E hane, 23 príll 1913. Dorëzimi i qytetit
Shkodra tek e mbramja rá në dorë! S’pat kahë me i a mbajtë. Ûja më njenën anë edhe mungesa e municjonevet, dý aleate të forta të Malit të Zí, e kanë ngushtue qytetin me u dorëzue. Shkodra rá në dorë t’anmikut prej ngushticet, pse s’pat me çka me qëndrue. Shkurt, u dorëzue për û; jo pse kje mujtë me luftë. Shtyni sa shtyni me purrî në gojë. Mjaft ma. S’ka pasë çka ban. Të hanën që shkoi, kur valia u dërgoi kryetarin e shtetit madhuer malazezvet, për me u diftue, se e kishte menden me rá në dorë, nuk kishte kokrren e drithit, as fijen e ushqimit ndër depo t’ushtrís. Njëherit edhe kryetari i bashkísë së qytetit i kishte lajmue këtij zyrtarisht, se shì atë ditë kishin dekë unit 380 qytetarë. Ka gjasë, se Mali i Zí, për me e pranue dorëzimin, i kishte vû anmikut së parit do qyshke a kondita tepër të randa e të papranueshme. Kaq ma, sa kryetari i shtetit madhuer turk, ashtu mendësh së veta, u lypi parlamentarëvet 24 orë kohë, për me u mendue.
– “As 24 minuta! – i përgjegji Gjen. Janko Vukotiqi, kahë ishte i sigurtë, se e kishte tashma zogun në dorë e nuk kishte kahë i ikte. N’anën tjetër e dinte mirë, se qyteti e kishte ngusht fort edhe se e kishte bâ shkop, me i u dhimbtë gurit e drunit, prandej sjellë kahë parlamentarët, u tha:
– Për në kjoftë se ju nuk dueni me u marrë vesht me né për punën e dorëzimit të Shkodrës, na tash po i a fillojmë edhe një herë me e gjuejtë qytetin ashtu mbarë e mbrapshtë, pa këqyrë Kishë as Xhamí, edhe pa pasë dhimbë, as mëshirë për popull… Në Fushë të Shtojit e në Bardhanjorë gjinden të mblèdhunë tok 17.000 ushtarë malazez, d.m.th. krejt forca jonë, krejt uzdaja jonë, krejt gjaku e jeta e atdheut tinë… Mund ta merrni me mendë edhe ju, se tashma ju kemi në dorë; edhe, a me të mirë a me të keq, kemi hî në Shkodër. Por mendonje veç edhe këtê, se krejt përgjegjsia bje mbi jú, tue u matë me qëndrue kështu me shpírt ndër dhambë, mbasi e kemi çue qytetin në këtê shkallë të disprueme!”
Para këtyne fjalëve parlamentarët turq e panë, se ishte kot, me e çue ma gjatë me ta. Prandej, me atë fíll u drodhën në doganën e Shkodrës; ata bashkë me Princ Danilin, me Gjen. Vukotiqin edhe me Min. Plamenac. Dhánë e muerën për një copë të gjatë. Këtu tash, në këtê bisedim mori pjesë edhe Esat Pasha. Pikat ase konditat e dorëzimit, i njehi një nga një, vetë Princ Danili, kryekomandanti i ushtrís së Malit të Zí. Janë gjithsejt 15 artikuj, që i përkasin dorëzimit të qytetit. Kondita jo edhe aq të shtrëngueta, por të shkrueme mjaft me bujarí e burrní. Janë shkrue mbi 3 faqe letër protokollit; dhe janë nënshkrue nga dy kryekomandantat e ushtrivet. Qe, tash këtu teksti i përpikët i aktit zyrtár të dorëzimit të qytetit:
ARTIKUJ E KONDITA.
Që i përkasin dorëzimit të kështjellit të Shkodrës, përbâ ndërmjet Naltmadhnís së Tij, Princit Trashigimtár Danilit, kryekomandant i ushtrís së Malit të Zí, rrethuesit të kështjellit të Shkodrës – edhe ndërmjet Naltsís së Tij, Gjeneralit të Brigatës, Esat Pashës, kryekomandantit t’ushtrís së qytetit të Shkodrës.
- – Të gjithë ushtarët, në daç nizamë në kjofshin, në daç redifë; kështu edhe çdo klasë rezervash, janë të lirë me e lanë qytetin, tue marrë me vete armët e veta, si edhe ushqimet e municjonet.
- – Ashtu edhe ata prej popullit, pjesëtarë të këtij qyteti, të cilët dëshrojnë, edhe ata munden me shkue mbrapa ushtarëvet, tue bartë me veti armët e teshat e veta e gjithçka të duen.
- – Nuk ka për t’ ju bâ kush farë damit, as nuk kanë për t’u shkelë tagret personale atyne myslimanëve, që gjinden mbrenda ledhevet të qytetzës. As s’ka për të prekë kush kurrnjenin asish, që morën pjesë në luftë kundra nesh; mbasiqë ata me këtê punë nuk kanë bâ tjetër, veçse kanë krye detyrën e vet, tue i dalë zot atdheut. Në një mënyrë të posaçme mund të jénë të sigurtë, si populli mysliman, si edhe ai i krishteni, se nuk ka për t’i prekë kush në fé; ashtu edhe në punë nderit a të zakonevet të veta kombtare.
- – Repartet e ushtrís në të nisun kanë për të mujtë me marrë me vete, posë petkash së shtatit, të gjitha plaçkat, çadrat, shtrojet, kazanat etj; me një fjalë, gjithçka t’u duhet atyne për rrugë; shkurt, mund të marrin me vete secili gjithçka mund të ngarkojë; kurrkush s’u thotë gjâ. Për ma tepër, po deshën, na mund t’u japim atyne, për me i përcjellë teshat, në paçin nevojë edhe qerre, kual e çka t’u duhet, për me u zhbartë.
- – Të gjithë zyrtarët, civila e ushtarakë, si b.f. xhandarët e policët; të cilëvet u ka anda me iu vû mbrapa ushtarëvet, munden gjithsa të duen; s’u a prêt kush rrugën.
- – Ushtria, kur të bâjë me u nisë e me e lanë Shkodrën, ka për të kenë e përcjellun prej një gjenerali e prej disa oficjerash së Malit të Zí.
