Flamuri i bardhë!
Prej anësh tjera anmiku kambë-kambë vjen tue e ngushtue rrethimin. Tash një ditë, kun nja 700 burra myslimanë të vendit, pushkën mbë krah, kaluenë Urën e Bahçallekut edhe u drejtuenë me shkue andej kahë Bushati. Rrugës tue shkue, thojshin se dojshin me e çilë rrugën e Lezhës e të Shën Gjinit. Mendja e tyne kinse po e mësojm Hasan Rizán e ushtarët e tij, si bâhet lufta! Edhe kryekomandanti i qytetit u a dha lêjen me dalë. Mirë; por pa u ndeshë kurrkun n’anmik, pa pushkë të shtieme, kjénë rrethue e zanë rob nja 300 sish. Tjerët, shokët e tyne, i pari të mbramin s’e pritën; por u kthyenë të koritunë, tue ngá në qytet. Ky fakt ka nisë me i shtue frikën popullit, që tash ka nisë me shpallë fjalën, se nuk e ka kurrkun menden, me mbarue me krye e me gjithçka për hatër të Kryekomandantit. Jo vetëm kristjanët, por edhe vetë myslimanët janë të tanë të këtij mendimi. U ka ardhë tashma shpirti në fyt të gjithëve. S’kanë faj; kanë pasë dame të mëdhaja në gjithçka, tash janë në rrezik me bjerrë edhe jetën! Deri tash do dit kishin pasë uzdajë, se do të kishin mujtë me e zmbrapë anmikun, ase shpresojshin, se do t’u kishte ardhë ndokahë ndonjë ndihmë. Por mjerisht, nuk u pá gjâ. Po bâhen gati dy muej qëse të rrethuemët janë tue hjekë të zitë e ullinit. Nuk mund të vuejn ma. Janë mërzitë, u ka ardhë shpirti me dalë; edhe rrijn dita me ditë tue pritë, që të hîjn mbrendë Mali i Zí a Serbia. Dëshrojn, që të bâhet një mësymje e përgjithët, e ta shtijë në dorë menjëherë qytetin. Le të bâhet diçka; pse, as kështu me ndêjë tash sa kohë, natë e ditë, me krye në gërshanë, as kjo nuk qitet; nuk mund të shtýhet ma kështu ! Myslimanët n’atë të vetën thonë, se e kanë krye atë detyrën e vet. E kanë dhanë atë kontributin e vet të qëndresës; edhe i kanë ndihmue qeverís me çka kanë pasë e me çka kanë mujtë. Vullndetisht ase për dhuni, aty Zoti e di! Një tregtari i kjénë marrë nga komanda dërrasa e trena e gozhda e materjal ndërtesash gjithfarësh. Gjithsejt po nja 49 mijë korona. Një tjetri prap i morën, pa faleminderës, njëkështu dërrasa etj, për me goditë barake, kun nja 15.000 korona. Një tregtari i u desh me i dorëzue qeverís, jo ma pak se 12.000 kor.oriz. Një tjetri mandej, i morën, âshtë e dijtunë pa pare pa pullë, po nja 8.000 kor.voj gurit. E sa me thanë, për gjithçka merrshin, i lëshojshin tregtarit nga një dorë. Kaq vetëm!
Ullîjtë e Bardhejvet.
