Faksimile e dokumentit
Raport i majorit Kemp për operacionet në Shqipëri 1943-1944.Dokumenti që publikojmë është një raport i majorit britanik Kemp, i cili ishte një ekspert shumë i aftë ushtarak që mori pjesë në organizimin e Brigadës së Parë partizane të drejtuar nga Mehmet Shehu. Ai rrëfen me detaje rrethanat e krijimit të kësaj brigade me rreth 700 vetë të mirarmatosur nga forcat aleate. Sakaq, majori britanik dëshmon se kjo trupë dështoi në luftë kundër ardhjes së gjermanëve në gusht 1943, pasi ajo nuk u organizua siç duhet dhe krerët e saj vepruan kundër këshillave britanike. Kemp konfirmon se organizimi i brigadës në batalione ishte absurd, sepse nuk ofronte asnjë mundësi për luftë guerile efektive.
Fatkeqësisht, vëren ushtaraku perëndimor, lidershipi i LNÇ e përdorte fjalën brigadë apo batalion vetëm për qëllime propagande, ndërkohë që nuk pranuan asnjëherë avantazhin e luftës guerile. “Më vonë, saktëson majori Kemp, arritëm në konkluzion se kjo formë organizimi duhej më së shumti për të goditur forcat e Ballit Kombëtar, sesa ato naziste”, Nga ana tjetër, ai shprehet se kjo brigadë u formua për luftë ballore frontale, por nuk ia doli kurrë. Në dështimet e saj ai përmend aksionet e para kundër gjermanëve në rrugën Leskovik-Korçë, konfliktet me çetat e Ballit Kombëtar, reprezaljet e shumta ndaj popullsisë civile etj.
Me interes të veçantë, sidomos për studiuesit e fushës, janë analizat profesionale të majorit Kemp për mënyrat e luftimit të forcave gjermane dhe atyre italiane në Shqipëri. Raporti i tij është pjesë e dokumenteve të Arkivit të Ministrisë së Luftës, ku Kemp koleksionoi punën e bërë në vendin tonë nga gushti i vitit 1943 deri në mars 1944…
—
DOKUMENTI
Raport për Shqipërinë gusht 1943-mars 1944.
Shkruar nga Majori P.M.M
Kemp Mision në Shqipëri Në fillim të gushtit 1943, në Shqipëri ishin 3 misione ushtarake britanike të njohura si Concensus, Spinter dhe Slender. Po atë muaj u infiltruan edhe 4 misione të tjera. Misioni Skulptor, nën drejtimin e major Tillman, Sapling nën drejtimin e major Field, Sconce nën drejtimin e major Seymour dhe misioni Stepmother nën drejtimin tim. Detyrat tona ishin të thjeshta; të vrisnim italianë dhe gjermanë, të ulnim sa më shumë moralin e tyre, t’i mbanim të zëna forcat e tyre, të gjenim armët dhe mbështetjen e duhur për çetat shqiptare, pavarësisht krahut politik, por që ishin të gatshme të luftonin armikun, si dhe të siguronim sa më shumë informacion për çështje ushtarake dhe politike.
U parashutova ditën e 10 gushtit te misioni Concensus, që ishte nën drejtimin e majorit MaClean. Me mua ishte një agjent paramilitar Gregson Allcot dhe operatori Roberts, i cili kishte ardhur një muaj para meje dhe më priste. U parashytova në Shtyllë, një zonë malore e që ishte një fshat mysliman rreth 10 milje larg në jugperëndim të Korçës. Kur ne arritëm, misionet Spinter dhe Slender kishin lëvizur në veri të vendit, ndërsa misioni Concensus po merrej me organizimin e operacioneve në zonën e rrugës Korçë-Leskovik, që ishte një nga nyjat kryesore të komunikimit të gjermanëve me Greqinë. Ata ishin duke bashkëpunuar me forcat e LNÇ dhe ishin në kontakt të ngushtë me Komitetin Qendror të LNÇ, që ndodhej 3 milje më tutje, në Vithkuq. Në bashkëpunim me ta po bëhej trajnimi i Brigadës së Parë, që ndodhej në Vithkuq. Majori Maclean ishte në kontakt edhe me disa liderë lokalë të Ballit Kombëtar dhe po i nxiste ata të merrnin pjesë në aksione kundër kësaj rruge, nën drejtimin e kapiten Smiley. Disa ditë më pas, ne organizuam një konferencë për të përcaktuar zonat ku do të punonim dhe, më pas, major Seymour u nis për në zonën e Pezës, major Field u nis për në Vlorë dhe majori Tillman për në Gjirokastër. Unë ndenja në këtë zonë për të ndihmuar Maclean që t’ia dilte me Komitetin e LNÇ.