- – Robët e luftës, serbët, kanë për t’i u dorzue kryekomandantit t’ushtrís malazeze. Në dash nënshtetasvet të bâm rob, në dash edhe të varruemvet të vendit, u sigurohet, me dorëzaní, se kemi për t’i rá mbrapa sherimit të tyne. Prandej, u japim lêjen të rrijnë në Shkodër, të gjithata që të jénë të nevojshëm, si mjekë e sanitarë turq; edhe me u ndalë, deri sa ta shohin me rrugë. Të mbaruemen punë, si mjekët si të mjekuemët, të gjithë, edhe këta, kanë për të kenë përcjellë deri në kufî, me shpenzime të shtetit malazias.
- – Gjitha aktet e dokumentat ushtarakë auktoritetet turke janë të lira t’i marrin me vete. Posë këtyne, komanda ka për të marrë me vete edhe të tana njato akte zyrtare, me të gjitha dosjet, që t’i duken të nevojëshme kryekomandantit t’ushtrís turke.
- – Prap, edhe të gjitha pushkët automatike (mitralozat); si edhe topat e shpejtë, bashkë me ata të fushës, me të gjitha municjonet përkatse, këto të tana ushtria otomane ka tagër t’i marrë me vete.
- – Të gjitha shkresorítë e artikujt e korrespondencës ushtria turke mund t’i ngarkojë e mund t’i bari me vete.
- – U jepet një amnistí e falje e përgjithët atyne që gjatë luftës u munduenë në çdo mënyrë me i u gjetë qeverís otomane, me spiunazhe a ndryshe.
- – Gjithashtu janë të fàlunë edhe ata nënshtetas malazez, të cilët, a pse t’ikunë prej vendit të vet, ase për çdo arsye tjetër ndodheshin mbrendë në Shkodër, edhe morën armët e luftuenë krah për krah me ushtrínë otomane kundra nesh.
- – Po kje se kanë nevojë ndonjë gjâ për rrugë ushtria, Mali i Zí për deri ku të mundet, ka me u ardhë në ndihmë për çka u nevojitet.
- – Kryekomandanti i ushtrís së Shkodrës, ka për t’i a lëshue ushtrís së Malit të Zí kështjellin e qytetit, po njashtu të paprekun; sikurse edhe nuk ka për t’i prishë e çue dam njato mjete komunikacjonit e marrëdhanjesh, të cilat u vleftën atyne kohën e rrethimit.
- – Me 10-23 príll 1329-1913, ore 8 paraditet kanë për të fillue me u dyndë ushtria turke, tue lirue Taraboshin, Bardhanjorët edhe llogoret e Fushës së Shtojit. Sa për kodrat e Tepes, këto kanë për t’u marrë në dorëzim nesër paraditet njandej kahë ora 11. Fushën e Shtojit, këtê ka për ta marrë në dorëzim Mali i Zí n’orën 3 mbas mjesditet.
Shkodrë, 9-10 príll 1329 22-23 príll 1913.
Zâvendës valiut e Komandant Kryekomandanti i ushtrís së
i armatës së Shkodrës e Gjeneral Malit të Zí, Princi trashigimtar ushtriet, nënshkrue. ESAD nënshkr. DANILI
N’orën 9 sod paradite, përmbi Tarabosh, ma i pari vend i lëshuem prej turkut, filloi me u valvitë n’ajër flamuri i Malit të Zí. Ndërkaq, një mbas një, dynden repartet e ushtrís turke, të cilat shkojnë tue u bashkue të gjitha te kodrat e Tepes. Sonte n’orën 8 Esat Pasha u a ka dorëzue kryekëput qytetin, edhe gjindet, si me thanë rob ndër duer të malazezvet. Por këta e kanë menden me hý ashtu madhnisht në qytet nesër njandej kahë mjesdita, me 5 bataljona.
Fjalët e mbrame të Esat Pashës qytetit të Shkodrës.
Mbramë Valia, sado që kishte nënshkrue aktet e kushtet e dorëzimit, i mblodh të gjithë krenët e parínë e Shkodrës, myslimanë e të krishtenë. I bashkoi më nja, jo pse mund të vlefte ma gjâ; por desh me kaq me e përligjë veten, pse i a kishte dorëzue qytetin anmikut; për pa pyetë përpara. Desh me u a blé edhe atyne mendimin e me pá, si iu dukte atyne puna e dorëzimit të qytetit. Foli ma i pari Esati; i cili, ma të parën fjalë u tha, se tashma nuk kishin kurrkahë me i a mbajtë, veçse me rá në dorë! Një asi krenësh prej krishtenimit i përgjegji: “Veç një Zot e di, sa keq na ka zemra për këtê punë, tue i a lëshue në dorë anmikut Shkodrën. Mjaft kemi hjekë deri më sod; por, edhe ma tepër jemi gati, me hjekë, po ta kishte pá me rrugë kryekomandanti me e shtý ramjen e qytetit. N’anën tjetër por, jemi në detyrë të diftojmë, se populli, ana e krishtenimit, ishin ngushtue fort, e se për ditë e ma tepër numri i të dekunvet prej unit e së keq, shkonte tue u shtue për tmerr.” Ndërkaq, anmiku e kishte marrë vesht punën e mbledhjes s’asaj nate. Kështuqë, edhepse ishte nënshkrue akti i dorëzimit të qytetit prej së dyja anësh, prap se prap, gjithë natën e lume e gjuejti qytetin edhe një herë me nja 300 të shtieme topash. Edhe këtê punë duket se e bani, jo për tjetër, por për me u bâ përshtypje e me u a shtie frikën atyne që ishin mbledhë në kuvend. Mbasi folën të krishtenët, shumica e myslimanëvet e dëshmuenë edhe ata kjartë, se tashma nuk ishin të zotët me dhanë farë ndihmet. Kishin dhanë sa kishin dhanë; por tash nuk mund t’i përballojshin vështirsít e qëndresës ma tutje. Por një pjesë tjetër myslimanësh së qytetit paraqitën mendimin e vet tue thanë, se mund të shtýhej edhe ndonjë ditë. S’do të nguteshin. Mos ta lëshojshin, por të qëndrojshin edhe pak. Mandej, shtojshin, kushedi, si e ban Zoti; sheh puna punën! Kësi mendimi diftohej sidomos Z. Sylço Begu. Ky, tue i përbuzë e tue i bâ n’asgjâ ata që mendojshin me i u dorëzue pa tjetër anmikut, tha, se qyteti mujtte, ishte në gjendje, me qëndrue edhe do ditë … Mandej, për mos me rá në dorë t’anmikut, i fali aty ndër sý të të gjithëve 100 krenë lopë valísë. Këto një herë, tue e sigurue Kryekomandantin, se për së shpejtit do t’u kishte shtue edhe 100 krenë lopë tjera. Por Esat Pasha n’ato fjalë, nuk e la me vijue; i mbushun n’idhnim e dispjek, i a përplasi ndër sý:
-Ti, lum Zotnia, nëmos paç tjetër fjalë për të thanë, veçse njekëtê, lene me kaq e mos e ço ma gjatë. Marre faqe e zezë për tý, të vîjsh e të m’i përmendësh tash këtu ato dy e treqind krenë lopë. Po kuj i a ven në zemër?… Janë 20.000 ushtarë, të cilët tash ma se një muej hájnë, ndihmo Zot; mish kualsh së coftë!… Ku ké kenë përpara? Atëherë t’âshtë dashë me m’i dhanë këto lopë, e jo me m’i pritë me pushkë njerëzit, që t’i çojshe te dera, me t’i lypë!”
