Nga Skrapari ku shkoi në fundjavë për të “marrë forcë” pas akuzave që po mblidhen rreth tij për marrje ryshfeti nga kompania në hetim DIA, Ilir Meta deklaroi para mediave përse kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po kërkon dorëheqjen e tij. Ja çfarë tha: “Unë e kuptoj se kush është arsyeja e vërtetë: është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj, jo thjesht ndaj demokratëve në Parlament, por sidomos edhe ndaj liderit historik z. Berisha, duke i dhënë mundësinë të shprehë pa kufizim në tërësi, mendimet dhe qëndrimet e tij politike”.
A ka njeri me dy pare mend në kokë, që ndjek sadopak zhvillimet politike në Shqipëri, që të mos ia plasë gazit? Meta është në të drejtën e tij të mbrohet ndaj akuzave. Është në të drejtën e tij të kërkojë t’i marrë me vete të implikuarit e tjerë, duke ngulmuar, siç po ngulmon me të drejtë, se nuk është vetëm kompania DIA që ka marrë para në mënyrë abuzive nga CEZ, po janë edhe disa firma të tjera. Është në të drejtën e tij, Meta të kërkojë ndihmë nga Berisha, madje t’i bjerë në gjunjë Berishës me shpresën për t’u mbajtur pas tij apo për ta tërhequr pas vetes në skenarin e rrokullisjes. Në politikë pranohet edhe diversioni.
Por çdo njeri, në çdo rast, dhe sidomos kur ka një duzinë me kamera dhe mikrofona përpara, duhet të ketë një minimum përgjegjësie për fjalët që nxjerr nga goja dhe një minimum respekti për inteligjencën e qytetarëve. Kush e ha këtë që Basha qenka tërbuar me Metën pse ky i jep fjalën Berishës në Kuvend?1 Përveç shumë i trashë, ky diversion është edhe i paefektshëm. Zoti Berisha duhet të ulet në nivelin e diversionit në fjalë për ta marrë seriozisht.
Unë jam habitur me skarcitetin e reagimeve të zotit Meta nga Skrapari. I të njëjtit standard të alogjizmit duket se është edhe “komploti” anti-Meta që u shpall pardje nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Nuk e kam lexuar letrën që ky u ka drejtuar krerëve të disa institucioneve, por nga pak ekstrakte të botuara në media pashë se komplotin e paska kurdisur qytetari pa asnjë mandat dhe post, Dritan Prifti. Për të destabilizuar vendin!
Ky, Dritani, paska përmendur edhe Ramën, edhe Bashën, edhe ambasadorin Lu. Edhe këta të tre janë në komplot, por nuk dalin hapur se ia kanë lënë Dritanit këtë detyrë! Si përfundim, kreu i qeverisë dhe i partisë më të madhe në vend, Edi Rama, shefi i opozitës Lulzim Basha dhe ambasadori i SHBA-ve Donald Lu duan destabilizimin e Shqipërisë nëpërmjet komplotit kundër kryetarit të partisë së tretë në vend, Ilir Meta! O tenmpora, o mores!
Që pushteti dhe paraja qyl të luajnë mendsh, këtë e thamë qysh në krye. Por jo deri në këtë shkallë. Kjo lloj kakofonie kërkon të zhurmojë dhe të çorodisë antenat e informimit të publikut për të ngulitur sa të jetë e mundur mendimin se Ilirit ia kanë inat të gjithë, meqenëse po rritet nga zgjedhjet në zgjedhje! Pra korrupsioni këtu nuk hyn fare, akuzat për marrje ryshfeti janë një casus belli, gjithë problemi është rritja e një partie të tretë!
Do ta merrja në konsideratë si argument, xhelozia politike është e madhe në Shqipëri. Sigurisht që dikush e ka edhe këtë shqetësim, por rezultati që merr LSI në zgjedhje nuk ka sens të jetë shkaku i kësaj që po ndodh. I gjithë trazimi që ka përshirë jetën politike në lidhje me aferën CEZ ka një pikënisje konkrete. Anashkalimi i pikënisjes e çon gjithë analizën në drejtim të gabuar. Pikënisja është padia e shoqërisë DIA dhe e presidentit të saj në paraburgim, Kastriot Ismailaj kundër qeverisë shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar për shumën 135 milionë euro që kjo shoqëri pretendon të marrë për prishje të njëanshme të kontratës për mbledhjen e borxheve të këqija nga CEZ Shpërndaje para tre-katër vitesh.
Në marrëveshjen e likuidimit me CEZ, të qershorit 2014, qeveria shqiptare, me naivitet apo me dashje, ka marrë përsipër të paguajë edhe shumën eventuale të fitores së DIA-s në arbitrazh. Me sa duket, kjo shumë u fsheh apo u la në një xhep të marrëveshjes, si një plaçkë që pretenduesit do të ktheheshin ta merrnin më vonë. Kthimi i pretenduesve për të marrë shumën shënon momentin e zgjimit të qeverisë shqiptare për të shpëtuar 135 milionë euro. Ku do t’i marrë këta para një qeveri që po numëron kacidhet? Edhe sikur t’i kishte pa hesap, si mund t’i paguhet një shumë kaq e madhe për asgjë një njeriu, që në fakt duhet të jetë një grup, pse jo kriminal, se nuk ka mundësi të jetë një njeri i vetëm prapa shumës 135 milionë euro?
