Në vend të hyrjes
E lexova dhe e rilexova disa herë intervistën që Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar dha për median shqiptare në mbyllje të vizitës së tij të fundit në Shqipëri. Kur e dëgjova në tv, përshtypja e parë, ishte ajo e një toni shumë më ndryshe nga herët e kaluara. Një ton më i zbutur, në kuptimin më i respektueshëm ndaj institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe dëshirave të elektoratit shqiptar. Një ton larg deklaratave mëparshme të ambasadores Kim që dukej sikur i diktonte politikes shqiptare, elektoratit të opozitës dhe drejtësisë shqiptare se çfarë duhej të bënin. Me pak fjalë, përshtypja e parë që pata ishte sikur atë intervistë nuk po e jepte një përfaqësues i lartë i politikës së jashtme amerikane, por një diplomat francez apo i BE-së që njihen si mëshirimi i ”legalitetit” dhe i respektimit të sovranitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në intervistën e Gabrial Eskobar, ky ndryshim toni apo doktrine, manifestohet tek mos fajësimi më i atyre shqiptarëve që ndjekin ata politikanë që nuk gëzojnë pëlqimin e Shba-ve. Nga ana tjetër ka një vazhdim të doktrinës amerikane ë mbrojtjes pa kushte të qeverisë aktuale të Shqipërisë. Kjo qeveri duke qenë një partnere e shkëlqyeshme e Shba-ve në planin gjeostrategjik, Eskobar, kujdeset kështu në përgjigjet e tija që jo vetëm mos ta sulmojë qeverinë Rama si të korruptuar, por dhe t’i bëjë herë pas here komplimenta, gjë që vazhdon ende të krijojë hendek ndërmjet amerikaneve dhe popullit shqiptar.
Për ta vërtetuar një përshtypje të trefishtë që pata nga intervista, ndalim i presionit ndaj atyre shqiptarëve që duan politikanë si Berisha, mbrojtje e qartë e Edi Ramës duke mos nuk i njohur asnjë gabim dhe harrim deri në ekzagjerim të grupit të Alibeajt, propozoj në këtë shkrim t’i bej një koment të detajuar pyetjeve dhe përgjigjeve me zyrtarin e lartë amerikan.
Frika ndoshta e shfaqjes në Shqipëria e një ndjenjë, e mos anti-amerikanizmi, të paktën skepticizmi ndaj SHBA-ve, që përkon me periudhën e ambasadores Kim ne Tiranë, po e bëjnë të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve ne rajon, të ndryshojë gjuhë dhe të shqiptojë qartë atë që prisnim prej kohësh, se në Shqipëria si në çdo demokraci tjetër vendos populli shqiptar me votën e tij dhe jo ambasada amerikane. Ky është dhe mesazhi kryesor që kërkon të japë Gabriel Escobar dhe që duhet përshëndetur.
Koment i detajuar i intervistës: Heshtje mbi korrupsionin qeveritar
Që në fillim të intervistës, në pyetjen e dytë të saj, Grida Duma ne rolin e gazetares pati refleksin e duhur ta vërë Gabriel Escobar përballë konkluzioneve aspak brilante për Shqipërinë të vetë raportit vjetor të Departamentit të Shtetit. Grida Duma i përmend me këtë rast Escobarit konkluzionet e raportit në lidhje me “korrupsionin, mungesën e pavarësisë në sistemin e drejtësisë, dhunën gjinore, lirinë e medias, mangësitë në ndërtimin e institucioneve në funksion të demokracisë”. Kjo pyetje përmban një kurth evident për diplomatin amerikan: “si e komentojnë Shtetet e Bashkuara faktin se Shqipërisë i mungon një demokraci reale funksionale?” Pyetje kapitale për të cilën Grida Duma duhet përshëndetur, pasi ajo nënkupton këtë mesazh: Pse ju amerikanet tregoheni kaq radikale dhe aprimorë me atë çka ndodhur në Shqipëri para një dekade me korrupsionin e supozuar të Sali Berishës dhe në të njëjtën kohë i fërkoni kurrizin një pushteti aktual i cili sipas ju vetë amerikanëve në raportin e Departamentit të Shtetit, mbjell korrupsion, vë nën presion drejtësinë apo mediat, si dhe pengon ndërtimin e institucioneve demokratike.
