Dý hijet e dekës: Bombardimi e ûja!
Tmerri e damet e bombardimit, këto vîjnë e bâhen ma të pikllueshme sidomos kohën e natës. Natën, me të gjetë rreziku, nuk ka kush ta ngjet dorën. Qe b.f. mbramë dý gjyle të mëdhaja nga 120 mm. ránë përmbi një shtëpí përdhese, tue varrue randë një grue vetë të gjashtën, me 5 fëmijët e vet. Nade kjénë gjetë dèkunë: Pluhuni e tymi u a kishin marrë frymën të vogjëlvet të shkretë; e ama kishte mbarue ma fort prej gjakut së shumët që kishte derdhë; d.m.th. prej emorragjiet. Kush e di, me u pasë shkue kush në ndihmë menjëherë, do të kishin shpëtue të gjithë! Ndërkaq ûja, kjo hije deket e sigurtë, kjo sidomos e këputi popullin. Valia diçka mundohet me i u gjetë këtij në ndihmë. Por gjithmonë me masë, deri diku; tue prekë në grunin e ruejtun për ushtrí. Mirë; por nuk mjafton. Prap se prap, për ditë ka asish që desin unit. Ndonjë ndihet edhe se ka luejtë mendësh prej tmerrit e prej së hjekunit keq. N’anën tjetër, ka dalë fjala edhe, por s’dihet, a âshtë e vërtetë, se disa kanë mshehë grunë me shumicë. Presin me e shitë sa i biri t’amën, kur të shkojë sa ma shtrêjtë.
Qe b.f. dje, tue shkue shokët me u ndihmue me fikë zjarmin ku kishte rá gjylja e topit, njeni i a bani:
– Fort ma mirë, kishte bâ gjylja me pasë mbytë të zotin e kësaj shtëpie me të tanë robët e familjes së tij!
Ndër ata që gjindeshin aty përanë, ishte vetë i zoti i shtëpísë; i cili flakë për flakë ia kthei atij guximtari:
-S’ka ndryshe, por sigurisht, që shtazë, ja bishë e egër do të jetë ai njeri, që fl et sod këso dore!
-Po ti atëherë, çka jé? – i përgjegji ai. – A nuk jé ti ma i zí se egërsinat e malit, ti po thom, që mban mëshehët 40 thasë grunë, e pret me e bâ nga 20 napoljona barrën, ndërsa sod gjindja janë tue dekë unit?
– Edhe, tue thanë këto fjalë, bante me gisht kahë do thasë drithit, që shiheshin nëpër rrenoja të shtëpísë. Nuk kaloi ma shum se një orë, e gjithë njata grunë i kje konfi skue prej qeveriet, pa faleminderës! Për ma tepër kje kapë e grishë me përgjegjë në gjyqin ushtarak.
Të dëspruemët e ûnit.
Mbramë, te furra e Serreqit njeni britte të madhe: “Tash trí herë që vîj këtu me blé bukë, e gjithmonë më kanë përcjellë pa gjâ. Tashma jam lodhë e më ka ardhë shpirti me dalë: S’mund të qëndroj ma prej unit!” – Edhe qyqari, tue i thanë këto fjalë, namte e truente plot gojën, luftë e komandarë e të gjithata që kanë faj në këtê punë e që i japin shkas të shkojë puna kaq gjatë.
Një xhandár e kapi për krahut edhe e këshilloi me të mirë, që ta lente e mos ta çonte ma gjatë; pse për ndryshe…
– As unë s’kishem me folë kështu, por jam ngusht! Janë 3 dit që s’shtie gjâ në gojë – i përgjegjë rrezikziu. – Ma parë due me dekë, se me e shtýe jetën ma kështu!
– Po ti mirë, – i a pret xhandari – tue u tallë me tê. Në të pastë marrë malli me dekë, ti pse s’e mbytë vetin?
– Pse s’kam pushkë.
– Qe, pra, a do pushkë? – i thotë xhandari tue i a dorëzue revolverin e vet.
Ai orëprémë i a muer përnjëmend edhe i a mati vetit për nën fyt. I hoq gisht edhe i u derdhën trûtë mbë tokë…
Pak para se me dhanë shpírt i rá në mendë me i thanë dikuj aty: “Na, e ktheja të zotit këtê pistoletë, edhe falju nderës xhandarit!”
Xhandari, tue pá atë shëmtim, e se ai e kishte marrë përnjëmend fjalën e gazit të tij, iku u zhduk e s’u pá ma aty.
Kësosh rasash tragjike të bje me ndie gati për ditë. Qe f.v. edhe një tjetër: Një mysliman kje detyrue me vojtë ndër llogore, ku do të bante rojën e natës, pa dá. Atij të shkretit po shì aso ditësh i kishte dekë e shoqja, tue i lanë dy fëmijë, prush për tokë. Përpara se me u nisë për front, i a la këto foshnje një plake, tue e sigurue, se do ta kishte pague sa ma parë. Plaka n’atë të veten, mjaft u mundue, sado nevojisht për ata dy fëmijë. Por s’kje e zoja me shtýe as ajo vetë; edhe një prej ditësh rá e ligë. Fëmijët gjithë ditën e lume, kjaj e brit; nuk pushojshin një minut, kahë s’e shihshin rreth vetit plakën. Banë si banë gjindja, edhe i çuenë fjalë t’et, se i kishte punët keq në familje. Ky i lypi lêjen me u kthye; por s’i a dhánë. Atëherë vojt dikush, edhe, mik mbas mikut, i duel me ardhë në familje; por vetëm për ndonjë orë, jo ma! Kur u kthye ai babë i shkretë e i pau fëmijët e vet, fëtyrën verdh si fi cka, âjë sýsh prej vajit e gërvishtë faqesh, prejse s’kishte pasë kush me u dhanë me hangër, para gjithkëtij shëmtimi i hyni tmerri, treti mendësh, u dridh krejt shtatit, edhe n’atë disprim, hoq mauzerren prej krahut, qiti dý herë mbë fëmijët e vet; mandej suell e vrau vetin! Ndie pushkët, nganë t’afërmit e fëqinjtë; edhe pánë tre vetë të dèkunë, rá shoq mbë shoq. Njatje diku në një skâj shihej plaka tue hjekë për dekë.
E shtune, 9 mars 1913. Ministri i Malit të Zí: Z.Plamenac në Shkodër
Ndërkaq, qyteti pa i a dá gjuhet më topa, madje edhe me predha të kalibrit të madh. Tash prap, edhe nga Bardhanjorët, malazezët kanë nisë me e gjue qytetin me topa me shprazje të shpeshta, që përpara nuk i kishin. S’ka ditë tashma as natë pa të dèkunë e të varruemë. Këso ditësh edhe krahu i myslimanëvet ka të bjerruna të mëdhaja; por nuk dihet, sepse ata mundohen me i mbajtë mëshehët edhe mos me e bâ të madh damin e shkaktuem prej bombardimesh së padáme. Do djelmëve kristjanë, të cilët u kishin ngá musilmanëvet në ndihmë, kur kishin ndie se diku asajt kishte shkrepë gjylja, u thánë : -Jo, jo; s’âshtë gjâ. Një múr i keq âshtë rrëxue. Qe; kurrgjâ tjetër! Por ne e nesret nade, si mëshehtas, u pánë tue e çue me u vorrue një fëmijë prej asaj shtëpie, të cilin e kishte mbytë granata po shì natën para. Prap në njenën këso familjesh, banue prej myslimanësh rá gjylja e topit, tue damtue e tue shëmtue plot. Njenit i a dogj sýtë e e bani të verbët me ças; një tjetri i a shtypi dorën, që i u desh doemos me e pré. Një tjetër, prap pjesëtár i kësaj familjeje, pati rrezik n’atë rasë, e gjylja i thei trí brîjë. Me gjithkëto të zeza që i kishin gjetë, prap se prap gjindja shkojshin tue i a bâ shoqi -shoqit: – Prap mirë, duhet me thanë; mbasi që gjylja ka mujtë me bâ edhe ma dam! Në vizitën e mbrame, që erdhi me bâ në qytet Ministri i Malit të Zí, Z. Plamenac, – ankoi kinse fl amurët po vêheshin do e kudo, vend e pa vend. Ndër tjerë përmendi hotelin “Europa”; i cili ka një muej e ma, që e ka hjekë andej. Gjithnjë Z.Ministri e kishte pasë përnjëmend; pse mbas pak ditësh, rreth mbramjet, një gjyle erdh e i rá hotelit “Europa” – Miçiç. E bani dam mjaft; shpartalloi do mure bashkë me depozitën e gjanavet t’ushqimit, të cilat vojtën, mos me pasë çka me pá me sý. Këso ditësh frika e tmerri ka shkue tue u shtue. S’mendohet sod tjetër, veçse athue po mund të shpëtoj shëndosh me krye. Kahë s’di me thanë kush, si do të bâhet puna nesër, se i cili veç ka hý në vete e dro, se s’di çka po e gjénë. Kanë nisë gjindja edhe me hangër ma pak se përpara, për me mujtë me shtýe, thonë, edhe ndonjë ditë ma tepër. Mandej edhe, secili për vete, kanë shkue e kanë goditë si një farë llogorjet a mbrojtjet në shtëpí të vet; mendësh së veta, sa ma fortë e të sigurtë. Kanë vojtë e kanë shtrue përmbi mblojen dërrasash dyshekë leshit, tue kujtue, se nuk ka çka u ban gjylja e kalibrit 24 mm. Njeni ka vojtë e e ka veshë gjithkahë anash odën e vet ashtu edhe përsypri. Rrethue prej jo ma pak se prej 160 dengash leshit, âshtë strukë aty mbrendë, natë e ditë! Ka asish mandej, të cilët e kanë rrethue odën, nalt e poshtë me thasë dheut e me copa hekrash. Qyqarët! Mendja u thotë, se tashma këso dore e kanë sigurue jetën, e se aty mbrendë s’i gjén gjâ! Ju a ka tretë Zoti edhe s’e mendojnë, se t’u ramen gjylja, në mos i mbyttë ndonjë copë a thermí e saj, ata doemos prej hovit të shprazjes kanë për t’u mbulue si në vorr nga të gjitha ato sende, që kanë vû mbi krye, kinse me u mbrojtë! Të shkretët! Mbasi kanë mbërrijtë me i a mbushun menden vetit, se aty nën podrum nuk i gjén gjâ, rrijnë të qetë, nemose deri që t’u bijë një gjyle dhe t’u a hjekë mendësh atë sigurí t’andërrueme. Ata s’kishin pasë nevojë me bâ tjetër, veçse me pasë shkue me e pá efektin që kishte prodhue gjylja ndër shtëpia, që e kanë pasë rrezik m’u rrenue prej soje! Esat Pasha, për ma mirë kinse, familjevet të konsujvet u a ka lëshue një shtëpí të madhe andej kahë kodrat e Tepes, ku duket se nuk i a mbërrijnë topat e anmikut. Valia thotë kështu; por gjindes së huajë nuk u a mbushi menden. E provuen; por mbas së pares natë ikën e s’u kthyenë ma n’atë ndërtesë të shpartallueme, pa dyer pa dritësore!
E mërkurre, 12 mars 1913. Një bombardim i jashtëzakonshëm
Përcjellë prej dy ofi cjerësh, ministri Z. Plamenac erdhi prap me vapor e zdrypi në doganë. Ma të parën fjalë, paska pasë kërkue, t’u dorëzonte qyteti. Mbasi ndêjën tue bisedue me Esat Pashën gati tri orë, këtij nuk i u mbush mendja kurrë me i rá në dorë Malit të Zí. Atbotë i kje dhanë Shkodrës një ultimatum, që do të mbaronte mbrenda 48 orëve. Ultimatumi ngjati deri sod nade. Pa pritë pa kujtue, njaty n’orën 10 paradite t’i a fi lluen me rá si breshni mbi të ngratën Shkodër topa e shrapnela prej kahmos, por posaçe nga Bardhanjorët. Ky s’kje, veç shenjë se do të zente fíll bombardimi i përgjithët. Kështu që me të parën u duk, cilat krahina të qytetit ishin dá me gisht, për me gjuejtë atë ditë nga qendrat e ndryshme të malazezvet. Andej prej Zogaj gjuejshin Pazarin edhe Parrucën; prej Bardhanjorëvet synojshin me e dyndë anën e krishtenimit. Ata tjerët, prej Mesit e Myselimit qitshin pa dá, me topa edhe ma të mëdhaj, përmbi ndërtesa ma në shenj e ndër disa pika të caktueme. Ky bombardim i përgjithët ngjati gjithë ditën. Njandej kahë mbramja e la për ndonjë orë; mandej i a nisi prap. Hidhshin mbi qytet kësi shtegu ma fort shrapnela. Këta, ashtu dame të mëdhaja me bâ nuk banë, e vërtetë; por i a qitën popullit frikën; edhe i u desh dikuj-dikuj me dalë e me e lanë atë strofullin e vet e me kërkue strehim ngjeti. Rrenime e dame të mëdhaja por, për kundra, banë topat me gjyle 21 e 24 mm hjedhë përmbi qytet prej Mesit e