Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka përcaktuar ende një datë se kur do të marrë në shqyrtim 56 dorëheqjet e deputetëve të opozitës nga mandati i deputetit. Por burime pranë tij kanë bërë me dije dje se dosja e paraqitur nga ana e Kuvendit me 56 njoftimet për deklarimin e dorëheqjeve të deputetëve të opozitës nuk është korrekte, pasi shkresat nuk përcaktojnë krijimin e vakancave, siç edhe parashikon ligji.

Debati
Për këtë, ata kanë krahasuar shkresat e ardhura të premten dhe shkresat e ardhura nga praktikat e mëparshme, kur deputetë të ndryshëm kanë lënë mandatin e deputetit. Një rast i tillë është ai i ish-deputetit të PDIU-së, Bujar Muça, i cili dorëzoi mandatin si deputet i Elbasanit. Në këtë rast Kuvendi njoftoi KQZ-në me një shkresë ku thuhej: “Ju njoftojmë se deputeti Bujar Muça ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dorëzimin e mandatit të deputetit. Në mbështetje të nenit 71, pika 2 e Kushtetutës ka mbaruar. Bazuar në Kodin Zgjedhor, Kuvendi ju njofton për krijimin e vakancës nga ndërprerja e parakohshme e mandatit, për të vijuar procedurat e zëvendësimit”. Pra siç shihet, Kuvendi në këtë rast e ka përcaktuar qartë mbarimin e mandatit dhe krijimin e vakancës për këtë deputet. Çka nuk ndodh në njoftimin për deklarimin e dorëheqjeve të 56 deputetëve të opozitës, që kanë shkuar në KQZ ditën e premte. Kjo pasi në këto shkresa, që janë të njëjta për të gjitha rastet e 56 dorëheqjeve, Kuvendi shkurtimisht i shkruan KQZ-së: “Z. Sali Berisha deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka paraqitur dorëheqjen nga mandati i deputetit. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, ju përcjellim për kompetencë dokumentacionin përkatës”. Pra, siç shihet, në këto raste Kuvendi nuk ka shpallur vakancat dhe ia ka lënë “topin” KQZ-së për të vepruar më tej. Por burime nga Kuvendi kanë sqaruar dje për “Gazetën Shqiptare” se njoftimet e përcjella për dorëheqjen e deputetëve nuk kanë asnjë problem të këtij lloji, pasi ato në vetvete janë njoftim për shpalljen e vakancës. Shkresat sipas tyre, ndonëse ndryshojnë në formulim nga shkresat e mëparshme, kanë të njëjtin qëllim, pra bëjnë me dije dorëheqjen e deputetëve dhe krijimin e vakancave, ndërsa mënyra e hartimit të tyre është praktikë administrative. Sipas këtyre burime, shkresa përmbush plotësisht detyrimet që lindin nga neni 164 i Kodit Zgjedhor, pika 1 e tij, ku thuhet se: “Deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, Kuvendi jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”.
Mazhoranca
Ndërkohë që burime nga mazhoranca bëjnë me dije se janë duke u diskutuar disa variante për të menaxhuar situatën e krijuar nga djegia e mandateve nga ana e opozitës. Varianti i parë është ai ligjor, pra që të vijohet me procedurën e plotësimit të vakancave të krijuar dhe zbatimin e ligjit deri në shterimin e kandidatëve në listat shumemërore. Ky variant do të bënte fakt të kryer largimin e opozitës reale nga Kuvendi. Varianti i dytë që po diskutohet është që mazhoranca të shfrytëzojë faktin që disa deputetë të opozitës nuk e kanë lënë mandatin dhe të synojë që bashkë me ndonjë element tjetër që mund të ndryshojë mendje rrugës dhe të heqë dorë nga lënia e mandatit, të krijojë një shumicë prej 84 deputetësh në Kuvend. Kjo sipas tyre e bën Kuvendin funksional për të marrë vendime edhe me shumicë të cilësuar votash dhe i jep atij një farë legjitimiteti të pranuar edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Ndaj, loja me mosdeklarimin e vakancës mund të jetë pikërisht në funksion të këtij varianti, pasi krijon konfuzion ligjor, nuk lejon KQZ-në të veprojë me zëvendësimet dhe lë në pritje dorëheqjet e deklaruara nga deputetët e opozitës. Dhe kjo për të lënë mundësinë që në një të ardhme të afërt, me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, opozita të pranojë të rikthehet në parlament. Këto janë dy variantet ligjore që mund të ndjekë shumica e majtë, pasi në tavolinë ekzistojnë edhe variante të tjera të zgjidhjes politike, që ka një marrëveshje mes PS dhe PD, e deri te zgjedhjet e parakohshme.
Komentet