Kishim si qëllim që, sapo të merrnim lejen nga komanda në Kajro, unë të nisesha për në Kosovë. Nga mesi i gushtit, Brigada e Parë ishte e përgatitur në mënyrë adekuate, e armatosur me të gjitha pajisjet dhe gati për operacione. Ajo komandohej nga Mehmet Shehu, i gatshëm dhe kurajoz, i cili kishte luftuar në luftën civile në Spanjë, por që kishim qenë kundërshtarë dhe që sigurisht unë kurrë nuk e përmenda këtë fakt. Brigada u nda në 4 batalione me nga 150-200 veta, të pajisur mjaft mirë me armë, si me murtaja, mitraloza të lehtë dhe pushkë antitank. Më datë 20 gusht, brigada lëvizi nga Vithkuqi në drejtim të Barmashit në rrugën e Korçë-Leskovikut, së bashku me Mehmet Shehun, i cili kishte planifikuar operacionet me ne. Pak ditë më herët, Komiteti i LNÇ la Vithkuqin për të shkuar në zonën e Elbasanit për më shumë kushte sigurie. Maclean, Smiley dhe Duffy shkuan pas Brigadës, ndërsa unë mora detaje për të kontaktuar me profesor Safet Butkën, një lider i fuqishëm lokal i Ballit Kombëtar, i cili kishte pasur disa probleme me partizanët.
Kjo ishte eksperienca ime e parë në armiqësinë që po përhapej mes LNÇ dhe të djathtëve të Ballit që drejtohej nga pronarë lokalë tokash. Pasi takova profesor Butkën dhe bëra më të mirën për ta qetësuar për shqetësimin e tij, iu bashkova në mbrëmje grupit të Maclean. Rruga kalonte përmes malesh dhe lagunash, çka e bënte të përshtatshme për të ngritur pritë. Plani ishte që Mehmet Shehu të lëvizte brigadën e tij gjatë natës dhe të vendoste partizanët në të dyja anët e luginës me pamje nga rruga dhe kjo, pasi zbuluesit në terren kishin informuar se nuk ka armiq në atë zonë. Lt. Duffy shkoi së bashku me një grup për të shkatërruar urën për në Berat, në jug të Leskovikut. Pra, sapo armiku të shfaqej nga pjesa jugore e rrugës së Korçës, ajo do të mbyllej nga partizanët dhe më pas nga të dyja anët e luginës do të qëllohej nga partizanët. Nga ana tjetër, Duffy do të hidhte në erë urën për në Berat duke mbyllur rrugën për në jug. Plani nuk shkoi siç duhet. Duffi arriti në Berat, por pa që ura mbrohej mirë dhe ishte e pamundur ta hidhje në erë. Një nga batalionet partizane gjatë kohës që po tentonte të kalonte rrugës, filloi të qëllohej nga një postë gjermane, e cila ishte vendosur pas kontrollit tonë. Zbuluam se bëhej fjalë vetëm për një togë të vetme prej 20 gjermanësh. Majori Maclean, kapiten Smiley dhe unë shpenzuam gjithë ditën duke bindur Mehmet Shehun që t’i sulmojë ata 20 gjermanë dhe të adoptojmë një plan të ri, por Mehmeti, i influencuar edhe nga komandantët e tij të batalioneve, refuzoi dhe tërhoqi batalionin në Vithkuq.
Ishin 700 partizanë të mirarmatosur dhe trajnuar, të cilët u intimiduan dhe u frikësuan nga 20 gjermanë. Të nesërmen, kapiten Smiley u kthye për në Shtyllë, ndërsa unë dhe majori Maclean bashkë me dy shqiptarë qëlluam një makinë të stafit gjerman, e cila ndodhej para për zbulim. Kjo makinë stafi po shkonte në Korçë e vetme, në avancë të një ardhjeje të një kolone të madhe gjermane. Besoj se vramë 3 ose 4 gjermanë, megjithëse arma ime u bllokua gjatë sulmit. Gjithsesi, u vonuam dhe u detyruam të largoheshim mes plumbash që vinin nga kolona që po afrohej. Gjatë rrugës për në Shtyllë, ne kaluam në disa fshatra të kontrollura nga forcat e Ballit dhe na u refuzua ushqimi apo strehimi, pasi kishin frikë nga reprezalja e gjermanëve, nisur nga fakti që kishin dëgjuar për aksionet tona. Madje, në një fshat, njerëzit ishin aq të inatosur, sa menduam të ikim sa më shpejt, se ndryshe do të qëlloheshim. Arritëm në Shtyllë në mbrëmje. Në mëngjes një forcë italiane prej 1 mijë trupash nisi një operacion ndaj Vithkuqit dhe Shtyllës, të pajisur mirë dhe me 2 topa 155 m/m dhe 2 të tjerë 65 m/m, por ata nuk e dinin që 700 partizanë i prisnin që ishin të pajisur mirë me armë dhe kishin zënë pozicione të volitshme.
