edhe si shkrimtar, dhe tani duhet të kalitem shumë ideologjikisht për t’i dalë përpara lexuesit. Unë, gjatë kësaj kohe, kam pyetur veten:
-Përse unë, një komunist revolucionar (jo i kategorisë së parë), veprova kështu? Pse ndodhi kjo me mua? A është e rastit? Kjo s’është e rastit, ndodhi jo se s’kisha eksperiencë, por do të ndodhte ashtu si ndodhi që unë të trembesha, mbasi ishte përfundim logjik që do të më shpinte aty ku më shpuri. Dhe ja kush janë arsyet:
-Unë kohët e fundit kam bërë jetë të rehatshme, me rroga e shpërblime të mira dhe s’kam vrarë mendjen për jetën e punëtorëve e fshatarëve. Kjo jetë më zbuti vigjilencën e trimërinë, aq sa para një rreziku të vogël, unë shfaqa frikën.
-Unë s’kam kuptuar si duhet vijën e Partisë dhe sidomos letrën e hapur të KQ; di vetëm frazat e saj, por jo thelbin. Unë si shkrimtar bëj jetë krejt të pavarur dhe jashtë çdo kontrolli, gjë që më ka çuar në shkëputjen nga masat.
-Duke bërë këtë jetë (me gjithë të mirat e Zotit), duke u shkëputur nga masat, duke parë interesin personal (të marrë lekë sa më shumë), unë kam shfaqur në ndërgjegjen time shprehje të ideologjisë borgjeze e revizioniste. Unë iu përgjigja thirrjes, por s’kam kuptuar thelbin e kësaj thirrjeje.
Unë erdha në Lapardha, por s’jam futur në masë, s’kam njohur shpirtin e fshatarit, s’kam kapur kazmën, s’më janë bërë duart me kallo. E tëra kjo është shprehje e ideologjisë borgjeze e revizioniste, veçse s’është në doza të mëdha. Unë kam mbeturina mikroborgjeze, por kam edhe forcë e besim se mund t’i ndreq ato. S’kam shkuar deri në tradhti që të mos jem një komunist i pandreqshëm.
Me gabimin që bëra, Partisë unë s’i bëra gjë, madje i bëra mirë që zbulova veten, zbulova dobësinë time se sa para më bën lëkura. Unë s’rashë brenda në greminë, por erdha buzë greminës, prandaj u bë mirë që doli kjo, se do të bija më keq brenda.
Tani e tutje, unë duhet të forcoj karakterin tim, të shkrihem me punëtorë e fshatarë, të marr pjesë në punën prodhuese, të heq dorë nga qëllimet personale. Që të kalitem ideologjikisht e politikisht, unë kam menduar që të marr këto masa ndaj vetes time:
1-Të heq dorë si shkrimtar profesionist dhe të merrem me punën fizike duke punuar në Kooperativë.
2-Të sjell familjen në Kooperativë, në mënyrë që dhe pjesëtarët e tjerë e sidomos fëmijët të edukohen, duke punuar e jetuar si populli i thjeshtë.
3-Përveç punës në prodhim, do merrem me punë shoqërore, duke drejtuar vatrën e kulturës, të cilën do ta bëj jashtë orarit të punës.
4-Do të përpiqem të mos heq dorë nga krijimtaria letrare dhe mendoj të shkruaj vepra me përmbajtje të shëndoshë ideologjike dhe kryesorja të përputhen me veprën time.
Pres nga organizata bazë kritikat më të ashpra. Shumë mirë që u ndodha në një organizatë prodhimi se do më skuqni veshët, mbasi atje ku kam bërë jetën e Partisë për 10 vite (në Lidhje) pa e rënduar, por që kritikat bëhen pak me doreza, do të më bënin lajka, madje mund të më fërkonin dhe kurrizin.
Unë do të bluaj akoma me veten time, për t’i rishikuar gjërat për të ardhmen. Unë kam nevojë të kalitem nga ana ideologjike. Ju gjykomëni, m’i kuqni veshët, me qëllim që të mësoj nga kritikat tuaja. Organizata bazë e Partisë mbajti një qëndrim të rreptë dhe e dënoi rëndë aktin e Fatmirit. Konkretisht po shënojmë disa mendime e konkluzione të komunistëve gjatë diskutimit që bënë:
-Fatmiri ka bërë një faj të rëndë. Tek ai ka ndikuar presioni i ideologjisë borgjeze e revizioniste; ai s’ka kuptuar parullën e Partisë “Të punojmë, të jetojmë e të mendojmë si revolucionarë”; ai s’duhej të kërkonte mbrojtje nga policia e një vendi kapitalist. Ne ia kemi thënë Partisë që në fillim se edhe jetën do japim për të, atëherë pse u frikësua, pse iu dhimbs koka.