Një prej ditësh, pa pritë pa kujtue, u pá tue kalue për të gjatë të Fushës së Çelës, një varg i gjatë kualsh e mushqish, të ngarkuemë me trupa e rrema ullîj, të gjithë pré ndër vëneshta të Bardhanjorëvet. Njeni zotnísh së Shkodrës, tue pyetë, mujt me i njohtë ullîjtë, prej atij grumbulli, që kishin pré në vëneshtë të tij. Edhe kështu, ngushtue për drû, i u desh me blé trupat e ullîjvet të vëneshtës së vet! Ndërkaq, mbarë populli, të thuesh, âshtë grishë e âshtë marrë me punue angarie. Kush, sidomos grania, me pré e me qepë këmisha e të paana ushtarësh; me arnue kundra e shkrepa, me vû gjymsa shojesh; kush me bartë e me zhbartë, e deri me çelë llogore e gropa. Kështu, pa pushue kurr, as ditë as natë! Sa për punën e shpërblimit të mundit, ky s’zêhet në gojë. Të japin, po nga një pùstullë, pa numër, pa vulë, pa gjâ, kinse do të merren paret dikur, ditën e moskurrit. E këso duersh pa farë vleftjet në vete, i lëshon çdo rreshtár a ushtár i thjeshtë; mjaft që të dijë me i shkrue fjalët tekstuale: “Qeveria e ka me detyrë t’i a paguejë Z… kaq orë punë, kaq për etj» Kështu këndon dora; e sa për punë të pagesës, kjo s’shihet kun. Kurrgjâ, kurrgjâ s’âshtë e sigurtë sod për sod, mbas dy muejsh rrethimit, këtu në Shkodër. Uja e deka, këto dý sende, vetëm këto dý janë të sigurta përnjëmend! Por Rizá beu, ndërkaq, për kurrgjâ tjetër s’e çán kryet, veçse për punë të luftës. Ai s’sheh as s’mendon tjetër, veç atë dëtyrën e vet: Një tedeshk autentik! Populli, ndërkaq, ka fi llue me u mërzitë fort. U ka ardhë shpirti me dalë. Kaq, sa ka edhe asish kokërra-kokërra, që tashma kishin me kenë gati me e lëshue, me e këputë qëndresën, edhe me një shkojn tue bâ propagandë ashtu tinzisht, merret vesht, për me qitë një ditë, pa pritë pa kujtue, flamurin e bardhë! Kjo fjalë, njëmend ndêji sa ndêji e mëshehët; por dikur i shkoi në vesh edhe valís, i cili u tha atyne që i a kallzuenë: “Tash po t’i vê në plumb të pushkës të gjithë, si qejt”. E kur i diftuenë mandej, se kësi së dispruemësh s’ishin pak, por njeheshin ndoshta me mija, prap Hasan Rizaja, pa u xé aspak, u përgjegji: “Ani; të tanë, të tanë do t’i vras!”
E marte, 3 dhetuer 1912. Lufta me bajoneta!
Çka merr prej qytetit e deri te liqeni, krejt mbarë Mali i Zí, e ka rrahë më top e mitraloz. I a ka fi llue njaty rreth mbramjet, edhe nuk i a ka dá deri n’orën 3 mbas mjesnatet. Po ma se 10.000 ushtarë të Princit Danil, banë sonte një të mësyme jashtëzakonisht të furishme, tue iu u afrue anmiqvet, kambë-kambë, deri ndër llogore. Por Turku u ndêji gati. I priti burrnisht, pa luejtë gjurmë prej qëndrash ku gjindej, d.m.th. kahë balli i Fushës së Shtojit ma fort, edhe kahë Rrenci e deri në Kiras. Prejse kësi shtegu ishte lëshue furishëm, çmos kurr, t’u përlán atbotë të dyja palët, tue u lëshue si bishë mbë shoqi-shoqin. Mbasi që anmiku ishte afrue fort, gati me u kapë fyta-fytas, i a fi lloi m’atëherë lufta e tmershme me bajoneta! S’di kush gjâ me diftue, sa gjaku e ploja u bâ atë natë, gati deri në dritë. Mjaft me thanë, se nade u gjet krejt toka, të thuesh, shtrue me malazez e turq të dèkunë e të varruemë. Gjithsejt numri i topavet, që ndërkaq rrijshin tue vjellë zjarm e gjyle pa dá, sa ngjati ky luftim kanë mujtë me kjenë, po nja 40 me numër. Turku qitte prej Golemit e prej Bardhanjorësh: Mali i Zí prej Mesit e prej Vraket ! Pushkë atë natë të mënershme e mitraloz e top vlojshin se bani nata prej dyja anësh, pa dá një minut. Së mbramit, njandej kahë drita, mbasi mbet njeri i pafarë, nisi me u shpërdá përnjëherë ai tym. Shiheshin prej qytetit lamshat e mëdhaj të fl akëvet, n’atë terrin e natës, kahë rrokulliseshin në teposhte, a s’me kenë rrëfé në një stuhí motit, kohën e verës. Ndërkaq, në qytet, prej tmerrit së topavet e të mitralozavet, që s’prâjshin një mbas një, nuk mbylli kush sý atë natë. Kahë vîjshin krismat e të shtiemevet përherë e ma tepër tue u avitë, të bâhej hera-herës, se anmiku ishte hudhë deri ndër lagjet ma të parat e qytetit! Tash e parë shihej, kahë çelej e mbyllej ashtu shpejt ndonjë dritësore kahë rruga. Por ndërkaq s’ndihej zâ njerit. Gjithkah terr, heshtim veç gjithkun. Të gjitha shtëpiat të dukeshin prej territ, si të mbylluna e si të lanuna shkret: Një qytet i dekun ! Po, po; ndërsa për rreth zien e tmerrshme lufta në katër anët, qyteti, për dukë, s’ndihet për së gjallit. Kështu thotë njeri njëherë; por zemrat e banorëvet në këtê ndërkohë janë çue peshë; i përgjasin njatij deti në tallaz, kahë rrijn tue u dridhë i madh e i vogël e presin të tmerruemë, palè çka po lot e si po i siellet fati kësaj Shkodre orëzezë. Qëse ka bâ nata, s’kanë pushue një herë, veç tue ardhë në qytet të varruemë një mbas një prej ballit të luftës. E kështu janë tue vijue edhe gjithë paraditën sod… Do dijtë mandej, se të varruemët e luftës nuk i barin këtu mbrendë të gjithë në qytet, shumë i vendojn edhe aty ndër spitale provizore të thjeshta e të vogla të ndërtueme sa për nevojë aty mbas çadrash. Gjithsejt, thonë se turku në këtê përleshjen e fundit ka lanë kun nja 200 të dèkunë edhe nja 1000 të varruemë. Ndërkaq, Konsujt e 5 Fuqivet të mëdhaja, mbasi janë mbyllë gjithkahë rrugët, kanë mbetë edhe ata të ngujuemë në Shkodër, bashkë me familje të veta. E keqja ma e madhja por, që ata kjájn âshtë, pse nuk mund të marrin e japin me mbretnítë e veta. Komandanti Hasan Rizaja, e di hollë punën, por nuk i bje veshit aspak për protestat e ankimet e tyne. Këta sod për sod i ka në dorë e s’kanë ç’i bâjn. Nuk i dro grimën!
E ejte, 5 dhetuer 1912. Populli gjithnjë para furravet
Për me pritë të keqtë e padrejtësítë, që sod mund të ndodhin sidomos para furrëtarëvet, qëveria ka dërgue gjithkun nga një xhandár. Ky i shkreti n’atë të vetën, mjaft mundohet me mbajtë rrègullë e qetësí; por a qitet me një grumbull popullit t’unshëm, i cili kërkon bukë? Xhandari, më ka rá me e pá, – zen vend fíll në krye të grumbullit, afër teskës së furrëtarit; edhe ban çmos, për me e rregullue kinse shitjen e bukës. D.m.th. që mos t’i jepet ndokuj ma tepër, tue lanë atë tjetrin krejt pa gjâ. Këqyrin, që të ndreqen ma para pleqtë e grát e fëmijët. Kur i shohin larg, këta i thërrasin e u bâjn vend ndër rreshtat e parë. Shpesh edhe pezullojn shitjen e bukës, deri që mos të ndreqen përpara grát e fëmijët. Populli ndërkaq, sido me kenë, diçka ka nisë me ndêjë ma urtë; nuk mësýejn me i a xjerrë shoqi-shoqit për dhuni prej duersh racjonin. Këtê po, por britmet e kërcnimet duket se tash janë shtue ma fort se përpara. Kur e sheh xhandari, se s’punon ndryshe, i a hjekë atij që ka ma ngjat një partinë qafës gjithsa mundet. Por ai i rrahuni, si mos me kenë gjâ, ndreqë kësulën mbë krye, dhe kujdesi i tij kryesuer âshtë tash, mos me e lëshue vendin që ka zanë.
Një shpallje zyrtare.
Ka ndjehë sod nade ndër mure një shpallje paksi e çuditshme, nënshkrue prej Kryekomandantit t’operacjonit, Hasan Rizás, e cila thotë:
«Punët e luftës janë tue shkue për né s’ka ma mbarë e mirë, deri më sod: kështu mbajm uzdajë se edhe mbas tashit. Veprimet strategjike të luftimit janë tue u krye të gjitha, simbas planit e drejtimit tinë. Sod për sod na mund ta presim anmikun ndër llogore, jo veç pa frikë, por edhe të sigurtë, se do ta mundim. Për deri më sod mund të thomi, se e kemi krye dëtyrën tonë, si ushtarë, me ndërgjegje; e shpresa na mban, se kështu do ta kryejm edhe mbas tashit. Kurrken s’do ta lëshojë zemra! Për ma tepër ka fort gjasë, se nuk e kemi fort larg ditën ma të lumnueshme të qytetit të Shkodrës!… Eni me né, o vëllazën, edhe ti o popull shkodran, ngani po të gjithë e delni zot këtij qyteti tuej!… Vraponi të tanë këtu ndër llogore, të cilat kanë për të kenë vorret e lumnueshme e të nderueshme tonat!» Shpallja zen fíll, si shihet, me fjalë s’ka ma të bukura; por mjerisht popullit nuk i a mbushin kurrkun menden; Nuk u beson. Sa për ata rreshtat e fundit këta janë paksi të mbyllët e të qesin në mendim. Përgjithsisht, s’ké çka i thue asaj shpallje, hahet disi. Por, Z. Kryekomandanti e mbyllë shpalljen me do fjalë t’egra, të cilat i a ulin veshët gjithkuj. Thotë aty: «Njai që guxon të përhapë mendime në kundërshtim me çka thuhet këtu, ai ka për t’u pushkatue!-». – Deri këtu lajmi zyrtár!