Ftoj lexuesin këtu të ndjekë me vëmendje përgjigjen e kalibruar të një super diplomati i vënë përballë një rreziku të dyfishte: Ose të kundërshtojë punëdhënësin e tij dhe të thotë që Departamenti i Shtetit e ka gabim, ose të konfirmojë që qeveria e Edi Ramës nuk është fare në rrugën e duhur dhe duhen ndryshime. Escobar do zgjedhë një rrugë të mesme, atë të shmangies nga një përgjigje konkrete dhe kalimit në tema të tjera të përgjithshme që s’kanë lidhje me pyetjen siç janë liritë fetare, trafikimi i qenieve njerëzore dhe të Drejtat e Njeriut që nuk figurojnë në pyetjen e Dumës. Së dyti, Escobar në përgjigjen e mëposhtme do të minimizojë rëndësinë e raporteve vjetore të Departamentit të Shtetit duke i paraqitur si raporte rutine:
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Raporti për të Drejtat e Njeriut, Raporti Ndërkombëtar për Liritë Fetare, Raporti për Trafikimin e Qenieve Njerëzore do të thotë se iu japim mjaftueshëm rëndësi këtyre çështjeve, trafikimit, të drejtave të njeriut dhe lirive fetare. Do të thoja që raporti duhet parë si një kritikë konstruktive (ndaj qeverise) dhe jo si një mjet qe njerëzit mund ta shihnin atë si një mundësi të motivuar politikisht për të kritikuar qeverinë. Kjo është për shoqërinë në tërësi.
Pra, për Escobar këto probleme që ngre raporti si korrupsioni qeveritar në Shqipëri dhe presioni qeveritar ndaj drejtësisë dhe mediave nuk ekzistojnë. Madje ai shkon deri aty as kërkon që mos të kritikohet qeveria pasi fajin e ka vetë shoqëria…! Mund të pyesim mos u bën magji Rama ndërkombëtarëve , ndryshe nuk mund të shpjegohet ky kontrast thuajse fyes midis nga njëra anë perceptimit ndaj korrupsionit të elitave politike që kanë shqiptarët në veçanti dhe popujt në rajon më gjerësisht (të njëjtën perceptim që u pa tek popujt në Afganistan dhe Irak ndaj qeverive të korruptuara post-diktatoriale) dhe nga tjetër përkrahja pa komplekse që u japin amerikanët këtyre qeverive të korruptuara mjafton që këto regjime të jenë pro amerikane.
Ekzagjerim i peshës ekonomike amerikane në Shqipëri
Edhe pyetjes në vazhdim, atë mbi mungesën e mjaftueshme të investimeve amerikane në Shqipëri e cila sipas pyetjes a mos ndoshta duhet parë si dështim i qeverisë shqiptare për të krijuar garancitë e duhura dhe një klimë të favorshme investimesh, Gabriel Escobar vendos t’i përgjigjet në mënyrë diplomatik , domethënë jo konform realitetit. Për Gabriel Escobar që nuk jep shifra reale, eksportet shqiptare në SHBA qenkan tre-fishuar.
Veçse pyetja ishte ndryshe: Përse nuk ka investime amerikane në Shqipëri, në kuptimin; a është fajtore qeveria qe s’krijon kushte për shkak të korrupsionit. Escobar përgjigjet për ta kundërshtuar Dumen, se qenkan rritur investimet amerikane veçanërisht në sektorin e energjisë, por nuk përmend Shqipërinë por gjithë rajonin ndërkohë që pyetja i behej enkas për Shqipërinë. Le ta shohim këtë moment në detaje:
Grida Duma: Investitorët amerikanë nuk janë në atë nivel që do të donim (ndoshta) sepse qeveria shqiptare nuk ka krijuar garancitë dhe standardet e duhura?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Krejt e kundërta. Mendoj se eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara janë trefishuar vitin e fundit. Trefishuar dhe investimet amerikane në rajon, veçanërisht në sektorin e energjisë, janë rritur ndjeshëm. Marrëdhënia tregtare është vërtet në rrugën e duhur!
Nëse Z. Escobar mendon vërtetë kështu, faktet janë kokëforta dhe krejt të kundërta me atë që ai afirmon.
