Korrjerët e guxueshëm.
Qyteti i Shkodrës ishte atëherë në të tretin muej të rrethimit. Tashti me të jashtëm, kuptohet së vetit, se s’mund t’u merrte as s’mund t’u jepte kurrsesi. Shkaku i gërshanëvet të rrethuesvet, të cilët kishin shkue gjithnjë tue e ngushtue rrethin, në katër anët u ishin pré rrugët e përpjekjevet. Kështu që Shkodra ishte shkëputë kryekëput nga bota e jashtëme. E pra, ishte nevoja, që zani i kushtrimit të të burgosunvet ta dëpërtonte qarkun e rrethimit e t’i prekte pak zemrat humanitare të botës së lirë. Lezhja aso here gjindej e pushtueme nga serbët. Këta, nisë nga Prizrendi, përshkue nëpër Mirditë, ránë në Troshan të Zadrimës. Njenën aso ditësh së para të nandorit 1912, njaty kahë ora 16 e mbasdites, prej Merqiet, serbët fi lluenë e e bombarduenë qytetin e Lezhës. As në kështjell, as mbrenda në Lezhë asi shtegu nuk ndodhshin, veçse një pakicë e vogël ushtarësh turq; të cilët nuk i a shihshin kurrkun gjasën me u matë me furín sulmuese të serbit. N’anën tjetër, katundet e fushës së Zadrimës edhe Malsia e Lezhës, të lodhuna tashma e të shtypuna nga robnia ma se katërqindvjeçare e turkut, këto, jo veçse nuk menduenë me i bâ báll e me e pritë këtê okupatorin e rí, serbin; por kishin edhe gjithë interesën t’i ndihmojshin këtij, për me e zhdukë turkun nga Shqipnia. Dý orë; s’ngjati ma lufta. Edhe serbët i a hoqën turkut qytetin e Lezhës. Këtê stacjon serbët e mbajtën deri që u lirue Shkodra (25 Prill 1913). Sa për vende tjera të Zadrimës e të rrethevet të Lezhës, këto jetojshin në një anarkí të plotë: S’e çante kush kryet për to.
Ndërsa vuejtjet e Shkodrës së rrethueme kishin vojtë në kulm, për ditë e ma tepër ndihej nevoja me i a hjedhë një zâ kushtrimit botës së lirë. Edhe kështu, paria e qytetit, bashkë me nacjonalistët ma të shquemët e vendit, u mblodhën edhe një herë në kuvend. Përpiluenë një farë memorandumit, për me i a drejtue Fuqivet të Mëdhaja, të bashkueme atëherë në konferencën e Londonit. Ndër të tjera n’atë letër thuhej edhe këta: “Na Shkodra, e mbledhun me parín e vendit, tue interpretue dëshirin e ndiesítë e mbarë kombit shqiptár jemi të gatshëm me e derdhë deri ma të mbramen pikë gjakut tonë e të fëmijvet tanë, ma parë se me ndêjë prap nën kthetrat e ma të madhit anmik të Shqipnís, turkut të Stambollës!” Ishin në dijení të kësaj shkrese, ma i pari vetë Kryekomandanti i ushtrivet të Shkodrës; mandej Imzot Ják Serreqi, Arqipeshkvi katolik i vendit, si edhe konsujt e Austrís, t’Italís, të Rusís etj. Letra në fjalë u dërgua te një këpuctár, njeri beset, (Kolë Kujxhia) me porosí, që t’a shtinte këtê nën shuellin e këpucës së punueme për këte qëllim. Kur kjénë gati këto, komisjoni kërkoi edhe e gjet njeriun që do t’a përciellte sa përnjëherë deri në Troshan. Z. Lazër Gurakuqi, nacjonalist në shenj për ato kohë, i doli zot edhe e mori mbi vete me çue deri në kuvendin e Françeskajvet të Troshanit. Aty, simbas marrëveshtjes, shkresa do t’i u dorëzonte të Parit të kuvendit, që atëherë ishte P.Marjan Prêla, françeskan nga Shkodra. Korrjeri i guxueshëm, Lazër Gurakuqi, lêjen e Hasan Rizás në xhep, mbathë ato kundra me shkresen e naltpërmèndunë në shoje edhe drejtohet trimnisht kahë Troshani. Në të dalun prej qytetit roja natyrisht e ndalë; veç të pamen dorën e Kryekomandantit, Hasan Rizás, habitet një herë, por e len me kalue. Si për shenj, prap mbas një marrëveshtjeje, qet trí herë më mauzerre, për me i bâ me dijtë në qytet, se korrjeri në fjalë kishte kalue vijen e kufi nit të rrethit. Mbërrijtë Lazri pa kurrnjë pengim tjetër në katundin e synuem, ma të parën punë i a difton si në këshill të Parit të kuvendit punën e asaj letre komprometuese, që përcjellësi kishte me vete në shuell të këpucës. Tashti jitte për t’u krye puna ma e rrezikshmja: Me u përcjellë ajo shkresë, për mjedis s’ushtrís serbjane deri në Lezhë, edhe me shkue me e impostue në Shën Gjin. N’anën tjetër koha s’pritte. Nevoja, të mbërrijte ajo shkresë sa ma parë në Konferencën e Fuqivet të Mëdhaja, të mbledhuna në Londër, për me dá fatin e popujvet sidomos të Ballkanit, mbas së thyemjes së Turkís, shfaqej e ngutshme e me ma të madhen urgjencë.
