RIBOTIM NË 105 VJETORIN E RRETHIMIT SHTATËMUJOR TË SHKODRËS NGA MALI I ZI DHE NGA SERBIA
Në maj janë mbushur plot 105 vjet nga Rrethimi shtatëmujor (8 tetor 1912 – 12 maj 1913) i qytetit të Shkodrës – në perëndim, veri dhe lindje nga malazezët, ndërsa në jug nga serbët. Në këtë përvjetor VOAL sjell për lexuesit veprën e autorit Àt Justin Rrota “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër ase rrethimi i qytetit 1913 – kujtimet e nji të ngujuemi.
I nguejuemi, pra autori i kujtimeve, ishte 23-24 vjeç kur e përjetoi rrethimin tragjik të qytetit të tij.
Miku dhe kolegu Fritz Radovani (i jam shumë mirënjohës) ma dërgoi para pak kohësh këtë libër. E lexova me një frymë, pastaj iu riktheva me shumë dëshirë leximit të tij. Duke shfletuar dhe studiuar këtë vepër, historianët, shkrimtarët, kineastët, por edhe lexuesit e thjeshtë do të pajisen me një dritë të re të shikimit të epopesë shkodrane të fillimit të Shekullit XX, por edhe të vetë historisë së këtij qyteti të përjetshëm, si edhe të historisë së kombit tonë.
Kjo vepër ka një histori të autorit të saj: At Justin Rrota është një ndër personalitetet më të larta të klerit katolik shqiptar, veçanërisht i klerit françeskan shqiptar, pikërisht Urdhrit të Fretërve të Vegjël, të cilit i përkasin një plejadë e tërë viganësh të atdhetarizmit, fesë, kulturës, letërsisë, artit, publicistikës, etnografisë, botimeve e tjerë si At Gjergj Fishta, At Shtefën Gjeçovi, At Anton Harapi, At Bernardin Palaj, At Vinçens Prennushi e tjerë e tjerë. Ai ka dhënë një ndihmesë të ndjeshme në gjuhësinë shqiptare. At Gjergj Fishta e kishte këshilltar të parapëlqyer të krijimtarisë së vet.
Do të mjaftonte qoftë dhe kjo vepër që At Justin Rrota të meritonte vlerësimet dhe nderimet më të larta nga kombi i tij.
Vepra ka një histori të shkrimit. Ajo u përftua përgjatë një kujtese pesëdhjetëvjeçare. Duke u mbështetur kryesisht tek vetja dhe tek dëshmitarë e tjerë të panumërt bashkëkohës, At Justin Rrota sjell pasqyrimin më burimor, më të drejtpërdrejtë të mundshëm të këtij rrethimi legjendar, për të cilin shumë është heshtur dhe pak është shkruar e folur. Me zell, durim dhe përkushtim historiani dhe me stil të lavdërueshëm shkrimtari, i vetëdijshëm për rëndësinë e pashoqe të ndriçimit të kapitulli të veçantë të historisë, At Justin Rrota shqyrton një bibliografi të gjerë veprash të autorëve të huaj që janë marrë me temën e Rrethimit të Shkodrës 1912-1913.
At Justin Rrota në parathënien e veprës jo vetëm thotë se Shkodra, e rrethuar disa herë në histori, është një qytet që nuk mund të pushtohet nga asnjë ushtri, por mund të merret vetëm me uri ose tradhti, ose të dyja së bashku, si gjatë hisorisë, por në nëntekstin e largët ai parathotë se Shkodra mund të mbahet e rrethuar, por nuk e njeh dorëzimin.
I vetëdijshëm se po bën një akt të ngjashëm me atë të Marin Barletit, të cilit ia shqipëron mbiemrin në Bardheci, At Justin Rrota ngulmon për ta botuar veprën pikërisht në 60 vjetorin e Rrethimit të Shkodrës 1912-1913. Këtu fillon dhe historia e botimit. Një vit më vonë At Justin Rrota ndahet nga jeta dhe nuk e shikon të botuar veprën e tij.
Vetëm më 2010 vepra e tij sheh dritë nën përkujdesjen e Kolë Cefës, në kuadrin e kolanës së botimeve të Bibliotekës Françeskane.
Vepra është dëshmi, dokument, rrëfim, dialog, çka bën që ajo të lexohet me një frymë dhe të mos harrohet asnjëherë. Ngjarjet, persiatjet, meditimet, ndodhitë nuk lënë pa prekur frymë të gjallë të asaj kohe, por vërtiten pikësëpari rreth dy personazheve kryesore: kryekomndantit Hasan Riza Pashës, gjeneralit të cilit Sulltani ia besoi Shkodrën në krye të ushtrisë otomane, dhe Esad Pashë Toptanit, komandant i trupave rezervë nga radhët e shqiptarëve, më vonë komandant i përgjithshëm i luftimeve.
Me këto dy figura është marrë dhe merret edhe sot e kësaj dite historiografia. Zbulohen dokumente të reja arkivore që hedhin dritë aty ku nuk ishte hedhur. Krijohen hamendje të reja dhe nxirren përfundime të reja të cilat tronditin përfundimet e njohura.
Historiani i famshëm bashkëkohor Noel Malcolm, kur e pyesin si të rishkruajmë historinë ne shqiptarët, thotë se arkivat kanë rolin e tyre, por vendimtare për historinë e një kombi, për figurat, ngjarjet, zhvillimet historike, sado të hershme apo enigmatike, është kujetesa e tij e trashëguar brez pas brezi. At Justin Rrota sjell në këtë vepër pikërisht historinë që flet vet, pa nevojën e intepretimeve, nëpërmjet atyre që e përjetuan historinë shtatëmujore të rrethimit, me bombardimet, me betejat, me urinë, me prapaskenat, me psikologjinë e ngujimit të imponuar kolektiv të një qyteti me rrethinat e tij.
Duke ia dhënë lexuesit tonë këtë vepër, ne falënderojmë me gjithë zemër botuesit e saj që na e lejuan ribotimin këtu në VOAL, në një moment kaq domethënës siç është 105 vjetori i Rrethimit të Shkodrës 1912-1913.
