Vaji i të varruemëvet.
Ndërkaq, të varruemët e shkretë pa prâ ankohen se nuk u bje mbrapa, s’i këqyrë kush. Shumë kësish fatmjerësh shajnë e s’lánë gjâ pa thanë kundra oficjerësh. Kështu, ndërsa një i varruem e kishte kundra një oficjeri, ky suell me i rá atij fëtyrës. Por u çuenë peshë edhe lëshuenë mb’ofi cjerin një dorë ushtarësh, që ndodhshin aty; e morën me i dalë zot shokut. Njeni prap prej ushtarësh së varruemë e lutte komandantin e vet, që ta largonte nga balli i luftës, pse nuk mujtte ma prej dhimbash. oficjeri i përgjegji, se nuk mund t’i a jepte lêjen kurrsi, i tha: “Janë ushtarë pak, edhe duhet që mos të largohen, e mos t’a lëshojnë frontin”.
N’atë idhnim, pse s’i a dha lêjen, ushtari i varruem qet në komandantin e vet, i cili lëshon me i a hjekë doret pushkën ushtarit. Mirë; por i ndêjën gati do ushtarë, shokët e tij, të cilët e mësýejnë oficjerin, i a hjekin armët e brêzin e e shtrojnë për tokë. Mandej, kapin e e vénë në vig shoqin e vet, ushtarin e varruem, edhe nisen me e çue në spital; tue u zhdukë kështu prej frontit të gjithë, pa i marrë lêje kuj. Disa tjerë, edhe ata i a bâjnë si këta të parët; largohen prej llogoresh ashtu në krye të vet, pa i thanë gjâ njerit të gjallë. Prap, edhe do tjerë, çeta-çeta, shihen kahë zdrypin prej kodrash, për pa pasë kurrnjë shkak a fjalë prej kuj. Oficjerët e shkretë, mbetë tash vetëm, këtu në këtê repart, kun nja 5 a 6 në një faqe, s’i këqyrë kush, as s’e çajnë kryet ushtarët për urdhëna e kërcnime të tyne. Jeta e këtyne oficjerave tash, të thuesh, âshtë ma në rrezik prej ushtarësh së vet, sesa prej malazezësh! Po tash ndër llogore e prita nuk kanë mbetë ma se 100 vetë. Edhe këta veç, kur u pánë sod nade n’orën 4.50 kahë zdrypshin në pikë të vrapit, prej Kodrash së Bardhejvet e tue mësý me hý në qytet.
Ushtarët e Turkut, që i lanë llogore.
Llogoret e turqvet kanë fillue me mbetë thatë: por nuk mbesin kështu për shumë kohë. Menjëherë mbas i a behin aty malazezët, tue lëshue vigmën e tue britë si të çmèndunë prej gëzimit e tue e bâ një batare pushkë, gjithnjë prej entuzjazmit. Kështu njëherë; por qe se po shihen tue ardhë nga qyteti nja dy bataljona ushtarësh, kinse për forcim të shokëvet. Por kot; pse tashma ishte tepër vonë e lufta mund të njehej e bjèrrunë. Ndërkaq, nga Bardhanjorët i telefonojnë komandës në Shkodër, se nizamët i kanë lëshue llogoret. Mirë, po shì njatëherë po shihen tue zdrypë prej kodrash së bardhanjorëvet gjithnjë kësi redifësh së turkut, ndërsa Mali i Zí s’i a dán, por rri tue qitë mbë ta. Dizertorët, t’ikun nga balli i luftës, të gjithë, si thámë, drejtohen varg e vistër kahë qyteti. Kur kapen te ura drunit e Zallit të Kirit, xhandari i rojes e ka urdhënin, nësa âshtë lufta në kambë, mos me lanë me kalue asajt kurrken. Vetëm ushtarët mbë kál, që vîjnë prej kodrash, për me hý në qytet; apor edhe ata që kalojnë me vigjet e të varruemvet; Këta lêhen.
Atë ditë ma i pari që u duk asajt, tue dashë me kalue urën, ishte një redif, i cili me të zi po ecte prej ligshtiet. Roja e la një herë me u avitë. Kur kje ma ngjat, e pyeti:
-Ej ti, kahë po i a mban kështu?