Myselimit. Ata, po, trandshin e zhgulshin shtëpiat që prej themelit; murin ase avullín e rrëxojshin, edhe gati njashtu një cope e hidhshin një herë përpjetë deri në 10 a 15 metra nalt, që shkonte e binte kun larg, prej ku e kishte zhgulë. Mandej sod, më sa dukej, anmiku e kishte me Kishën Katedrale të qytetit. Po ma se 20 gjyle aso së mëdhajash i kanë rá Kishës së madhe, ku gjindeshin strukë nja 1000 vetë, gati të sigurtë, se aty nemose do të gjêjshin shpëtim, mbasi Mali i Zí deri atëherë kurr nuk kishte synue vendet shêjte. Por atë ditë qitën edhe këtu. Mbytën 9 vetë edhe varruen plot tjerë. Predhat, sa uji, kanë rá sidomos në pjesën e të hýmit të Katedrales. Ballin gjylet i a kanë repë faret e i a kanë shëmtue keqas. Ashtu edhe anash, pullazi e lterët, shumica kjénë çartë e vojtë me t’u dhimbtë. Shkurt, Kisha e madhe e Shkodrës e ka ndie fort: ma se gjysma, prej bombardimit, ka vojtë dam. Sakristia mandej, âshtë rrenue e bâ të thuesh, një grumbull germadhash, tue çue dam gjithato petka meshet e orendí lterësh fort të kushtueshme, që ndryente mbrendë. Prej sakristiet zjarmi, mbasi ishte aty ngjitë me tê, u kap edhe te kumbonarja. Nuk mbeti kush pa kjá ndër katolikë atë natë a zemër pa u lkundë, kur natën për terr fi lluen me u dukë prej dritësoresh të kumbonares shkulmet e fl akëvet e fjollat e tymit. Edhe kumbonët të gjitha, të pêstat djegë e shkrumue kasteli që i mbante, ránë mbë tokë, tue u bâ copë e grimë. Bombardimi i qytetit ka ngjatë gjithë natën e lume mbramë edhe ka vijue sod gati gjithë ditën. vetëm sod mbasdite n’orën 3 deri në 5, njatëherë diçka na kanë pushue veshët. Malazezët i a kanë dalë qëllimit. Mbasi nuk mujtën me e marrë Shkodrën me armë, tash janë tue bâ çmos, për me i a shtie frikën e panikun popullit të shkretë, i cili tashma ka vojtë prej mjerimit e disprimit ke s’ve’ ma: Me t’u dhimbtë! Ngarkue mbi shpinë dyshekë e jorgana, shihen të shuemët tue ngá andej e këndej, si miza pa krye. Shkojnë tue kërkue vendet diçka ma të sigurta, të cilat Mali i Zí i ka kursye e s’i ka rá në mendë, a s’dihet pse, me i bombardue. Ndërkaq, gjindja janë bâ si të marrë prej friket. E ngasin të shkretët për të kërkue vend ku me u strukë, sa me shpëtue me krye. Njëkohësisht por, nën njatë breshní topash e shrapnelash janë të ngushtuemë me e kërkue kun për një kafshatë, që s’dijnë as ata vetë, ku merret. Mandej, edhe kur u del m’e gjetë një grimë odë, paksi ma të sigurtë prej bombardimit, njaty do të struken 20 deri në 30 vetë, tue u rreshtue mbrendë si fyshekët në qese. Jase, po s’mujtnë me gjetë kun ndonjë strofull, sa me shtie kryet, zanë vend kudo, njashtu, ndihmo Zot, rrugës, mbas ndonjë shtëpiet së madhe, a mbas ndonjë muri së naltë; ku janë në rrezik doemos, me mbetë si nën bat prej një çasi në tjetrin.
E prende, 14 Mars. Lagja “Arra e Madhe”, vend strehimit e shpëtimit
Ndërsa në katër anët e qytetit predhat e bombardimevet të Malit të Zí shkrepshin furishëm, tue prû gjithkun dekë e rrenim, váj e trishtim në një skâj të qytetit, në krah kahë jugu, në lagjën e Arrës së Madhe, mund të merrej frymë diçka ma lirisht, ishte ma qetësí e siguri. Krahas me krahina tjera të qytetit, kjo Arra e Madhe, lagje si në shmang, dukej si me kenë e harrueme prej anmikut. Nuk duem me thanë me kaq por, se kahë ky krah Mali i Zí s’kishte gjuejtë kurr, e se gjylet e Mesit e të Taraboshit nuk vîjshin me e pá kurr. Gjylet bijshin, por fort ma rrallë se ngjeti.
Dojshin me thanë, kinse predhat nuk i a mbërrijshin deri këtu, s’kishin aq hov e fuqí me u kapë deri në këte lagje të skâjshme të qytetit. Por, s’na bâhet ta besojmë këte gjâ, mbasi kemi para sýsh, se shì prej atyne qëndrave të gjuejtjes s’anmikut, bombardoheshin edhe shpesh kodrat e Tepes, po nja një gjysmë oret ma larg se objektivi i Arrës së Madhe. Sidoqë të jétë puna, kjo lagje si jashta doret, muejt e fundit të rrethimit sidomos, erdh e u bâ qëndra e shpëtimit dhe streha e shumë familjeve të të rrethuemëvet. As po hýjmë këtu të njehim emën për emën, sa u strehuenë në këtê lagje n’atë vërshim të mënershëm gjylesh dekëprûese. Mjafton të përmendim këtu, se nën hijen e këtij kuvendi të vogël françeskan të kësaj lagje s’Arrës së Madhe gjetën strehim e qetësí: Imz. Ják Serreqi, Arqipeshkvi Metropolit i Shkodrës, vetë i 15-ti. Mandej Imz.Bernardin Shllaku, Ip. i Pultit; Imz. Gjon Bushati, famullitari i Shkodrës, vetë i gjashtti. Këtu kishin rrâ me u strukë, bashkë me vëllazën tjerë prej Gjuhadolit, gjithsejt 22 fretën. Këtu, të gjitha motrat stigmatine, 25 veta; këtu, motrat servite, gjithsejt 15 veta. Shto edhe një numër mjaft të madh familjesh shekullare. Këta të gjithë, mbasi që u mbush kuvendi poshtë e nalt, sallat, odat e rruginat; për fund, kur s’mjaftoi vendi me i përfshìe gjithatë morí njerit, u shpërdánë gjindja e zunë vend, njashtu si mujtën, ndër kopështîje, ndër oborre, livadhe e vëneshta përreth kuvendit. Përbûjtje njëmend, ndihmo Zot, por ç’me bâ?… Ma mirë njashtu, nevojisht, sa me shpëtue me krye! E si kuvendi, njashtu kjénë mësýe e mbushë edhe shtëpiat e lagjës në fjalë. T’afërm, miq e të njòhtunë i a siellshin shpinën shtëpiavet të veta ndër pjesët ma të bombardueme të qytetit, edhe ngitshin me u grumbullue si fyshekët më qese, sidomos ndër shtëpia ma të mëdhaja të lagjes, si familja Gjinaj, Pema, Pepa etj.