Skënder Buçpapaj
QYTETIT TIM TË SHTRENJTË DHE BASHKËQYTETARËVET TË SHKODRËS JETIKE ZAMADHE FISNIKE KËTO FLETË TË PËRGJAKSHME TË CILAT KISHIN ME DASHË TË ENDIN SA MA BESNIKISHT NGJARJET E NJË RRETHIMI NDËR MA TË GJATËT E TRAGJIKËT QË NJEH HISTORIA E POPUJVET SOD MBAS 50 VJETSH ME NDERIM E NOSTALGJI
AUKTORI
DY FJALË SI PARATHANJE
Shkodrës sonë jetike nuk ishte, si dihet, ky rrethim, ma i pari, që i tokonte me pësue. Vendue qyteti, për natyrë, në një pozicjon strategjik fort t’aftë për qëndresë, për me e shtî në dorë, anmikut përherë i u desh me hjekë fort keq. Këndej, kanë mbetë të përmenduna në histori faktet burrnore, heroike e legjendare, që rrokull shekujvet shenjohen nga historjografët se ndodhnë, si prej anet së sulmuesvet, si, posaçe, prej anet së mbrojësvet. Mjafton të çekim këtu, sa ngusht i a çoi Romakut edhe sa shumë fl î i kushtoi këtij, kur desh t’i a hiqte doret Shkodrën mbretit të saj të pafat, Gjencit, Gjenerali romak i famshëm, Luc Emil Pali, vjetin 168 p.K.- Kujtojm këtu, sa punën ia qiti turkut vjetin 1474 e 1478, Shkodra e qëndrueme në kështjellin e Rozafatit, për me e marrë me luftë e ma fort me û.- Shtojm sulmet vigane, që bani vjetin 1811 Mustafa Pasha i Bushatit, për me e shtî në dorë Shkodrën zamadhe. Ndërkaq, na prej anet sanë, tue krye këtu detyrën e kronistit të ndërgjegjshëm, do të mundohemi ndër shprehje gjithkun të diftohemi sa ma objektiv, të drejtë e të paanshëm, sidomos në theksimin e ngadhnjëmevet të të dyja palëvet. Kemi konsultue, mund të thomi, krejt bibljografín përkatëse, botue deri më tash nga auktorët e vendit e të huaj. Do t’i shfrytzojm mundsisht të gjithë, sidomos përsa i përket kronologjís ekzakte të ngjarjevet të këtij rrethimi, që, si thámë, njehet sigurisht ndër ma të gjatët e tragjikët, që regjistron historia. Përsa kemi pasë mundsí, kemi avitun dhe kemi marrë informata nga ata të pakë tashma, të cilët aso here kjénë pjesëtarë, në moshë të pjèkunë të kësaj tragjedie. Po; këto të gjitha do t’i kemi parasýsh në t’endunit e këtyne fletëve të përgjakshme. Por trishtimi e përshtypjet e forta t’atyne ditve të zeza ; tmera e pikllimet e kujtimet e vajit e të mjerimit t’asaj perjudhe tragjike, këto janë sende, që kanë mbetë gjithnjë të pashlyeshme në menden e në zemrën e atyne që e patnë rrezik me i pësue. Mbas një gjysmë shekullit (1913-1963), auktorët pasivë të kësaj tragjedie, sigurisht, nuk i kanë qitë mendësh endè ato të zeza, mënerë e pikllime: A mund të harrohen?… Prandej , edhe për ta s’ka për të kenë një gjâ e paqëllim, kur t’i këndojn ndër këto fl etë gjanë e gjatë edhe me shenjëmet e duhuna vuejtjet e idhta t’atyne ditvet të trishtueshme. T’unshëm e të dëshruemë ma e shumta për një kafshatë bukë, tue e pá, shtatë muej rresht, për ditë deken me sý, gjithë kohën gati të thuesh, posaçe natën, strukë si iriqat nën dhé a si bretkocat ndër gropa, gjatë lagështinës së vjeshtës e acarimit të dimnit; natë e ditë me frikë në zemër, përherë vû shenj pushket e topit; shkëputë prej botet për një kohë jo ma të vogël se 7 muejsh; Përnjëmend, që këto janë vuejtje e të zeza, të cilat mund të aprovohen, por që nuk mund të përshkruhen, nemose aq sa duhet. Ta ngarkojm sa të duesh kuadrin me hijezime sa ma t’errta, kurr s’mund t’i a bâjm ngjat së vërtetës a realitetit t’asaj perjudhe pësimesh jashtëzakonisht mizore. As për ta prû mjerimin e vuejtjet e atyne ditve se ma gjallë, s’e kemi menden t’i shtojm a t’i smadhojm punët. Jo; shkruej ndër këto fl etë çka na rá aso here me pá me sý, apo çka ndiemë vetë e na provoi zemra gjatë asaj ploje së përfrikueshme. Për ta paraqitun qytetin n’ato adspektet sa ma reale e, ndër të cilat gjindej Shkodra aso ditësh ma të të regjimit të vjetër, do të mundohemi ta pajisim me një numër sa ma të madh fëtyrash fotografi ke. Së mbramit, edhe këtê: Synuemë të bâjshim këtu një veprë të voglë historiko-letrare. N’i a paçim dalë këtij qëllimi, jo, kjo âshtë një gjâ që rri kryekrejet në dorë të lexuesvet; këta t’a gjykojn. Shkodrë, vjeshtën e 50-vjetorit të rrethimit të mbramë të qytetit (1913-1963)
Auktori
Të hýmt
Fatet e qytetit të Shkodrës Rrokull shekujvet
«Shkodra, ky qytet shum i fortë, vështirë se mund të merret me luftë»
(Tit Livi XXXXIV.31.)
Shkodra, kryeqyteti i Gegnís, pat kenë motit selia mbretnore e krajlavet t’Ilirís, që kjénë të Parët tanë. Gjenci, ma i mbrami mbret i Ilirëvet, kje thye në luftë prej perandorit romak, Luc Anicit, e çue në Romë si rob. Aso here (v.168 p.K) e mbrapa, Shkodra e Shqipnia mbarë u banë pjesë e mbretnís romake. Kur mandej vjetin 395 u dá dýsh kjo mbretní, edhe kryeqyteti i Gegnís, Shkodra mbet me perandorín e Stambollës. Në të IV shekull, Gott, një popull i Gjermanís, u derdhnë nëpër Dalmacje e nëpër Shqipní; e vëllau i Tòtilës, mbretit t’Ostrogotvet, Ostroili, e mori me luftë Shkodrën edhe zuni vend në këtê qytet si krajl. Perandori i Stambollës, Justinjani II, i qiti jashtë prej këtyne krahinave, tue lanë në Shkodër Selimirin, gjerman edhe ky; i cili kishte ardhë bashkë me Ostroilin. Këtij i dha pushtetin me e sundue Shkodrën me rrethe, tue e njohtë këtê, si Kontin e Zentës. Zentat, atëherë, ishin dý: Zenta e Sypërme, që përfshinte Malin e Zí të soçëm; edhe Zenta e Poshtëme, e cila merrte Podgoricën, Shkodrën, Drishtin etj. Serbjanët, të cilët kishin ardhë në shekullin VII aty ku janë sod, këta e shtienë në dorë ma vonë edhe një pjesë të Shqipnís, me tê edhe Shkodrën. Por, si u prish e u shkatërrue mbretnija e tyne, Dera Serbjane, katolike e Balshajvet, e bani për vete krejt Zentën e Poshtëme, me Shkodrën. Edhe e mbajtën këtê qytet deri vjetin 1396; d.m.th. kur i a lëshuenë tue i a shitë Republikës së Venedikut. Vjetin 1477 Shkodra nga kjo Republikë iu kje lëshue anadollakëvet; të cilët e fi tuenë, jo me trimní, por e blénë me pare prej Venedikut.
RRETHIMI I QYTETIT 1912-1913.
E marte, 8 tetuer 1912 “Dushk për gogla!”
Nëpër rrugat e qytetit: Frikë, pështjellim e fjalë vesh në vesh… Rreth mjesditet. Lagjja “Gurakuqi” ; Gjuhadol.
-Ej Ndoc? – e ndali rrugës një shok të vetin, Kola.
Si njeni si tjetri, të dy veshë me branavekë, tanuzin me tufë të mëndafshtë mbi krye, po ngitshin kahë furrëtari. Si u falnë,
– Po ma ! – vijoi Kola.
– Fjalë a gjâ?… Si po të duken punët? A thue krisi njëmend, a por?…
-Morè kjo, me gjasë e pat! – i a priti shoqi. – Veç çka të shtýjë… Palè ma; të shohim !… Turkut, përsa më duket mue, kësi shtegu i a dogjnë fistanat; por sa pare ban ?… Drue, se dushk për gogla !… Paj, turku e Mali i Zí: Një skrop !