E vijoi kështu Esati, përherë e ma i idhnuem:
“Përsa po më thue, tue ma përmendë punën e dorëzimit, këto fjalë merri me veti! Njeri i gjallë nuk mund të më mësojë mue, si kryhet dëtyra. Për vete, e dij se e kam krye. Kur thom, se nuk mund të shtýj ma përtej, merret vesht, se kam shtý deri në çasin ma të mbramin!… Ushtarët?… Ju i shihni vetë, në paçi sý me pá, si kanë vojtë!… Mandej, as miell nuk kam ma kurrnjë thes. Mbramë ushtarët nuk kanë pasë për racjon tjetër, veçse nga një gjysmë galetet edhe nga një grusht rrush të thatë për shoq… Shto edhe, se shtrue ndër spitale, të smundë e të varruemë, kam ma se 2.000 vetë. Fyshekët me gjyle topash janë tashma në të sosun. Njaq, sa me pasë për të na mësýe edhe një herë anmiku, nuk kishim mujtë me i përgjegjë, shum-shum me thanë nja 15 minuta. Kështu pra, ka vojtë puna e qëndresës sonë!… Unë po nisem me njata pak ushtarë, që më kanë teprue. Po i a dredhi shpinën këtij qyteti të lumnueshëm, gjithmonë në zâ për qëndresë. Por Jú po ju a lâ në dorëzim gjân ma të çmueshmen: Të dèkunët e shkretë!… Kodrat e Bërdicës, të Bardhanjorëvet e majet e Taraboshit, qëndra të pathyeshme qëndreset, o popull i Shkodrës, po Ju a la si kujtime shêjte për gjithatë gjak njerit që i ka lámë; të shtrêjta për sa gëzime fi toresh së shkëlqyeshme; të çmueshme edhe për sa kujtime t’idhta fl ijesh e për sa ngadhnjëme të lumnueshme!”
Si mbaroi këto fjalë, Esati e përshëndeti me dorë mbledhjen, edhe pa tjetër i a solli shpinën. Ndërkaq, aty në sallë gjindja mbetën si të ngrímë, kryet për dhé. Dikush-dikush madje i a fi lloi edhe me kjá!
E ejte, 24 príll 1913. Miqasimi i anmiqvet!
“Malazezët, mbë Tarabosh!” – Këto fjalë shkodranët shkojnë tue i a thanë njeni-tjetrit: gati – gati si mos me i zanë besë, apor si me dashë me i a tretë vetit. “Bane Zot, andërr!…” – i a prêt ai tjetri vetë me vete, kahë s’i bâhet dhe nuk i a ka anda me besue një gjâ, që e sheh me sý!… Po, po; janë plot 7 muej, qëse këtê fakt ka ndêjë tue e drashtë e… njëherit tue e dashë! E tash e ka përpara. Gati si mos me e zanë besë këtê të vërtetë t’idhtë, shkodranët, varg e vistër, dalin në pazár, për me e vërtetue me sý të vet punën. Edhe rrîjnë tue këqyrë andej përmbi ledhet e Rozafatit, të cilat janë mbushë me ushtarë malazez, me këta fatoza të ngadhnjimit të djeshëm. Edhe shkojnë tue i a bâ shoqi-shoqit, pa e çue zanin, friket mos t’i ndijë anmiku: “Kija inád e folju hakun!”.
Megjithëse e ramja e vendit të vet në dorë të tyne i ka topitë e idhnue, prap se prap anmikut dijnë me i a njohtë trimnín e me i a çmue fi toren. Ai gati gjithmonë, s’ka bâ tjetër, por mësýej e bjeri murit me krye, mëshehë ndonjë herë në të rrallë mbrenda llogorevet dheut, punue ashtu shpejt e shpejt e sido, vendue kun në ndonjë gropë topat e mitralozat. Po në këtê gjêje, të thuesh, ishte edhe ushtria e turkut, e cila me natë e me ditë do të rrinte tue i bâ báll furísë s’anmikut, sidomos nja 15 herë; Mësyeme të gjata, të mënerëshme e të disprueme të Malit të Zí; i cili, posaçe prej Muriqanit e prej Taraboshit, gati bukë e përditshme, shkonte tue u falë predha e plumba. Por duhet me thanë, se mbrojtje ma të forta se ledhet e Taraboshit kishin pasë kenë krahnorët e ushtarëvet! Malazezët, tue u përshkue nëpër pazár të Shkodrës, u ndeshëshin me ushtarët e turkut, të cilët i a mbajshin andej kahë Ura e Bahçallekut, për me u bashkue me shokët e vet në të nisun. Anmiqtë e djeshëm, sod përshëndeteshin shoq me shoq. Malazezët u falshin turqvet bukë të bardhë, e këta u falshin malazezvet cingare duhanit. Shpesh edhe i a shtrëngojshin dorën njeni-tjetrit; posë kësaj, kush dinte, ndaleshin e bâjshin kuvend shoq me shoq. Kësosh episodesh miqasiet e burrniet përsriteshin edhe ngjeti, deri mbrendë nëpër rrugat e qytetit, ndër sýtë e publikut, i cili, kur i shihte, nuk trandej as s’çuditej; por kalonte secili në punë të vet. Njandej kahë mbasditja u pánë në rresht ushtarët e turkut, drejtue kahë Tepja, tue i a sjellë shpinën për gjithmonë Shkodrës. Tue u përshkue nëpër ato rrugica e aty këtu të shpartalluemë prej topash, kalojshin ushtarët e mujtunë, pa fjalë, me krye ulët, sýt për dhé, tue shikjue mos me u rrëzue kun në ndonjë gropë, a por mos me u ndeshë kun në ndonjë gúr; gërmuque nën peshën e randë të ngarkesës së rraqevet, që barshin mbë shpinë. Si përshqit e si tinëz, njeni – njeni i a lëshonte sýt Taraboshit, tue i përshëndetë për ma të mbramen herë ato