Ushtari nuk i përgjegjë, as kështu as ashtu; edhe merr me shkue në punë të vet. Por roja, simbas urdhënit, qet mbë tê, edhe, me të parën të shtieme, e len dekun. Ata ushtarët tjerë që ishin mbas si, zanë vend si të premë, kur shì njatë herë, kalin lëshue në pikë të vrapit, po i a behë aty një kapitan xhandarmeriet, një dora vetë, i rreptë, zjarm. Kapiteni lëshohet mbë redifë, me i hangër gjallë, edhe, tue sjellë më kamxhik i kapë nja dy a tre kësish fatzezësh, që nuk kishin mujtë me ikë si shokët, i lidhë së bashkut me frenin e kalit të vet. M’atëherë u jep urdhën disa xharndarmëve, me qitë mbë ta e me i mbytë të gjithë. E ai vetë, ma i pari shtje m’ata t’aratisunë, tue i shprazë të gjithë plumbat, që i ndodhshin në revolver. Ndërkaq por, nja disa kësish ushtarësh s’aratisunë u kishte dalë me ikë e me hý në qytet tinzë. Ta marrmen vesht kapitani punën e tyne, u kthye shpejt në qytet; për rrezik e zuni njenin kësish afër Lulishtes Popullore. I këcei më zhel fatziut, suell mbë tê me kamxhik që kishte në dorë, edhe i a vringlloi aq me furí, sa i a mori mendët aty për aty. Kishte pasë kenë një redifësh. Kapitani e pyeti flakë për flakë:
– Po ti, çka lypë këtu?
– Zoti Kapitan, janë 3 dit, qëse s’shtie gjâ në gojë, as s’e kam bâ një sý gjumë…- i përgjegjë si tue kjá i ngrati redif.
Por s’mujt me e mbarue fjalën; pse kapitani suell edhe një herë ma idhnueshëm më kamxhik, tue i a shkye mishin e faqes e i a çoi gjak kështu dhambë e rrëmallë. Prej së ramesh e dhimbash qyqari u rrëxue e rá lëmuç për tokë, ma fort dekë se gjallë.
Dy ushtarë ngánë prej kazermet aty afër, edhe kapën e e çuenë shokun e rámë. Por, kur banzë me e pyetë kapitanin, në cilin spital do ta përciellshin, ai tue u a lëshue edhe këtyne sýt si bisha, u përgjegjë ftohtas:
-Çonje në burgun e gjyqit ushtarak!
Arratisja e ushtarëvet të Bardhanjorëvet në vetveti kje një punë s’ka ma për faqe të zezë, që i len marre ushtrís së turkut. E vërtetë; por nuk mund të thuhej me kaq, se mos me pasë ndodhë ky mutilacjon, ndryshe ishin sjellë shartet e luftës. Jo; pse, shum me thanë, edhe një orë a dý, ma s’kishin mujtë me e mbajtë mbë kambë. Lufta ishte e bjèrrunë se e bjèrrunë. Mandej, edhe ata dy bataljona që i erdhën në ndihmë turkut, nuk kishin mujtë me bâ gjâ. Nuk ishte ma në dorë të tyne me i ndrue fëtyrë luftës: Tepër vonë! Tetë mijë malazez kishin mësýe, e gjâ s’u a pritte hovin. Me flije të mëdhaja u kishte dalë me e çá e me e shtie në dorë atë rreth fort të vështirë llogoresh. Ofi cjerët e turkut e dijshin mirë, se me kaq u kishte shpëtue doret një qëndër strategjike me shumë randësí. E tash rrijshin tue qitë n’anmik, ma fort si me kenë tue krye një detyrë, pa farë uzdajet, se mund t’i shtîjshin prap në dorë ato pozicjonet e bjerruna.