– Ani, bre burrë ! Të na hiqet një herë kjo hale; pse mandej kushdi si e ban Zoti. Të shkundemi prej këtij llomi; pse mjaft tash gati 500 vjet që na e fëlliqi këtê vend !… Mali i Zi? Serbi ?… Morè dreqi ta marrë këtê Shqipní; mjaft të na hiqet qafet turku!
– Mirë, mirë; por drue, mos të biem prej shiut në breshën. Kam frikë, se kemi me u pendue shpejt. Po edhe Malit të Zi kush i a ka pá hajrin?
-Morè, e dij edhe vetë; por, as kështu nuk qitet ma! Fjalën i a preu në gojë krisma shurdhë e një topi të largët, që njatë herë ushtoi andej kahë Deçiqi. Edhe n’atë gjamë të trishtueshme deket, s’dij a prej friket a prej gëzimit, Kolës i u dha me britë të madhe: -Qe besa; këta i a mbërrijtnë!… Po, lum Ndoci, shum shum me thanë, deri sod një javë, po i shohim tue na u endë nëpër Fushë të Çelës e për të gjatë të Parrucës kapicat e qindisuna m’ari me Zhivio Nikolla I.
-Zoti mos e thashtë!… Jo, jo; njëqind herë ma mirë fesat e kuq! Bamë e u mësueme tashma! S’ka ma zí, këtê po ta thom edhe vetë, handrak ky e handrak ai; por mendja më thotë, se nën zotnín e rí do të gjindemi fort ma keq. Ti nuk e njeh, çka âshtë Mali i Zi!… Për shpírt, né Shqiptarët s’do me na pá gjallë! Fjalë më fjalë u kapnë te furrëtari.
Aty e këputnë bisedën, tue i thanë njeni -tjetrit: “Njëkëtu po e flasim e njëkëtu po e lamë. Mos gabo me zanë në gojë me kend këso punësh; pse madje tash âshtë kohë luftet; edhe, të marrin mbë qafë! Të shkon kryet, se kurrgjâ!
Shkodra.
Qyteti në veti âshtë i pruejtun mirë prej natyret: S’merret me luftë, veç fort me të vështirë. Historia, tue zanë fi ll prej kohëvet ma të lashta, na dëshmon, se fort keq ka hjekë anmiku me e shtî në dorë këtê vend jetik. Por tash, në këtê rrethimin e mbramë që kemi parasýsh, Shkodra gjindej e forcueme edhe e mbròjtunë sidomos nga këto dý anë. Në njenin krah, kah jugu, âshtë e rùejtunë nga Kodrat e Tepes e nga kështjelli historik i Rozafatit, ndërtue qyshë ndër kohët ma të lashtat ilire (mendo te: Gjenci e Teuta !); ma vonë, forcue e rregullue ma së fortit nga Venecjanët. Mbrojtjen ma të randsishmen e kryesoren por, duhet me thanë, se qyteti e ka nga Taraboshi dhe nga Kodrat e Bërdicës e të Vukatanit (forcime të vona). Të gjitha këto qandra qëndreset së natyrshme në kohën e rrethimit të mbramë nuk përmbajn ma se 25.000 vetë. Kahë dro secila qendrë luftimit mos të mbesë e shkëputun nga shoqet, kështu i âshtë dashë sëcilës posaçe me mendue për veti, për një luftim të pamvarshëm. Shtrëngue e forcue për qëndresë, mos me pasë, çka u ban anmiku, për fund por, gjithë uzdaja âshtë mbështetun, si thamë, mbi kështjellin e natyrshëm të Taraboshit.
Kryekomandanti i operacjonevet.
Në krye të gjitha fuqivet ushtarake ndodhte aso here, fati i Shkodrës, një burrë fort trim e i zoti, Hasan Be Rizaja. Ky Kryekomandant i squet, emnin e të cilit qyteti i Shkodrës nuk do ta qesë kurr në harresë, kishte lé në Bagdad, vend i përmendun i Turqís Azjatike, permbi lumin e Tigrit: Qytet, që ka nderën të mburret, se ka ma të vjetrin Universitetin e botës, themelue prej arabësh. Hasan Riza beu kishte krye këndimet e para të degës ushtarake në Stambollë; mandej shkue e dhanë fund këtyne në Berlin. Prejse qyshë heret u diktue burrë i mendshëm, i gjallë e i zoti, sidomos, në degën ushtarake, t’u këthyemen në vend të vet, në të shpejtë i duel zani si një ndër ma të mirët ofi cjera t’ushtrís mbretnore; edhe qyshë nën Abdul Hamidin kje çmue vlera e zotsia e tij e jashtëzakonshme. Kështu që, me gjithëse aq i rí, mbërrijti m’u emnue pashë, ase gjeneral ushtriet. Fíll mbas Konstitucjonit (hyrrjetit) qeverís së ré nuk i a mbushshin kurr synin ofi cjerat e rregjimit të Abdul Hamidit. Sado të zotët e me një kulturë të gjanë, disa i kishin marrë ashtu shpejt e shpejt shkallët ma të naltat ushtarake. Ishte koha atëherë për ashtu! Në numrin e këtyne ofi cjerave të rritunë në pakë kohë, ishte edhe Hasan Rizaja; Edhe ky, me tjerë, kje degradue e bâ kolonel. Hasan Beu por, nuk e ndjeu gjithaq këte degradim. Ishte i ri, edhe kishte miq e të njohtunë plot ndër rrethet e nalta të komandës ushtarake të mbretnís. Edhe njëmend; çdo punë a zyrë, që i ngarkoi qeveria e ré, ai gjithmonë e kreu ma së mirit, tue korrë kështu lavde e simpatí përherë ma të madhe nga eprorët e vet. Ndërkaq, shkaku i uzdajës së madhe, që të parët kishin mbi zotsín e tij, kje dërgue në Shkodër, si komandant permbi 30.000 ushtarë të rrègullt.
Vetít e rralla të Kryekomandantit.
Ishte i rreptë fort, i vështirë dhe pak si i ashpër me ushtarë. Kështu e bien; mbasi ai e këqyrte kryekrejet detyrën. Si i rrinte kësaj ai vetë me përpikëni mbë tê, njashtu kërkonte edhe prej tjerësh. I shtrënguet por, e i pathyeshëm diftohej vetëm kur ishte puna e zyrës, përsa i përkitte ushtrís e luftës. Për ndryshe diftohej burrë, kavaljer, zemërbardhë e i dhimbshëm sidomos me të mjerë. Kishte nderim për anmikun që kishte per báll; I a çmonte trimnín e i lëvdonte qëndresën. Shpesh e kishte në gojë këtê fjalë, se i a dinte per nderë Krajl Nikollës, për arsye pse i kishte vû per báll një Gjeneral trim e të zotin, si shoqin e Z. Martinoviqit. Mandej edhe qe: Ndodhte njëherë n’inspektim andej kahë llogoret e Bardhanjorëvet; përse ai madje, si komandant i mirë bante çmos, për me u gjetë në çdo qendër, ku lufta ishte ma e ndèzunë. Aty, kahë Bardhanjorët i rá me u ndeshë në një ushtár malazias i cili, varrue randë ndër kambë, me të zi që po ecte. Do prej bashibuzukësh i pau Kryekomandanti kahë ishin tue marrë zhargas atë fatzí e ishin tue e çue kahë llogoret e veta. Hasani shkoi në të shpejtë te i varruemi i huaj; desh me e pá; i pruni te kryet mjekun e vet. Mandej, sa hetoi asajt një gomár shkarkuet, e ndali edhe i a bleu të zotit njaqë sa i lypi, 150 grosh. Me atë fíll Kryekomandanti xuer prej xhepit një facoletë të bardhë, i a dha të varruemit të huaj, edhe e porositë ta valëvitte gjithë rrugës tue e përcjellë kështu kahë rreshtat e anmikut.