I Pari i kuvendit, P. Marjan Prêla, tue pasë para sýsh randsín jashtëzakonisht të madhe t’asaj shkrese, u trimnue vetë me e nisë në destinacjon të vet. Mbathi po shì ato kundrat e Lazër Gurakuqit, të pajisuna me atê letër në shuell; merr me vete një përcjellës prej katundit, një farë Hilë Filipit edhe, mbë kál të shalës, drejtohet fíll për Lezhë. Në të dalun prej kuvendit, aty në Qarre (Troshan), udhëtari ndeshet në postkomandantin serb; i cili e pyetë Fratin, a ka pasë letër a farë lajmit prej Shkodret. P. Marjani, gjithnjë me gjak të ftohët, i përgjegjë: “Z. Komandant, sod për sod âshtë e pamundunë, me pasë lajme e shkresa nga një qytet i rrethuem në katër anët, si Shkodra!”. Sado mjaft me frikë, mos ta diktojë kush për atë letër që kishte në shuell të këpucës, P. Marjani e la Troshanin, i grahi kalit, edhe në vrap gjithsa mund t’ecte përcjellësi kambësuer, u kap me ndonjë orë ditë në Lezhë. Aty, Frati, për me tretë gjurmë, mbasi zbathi ato kundra fatale me dokumentin nën shuell, mbathi në të shpejtë sandalet që kishte prû me vete, edhe u drejtue fíll në komandën serbjane. Për fëtyrë, qellimi kryesuer dukej si t’ishte me i bâ një vizitë njerëziet edhe për me u ankue me Kryekomandarin, kinse ushtria e tyne në Troshan nuk po u binte mirë gjithmonë me fshatarë, tue u bâ këtyne dame gjithkun ndër shtëpia kahë kalojshin. Ky, si thámë, u shtie si shkak, por qëllimi i vërtetë i vizitës ishte, për me u sigurue, a i kishte rá n’erë ndopak komanda punës s’asaj shkrese prej Shkodret; edhe, a ishin tue bâ ndonjë grimë dyshim për ardhjen e tij në Lezhë. Vërtetue kështu, se nuk ishte kun farë dyshimit atij krahu, P. Marjani kthehet në qelën e Famullitarit. Këtê, si e parashihte, e gjên plot me oficjerë e ushtarë malazez. Përshëndetet po, me ta; por gjithmonë, si ai që âshtë për ngut e s’do me u shtýe gjatë në bisedë. Sa për justifikimin e ardhjes së vet, P.Marjani shkon tue i a përsritë gjithkuj e pyette, kinse kishte në mendë me shkue në Shën Gjin, për me pá, a i kanë mbërrijtë me postë do libra, qi i kishte porositë e i pritte kah dit. S’andejmi u çue vrap e mësyeni zyrën e agjencísë postare t’Austrís në Shën Gjin. E gjet plot me oficjerë malazez, edhe këta, që ishin tue folë me Z.Agjentin e postës. Këtu i u desh Fratit me pritë mirë do kohë, deri që malazezët u çuenë e shkuenë. Mbet vetëm për vetëm me agjentin. Prap por, kahë donte me u sigurue mirë përpara, mos t’ishte edhe agjenti austrijak një serbofil, tue hý në bisedë si miqasore, i flet për monarkínë e AustroHungarísë; e cila n’atë krizë ishte në rrezik me u shpartallue, mbasi përshinte kjo nën kunorë të vet gjithnduer popujsh: maxhar, sloven, gjerman, italjan etj. Tue mbrojtë por, gjithnjë solidaritetin me Monarkín, e sidomos tue u shprehë me nderim e simpatí për shtëpín mbretnore t’Absburgëvet, vetëm atëherë, mbas gjithkëtyne sigurimeve, Frati merr zemër, i beson edhe çelet me tê. Me shumë rezervë i difton, se kishte për t’i dorëzue atij, agjentit, një shkresë me randësí, një memorandum, për t’u a drejtue një orë e ma parë Përfaqsuesvet të Shtetevet të Mëdhaja t’Europës, mbledhun në Konferencën e Londrës. N’ata fjalë Z. Agjenti në të shpejtë i prini Famullitarit të Troshanit nalt, n’odën e vet private. Aty, shpërthejn shollin e këpucës, xjerrin shkresën edhe agjenti e merr në dorëzim, tue e sigurue fratin, se një orë e ma parë do të mendonte ai me e nisë në destinacjon të vet atë letër. Krye tash ma së mirit këtê angazhim kaq delikat e me rrezik të krés, P. Marjani kthehet edhe një herë në qelë të Fratit të Lezhës. Aty mbathë sandalet edhe drejtohet prap në kryekomandën ushtarake të serbëvet.
Tashti kjo vizitë e dytë kaq shpejt për shpejt kishte për qëllim kryekrejet, me vërtetue, a i kishte qitë në dyshim e shkuemja e tij në Shën Gjin ndër ato rrethana kaq kritike. Âshtë e dijtunë, Komandantit nuk i përmendë gjâ për këtê frikën e vet. Ma fort, për me tretë gjurmë por, i lutet Komandantit, t’i a jepte për rojën përsonale një pushkë të gjatë; tue shtie për shkak, se ishin kohë lëvizjesh e fort të turbulla. Tue e pá me vend e krejt t’arsyeshme lutjen ky, i premtoi Fratit, se do t’i a siellte këtê pushkë. Edhe kështu P. Marjan Prêla, i siguruem në mende të vet për sa kishte pasë dyshim, kthehet tue ngá në qelën e famullitarit të Lezhës; aty mbathë prap sandalet, edhe niset me u kthye me báll të hapët në Troshan, me përcjellsin e vet besnik, Hilë Filipin. Gjithë rrugës kondend në zemër të vet, se i kishte dalë me krye kështu një shërbim të vlefshëm e se kishte dhanë atë kontributin e vet në favorin e shpalljes së pavarsísë kombëtare. Edhe njëmend. Nuk kemi guxim, ta pohojm këtu, se kjo letër e dërgueme atyne zotnive të Konferencës së Londrës shì në një kohë kur po shoshitej e po dahej fati i kombevet fíll mbas luftës Ballkanike, kjo shkresë e Shkodrës së rrethueme kje shkasi kryesuer e deçiziv për pavarsín e Shqipnís. Këtê, e vërtetë, nuk mund t’a pohojm ashtu kategorikisht. Por, mund të thomi me sigurí, se kjo shkresë e París shkodrane, në një kohë aq të volitshme, e ka pasë pa dyshim atë ndikimin e mbresën e vet në vendimin e Mbretnivet të Mëdhaja aso here për pamvarsín tânë kombtare.
Nga Shkodra e rrethueme një shkresë për Vjenë.
