Këtë të mërkurë, ish presidenti Donald Trump do të kthehet në valët televizive të rrjetit CNN. Ai do të shfaqet në CNN gjatë një forumi publik 2 orësh në shtetin e Nju Hemshër, i cili pritet të mbizotërohet nga diskutimi mbi zgjedhjet presidenciale.
Dalja e Trumpit në CNN vjen vetëm një ditë pasi një juri civile e Nju Jorkut e shpalli atë fajtor për abuzim seksual ndaj ish-gazetares dhe shkrimtares E. Jean Carrol, rreth tri dekada më parë.
Forumi, zhvillimi i të cilit u bë i ditur për publikun javën e kaluar, pritet të ngjallë interes të madh, pasi bashkon dy palët, rrjetin televiziv dhe kandidatin për president, që prej një kohe të gjatë kanë shkëmbyer kritika dhe kanë patur kundërshti.
Por vëmendja u shtua edhe më shumë të martën, pas vendimit unanim të një jurie prej 9 anëtarësh të Nju Jorkut, se ish-Presidenti është përgjegjës për abuzim seksualisht ndaj zonjës E. Jean Carroll dhe më pas ka dëmtuar reputacionin e saj, duke e quajtur gënjeshtare, por juria rrëzoi pretendimet e saj se ai e kishte përdhunuar. Juria vendosi që zoti Tramp t’i paguajë zonjës Carroll një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Ndonëse vendimi për këtë çështje civile, nuk parashikon dënim sipas kodit penal, ai risjell në vëmendje numrin e madh të hetimeve me të cilat po përballet zoti Trump.
Në muajin mars, juria e madhe e Manhatanit votoi për ngritjen e 34 padive penale ndaj tij për falsifikim të të dhënave të biznesit në Nju Jork, për pagesa të fshehta për një aktore të filmave pornografikë, e cila pretendon se ka patur marrëdhënie jashtëmartesore me të.
Ai përballet gjithashtu me hetime të tjera në shtetin e Xhorxhias dhe në Uashington lidhur me dyshimet për ndërhyrjet e tij në zgjedhjet presidenciale të 2020.
Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith po kryen hetime mbi rrethanat e mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara nga ish-Presidenti Trump në shtëpinë e tij, pas largimit nga detyra, si dhe për pengim të mundshëm të drejtësisë.
Po ashtu, kjo ngjarje rikthen vëmendjen mbi pikëpyetjet rreth mënyrës së trajtimit të grave, ndër vite, nga zoti Trump, duke shtuar pritshmëritë se ai do të detyrohet t’u përgjigjet pyetjeve të vështira të gazetares së CNN-it Kaitlan Collins, e cila do drejtojë diskutimin, si dhe të audiencës.
E. Jean Caroll është njera, prej më shumë se 12 grave që ndër vite, kanë akuzuar zotin Trump për ngacmim apo abuzim seksual, pretendime që ai i ka mohuar.
Historikisht, zoti Trump nuk ka ka patur reagime të mira kur është vënë në trysni për mënyrën e sjelljes ndaj grave; rasti më i njohur është ai i vitit 2015, gjatë debatit të parë të kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale, ku zoti Trump u përplas me drejtuesen televizive në atë kohë të rrjetit Fox News, Megyn Kelly, duke bërë komente fyese ndaj saj.
Marrëdhëniet e zotit Trump me televizionin CNN janë më kundrathënëse se ato që ai ka patur në atë kohë me televizionin Fox News .
Zoti Trump e ka cilësuar CNN-in si “rrjet lajmesh të rreme” dhe ka bërë sulme personale ndaj gazetares Collins. Në një rast, asaj iu ndalua të merrte pjesë në një ngjarje të hapur për median, në Shtëpinë e Bardhë, pasi ekipi i zotit Trump u zemërua nga disa pyetje me zë të lartë, që ajo kishte bërë në një veprimtari të mëparshme në Zyrën Ovale.
Megjithatë, ekipi i zotit Trump e vlerësoi ftesën e televizionit CNN si një mundësi për t’iu qasur një rrjeti më të gjerë votuesish, veç atyre që ndjekin platformat televizive që mbështesin zotin Trump.