Mbi qëndresën e qytetit.
Kur dikush njëherë e pyeti Kryekomandantin për qëndresën e qytetit, ky i përgjegji: «Shkodra nuk merret ashtu lehtas, âshtë vështirë me e shtî në dorë. Sa për malazez, këta sigurisht s’kanë çka i bâjn: Këta vetëm, kurr s’janë të zotët me e marrë Shkodrën. Këtyne kishte me u dashë t’u vîjshin në ndihmë edhe nja 30.000 serbë me topa ma të mëdhaj e ma shumë. Atëherë po; ndoshta mund t’a shtín në dorë Shkodrën. Por, me çka shoh vetë, kjo ditë, dita e të ramit të qytetit, âshtë larg, fort larg!» Hasani fl itte kështu, pse dinte çka thonte. Ai vetë e kishte urdhënue e rregullue krejt planin e mbrojtjes së qytetit me zotsí të rrallë e me taktikë strategjike sa ma moderne. Tue e parapá Kryekomandanti, se ndër ato rrethana ishte gjasa se do të mbette kryekëput, i shkëputun prej qeveriet së vet, u vû e bani çka mujti, për me u mbrojtë vetë, pa i u falë nderës kuj. Ndërkaq po shì aso ditsh mbërrijtnë në Shkodër, nisë prej Stambollet, armë, municjone e gjithfarë materjalit luftet, mjaft me shumicë, drejtue për Beranë, Pejë, Gjakovë e Prizrend. Tashti por, tue kenë lufta në kambë, s’ishte e mùndunë me e përcjellë në destinacjon të vet, shëndosh, gjithatë materjal luftet. Prandej, këto municjone mbetnë në Shkodër. E kje një fat i mirë për qytetin e rrethuem, mbasi kishte mbërrijtë në një kohë aq të volitshme. Ndërkaq edhe, gati dita me ditë shihen kahë hijnë në Shkodër udhëtarë redifë ase bashibuzukë. Vetëm njëkëto ditët e fundit i a kanë behë këtu prej kahmos 1500 vetë, asi vullëndetarësh solidarë me regjimin e vjetër. Hasan beu ka uzdajë të madhe mbi ushtarët e rrègullt të vet, sadoqë i mban më një dishiplinë të rreptë. Për çdo gabim, thonë, që bâjn ushtarët, edhepse nuk âshtë gjithaq me randsí, i ndëshkon randë. Qe, një shembull. Një ditë, njandej kahë fi llimi i rrethimit, dy ushtarë, grekë me fi s, por nënshtetas turq, u pánë tue e kalue urën e Buenës, me qëllim, mësi dukej, me shkue e me u bashkue me ushtrí malazeze. Njëherë së parit nuk u bani zâ kush; i lánë të kalojshin. Por fíll mbas, një mitraloz, vendue aty në krye t’urës, i gjuejti e i la dekun mbë tokë, si njenin, si tjetrin. Njashtu njaty dy të dèkunët kjénë lanë për do dit, qi t’i shihshin të gjithë, edhe mos t’i binte në mendë ndonjë ushtari tjetër me bâ si ata rrezikzez!
Lajmi zyrtár i luftës.
Lajmi zyrtár i fi llimit të luftës, ultimatum, kje dhanë me 8 Tetuer 1912; edhe fíll ne e nesret, e mërkuere, nisnë me u ndie ushtimat e topavet, që rrihshin andej kahë krahi i rrëmakët i liqenit të Shkodrës. S’vonoi e në të shpejtë u hap fjala këtu në qytet, se ushtria e Malit të Zí, ma të parën punë, kishte mësý me i rá Tuzit. Njëkohësisht, ushtrít malazeze e shkapërcyenë kufi nin nga trí anët: Nga perëndimi, tue marrë krahun e Anës së Malit, e tue mbajtë gjithkun kah krahu i djathtë i Bregut të Bunës, u shtýnë deri rranzë Taraboshit. Krahu tjetër, mësý e shtie në dorë qyshë ato ditët e para Tuzin, u shtýnë e i ránë malit për báll, qëndër e fortë qëndreset, Deçiqit. Një degë tjetër e ushtrís së Malit të Zí i a mbajti andej kahë Kopliku e Vraka, e rá në Fushën e Shtojit. Një pjesë tjetër e ushtrís anmike u drejtue kahë e djathta e liqenit, gjithnjë rranzë Taraboshit. Me 11, rreth mjesditet, nisnë me u ndie në Shkodër top e mitraloz andej kahë Zogajt, mbi Shirokë. Pushka, batare, ngjati a s’me kenë breshën, atë ditë gjithë ditën edhe ne e nesret, deri me 13. Atë natë fi lluenë me u pá prej qytetit zjarmoret e shtëpiavet, që malazezët shkojshin tue djegë gjithkahë. S’vonuenë me i a behë në Shkodër, çeta mbas çetash, banorët e ikunë si të dispruemë prej atyne lagjeve, të cilat fl akët e anmikut shkojshin pëllambë për pëllambë tue shkrumbue. Me ta i a behnë në qytet, ndër ma të parët, shirokasit; të cilët, mbasi kishin çue kinse me i ruejtë në Kishë gjithëçka kishin pasë mbas shpirtit, gjâ pasuní e orendí, vîjshin tash në Shkodër, kinse me gjetë strehë e shpëtim. Në këtê luftim andej kahë krahu i rrëmakët i liqenit të Shkodrës, ndërmjet Shirokës e Zogajt, dje me 11 tetuer 1912, mbet tue luftue trimnisht, Sadedin Bej, Komandanti i regjimentit.