Kjo do të ishte njëlloj si të nënshkruaje prishjen edhe për njëzet vjet të tjera të zgjedhjeve nga blerja e votës, kriminalizimin deri në qelizat më të fundit të rendit politik, fundin për një periudhë të papërcaktuar të demokracisë funksionale. Se janë lubi 135 milionë euro. As qeveria më e pasur e botës nuk do t’i lëshonte symbyllur në dorën e një grupi që rivalizon me të për hapësira elektorale apo pushteti. Le që këtë tonën, qeverinë “Rama”, do ta shqyenin qytetarët sapo të merrnin vesh se avulluan edhe 135 milionë euro të tjera, pasi kanë avulluar pesëqind milionë euro me fatura, që i janë falur CEZ-it, plus 95 milionë euro të tjera që i janë dhënë në dorë për të mos e pasur nëpër këmbë. (Po të drejtonin ekonominë e familjeve të tyre me këtë mendje, do t’i shihje duke lypur në rrugë pa u mbushur viti).
Qeveria me sa shihet vendosi të luftonte në arbitrazh përballë padisë së kompanisë DIA dhe këtu, gjatë hapjes së letrave, kanë dalë në dritë pagesat abuzive që i janë bërë DIA-s, ka dalë emri i ish-kryeministrit që është akuzuar për korrupsion, që ka rekomanduar shoqërinë DIA pranë çekëve, pra emri i Ilir Metës, pa ia përmendur direkt. Akuzat për marrje ryshfeti janë bërë nga avokatët e qeverisë shqiptare dhe janë publikuar nga rrjeti i gazetarëve investigativë BIRN. Është apo nuk është qeveria dhe Kryeministri Edi Rama prapa kësaj historie? Ka dashur apo jo Edi Rama të përmendet Ilir Meta?
Kjo është një kureshtje që nuk do ta shuajmë kurrë. Por, ndërkaq, është një hollësi e parëndësishme për thelbin e çështjes. Qeveria e ka me detyrim përcaktim të shpëtojë 135 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë, pavarësisht kujt i del emri. Skandali s’mund të mos nxirrte kokën dhe posaqë e ka nxjerrë kokën, do të dalë në dritë i tëri se s’bën. Mbarë opinioni publik, gjithë liderët politikë, përfshirë Ilir Metën, duhet të jenë të interesuar pikësëpari të shpëtohen paratë e shqiptarëve, të dalin kusarët, të hetohen dhe të dënohen sipas ligjit. Kjo është tema qendrore e çështjes. Hetimi gjithëpërfshirës i akuzave dhe ndëshkimi ligjor i tyre i bën shumë mirë stabilitetit dhe demokracisë. Pavarësisht se u ka falur çekëve një shumë kolosale dhe duhet të përgjigjet për ketë, qeveria dhe Edi Rama duhet të mbështetën që po kërkojnë të shpëtojnë shumën e frikshme që pretendon DIA.
Pa paragjykime. Nëse janë në lojë politike, këtë do ta kuptojmë përgjatë rrugës dhe nuk na pengon asgjë të denoncojmë një lojë të ndyrë politike me shuma marramendëse që i hiqen arkës së shtetit. Pa u futur fare në rebuset e kësaj historie, Lulzim Basha dhe opozita kanë bërë detyrën duke kërkuar menjëherë dorëheqjen dhe hetimin si deputet i thjeshtë i zotit Meta për akuzuat që i bëhen. Kaq. Nuk shoh të ketë të patur kurrfarë tendence të opozitës ca më pak të Bashës ndaj Metës që është trajtuar gjithnjë si gjymtyra e dytë e binomit qeveritar Rama-Meta. I vetmi “komplot” kundër Ilir Metës është përfshirja e tij në ryshfetmarrje.
Nëse nuk ka dorë, do të dalë më i fortë dhe do të votohet më shumë. Siç e kam pohuar në një shkrim të mëparshëm, Metën e kanë nxjerrë në vijën e parë akuzat që i janë bërë nga avokatët e qeverisë shqiptare. Mendon njeri se opozita duhet të heshtë meqenëse akuzat janë bërë nga avokatët e qeverisë? Ky do të ishte një naivitet i skajshëm i opozitës. Do të ishte tradhti ndaj misionit të saj. Veç kësaj, opozita do të binte në lojën eventuale të Ramës që do të kishte dashur ta shihte opozitën gojëmbyllur për ketë rast. Meta, pavarësisht se e ka humbur këto ditë, e di shumë mirë se opozita është autonome në qëndrimet e saj.
Por Meta e ka me Ramën. Gjithçka e ka me Ramën. Gjithë shpërqendrimi i vjen nga sjellja prej sfinksi e Ramës, që po e lë skandalin të dalë nga shishja duke e ditur vazhdimin e tij. Në çdo vend sadopak normal demokratik, qëndrimet e Metës dhe bashkëpunëtorëve të tij ndaj Ramës ilustrojnë një ndarje të brendshme përfundimtare. E vetmja e panjohur është se kush do ta hedhë hapin i pari për të zyrtarizuar ndarjen. Shumica nuk ekziston më, vendi nuk po qeveriset, pavarësisht se ditët kalojnë dhe jeta vazhdon edhe pa qeverisje faktike. Topi praktikisht është në fushën e Ramës.
Çfarë do të bëjë ai kur të kthehet nga SHBA? Do të qëndrojë në mbrojtje të interesit publik, do të investohet për transparencë dhe drejtësi në lidhje me 135 milionë eurot dhe shumat abuzive që i janë dhënë më parë DIA-s dhe kompanive nga CEZ? Apo do t’ia bëjë si në atë këngën mokrare “Do t’i bish Trebinjës, po …ajo s’ta mban”? Apo do të hajë presionin dhe do të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë? Por kjo do të ishte e pamundur me rrjedhën që kanë marrë ngjarjet.
Komentet