llogore të lame me gjak gjatë sa e sa muejve. Ndoshta u vente mendja n’atë ças te ato luftime të përgjakshme, te ajo qëndresë shembëllore, te shokët e mbètunë, te të mësyemet e fundit; të cilat kishin shkue tue u bâ përherë e ma të fl ashkta! U fl uturonte mendja ndoshta atëherë tek ai ma i mbrami urdhën fatal, që u kje dhanë, me zdrypë prej andej, e me i a lëshue anmikut, pa pushkë të shtieme! Turqit e shkretë, – me i pá, me t’u dhimbtë! – po niseshin njashtu si t’urrèjtunë e të nàmunë; ndërsa zemra e tyne e dinte sa keq kishte, kahë kurrkush prej popullit nuk u a siellte atyne një fjalë të mirë a një përshëndetje: Njai popull, po thom, për me mbrojtë qytetin e të cilit, kishin luftue e ishin varrue e shëmtue edhe kishin dhanë jetën shumë prej shokësh së tyne! Për njekëtê Shkodër, ata ushtarët e rrègullët (nizamët), ardhë dikur gjithsejt me numër plot 4.000 vetë, tash po e lêjshin qytetin, jo ma se 400 vetë! Nuk i u dhimbshin njerit të gjallë; e dijshin mirë. Edhe njëmend; ta kaluemen Urën e Drinit, jo se i rá ma kuj në mendë ma për ta! Ndërsa turku ishte tue i a sjellë shpinën për gjithmonë Shkodrës, populli, si i çmendun, u lëshue me u rá plaçkë ndërtesavet qeveritare. Filluen gjindja me marrë frymë tash kahë e panë se kishin mbarue përnjëmend ditt të bombardimit të 6 muejvet. Me t’u zanë sýt! Delshin gjindja prej kazermash, prej zyresh qeveritare, prej spitalesh së lëshueme, delshin secili ngarkuet mbë shpinë me çka kishte mujtë me grabitë n’ata gjâ mbetë pa zot; dërrasa, hekura, dyer e dritësore e xhama e brava e çelsa e… Të dalmen në rrugë këta grabitqarë i a shitshin aty për aty, kujdo; edhe i a lêjshin lirë, na t’a fali, për me kthye e me marrë prap se prap. Vozga e kusia ushtarësh shiteshin deri në 3 frank copa; një parë rrota të mëdhaja karrocash, nga gjysmë frankut copa; karrigat, fring të reja… jepeshin nga 20 qindtarë; rraqe e vegla gjithfarësh kuzhinet, remit e metalit shiteshin nga 1 frank kilja. U shit aty edhe një mauzerre e ré, për 4 frank. E më rá me e pá me sý të mi një plakë, që i a shiti dikuj një myshemá të zezë kalorie, jo ma pak se 40 qindtarë; edhe e shiti, vetëm pse asaj i binte paksi e gjatë. Sa drûja mandej, që u vodh n’atë rasë aty ndër kazerma; e … çka s’priti populli me bâ aty! Merrshin e shpërthejshin dërrasat e shtrojes s’odavet; shkojshin e zbulojshin pullazet e shtëpiavet qeveritare, për me u marrë tjegullat; u rrenojshin e i qitshin mbë tokë përdet e odavet, për me u marrë tullat; shguleshin parmakët e shkallës, e çka s’bâhej aty prej këtyne vandalëve. Orendítë e gjykatores, raftat e arkivit me mija letrash zyrtare e protokollesh me dokumenta gjithëfarësh, rrëmbye e shkye e bâ copë e grimë e shkelë prej popullit. Secilit i bâhej, se po shfren, tue u a vû kambën atyne sendeve të qeverís turke, e cila u kishte ardhë në hundë. Vetëm sod nade diçka fi lluenë me mbarue kjo plojë e ky shfrim barbarësh! Simbas vendimit të dorëzimit të qytetit, malazezët do të hýjshin në Shkodër, ashtu me rreshta të rrègullët, n’orën 3 mbas mjesditet. Edhe populli i pritte për atë kohë. Po mirë, por nuk u pá gjâ. Diku pse ushtarët ishin të lòdhunë, diku pse një pjesë e tyne ishte tue këqyrë llogoret e dorëzueme t’anmikut, ata 5 bataljonat, që do të hýjshin prej Bardhanjorëvet, prit e prit, nuk u dukën kun. Malazezët kanë hý në qytet ashtu kokërra-kokërra; përposë një bataljoni, të cilit i prijshin mbë kual Gjen. Martinoviqi e Vukotiqi. Pritja prej anet së qytetit ka kenë e njerëzishme po, por e ftohtë. Dy Gjeneralat kjenë përshëndetë prej popullit, të cilit ata i përgjegjshin me të madhe njerëzí. Të mbërrijtmen në saraj, banda e Malit të Zí i rá himnit të vet kombëtár. Mbas do kohe i a behi edhe banda e të krishtenëvet, e cila muer disa marshe. Populli por, nuk muer pjesë në gëzimin e ushtarëvet; ndenjë ma fort si pîtas e dorëjashtë. Dukej, se kishte rrâ aty, ma fort me pá prej kureshtet, çka po bâhet… Por n’anën tjetër, as malazezët nuk mund të pritshin një shfaqje gëzimit e entuzjasmit të madh prej një populli, të cilin deri ditën para kishin ndêjë tue e gjuejtë, edhe i a kishin prû përnjëmend shpirtin në fyt, me topa e mitraloza!
-E kemi vû në roe edhe na – i a bante një ofi cjer malazias – se na ka pritë ftohtas populli. – Por kushedi, tash ndron mendim. Të shohim! Populli i vogël, vulgu, ai nuk e çon ma gjatë. Thotë: “Mjaft, që shpëtuemë me krye, edhe po kemi çka me hangër!”.