E, sikur kallëzon Hortensia Zambaur, e kanë shtie në dhé njashtu si ka dekë, pa e lá, simbas zakonit; mbasi âshtë pastrue me gjak të vet, të derdhun për vatan. – Flitet ndërkaq, se komandën e Taraboshit e ka marrë Hasan Rizaja; Esat Pasha atê të Fushës së Shtojit. Ishin bâ prej rruget, prej panikut, prej strapacash e vuejtjesh… s’shiheshin me sý! E grátë sidomos, këto shkye e laskarue petkash vrá e shëmtue e lá më gjak, tue kjá si të disprueme, mësýjshin me hî përdhuni në qytet. Gjithai karvan së mjeruemësh, ikë e lanë ato kësollat e kolibat e veta, pa mujtë me marrë me veti veç sa pak çakla, kishin ecë dý dit e dý net, gjithë uzdajë kinse po e kapim Shkodrën e po shpëtojm me krye! E tash!… Bashkë me vargun e përvajshëm të këtyne të mjerëvet, ikë ma e shumta prej Pulajsh, prej Kakarriqit e prej katundesh për rreth, një mbas një s’prâjshin tue e mësý qytetin edhe asish së shkretësh, djegë e plaçkitë e prishë e rrenue prej Malit të Zí. Njato pak bagtí, që kishin mujtë me shpëtue për fl akë të pushkës, ato i kishin vû përpara e u grahshin gjithsa mujshin, mbasi koha s’pritte. Tjerat, berret e imta sidomos kahë s’kishin mujtë me i a marrë me veti, kishin shkue tue i lëshue aty-këtu rrugash, veç sa mos me i a lanë anmikut! Posë këtyne që përmendmë tue i a mësý qytetit dita me ditë edhe prej katundevet, sidomos të rrethit. Këta të mjerët mbasi kishin djerrë gati gjithë gján e gjallë e gjithëçka kishin pasë mbas shpirtit, tash gjindeshin gisht. Edhe kështu mësýjshin Shkodrën, mendja e tyne, për me shpëtue gjallë me frymë. Shumica, ngarkuet ata vetë njëherë gjithsa kishin mujtë me çue mbë shpinë, burra e grá. Me ta, ndonjë kál a gomár, edhe ata ngarkuet sa mos me mujtë me çue ma. Ishin edhe asish qi kishin marrë rrugat, kush te një mik a kumbár; kush edhe mësynte malin, pa e dijtë mirë as ai kahë me i a mbajtë. Por përgjithsisht grátë, si thámë, këto sidomos, prej së lodhunit e prej disprimit, ishin bâ si të lafi tuna mendësh. Shumë sosh kishin ngrykë foshnjet, të cilat edhe ato kjájshin e britshin të madhe. E tash, njashtu vojtë me i u dhimbtë gurit e drunit, as me hî në qytet nuk i lêjshin, n’atë Shkodër, ku kishin ngulë të gjitha uzdajët e shpëtimit. Vrrasin, kjajn dhe lypin me doemos t’i lanë me hî në qytet. Por roja s’ka fjalë tjetër në gojë, përposë njasaj: “Jasak! Nuk âshtë lêja! Kështu âshtë urdhëni i Komandantit! S’ban ndryshe kurrsi!” N’atë të veten edhe roja e Komandanti kishin të drejtë. Po me pasë rra me u grumbullue në Shkodër të gjitha katundet e rrethevet, mos pyet çka kishin hangrë gjithai njeri. Urdhënin me u kthye dalë, gabelt sidomos këta nuk duen me e ndie. Kahë mendojn, si e kanë lanë vendin e vet, mjerimin e të zezat që kanë pá me sý, vetëm ky mendim u a shtinte trishtimin edhe e largojn si tundim. Me u kthye prap po aty ku pakë para kanë pá dekën me sý?… Jo, jo; nuk âshtë punë që bâhet! Por urdhëni âshtë urdhën. Ushtarët janë rreshtue në krye t’urës, edhe nuk lanë me kalue njeri të gjallë asajt!
Kahë Kopliku e Fusha e Shtojit.
Marrë me luftë e rá në dorë Tuzi e Deçiqi, ushtria e Malit të Zí u lëshua fulikare kahë Kopliku edhe njëherit u shpërdá Fushës së Shtojit. Këtu, me 17 të Tetorit u bâ një luftë e përgjakshme, që s’di kush me e kallëxue. Pushkë e top krisnë sa krisnë; mandej fi lluenë me u pá prej qytetit shkulmet e fl akëvet e të tymit, që delshin prej shtëpiash së djeguna, posaçe andej kahë Kopliku. Zjarmi, ngjati pa u dá kurr, dý dit rresht. Prej fl akëvet të natës mund të gjykohej, deri ku kishin mbërrîjtë malazezët. Zjarmorevet, që shiheshin përherë e ma shumë andej kahë Kopliku, shpejt erdhnë e iu shtuenë edhe ato të katundevet kahë rranzat e malit të Maranaj, e prej Prostripet. Ndërkaq, dita më ditë e mësýjshin qytetin qindra e mija katundarësh e malsorësh së dyndunë prej malsísh e katundesh së djeguna, të shkrumueme edhe vû para prej ushtriet sulmuese. Ata të shkretët, që lêjshin trojet e veta edhe vîjshin tue u grumbullue këtu mbrendë në qytetin e rrethuem, n’atë gjêje disprimit nuk e mendojshin aspak, se me këtê punë iu randojshin të rrethuemvet, tue e bâ përherë e ma kritike çashtjen e ushqimit, posaçe të bukës. E fëmija e njomë, këta sidomos ta këputshin shpirtin, tue i pá ashtu ngrehë zharg për doret prej prindësh e prej së mëdhajsh. Viktimët e pafaje të shplakës së luftës! Ndërkaq, ushtojshin për tmerrë topat, që prej Muriqanit rrihshin majet e forcueme të Taraboshit; pa mujtë mësi dukej, me i bâ gjâ. Turqit, fl akë për fl akë, i përgjegjshin bombardimit; i rrishin gati e s’i a lêjshin dalë anmikut sulmues.
Lufta kahë Mesi e Myselimi.
Qyshë me 16 të Tetorit, nga Kopliku malazezët u drejtuenë me gjithë forcat e veta kahë Fusha e Shtojit. Mjaft i a dhanë; por nuk qitën gjâ në treg. Ndërsa baterít gjuejshin pa dá nga Muriqani qandrat e forcueme të Taraboshit, malazezët vîjshin tue u shtrî kahë Drishti, kahë Mesi e Myselimi. Këto veprimet e anmikut mund të hetoheshin kjartë dhe mund të ndiqeshin me sý prej qytetit të rrethuem, simbas edhe tymit, që shihej tue dalë nga shtëpiat e djeguna. Por vërtetohej edhe ma me siguri nga numri i madh i banorëvet t’atyne rretheve, të cilët rrâjshin varg e vistër dita me ditë, të tmeruemë, për me gjetë strehim e shpëtim në qytetin e rrethuem. Me 26 malazezët, marrë me luftë Zogajt, me atë fíll u drejtuenë me e shtie në dorë edhe Shirokën. Pushkë e mitraloz e top, qëse bani dita, krisi pa mê një ças. E mësynë Shirokën e shkretë me furí edhe banë çmos, për me e shtie në dorë. Por sa për atë ditë, nuk u duel. Tue fi llue prej mjesnatet, me 27 të tetorit dhe deri në perëndim të diellit, Mali i Zí gjithnjë u lëshue kundra llogorevet të Fushës së Shtojit.
Qarkimi ngushtohet.
Qëndra e luftimit ndërkaq afrohej përherë e ma tepër kahë qyteti. Malazezët kishin vendue topat shì ndër rranzat e Maranajt; ndërsa turqit i kishin rreshtue topat e mitralozat pakëgjâ jashta qytetit. Kështu që gjylet, ndodhte shpesh që shprazeshin mbrenda ndër lagjet e Rusit. Aty banë edhe dam; mbytnë nja disa. Ne e nesret, me 28 të tetorit ndezi lufta prej dý anësh. Mësýhej pa dá një minut, njëherit Taraboshi edhe këndej kahë llogoret e Fushës së Shtojit. Por me 29 malazezët, prej Mesit e Myselimit, pëllambë-pëllambë, tue e lá me gjak, u shtynë e shtienë në dorë Bardhejt. Porse çka! Malazezët, mjedis gjithatyne kodrave e vëneshtave e përroskave u ngatrruene, borën drejtimin edhe s’dijshin ma kahë me i a mbajtë. Ushtria e turkut u bani rrethin. U përzie lamshi atëherë, u bâ gjak i madh; edhe s’dij ku do të mbaronte puna, po mos të kishin rrâ mejherë shaljanët, që u hinë ndërmjet e s’i lánë me u shkri atë ditë të gjithë, tue mos mbetë asnjë për bé! Atë ditë malazezvet u ishte dhanë e mbrapshta. Ushtari i pafarë mbet n’atë rasë dekun e i varruem atyne përroskavet e kodravet e fushave. Der në tre fl amuj, edhe plot tjerë kjénë zanë rob e prû në qytet. Të nesërmen prap luftimi vijoi; por vetëm me të shtieme topash, si ditën para në këte krah. Të bjerrunat kjénë gati pat a pat. Shumë veç sa të thuesh. Këjo gjâ mujt me u vërtetue prej numrit së varruemësh, që vetëm n’atë shteg bartën e prunë ndër spitalet e qytetit, jo ma pakë se 5000 vetë ! Merret me mendë, se aq, në mos ma teper, do të kénë kenë të dèkunët e të varruemët prej anet së sulmuesvet.