Prap rreth Kolonelit, përgjegjësit e rendit publik.
Koloneli ynë por, përgjegjësi i rendit publik, u bje punëvet ma shkurt. Nuk këqyrë shpallje e urdhëna, vepron gjithsi t’i a marrë mendja atij. Kështu f.v. sod një kafexhí, njeri dorhollë, sa me fi tue diçka, i lypi lêjen Kolonelit, jo me e çelë dyqanin, por me mujtë me u a çue te shtëpia kafet atyne klientavet të vet. Këso dore, thonte ai i shkreti, se mujtte me fi tue diçka, sa me mbajtë gjallë me frymë vetin e fëmijët e familjen; edhe njëherit, për kaq gjâ, nuk prishej urdhëni i komandës, i cili ndalonte, mos të mblidheshin mbi 4 vetë së bashkut në një vend. Kafexhiu n’atë të vetën, nuk e kishte të keq; por, ec e thuej Kolonelit!… Porsa e ndjeu atë qyqár tue i folë kështu, nuk i përgjegji as mbarë as mbrapshtë; por t’i u çue fl akaresh fëtyrës edhe e plandosi për tokë të shkretin kafexhi. Koloneli në fjalë, kur ka kohë, nget, për me u gjetë aty kur vjen puna me rrahë ndonjë rrezikzí. Shpesh, – kaq i ka anda, prej zemrës së keqe që ka! – shkon me i pá kahë i rrahin gjinden edhe tue u dhanë mësime, si do të rrihen fajtorët! Tue i a mbajtë ky një ditë andej kahë saraji, për rrezik, qe se po ndeshet rrugës në nja 4 vetë, që po fl itshin si vesh në vesh, ndër ta ishte edhe dragomani i konsullit t’Austrís…. A i pau, a s’i pau Koloneli turk! Lëshohet mbë ta, edhe ma të parin e pyetë fl akë për fl akë dragomanin, a e dinte urdhënin, që ndalonte rreptësisht, mos të bashkoheshin kun 4 vetë me folë bashkë? Dragomani i përgjegji: “Po, po; këtê urdhën e dij mirë. Por, tue shkue rrugës, më ndalnë këta tre shokë, të cilët deshnë me më pyetë për diçka… Na nuk kjemë tue folë punë politike!… Mandej, a s’mund të më pyetni pakëgjâ ma me njerëzí e jo kështu?” N’ato fjalë Koloneli këcen prej idhnimit, edhe t’a kapë dragomanin për krahut; e shkrepë për múr, tue i thanë të shame e gjithçka i erdh për gojet. Në këtê ndërkohë, P. Komisari, i Pari i françeskânëvet kje paditë e thirrë në gjyqin ushtarak, për arsye, se natën shiheshin shpesh do drita ndër muret e kumbonares së Kishës së Gjuhadolit; të cilat mund të merreshin edhe si shenja të bame anmikut të jashtëm. Njaty, natën vonë prandej, erdhnë ata të gjyqit ushtarak në kuvend, po shì njatë kohë në të cilën shiheshin ato shenje misterjoze në kumbonaren e Kishës. E vërtetuenë e panë edhe ata vetë të gjyqit, se ato drita në kumbonare nuk ishin tjetër, veçse refl eksi i rrezevet, që rrihshin tue u përshkue ndonjë pjesëtár i kuvendit, tue shkue, me kandil në dorë, nëpër rruginat e kjostrit, për me i çelë derën ndonjenit, natën. U bâ sprova aty për aty, e dyshimi i gjyqit ushtarak u mbyll me kaq!