Qyteti i Shkodrës, i rrethuem në katër anët, tue hjekë tash sa dit nga tmerri i luftës e nga mungesa e gjithçkahes, edhe pse tashma i shkëputun prej gjithë botet, mendon me i u sjellë edhe Austrís një kushtrim. Shkresa, plot váj e ankime për çka ishte tue hjekë populli u përpilue, u bâ gati, edhe u shkrue, për ma sigurí, me çifrat! Gjithçkahja u gatue; por tash lypej të gjindej postjeri i guxueshëm; i cili, nëpër fl akë të pushkës e nëpër rradhet e anmikut rrethues, ta përciellte shkresën në destinacjon të vet. Kemi çekë ma nalt, se puna e kishte zanë mbrendë në qytetin e rrethuem P. Severinin Lushaj O.F.M., famullitarin e Lezhës. Këtij i u sollën, tue e lutë që ta merrte barrë mbi vete me e përcjellë shkresën në fjalë. D.m.th. një herë me e qitë jashta Shkodret së rrethueme; mandej, tue u përshkue ndërmjet ushtrivet sulmuese, me shkue e me e dorëzue n’agjencí të postës austriake të Shën Gjinit. Hapi i guxueshëm nuk ishte fort i vogël; rreziku me të shkrue kryet ishte s’ka ma i madh. Me gjithkëta, A. Severini u zotnue me i a hî përcjelljes s’asaj letre, prej së cilës shpresohej ndihmë e shpëtim. U vû në dijení pikë së parit kryekomandanti i operacjonit, Hasan Riza Beu për këtê shkresë; e cila ishte pa dyshim n’interesën ma të madhen e shpëtimit të qytetit.
Kryekomandanti, njeri i kuptueshëm, tue e gjetë me vend shkresën, i a lëshoi pa tjetër lêjen e nevojshme, për me dalë prej Shkodret së rrethueme. Mbasi puna lypej që të bâhej me ma të madhen urtí e mëshehtësí, i naltëpërmenduni françeskan, P.Severin Lushaj vojt e u paraqit personalisht te Hasan Rizá Beu. Për koinçidencë, takimi i Fratit me Z. Kryekomandantin ndodhi po shì një natë para se i bânë të pafatit Hasan Rizá atentatin e famshëm, që e hoq këso jete! (31 XII. 1912). Letrën në shkrim çifrat i a qepën Fratit e i pështollën mbrenda konopit që barte zakonisht n’ijë. Lêjen e jashtëzakonshme të Kryekomandantit t’operacjonit në xhep, P.Severini del nga Shkodra e rrethueme; përshkohet trimnisht, një herë nëpër ushtrít turke, ma përtej, kahë rrethet e Bërdicës, ndeshet edhe me ato të serbit. Gjithkun pa i thanë kush gjâ, pa hasë në ndonjë kundërshtim, çán për Troshan. Aty bún atë natë, edhe ne e nesret drejtohet për në Lezhë. Për mos me i rá ashtu fort në sý ushtrís serbjane, zen vend për ndonjë ditë në qelë të vet. Mandej, gjithkun kaluer, çán për Shën Gjin. Aty, ma të parën punë i a dorëzon agjentit t’Austrís, mikut të vjetër, atë letër çifrate të konopit, me porosí të forta, që ta niste një orë e ma parë për Vjenë. Krye këtê angazhim të rrezikshëm me sukses, P. Severini me atë fíll u kthye e zuni vend në qelë të vet, në Lezhë, si famullitár i vendit. Merret vesht prej vetit, se kjo e shkuemja e e ardhmja e Fratit, paksi e pakohë, nuk mbet pa u rá në sý serbëvet të cilët e thirrën e i banë vërejtjen. P. Severini por, mujt me u justifi kue, tue prû për arsye detyrën e shërbimit fetár, si famullitár i Lezhës edhe i Shën Gjinit që ishte.
E mërkurre, 5 Fruer 1913. Kryekomandanti i rí
Automatikisht, mbas deket së Hasan Rizás, mbet Kryekomandant mbi të gjitha fuqít ushtarake të Turqís në Shqipní, Esat Pashë Toptani. Ma të parën punë ky u çoi fjalë malazezëvet tue i pyetë, a ishin mendimit me e vijue armëpushimin e lidhun me ta prej Kryekomandantit të përparshëm. Në këtê rasë i komunikoi zyrtarisht anmikut edhe dekën e Hasan Rizá Pashës. Malazezët i përgjegjën, se vadja e armëpushimit tashma kishte kalue; e se prandej, ndërkaq lufta ishte në kambë ndër të tana ballet e operacjonit. Njëkohësisht kryekomandanti i rí, Esat Pasha, ka shpallë dje një lajm, ku i a njohton popullit fjalët e anmikut, tue i qortue njëherit ushtarët, i sigurtë se do ta kryejshin atë detyrën e vet; ndërsa e këshillon popullin, mos të kurrsehet, por ta japë edhe ai atë kontributin e vet, tue ndihmue me çka të mundet, për t’i dalë zot qytetit të vet. Nga ana e partís së Turqvet të Rí, të cilët janë edhe ma trimat, të gjithë kanë gëzue, se po niset edhe një herë luftimi i pezulluem. Pjesa tjetër e myslimanëvet bashkë me katolikë, këta âshtë e dijtunë, kanë pasë keq për këtê punë. U ka ardhun keq, përse e mjera Shkodër njetash e ka ngusht. Anmiku ka ardhë prej së gjitha anësh tue e shtrëngue rrethin; shtigjet edhe, nëpër të cilat kishte uzdajë qyteti i rrethuem me shpërblye dikahë e me prû drithë prej Zadrimet, këto ai i a ka zanë të gjitha. Atë ma të parën ditë, në të cilën mori në dorë komandën e luftës Esat Pasha, u shpërdau miell të gjitha furravet të qytetit, të cilat kishin pasë mbyllë, pse s’kishin pasë me çka me gatue. Mirë; por, tash nuk dihet, a ka për t’u dërgue prap këtyne Esati ma miell, kur t’u mbarohet ata, që u a kishte marrë magazinavet t’ushtarëvet. Ndërkaq, kjénë nisë edhe njëherë në Zadrimë një sasí qerresh, përcjellë prej ushtarësh, kinse për me u ngarkue me drithë. Porse, t’i diktuemen serbi, u ndenjë gati, u a preu rrugën.