*KUSH ËSHTË AT JUSTIN RROTA OFM
Justin Rrota (Shkodër, 17 shkurt 1889 – 21 dhjetor, 1964) ka qenë frat françeskan, arsimtar dhe gjuhëtar shqiptar.
Biografia
U lind në Shkodër, i pagëzuar me emrin Ndoc, ishte djali i tretë i Gjush Rrotës dhe Marie Vjerdhës[1] mbas Kolës dhe Simonit. Mësimet e para i mori në shkollën shtëpiake të Tinës së Nikës në Serreq. Pastaj pesë klasë fillore e një klasë qytetëse i kreu te françeskanët. Më 22 gusht 1902 hyni në Kolegjën françeskane, ku ishte drejtor At Fishta. Më 1904 veshi zhgunin e rishtarit për frat në Rubik e qé me këtë rast që iu dha emri Justin. Mbas një viti kaloi në Troshan ku studjoi teologji. Po në gusht, tashmë në vitin 1907 në Klagenfurt, Austri për të thelluar studimet në teologji por kthehet pa e mbushë motin për arsye shëndetësore dhe i kryen studimet në Shkodër nën drejtimin e At Gjergj Fishtës dhe At Ambroz Marlaskajt. Shugurohet meshtar me 11 gusht 1914 në Kishën e Fretënve, në Gjuhadol; predkun e rastit e mbajti Frati i Madh, At Gjergj Fishta[2]. Emërohet profesor i gjuhës dhe latinishten po në atë Kolegj ku kishte rritë shtatin e rysë mendjen edhe ai vetë. Mungonin librat, metodikat, mungonte një përvojë e mirëfilltë pedagogjike. E ai iu vu punës me i mbushë këto boshlleqe vetë: në pak vite (1914-1917) ai u bë një referim për lëndën e gjuhës jo vetëm për shkollat e kohës, por edhe për gjuhëtarët e mirëfilltë, si Mjeda, Logoreci, apo krijuesit më në zë si Fishta, Gurakuqi etj. Mbërrini të bëhet studjues me kulturë të gjerë. Gjatë viteve 1911-1917 Justini shërbeu si profesor i gjuhës shqipe e i besimit ndër klasat qytetnore të shkollave françeskane në Shkodër. Kur filloi botimin gazeta “Posta e Shqipnís”, qe emënue në stafin e kësaj gazete, si redaktor. Më 1917 fratin e ri e emnuen në Plan të Dukagjinit, përcjellun nga e ama dhe At Fishta. Atje, për herë të parë, ra në kontakt me gurrën e pashtjerrëshme popullore dhe u mahnit: Ishte një shqipe si e dalun prej shkambijsh graniti, legjenda e përralla mitike, një kangë që shungullonte malet, e mbi të gjitha atje njohu me themel atë shqiptarin e patjetërsuar. Iu vu punës në njohjen me themel të çdo elementi gjuhësor, të çdo tingulli e të çdo trajte morfologjike, që ndryshonte shumë nga ajo e Shkodrës ku ishte le e rritë ai. Ndërsa vazhdonte edhe natën në dritën e kandilit të sendërtonte atë sistem gjuhësor të të folmes së Dukagjinit, që askush para ti nuk e kishte shtjelluar, në mëngjes priste në qelë vogëlushët: pa asnjë mjet e mbështetje, ai hapi shkollën e parë në Plan e u ba mësues i dukagjinasve të vegjël. Shkruan “Posta e Shqipnís”, 14 korrik 1917: “Me 11 të këtij mueji u nis në Plan, famullí e dioqezit të Pultit, i nderti Z. At Justin Rrota OFM, pse, si patme lajmue njëherë në fletore tonë ky vend i kje shenjue prej parijet të Provincës françeskane. Na, tuj e pasë ç’me temelim të fletores, per mbarshtrues t’censhem e bashkëpunëtuer të vlertë, i urojm një udhëtim të mbarë, tuj dishrue që vlertësia e njoftun e tij, të dalë edhe ma në shesh ndër mësime, sidomos fetare, por edhe qytetnore e kombëtare për të cillat ato krahina janë të ngutshme”. Kështu, më 2 dhetor 1917 shpalli zyrtarisht në kishë hapjen e shkollës së katundit, më 3 dhetor u regjistruen 24 nxanës. Gazeta “Posta e Shqypnís”, shkruen “…Ç’me të parën ditë të dhjetorit ka hy në veprim shkolla shqipe në Plan. Njëzet e katër fëmijë… bashkohen tu Qela e famullitarit… Kujdesin e kësaj vepre tejet bamirëse e qytetnuese e ka fort i nderti e i vlerti Z. P. Justin Rrota OFM i cili me qenë të ushqyeme prore prej një atdhedashunije të flakët e vepruese, shkon tuj e prirë kah dija menden e atyne të vogjelve e tuj ia stolisë zemrat me njato ndiesina, të cillat të bashkueme me mësim i japin shoqnisë gjymtyrë të shëndoshta e të vjefshme e karaktere që me kohë mund të dalin nder e lumni për atdhe”. Në Plan u kujdes për të kërkue ndihma nga austriakët për malësorët e varfër, mblodhi material të ndryshëm gjuhësor, filloi të shkruejë dhe u mor edhe me falje gjaku, veç shërbesave fetare, pa u shkëputë prej gazetës në fjalë. Do ta vizitojnë eprorë, autoritete austriake, miq, si: Fishta, P.Mark Harapi, P. Çiril Cani. Me gjithë mungesat e pengesat, vështirësitë e hallet e jetës, P. Justini do të ruejë përgjithmonë nostalgjinë për jetën misionare të Planit. Pak para vdekjes, do të shkruejë: “Sa për veti, unë, edhe pse jam plakë e mbetë, famullín e parë e të mbrame, Planin e dashun, kurr s’e harroj. Edhe shpesh, për të hjekun mallin e atij misjonit të vogël, i lexoj me nostalgjí shënjimet e ditarit të atëhershëm. Aty mbrendë e kujtoj njëkohësisht edhe P. Mark Harapin, i cili më âshtë gjetë fort, posaçe ato ditt e para të famullís së re…”. Mbas dy vjetësh, duke njohur përgatitjen e tij të thellë, e transferojnë profesor në Kolegjë të Troshanit, kurse më 1921 ishte, bashkë me Fishtën, Sirdanin, e gjithë hyjësinë françeskane, u banë nismëtar të themelimit të Liceut të Shkodrës, “Illyricum”. Studimet e tij gjuhësore filluan të mbushnin faqet e revistës “Hylli i Dritës”, , shpesh herë edhe në formë debati, e duke dëshmuar me to se askush tjetër nuk i njihte si ai me themel si gegnishten, ashtu edhe tosknishten e deri tek arbërishtja e shqiptarëve të Italisë. Zotëronte mirë gjuhët klasike, latinishten dhe greqishten. Përpos shqipes, e dinte edhe gjermanishten, italishten, frëngjishten dhe sllavishten, ai përfitoj prej tyne shtjellimin metodik dhe iu vu punës për hartimin e teksteve, në fillim të atyne shkollorë, e në vijim edhe i atyne me karakter të thjeshtë shkencor, qoftë në lamë të gjuhësisë, ashtu edhe ate letrar, kryesisht tekste për shkollat e mesme.
