Të Dielën, me 28 Maj 2023, ne oren 2:00 PM, Qendra Kulturore “Nënë Tereza” në Michigan, organizon një bashkëbisedim dhe prezantim te romanit më të ri të Visar Zhitit, “Këpuca e Aktorit”.
Në këtë aktivitet do të marrë pjesë edhe autori.
Romani “Këpuca e Aktorit”, është i ndërtuar mbi tri kolona vlerash të jashtëzakonshme: letrare, historike dhe psikologjike. Ka një ndërthurje personazhesh fiktivë dhe realë, dhe përmbledh sagen e familjes se një aktori në tri periudha të ndryshme të historisë së Shqipërise, ate të para-komunizmit, komunizmit dhe post komunizmit, ku në secilën periudhë paraqitet nga një regjim sidomos ndaj artit shqiptar.
Programi i aktivitetit do të jetë i ndërtuar mbi bazën e një bashkëbisedimi, e pasuruar me informacione mbi jetën dhe veprën e autorit.
Moderimi i aktivitetit dhe një permbledhje e veprave të Visar Zhitit do të mbahet nga Dr. Gjeka Gjelaj dhe Rita Gjelaj.
Nje zbërthim letrar i romanit “Këpuca e Aktorit” do te paraqitet nga z. Valentin Lumaj.
Mbi jetën, vuajtjet, sakrificat dhe cilësitë intelektuale të autorit Visar Zhiti, do të flasë profesori i fizikës dhe drejtori i ACTV, Eduard Aliko.
Një risi do të jetë fjala e përfaqësueses së AASO, Organizatës Studentore Shqiptaro-Amerikane, nga Michigan State University, kordinatorja e aktiviteteve të kësaj organizate, Angela Lumaj.
Ndër të ftuarit do të përshëndesin: dom Ndue Gjergji, dom Fred Kalaj, bashkëshortja e Visarit, Edlira Zhiti, veprimtari nga Chicago, Taip Beshiri etj.
Autori Visar Zhiti, do të ketë fjalën përmbyllëse, ku pjesëmarrësit do të kenë rastin që t’i drejtojnë pyetjet e tyre.
Më pas do të jetë parapregatitur një koktejl me pije freskuese dhe ushqime të shpejta.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të bisedojnë, marrin librin dhe autografin e shkrimtarit Visar Zhiti.