E marte, 11 fruer 1913. Ushtarin e turkut e ka lëshue zemra
Kanë kalue dý ditë pa luftë. Çudí! Si me pasë bâ armëpushim. Kajherë në të rrallë, e vërtetë, gjuheshin topash shok me shok; por ushtria, d.m.th. kambsoria nuk ndihej për së gjallit. Janë lodhë; s’kanë faj! Ku jé ti! Gati trí dit e trí net: 72 orë luftë pa pushue kurr; gjithnjë veç tue mësýe, tue u mbrojtë, merr e lësho aso llogoresh së lame me gjak. Ushtarët turq kanë shprazë në këtê luftim titanik: jo ma pak se 6 miljon fyshekë. Këta të shkretët, prejse s’ka kush i ndron, jo se e kanë pasë, gjatë këtyne trí ditëve, një minut pushim, jo se kanë pasë ngae me e shtie në gojë një kafshatë bukë; jo se u ka dalë me e njomë gojën me një pikë ujë! Kush ishte ushtár, i zoti i armëvet, të gjithë kjénë shtie në punë për qëndresë. Nuk kishte mbetë kush tjetër që s’merrte pjesë në luftë, përposë trupit të shëndetsís dhe bartorëvet të municjonevet. Kurrkuj s’i kishte vojtë mendja, se kjo e mësyeme e anmikut do të ngjatte 3 dit e 3 net, pa pushue kurr. Rrallë në ndonjë qëndër mund të gjindej ndonjë thes miellit; e këtê, njashtu gjallë, pa zie pa pjekë, e kapshin me grushta edhe e hajshin, si të dëshruemë. Ndonjeni ushtarësh, gjithnjë në valë të luftës tue qitë n’anmik, merrte e hante kokërr groshë.
3.000 ushtarë turq rob në Podgoricë.
Qe, si e diftojnë ngjarjen vëllazënt Tharaud: «Njekëtu afër Podgoricet, ndër këto rrenoja të vjetra, ku dikur ngrehej krenare ajo Djoklea e famëshme e Perandorit romak, Djoklecjanit, kanë prû mbramë kun nja 3.000 rob turq. Me i pá, të thotë mendja, se aty âshtë vendue një kuartjer ushtarësh në pushim. Po, pse asajt s’ndihet britmë, as ankesë, as fjalë, as s’i sheh robët e shkretë mërzitshëm, idhnueshëm e të prishunë në fëtyrë. Për kundra, të duken të gjithë, si të shtruemë fatit, edhe gati gati kondend, se kanë shpëtue shëndosh me krye prej zjarmit të luftës. Grumbullue krye mbë krye, për rreth një fl akadani drûsh, në mjedis së të cilit kanë vendue një teneqe të madhe vojit gurit, diçka janë tue zie; përse atyne kjo teneqe tash u vlen si kusí remit. Ndërkaq, dikush shihet tue grî me brisk një palë a dorsë gjethësh së thatë duhanit. Do tjerë prap, ndenjë si në vete, shkojnë tue thithë, rend me rend, po nja 5 a 6 vetë, në një cingare duhanit. Do shtrîe për tokë, rrijnë tue shikjue shokët, të cilët zanë vend mbi do gurë, a s’me kenë tue ndenjë përmbi jestekë puplash, me vemendje të madhe janë tue luejtë letrash. Të tanë, të thuesh, fl asin me zâ t’ultë, mos me u ndie për së gjallit; si gjindë me edukatë dhe fort të njerëzishëm. Disa tjerë mandej, kanë zdrypë deri poshtë në breg të lumit. Aty, kush shihet tue lá këmishën, kush tue u lá faqesh, kush edhe tue u falë, a tue marrë avdes. Ka edhe asish, të cilët, kapë dora doras, rrijnë tue shetitë tëposhtë e përpjetë e tue folë së bashkut si miku me mik. Tjerët kanë hjekë fesin a shallin prej krejet, kahë u derdhet shëllunga e fl okëvet; lagen me ujë e sapun, edhe gatohen me u rrue; ndërsa një çetë tjetër janë dhanë tue kërkue e tue mbytë morrat, me shumë njerzí! Ndërkaq, prej atyne rretheve kanë nisë me rrâ plot, gjithfarësh, për me u shitë robëvet mollatarta të zieme, galeta miellit kollomboqit, tambël, qepë a shega. Ka edhe aso plakash, që siellen asajt për me u shitun robëvet cokla a ngarkica të vogla drûsh; shihen andej pari edhe djelm të rí fëmijë, teneqet me llalltë mbi krye e në dorë fashoj mjaltit ase edhe copa fugacet e ambëlsinash gjithfarësh, me të cilat u a kalojnë robëvet mërzínë e asaj jete skllaveriet. Por ku janë bashibuzukët, që s’shihen kun një për bé? N’atë grumbull fatzezësh?