Në fund të 2022-shit, stoku i investimeve të huaja direkt amerikane në Shqipëri regjistruar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë kap vlerën e përgjithshme të 221 milionë eurove. Kjo shifër duket e papërfillshme dhe lënduese për Shqipërinë po të merren të dhënat e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Serbi, mbi investimet amerikane në Serbi, një vend qe s’mund të quhet aleat i SHBA-ve siç është Shqipëria dhe nje vend me një popullatë aspak gjigande në krahasim me Shqipërinë (6.8 milionë banore). Shifrat e investimeve amerikane në Serbi janë marramendëse krahasuar me vendin tonë: 14 miliardë dollarë investime të huaja direkt amerikane në Serbi; 15 miliardë dollarë turn-over në vit. Vetëm me të ardhurat që sjellin investimet amerikane në Serbi në një vit, tejkalohet i gjithë prodhimi i brendshëm bruto vjetor i Shqipërisë! Po ashtu, janë 100 mijë vende pune të krijuara nga firmat amerikane në Serbi gjë që sigurisht ndikon që serbët të emigrojnë më pak se shqiptarët. Një tjetër shifër lë një shije të hidhur mbi volumin e marrëdhënieve tregtare me partnerin tonë më të madh strategjik, SHBA-të. Për vitin 2020, shkëmbimet tregtare Shqipëri-SHBA përfaqësojnë vetëm 1.5 % të te gjithë volumit të tregtisë ndërkombëtare të Shqipërisë! Mendoj se Grida Duma duhet ta kishte përgatitur më mirë këtë kapitull pyetjesh mbi vlerën e shtuar ekonomike amerikane në Shqipëri dhe mos t’i linte mundësinë zotit Escobar ta maskonte realietin. Ndryshe nga politika, nga diplomacia apo nga gjeostrategjia, tregtia nuk gënjen. Nëse prania ekonomike amerikane është kaq e pa përfilltë në Shqipërinë anëtare të NATO-s, krahasuar me Serbinë fqinje pro-ruse, kjo vjen sepse pikërisht në Shqipëri shkalla e korrupsionit është shumë e lartë dhe efikasiteti i drejtësisë shumë i dobët. Në Serbinë fqinje pa porte dhe pa marrëdhënie të mira me ShBA-të, investitorët amerikanë dynden, ndërsa në Shqipërinë me dalje direkt në det e në BE dhe me një Kryeministër që bashkëverit vendin me ambasadën amerikane që prej dhjetë vjetësh nuk gjen interes masiv për investitorët amerikanë. Një paradoks që Gabriel Escobar sigurisht nuk mund ta shpjegojë pa dëmtuar imazhin e Edi Ramës që kërkon ta mbrojë me te gjitha mënyrat. Se dyti, përsa i përket investimeve të supozuara amerikane në sektorin e energjisë në Shqipëri që përmenden nga Gabriel Escobar dhe që janë mburrur shume po ashtu dhe nga ambasadorja Kim, ato janë realisht investime të taksapaguesve shqiptarë. Asnjë kompani amerikane nuk ka hedhur një dollar investimesh në Shqipëri dhe aq më pak taksapaguesi amerikan nëse flitet për Hec-in e Skvicës apo gazin e lëngshëm në Vlorë që merren shpesh si shembuj nga diplomacia amerikane. E vërteta është pak ndryshe. Për sa i përket Skavicës, fillimisht ishte Bashkimi Evropian që nëpërmjet Berzh-it i akordoi qeverisë Rama një hua prej me shume se 200 milionë eurosh (plus 50 milionë investim shqiptar) për ndërtimin e HEC-it të Skavicës në zonën e Dibrës. Por, me ndërhyrjen e amerikanëve qeveria Rama e prishi pa dhënë sqarime ketë marrëveshje financiare me BE-ne me 2021.