“A e sheh, çfarë buket?!”
Sa për punë të bukës, që del prej furret këso ditsh, mos pyet!… Prej mungesës së drûvet, shpesh edhe për me i a bâ sa ma shpejt, furrëtarët e mbrujn bukën me ujë të ftohtë. Këso dore buka nuk vjen, nuk ngjitet brumi edhe shkoklohet në dorë. Sod f.v. një malsuer, mbasi i a dha furrëtari atë racjon të shkretë buket, gati pa pjekë, krejt qúll, si e pat në dorë, muer e e përplasi, faqe gjithë popullit, për múr, tue i thanë të madhe furrëtarit:
-Faqezí, po a kësaj i thue bukë? Ti do me na helmatisë gjakun, he i pashpírt!
Ndërsa bijshin në baltë copat e asaj buke, i u avit malsorit xhandari i rojës, të cilit ky i tha:
– A e sheh, ç’bukë?… Po; njëkështu ma ka dhanë gati për gjithë ditë ky dreq: Të papjekun, krejt qúll e llóç!
E xhandari, kahë s’dijti si me e shporrë qafet, i a bani:
-Po ti, çka ké që vjen gjithmonë këtu? Pse s’shkon ngjeti?
Edhe me kaq e përzuni andej. Përnjëmend që populli, sa për punë të bukës, âshtë tue hjekë s’ka ma keq. Por, kur t’a këqyrsh as furrëtarët nuk kanë fort faj. Ma parë e ma dalë, gruni âshtë korrë n’arë, pjekë e pa pjekë; para kohet e ashtu shpejt e shpejt, si me kenë tue i a vjedhë kuj. Edhe njashtu me kallëza, pa u mshî, âshtë mbledhë e qitë ndër magaza e depozita të shtetit, do e sido ! Kështu që ata drithë shumica, kishte fi llue me marrë myk, dhe një pjesë fi lloi me u prishë e me u kalbë. Por duel urdhëni i komandës, me e marrë njashtu, të mirë e të keq, prishë e pa prishë! Tash njëherë, nësa âshtë lufta mbë kambë i bihet punës për shkurt, e nuk këqyret hollë, a mund t’i bâjë keq a mirë stomakut; mjaft të késh me se me e ngî barkun! Sa për punën e drûvet, këtyne madje t’u bijë mbrapa vetë furrëtari. Të bâjë si të mundet. Të përdorë veç drû sa ma pak; sa me i dhanë bukës një fëtyrë do e sido. Puna e tij. Mjaft që buka të shitet ditë e për ditë. Për ndryshe, furrëtarët e dijn mirë, se fíll në gjýq ushtarak çohen ! Ata ma të parët, që e ndiejn mungesën e bukës janë, âshtë e dijtunë, skamnorët e ata që s’kanë gjâ mbas shpirtit, të cilët shtýjn njashtu, ndihmo Zot, sa me thanë. Këta të shkretët, të cilët ishin ngusht edhe përpara e me të zi shtýjshin ditë më tjetrën; tash ma, që âshtë shtrêjtue e bâ pikë e gjak gjithçkahja, me të zi u del me e shtie në gojë një kafshatë, krye 24 orësh. Por ka edhe asish, të cilët hájnë një herë të vetme në krye të dý a trí ditvet. E u shihen menjëherë në fëtyrë shenjet e ûs. I sheh tue shtrî dorën e tue lypë rrugës, tue trokllue dyervet të shtëpiavet të mëdhaja e gjithkun. Por, sa për punë të bukës, secili sod âshtë keq për veti, e s’ka çka i jep kuj. Qeverís, asaj kishte me i u dashë t’interesohej për ta. Por, tue kenë edhe ajo n’ûjë për vete, ka vojtë e u ka shtue taksat gjanavet t’ushqimit e sendevet nevojet së parë. Kështu b.f. ka vojtë e u ka vû pagesa orizit, kafes, sheqerit, duhanit e vojit të gurit. Tregtarët e vogjël do të fi llojn me e shtie në punë listën e taksavet të hanën që të vîjë. Mirë; por me kaq, edhe njato dý fi je të holla, që mund të ketë ruejtë kush për ditë të ngushtë, tash po i mbarojn shpejt; edhe atëherë lypsët e skamnorët tash po shkojn tue u shtue! Kështu doli edhe sod tallalli, i cili tashma i ka ardhë në hundë gjithkuj. Po, por sod nemose një lajm i mirë na