Por ata tjerët, atdhetarët e vërtetë, këta kanë rá në mendim, kahë nuk dijnë, si ka për t’i u bâ fati nësër i qytetit. Janë mshehë, kanë hupë e rrijnë strùkunë ndër shtëpiat e veta. Nuk bâjnë zâ përnjëherë, kanë hapë veshët e njashtu rrijnë tue marrë vesht, çka po lot. Qe, b.f. sonte njeni kësi atdhetarësh e pashë ke kishte zanë vend e po rrinte mendueshëm në një skâj të salonit të hotelit “Europa”. Kahë ndiente aty malazezët tue këndue, tue këcye e tue u gërvallë me zâ të naltë, tue u mundue me e mbulue zanin e një organo automatik, i cili mënjë rrinte tue marrë aso marshesh një mbas një, pa pushue një ças, këtij, e shihshe, i vinte me plasë. Ndërkaq i avitem e i thom në vesh një Shkodrani, të cilin e njihshe: “Ka gjasë, se Shkodra tash po del në vete, âshtë kafshatë e madhe e i a zen fytin atij që synon me e kapërdì!”. Atij, e pashë mirë, – i a pati anda, se i thashë ashtu. Vuni buzën në gaz; më bani shenj me krye, si me m’u falë nderës për këtê lajm të bukur. Por mandej fíll, luejti kryet edhe i a bani:
-“Të lumtë goja!… Por, këta miq që kanë hý këtu edhe rrijnë tue britë e tue u gërvallë si të çmèndunë, duen me thanë, se nuk âshtë gjâ ajo fjalë që thae. S’po dij! Por mjaft drue, se … Zoti veç, e bâftë mirë!”
E prende, 25 príll 1913. Princ Danili në kështjellin e Shkodrës
Në qytet, mbrendë, veç sod, simbas vendimit, hýni zyrtarisht Danili, Princi Trashëgimtár i Malit të Zí, sadoqë, qyshë dje, u ngjit e ndêji në kështjell të qytetit. Sod hyni, i përcjellun prej shtetit madhuer të vetit, me flamurin e Malit të Zí në krye të rreshtit. Erdhi këtu, për me u përshëndetë me ish-komandantin e kështjellit të Shkodrës; i cili kishte mbetë endè këtu bashkë me kryetarin e shtetit madhuer, me adjutantin edhe me sekretarin e vet. N’orën 10 paraditet pikërisht bje burija, për me u lajmue ushtarëvet malazez, të rreshtuemë gjatë rrugës, që prej urës së Buenës çon drejt e në kështjell. S’vonoi, e menjëherë duket Princ Danili, tue ardhë prej kodrash përbállë doganet. Popull edhe shihet; njëmend, jo fort shumë, por mjaft. Banda ushtarake merr marshin zyrtár të Malit të Zí; edhe Princi shihet atëherë tue ardhë madhnisht, nën hijen e fl amurit të vet. Kaluer përmbi një gjog të bardhë, bishtin e gjatë, sa … trimnisht e si i egër në fëtyrë, përshëndetë ushtarët e vet. Fíll mbas i vîjn Gjenerali Martinoviq e Gjen. Vukotiqi, bashkë me Princin Petro, me Min. Plamenac e tjerë Gjenerala e të mëdhaj shtetit; ndjekin oficjerat e një tubë nja 50 kalorësh. Kahë kalon asajt lumnisht vargu i luftarëvet, prej anet së popullit s’ndihet tjetër, veçse zanet e brohorimit: “Zhivio!” Prej pazarit Princi trashigimtár ngjitet gjithmonë kaluer gjogut të bardhë, në kështjellin e Rozafatit. shì aty, përpara deret, zdrypë prej kalit. Po fíll në të hým mejherë ndeshet mbë Esat Pashën, verdh si fi cka në fëtyrë, i cili ka mbas vetit dy ofi cjera të vet.
Princ Danili dhe Esat Pasha, të parën punë, i a japin dorën shoqishoqit.
-Mund ta merrni me mendë vetë, Nalt-Madhní, – i thotë ma i pari Esat Pasha, – si më duket vetja tash këtu në këte ças, në të cilin jam tue lanë gjithata të dèkunë në këtê vend. Me gjithëkëta gëzohem, pse jam kenë mujtë prej një anmiku trim, bujár e prej një heroj ma të vlerëshëm që ka bota4!
N’ato fjalë Princ Danili, edhe ai tue lanë burrní, flakë për flakë, i përgjegjë : “Nuk ka aspak pse trazohet as pse i vjen keq njatij, i cili në ndërgjegje e din se e ka krye detyrën e vet. Edhe unë po Ju a thom këtê fjalë, pse dij çka fl as. Po Ju a thom unë këtê fjalë, unë anmiku Juej ma i madhi, por njëkohësisht edhe admiratori Juej! E bashkë me Jú, kam admirue edhe ofi cjerat tuej, e ushtarët tuej, të cilët, njeni ma fort se tjetri kanë luftue burrnisht e me nderë.”
Me atë fíll, mbas pak minutash që kuvendin bashkë dy të Mëdhajt, nën hijen e shpeshtë të një lisi, Esat Pasha, ai ma i pari, e përshëndetë miqasisht Princin Danil e shokët e tij, i cili ishte tue dalë nga Kështjelli, krah për krah me Z.Vukotiqin e Z.Plamenacin. S’vonojnë ma e dahen tue i a marrë dorën njeni-tjetrit, ndërsa Esat Pasha, pa zâ e kryet për dhé, drejtohet kahë Zadrima, e sheh kahë mbas shpinet valvitet flamuri i Malit të Zí, edhe i ushtojnë në vesh britmet e ushtarëvet, tue thanë: “Zhivio!”. Me këto i shungullojnë në vesh krismat e topit, që shprazen gëzueshëm prej Taraboshit edhe prej Kështjellit historik të Rozafës!