Vepër me vlera jo vetëm historike e gjuhësore asht studimi i tij, ma i thelli i llojit, “Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe” (1936), ku evidentohet roli i intelektualëve shkodranë në atë proçes të mundimshëm që çoi në Kongresin e Manastirit, 1908, ku ndër 32 delegatët me të drejtë vote, pesë ishin prej Shkodre e me një rol vendimtar në atë Kongres, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Studimi përfshin analizën e veprës së 23 autorëve e shoqnive, analiza ma e thellë e bame sistemit të alfabetëve deri më sot. Po në këte periudhë ai solli edhe mendime me vlerë për gjuhën e përbashkët shqipe. Komisia e Letrare e Shqipes, Shkoder 1916-1917, kishte hedhë themelet e një shqipeje të njësueme me bazë të folmen e Elbasanit. Shkrimi i tij “Rreth problemit të gjuhës letrare” dëshmmonte një njohje të tillë të thellë filologjike të shqipes, që nuk ishte arrijtë nga autorët tjerë. Trajtoj në atë shkrim edhe një temë shumë të ndjeshme edhe në ditë të sotme, ate të barabarizmave në shqip dhe faktorët ndikues në këtë proçes. Në debat me puristat, përgatitja e tij e thellë bani që ai të trajtojë për herë të parë në mënyrë bindëse ndërkombëtarizimet nga fjalët e hueja parazite e të panevojshme.
Edhe pse në vitin 1925 ai u prek nga paraliza progresive, jo vetëm nuk e ndërpreu punën e tij kërkimore, por e shtoi atë, e për 39 vjet, deri një javë para vdekjes, nuk e lëshoi makinen e shkrimit duke punuar me vetmohim vetëm me dorën e majtë. Justin Rrota ishte një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Bashkë me Fishtën, Gjeçovin, Bardhin, Prennushin, Kurtin e disa të tjerë, qe edhe bashkëpunëtor i zellshëm i revistave Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout etj. Ai, me bashkëpunëtorët e vet A. Xhuvanin, E. Çabejn etj, gjithë jetën e vet u përpoq me mish e me shpirt për gjurmimin e gjuhës dhe të literaturës shqiptare. Megjithëse i paralizuar trupit, me këmbëngulje dhe dashuri e flije të jashtëzakonshme, punoi për shumë vjet si profesor i gjuhës shqipe dhe latine dhe si edukator i rinisë françeskane. Me punën e tij arriti të ndriçojë thesare të paçmueshme të kulturës shqiptare. Kontributi i Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë tonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tonë të vjetër, sikurse për Buzukun, Matrêngen etj., që hapi shtigje të reja në gjuhësinë tonë.
Ai ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostoloke të Vatikanit, që do ta transkiptonte pas 40 vjetësh miku i tij, Eqerem Çabej. Botuar më 1956, “Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun” ku argumenton edhe preardhjen e autorit tonë ma të lashtë, prej Kraje, krahinë në përendim të liqenit të Shkodres. Por rrezja e studimeve të tij përfshinë edhe autorët tanë të vjetër si Budi, Bogdani, Bardhi, randësia e Kuvendit të Arbënit etj. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës. Në periudhën e mëvonshme, veprimtaria shkencore e Justin Rrotës bie, rrjedhojë e ardhjes në pushtet të regjimit komunist dhe të sëmundjes së rëndë që e shqetësonte prej vitesh[3]. Sa i përket idesë së gjuhës së përbashkët, ai kambëngulë në pranimin e përdorimin e një gjuhe të përbashkët letrare, çka mund të arrihet vetëm nëpërmjet përafrimit të të folmeve e dialekteve, ide që do ta bante të veten ma vonë edhe Çabej, por që nuk u përfill më 1972. Por kryevepra e Justin Rrotës asht “Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore”, që ai e la në dorëshkrim e që autori i këtyne radhëve e ka njohë qysh kur ishte gjallë At Justini, nëse dorëshkrim mund të quhen mija faqe të shkrueme me një dorë në një makinë të vjetër metalike “Olivetti”. Qëndroi më se 40 vjet në Arkivat e Institutit të Gjuhësisë, pa e pa dritën e botimit, sepse autori ishte … frat.
Po puna e tij, ndonse tashma paraliza përparonte në mënyrë të dhimbëshme, nuk reshti me kaq. Ai trajtoj edhe probleme të morfologjisë, fonetikës e sintaksës si në studimet “Analizimi i rasave të emnit në zhvillimin historik të tyne”, deri tek “Sintaksa e shqipes (1942), studimi me i randësishëm për këte temë, qoftë nga ana shkencore, ashtu edhe metodike. Patër Justin Rrota ishte rregulltar tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës. Vdiq dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964. Pas vitit 1990, me përmbysjen e regjimit në fuqi, puna e tij vlerësohet, duke i dhënë titullin “Mësues i Popullit” (1994) me këtë motivacion: “Mësues i devotshëm e plot pasion. Ka punuar me përkushtim, duke dhënë një kontribut të shquar si gjuhëtar dhe studiues”. Një vit më vonë, në 1995 mori titullin tjetër “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës”. Edhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e nderoi me titullin “Profesor nderi” (1994).[3]
Veprimtaria shkencore e botuese
Një problem tjetër që e ka prekur dhe studiuar Justin Rrota ka qenë ai i historisë së alfabetit të gjuhës shqipe. Një punë të tillë e nisi duke botuar disa shkrime me këtë objekt në revistën “Hylli i Dritës” nga viti 1931-1936 dhe duke i përmbledhur në një vëllim më vete, në 1936 me titullin “Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe”. Kontributi i Justin Rrotës në këtë fushë ka qenë i rëndësishëm dhe me vlerë duke hyrë në historinë e alfabetit të gjuhës shqipe si autori i parë që botoi një histori të tillë. Qenë faktorë subjektivë dhe objektivë që e nxitën për një vepër të tillë. Shkodra dhe patriotët e këtij qyteti ishin shquar në përpjekjet e tyre për zgjidhjen e këtij problemi që nga gjysma e dytë e shek. XIX deri në Kongresin e Manastirit (1908). Kjo bëri që nga 32 delegatët me të drejtë vote që morën pjesë në Kongresin e Manastirit, 5 qenë nga Shkodra dhe secili prej tyre e në veçanti Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda e Hilë Mosi u shquan për kontribute të veçanta në Kongres, duke u zgjedhur në forume të rëndësishme të këtij tubimi. Dhe këtë traditë, edhe sot, do ta vazhdojnë studiuesit shkodranë, duke botuar studime dhe monografi me këtë temë. Justin Rrota nisi të shkruajë për këtë temë, për t’iu përgjigjur dëshirës dhe interesit që kanë pasur shqiptarët e për ta zgjidhur çështjen e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe. Autori e kishte fituar autoritetin e duhur si studiues, prandaj edhe interesimi nuk qe i vogël, saqë edhe sot konsiderohet si një vepër me vlerë shkencore. Ajo rrokte pesë shekuj, 22 autorë dhe shoqëri. Kjo nuk ishte një punë e lehtë, mbasi do të merresh me sistemin grafik të tyre, shkronjë për shkronjë, të veçoje vlerat, dobësitë dhe ndikimin.