Pasi u shkëput nga Evropa në këtë dosje të Skavicës, Rama vendosi të zgjedhë pa kurrfarë tenderi kompaninë amerikane Bechtel i cili e dyfishoi koston e projektit ne 500 milionë dollarë! Pse jo nëse janë amerikanët që paguajnë. Por, e vërteta është se qeveria Rama do t’i marre borxh në ShBA këtë 500 milionë dollarë. Një borxh që do e shlyejnë shqiptarët. Atëherë çfarë është Skavica, investim amerikan apo investim puro nga djersa dhe gjaku i shqiptarëve. Mund të thuhet pa frikë se në këtë dosje qeveria Rama mbron më shume interesat e korporatave amerikane sesa ato të taksapaguesve shqiptare. Është normale në këto kushte që zoti Escobar nuk mund ta kritikojë qeverinë Rama, ashtu si në Afrikë shpesh nuk kritikohen diktatorë që zgjidhin qesen për kompanitë nga vendet perëndimore duke shkaktuar zhgënjim dhe neveri tek popujt e atyre vendeve. Po ashtu projekti i ardhjes së gazit të lëngshëm ne Vlorë nuk është aspak një investim amerikan, por një pagese “kokërr më kokërr” që taksapaguesi shqiptar do beje për dy firma amerikane, Excelerate Energy dhe ExxonMobil. Populli shqiptar do paguajë dyfish, edhe për ndërtimin e një terminali gjigand që do shëmtojë gjirin e Vlorës, edhe për gazin e lëngshëm që do na vijë me super – tankera nga Amerika e largët në një kohë që TAP-i i famshëm me gazin nga Azerbajxhani kalon nga këmbët tona për të shkuar në Itali. Pse u ndërtua Tap-i qe s’i përfundim të paguajmë për të ndërtuar dhe një port me paratë tona për të mirëpritur anijet – çisterene amerikane që gazin jo vetëm qe s’do na e falin por do na e shesin edhe me shtrenjtë se gazi kontinental? Edhe ne kete rast, zoti Eskobar, a po mbron Edi Rama interesat e popullit shqiptar, apo interesat e kompanive amerikane? Në parim nuk jemi kundra që të bashkëpunojmë me kompani amerikane sesa me kompani nga vende te tjera. Por, të paktën, këto çeqe që do bëjnë shqiptarët mos të na shiten si investime amerikane
Kapitulli politik i intervistës: Non- grata mbase jo aq problematike sa më parë?
Grida Duma pyet Gabriel Escobar: Ka disa kandidatë për zgjedhjet vendore me precedentë penalë në listat e partive politike. A do të ketë një reagim ndryshe, të fortë nga Shtetet e Bashkuara këtë herë?
Ndryshe nga zgjedhjet lokale të pjesshme të 6 marsit, kur Yuri Kim bënte deklarata kërcënuese për partitë që fusnin kandidatë të tillë në lista, kësaj here Escobar surprizon kur deklaron se respekton vendimin e zgjedhësve shqiptarë. Pse ky parim baze i demokracisë dhe i marrëdhënieve ndërshtetërore nuk vlen dhe për Sali Berishën, do të ishte pyetja që nuk ju bë diplomatit amerikan? Mbasi ketë ka dashur të thotë Escobar tek përgjigja që do shohim, që ky parim vlen tani edhe për Sali Berishën. Pasi edhe nën status « non grata », nëse një pjese e popullit shqiptar do Sali Berishën ashtu si në Amerikë një pjese duan Trump-in që dhe ai akuzohet për korrupsion, kjo përkon me këtë që thotë këtu Escobar:
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar. POR nuk jemi ne që zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person. Pra, në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara.
Në gjykimin tim, kjo përgjigje përbën fjalinë kyçe të intervistës, një përmbysje totale e doktrinës që ka zbatuar ambasadorja amerikane në Shqipëri, kur kërcënonte se partitë pulitke që nuk do t’i bindeshin pritshmërive amerikane në lidhje me anëtarët e tyre, do të kishin probleme me Amerikën. Më mirë vonë se kurrë, por sa dëme të mëdha solli kjo doktrine në marrëdhëniet jo shtetërore shqiptaor-amerikane këto dy vitet e fundit. Vijmë tek pyetja e shumëpritur, ajo enkas për Berishën: A ka mundësi të ketë një qëndrim të rishikuar për statusin non-grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara ndonjëherë?”
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: “Nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë”.