… Ata, për të kenë, janë njaty se njaty. Por rrijnë mëshehë e si m’anesh, kahë u vjen marre me u dukë ndër shokë pa thikë e pa pushkë në brêz, sikur âshtë mësue me i bartë me veti çdo burrë, që i thotë vetes ndonjë shqyptár. Tash prandej, të gjithë kanë hupë. Nuk shihet veçse në të rallë ndonjë nëpër polat e çadrës së shpërvjelun, për me u hý pak rrezet e diellit. Aty mbrendë diçka shihen, kokrra-kokrra tue pí duhan me çibuk, ndêjë rrethas e tue kuvendë lehtas si vesh në vesh shoq me shoq… Ndërkaq, tue u a lëshue edhe një herë synin këtyne rrezikzezve, më jepet ta pyes veten: “Si âshtë puna ?… Dam përnjëmend, që gjithë kjo morí ushtarësh, të mbesin rob!… Si spjegohet ky shkatërrim i plotë i një populli kaq trim e luftár për natyrë”? Secili oficjerësh, kur i pyes, ta spjegon punën ndryshe. P.sh. Njeni më thotë: “Ne na ka marrue Zoti qyshë atë ditë, në të cilën Turqit e Rí kanë rrëzue mbretin plak Abdul Hamidin!” – Një tjetër më pyetë si në këshíll: “Ju Zotní, a dini gjâ? Kush âshtë vû tash në kambë të dauletit, mbasi atê kemi marrë vesht, se e kanë shtie në burg?” – Mandej, prap një tjetër, një ofi cjer ma ban: “Mbas mendimit tim, ushtrísë së turkut i âshtë dhanë e mbrapështa, qyshëse janë përzie nëpër tê edhe do ushtarë kristjanë; të cilët janë njerëz të prishunë, pritaca të qitunë edhe që s’i vlejnë gjâ kuj” Një tjetër oficjer edhe ky, ma ban: “Gabimi ma i madhi ka kenë, me shkue e me i lëshue ushtarët e rrègullt po shì ndër ato ditë para se me fi llue lufta. Kështu që sod për sod ndër rreshta të parë të ushtrís mësýese s’kemi pasë, veçse do rekruta, do ushtarë të rí, të màrrunë qatëherë, të cilët s’i a dijshin aspak luftës”. – Prap një tjetër më thotë: “Gabimi ma i madhi yni ka kenë, pse kanë largue ofi cjerët e vjetër, tue i zâvendsue këta me do shokët e tyne, të cilët njatëherë kishin dalë të freskët prej shkollet. Tashti, ata veterâjt s’kanë pasë njëmend shkollë e këndime, por kanë dijtë me e tërhjekë e me i a hangër zemrën ushtarit!” – Një tjetër ma ban: “Ndërrimet politike e të përziemet e qeverís turke, që kanë ndodhë këso ditësh, e kanë trandë, e kanë pështjellue edhe ushtrín aq, sa mos me e dijtë, ku e ka kryet, as për kê âshtë tue luftue!” Ndiç, secili atë arsyen e vet, sado që as ai vetë nuk e beson, as s’i jep randësí fjalës që thotë. Jo; këta ushtarë të shkretë duket, se as me e mendue nuk e mendojnë arsyen e vërtetë të dorëzimit të vet. I shtrohen fatit, a ma mirë të thomi, si thonë ata: “E kemi pasë rrezik!” – Kaq, edhe s’e çojnë ma andej. Gjithë puna e kujdesi i tyne âshtë, me i përmirësue tash rrethanat e me i zbutue sa të jetë e mùndunë ditët e kësaj robnie së vështirë në dorë t’anmikut me t’urrejtunit të botës. Prandej, një nënofi cjer, tue u dá prej sish, më lutet me i a çue prej Podgoricet një krahën edhe një brushë dhambësh. Njashtu, rob si ishin me shpírt ndër dhambë, prap se prap menden e kanë te jeta. Kjo lutje e këtij nënofi cjeri përmbledhë, mund të thomi, me një fjalë, gjithë interesën që kanë me gjallnue, sado të kàpunë, për një fi je penit, n’atë farë jetet3!»