Atëherë i kje prû Princ Danilit flamuri i Malit të Zí. Edhe ky, përpara se me ngrehë mbë kështjell, rrethue prej oficjerash, e përshëndeti dhe e puthi me nderim, e tue i u drejtue fl amurit i përmalluem, i tha këto fjalë: “Flamur i dashun, Ti që na kushtove aq shtrêjtë, Ti që kjé lá me gjakun e sa bijvet të tú, rrënofsh e kjofsh!… Tý unë tash, po të nguli, e këtu ké për të mbetë përgjithmonë! Ti, o flamur i bekuem, na i kujton ata mija e mija vëllazënsh, të cilët lumnisht e dhánë jetën, për me ta zbardhë faqen! Ata fatoza kahë Ti i sollën për ma të mbramen herë sýtë e lòdhunë edhe të përshëndetën përpara se me dekë! Po njatë máll e 4 Këto dý ligjëratat e fundit që Gjeneralat i drejtojnë njeni tjetrit, janë të trillueme mbas gjaset nga auktori: Gino Berri L’assedio di Scutari, Milano Treves, 1913. – Na i morëm e rreshtuemë këtu, tue i a lanë përgjegjësín e mbrendshme atij qi i shkrou. Na u dukën mjaft me vend edhe, nemose si hartime ligjëratet, mjaft konçize, burrënore dhe të bukra. dëshír që u vloi atëherë atyne në zemër, njaj sod âshtë kahë i ndezë këto zemrat tona. Prandej, këtu mbi tý, o fl amur, po betohemi na të gjithë përherë se na tý kemi për të të nderue edhe për të të dalë zot, të nxitun e të ngròhun prej njasaj dashunie së madhe ndaj teje, e cila na trimnon e na shtýen me i bâ n’asgjâ të gjitha sendet e tokës bashkë me jetën tonë!” Këto fjalë të thekshme, të shprehuna me forcë edhe me entuzjasëm, dhe të këputuna tash e parë prej vajit, kjénë pritë prej ushtarëvet me britmë të fuqishme gëzimit e harejet, tue përsritë pa dá atë: “Zhivio!”. Si mbaroi Princi trashëgimtár ligjëratën e zjarrtë, kje kapë e çue para duersh, si në triumf, nga oficjerat e vet. Mandej Princi ndenjë edhe pak në kështjell me atë fíll, zdrypi e rá në pazár: u drejtue kahë dogana, hini në vaporin Bettuno, e u nis për Rjekë. Sod nade Gjen. Martinoviqi kje emnue sundimtár i qytetit; edhe, ma të parën vizitë, i a bani konsulli i Rusís, i cili njëherit i njohtoi këtij se kishte pasë urdhën zyrtarisht nga qeveria e vet, mos me dhanë ma dhe mos me marrë me Stambollë, por me Cetinë. Me kaq merrej vesht, se Rusia e njëhte zyrtarisht tashma prej ane së vet Shkodrën, si një tokë të Malit të Zí. Shton këtu njeni prej auktorësh së naltpërmendunë në bibljografí, se: “Kurr s’do të kishte mujtë me e shkelun Shkodrën kamba Malaziut, sikur mos qe tradhtia e Toptanasit feudal, bashkë me ofi cjerët e naltë zhonturq, që mbytënë Hasan Rizánë, dhe i dorëzuenë, si ç’u muer vesht ma vonë, çelsat e kalásë, për 6.000 fjorinta, trashigimtarit të kunorës së Malit të Zí, Danilit; i cili mandej, e grabiti me ç’pat mbrendë, e dogj e vodhi gjithë Pazarin e Vjetër, katër ditë para se me u largue ushtria malazeze prej Shkodre”…(1) Një varjante tjetër, përsa i përket çmimit me të cilin i a shiti Malit të Zí Esati Shkodrën, thotë se ky mori nga anmiku, si konditë dorëzimit, një miljon e 400.000 përpara. E prap ka asish që kallëzojnë, se kryekomandantit të kështjellit të Shkodrës, nëpërmjet të parlamentarëvet, Knjazi i paraqiti një strajcë me napoljona; të cilën, ta pamen E. Toptani, i u duk tepër e vogël; edhe, pa e çelë aspak, nuk e shikjoi me sý. Për këto dhe për tjera rasa ma vonë, shkaku i unës së pangishme të arit, Esati la mbas vetit një zâ të keq, para kombit e para botet. I neveritun nga gjithkëto poshtërsi e tradhtí të tija, nacjonalisti Avni Rustemi, prej Libohovet qiti edhe e hoq këso jete Esat Toptanin, në mjedis së Parizit, me 15 qërshuer 1920.
E hane, 5 máj 1913. Ditët e shkurta të malazezvet në Shkodër
Kalue ato dý a trí ditë ndërrimit, për të hýmt e malazezvet në Shkodër, qytetit nisi me i rá edhe një herë një hije e zezë, thue se vijon gjithnjë rrethimi! Përse njëmend, në krye të 2 a 3 ditëve ushtria e Malit të Zí duel e e la qytetin. S’kanë mbetë n’Shkodër, veç nja do ushtarë, sa me ruejtë qetsín e rendit publik dhe do policë. Populli, hiq njata pak shkjét e qytetit, nuk e çajnë kryet aspak përsa ndodhë rreth sish prej qeverís së ré. Me i pá në fëtyrë, të gjithë e vërtetë, se nuk druen ma prej gjylevet e tmerrit të luftës, që kishin në vesh, me natë e me ditë; por prap, të gjithë shihen si të prém, të pezulluemë dhe me frikë, kahë s’di me thanë kush, si do të marrë fund kjo lojë që kanë para sýsh: Si do t’i siellet fati Shkodrës. N’anën tjetër, tashma të tanë e kanë marrë vesht e e dijnë me sigurí, se Mali i Zí nuk e ka të gjatë, e se shpejt do të dyndet e do ta lâjë qytetin. Malazezët, njëmend kanë hjekë keq, kanë derdhë gjithatë morí gjakut, për me e shtie në dorë këtê mollë Shkodret, por edhe shkodranët kanë arsye me ndenjë kështu si pezull. Njëkështu rrijnë tue prigjue, për me marrë vesh, çka po ndodhë. Me dëshír të madh shkodranët presin, që t’u shkojë në vend andërra e kahditshme: Me e pá Shkodrën, kryeqytetin e Shqipnís autonome! Ndërkaq por, Mali i Zí ban çmos, për me i zhdavaritë këto fjalë në popull; të cilat doemos i kanë shkue në vesh edhe qeverís provizore. Për me fi tue simpatín, ka nisë me i dá popullit miell të bardhë; e jo vetëm skamnorëvet, por edhe gjithkuj që të paraqitet. Edhe miell ka dá mjaft bujarisht, pa e matë fort dorën. Edhe kështu âshtë tue vijue.
Fjalimet e qeveritarit të rí.
Pardje qeveritari civil Z. Plamenac, ka çue e i ka thirrë krenët e qytetit: myslimanët veças edhe kristjanët veças. Atyne të parëvet u ka mbajtë një ligjëratë të shkurtë raset. Këtyne të dytëvet, kristjanvet u ka folë diçka ma gjatë, tue u a spjegue me fjalë ma të kjarta mendimin e qeverís së Malit të Zí.