Mbi baza faktuale , Gabriel Eskobar ka totalisht të drejtë kur bën “lojë fjalësh”. Sigurisht nuk gjen në legjislacionin amerikan ndonjë fjali ku të thuhet se në rast se një person i përcaktuar non-grata fiton zgjedhjet, automatikisht atij i hiqet kjo mase. Escobar thotë këtu një të vërtetë po aq normale sa Toka është e rrumbullakët. Por të imagjinojmë rastin tjetër. Kur Escobar thotë “Nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin”, kjo lë hapur hipotezën se nëpërmjet një vendimi drejtësie për shembull është e mundur. Le të imagjinojmë që Berisha fiton zgjedhjet legjislative me 2025 dhe ribëhet Kryeministër. Afërmendsh, ShBA-të nuk do te ndërpresin marrëdhëniet me shtetin e Berishës, për më tepër shteti i vetëm i sigurt pro-amerikan në rajon (së bashku me Kosovën), ku ka nje baze te fuqishme ajrore te Natos « thjesht » per shkak te nje “percaktimi” non grata te kryeministrit disa vite më parë. Zgjidhja diplomatike që do të gjendet do të jetë që drejtësia shqiptare (nën kontrollin amerikan) në atë moment kur Berisha mund të ribëhet kryeministër , do t’i bëjë një letër zyrtare Uashingtonit për ta informuar se pas hetimeve që ajo ka realizuar nuk rezulton se Berisha ka kryer vepra korrupsioni që do të meritonin të gjykoheshin. Dhe ja dosja non-grata do të “klasifikohej” pa problem, pasi është botërisht e ditur që Drejtësia e re shqiptare është e shume e besueshme në konkluzionet e saja… Dhe sa për pyetjen tjetër të Grida Dumes: Pra (Berisha) është e shkuara? , Escobar jep atë përgjigje që do ta kishte dhënë gjithkush, si koment personal dhe jo shtetëror :
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nëse më pyet mua, patjetër, e shkuara.
Nëse pyet Macron, Scholz, apo dhe vetë Escobar se çmendojnë në mënyrë intime (jo zyrtare) për Biden dhe Trump si kandidatë për 2024, patjetër që do të thonë po ashtu se ata «janë e shkuara». Por këto janë përgjigje personale, pasi zyrtarisht dhe demokratisht nuk vendos as mosha dhe as CV-ja, por vota e popullit. Escobar tha po ashtu se e respekton votën e shqiptarëve cilado qoftë ajo (pra duke përfshirë edhe votën për Berishën apo për kandidatët e tij).
Escobar e riperserit indirekt “tolerancën” e tij ndaj Berishës edhe në përgjigjen që jep në pyetjen e mëpasshme të Grida Dumës, nëse “a do të kemi edhe disa emra (të tjerë non-grata ) në Shqipëri për të parë vazhdimësinë e dorës së fortë të SHBA-ve?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shiko… A i ngelet në fakt Shteteve të Bashkuara të bëjë këto përcaktime? I takon institucioneve të Shqipërisë të hetojnë korrupsionin dhe ta ndjekin penalisht kudo munden. Dhe kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi është kaq e rëndësishme, sepse nuk na takon neve ta bëjmë këtë punë në emër të popullit shqiptar.
E kemi te vështire ta besojmë se është vetë zv / Ndihmës Sekretari i Shtetit që e jep këtë përgjigje që shpesh e japim ne analistet shqiptare qe kemi dy vjet që revoltohemi se ç ‘punë ka një administratë amerikane të bëjë rolin e drejtësisë në një vend aleat me drejtësi sovrane dhe të reformuar nga vetë ShBA-te. Me ne fund, amerikanët po tregohen më të matur në deklaratat e tyre publike pas shkarjeve të tepruara verbale të ambasadores Kim. Konkluzion: ndërmjet përcaktimit non-grata të një personi nga Departamenti i Shtetit, dhe vendimit qe merr ndaj këtij personi Drejtësia e një vendi me drejtësi funksionale (që është vizioni amerikan për Shqipërinë), për Escobar pa hezitim është drejtësia e këtij vendi që vendos dhe jo Departamenti i Shtetit. Le të shtyjmë atëherë më larg arsyetimin që e nisa disa rreshta më sipër. Meqenëse drejtësia shqiptare, dy vjet pas përcaktimit non-grata ëe Berishës nga ShBA-të, nuk ka gjetur materie për të hapur hetim, del qarte se ShBA-të siç e thotë vetë Escobar, do të respektojnë reagimin e Drejtësisë shqiptare. Rrjedhimisht arrihet në ketë mënyrë tek heqja e përcaktimit non-grata për shkak të vlerësimit te drejtësisë sovrane shqiptare se nuk i rezulton Berisha si i korruptuar (të paktën deri tani). Pyetja e Dumës në këtë rast duhet të kishte qenë: Nëse drejtësia shqiptare nuk e shpall fajtor Berishën, a do t’i hiqet një ditë statusi non-grata.