3 Jerome e Jean Tharaud, La bataille a Scutari, Paris 1926, f.45
Ushtarët e lodhun prej trí ditë e trí net luftime.
Për bukë po se po, por ushtarët, ma fort se ûja i kishte lodhë gjumi: Trí ditë e trí net pa pushue kurr, pa e bâ një sý gjumë. Kur së mbramit mbas gjithkësaj kohe luftimit së padámë u kje dhanë urdhëni ushtarëvet me e lanë pushkën e mos me luftue ma, atëherë andej kahë krahu i bardhanjorëvet, luftarët u lëshuenë e ránë si të dèkunë për dhé. Fort keq hoqën komandarët, për me gjetë në mjedis së tyne ndonjë që të mujtte me ndêjë në roje. Qyqarët ushtarë, mbas gjithatij mundí, nuk kërkojshin tjetër, veçse me u shtrî e me rá sa gjanë mbë tokë, pushkën gjithnjë njaty tu kryet kaq kishin dekë për gjumë! Flêjshin, si fl êjsin por! – njaty mbi gur për brî së dèkunësh, ngjat grumbullit të të varruemëvet, që rrijshin tue britë prej dhimbash, rrethue prej gjylesh e prej topash. Një tmerr. Kaq ma, sa kur ushtarët prej Tepjet kishin ardhë në Bardhanjorë, për me u prû bukën shokëvet, hiqshin keq, për me i kërkue të gjallët e të varruemët në mjedis së të dekunvet! -Me i pá, – kallëzonte ma vonë njeni ushtarësh, që u kishte shkue në ndihmë, – të gjithë ishin rrah për tokë; të tanë fjetë në një gjumë të randë aq, sa punë s’ishte me u a xjerrë gjumin. Britu në vesh, shkundi, trandi gjithsa të duesh; kot; gjâ s’i luente vendit. Mandej, me i pá ashtu, me t’u dridhë këmisha në shtat!… Njaty, për brî ushtarëvet tue fjetë aq randë, shiheshin trupënt e të vramëvet, shumica me sý gaperr, buzët paksa çelë, si me dashë me e folë një fjalë; duert mbledhë grusht prej dhimbash spasmodike; apor hapë gishtat e dorës, si me kenë tue i lypë ndihmë sikuj. Po, të dèkunët aty mund të thuhet, se ishin ma gjallë se ushtarët, që ishin tue gërhatë në gjumë aty për brî sish. Për gjithsa herë, që duhej me u ndërrue ushtari i rojës, ofi cjerët hiqshin fort keq. E pra, tash i ndërrojshin jo ma krye 3 orësh, si përpara; por krye oret. I merrshin me të mirë, i lutshin, iu kërcnojshin madje edhe me ndëshkime, për me i ngushtue ta kryejshin detyrën e rojës. Edhe Ofi cjerët vetë e shihshin ku kishin vojtë ushtarët e shkretë; por s’kishin kahë me i a mbajtë as ata; roja duhej vû me doemos.
Kështu, një herë njeni oficjerësh ishte tue u mundue me i a mbushë menden me të mirë një ushtari, që të çohej me e bâ orën e rojës. Ky bante se s’po ndiej, edhe i përgjegjte ashtu përgjumshëm ndonjë fjalë kodër mbas bregut.
– Çoju, bre burrë, – i a bante oficjeri – Çou; një orë ma, s’po âshtë një punë e madhe! Hajt, çou. Mandej tash po kthen e tash po flén gjithsa të duesh; në daç edhe gjithë ditën nesër!
– Nuk mundem; nuk mundem! – i a kthente ushtari i lodhun.
– E pra, ti e di mirë, morè shok se, po s’ndëgjove me e çue në vend urdhënin e detyrës, ti, simbas dishiplinës ushtarake, a e di çka të gjên?… A e di, se për këtê të pandëgjesë s’të pret tjetër, veçse një plumb shpinës?