Ditën e parë ata i qëruan mirë të dyja fshatrat dhe ditën e dytë ata zunë kodrat me pamje nga Vithkuqi, duke i larguar me vështirësi partizanët nga pozicionet, të cilët, nëse do të ishin më të vendosur, atëherë italianët do ta kishin të pamundur të çanin. Isha gjithë ditën në kontakt me trupat e vijës së parë të Brigadës së Parë. Italianët na i morën këto pozicione në mëngjes të ditës tjetër dhe, gjatë pasdites, trupat e tyre avancuan me ndihmën e artilerisë së lehtë, nga sulmi me mortaja dhe me dy avionë. Partizanët e kishin të pamundur t’ia dilnin dhe u tërhoqën me pak humbje. Po atë mëngjes ne zhvendosëm shtabin nga Shtylla për të shkuar në një vend më të sigurt në pyll, duke groposur çdo material që nuk e merrnim dot. Gjatë mëngjesit tentuam të bëjmë diçka para se italianët të hynin në Shtyllë. Vendosëm për të hedhur në erë shtegun ku kaluam, por nuk ia dolëm dhe Duffy dhe Jenkins për pak sa nuk humbën jetën. Italianët dogjën të dyja fshatrat, edhe Shtyllën edhe Vithkuqin, ndërsa banorët ia dolën të ikin në kodra. Ata që s’mundën, u vranë nga italianë. Më pas ata u tërhoqën drejt Korçës.
TAKTIKA TË GJERMANËVE DHE ITALIANËVE
Është interesante të krahasosh taktikat e gjermanëve të zbatuara në këto operacione. Ata kishin një mospërfillje për guximin dhe karakterin e shqiptarëve dhe zakonisht lëviznin me trupa të vogla me 50 deri në 150 veta, të pajisur vetëm me automatikë dhe murtaja të lehta. Me këto patrulla të vogla ata zakonisht arrinin të kishin sukses, duke çarë partizanët para se ata të organizoheshin për rezistencë, duke bërë që misionet britanike të largoheshin shpejt, e madje duke braktisur pajisjet që kishim me vete. Përpjekjet tona për t’u ruajtur nga këto lloj sulmesh surprizë nuk u quajtën të vlefshme nga aleatët tanë partizanë, ku, edhe pse kishim vënë persona për t’u ruajtur, rrallë merrnim ndonjë paralajmërim nga ata. Nga ana tjetër, italianët dukej se kishin frikë nga guerilët shqiptarë, duke menduar se nuk mund të marrin kondrat dhe se këtë mund ta bënin vetëm me forca të mëdha të ndihmuara nga artileria dhe avionët. Kjo të lejonte për element surprizë dhe këtë e pamë në Shtyllë, ku patëm dy ditë kohë të përgatiteshim për tërheqje.
Është një surprizë dhe një mundësi e mirë për të reflektuar se si në veri të vendit, ku terreni është kaq i përshtatshëm për luftë guerile, gjermanët ishin kaq shumë të suksesshëm vetëm me një numër të vogël forcash dhe me armatim të lehtë. Ata ia dolën në çdo zonë të kenë sukses vetëm me pak humbje, kur duhej të ishte e kundërta, pasi gjermanët praktikisht nuk duhej t’ia dilnin në kushte të tilla, kjo edhe sepse ata kishin më pak se 35 mijë forca në Shqipëri, ku shumica e tyre nuk ishin forca luftuese të klasit të parë. Kjo ndodhi për shkak të dy arsyeve. Së pari, ata ia dolën të fusin një ndjenjë terrori në vend dhe, së dyti, ndrojtja, xhelozia për njëri-tjetrin, gërricjet dhe ambicia e vetë shqiptarëve, që s’kishin dëshirë të bashkoheshin dhe kishin një mungesë patriotizmi. Ishte e vështirë të imagjinoje se sa frikë kishin shqiptarët, edhe ata më trimat, kur u përmendje emrin gjerman. Gjermanët bënë më të mirën për të dhënë disa shembuj terrorizmi në vend për të ngjallur frikë. Rasti tipik është djegia e fshatit Borovë, ku ata çuan drejt flakëve edhe gratë e fëmijët. Mbaj mend që në Shtyllë një djalë i vogël u dogj keq, por arriti të shpëtojë. Kudo që gjermanët do të sulmonin partizanët në fshatra, ata do të qëllonin edhe civilët, të cilët gjithnjë e më shumë nuk i largonin partizanët.