Kështu që qerret bashkë me ushtarë u kthyenë në qytet, pa mujtë me prû me vete asnjë kokërr drithë. Anmiku ndërkaq vjen kambëkambë gjithnjë tue i u hudhë qytetit. Kjénë çue do bataljone, me i ndeshë e me i a pritë hovin; por kot. Luftuenë sa luftuenë sod e dje gati gjithë ditën; por pa qitë gjâ në treg. Njandej rreth muzgut të mbrames serbët i kanë mësýe me forcë dý kodrat e Bushatit. Këto sod për sod janë vendet ma të mbramet, ku shtýhej kufi ni i turkut në pjesën e Jugut të qytetit. Bje e bje, së mbramit sod nade serbët nuk e lánë pa i shtie në dorë edhe Kodrat e Bushatit.
E prende, 7 fruer 1913. Një lojë e telegrafi stit serb
Marrë Bushati nga anmiku, vû përpara ushtria e turkut, e cila zmbrapej tash gjithnjë kahë qyteti, t’i a fi lluenë me e bombardue Shkodrën prej kahmos. Nisën me e gjuejtë njaty n’orën 10 para mjesdite; njëkohësisht bombardoheshin edhe kodrat e Rrencit e të Bardhanjorëve; ashtu sulmoheshin rreptësisht llogoret e Shtojit e të Taraboshit. Një orë gati, s’e pati ma të gjatë ky zjarm i përgjithshëm i artilerís anmike; edhe u duk se meni diçka njandej kahë ora 11. Por as, e mësyemja e parë e kambësorís kundra llogorevet të Shtojit, s’ngjati ma se një gjysmë oret. E vërtetë; por kjo jashtëzakonisht e fortë, e rreptë e e furishme. Mjaft me thanë, se mbrenda njasaj gjysmë oret malazezët lánë 400 të dèkunë. Njandej kahë mjesdita 10.000 malazez, kambë për kambë me malsorë, u lëshuenë kundra Bardhanjorëvet, me i hangër gjallë. Por turku t’u ndêji gati; e për do kohë s’i la me u avitë, tue shprazë mbë ta top e mitraloz kaq me shumicë, sa me të vojtë mendja, se njatëherë po shembet dhe shekulli! Por së mbramit, bje e bje, malazezëvet u duel, mbas një gjysmë oret, me e shtie në dorë një kodër të blertë për bállë Bardhanjorësh.
Ndërkaq, bombardimet me topa vijojshin tue synue të gjitha pikët e forcimevet rreth e rreth qytetit. Vetëm kundra Tepes e Bërdicës, kundra këtyne nuk qitshin. Njaty kah mjesdita anmiku shtini në dorë Shirokën, një katund i vogël në breg të liqenit të Shkodrës. E shtini Mali i Zí në dorë këtê katund, për arsye se, tue kenë Shiroka shì ndër kambët e Taraboshit, nuk ishte e mùndunë me u mbrojtë prej artilerís së vendueme aty për sypri. Luftimi, këputë një herë për një kohë të shkurtë, kje përtërí njandej kahë ora 14. Mbas një ore a njandej pari u ndez zjarmi i luftës edhe një herë prej malazezëvet, tue mësýe llogoret e Shtojit e të Bardhanjorëvet. E lufta këtu tash u ndez ma e rreptë e furishme; edhe ngjati.
Bataljona turqish, thirrë në ndihmë prej malazezësh!
Ndërsa ushtima e armëvet shkonte gjithnjë tue u shtue malevet e fushavet për rreth, qyteti ishte strukë e s’ndihej për së gjallit. Rrugash vetëm, tash e parë, kalojshin gjindja, tue bartë të sëmundë e të varruemë. Deri gjylet e topavet, që shprazeshin tue shpartallue pullazet e muret e shtëpiat, as ato s’mbërrijshin me i trandë banorët e atij rrethi, të cilët, për kundra, të përfriguemë edhe ma zí, strukeshin përherë e ma kthellët ndër ato skutuliqet e errta të vetat. E mësyemja njëkohesisht e malazezëvet në Shtoj e në Bardhanjorë, edhe, duhet me thanë, se kje e furishme e e përgjakshme, një çmos. Po; pse vetëm mbrenda një ore malazezët, andej kahë llogoret e Shtojit, trí heresh rresht u lëshuenë n’anmik me bajoneta! Por çka, se rreshtat e ushtarëvet sulmues, kur mbërrijshin me u kapë te llogoret e Shtojit atë ditë, ishin të dhetuemë; edhe prandej, ata të pakët që u kapshin, mbetshin mbrendë me krye. Ndër këto të mësýemet e fundit por, të gjitha bataljonet u lëshuenë përnjëherë njajzit kundra turqvet. Këta, tue mos kenë ma të zotët me i bâ báll anmikut, kjénë të ngushtuemë me u zmbrapë, tue lanë në dorë të tij dy rreshta llogoresh.
Po shì njatëherë lufta ishte ndezë zhari edhe ndër Bardhanjorë. malazezët, porsa e shtienë në dorë, si thámë, atë Kodrën e Blertë, – me u çuditë, si i a banë aq shpejt! – venduenë aty menjëherë tre topa; të cilët, që sa i a kanë fi llue, nuk prâjn një ças, por rrijnë mënjë tue qitë mbë turk. Një malazias u lëshohet mbë shpinë nja dy telegrafi stëve, të cilët ishin tue dhanë e tue marrë me shokë të vet të Tepes. Si njenin si tjetrin, të dy i mbytën menjëherë ai me shokë. Shumë ushtarë turq, të varruemë, marrin me ikë njashtu si munden, tue u sjellë shpinën llogorevet e ballit të luftës, ndjekë mbë shpinë pa dá prej malazezësh. Ndërkaq por, çudí po shihen tue ardhë në pikë të vrapit andej kahë Zalli i Kirit një dorë ushtarësh turq. Janë dy bataljonat e çliruemë nga qëndra e forcueme e Bushatit; të cilët u vîjnë tash në ndihmë shokëvet të vet në Bardhanjorë. Tue i u avitë Kirit, ndeshen n’anmik, e lufta këtu ndezet e rreptë e s’ka ku ve’ma e tmershme. Simbas krismës s’armëvet, të thotë mendja se malazezët s’vonojnë, e sa hîjn në qytet; kaq furishem janë tue mësýe. Por çudí!
