Amir Mujanoviq dhe Ad van Alphen e shikuan njëri-tjetrin pas 29 vjetësh, përmes një video-thirrjeje.
Meliha Keshmer
Dy njerëz me kilometra larg njëri-tjetrit, pas 29 vjetësh, shikojnë njëri-tjetrin përmes një video-thirrjeje.
Veterani i ushtrisë holandeze e nis bisedën me humor: “Çfarë të ka ndodhur? Dikur ke pasur flokë”.
Për flokët pyet Amir Mujanoviqin, të cilin e kujton si një djalë 12-vjeçar në Srebrenicë.
Emri i tij mund të jetë kërkuar nga qindra njerëz në internet gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe stafin e Radios Evropa e Lirë.
Kërkimin, përmes Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, e inicioi veterani Ad van Alphen, ish-major i ushtrisë holandeze dhe i batalionit të Kombeve të Bashkuara në Bosnje e Hercegovinë.
Ai ishte i vendosur në Srebrenicë të Bosnjës, kur forcat e ushtrisë së Republikës Sërpska kryen gjenocid ndaj më shumë se 8.000 boshnjakëve në korrik të vitit 1995.
Për 29 vjet nga ajo kohë, van Alphen ruajti dhuratat që i mori nga Amiri në Srebrenicë – një kitarë lodër, një fotografi dhe një copë letër me emrin “Samir Mujanoviq”.
Kjo e fundit e bëri më të vështirë kërkimin e Radios Evropa e Lirë dhe të të gjithë të tjerëve, sepse në vend të Amirit, dikush e shkroi gabimisht Samir në Srebrenicë, më 1995. Dhe, me kalimin e viteve, veterani e harroi emrin dhe kërkonte “Samirin”.
Thotë se i ruajti dhuratat e tij, sepse ishin bërë shokë në vitin 1995, kur Amiri, atëkohë 12 vjeç, ruante makinën e tij përpara zyrës së OKB-së.
Në këmbim, ai merrte ëmbëlsira ose fruta nga majori, të cilat thotë se i ndante me vëllain dhe motrat e tij.
“Ia dhashë lodrën, sepse ishte e rëndësishme për mua. Nuk kishim shumë, por isha mirënjohës që më jepte ushqime”, kujton Amiri.
Si e gjeti REL-i Amirin?
Dhjetëra mesazhe për njerëzit që mund të ishin të lidhur me djalin nga Srebrenica, kërkime nëpër zonë e kërkime në disa grupe në Facebook me diasporën e Bosnje e Hercegovinës, me shpresën se djali mund të ishte zhvendosur jashtë Srebrenicës dhe Bosnje e Hercegovinës para përfundimit të luftës.
Nga Qendra Përkujtimore thanë, po ashtu, se kanë marrë disa të dhëna dhe mesazhe që mund të çonin në diçka.
Më pas, REL-i kontaktoi me një person, i cili tha se ka lidhje familjare me djalin në fotografi dhe se ai nuk quhet Samir, por Amir. Ai tha se Amiri jeton në Spokane, në shtetin amerikan të Uashingtonit, dhe se vjen nga Bratunaci, afër Srebrenicës.
Shumë shpejt, gazetarja e REL-it, Meliha Keshmer, pranoi një email nga bashkëshortja e Amirit: “Mendoj se e keni shkruar ju këtë artikull. A keni ndoshta një kontakt të Ad van Alphen?”
Dy ditë më vonë, Amiri dhe Ad biseduan përmes video-thirrjes.
“Ishit shpresa ime e vetme”
“Prisja çdo ditë që të dilnit nga ajo ndërtesë [zyra e OKB-së në Srebrenicë]”, ishte një nga gjërat e para që Amiri i tha Adit.
“Po, ne takoheshim pothuajse çdo ditë”, u përgjigj Ad.
“Të jem i sinqertë, gjithmonë shpresoja se do të më jepnit diçka. Ishte puna ime ‘me orar të plotë’”, vazhdoi Amiri.
Biseda vazhdon me rrëfimin sesi familja e Amirit arriti të dilte nga Srebrenica.
“Pse i ruajtët dhuratat e mia këto vite”, pyeti Amiri.
“Shpresoja se mund të bëja diçka për ty më vonë, por nuk më lejuan kurrë të kthehesha në Srebrenicë atë vit dhe nga Holanda nuk mund të bëja asgjë”, u përgjigj Ad.
“Unë as nuk di ta përshkruaj jetën në Srebrenicë. Diçka më shtyu, dëshira për të jetuar, për të ndihmuar familjen time… Ishit shpresa ime e vetme. Ulesha atje dhe të prisja”, fliste Amiri.
Veterani përsëriste vazhdimisht se është i lumtur që Amiri është mirë. Ai ishte kureshtar të dëgjonte për familjen, fëmijët dhe gruan e tij.
“Shpresoja se Kryqi i Kuq ju ndihmoi të dilnit nga Srebrenica”, u shpreh Ad.
“Gruaja ime e lexoi artikullin”
Kujtimet e fëmijërisë së vështirë në Srebrenicë ishin shpesh pjesë e bisedave të Amirit me gruan e tij, Rabija. Dhe, sado që donte ta përshkruante atë që përjetoi – duke folur për majorin, makinën e të cilit ruante – nuk ia dilte, sepse i mungonin pjesë të fotografisë.