– E dij e dij; por… nuk jam i zoti. Edhe njashtu rátë si ishte, pa luejtë vendit, i tha:
– A e dini çka Z.Toger? Ju lutem, më leni të flêj, tek më keni: Më vrani a bani çka të dueni me mue. Por tash një herë më leni të flêj!
Të dèkunët, të varruemët e…gabelt.
Ndërkaq, bien pa da në qytet asi së varruemësh; të cilët, mbasi spitalet janë mbushë e s’zanë ma, i qesin kudo, edhe rruginash e nën shkallë, një mbë një, njashtu si të munden. Edhe dengat e grunit kanë nisë me i hjekë e me i zhbartë ngjeti, për me u a lëshue magazet të varruemvet. Shkollat edhe shtëpiat e mëdhaja kanë nisë me u shprazë, për me u bâ vend ushtarëvet të plaguemë në luftë. Me gjithkëta s’ka vend për të gjithë. Mandej, âshtë edhe puna e shtretënvet; mungojnë. Të sëmundëvet të luftës u shtrojnë edhe mbë tokë, më një dyshek, mbë një jorgan, mbi një jamullí e rrëgosë ! Por çka âshtë edhe ma zí, baret kanë nisë me mungue. Kështu që, në rasën e një mësyemjeje tjetër, nuk dihet si kanë me i a bâ! Në Shën Gjin, thonë, se kanë ardhë mjaft bare e fashe për të varruemë; por, si bâhet, me i xjerrë andej? E mandej, mirë se po xieren; por, si bihen në Shkodër? Një njeri kje dërgue, njëmend, për këtê punë në Shën Gjin; por s’dihet gjâ, si mbaroi puna e tij. Mbas gjithë gjaset, do ta kénë ndalë serbët. Por, mbi tjera, ka mungesë të madhe mjekësh. Kështu që shumë prej së varruemësh desin, pse s’ka kush u bje mbrapa; Nuk ka operatorë si kush. Mandej edhe prejse janë tepër pak kirurgë, operacjoni u bje me iu bâ mbas kohet, vonë, kur plagët kanë marrë infektim. Ndërkaq, këto pak dit pushimit, ka mujtë me u dijtë diçka ma kjartë përmbi numrin e të damtuemëvet prej luftet. Turku ka bjerrë gjithsejt 1500 të dèkunë edhe 3500 të varruemë. Malazezët âshtë e dijtunë, do të kénë pasë të bjerruna edhe fort ma të mëdhaja; mbasi ata kanë bâ ma shumë të mësyeme. Nuk mund të dihet për tash numri i përgjithët, as mbas gjaset. Sa për luftën që u bâ në Bërdicë, kallëzojnë se serbët kanë lanë ma se 1000 të dèkunë. Edhe sod shihen shumë të dèkunë mbi dhé, se s’kanë mujtë me i vorrue; kaq shumë kanë kenë! Kanë çue e kanë marrë në ndihmë, për me çelë vorre, edhe gabelt e rrethit. Këta me të zi ç’presin me shkue, n’uzdajë, se diçka gjejnë ndër xhepat e të mbetunvet. Njëmend, se ushtarët turq i kanë zhveshë e zbathë përpara viktimat e veta, tue u a marrë armët e gjata ma parë e pushkët e brêzit. Mirë; por gjithmonë edhe gabelt diçka gjêjnë se gjêjnë tue i a këqyrë xhepat të dekunvet. Gjêjnë; pse kthejnë ngarkuet me kundra, me rrypa të trashë ushtarësh, me gjaketa e këmisha e kësosh të cilat, mbasi ndalin sa ndalin për vete, tjerat shkojnë e i shesin në Lezhë. Sonte nja 4 a 5 gabele u kishin dalë përpara burravet të vet, për me u ndihmue në plaçkë. Kushedi, si i kishin hetue serbët prej malit, edhe i kishin gjue më mitraloz. Sod nade kishin ndjehë katër kësi gabelsh, dèkunë mbë rrugë të madhe!