“Presidenti Trump është vënë në provë dhe ka fituar. Ai nuk i shmanget asgjëje, por përballet me gjithçka”, tha zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung.
Paraqitja do të shërbejë gjithashtu edhe për të pasqyruar një tjetër kontrast me guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, i cili shihet si kundështari kryesor republikan i zotit Trump dhe që pritet që të nisë fushatën në javët e ardhshme.
Zoti DeSantis përgjithësisht i është shmangur mediave kryesore, por ka qenë i hapur ndaj rrjetit Fox News, që dikur përfaqësonte një media besnike të zotit Trump, por që tani ish presidenti e kritikon vazhdimisht.
Si kundërpërgjigje, ekipi i zotit Trump e ka kthyer vëmendjen ndaj mjeteve të reja të komunikimit, përfshirë podcast-e mjaft të dëgjuara nga republikanët, apo video për përdorim në mediat sociale që shpesh herë shihen nga mijëra përdorues.
Po ashtu, gazetarë nga një sërë mediash janë ftuar të udhëtojnë me avionin e tij. Ekipi ka organizuar një seri ndalesash që nuk janë bërë publike, në restorante lokale dhe vende të tjera, për të treguar se si ai ndërvepron me mbështetësit e tij, në dallim nga zoti DeSantis, që ngjall më pak frymëzim.
Mbetet e paqartë se si, apo nëse vendimi i ditës së martë, do të ketë ndonjë ndikim në garën presidenciale.
Ngritja e akuzave penale ndaj ish presidentit Trump në Nju Jork duket se deri tani ka përmirësuar pozicionin e tij tek republikanët, ndërsa kundërshtarët e tij kryesorë, i shmangën komentet të martën në mbrëmje, me disa përjashtime të vogla.
Ish-guvernatori i shtetit të Arkansasit, republikani Asa Hutchinson, një kritik i zëshëm i zotit Trump, i cilësoi akuzat “një tjetër shembull të sjelljes së pajustifikueshme të Donald Trumpit”.
Sipërmarrësi në fushën e teknologjisë Vivek Ramaswamy i doli në mbrojtje ish presidentit dhe ngriti dyshime, nëse rasti do të ishte gjykuar, nëse personi i akuzuar nuk do të kishte qenë Donald Trumpi.
Megjithatë, edhe përpara vendimit të djeshëm, bashkëbisedimi me qytetarët, që do transmetohet drejpërdrejt në CNN, ngjarja më e madhe televizive mbi zgjedhjet presidenciale të 2024, ka nxitur mëdyshje tek mbështetësit e të dy kaheve politike.
Demokratët kanë ngritur pikëpyetje nëse duhej t’i jepej hapësirë në kohën me të ndjekur televizive të rrjetit CNN njeriut që vazhdon të ngrejë pretendime të pavërtetuara për humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Republikanët nga ana tjetër pyesin se përse zoti Trump do të shfaqet në CNN, duke shtuar mundësitë për rritjen e besueshmërisë së rrjetit televiziv, të cilin ai zakonisht e ka shpërfillur duke e cilësuar si “rrjet i lajmeve të rreme”.
Një këshilltar i zotit Trump, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe foli në kushte anonimiteti, tha se drejtuesit e televizionit CNN arritën ta bindnin ish-presidentin gjatë negociatave.
Këshilltari gjithashtu vuri në dukje se zoti Trump shënoi sukses në vitin 2016 duke dalë edhe në media të tjera, veç atyre ku tradicionalisht dalin republikanët.
Përmes një një deklarate të postuar para vendimit të jurisë së Nju Njorkut, ish-presidenti u shpreh se televizioni CNN ishte “me të drejtë i dëshpëruar” që ai të dilte në ekranin e tij.
“Ata më bënë një ofertë, që nuk mund ta refuzoja!” shkroi ai në platformën Truth Social. “Mund të jetë fillimi i një CNN të ri, jo më me lajme të rreme, ose mund të kthehet në një katastrofë për të gjithë, duke përfshirë edhe mua. Le të shohim se çfarë do të ndodhë? Mbrëmjen e së mërkurës në orën 20:00!!!”