Mac Gonigal dhe financimet ruse, asgjë domethënëse në deklaratat e Escobar
Escobar shprehet në mënyrë normale në dsojen Mac Gonigal se “nuk mund të flasë për një çështje të hapur penale”.
Por ai i mëshon dhe mesazhit që çfarë do që të ndodhë (duke lënë indirekt hapur perspektivën e një hetimi mbi Ramën ), kjo s’ka pse të impaktojë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, pasi këto janë marrëdhënie me Institucionet e Shqipërisë (me Qeverinë e Shqipërisë) dhe jo me emra te përveçëm. Ja si e shpreh këtë Escobar në pyetjen qe i behet në lidhje me aferën Mac Gonigal:
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të them dy gjëra. Një, unë nuk mund të flas për një çështje të hapur penale. Gjëja e dytë siç e përmenda më parë, marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me popullin e Shqipërisë, me institucionet, jo me një parti dhe jo me një individ.
Po ashtu , te kapitulli i pyetjeve mbi financimet ruse në Shqipëri, ndryshe nga fushata agresive e akuzave të kampit të Edi Ramës kundra Monika Kryemadhit, Gabriel Escobar nuk tha asgjë që mund të çonte ujë te mulliri qeveritar. Ai përsërit dy të vërteta të njohura, sipas të cilave, jo vetëm në Shqipëri dhe në Ballkan, por kudo në Evropë Perëndimore, edhe vetë në ShBA, rusët paguajnë politikanë dhe në fushata zgjedhore për të impaktuar rezultatin e zgjedhjeve. Mesazh Ramës : qetësohu në sulmet që i bën opozitës, se kur vete te perëndimorët jemi berë fushë loje për ruset, është një leksion qëndrese që jep Shqipëria. E vërteta e dytë qe thotë Escobar, është se edhe sikur rusët të financonin politikanë në Shqipëri, kjo nuk mund të paralizohet si tradhti, sepse nuk ka legjislacion për këtë; Kjo thjesht përbën financim ilegal fushatash, por kjo do te ishte po aq e dënueshme ligjërisht jo vetëm për financime ruse por edhe sikur te ishin financime amerikane , franceze apo greke për individë në politikë apo parti në Shqipëri.
Alibeaj i harruari emblematik në intervistën e aleatit amerikan
Dy pyetjet e fundit te intervistës, prekin temën e grupit te Alibeajt dhe atë të ambasadores Kim. Përgjigjet meritojnë analizë. Me e pakta qe mund te thuhet është se Eskobar tregohet mos-përfillesh me Alibeajn , ndoshta për te mos rene ne kontradikte me fillimin e intervistës kur theksoi që vendosin shqiptarët për politikanët e tyre dhe jo administrata amerikane. Grida Duma e pyet kështu se po vihet re se PD-ja zyrtare (ajo e Alibeajt) të jep përshtypjen se pret udhëzime nga Ambasada Amerikane. Pyetje e guximshme, por Escobar i shmanget me diplomaci:
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shikoni, ne nuk zgjedhim qeveritë , që do të thotë se ne nuk zgjedhim fituesit dhe humbësit. E bëjnë njerëzit.