Njashtu mbas një së katërte oret malazezët shkojnë pak kahë pak tue i rrallue të shtiemet, edhe dikur e lanë krejt. Zot, pse… ? U muer vesht ma vonë, se këta bataljona turqish kishin rrâ me u ardhë në ndihmë shokëvet, pse kishin kenë thirrë prej … malazezësh! E qe, si kishte kenë puna. Malazezët diku atje mbi Kodrën e Blertë të Bardhanjorëvet, të cilën si kallzuemë, njatëherë e kishin marrë me luftë, në një çadër t’anmikut kishin pasë gjetë edhe stacjonin e telefonit! E përdorën këtê, për t’i luejtë një lojë anmikut.
I telefonuenë Komandës së turkut në Shkodër, tue i thanë, turqisht:
-Ju lutemi, të na çoni sa ma parë ushtarë në ndihmë! Për ndryshe, nuk jemi të zotët me i bâ báll anmikut! Simbas gjaset malazezët, tue e pá se përnjëherë nuk ju a delte me i shtie në dorë ato dý kodrat e forcueme të bardhanjorëvet, i a luejtën këtê lojë anmikut, për me pá, a kishte forca reservash, që mund t’i vîjshin në ndihmë. Turqit në këtê luftim kanë lanë 700 të dèkun e nja 1700 të varruemë. Por malazezët, po dihet, kanë lanë fort ma shumë; për arsye se atyne iu desh gjithmonë gati me mësýe, edhe me luftue, të thuesh, përherë në fushë të lame, pa kurrnjë pritë. Ma shumë se kurrkun ngjeti, kanë mbetë prej së dyja palësh në Shtoj.
– Jo; nuk mund të dihet tash njëherë, sa ushtarë turq kanë mbetë në këtê luftimin e mbramë!
– Kështu ka thanë sonte diku në një vend një mysliman Shkodret, i cili ka marrë pjesë në këtê luftën e fundit. – Nuk dihet numri; përse të vrámët janë grumbullue për gjithë vend njenin mbë tjetrin, malazez e turq. Kahë i sheh njeri kështu së bashkut, përzietas, të ve’mendja se kanë mbetë kështu krye mbë krye tue luftue me një anmik të përbashkët!
E shtune, 8 fruer 1913. Llogore që merren e lëshohen
Në vetvete ato dý kodrinat e bardhanjorëvet, si edhe ato llogoret e Fushës së Shtojit, që kanë shtie në dorë tash së vonit malazezët, kanë e s’kanë randësí. Por, po; këto qëndra i vlejnë anmikut, për me ngulë një herë e për me mujtë prej këndej me u shtýe ma kahë qyteti. Prandej turku, tue mos e pasë para sýsh këtê punë, ka vendue me bâ çmos e me i dbue s’andejmi malazezët. Edhe kështu, shì sonte njandej përpara mjesnatet bataljonat e turkut të Shtojit u lëshuenë mbë malazez, edhe, për jo ma se një gjysmë oret, tue luftue si drangoj, u duel së mbramit me u a hjekë doret anmikut llogoret e para. E vunë në t’ikun këtê; edhe gjithnjë, tue i u vû mbë shpinë, shtýej e shtýej, e çuenë deri ndër rreshtat e dytë të llogorevet; të cilat kjénë përlá prej turkut për një kohë edhe ma të shkurtë. Malazezët duket, se nuk e kishin pritë këtê lojë. Ishin zmbrapë një herë; por e kishin menden me u kthye prap se prap. Edhe njëmend; mbas nja një oret a ma pak, u sollën e e mësyen turkun; por me një vrull kaq të tërbuem, sa bje e bje, s’e lánë, pa i a hjekë doret edhe një herë ato pozicjonet e bjerruna. Mbasi i morën me luftë llogoret e para të Shtojit, si thamë, u lëshuenë fulikare me i shtie në dorë edhe ato të dytat. Vû përpara turkun, i cili ishte marrë mendësh prej këso së mësyemesh së paprituna, e morën edhe të dytën llogore aty shpejt për shpejt, pa u shtie në dorë ashtu mirë ende ajo e para. Në këtê pështjellim, merr e lësho aty për aty aso llogoresh, mund të merret me mendë sa njeri u bâ dam! Fundi, por malazezët i morën se i morën llogoret në fjalë. Po, por nuk kjénë të zotët me i mbajtë gjatë. Njaty n’orën 2 mbas mjesditet, prej Shkodret i shkuenë në ndihmë turkut ushtrí të reja, edhe kështu malazeztë kjénë dbue edhe një herë nga ato dý llogore që i kishin marrë. Lufta këtu, si mund të merret me mendë, ka kenë fort e rreptë, e përgjakshme edhe e egër! Të varruemët, me i pasë pá, edhe njashtu si ishin, dajshin si bishë: Kaq kishte kenë tmera e trishtimi që kishin pá e provue n’ata të ndeshun! Nuk mund t’i thuhet luftim atij; por ma fort një plojë mizorësh, e cila ngjati deri në terrin e natës. Shumë kësi shtegu kanë kenë vrá e therë prej pushkësh e bajonetash së shokëvet të vet. Turqit, për mos me marrë mbë qafë e mos me mbytë shoqishoqin n’atë pështjellim e përleshje, britshin të madhe “parullën”. Mirë; por këtê parullë e kishin zanë edhe malazezët; të cilët, tue e përdorë edhe ata atë fjalë, hyjshin e përziheshin nëpër rreshtat e turqvet, tue bâ gjak të madh mbë ta. Disa çeta kësish turqish, shkëputë nga rreshtat e shokëvet, tue marrë me u shtýe gjithnjë kahë anmiku, kjénë rrethue e qitë faret të gjithë prej bajonetash. Shumëve ndër ta u kje shkurtue kryet; por ma të shumëvet u kjénë pré mizorisht hundët e buzët, e lanë gjallë të shemtuemë për tmerr! Njado, kësi të varruemësh, që kanë prû në qytet, kanë në shtat, kush 10, kush 15 e deri 20 varrë bajonetash. Disa të vramëve iu dukej shtati krejt një varrë e vetme.