Pak vende e kanë kuptuar se ç’do të thotë “të përçash, e të sundosh”, gjë të cilën gjermanët e realizuan kaq mirë në Shqipëri. Pak herë gjermanët u angazhuan në operacione direkte nga trupat e tyre. Në Pezë, në Orenjë apo në Dibër, por mund të përmend edhe shembuj të tjerë, ata patën ndihmë nga vendësit, kjo sepse kishin frikë ose thjesht se nuk i donin partizanët. Më duhet të theksoj se gjermanët asnjëherë nuk i shpërdoruan forcat e tyre nëpër operacione, por u angazhuan kryesisht në zona ku mund të rrezikoheshin kanalet e komunikimit. Për shembull, ata pastruan mirë zonën e Pezës nga partizanët, në mënyrë që të largonin çdo kërcënim për rrugën midis Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit. Sigurisht që gjermanët bënë disa përpjekje për të kapur misionet tona apo Komitetin Qendror të LNÇ, por nuk ia arritën për shkak të vendndodhjes tonë në zona të largëta, ku nuk para na bezdisnin.
ARSYET E DËSHTIMIT
Pasi bëmë këto dy aksione, u depresuam nga fakti se përpjekjet tona për të trajnuar dhe pajisur më së miri Brigadën e Parë pothuajse kishin qenë të kota. Po jap disa arsye: A) Së pari, shqiptarët nuk ishin mësuar me luftime të rregullta. Partizanët nuk kishin disiplinë, as dëshirë për të bashkepunuar siç duhet dhe as dëshirë për të luftuar italianët, përveçse kur mësonin se ata ishin në numër të vogël. Të ndarë në grupe të vogla, të luftonin rrugët e komunikimit, të ndërmerrnin goditje të përqendruara te forca armike të veçuara dhe të zmbrapsin forca madhore pas këtyre sulmeve, vetëm në këto mundësi ata do të mund të ishin me vlerë.
Pavarësisht se atyre nuk ua mban të luftojnë nga afër me armikun, nga distanca të largëta janë shënjestratorë të mirë dhe mund të trajnoheshin më mirë për këtë nisur edhe nga fakti se i mbronte terreni, por edhe se përpjekjet e tyre duhet të vlerësoheshin si luftëtarë individualistë. Por t’i vendosje të luftonin në unitet në njësi të rregullta dhe të qëndronin të luftonin armikun, gjerman apo italian, ishte pothuaj e pamundur. Fatkeqësisht LNÇ e përdorte fjalën brigadë apo batalion vetëm për qëllime propagande, por edhe për faktin se ata nuk mundën të kuptojnë avantazhin e luftës guerile. Dështimi i tyre në rrugën Leskovik-Korçë në datën 21 gusht ishte një rast ideal për ta ilustruar dështimin e tyre, por edhe disa raste të tjera në fshatin Shtyllë.
Në mëngjesin e datës 27 po kontaktoja Mehmet Shehun, zbulova se asnjë nga komandantët e batalioneve të tij nuk e kishte idenë se ç’po ndodhte, nuk e kishin idenë nga të shkonin në front dhe vetë Mehmet Shehu nuk ia kishte idenë se si ishte situata dhe u zbulua se ata as që kishin ndonjë ndërlidhës mes komandës dhe trupave në front të parë. Pavarësisht këtyre mësimeve, partizanët nuk e braktisën idenë se duhet të organizoheshin në brigada dhe batalione dhe as që tentonin të bëheshin një forcë e rregullt luftimi, të cilën as që e zhvilluan si mundësi. Më vonë arritëm në konkluzion se kjo formë organizimi duhej më shumë për të goditur forcat e Ballit Kombëtar sesa pushtuesin. Karakteri B) Humbjet e partizanëve nuk ishin aq të mëdha, sa për të braktisur pozicionet e mira që kishin me pamje nga Vithkuqi. Artileria nuk ishte aq e rëndë apo shkatërruese, por morali i partizanëve ishte i tillë. Përkthyesi im, një burrë me trup të vogël dhe mustaqe të zeza, i cili më thoshte se ishte trim në luftë, tepër krenar për veten dhe përbuzës për italianët, e kaloi gjithë ditën 27 gusht duke u fshehur, aq sa të vinte keqardhje për të, ndonëse ishim larg nga rreziku. Sapo beteja mbaroi, ai ngriti bishtin lart dhe krenar na informoi se italianët nuk mund të merrnin asnjëherë Shtyllën dhe se ushtarëve italianë nuk ua mban të luftojnë. Edhe Mehmet Shehu, kur po më shpjegonte faktin se si një nga batalionet e tij kishte dështuar për shkak të zjarrit të fortë armik, përfundoi me fjalët “batalioni u tërhoq i detyruar dhe humbëm vetëm 3 veta dhe vetëm 2 të plagosur”.