Rekordi bombardimevet!
Të ngushtuemë tashma shkodranët e të màrrunë mendësh, pa dijtë kahë me i a mbajtë, janë bâ si t’arratisunë, në vend të vet, si të huajë ndërmjet banesësh së veta. Sa gjyle që shprazen aq namë e të trueme plot gojën lëshojnë kundra Malit të Zí, posaçe grania. Edhe këtê mëní s’ka gjasë se mund ta qesin mendësh se të jénë gjallë. Kjo âshtë pasoja, ky âshtë fryti që ka fi tue Mali i Zí tue bombardue qytetin e pagjët; Ka bâ anmik të madhin e të voglin; pse, me ato gjuejtjet e veta, ia ka prû shpirtin në fyt e ia ka ngrî gjakun ndër dej gjithkuj. Deri dje s’kanë kenë ma veçse nja 4 a 5 të dèkunë; ashtu edhe pak të varruemë. Shtëpia të rrenueme prej gjylesh kanë kenë plot. Në Konsullatën e Italís kësi shtegu kanë rá 3 shrapnela. Dam kanë bâ; por jo edhe gjithaq. I a kanë këputë për mjedisit shtyllën e fl amurit. Mbrenda dý ditëve e një nate kjo konsullatë ka pasë 22 shrapnela. Mjaft, e vërtetë; por rekordin e ka pasë shtëpia e inxhinjerit françes Briot. Ky zotní lëvdohet, se ka pasë në dhantí deri më sod prej malazezvet 52 shrapnela, gjithnduer kalibrit. Ndërkaq, bombardimi i Katedrales vijon prap se prap, i rreptë njashtu, nëmos ma tepër se përpara. E ndërsa i ishte dhanë zjarmi kumbonares, gjithnjë, krye 10 a 15 minutash, prej Boksit e Myselimit i a behshin gjylet e topavet; gati si me dashë t’u qesin ndër mendë atyne që dojshin me shkue në ndihmë, për me fi kë zjarmin, mos ta merrshin këtê mërzí, pse mund të daheshin keq. Përsa i përket bombardimit të qytetit të qetë, qe çka shkruen Hortensia Zambauer: «Kur fíll mbas çlirimit të Shkodrës erdhi e na bani një vizitë miqasore Min. Plamenac, ditën e Zojës, 26 Prill; edhe më pyeti, si ishem, i përgjegja: «Falemi nderës Zotit, s’ka ma mirë! Por mos i kjofsha falë malazezvet, të cilët kanë bâ ç’mos, që mos t’u njehshem unë ma në numrin e të gjallëvet!» – Edhe Ministri, bé e rrëfé, kinse kishte kenë përherë kundra bombardimit të qytetit! – Një bé kjo të cilën ta përsritë çdo malazias që të fl itsh me tê!»
E prende, 21 Mars 1913. Qëndrimi me shpírt ndër dhambë!
Me bâ çudë! Tash nja disa ditë s’ndihet pushkë as top si përpara. Shum me i a vû, kanë rá nja 40 gjyle, jo ma, përmbi qytet gjithsejt. Sot nade, mbas bombardimit d.m.th. n’orën 14, kanë ardhë në doganë të Shkodrës ministri i Malit të Zí, E. Plamenac, bashkë me dy ofi cjera të naltë. Bajlozat lypën edhe një herë që të dorëzohej Shkodra. Por Esat Pasha nuk ndëgjoi kurrsi. Mandej Ministri, krejt për kundra prej çka kishte thanë përpara, i bani me dijtë Komandantit të qytetit, se tash ishin të lirë e mujshin me dalë konsujt e me e lanë qytetin, ata bashkë me nënshtetasit e huaj. Esat Pasha i përgjegji, se s’mund të lente me dalë kurrken jashta qytetit të rrethuem, për pa pasë një urdhën të posaçëm prej Stambollet. Ndërkaq, e pyeti delegacjonin e Malit të Zí, a mujshin me u lëshue këtyne të huajvet një zonë asnjanëse, ku mund të shmangeshin gjatë luftimevet konsujt me nënshtetasit e vet. Z.Plamenac i përgjegji, se sa për këtê gjâ, do të pyette Knjaz Nikollën. Kështu tha; por, as s’u pá ma, as s’i shkrou kuj për këtê fjalë. Mu, ndërsa pritej ndonjë gjegje prej anmikut, përsa i përket zonës asnjanëse, malazezët gjithnjë s’i a dajnë me ato të shtieme shrapnelash. Sod prej njenit kësi shrapnelash u varrue edhe viçekonsulli i Anglís, Z.Kolë Suma. Pardje kanë pá gjindja prap një vapor të vogël andej kahë Shiroka. Janë mundue me e qitë poshtë një herë këtê lajm, por puna âshtë e vërtetë. U pá edhe kahë i u avit këtij vapori malazias një barkë turke, në të cilën ishin mbrendë dy ofi cjerë turq. Njeni sish, koloneli, Komandanti i Taraboshit, Mehmet Qamili hypi në vapor; i cili, simbas fjalësh që kishin pasë me Z.Plamenacin, do të vêhej në përpjekje me qeverín e Stambollës. Le të shohim tash, çfarë fjalësh po na bje. Mund të jétë madje edhe, se prej njatyne fjalëve ka gjasë se mbaron rrethimi i Shkodrës. Palè ma!
3 Príll: Deliktet e Ûs!
S’dihet pse, veç ka do dit qëse na kanë rá veshët në paq. Populli këso ditësh së bukura pranveret diçka ka nisë me çelë sýtë, diçka ka fi llue me i u ngjallë shpresa prej këtyne lajmtarëvet që shkojnë e vîjnë. Tash s’i a ka gjithaq frikën e atyne gjylevet të randa, që lëshoheshin mbë qytet andej prej Mesit e Myselimit. Këto gjyle, që vîjshin tue ushtue e tue fëshkullue, e bâjshin popullin e shkretë me pritë tue dridhë, palè se ku po ndalet me prû dekë e shëmtim. Njëmend këto përnjëherë kanë pushue e s’ndihen ma, por rá buka e muer mbë qafë gjinden. Luftohet ky shauret i mnershëm i ûs, bâhet çmos; por gjithkush s’mund t’i bishtnojë. Dita më ditë janë kahë 5-6 apor edhe ma tepër, mbasi s’ka kontroll, – që desin për bukë. Me e këqyrë, as aq shumë nuk janë këto viktimat e ûsë, kur të mendohet, se sod u banë 5 muej, qëse i a ka nisë lufta, edhe qyteti ka kenë zanë papritmas, të thuesh; s’âshtë kenë shtrëngue me bukë, për një qëndresë aq të gjatë. Ka familje sod në Shkodër, që nuk hán, veçse një herë krye 5 a 6 ditësh, bukë thatë, merret vesht; kurrgjâ tjetër për me e mëlmye a me e përcjellë, posë ujit. Miell nuk ka. Tepër fat, me pasë për të gjetë kun me e blé nga 8 frank okën. Edhe atê si nën dorë! 8 frank ár, okën e miellit! Një çmim ky, të cilin, dorëhollët, edhe me e gjetë kun miellin, s’kanë me se e blejnë! Âshtë bâ sod çashtja e bukës puna ma kryesore. Njëherë së parit, ku me e gjetë; mandej, ku merren të hollat, për me e blé! E me e blé, sa t’i a vêjë i zoti pa i bâ fjalë aspak; por me e puthë e me e vû në báll!