Kaq! Disa, kallëzojnë, se kjénë mbytë me tunë peticësh. Kjénë edhe asish, të cilëvet u kje shprazë revolveri në gojë ! Të varruemët e të mbètunit turq, shtrî mbë tokë, pa mujtë me luejtë vendit, t’i hetuemen bartarët me vig, që shkojshin tue i mbledhë shokët e tyne, britshin të madhe, tue u lëshue bé e rrëfé, që të ngitshin me i marrë një orë e ma parë. Çojshin duert përpjetë, të shuemët, tue lypë ndihmë me fjalë dërmuese, me ta këputë shpirtin. Por, kê me marrë ma parë?
Dy miqtë e moçëm.
Njeni kësish që shkonte tue mbledhë të varruemët pau një ushtár turk, i cili kishte rrokë ngrykë një malazias; të dy të varruemë. Mbledhësi i invalidëvet menjëherë e njohti turkun; ishte një mysliman prej Zadrimet. I u avit e u ul me e marrë në karrocelë. Por i varruemi nuk ndëgjoi. – Po pse ti kështu? – e pyeti i çuditun infermjeri. – Pse due me ndêjë e me dekë njëkëtu, krah për krah me mikun tem, të cilin s’e kam pá tash 3 vjet! Të lutem, më len njeshtu! Dy miqtë, pa njohtë njeni-tjetrin, kishin mësýe shoqi-shoqin, edhe kishin luftue si drangoj, tue i a xjerrë zorrët e barkut me bajonetë njeni-tjetrit. Vetëm kur u rrëzuenë të dy për tokë të shemtuemë, njatëherë e kishin njohtë shoqi-shoqin. Njashtu të mbuluemë prej varrësh, ishin rrokë ngrykë miqtë e kahditshëm. Njashtu të përqafuemë dëshrojshin tash me bâ dekën së bashkut. Malaziasi diq përpara; edhe njashtu për së dekunit shihej se i a kishte shtie krahun mikut të vet. Bartari i të varruemëvet i pau, edhe kaloi përtej. Sod nade kishin ndjehë të dèkunë të dy: Ushtari malazias edhe zadrimori, gjithnjë ngjat njeni-tjetrit. Të gjithë shokët ushtarë shkojshin e i shihshin. U a çelën një gropë aty afër edhe kjénë vorrue mbrendë të dy së bashkut, njashtu rrokë njeni me tjetrin.
2800 të varruemë!
Kahë Bërdica e Tepja edhe, të thuesh, për së gjitha anësh ka krisë lufta, të lumët na, për Tý, o Zot! Por sado që kjénë të furishme të mësyemet, posaçe nja 3 kësosh kundra Taraboshit, fi tore në shenj nuk u banë kurrkahë. Deri sonte, mbas dý ditësh luftimit së rreptë, turqit kanë pasë 2.800 të varruemë. E sa për të dèkunë, nuk dihet endè për sigure. Tellalli ka britë sod paradite, edhe një herë. Thonte: “Të gjithë myslimanët, do të nisen ndër llogore në báll të luftës. Ata që s’kanë armë, të shkojn me bartë të varruemë!”. Ndërkaq, kësish së varruemësh luftet shihen pa dá tue u prû në qytet. S’prâjnë tue bartë asi vigjsh, kûalsh së ngarkuemë, qerresh e karrocash, mbushë me kësi rrezikzezësh. Shumë së varruemësh bërtasin në kupë të qiellës, kahë e kanë ngusht prej dhimbash. Përgjithësisht ma shumë janë asish së varruemësh nga topat e shrapnelat, sesa prej pushket e bajonetet. Spitalet e qytetit tashma janë plot e përplot me kësish fatzezësh, dërmishë shtatin keqas prej plumbash në rrezik gati përherë me iu pezmatue varrët! Ka edhe asi së varruemësh randë, të cilët desin rrugës, tue i bartë, pa mbërrijtë në spital. Kështu, njenin bashibuzukësh, shkue e shembëtue barkut prej shrapnelit, ishin tue e bartë dy vetë në vig. Britte i shuemi si i despruem ndërkaq, prej dhimbash. E kishte ngusht përnjëmend. Prej ngushticet së madhe, i kishte çue gjak gishtat e duervet, tue i hangër më dhambë. Ky orëprémë, porsa karvani mbërrijti mbi urë të Kirit, i dha vetit e u hodh nd’ujë. Ata dy bartorët e vigut, kaq me hov ishte hjedhë ndë Kir i varruemi, u rrëzuenë e ránë edhe ata mbi urë.
E dielle, 9 Fruer 1913. Ploja e Bërdicës: 72 orë luftim pa dá
Për mbas Taraboshit, qendra ma e forcuemja për luftë duhet me thanë, se âsht Bërdica. Sonte, njandej kahë ora 3 mbas mjesnatet, serbët u lëshuenë me të tanë hovin e furín e vet. Terr endè, me t’i shtie gishtat në sý, serbët u çuenë një herë; edhe kambë-kambë, pa i hetue kush, morën me u shtý kah ledhet e rrethueme me tela. Por edhe turku, i pahetuem prej anmikut, pse i mbrojtun prej territ të natës, pati kohë mjaft me u shtrëngue ma mirë e me i pritë sulmuesit. Serbët kishin mësýe me e marrë Bërdicën, vetëm me 5 bataljona, jo ma. Ata 7 bataljonat tjerë i kishin lanë mbrapa në Bushat. I kishin zanë besë tepër vetit. Përse, po të kishin mësýe njajzit të tanë ata 12.000 ushtarë, prap nuk kishin mujtë me i bâ gjâ Bërdicës, që ishte një kështjell i rendit të parë! Porsa i hetuenë hijet e serbëvet tue livrue nëpër terr, punën ma të parë, turqit i pritën me të shtieme të padáme shrapnelit; ndërsa vlonte pushka, që qitte n’anmik. Ushtria ishte e rreshtueme nalt ndër llogore të kështjellit. Edhe serbët, po dihet, prej anet së vet u përgjegjshin pritavet, s’ka ma burrnisht. Në të shpejtë kishin vendue edhe diku atij rrethi mitralozat, që nisin me qitë gjithësa mujshin. Tue lanë njeri të madh, dalë kahdalë shkojshin tue iu hudhë ledhevet të forcueme. Ishin ma parë për t’u shtie në dorë, ashtu tue mësýe furishëm, trí rende telash. Atë ma të parën pritë telash, bânë si bânë, edhe e shpartalluenë sa ndora. Aty mbet kush mbet; edhe njashtu shprishë e përgjakë prej mitralozit, që s’prante një minut tue qitë mbë ta, vijuen të mësyem. Në fi llim këtu serbët ishin nja 1000 gjithsejt, kur i u hudhën me e marrë gardhin e dytë të telavet.
