Me kyt emërtim quhen në traditën popullore ditët e fundmarsit apo të fillimprillit, periudhë kohore kur “zyrtarisht”, mbas ekuinoksit të 20 apo 21 marsit, hemisfera veriore e planetit hyn në stinën e pranverës.
Por janë kto ditë që përmes ktij fenomeni klimatik të përvitshëm duket sikur na thonë se dimni, edhe pse në grahmat e fundit, ende nuk ka dhanë shpirt.
”Po pse quhen ‘Ditët e plakës’?”, mund të pyesë dikush që ndoshta nuk i ka rastisë ta ndigjojë ndonji herë kyt emërtim. Për kyt na vjen në ndihmë nji gojëdhanë mesa duket shumë e lashtë, simbas së cilës nji plakë, e rrejtun prej ditëve të bukura e të ngrohta të fillimpranverës edhe e bindun se tashmâ bashkë me marsin kishte ikë edhe dimni, u prin tufës së deleve për në bjeshkë e atje me nji hare të papërmbajtun nis e thërret: “Mars, o mars, o mars-a-keqi, dola n’bjeshkë e mâ s’ta kam (frikën)!”. Marsi e ndigjon e, i fyem në sedër prej fjalëve të plakës, i lutet Prillit ”Prill, o em vlla, m’i jep tri ditë uhá, ta ngrij plakën me çka ka”. E vllau, siç e shohim ende sot, ia plotësoi deshirën e kshtu plaka mendjelehtë jo vetëm që u ngri akull, por (po simbas gojëdhanës) u nguros, u shndërrue në shkamb.
Shumë vjet mâ parë ndërsa bisedohej në nji grup njerëzish mbi kyt gojëdhanë, njani prej të pranishëmve u betue se kur ishte kenë në aksion kishte pi ujë në kronin që rridhte n’mes kambëve të plakës së ngurosun. Të gjithë, dukshëm mosbesues, qeshëm me pohimin e tij e biseda vazhdoi me batuta qit e prit, aq sa as mue e asnjanit nuk i shkoi ndërmend që ta pyeste se në ç’vend a zonë ishte kjo “statuja” e ngurtë e plakës së gojëdhanës. Por tu’ e njoftë personin që e tregoi e tu’ e ditë se në aksion kishte kenë vetëm nji herë në nji zonë të Malësisë së Mbishkodres, më ishte krijue përshtypja se bâhej fjalë për ndonji prej bjeshkëve të atyne anëve. Por sot, tu’ lexue komentet e postimeve mbi kyt temë, pra mbi “Ditët e plakës”, mësova se po t’njajtin “fat” identik si plaka e Malësisë kishin pasë edhe shumë plaka nëpër Shqipni: në Shëngjergj të Tiranës, në Shishtavec të Kukësit, në Kosovë, në Librazhd, në malin Tomor, pranë Beratit, e deri në Malin e Thatë, në Gjinokastër! Madje ktu nuk ishte kenë nji, por plot 7 plaka! “…Shoqja-shoqen e njoftuan/ lart te kroi u takuan/ plakat nga i njëjti fshat/ u nisën në Mal të Thatë…”
Për çudi na del se Marsi na paska kenë i pamëshirshëm me plakat e me delet jo vetëm ktu, ndër shqiptarë, por edhe ndër fqinjët tonë jugorë, ku gojëdhana e tyne u mësoka edhe në shkolla!
E po kaq mizor ky Marsi i egër (paskan pasë të drejtë që e kanë quejtë “Perëndia e Luftës”!) na kenka tregue deri edhe përtej detit, në Itali! Edhe atje plaka italiane na kenka tallë me Marsin e në italisht i paska thanë: “”Marzo, ormai farmi danno tu non puoi più, perché oggi già è aprile e il Sole è già su!”! E natyrisht që edhe ajo ka pësue po t’njajtin fat si “simotrat” e saj ballkanase!
Deri sa të përfundojnë kto “Ditët e plakës” e të dalim në Sh’njegj (Shën Gjergj), pra në pranverën e pakthim, nuk na mbetet tjetër veçse të ndjekim lajmet e fundit e të shpresojmë që t’mos ketë pasë viktima të tjera ndër plaka (e jo vetëm)….