“Pastaj, erdhi dhe tha: Amir, gjithçka është shkruar këtu”, duke iu referuar artikullit të publikuar nga Radio Evropa e Lirë me veteranin holandez. “Ky është rrëfimi yt”, tha ajo.
“Do të më duhet kohë që ta përpunoj gjithë këtë [takimin online me majorin]… U ktheva atje, në Srebrenicë, në mendjen time”, tha Amiri gjatë bisedës.
Veterani holandez i përsëriti edhe një herë Amirit se forcat serbe të Bosnjës nuk e lejuan atë të kthehej në Srebrenicë, më 1995.
“Nuk më dëgjoi askush”, tha veterani disi i zhgënjyer për rolin e batalionit holandez në Srebrenicë, në verën kur u krye gjenocidi.
Për Amirin, ai është një “person i mrekullueshëm”, sepse, për shumë vite, ruajti kujtimet e një djali që takoi.
“Jam shumë i lumtur që ke një jetë të mirë në Amerikë, familje, fëmijë, punë… Dhuratat i lashë në Qendrën Përkujtimore [në Srebrenicë]. Ndoshta dikush do t’i shohë atje dhe do të mësojë për historinë tonë”, i tha veterani Amirit.
Bisedën e pazakonshme e përfunduan me premtimin e dy miqve se do të mbeten në kontakt, e ndoshta një ditë do të takohen edhe personalisht.
“Kam një takim me ish-kolegët e mi në shtator dhe do t’u flas për këtë. Do t’u tregoj – e gjeta Amirin. Ata dinë për këtë histori timen”, tha Ad.
“Dobre, dobre”, përfundoi ai bisedën, duke shqiptuar fjalën “mirë” në gjuhën boshnjake. Tha se vetëm kjo i kujtohet.
Veteranët holandezë vizituan Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës viteve të fundit. Në mesin e tyre, në fillim të qershorit të këtij viti, ishte edhe Ad van Alphen.
Në vitin 2019, Gjykata e Lartë e Holandës konstatoi se ky vend ishte pjesërisht përgjegjës për vrasjen e rreth 350 burrave myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës, gjatë gjenocidit.
Sipas aktgjykimit, forcat paqeruajtëse holandeze i evakuuan burrat nga baza e tyre ushtarake në Potoçari, më 13 korrik të vitit 1995, edhe pse e dinin se “ishin në rrezik serioz abuzimi dhe vrasjeje”.
Si i mbijetoi Amiri gjenocidit?
Një barrë që asnjë 12-vjeçar nuk do të duhej ta mbante, për Amirin ishte e përditshme: ai duhej të kujdesej për jetën e tij dhe të familjes dhe të përpiqej të siguronte së paku diçka për të ngrënë.
Ai kujton se në Srebrenicë nuk kishte ushqim të mjaftueshëm.
“Qëllimi im ishte të merrja diçka prej tij, sinqerisht, dhe kështu u zhvillua miqësia jonë”, tha Amiri, i cili u zhvendos në Srebrenicë me familjen nga vendlindja e tij, Bratunac, pasi forcat serbe e pushtuan zonën më 1992.
Ai i mbijetoi gjenocidit me prindërit, vëllain dhe motrat e tij – njëra prej të cilave lindi si refugjate në Srebrenicë – por traumën e mban me vete gjithë jetën.
“Dëgjuam se Srebrenica po binte dhe u nisëm drejt Potoçarit. Babai u nda nga ne, kur burrat kaluan nëpër pyll, ndërsa gratë dhe fëmijët mund të shkonin në bazën e OKB-së”, tha Amiri.
Aty pa vrasje e përdhunime.
“Njerëzit gjenin litar dhe vareshin, vetëm që të mos binin në duart e tyre [të forcave të ushtrisë serbe]”, kujton Amiri.
Ai kujton edhe shkuarjen aty të Ratko Mlladiqit – ish-komandant i ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë – për t’iu shpërndarë ëmbëlsira fëmijëve në Potoçari, përpara se ushtarët e tij të kryenin gjenocid me urdhër të tij.
Tregoi po ashtu sesi një ushtar serb e shpëtoi vëllain e tij, të cilin ushtarët e tjerë e kishin ndarë nga nëna.
“Kam humbur shumë të afërm në gjenocid, si të gjithë të tjerët. Por ne, familja e ngushtë, kemi mbijetuar. Kemi shkuar disi në Tuzlla dhe, pas disa kohësh, kemi takuar babanë tim, i cili ka kaluar nëpër pyje”, tha Amiri.
Të afërmit në Evropë i ndihmuan të shkonin fillimisht në Holandë – në vendlindjen e mikut ushtar të Amirit – e më pas në Shtetet e Bashkuara.
“Na thanë se Qeveria holandeze po kërkonte njerëz nga Srebrenica që të vinin dhe të na ndihmonin. Kjo ishte arsyeja përse shkuam atje, por si refugjatë atje nuk ishte jeta e mirë”, tha Amiri.
Ai krijoi familje në Spokane të SHBA-së dhe thotë se, prej se kanë arritur atje, nuk e kanë ndërruar më vendbanimin.
Gjatë rrëfimit, kthehet sërish në Srebrenicë dhe thotë se planifikon ta çojë familjen e tij në Bosnje, për të parë se nga kanë ardhur prindërit e tij dhe ku e kanë kaluar fëmijërinë e tyre.