Kur u hap këso ditsh zani, se Z.Kolë Suma, viçekonsulli i Anglís në Shkodër, bleu prej një myslimani një barrë grunë, 100 lira të verdha, i rá zemra në bark gjithkuj, tue mendue, ku kemi vojtë; 1 okë grunë, një lirë turkut, ár! Ka mandej, edhe asish të cilët, në vend të bukës, i a grahin rakís; tue kujtue n’atë menden e vet, se pija diçka ia forcon stomakun. E buka që hahet sod prej popullit, me e pá, të ndýhet. Qe: Një grusht miell, zí si qulli, tue i përzie mbrendë groshë a kërtolla a qiqrra; madje, edhe ato me masë, mbasi s’dihet, si i bâhet për ne e nesret. Shkurt, një bukë, që s’mund të thirret bukë; Një grusht miell a krunde, përzie me hitha, me rranjë këlkazash, me barishte fushash a gjithë të zezat. Hahet, veç sa me shtý edhe ndonjë ditë, sa mos me dekë; kaq! Por sod, që ka nisë me dalë pranvera, shihen gjindja aravet e fushavet tue mbledhë ku të hasin, rrapûca e kore e hîtha e gjithfarë barishtesh, në short me u helmatisë. Këtyne u shtojnë në grusht miell krunde, apor një fi je krypë. Me këso llapash shtýjnë sod shumë familje në këtê Shkodrën e rrethueme! Tash, që ka fi llue me u pá ka pak blerimi i fushavet për rreth, mund të thuhet, se kanë shpëtue, jo vetëm gjindja, por edhe ndonjë krye baktish, që ka mujtë, dikush, me shumë vështirsí, me e qitë në verë. Megjithse qeveria, s’ka bâ tjetër, veç kërko e mblidh ku gjente baktí për mish, sigurisht që edhe buka me u mungue ma parë ushtrís, se mishi.
Hajnia për fushë!
Sod, që gjithçkahja mungon, tue fi llue prej sendeve ma të nevojëshme për gjallnim; sod, po thom, kanë fi llue gjindja me vjedhë, tinës, natën, po se po; por edhe sý me sý, ditën për diell. I ka marrë e keqja e s’u vêhet aq faj! Ata që hýjnë me vjedhë në një shtëpí pasanikut, nuk këqyrin me i marrë këtij sende a orendí të kushtueshme. Jo, kërkojnë, a mund të gjêjnë kun ndonjë pakicë drithë, grunë, miell, mish a ndonjë gjâ që hahet. Sa për tjetër, nuk e çajnë kryet, s’kanë ç’e bâjnë. Sod për sod, mësi ka vojtë puna, edhe me e pa bërracin kush tue vjedhë, nuk i thotë gjâ, as s’shkon me e paditë kun. Rri ma mirë pa zâ. Nuk fl et, pse i dhimbet ai qyqár, të cilin e keqja e madhe, jo vesi a lakmia e gjâsë së huaj e ka çue n’atë shkallë, me vjedhë, një punë që s’ka bâ kurr në jetën e vet. Apor nuk fl asin gjindja, pse druen secili për vete, mbasi vjedhësi mund të siellet me i qitë shumë do të çame krejet spijunit e referuesit. Jo; deri më sod nuk dihet se e ka zanë a ka shkue me e paditë, edhe me e pasë pá me dorë në tê ndoken tue vjedhë. Edhe ai që ka pasë rrezik e dam prej këtyne njerëzvet të dispruemë, ma mirë rri e s’ban zâ. Janë kohët e këqia, edhe mund të të qesin punë. Kështu b.f. një pasaniku i kjénë grabitë dy thasë me miell: Gjithë uzdaja e tij në këtê kohë kaq të ngushtë për bukë. Vetë vjedhësit i u duk një punë tepër e pabukur, me shkue e me e lanë të zotin krejt pa kurrgjâ. Mbasi që grabitësit nuk i nevojitej për atë shteg ma se njeni asi thasësh, ndjeu dhimbë për familjen e pasanikut. Prandej, i çoi fjalë, t’i a qitte diku në një vend të caktuem 20 franga ár; pse e kishte në mendë me i a kthye njenin thes miellit së grabitun. Edhe njëmend kështu ránë në godi me bâ e u ndreqën me të mirë ndërmjet vetit! Fort ma mirë kështu. Pse, po ta kishte paditë vjedhësin pronari e ta kishte çue punën në gjýq, vështirë, se kishte mujtë me xjerrë gjâ, apor Zoti e di kur, mandej kishte mujtë me pasë ndonjë ngatërresë prej vjedhësit, edhe me e pasë fi tue çashtjen me gjýq. S’ishin kohë ato, me u rá mbrapa punëvet me gjykatore! Sod të vjedhin gjindja e të fi kin, jo vetëm në shtëpí, por edhe në rrugë të madhe; nuk e marrin në dorë vjedhësit, se po i dikton kush a po i sheh kush tue vjedhë. Qe b.f. kalon asajt një kál, ngarkue me dy kosha plot me bukë të xehtë, njatëherë dalë prej furret, për me u a çue ushtarëvet. Ai që i grahë kalit e ka kapë këtê për frenit. Ecë përpara, e nuk e sheh çka bahet mbrapa. Ndërkaq, i avitet dalë kadalë një burrë apor një djaloç, edhe, pa e diktue kush, i kapë nja dý aso bukësh prej koshit, e mandej, si me i pasë gjetë më rrugë të madhe, pa i hý ferrë në kambë, këthehet kahë shtëpia… Të gjithë e kanë pá; por s’bâjn zâ; e lanë me shkue në punë të vet. E vetë xhandari që e pau, solli kryet në njenën anë, e bani kinse s’dij gjâ. Këso dredhish ndodhin sidomos rreth furrash. E ka vû në roe b.f. braci dikê që ka çue me pjekë një bukë te furrëtari. Mirë; njandej kahë mbasditja, paksi vonë, ky shkon e paraqitet te furrëtari si i vëllai a shoqi, apor si një njeri i shtëpísë i atij që ka prû bukën me i a pjekë në furrë. E merr në dorëzim atë bukën e huaj, diçka paguen edhe për të