-Na tashma jemi në Shkodër – ka thanë Plamenaci. – “Kemi hý këtu, edhe këtu do të zamë vend!…Menden e kemi me u diftue të mirë e zemërdhimbshëm me këtê popull, të cilit kemi fi llue me i ardhë në ndihmë, edhe kështu menden e kemi me vijue përherë e ma bujarisht. Për së shpejtit sot i a nisim punës, e pikë ma së pari do t’i a fi llojmë rregullimit të Drinit e të Buenës; mandej do të godisim rrugën e Shën Gjinit, e për fund do ta kapim në dorë me ndreqë ujnat e liqenit këndej kahë ana e qytetit. Edhe kështu, tue zanë fíll prej qandrës së qytetit, kemi për të shkue tue prû përmirësime, e tue u a bâ përherë e ma të bukur jetën e qytetarëvet të Shkodrës. Detyra e secilit jush âshtë, me u ndenjë përpikënisht ligjëvet e urdhënimevet tona. Prandej, s’ma merr mendja se kanë për të dalë asish, të cilët kanë me marrë guximin me u kundërshtue. Sa për punë të fésë e të besimit, aty s’përzihemi. Nuk prekim ken në fé; i nderojmë të gjitha besimet. Për ma tepër, jemi gati t’i barim të gjitha; mjaft mos të jetë gjâ për dam të popullit e kundra qeveriet. Sa për të mbajtë qetsín e vendit e sigurimin e jetës së popullit, âshtë në kambë policia. Po u pá nevoja e një rreziku së jashtëmit, âshtë gati me u kthye edhe një herë krejt ushtria e Malit të Zí. Ajo por, atëherë nuk ka për të kenë vetëm, por krah për krah me tê, keni me luftue edhe Ju, tue u lëshue fulikare mb’anmikun, gjithë së bashkut, për me i dalë zot dheut tuej!” Të krishtenët, mbas kësaj ligjërate paksi të tharbët, ndêjnë pa zâ; ulën kryet mendueshëm, kahë u kishin djegë sidomos ato fjalët e fundit !
Momenta kritik!
Mjaft mundohet n’atë të vetën qeveria e ré me i hý në hatër popullit; mjaft orvatet në çdo rasë me lidhë marrëdhanje miqasore me popull; por kot. Nuk i a ka dalë, as s’ka për t’i a dalë kurr me e bâ mik. Ana e krishtenimit lëvizin e punojnë si nën dhé, tue u vû në përpjekje të padáme me fshatarët për rreth, ku thonë se kanë fi llue kryengritje plot. Prap mandej, ka ardhë fjala këtu, se malsorët e Mbishkodrës kanë vrá nja 3 malazez. Këta, por sidomos Hoti e Kastrati, kanë çue fjalë, se janë gati me u ulë e me i rá Shkodrës, ditën që të marrin vesht, se qyteti i âshtë shenjue defi nitivisht me i mbetë Malit të Zí. Ma fort se kurrkun por, kazani âshtë tue vlue në fushën e Zadrimës. Aty flasin, se janë ngrehë shumë shoqní a komitete, pjesëtarët e të cilavet kanë bâ bénë e madhe, se duen me e pá Shkodrën të librueme prej malazezësh, e të bame kryeqytetin e Shqipnís së ré. Ndërkaq por, qeveria provizore ban çmos, për me e shutitë këtê propagandë. Ka vû roje të madhe sidomos mbi gjithata që hýjnë e dalin prej urës së Bahçallekut. Mbi tjerë, Kleri posaçe âshtë marrë më sý prej qeveriet. Disa prej fretënsh e priftënsh, tue e dijtë se janë vû si në shenj për ndiesí atdhetare që kanë diftue kurdoherë, mendojnë me u largue sa për një herë prej qytetit tinëz, natën, ditën a kurdo, ndërrue petkash, për mos me u njoftë. Ndërkaq, qeveria e kishte bâ gati një shpallje popullit, edhe i a kishte dërgue Arqipeshkvit të qytetit, Timz Ják Serreqit, për me e nënshkrue. Po, por Arqipeshkvi nuk ndëgjoi me vû dorë. Kjo punë qeveritarëvet u ka rá fort në sý, edhe u ka bâ një përshtypje të kthelltë. Arqipeshkvi këso dore, tue mos ndëgjue me vû dorë n’atë shpallje, vjen si me dashë me mësue popullin shqiptár përmbi mënyrën, si do të siellen ndaj qeverís e Malit të Zí. Në Troshan prap âshtë tue u bâ këso ditësh një mbledhje e jashtëzakonshme, ku marrin pjesë qinda e qinda krenësh së popullit, disa Ipeshkëvîjsh, ndër të cilët i përmenduni e fort i njohtuni prej popullit, Imzot Prend Doçi, Abati i Mirditës. Ndër ta edhe shumë krenësh myslimanë nga Mati e Dibra; Të tanë një mendimi, me e shpallë Shkodrën si kryeqytetin e Shqipnís në veti. Kundrejt gjithkëtyne ndodhjeve Mali i Zí, tue pasë me vete veç pak që e duen, mundohet n’atë të veten me u ndêjë kokërr të gjithëve, edhe ban çmos, për me i a mbushë menden publikut, se ai s’luen prej këndej. Por e sheh edhe ai vetë se, posë stuhísh shungulluese të politikës europjane, në këtê ças, fort ma të rrezikshme e kërcnuese për tê janë këto të zeza, të cilat shkojnë tue e vrá qiellin po shì ndër këto ditt e para të Shqipnís në veti.
12 máj 1913, malazezët dalin prej Shkodrës.
