Qershor, 2023
1.
Rikthim lavdie…
Një hije deshpërimi kishte rënë mbi Paris. Vezullia venitej dhe një brejë inferiore gërryente gjithandej.
Ishte vitet, sepse epokë ai s’bënte dot, e Fransoa Hollandit, njeriut impersonal të Shanz Elizesë. Franca e tij, ky shtet i lavdisë interkontinentale, kishte bjerrë peshën influente. Përballë tij, andej Rinit, pati një zonjë që akoma s’kishte shterruar energjie dhe idesh. Zonjën natyralshëm karizmatike, Merkel, që thoshte përherë, si një verdikt suprem, fjalën e fundme në Europë.
Por kohët, ashtu si ata vetë, tani janë pas nesh.
Në Pallatin presidencial do hynte një student i lartëgatitur i Rotschilldëve. Plot elan e vizion të ri. Dhe desh të ndryshonte furishëm e shpejtësisht Europën. Veçse ai, në fakt, njëjtësonte rihovzimin e Francës me rigjallërimin e Europës. Por, e asaj t’vjetrës, ku vendi i tij, e vetmja fuqi bërthamore, duhej të ishte, si ëndërronte De Goli, në krye të kolonës së kombeve të lirë.
Pikërisht në Aachen, kur mori çmimin e Karlit të madh, anipse një çast i përndertë, do shpaloste nismërisht ringritjen e Fuqisë.
E kjo do t’më kujtonte pak Obamën( viti…) dhe çmimin Nobel të paqes që mori paraprakisht, ende pa erëmuar as frymën e Zyrës ovale. Dhe e mori jo për atë që kishte bërë, por për atë që duhej ai do frymëzohej të bënte.
Ndaj dhe, ngjashëm, Macroni do laurohej, jo pse ishte rravgues i madh vitesh komunitare, por për t’u fokusuar brenda shtegut që rrëfente çmimi i Karlit të vrânët. Mirëpo ai, po aty, nuk ngurroi të dilte nga korniza e ngushtë e simbolikës së tij.
Pastaj ndër mote,
rivalizonte Gjermaninë, pëbuzte Naton, i largqëndronte Amerikës, partneronte në hije me Kinën, refuzonte Europën e dytë mbetur tek portë e pritjes, bllokonte integrimin e Shqipërisë apo liberalizimin e vizave për Kosovën dhe, disi, rikthente dinakërisht në skenë gjeopolitikën e vjetër.
Llogaritë, ndërkaq, siç do vërehej në vonë, nuk do i dilnin kurrëqysh. Berlini mbeti i ftohtë dhe, pa të, asnjë Ushtri Europe nuk mund të hidhte shtat. Një armatë që, si përskajohej prej tij, do provonte aventurat e para në Afrikë, ku gjallon prorë interesi kolonial francez, s’pati fat. Do vdiste pa u ngjizur fetusi i saj.
Dhe ky, që këtej, ishte boshti përgjithsor i vizionit të tij për Europën. Larg Amerikës dhe pa Europën e rrezes së dikurshme otomane.
Por ka disa ditë a një kohë, që Parisi, papritur, është zgjuar ftyrëtjetër. I kthjellët, paneuropjan dhe njëj alarmi të arsyeshëm për të gardhuar Votrën e përbashkët: tashmë të vjetër, e të re!
2.
Fillë doktrine…
Kryediplomatja franceze,
Catherine Colonna, do përgjigjej shkurt. Njëj lakonizmi që nënkuptonte gjithçka.
Dhe atmosfera e Osllos ku mbahej takimi i lartë i Natos (një qershor i sivjemë) i jepte gjithë sharmin dhe hirin e madhështisë franceze! Së paku, kujtesën e saj.
E pyetur për objektivat orientimorë të vendit të saj ajo tha: dëgjuat dje Kuvendimin e Presidentit tim?
Në fakt, pas Brexit-it britanik, do nismëtohej vrullshëm në shtator, viti 2016, procesi politik i Bratisllavës.