pjekme, mandej drejtohet me atë bukë të huaj, kahë shtëpia e vet. Kur vjen ma vonë ai që e ka prû bukën me e pjekë, e s’e gjenë ma as tepsínë, atëherë kujtohet i shkreti për çka e ka gjetë. Mirë; por kahë me i a mbajtë? Bâjn edhe tjetrën. Kur njeni f.v. ka xjerrë prej furret bukën e pjèkunë, kahlehtas i vehet mbas shpinet ai tjetri, i unshmi, edhe, pa i thanë as faleminderës, i a grabitë në dorë. Zakonisht, këto lojna grabiet u rrijnë gati me u a bâ ma fort gravet e fëmijëvet. Këtyne mund t’u vidhet ma pa të vështirë, edhe grabia âshtë ma e sigurtë. Por herë-herë nuk këqyret ashtu fort. Kur iu afron ûja ma për së fortit, atëherë mësýejnë me u hjekë doret prénë edhe burravet me mustakë. Qe b.f., një ditë në një rrugicë andej kahë Parruca, një burrë i pjekun i u afrue një camërdhoku, i cili kishte në dorë një gjysmë buket; edhe bani kinse po i a hjekë doret. Djaloçi i u kujtue punës, e shtrëngoi atë bukë edhe ma fort për zemër. Ai trimi i huaj, i cili e kishte qitë cekën me i a grabitë atë gjysmë buket, hoq thikën prej brêzit edhe i a preu sapak djaloçit gishtat e dorës, me të cilën shtrëngonte atë gjysmë buket. Djaloçi, kur pau gjakun, e lëshoi bukën mbë tokë edhe u rrëxue e rá sa gjanë gjatë, tue qitë shkelma e tue britë në kupë të qiellës, për çka e kishte gjetë! Ai burri i botës, si mos me kenë gjâ, kapi atë gjysmë buket të djaloçit, e mëshehi nën xhaketë, edhe u nis e shkoi në punë të vet, tue shikjue gjinden për rreth me dy sý si bishë. Me kaq deshëm me thanë se, me pjekë sod një bukë te furrëtari nuk âshtë edhe një gjâ aq e lehtë. Prandej, tashma i a kanë zanë, edhe, kush ka me se e pjekë në shtëpí; apor, nëmos pastë furrë, çon e e pjekë kun te ndonjë i afërm. Po s’patën kurrsi i a bâjnë ndryshe, atëherë i përshpirten furrëtarit. Por, si tue e çue bukën, si tue u kthye prej furrëtarit, gjithmonë do të jétë i përcjellun mirë. Për ndryshe, âshtë puna me rrezik. Qyteti tashma ka vojtë në grykë të vorrit, mos me u njohtë se âshtë ajo Shkodra e parëshme. Nuk këqyrë, veç secili atë punën e vet.
E prende, 11 príll 1913. Të burgosunit
Përsa shohim dita me ditë, të thotë mendja, se kjo nuk âshtë, veçse fi llesa e asaj që do të ndodhi ma vonë. Me bâ me u shtýe lufta, e rrethimi me shkue tue u zgjatë, mos pyet! Njata çka ka mujtë me ruejtë e me vû n’anesh secili për ditë të ngushtë, hiq e mos ven, ka shkue natyrisht tue u mbarue. Ndërsa ushtarët luftojnë atje në front, për ta mbrojtun qytetin, tash âshtë rrezik, që qytetarët vetë kanë me u kacafi të, prej disprimit, e kanë me shkue tue i mbetë mbë qafë shoku-shokut, sidomos për me i a xjerrë gojet kafshatën e bukës. Këso ditësh, dje a pardje, nja dy xhandarë vojtën në Shtoj, për me u a marrë katundarëvet do krenë lopë. Këta, t’i pamen, qitën e i vránë xhandarët e ata vetë dolën në mal. Por, në këtê pështjellim nuk ka ngae kush me iu vû për gjurmë gjakësvet. Tash njëherë nuk âshtë marrë vesht, se ka dekë ma kush prej unit. Mirë; por dje prap u hap fjala se kishin pasë dekë, jo ma pakë se 9 myslimanë, me ta edhe 5 të krishtenë. Rrugës, me i pá, ndeshet njeri ndër asish që ecin a s’me ken të dèjun. Këputë gjujsh, marrë kambësh, krahët ngrehë përpara, si t’ishin të verbët.
Sýt hapë gapërr, këqyrin thik në një vend, edhe gojën e mbajnë për gjysmë çelë. Kur e fl asin ndonjë fjalë me një fi je zanit, me të zi me u marrë vesht, çka duen me thanë. Shokët e këtyne fatzezve, kur e shohin se u ka ardhë e mbramja kahë s’mund t’i bâjnë báll ngushticës s’ûsë, atëherë, për mos me dekë mbrenda në shtëpí, u ka anda me dalë e me dekë ma mirë rrugash; ku nemose dikush i sheh e dikuj mund t’i dhimben, e dhimba e tyne ka mundësí t’i a prekë zemrën ndonjë bamirsi. Tue lypë dje para deret së një pasaniku, bashkë me tjerë, edhe një lypës plak, priti sa priti. Por, kur nuk mujt ma, u rrëxue e rá dekun mbë tokë sigurisht prej ligshtiet, kahë s’e mbajshin kambët. Ndërkaq, të burgosunit, ata e kanë edhe ma ngusht: U a kanë ulë deri në 300 gram racjonin e bukës së përditshme; posë se dá edhe ky racjon i shkretë kohë e pa kohë e pa rrègullë. Katër vetë kanë dekë këso ditësh prej ligshtiet së pahaes. Tjerët kanë çue zanin mjaft e po testojnë, se i kanë qitë në harresë e po desin si të dispruemë. Disa rojtarëve, mbasi kjénë diktue, se u a dhetojnë atyne të shkretëve racjonet e bukës, një ditë të burgosunit u kanë këcye mbë shpinë në short me i mbytë! Por, për me u a mbyllë gojën këtyne e mos me i lanë të disprohen, u kanë premtue se, kur të vijë dita, ma parë kanë për t’i lëshue me i a mbajtë kahë të duen, se me i ngujue me dekë në burg prej unit!
E shtune 15 Príll 1913. Si hupi gjysmë thesit elbit!