FRIKA NGA REPREZALJET
C) Një nga problemet kryesore që limitonte mundësinë për aksione, ishte sjellja e popullsisë lokale e veçanërisht e Ballit Kombëtar. Objektivi ynë ishte pikërisht rruga Leskovik-Korçë dhe shumica e fshatrave afër rrugës ishin me Ballin Kombëtar. Shumë prej këtyre fshatrave ishin djegur tashmë nga italianët dhe gjermanët, për shkak të aksioneve të bëra kryesisht nga partizanët. Fare pak para se të vija unë, një forcë gjermane e blinduar kishte zbritur nga Leskoviku duke djegur rrugës dhe duke masakruar banorët. Këto ngjarje ishin të freskëta në memorien e banorëve. Ankesat e tyre të cilat m’u bënë nga Safet Butka, ishte se partizanët pa pritur dhe kujtuar bënin sulmin afër fshatit dhe më pas zhdukeshin duke lënë pas banorët që vuanin të gjitha pasojat. Safet Butka më kërkoi që çdo aksion në këtë rrugë të bëhej në zona të pabanuara, por një zonë e tillë pothuajse nuk ekzistonte. Partizanët ankoheshin se kur ata sulmonin armikun, banorët e fshatrave të Ballit shkonin dhe paralajmëronin armikun, por këtë sigurisht që e bënin për të ndalur reprezaljen ndaj tyre.
Siç e përmenda, unë me majorin Maclean, pasi bëmë aksionin ndaj makinës gjermane, u larguam nëpër fshatra, por me një mungesë të madhe mikpritjeje dhe madje në një vend desh na qëlluan. Ky problem që shihej në të gjithë vendin, vinte për faktin se guerilët duhej të ndaheshin nga forcat civile dhe sigurisht që armiku do e kishte më të vështirë për reprezalje. Në Shqipëri dhe në Serbi, gjermanët dhe italianët ishin të aftë që të ndillnin te popullsia civile një farë përgjegjësie për sulmet e guerilëve ndaj tyre. Nëse kjo ndjenjë përgjegjësie nuk do të ishte, atëherë reprezaljet pothuaj nuk do të ekzistonin, pasi edhe armiku nuk ishte i dhënë pas idesë që të shpërngulte njerëzit në kodra, madje kjo ishte gjëja e fundit që donin. Në fakt, bashkëpunimi që u bë me pushtuesin bëri këtë shërbim për armikun, që popullsia të ndiente përgjegjësi për çka ndodhte në aksione. Pa ndihmën e tyre armiku do ta kishte të vështirë, por ata kontribuuan indirekt për të neutralizuar përpjekjet tona.
Është e papranueshme që një organizatë tjetër të formohej që të ishte e ndarë nga pjesa luftuese, pavarësisht se LNÇ kontribuonte për ta ndarë veten. Balli Kombëtar dhe çetat nacionaliste nuk e ndanin veten nga popullsia civile dhe as që tentonin ta bënin një gjë të tillë. Ky fakt nuk më pëlqente aspak, ndonëse forca e tyre do të vinte duke rënë. Një faktor tjetër që ndikoi bindshëm te shqiptarët, ishte se gjermanët, si të përkohshëm në vend, do të iknin shpejt dhe nuk do t’u bënin asnjë dëm atyre apo vendit të tyre. Ata argumentonin se pse duhej të luftonin, të vinin jetën në rrezik, pronat dhe shtëpitë e tyre kundër një armiku që dihej se do ikte së shpejti. Në këtë sens, duhet të kuptohet se kishte pak ndjenjë patriotike në Shqipëri. Për rreth 600 vjet, popullsia është detyruar nga dominime barbare dhe pushtuese të jetojë “poshtë” tyre, realitet i cili filloi të ndryshojë pas 1912.
Komentet