Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse, konfirmoi presidenti i këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, gjatë takimit që zhvilloi në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ndërsa agresioni rus kundër Ukrainës po vazhdon, Dodik gjatë takimit me Putinin theksoi se Republika Sërpska i është ekspozuar presioneve të shumta të Perëndimit për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë.
“Ne nuk kemi lejuar që të merret një vendim zyrtar sa i përket sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe për shkak të kësaj ne u jemi ekspozuar formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, në formë të sanksioneve dhe suspendimeve nga projekte dhe programe të caktuara. Por, ne kemi zgjedhur që të mos jemi pjesë e histerisë që po krijohet”, tha Dodik.
Pamjet nga nisja e takimit u publikuan nga Televizioni Alternativa nga Banja Lluka, që është e afërt me Dodikun, dhe që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, por edhe nga Radio Televizioni publik i Republikës Sërpska (RTRS).
Sipas RTRS, “Putin i tha Dodikut se është mirënjohës për këtë sjellje miqësore ndaj Rusisë, dhe për qëndrimin neutral të Republikës Sërpska sa i përket çështjes së Ukrainës”.
Takimi mes Dodikut dhe Putinit u bë në margjinat e një tubimi, që pritet të mbledhë “mbi 500 të ftuar nga nivelet më të larta të Federatës Ruse dhe të shteteve fqinje”.
Dodik është një prej zyrtarëve të pakët shtetërorë që është takuar me Putinin, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.
Lideri pro-rus i Republikës Sërpska dhe Aleanca e tij e Socialdemokratëve të Pavarur, po ashtu kanë bllokuar miratimin e vendimeve në nivel shtetëror që do të mundësonin zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, që Bosnje e Hercegovina u është bashkuar.
Dodik po ashtu ka mbështetjen e Moskës në minimin e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës dhe për deklaratat e tij të shpeshta lidhur me shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.
Për shkak të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë më 1995, por edhe minimit të stabilitetit të shtetit dhe rajonit dhe mbështetjes së veprimeve korruptive, Dodik është në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Takimi midis Dodikut dhe Putinit vjen pas deklaratës së zëvendësministrit të Jashtëm rus, Aleksandar Grusko, i cili në mesin e muajit maj tha se Rusia do të vazhdojë të investojë në Republikën Sërpska dhe se “Rusia duhet të jetë më shumë e pranishme në rajon”.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, javën e kaluar kishte kritikuar Dodikun, i cili edhe në të kaluarën ka zhvilluar vizita në Rusi, duke thënë se BE-ja ka nevojë për aleatë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës “dhe ata nuk shkojnë në Moskë”.
Ndërkaq, Ambasada amerikane në Bosnje e Hercegovinë, i tha Radios Evropa e Lirë para nisjes së vizitës së Dodikut në Rusi, se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, teksa ky shtet vazhdon agresionin kundër Ukrainës”.
Më 22 maj, në Moskë Dodik u takua edhe me një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Putinit, sekretarin e Këshillit rus të Sigurisë, Nikolai Patrushev.
Para takimit mes Dodikut dhe Putinit, u bë e ditur se dy zyrtarët do të bisedonin për situatën politike në Bosnje e Hercegovinë, furnizimin me gaz rus të Republikës Sërpska dhe për ndërtimin e një gazsjellësi të ri.
Gazsjellësi i ri është paraparë që të sjellë gazin rus në Republikën Sërpska përmes Serbisë. Ndërtimi i këtij gazsjellësi është një prej kushteve kyçe që Dodik ka vënë në këmbim të mbështetjes së projekteve të tjera të Këshillit të Ministrave të Bisnje e Hercegovina. Më herët është thënë se gjiganti shtetëror i gazit rus, Gazprom, do të marrë pjesë në ndërtimin e gazsjellësit.
Në fillim të këtij viti, Dodik kishte nderuar Putinin me urdhrin më të lartë që ndan Republika Sërpska. Ndarja e këtij urdhri u bë më 9 janar, në Ditën e Republikës Sërpska, ditë që Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka shpallur si festë jokushtetuese.
Gjatë ceremonisë të mbajtur në Banja Llukë, Dodik kishte thënë se Putin ishte përgjegjës për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit, por edhe të raporteve politike dhe miqësore mes Republikës Sërpska dhe Rusisë.
Ky është takimi i tretë mes Dodikut dhe Putinit që nga nisja e pushtimit të Ukrainës dhe biseda e nëntë që këta dy zyrtarë zhvillojnë që nga viti 2014./ REL/