Po bâhen plot 3 ditë, qëse ushtarët, përgjithësisht, nuk shtien në gojë dromsë buket. Kanë fi llue me u dá nga një galetë. Përparandej, nga 2 galeta për krye; por me nesër, do të fi llojnë me u dá nga 3 galeta për 2 vetë. Ashtu edhe racjoni i mishit u âsht voglue për së tepërmit ushtarëvet. Shpesh tash zanë me u dá këtyne, në vend të mishit të lopës, mish kualsh që cofi n prej unit.
Ushtria ka nisë me e ndie fort mungesën e ushqimit; të smundët prandej, edhe shkojnë tue u shtue dita ditës. Prej zvoglimit të racjonevet t’ushtarëvet kanë fi llue me hjekë keq edhe shumë familje shkodrane, të cilat kishin njerëzit e vet në front. Ushtarët parandej mujshin me i a hjekë vetit e me u a çue ndonjë send robvet te shtëpia. Por tash s’munden ma; janë ngusht për veti. Një mysliman, i cili ishte ndër llogore tash disa ditë lypi sa lypi me i dhanë ndonjë send, për me i a çue familjes. Si e pau, se s’po i a ven kush veshin, s’bani as një as dý, por kapi e e vodh një gjysmë thesit elb, që gjet diku. E diktuenë; edhe u muer vesht ma vonë, se polici ishte tue i u vû për gjurmë atij bashibuzuku, i cili e kishte marrë pa lêje atë gjysmë thesit elb. Kur e pau fajtori, se për punë të tij ishin tue marrë mbë qafë një rrezikzí të pafaj, i u dhimbt edhe e pati aq burrní, sa nuk e la të shkonte puna ma andej. U paraqit ai vetë në zyrën e policís ushtarake. I tha: -Nuk keni pse bierni kohë për rreth atij gjysmë thesi elb që ka hupë. Atê e kam marrë vetë. Janë plot 3 muej qëse gjindem në báll të luftës. Si në shpërblim u kam lypë të Parëvet, që mos të m’i lêjshin me dekë unit te shtëpia, nemose njatë grue me do fëmijë. Më kanë përgjegjë, se nuk mujshin kurrsi me u ndihmue; e atëherë u mendova me u ndihmue unë… Edhe, Ju lutem, venja menden e mos të m’i mbesë kush mbë qafë robvet të mí për këtê punë… Për ndryshe, po Ju kallëxoj, se unë bashkë me shokë të mí jemi gati tashma me u çue peshë kundra auktoritetevet të kësaj qeverie; e cila nuk kujdesohet me u a çue një kafshatë bukë familjevet tona, që i kemi lanë shkret, e kemi ardhë këtu, me pá dekën. Nësa fl itte ushtari, ofi cjeri rrinte tue i a lëshue sýnin herë atij, herë mauzeres që kishte mbë krah, herë revolverit, që mbante në brêz. Si e pau së mbramit, se myslimani fi lloi me u largue andej pa shtue tjetër, atëherë edhe ofi cjeri nuk i dha ma andej punës s’atij gjysmë thesit elb, e u nis e shkoi edhe ai në punë të vet.
E dielle 20 príll 1913. Pakënaqësia ndër ushtarë!
Gjithnjë ûja, kjo nuk âshtë tue i lanë me çue krye qytetarët e shkretë. Dita me ditë numri i të dekunvet prej soje vjen tue u shtue. Kahdo që të shkojsh rrugës nuk të bje me ndie tjetër, por váj e ankime burrash; por sidomos grásh e fëmijësh, që kjájnë e ankohen për bukë të gojës; leni tjerat. E nanat e shkreta shkojnë tue u a qitë përpara foshnjet, që kanë për gjiut, atyne që u kalojnë për brî. Nuk fl asin; por çojnë përpara duersh fëmijët e njomë, bâ asht e lëkurë, prej paushqimit. Si me dashë me u thanë me kaq bamirësvet: “Dhimbë, dhimbë, jo për né, sa për këta viktima të pafaje të luftës që do të vuejnë pa pikën e fajit”. Ka edhe asi fëmijësh, të cilët, lëshue prej prindësh, pse s’kanë ma çka u bâjnë, siellen sa siellen rrugash. E kur e shohin, se s’ka kush u bje mbrapa, ulen diku në një skâj; edhe njaty të shkretët e vogjël rrijnë e presin deri t’u dalë shpirti, në mos kjoftë kush që vjen me u a ngjitë dorën. Përgjithësisht tash desin dita me ditë deri në 25 vetë. Dje e sod por, thanë se kanë dekë unit 31 vetë. Katundarët e rrethevet, rá dikur, për me shpëtue në qytet, mbarue njatë çka kishin prû me veti, tue e pá, edhe ata vetë, se prej ngushticës së bukës sidomos, nuk mund të jetohet ma këtu, ma se njëherë kanë bâ mbledhje e i kanë lypë qeverísë me i lanë të kthehen nëpër vende të veta. Por, ka edhe asish të cilët kanë shkue vullëndetisht ndër balle të luftës, pa i çue kush përdhuní. Po nja 1000 kësi emigrantash qyshë mbramë u kanë sjellë shpinën llogorevet, tue lanë ndër çadra të veta pushkët e gjata e fyshekët. Kanë fi llue me zdrypë kush prej Bërdicet, kush prej Taraboshit. Mandej, kanë rá në pazár, ku, simbas fjalësh, duket se u kanë dalë para gjindja e shtëpís. Gjithsejt ishin nja 3.000 vetë, gati me u nisë ndër vende të veta. U nisën; por sa dolën në krye t’urës së Buenës, u a prénë rrugën do ofi cjera policiet bashkë me një të Shtetit Madhuer. U poqën këta një herë së parit me krenët e tyne; edhe, bje e bje, u a mbushën menden me të mirë me u kthye prap dalë, tue u thanë, se mbrenda dý ditësh, jo ma, do të bâhej paqja. -Paj, mbasi kemi pritë të rrethuemë – i a banë disa krenësh, – gati 6 muej, s’po bâhet nami, se po presim edhe 2 a 3 ditë! Edhe me këto fjalë të bukura, i pajtuenë edhe i ndalën. Kështu edhe ushtarët e rrègullët nuk janë kurrkun; rrijnë tue u ankue pa dá, sidomos për punën e ushqimit; sadoqë ofi cjerët plasën tue i sigurue, se kanë në dorë sod s’di sa krenë lopë për ta. Mirë; por gjâ me sý s’shihet kun! Tash një javë e këndej ushtria âshtë tue hangër mish kalit, apor edhe bagtísh tjera të cofuna unit. Në Bardhanjorë ushtria u çue peshë njajzit; edhe si në protestë, derdhi tre kazana me kësi mishi së cofët; tue u thanë ofi cjeravet, se dojshin me hangër edhe ata mish të mirë e të freskët, si ata. Për ndryshe, u thanë, se do t’i u dorëzojshin anmikut.