Ne vazhdimin e përgjigjes, Escobar jo vetëm që vazhdon t’ia mbylle derën një përkrahje flagrante grupimit të Alibeajt, siç e bënte ambasadorja në të kaluarën, por, përkundrazi i hap kësaj herë derën bashkëpunimit me opozitën e “Bashkimit për fitore” që është pjesa me e madhe e opozitës, nëse kjo zbaton disa kritere:
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar : Do të them, sërish, partneriteti ynë është me popullin e Shqipërisë dhe me çdo parti politike, çdo lëvizje politike, që sheh si synime strategjike çuarjen përpara të integrimit euroatlantik të Shqipërisë, të qëndruarit e përkushtuar ndaj NATO-s dhe të qëndruarit të përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit, ne i shohim ato parti dhe ato lëvizje si aleatë. Pra, shpresojmë që i gjithë spektri politik ta ketë parasysh këtë kur të angazhohet me ne dhe kur të angazhohet edhe me partnerët tanë të QUINT-it, sepse kjo është më e mira për Shqipërinë.
Faktikisht edhe Meta edhe Berisha janë brenda të gjitha këtyre kritereve, të paktën verbalisht sepse nuk janë rikthyer ende ne pushtet për ta provuar konkretisht. Bashkimi për fitore është zyrtarisht pro integrimit euroatlantik të Shqipërisë, pro NATO-s , dhe pro luftës kundër korrupsionit. Pra ne vend qe Escobar t’i përgjigjej pyetjes nëse; a do te ketë trajtim më të privilegjuar për grupin e Alibeajt, zv/sekretari i Shtetit përgjigjet se dera është e hapur për të gjithë partitë politike pro NATO-s dhe pro-BE-se. Duhet thënë se këtë luks amerikanët e kanë vetëm në Shqipëri, pasi në asnjë vend tjetër që na rrethon (përveç Kosovës) madje as në botë, nuk gjen një situatë ku 100% e klasës politike është pro euro-atlantike. Dhe ndoshta amerikanët do të bëhen pishman një dite (në mos janë bërë tani) që nuk i dhanë vlerën e duhur pro amerikanizmit maksimal të çdo politikani të lartë në Shqipëri në momentin kur shpallen Berishën non-grata duke bere pa dashje që të dëmtoheshin artificialisht marrëdhëniet me një pjesë të elektoratit shqiptar pro Berishist dhe pro amerikan. Ambasadorja Kim e vuri vërtetë në një poziëe të pamundur këtë elektorat në gusht 2021 e në vazhdim, kur e detyroi bazën e PD-së të bënte një zgjedhje midis liderit të tyre historik Berishës dhe aleatit ëe tyre historik ShBA-ve.
Konsideratat për punën e mirë të ambasadores Kim në shërbim të një strategjie të gabuar
Pikërisht qëndrimi i ambasadores amerikane në Tiranë është objekt i fundit të intervistës. Më shume dinjitet, eprori merr në mbrojtje vartësin . Dhe s’kishte s’i ndodhte ndryshe. Ambasadorja Kim ka zbatuar me përpikëri instruksionet nga zyra e Escobarit në Uashington pas dështimit të largimit të Berishës nga PD-ja me shpalljen e tij non-grata. ShBA-të përdorën gjuhën ekstreme. Ajo metodë dështoi sepse jo vetëm që nuk e largoi por e fuqizoi Berishën në gjirin e bazës ëe PD-së. Intervista e Escobarit duhet kuptuar atëherë si një tentative riparimi i asaj strategjie të gabuar dhe gjasat janë thuajse te sigurta se ambasadori i ri i ShBA-ve në Shqipëri nuk do të përdorë me atë gjuhë të ambasadores Kim. Kjo nuk do te thotë se ShBA-të kanë ndryshuar mendim ndaj Berishës. Kjo do të thotë se ShBA-të po e kuptojnë sesa më shumë e godasin Berishën publikisht aq ëe shumë humbasin simpatinë e një pjese të elektoratit pro-Berishist shqiptar dhe ky nuk ishte qëllimi fillestar i ofensivës non-grata kundra Berishës. Sikur Departamenti i Shtetit të kishte bërë para majit 2021 sondazhe paraprake për të parë se çfarë peshë reale zinte Berisha tek baza e PD-se mbase nuk do kishin vepruar siç vepruan me armen non-grata por do kishin detyruar drejtësinë shqiptare të bënte “The Bad Job”. E