Dialog babë e bir !
Djali: Babë, pse nuk të japin ty pension të veçantë?!
Baba: (Ven buzën në gaz) A e di pse mor bir?
Sepse…unë kam interpretue në skenë , fillimisht në Teatrin “Migjeni” e ma vonë në Teatrin Popullor (që u ba Teatri Kombëtar dhe i cili sot asht kthye në gërmadhë) qysh në fëmini( 13-të vjeç )
Sepse…unë kam krye studimet e mesme në “Liceun Artistik” e ma vonë ata të naltat në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Nuk po t’a them vlersimin e diplomës për aktrim prej tre pedagogëve të mi të nderuem Pjeter Gjoka, Naim Frashëri dhe Udheheqësi Artistik, Kujtim Spahivogli …sepse po më duket që po të shes mend !
Nejse…!
Sepse…unë kam pasë fatin me kenë i “preferuemi” i regjisorit me famë të Teatrit mbarëkombëtar , të ndjerit Serafin Fanko si edhe i të ndjerit Elez Kadrija e po ashtu të aktores e regjisores zj.Vjoleta Sekuj.
Sepse…unë kam punue për 30-të vjet dhe kam pasë partenerë në trupen e Teatrit “Migjeni”, kolonat, të pashoqt’e asaj skene si:
Prenk Lëkunda, Adem Kastrati , Tinka Kurti, Vitore Nino, Antonieta Fishta, Vjoleta Sekuj, Lec Bushati, Ndrekë Prela, Pistol Soja, Tano Banushi, Bep Shiroka, Viktor Bruceti, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, Ramiz Rama, Tonin Ujka, Nefail Piraniqi …dhe me ma të rinj se ata si:
Gjon Kola, Enver Hyseni, Agron Dizdari, Bruno Shllaku, Donika Franja, Ana Gjini, Marije Gargjola, Paskualina Shllaku, Shpresa Garuci, Justina Alija, Rita Gjeka, Merita Smaja…
(tue thithë cigaren) Ndoshta kam harrue ndonji emën por…pa dashje mor bir se janë shumë!
Pse, thue ti?!
Sepse…në ata 30-të vite unë kam interpretue në atë skenë të ndritun vetëm role kryesore(protagonistë) dhe rrallë, shumë rrallë , ndonji rol të dytë…pa përfshi këtu aktivitetet e shumta në Shkodër me Shtëpinë e Kulturës, atë të Pionierit, në Radio Shkodra, me levizjen amatore në ndërmarrjet e shkollat e qytetit…
Pse nuk më akordojnë edhe mue nji pension të veçantë, thue ti?!
Nuk e di mor bir veçse nji gja po t’a them me plot gojë që:
Yt’at ka pasë e prap e ka nji “ves”:
Nuk ka dijtë kurr me lypë!
E po t’a them zemërhaptë që yt’at nuk ka dijtë as atëhere në kohën e “nanës” parti e as sot në “demokraci”…ndokujt me iu “lëpi”!
…Pensionin e veçantë more bir, mue ma ka pas dhanë dikur në rini spektatori i rrallë shkodran me duartrokitje dhe vazhdon prap sot , në pleqni, në facebook me “share”-s e “like”-s e tij! ( E vështron të birin ndër sy )
Unë u largova nga skena e nga Shkoderlocja për ju, në moshën e artë për nji aktor, në të 50-tat e tij. E nuk jam pendue!
A e more vesht tashti?!
Hajt mor bir, mos i shtjer vedit “zjarmí”!
Ka dashtë Zoti që Yt’at nuk ka nevojë dorën askujt me ia shtri! (Pauzë, tuj thithë cigaren)
Hajt tash, na i mbush dy gota raki.