Turku e shihte mirë, kahë anmiku, megjithëse tue lanë njeri të pafarë, gjithnjë me gërshanë e bajoneta, orvatej me i çelë shteg vetit; shkonte tue përmbysë me múnd të madh telat e ledhevet, të ngujuemë mirë, ngatërrue e mbajtë fortë prej hûjsh hekurit. Kjo çetë serbësh, vërtet’ trima të qitunë, të cilët nëpër një varg flijesh së mëdhaja shkojshin gjithnjë tue u shtý, sado nën një breshní plumbash, që pa mê një ças shprazeshin mbë ta, nuk u lodhën as s’zunë vend. Tash mbasi e shpërthyenë si luâj të tërbuemë edhe këtê të dytin rend telash, gjindeshin tue u kapë te e treta pritë; kur qe, pa pritë, pa kujtue, po ndiejn se dikush po i gjuen mbas shpinet edhe për anash. Ndërkaq, serbët, tue e pá veten të rrethueme prej turqish, të cilët shtîjshin pa dá mbë ta, filluenë e u morën mendësh; Kujtuenë, se kishin rá në një pritë të gatueme e të planifikueme prej kundërshtarësh.
Serbin atëherë erdh përherë e ma tepër tue e lëshue zemra. T’u pështjellue d.m.th. lamshi, u përzienë, sa mos me e marrë vesht qeni të zotin. Kush u britte shokëvet në njenin krah: “Hani, bre burra, edhe pak; pse i a mbërrijtëm!”- Dikush i a bante n’atë tjetrin krah: “O morè, ndalnju! Zeni vend aty ku jeni!” Kështu të pështjelluemë e të shpartalluemë, serbët shkuenë kambë-kambë tue u zmbrapë kun nja 1000 metra. Atëherë vetëm, mbasi erdhën kokërra-kokërra tue u bashkue me shokët e thyemë, nisën me u vû në rend. I a sollën pushkën edhe një herë turkut, i cili shkonte gjithnjë tue iu vû anmiqvet për gjurmë. Ndërkaq, lëshue fulikare, një çetë tjetër ishte lëshue prej Bahçallekut n’anmiq. Serbët, edhe ata vîjshin tue u forcue nga shokët, që rrâjshin në kushtrim prej llogjevet nën Buenë. Këto çeta serbësh, para se me u bashkue me shokët e thyemë, kishin bâ rrugës nja do të mësyeme të vogla. E kishin provue – si i thonë, – fatin; por nuk u kishte ecë. Edhe, kështu marrë vesht, se shokët e kishin fort ngusht, mbasi kishin rá në një pritë të rrezikshme, nuk u tallën ma gjatë rrugës, tue bâ aso sprovësh e së mësyemesh, por u drejtuen tue ngá, me u ardhë shokëvet në ndihmë. S’ka ma shpejt, se i a banë; por nuk u duel kurrsi me i librue të vetët prej ngujimit. Kështu që serbëvet nuk u mbet tjetër, veçse me shkue tue u zmbrapë; shkurt, me i sjellë shpinën atij balli, ku kishin gjetë rrezikun e vet, e ishin tue pësue një disfatë të fortë e të papritunë! Edhe njëmend, kështu i a banë.
Ishte njandej kah ora 6 e nades, kur fi lluenë me u dredhë kahë ishin nisë. Sa për qëndresë por, as në këtê rasë nuk u a kishin lanë turqvet. Kanë luftue si burrat e dheut. Vetë turqit e kanë qitë këte fjalë, sidomos dibranët e Esat Pashës, të cilët u a kishin bâ rrethin serbëvet; edhe që kishin lanë njeri të madh, mbasi kishin pasë punë me një anmik trim e të fortë. N’atë rasë kjénë zanë rob 376 serbë; shumica, në zbërthimin e telavet të ledhevet. Nja 50 tjerë kjénë zanë aty-këtu, pse kishin mbetë të varruemë në fushë të lame. Ndër këta rob ishin edhe 7 ofi cjerë, të cilët kishin qëndrue burrnisht deri në ma të mbramin fyshek. Kur s’kishin pasë ma me se me luftue, kishin vû në maje të pushkës bajonetat; edhe kështu, me tê në dorë, rrijshin tue e pritë anmikun, për me u dorëzue. Edhe njëmend; ushtarët e turkut u banë rrethin. S’kishin shpëtim kurrkahë. E shihshin edhe ata. Po; por ndërkaq asnjenit s’i bante zemra t’epte një shenj çfaretdo, kinse jemi tue rá në dorë. Me këta farë trimash edhe dibranët e çuenë burrnisht. Kishin mujtë me i mbytë njaty të gjithë. Po; pse ata, serbët, edhe njashtu si ishin, në vend që me dhanë ndonjë shenj dorëzimit, për kundra, synin kokërr, menden dukeshin se e kishin prap se prap te qëndresa. Dibranët u britën një herë e dý: “Dorëzonju!” Por kot; ata s’merreshin vesht. U banë me shenj, kinse t’i lëshojshin armët për tokë; por serbët, kurrgjâ, se kurrgjâ; si mos me e pasë me ta. U bâjshin shenj me dorë, që t’uleshin e të bijshin për dhé; mun njeni dibranësh u shtrî ai vetë mbë tokë, kinse po i bâj me marrë vesht çka lypshin prej sish. Dikur ma, njatje vonë serbët dhánë ndonjë shenj të lehtë, se i kishin kuptue e u përgjegjën edhe ata me shenje, se ishin gati me rá në dorë. Po, kaq vetëm; por pushkët me i lëshue për tokë, as vetë me rá në gjûj; jo. Çue peticat nalt përmbi krye, erdhën një mbas një tue u a dorëzue mujtësvet, ushtarëvet turq.