vërteta tjetër është se amerikanët nënvlerësuan kapacitetin reagues të vetë Berishës. Diplomacia amerikane mendoi se shpallja non-grata e Berishës ishte rruga më e shpejtë dhe më e thjeshtë për të arritur tek synimi kryesor i ShBA-ve në rajon, arritja e një bashkëpunimi efektiv midis Bashës dhe Ramës në të mirë të shqiptarëve (që u eksperimentua nga amerikanët dhe në 2017) me qëllim lehtësimin e hapjes së negociatave për anëtarësimin të Shqipërisë në BE qe kishin si kusht edhe vendosjen e një klime bashkëpunuese opozite/mazhoranëe. Berisha ishte kthyer në pengesë për këtë plan amerikan, dhe po tërhiqte me vete edhe Bashën duke e detyruar këtë të fundit të bënte protesta për mosnjohjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Për ta shpëtuar Bashën nga ky presion i Berishës që dukej i vendosur për të mos e lejuar kreydemokratin e asaj periudhe të bashkëpunonte me një “vjedhës zgjedhjesh” si Rama, amerikanet u detyruan te perdornin sanksionin ekstrem te statusit “non grata” per te provokuar largimin e menjëhershëm të Berishës nga PD-ja. Fakti qe amerikanet nuk kishin dosje ëe dispozicion të tyre me elementi reale provash kundra Berishës për t’ia transmetuar drejtësisë shqiptare tregon se Departamenti i Shtetit po improvizonte pa një plan të qartë atë maj 2021. Realisht amerikanet nuk donin gjykimin as dënimin e Berishës prandaj e morën lehtësisht dosjen non-grata pa prova, me shpresën se ajo dosje, vetëm nga emri i saj non-grata, do te mjaftonte për ta frikësuar Berishën që të largohej vetë nga politika. Me Berishën e revoltuar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 kur pritej nga dita në ditë hapja e negociatave me BE-në, amerikanët frigoheshin se radikalizmi i PD-së për shkak të Berishës deri me mos njohje të zgjedhjeve mund të komprometonte hapjen e negociatave. Faktikisht pengesa erdhi nga Bullgaria dhe jo nga Berisha. Paçka, ky i fundit ishte shpallur non-grata dhe planit i duhej shkuar deri ne fund, me nxjerrjen “në pension” të Berishës. Ky mision iu dha nga Uashingtoni ambasadores Juri Kim. Kete mision i dha dhe ajo Lulzim Bashes. Si përfundim të dy dështuan. Ishte Basha që la PD-ne dhe jo Berisha. Është Yuri Kim që po lë Shqipërinë pa i gëzuar momentit që Berisha të lere partinë. Por kjo nuk është arsye që Uashingtoni të mos i jetë mirënjohës jo vetëm ambasadores së tij, por dhe Lulzim Bashës. Per momentin Departamenti i Shtetit ka vendosur thjesht të ule tonet me Berishën dhe t’i japë “takim” më 2025. Deri atëherë, shpresojnë amerikanet ose shqiptarët e kanë larguar vetë Berishën me votë në 14 maj (këtë që shpreson Escobar kur thotë se Berisha është e kaluara). Ose kryeprokurori i ri i SPAK-ut, i përzgjedhuri i amerikaneve, Altin Dumani do ta “thërrasë” Berishën në kuadrin e statusit non-grata, gjë që refuzoi ta bëjë paraardhësi i tij. Por kjo duket e vështirë në opinion pas skandalit Mac Gonigal, i cili është më aktual dhe më i rendë në raport se çfarë mund të ketë bere Berisha para një dekade. Ose Berisha e lë vetë partinë dhe politikën deri më 2025 për arsye fizike. Por nëse Berisha ka rezistuar deri atëherë dhe bëhet kryeministër më 2025, amerikanët me këtë intervistë kane përgatitur kështu terrenin se do të respektojnë votën e shqiptarëve.
Pasi ajo qe del e qarte nga kjo interviste, është rënia e vlerës së “aksioneve” të grupit të Alibeajt tek aleati amerikan. Nëse amerikanët, siç thuhet nga Escobar në këtë intervistë, duan me çdo kusht të respektojnë votën e popullit shqiptar, nuk është mister për askënd se Alibeaj dhe të tijtë që nuk peshojnë thuajse fare në elektorat, nuk mund të peshojnë më as dhe në sytë e Amerikanëve.