Një pune të tillë mund ta bënte një studiues me një përgatitje të shëndoshtë filologjike. Studimi i Rrotës nuk qe i gjatë, por ai vuri piketa të qarta për mjaft probleme të diskutueshme të historisë së alfabetit të shqipes. Objekti i studimit ishte i qartë. Autori do ta fillonte punën me dokumentet e para të shkrimit shqip dhe do ta vazhdonte deri me zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi në Kongresin e Manastirit, në 1908. Ai ishte shkencëtar, prandaj shtronte edhe probleme. Për Rrotën dokumenti i parë i shkrimit shqip ishte “Perikopeja e Ungjillit të Pashkës”, një tezë e diskutueshme, pasi ka pasur një renditje tjetër në studimet e mëvonshme. Më e pranueshme për ne është një renditje e tillë e dokumenteve të para: 1. Formula e pagëzimit (1462) 2. Fraza e mallkimit (1483) 3. Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (shek. XV-XVI) 4. Fjalori i von Harffit (1497).
Pastaj autori në rend kronologjik vazhdoi të trajtonte autorë dhe shoqëri që janë marrë me këtë problem. Ndonëse kanë kaluar disa dekada nga botimi i këtij studimi, ndihmesa ishte me vlerë se diti me objektivitet dhe saktësi shkencore të paraqesë punën e bërë në këtë fushë, duke hapur një rrugë që do të vazhdonin studiues të tjerë.[3]
Mendime për gjuhën e përbashkët shqipe
Që nga Rilindja e këtej, por në mënyrë të veçantë shoqërinë shqiptare e ka shqetësuar zgjidhja e gjuhës së përbashkët, mbasi disa çështje të kulturës shqiptare po merrnin zgjidhje. Shumë personalitete në shtypin e kohës dhanë mendime, duke e propozuar edhe rrugën e zgjidhjes. Por ky problem u diskutua me një seriozitet të veçantë në Komisinë Letrare Shqipe, të mbledhur në Shkodër gjatë viteve 1916-1918. Ajo e pranoi të folmen e Elbasanit si mbështetje kryesore për gjuhën e përbashkët, pasi ajo do të shërbente edhe si urë në mes të gegërishtes e toskërishtes. Por kjo çështje nuk u konsiderua plotësisht e zgjidhur nga disa intelektualë. Për këtë arsye, në shtypin e kohës filluan të botoheshin shumë shkrime me këtë tematikë. Pak më shumë se dhjetë vjet nga KLSH J. Rrota botoi artikullin “Rreth problemit të gjuhës letrare”. Është një artikull me vlerë jo thjesht se ngre një problem të rëndësishëm të mprehtë për atë kohë dhe më vonë, por njëkohësisht tregoi përgatitje filologjike të Justin Rrotës. Autori që në fillim vlerësoi qëndrimin e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe që nuk arriti të asimilohej, por ruajti me fanatizëm atë që trashëgoi nga të parët tanë gjuhën shqipe. Autori u ndal edhe në një çështje tjetër, në futjen në leksikun e gjuhës shqipe të fjalëve të huaja, duke shpjeguar faktorët që ndikuan. Por përgatitja e tij bëri që ai t’i dallojë ndërkombëtarizmat nga fjalët e huaja. Gjithashtu ai vërente në atë kohë, disa ia kishin frikën lëvrimit të gjuhës, ndonëse ai tërhiqte vëmendjen se deri në atë kohë nuk ishte përdorur një gjuhë e përbashkët, “por një gjuhë dialektore sipas krahinës që i përkiste shkrimtari”. Prandaj ai këshillonte që shqipen nuk do ta shkruajmë “mbarë e mbrapshtë, të latueme e të palatueme”. Gjithnjë i mëshon idesë se duhet të pranohej një gjuhë e përbashkët letrare. Rrota nuk ishte lokalist. Ai do që më të mirën e ndonjë krahine ta pranojmë për gjuhë të përbashkët. Dhe kjo arrihet “vetëm tue lëshue pê shoqi-shoqit”, por duke ruajtur dialektin. Një çështje tjetër që ngre Rrota lidhur me gjuhën e përbashkët ishte qëndrimi ndaj gjuhës së autorëve të vjetër. Ndonëse e njihte mirë gjuhën e veprës së tyre dhe vlerat, nuk pranonte që disa trajta të tyre të përgjithësoheshin, pasi ai i konsideronte arkaike. Për autorin gjuha zhvillohet dhe përparon. Si bazë e gjuhës së përbashkët pranonte të folmen e Elbasanit, e cila ishte në qendër të Shqipërisë. Për Rrotën, zgjidhja e gjuhës së përbashkët kishte lidhje me zhvillimin kulturor të një populli e kështu edhe për shqipen. Autori nuk pranonte zgjidhjen e këtij problemi nga një grup njerëzish që mund të ngrenë një komision apo akademi meqë, “trajtimi i gjuhës letrare nuk duhet të jetë nji gja përdhuni”. Ky problem, sipas autorit, “do të vijë vedit dhe secili do të shkojë tue pranue në shkrim të vet njato mënyrë të qortueme, të përdorueme prej ma të zellshëmve”.
Justin Rrota u mor edhe me probleme të morfologjisë, të sintaksës dhe të sintaksës historike, ku në mënyrë të veçantë u përqendrua te ablativi (rrjedhorja) në studimin “Analyzimi i rasavet t’emni te zhvillimi historik i tynvet” (1931). Me interes është edhe shkrimi i Rrotës “Mbi refleksin e vlerën fonike të disa tingujve të latinishtes në shqipe” (1965). Një vepër me vlerë jo vetëm në fushën e teksteve shkollore, por edhe të sintaksës në përgjithësi ka qenë “Sintaksi i shqipes” i botuar në 1942 dhe i ribotuar, në 1943.
Ky ishte një tekst i ngritur si nga ana shkencore, ashtu edhe metodike dhe që dallohej nga paraardhësit për nivelin e ngritur, gjë që bëri t’i qëndrojë kohës për disa vjet. Kjo vepër e e radhit Justin Rrotën në një ndër sintaktologët më të mirë të vendit tonë për periudhën kur shkroi. Por vepra më e rëndësishme e Rrotës që e la në dorëshkrim titullohet “Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore”, e cila për shumë kohë qëndroi në arkivat e Institutit të Gjuhësisë dhe i Letërsisë, por që pa dritën e botimit në vitin 2006 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Biblioteka françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 612 faqe. Ajo përmban këto pjesë: Brumi i shqipes (Leksikologjia), Tingujt i shqipes (Fonologjia), Trajtat e shqipes (Morfologjia), Fjalia e shqipes (Sintaksë), Të përbërit e fjalëve (Etimologji), Lëvruesit e shqipes (Albanologjia). Është për t’u përshëndetur Biblioteka françeskane “At Gjergj Fishta” që deri tashti ka ribotuar të gjitha veprat e Justin Rrotës.[3]
Vepra
- Monumenti ma i vjetër i gjuhës shqipe – Gjon Buzuku (1555), botuar më 1930.
- Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe, studim i 1936.
- Shkrimtari më i vjetër italo-arbëresh, Lukë Matrënga, (1592), botim I më 1932, II më 1939.
- Sintaksa e gjuhës shqipe, botim I më 1942, II më 1944.
- Analizimi i rasave të emnit në zhvillimin historik të tyne.
- Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun, botuar më 1956.
- Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore, botuar në 2006.
Referencat
- ^ Kurti, P. Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane. p. 126. ISBN 99927-789-1-1.
- ^ Rrotajt nga Daniel Gazulli
- ^ a b c d Osmani, Tomorr (2009). “Teologu Justin, njeriu i gjuhës”. forumishqiptar.com. Standard.
Komentet