-Ne, ardhjen e Fatmirit e kemi pritur me kënaqësi, por gjatë kohës që ka qenë këtu në Lapardha, s’i është shtruar punës. Ai ka rënë në komoditet dhe synonte te më e mira, e jo te jetesa e masës. Ai s’ka qëndruar shumë në Kooperativë dhe ka vajtur shpesh në Tiranë. Edhe në organizatën bazë edhe në Byro të Partisë, Fatmiri s’ka diskutuar dhe qëndronte indiferent. S’ka bërë asnjë bisedë me të rinjtë. Edhe për sa i përket studimit, Fatmiri nuk studion.
-Fatmiri mund të ketë mbajtur edhe rezerva. Ai s’ka pasur mendjen kur i ka thënë Partia dhe shoku Enver; Partia i thoshte kështu, ai ia bënte matanë “Adio!”. 28 mijë dëshmorë kanë rënë, ky do të shtonte dhe një më tepër. Do të bëheshin 28.001. Do vritesh, por për Atdheun do vritesh dhe ne gjakun e tij do ta mbanim të shenjtë. Unë që jam me 7-vjeçare, mund të bëj ndonjë gabim nga mosdija, por jo nga provokacionet; sikur dhe me mitraloz të më dilnin përballë, me dhëmbë do t’i haja. Populli ynë në Lapardha kur e përcolli priste shumë nga Fatmiri, ndërsa ai tani i sjell popullit këto gjëra. Unë nga Fatmiri kam mbushur me shënime një bllok të madh që na thoshte ai, por ato paskan qenë të gjitha false. Ja jeta e Partisë këtu doli.
-Fatmiri ka gabuar me dashje, e bëri fajin për të shpëtuar kokën. Fatmiri shpëtoi kokën, por kokën pa Parti. Fatmiri s’ka lexuar shtypin fare dhe s’ka nxjerrë mësimet e duhura; ai s’di gjë as për vietnamezët dhe as për qëndrimin e kinezëve në Xhakarta.
-Të jetë ndonjë që s’ka qenë ndonjë herë jashtë po, por Fatmiri që i di rregullat, të veprojë kështu? Nuk iu bë atentat udhëheqësve tanë e do t’i bëhej Fatmirit! Por nuk e di Fatmiri se ne shqiptarët jetojmë për një nder, se për një copë bukë jeton edhe qeni.
-Fatmiri kur erdhi këtu në Lapardha na premtoi shumë, por s’na ka bërë gjë deri tani. Ne shpresonim nga Fatmiri që kur të vinte nga Zvicra të na sillte gjëra të mira, ndërsa ai na solli një njollë të madhe për të gjithë ne. Organizata bazë, pasi analizoi qëndrimin e Fatmirit, krahas aprovimit të masave që propozoi vetë Fatmiri, mori edhe këto masa partie.
1-Të shkarkohet si anëtarë i Byrosë së organizatës të Partisë.
2-Të marrë vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit. Si organizata bazë e Partisë, ashtu edhe Byroja e Partisë së rrethit, mendojnë se autokritika e Fatmirit në përgjithësi është e mirë, megjithëse është fillimi. Byroja e Partisë së rrethit është gjithashtu dakord me kritikat që i ka bërë organizata bazë Fatmirit.
Por në Byronë e Partisë, Fatmiri u kritikua edhe për disa shfaqje të tjera mikroborgjeze. Ai nuk ka ndihmuar sa duhet për problemet e kulturës në shkallë rrethi, megjithëse nga ana e aparatit të Partisë është mbajtur afër. Në Lapardha ka treguar shenja mërzitjeje, aq sa muajt e fundit u përpoq të rregullonte ndonjë dhomë këndej nga Berati. Edhe në bisedë me shokët e tjerë shkrimtarë që kanë ardhur këtu në Berat, Fatmiri është munduar t’u fusë atyre në shpirt mërzinë për t’u larguar nga Berati.
Kështu, në një bisedë që kishte bërë para disa muajsh me Sulejman Pitarkën, Fatmiri i kishte thënë: “Ti Sulë, pse nuk kërkon të ikësh se pas dy vjetësh që shpreson të kthehesh, do të ta zënë vendin në Teatrin popullor dhe do të të thonë mirë je aty në Berat se s’ka më vende këtej” dhe qëllimin Fatmiri e kishte që pas ikjes së Sulës, të merrte dhomën e tij në apartament në qytet. Byroja e Partisë së rrethit ritheksoi nevojën e pjesëmarrjes në punë fizike dhe rekomandoi që ai të rishikojë edhe një herë veprat e shkruara vitet e fundit. Organizata bazë dhe Byroja e Partisë së rrethit mendojnë se Fatmiri ka forca të atilla që të riedukojë veten dhe të ndreqë gabimin e bërë.
Sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit
Peçi Orgocka.
Berat, më 25/8/1966
Komentet