Duen me thanë, se kjo fitore e shkëlqyeshme kundra serbit që përmendëm, do t’i dihet kryekrejet strategjís e mjeshtrís së të shuemit Hasan Rizá Pashës. Ai për të gjallë të vet, u a kishte thanë oficjerëvet, se, po kje që anmiku do t’i mësynte ndonjë herë kodrat e Bushatit, këtij i duhej dalë e me i rá anash për brî, apor edhe mbas shpinet, po të kishte guxue anmiku me i sulmue natën për terr. Sidoqë të jétë puna, ndera e mjeshtria e kësaj fitorje mbi serb, i mbetë gjithmonë komandantit të Bërdicës, Ibrahim Talat Beut. Ky strateg i squet, ta pamen se i mësýen serbi, ma të parën punë, qiti nja 2.000 dibranë andej kahë Fusha e Bahçallekut, në krahin e djathtë t’anmikut. Këta, tue u shtýe pëllambë-pëllambë, u lëshuenë si papritmas mbi bataljonet e serbjanëvet. Veprimi i komandantit turk ka kenë përnjëmend, s’ka ma i guxueshëm. Brahim Talat Beu, megjithëse u gjet ngusht, nuk i lypi kuj ndihmë: Desh me u fërgue, si i thonë, në voj të vet. D.m.th. tue i a hjekë vetit një pjesë të mirë ushtarësh, të cilët, për atëherë, nuk i nevojiteshin aq fort për mbrojen e llogorevet.
Mjerisht por, kjo fitore, kaq e shkëlqyeshme e Bërdicës kje vrugue shì sod nade, për arsye se turku bori një kodër mjaft me randësí në krahun e bardhanjorëvet. Malazezët, të cilët e kishin qitë cekën me e shtie në dorë doemos atë kodrinë, qyshë heret n’orën 5 t’i a fi lluenë me e gjue prej kahmos; edhe s’i a dánë së mësyemes për nja 5 orë e gjysmë rresht. Kështu që, bje e bje, s’e lánë pa e shtie në dorë edhe atë qëndër qëndreset. E mandej, menjëherë mbas, Mali i Zí nuk u a dau një ças të shtimevet. Si shêj pushket, kësi shtegu sidomos, kishin vû ushtarët e turkut, vetëm këta. Asnjë shrapnel nuk shkonte huq, të gjithë plumbat bijshin përmbi ushtarët turq, të grumbulluemë ndër llogore; shrapnelat 75 dhe 120 m, të gjithë shprazeshin tue bâ damin e pafarë mb’ushtarët e shkretë. Fati i tyne, shì n’ato kohë rêja, një rê e shpeshtë që rrethon gjithkahë kodrën ku ishin strukë ushtarët turq. Anmiku gjithnjë qitte mbë ta; por ashtu në të thatë, pa pá gjâ me sý. Bijshin gjylet e topave e plumbat e shrapnelavet, një mbas një, pa i a dá; heraherë edhe kahë 10 a 15 përnjëherë. Shiheshin tash e parë, si përshqit ushtarët e turkut kahë ngjiteshin asaj kodre së vèshunë e të mbulueme me rê të shpeshtë. Ndërkaq, por, as turku nuk i a dante topit e mitralozit, një ças; Me të thanë mendja, se njatëherë po shembet bota për nën kambë. -Me t’u marrë fryma prej pluhunit e tymit; jo ndryshe! – i a bante njeni së varruemësh, ardhë njatë herë s’andejmi në qytet. – Aty, – shtonte, – nuk të dukej ma se gjindeshe maje një kodrine; por po, si t’ishe mbrenda një furre së ndezunë! Njandej kahë agimi i dritës, malazezët erdhën pak kahë pak tue i rrallue të shtiemet, deri ma që dikur e lánë krejt. D.m.th. deriqë ushtarët, kambësoria, kishte shkue tue iu afrue kun nja 100 metra llogorevet t’anmikut. Ushtarët e turkut por, gjithnjë e pritën anmikun pa luejtë vendit. Shiheshin me turbí, tue ndreqë me dorë aty-këtu stomijet e llogorevet, ku ishin prishë e damtue nga bombardimet. Edhe njashtu, të lanunë vetëm e t’izoluemë prej artileriet, nuk e lëshojshin. Mundoheshin me bâ qëndresë njashtu si mujshin. Tue e pá, se anmiku ishte hudhë fort ngjat, atëherë, sa mos me i a lanë atij t’i shtinte në dorë, menduenë për ma mirë, me i largue prej frontit topat e mitralozat; edhe me i vendue ma mbrendë. Kur i u kujtuenë malazezët kësaj loje, e pánë se tashma fi toren e kishin në dorë; prandej, tue marrë zemër edhe ma fort, u lëshuenë me vrull me mësýe llogoret. I mësýen; por llogoret në fjalë i kishin në dorë burrat e fortë, një bataljon nizamësh, nën komandën e major Asim Beut, pjesëtár i shtetit madhuer. Ky Ofi cjer, kambë për kambë me ushtarë, ndenjë e i priti trimnisht, pa i u tutë syni. Luftonte gjithkun në krye t’ushtarëvet të vet besnikë, sa do pak me numër e të ligshtuemë. Edhe nuk e kishte kurrkun menden me i u dorëzue anmikut, edhe pse ky u ishte afrue fort ngjat llogorevet.
Komandanti, me fjalë t’ambla e të buta, mënjë mundohej me u dhanë zemër ushtarëvet të vet. Rrinte tue u thanë: “Qe, qe; edhe pak. Qëndroni edhe sa grima, deri që të na vîjnë në ndihmë shokët; të cilët janë tashma hê-hê kahë i a behin !” Edhe njëmend; tash e parë u vîjshin në ndihmë çeta mbas çetash, redifë plot. Por atij s’i a mbushshin synin. Pritte se po i çojnë pak së pakut nja 8.000 ushtarë të rregulltë, njaq sa kishte çue me lypë. Po shì njatëherë, sa ishte tue u folë ushtarëvet, pa pritë pa kujtue i ránë dý plumba, që e varruenë aq randë, sa s’vonoi e diq aty para bataljonit të vet. Prej atij çasi mund të thuhej, se lufta ishte e bjèrrunë. Ushtarët, tue mos e ndie ma zanin e ambël të Komandantit të vet të dashun, erdh e i lëshoi zemra. Fjala e nënofi cjerëvet tjerë nuk u ngjitte; s’ishte kurrkun si ajo e Komandantit të shuem. Kështu qendresa vinte tue u bâ përherë e ma e flashktë.
Komentet