E vërtetë, malazezët po shkojnë. Por edhe, me dalë e me e lanë një qytet, që për me e shtie në dorë kanë ndêjë ma se 6 muej tue luftue, tue hjekë ditën e zezë dhe tue derdhë gjithatë gjak, sigurisht që do të jétë për ta e vështirë; zemra e tyne e di! Shkodra njëmend ka tagër e ta thotë arsyeja, që jétë shqyptare; por n’anën tjetër, as malazezët s’kanë faj e të dhimben kahë i sheh njeri tue u endë si miza pa krye, të rrêjtunë e të tradhtuemë prej fatit a rrezikut të vet! Ç’i ka gjetë!… Mbas gjithatij gjaku, me dalë e me e lanë Shkodrën, ushtarët të duken si me kenë ata të mujtunët e vërtetë të luftës, jo mujtsët! Krajli i Malit të Zí, s’ka pasë kahë me i a mbajtë; i a dashë përdhuni me e çue në vend urdhënin e fuqivet të mëdhaja, edhe ka urdhënue me i tërhjekë ushtarët e vet prej Shkodret; por ushtarët sod, mbas gadi 7 muejsh luftet, mbasi kanë shkue tue mbulue mal e fushë me të dèkunë e të varruemë, mbasi kanë shkue tue kuqë me gjak të vet tre lumej, ata sod s’munden, s’u bâhet kurrsi me dalë e me e lanë një qytet, për të cilin u shkrinë e u fi kën me të gjitha! Me e këqyrë mirë, mundet me u thanë, se për malazez ka kenë fort ma lehtë me e marrë Shkodrën, se me dalë tash e me e lanë kështu! Komanda edhe mënjë mundohet me u a mbajtë nalt moralin ushtarëvet, tue thanë pa dá, sadoqë nuk i zen besë kush, kinse Mali i Zí nuk del i gjallë prej Shkodret. Sepse i shohin përditë tue i bartë në vend të vet e tue i kthye në Mal të Zí topat e municjonet me nxitim e sa ma shpejt, kanë qitë fjalën, kinse janë të nevojëshme ngjeti këto sende, mbasi këtu në Shkodër tashma lufta ka mbarue e s’duhen gjâ. Ndër shërbimet ma me randsí që ushtrohen sod për sod âshtë policia. Simbas lajmit zyrtár (tallallit), të gjitha armët do të dorëzoheshin sa ma parë. Mirë; por nuk e xeu kush kryet për atë urdhën e deri shkjét vetë të qytetit s’i a panë gjasën me ndëgjue. Prandej, simbas kontrollit të shtëpiavet, shpesh gjêjnë armë të mëshehuna, edhe kanë fi llue me i burgosë të zotët e familjevet. Por, në kjoftë se malazezët e kapin punën përnjëmend, atyne kishte me u dashë me shtie në burg gati mbarë qytetin; mbasi s’âshtë kush, të thuesh, që s’ka armë të mëshehuna. Edhe shì dje, sa ishin tue shkarkue në doganë ndihmët, që Austria e Italia ishte tue i çue popullit, plot shkodranë, prej gëzimit e entuzjazmit, s’mund u ndalën pa qitë pushkë. Ndërsa qeveria e Malit të Zí rri tue iu vû për gjurmë e tue i ndjekë me burgime ata që diftohen ballafaqe si atdhetarë, n’anën tjetër ban çmos, për me i marrë me të mirë myslimanët e me i bâ për veti. Ndër këta të fundit, e vërtetë, pak janë ata që shkrîhen e janë të djegunë për Shqipni, shumica s’e çán kryet për punë t’autonomís, tash që po shkon turku. Kur tash një ditë i pyetën disa kësi krenësh, ata rrudhën krahët. E dje çuenë me e pyetë edhe Myftínë për këtê punë; por kot. Për fund ky i përgjegji: “Myslimanët janë të nënshtruemë gjithmonë atij që ka në dorë kalánë e Shkodrës” Kështu, ndërsa myslimanët përgjithësisht rrijnë ndrýe ndër shtëpia të veta dhe diftohen si dorëjashtë shì në këtê kohë, në të cilën âshtë tue u dá fati i qytetit, të kështenët për kundra s’i zen vendi e s’mund të rrijnë pa e shfaqë, edhe me rrezik të jetës, gëzimin e përmbrendshëm të zemrës. Gëzojnë, pse ka ardhë dita kahmot e dëshrueme, me shpëtue një herë e për gjithmonë Shqipnia prej robniet së turkut e me dalë zojë në veti! Njëmend, paksi turbull endè janë punët, e liria e autonomís kombtare nuk shihet ashtu mirë; por prap, një shkëndí shpreset duket se duket. Këtij mendimi janë të krishtenët gati të gjithë e një numër atdhetarësh myslimanë, të cilët përbâjnë pjesën ma të zgjedhunën e qytetit. Kanë fi llue qyshë tash me u bâ mbledhje, tinëz qeveriet malazeze; kanë nisë me u marrë vesht nacjonalistat shoq me shoq, kanë fi llue me u ngrehë shoqní, pjesëtarët e të cilavet, sado që veprojnë n’atë veten, mundohen mos me u diftue përjashta, për mos me i qitë vetit të çame krejet. Mbledhjet i bâjnë; por i bâjnë si mëshehtas e jo gjithmonë në një vend. Edhe, për mos rá, pjesëtarët nuk hýjnë për deret, por e mësýjnë vendin e mbledhjes tue u përshkue oborr n’oborr e tue shkapërcye gardh mbë gardh. Ndër këto bashkime të mëshehta secili u a kallëzon shokëvet çka ka mujtë me ndie, lajme për rreth pamvarësís kombtare, të cilat auktoritetet e Malit të Zí bâjn çmos, për mos me i lanë me depërtue. Kështu, b.f. prej këso mbledhjesh duel fjala, se Z. Plamenaci kishte vojtë në Shën Gjin, për me u pjekë m’admiralin Anglez, edhe ishin marrë vesht bashkë përmbi të hýmit e marinarëvet europjanë në Shkodër. Në të shpejtë, ndërkaq, e tinzisht u formue Komiteti, për pritjen e gatimin e festimevet, në rasën e të hymit të trupavet ndërkombëtarë në qytet; që kishte me kenë i pari shenj i agimit të jetës të Shqipnísë autonome.
Ndër shtëpia grátë e varzat këso ditësh s’bâjnë tjetër, veçse rrijnë tue pré e tue qepë flamurë kombëtarë: Pëlhuret së kuqe, qëndisë për mjedis shqypja e zezë me dy krenë, njashtu si e dijmë se e kishte Skandërbeu, atëherë kur luftonte heroikisht, për me qitë jashtë turkun prej atdheut. Gjithçkahja punohet e gatuhet tinëz e në terr; por edhe jo aq tinëz, sa mos me u shkue në vesh sundimtarëvet të ri. Po; malazezët i shohin e i dijnë të gjitha. E kanë kuptue prej shenjesh, gëzimin e entuzjasmin e popullit, që shpejt tash po shpërthen prej zemrash së qytetarëvet të lirë, i cili gëzim tash po merr hapët, tue përfshì fushat e malet e mbarë dheut t’Arbënit. Vlon ndër zemra të popullit ky dëshír i ndrydhun tash sa vjet, të cilin e shohin sod ke i ka ardhë dita me u shkue në vend. Edhe sado me frikë, sado me roje të madhe, shkojnë tue i a lëshue shoqi-shoqit ashtu nga një fjalë, me buzë në gaz, e tue i bâ me sý njeni tjetrit; S’mund të ndalen; s’âshtë e mundunë. Momenti âshtë tepër prekës, zemrat janë tepër të përmallueme, puna tashma ka vojtë në tê: Shqipnia po del në veti!
Ky asht nje liber qe duhet ta kishte ne shtepi gjithkush i thote vedit SHQIPTAR.
Falnderoj z. Bucpapaj per botimin ne kohen e duhun!
Me respekt.