E hane, 21 príll 1913. Ushtarët turq i a fi llojnë gjithkahë me i u dorëzue anmikut.
Mendou e shmendou, ushtarët e frontit të Bërdicës e kanë vendue me i rá në dorë serbit. Disa myslimanësh prej Shkodret, ata ma të parët vojtën njëherë, për me u marrë vesht me serbë. I pyetën ma së parit, a do t’i kishin lanë të lirë, me u kthye ndër vende të veta; edhe a do t’u kishin bâ gjâ, me pasë për t’u rá në dorë atyne! Serbët u përgjegjën: “Na Ju presim me krahë hapët. Po; pse na serbët kemi luftue me Turkín; jo me ushtarët e saj veças; të cilët, n’atë vetën, e kanë krye ma së mirit dëtyrën e vet. Prandej, këta janë për t’u çmue dhe janë të denjë për ma të madhin lavd e nderim!” Mbasi i a morën serbit fjalën, edhe u siguruen mirë, ushtarët e Bërdicës kthyen e u thánë trûq ofi cjeravet të vet se, po mos t’u kishin shtue atyne racjonin e galetavet, ata do t’u a kishin sjellë shpinën ballit të luftës e llogorevet; edhe do të kishin shkue të gjithë, secili në punë të vet. Edhe nga Taraboshi, ndërkaq, shkepet një bataljon ushtarësh prej shokësh, e niset me ardhë kahë qyteti. Porsa i shkoi në vesh Esat Pashës ky lajm, u çue me u dalë para vetë. U foli e u foli, deriqë u a mbushi menden, të ktheheshin edhe një herë në front, tue i sigurue, se do t’u ishte shtue racjoni i galetavet edhe nga 100 gram në ditë. Edhe njëmend, fíll ne e nesret nade, pa mendue ma gjatë, u a shtuen racjonin atyne të Bërdicës e të Taraboshit. Mirë; por kur u shkoi në vesh puna atyne të Bardhanjorëvet, njaty kahë mjesnata u çuenë peshë edhe ata. Si n’protestë, banë një batare pushkë. Puna s’ngjati, veçse nja një orë. Valia vetë nuk duel, por ngarkoi Komandantin e tyne, që të mundohej me i pajtue disi e me i vû punës kapak sa për njëherë. Për fund por, kur ta këqyrish, ushtarët nuk janë çue peshë vetëm për punën e ushqimit; janë çue ma së fortit, pse tashma ka fi llue t’i lëshojë zemra. Janë plot 6 muej qëse qëndrojnë në báll të luftës me pushkë për faqe, pa pushue as ditë as natë. Tash janë lodhë; s’ punon ma. Mandej edhe një punë; as ata vetë s’e dijnë, për kê luftojnë e derdhin gjakun. Janë në terr; nuk e dijnë, të shkretët, ç’të mirë e dobí mund të ketë atdheu prej gjakut së tyne. Prandej, e kotë e faret pa qëllim u duket atyne sod kjo qëndresa e vet. U a merr mendja edhe, se të parën herë që t’i mësýjnë ashtu për forcë anmiku, sigurisht, që ata s’mund t’i bâjnë báll si përpara. Lodhë e këputë tashma prej mundit e së keq që vuejnë për një kohë aq të gjatë, ushtarët i ka lëshue uzdaja. Ditë e natë, të thuesh, çue, pa e bâ një sý gjumë; ushqye e mbajtë, ndihmo Zot; dhetue e përgjysue, shpesh ma fort prej vuejtjesh e smundjet, se prej plumbash s’anmikut, ushtarët e shkretë s’munden ma, u ka ardhë shpirti me dalë. Thonë tue folë shok me shok: “Âshtë kot tashma, me e vijue këtê farë jetet, rrethue në katër anët prej anmikut, kurse nuk shihet kun shpresa e fi tores. Ma mirë, me rá në dorë për mungesë të bukës, se me pritë që anmiku të të marri me luftë. Pse me i a lanë Malit të Zí këtê lumní; d.m.th që të lëvdohet, se e mujta anmikun me fuqí t’armëvet”. Kështu e mendojnë tash punën shumica e ushtarëvet. Njekështu edhe e fl asin me kêdo që ndeshin rrugës. Nuk ruhen, nuk i masin fjalët tashma: E kanë lëshue veten, e shfaqin atë mendimin e vet pa farë friket. Njeni, një shok aty e ndali e e pyeti një ushtár, i cili ishte ulë njatëherë prej Taraboshit: – Ej, si janë punët atje nalt? – Punët atje janë s’ka ma mirë, – i përgjegjë ushtari. – Po, tash për ditë rrijmë e bisedojmë me malazez, të cilët s’i kemi as 60 metra larg. – Atëherë pra, – e pyetka ky – paska gjasë, se anmiqtë po e bankanë për së shpejtit edhe një të mësyeme! – Morè, le t’a bâjnë gjithku të duen. Na s’e çajmë kryet! – Si tash: s’e çani kryet? Po ju, a do ta pritni? – Jo, na madje nuk i përballojmë. – Po me bâ me ju hý ndër llogore, atëherë?… – I lamë me hý sa të duen, – i a kthen ushtari, pa u xê aspak. Tashti, kurse ushtarët, edhe ata ma trimat të vlefshmit, mbërrijnë me folë këso dore, asgjâ ma! Janë demoralizue e i ka lëshue faret zemra. Ata kanë bâ çka kanë mujtë; nuk âshtë e drejtë, as s’âshtë urtí me lypë ma tepër prej sish. Këso dore, thom, do të ketë thanë vetë me vete Esat Pasha sonte, kur i telegrafuen prej Taraboshit se disa qinda ushtarësh kishin lëshue armët, edhe, lanë llogoret, ishin nisë me shkue në punë të vet, tue thanë, se nuk dojshin me ndêjë ma aty. Ata, me këtê mende, e kishin lanë ballin e luftës, edhe kishin marrë rrugën, për me u kthye ndër shtëpia të veta. Por Esati, u duel para, edhe, bje e bje, dikur u a mbushë menden, me të zi, me u kthye. Sod nade u pá tue u nisë prej doganet vapori i turkut me nja do ofi cjera mbrendë. Mbas gjithë gjaset, këta janë tue i çue anmikut një fjalë, e cila i ka kushtue fort shtrêjt Z. Kryekomandantit; Lajmtarët e po barshin me vete barrën e idhtë, për me shkue e me folë me anmik, përmbi kushtet e dorëzimit të Shkodrës!
Komentet