Dhe, njëmend, fjala e tij një ditë më parë në metropolin sllovak, synonte të bëj histori. Dhe, po doli të ketë konzistencë reale, do të prejë e vulosë rëndshëm harkun e saj.
Mirëkuptim i Lindjes kontinentale, përbashkimi i vendeve në perëndim të Rusisë dhe distancë gjeopolitike prej saj, siguri e vetëmohim solidar për t’i dalë zot Ukrainës, ngut i madh për integrimin e ballkanasve në kufi të një zhgënjimi t’pakthim,
fjalëmirë, krejt beftas, për Amerikën dhe…tjetër? A nuk mjaftonte kjo panoramë për të konstatuar fillin e një doktrine të re strategjike?
Ç’të ketë ndodhur që mendimi shtetëror francez të ndryshojë premisat kaq papritur, tejpamshëm e njëj aftësie flijimi për Europën e të gjithëve?
3.
Betejë e vështirë
Marine Le Pen ngrihej agimeve parisiene me një ëndërr marroke në sy. Madje, e shihte dhe zgjuar. Admirimi i radikalëve djathtistë dhe paratë e Putinit i përkundnin shpresën e Fuqisë politike që priste.
Ndaj dhe kur Merkel, viti 2015, do u hapte kufijtë afro një milion sirianëve, thoshte me ironi: gjermanët nëvojisin skllevër. (Më vonë, ndërkaq, do tmerrohej nga invadimi rus në Ukrainë. I kujtonte, sigurisht, foton triumfale të Hitlerit pranë Kullës së Ajfelit…)
Madje dhe Houllebecque kult-shkrimtari i dëgjuar frëng, shkruante me ndjesinë e dhimbjes për Europën, se s’ka një vend e komb tjetër, si gjermanët, që të rrokullisen kaq vullnetshëm drejt vetëzhbërjës.
Mbase, të dy, ishin nxënës të dobët të Kamysë që, në “Letra mikut gjerman” shkruante: ne francezët nuk i dhuruam botës skllevër.
Si? Kush e beson këtë? Kurrë, askush!
Ç’kërkonte, pra, njeriu i armatosur francez në Amerikë, në Magreb, në Afrikë dhe në gjithë botën? Kush e ftoi që të vriste, grabiste, poshtëronte e robnonte? Kush? Athua vetë të shtypurit, t’skamurit, të përbuzurit e Franz Fanonit?!
Marsejeza, revolucioni i egalite-libertesë është gjithnjë fanar zgjimi nga diktaturat a pushtimi i huaj. Por frëngu e kishte menduar këtë dritë të zjarrtë për vete. Jashtë dhéut të tij, duhej të kishte ligje të tjera jete. Jean-Paul Sartre, po kësaj filozofie, pohonte se komunizmi është i mirë për të tjerët, por jo për ne. E donte denatyrimin njerëzor larg atdheut të tij.
Ndoshta, tani dhe këtu në Shtëpinë komunitare, nuk duan më të jenë as vetë (si predikonin Houllebecque dhe “Pegida”, Lëvizja e fashitur Dresdenjane) dhe as të prodhojnë skllevër ndër të tjerë. Por Shoqata e popujve të robëruar të Europës me seli në Göttingen, mban akoma të hapur Librin e saj…
E pra, ndijimet e vjetra, kujtimet dhe shkreptimë e tyre nuk arkivohen lehtësisht. Një foto afrimtare në Moldavi mes frëngut Macron dhe serbit Vuçiq, të cilit i kishte hedhur dorën krahëve tepër intimisht, dëshmon betejën e vështirë mes Doktrinës së re dhe Aleancës së vjetër…
Mirëpo Europa që, ndërsa të tjerët rriten, zvogëlohet e ndarë vazhdimisht, ndjen kumtin e kohës. Dhe, me gjasë, askush nuk mund të shalojë më interesin e saj me atin e huaj.
Aq më pak të huazuar në Kremlin…
R.