Bombardimet e 18 frorit 1913. Qyteti ngusht: Thika m’asht!
Ndërsa pritet që t’i a fi llojn të mësymet e zakonshme kahë bardhanjorët, bombardimi i qytetit vijon sistematikisht: Një gjyle krye 10 minutash; çdo shprazje topit do me thanë, një shtëpí e rrenueme kulm e themel! Por, ka do dit, që malazezët, posë këtij bombardimit mbi banesët e qytetit, për tjetër nuk ndihen për së gjallit. Ka gjasë, se ndërkaq ushtria anmike âshtë tue ndreqë e tue mëkambë llogoret e damtueme prej topash. Këto predha që shpërthejnë, me program, natë e ditë përmbi shtëpiat e të shuemit popull, duket se kanë për qëllim me e shtýe qytetin, që të çohet peshë, të bâjë kryengritje e ta ngushtojë Kryekomandantin të bijë në dorë. Kështu ka gjasë. Pse malazezët, në vend që me i gjuejtë llogoret e forcueme, shkojnë e kapen me banesat e paqta të qytetarëvet, që s’i kanë bâ gjâ kuj. Edhe i gjuejnë ashtu mbarë e mbrapshtë, pa këqyrë krah as lagje. Mu, kur ta këqyrsh, në krahun e të krishtenëvet damet prej bombardimevet janë fort ma të mëdhaja. Mali i Zí, që gjuen qytetin prej Taraboshit, ai e sheh mjaft me turbí, edhe dánë kjartë ndërtesat, që shkon tue shtrue për dhé me ato bombardimet e furishme të vetat. Mirë fort e di prej andej, se me gjylet e tmerrshme të vetat shkon tue shkatërrue e tue shkretnue banesa private, spitale së ligjësh, shkolla fëmijësh, Kishë e institute bamirsiet. Të gjitha këto ndërtesa janë të pajisuna me fl amurin e bardhë, kryqin e kuq a hanën e kuqe në mjedis. Të gjitha i sheh e i di; por nuk i merr në dorë. I gjuen edhe këto pa farë dallimit.
E marte, 25 fruer 1913. Bombardimi i Katedrales e i Kuvendit të Gjuhadolit
Sistematikisht, me rrègullë, njashtu krye 10 minutash nuk pushojnë tue rá mbi ndërtesat e qytetit predhat e topavet të mëdhaj e të vogjël. Shkodra, thueja ma mirë, populli i paqët âshtë tue e pague shtrêjtë qëndresën e vet. Mund të thuhet tashma, se zakonisht bien mbi qytet, me rrègullë e me orar të caktuem, kun nja 70 apor 100 gjyle dita me ditë; e kun nja 20 a 30 në natë. E bien gjylet, pa farë rregullet, kudo; mbi ndërtesa qeveritare, mbi banesat e qytetarëvet, për mbi Kisha e Xhamia, mbi smundtore e shtëpia bamirësiet. Gjithkun, si e patën të ngrehun mbi pullaz fl amurin e bardhë, si s’e patën. Ma se 100 shtëpia janë bâ, të thuesh, rrafsh për tokë, se ma të damtueme prej topash e shrapnelash, këto s’njehen, kaq shumë janë. Kahdo të shkojsh rrugës, sheh njeriu mure të rrëxueme a kryekëput, apor për gjysmë; ndeshet njeriu ndër gropa të kthellta, të çeluna njatëherë prej gjylesh së kalibrit të madh. Vetëm në një shtëpí predha e topit ka varrue randë 10 vetë; shumica damtue nga rryma e hovi i saj, pa i prekë ndoshta aspak thërmiat e saja. Rreth Katedrales e Kishës së Françeskânëvet kanë shkrepë gjyle topash e mitraloza sa bari, s’njehen. Idhnimin anmiku me këto farë bombardimesh nuk ka dashë me e shfrye gjithaq drejt për drejt kundra kishëvet, sa ma fort, pse e di mirë, se priftënt e fretënt sidomos, janë të gjithë gati autonomista; nuk duen që të vîjë kush i huaji, sidomos Mali i Zí, me e sundue Shkodrën e Shqipnínë.
Komentet