u shpall. Ka dalë fjala, se ai Koloneli i tmershëm, ai Arapi i Beledies ishte hjekë prej asaj kambe; edhe vendin e tij e kishte zanë një major artileriet, kenë deri tash në Tarabosh. Ma i mbrami, që e kishte pasë rrezik me rá ndër thoj të Kolonelit të famshëm, ka kenë një furrëtár. Tashti qeveria paska pasë dhanë urdhën, që në secilën furrë do të mbaheshin në rezervë nga 40 thasë miell. Kjo gjâ ishte e tepërt; urdhëni dukej, si me thanë paksi qesharak, tue pasë para sýsh, a mund t’ishte në gjêje secili furrëtarësh me i gjetë e a i ishte i zoti ai me i blé gjithkëto thasë drithë! Mandej edhe, mirë se po i gjêtka e po i bleka, por çka bluhet sod ma parë me ata dy mullîj, të vetëmit që u janë lëshue në përdorim të furrëtarëvet!… Në këtê ndërkohë kaq kritike Koloneli në fjalë, xuni njenin, i cili nuk i kishte në dyqan këto 40 barrë drithë, simbas urdhënit. E zuni edhe e qiti në gjýq. Ky qyqár, kur kje pyetë prej gjyqtarit, pse nuk i kishte mbajtë në depo ato 40 barrë drithë, simbas urdhënit, përgjegji, se tash, mbasi që qeveria i kishte dëlirë e marrë për vete gjithë drithin, që kishte gjetë ndër magaze e katunde për rreth, nuk ishte e mùndunë me i pasë secili furrëtár ato 40 barrë, gjithmonë në depozitë! Përgjegjja në vete ishte e arsyeshme e s’ka ma me vend. Po; por ec e thueji Z. Kolonelit, i cili n’atë idhnim, tue e marrë punën për të keq e si një të fyeme personale, dha urdhën që të rrahej se të rrahej furrëtari i pafat. T’i ramen në vesh Z. Prokurorit të gjyqit ky ndëshkim i pavend, protestoi edhe vojt me u ankue në saraj, tue u qitë ndër mendë atyne zotnive, se nuk kishte tagër kush, me rrahë edhe me ndëshkue ken, por mbasi të jetë shoshitë njëherë e këputë çâshtja zyrtarisht në gjykatoren e shtetit. Kur i muer vesht Koloneli këto fjalë të Prokurorit të shtetit, i a bani: ”E unë që s’e çáj kryet për këto përralla të gjyqit ! Puna jeme, s’kam nevojë të pyes kên unë për këso sendesh!” Edhe pa tjetër dha urdhën, të rrahej furrëtari aty ndër sý të tij: T’i bijshin këtij të ngjyemi 40 shkopîj deri që t’i a çojshin gjak të dyja kambët. Prokurori prej anet së vet protestoi, tue i thanë trûq Kolonelit, se rrahja bâhej, simbas ligjit, tue i rá fajtorit shpinës e ndër shpatulla; jo ndër gishta të kambëvet. Koloneli por, tue mos i marrë në dorë fjalët e ankesat e Z. Prokurorit , i thotë : “Ti mos m’u përziej; dij unë, çka bâj!… Bane e e çele gojën edhe njëherë, po të shtroj edhe tý njetash fíll e po të rrahi ndër kambë!” . Edhe kështu Z. Prokurorit të Shtetit i u desh me i lanë fjalët, edhe me u nisë e me shkue në punë të vet. Arsyeja kryesore e largimit të Kolonelit arab kishte rrjedhë kështu. Një ditë ky i paska pas’thanë një ushtari shqiptár, redif, si në të përbuzun : “Ah, ti kenke i partísë s’Esad Pashës, ti?…”. Përnjë qi i shkoi në vesh Esadit kjo fjalë e Kolonelit, protestoi rreptësisht aty ku ishte vendi; edhe kështu me të shpejtë u dha urdhëni të hiqej andej Z. Koloneli në fjalë.
E hane, 9 dhetuer 1912. Taksa berberëvet!
Na âsht mësue tashma veshi. Natë e ditë pushkë e top; tash ma larg, tash ma afër; herë kahë Shtoji, herë kahë Bardhanjorët, herë kahë Bushati e herë kahë Shiroka e Taraboshi. Mandej, kaq të dèkunë këtu, kaq të varruemë këhâ sod u muer kjo kodër, sod u duer kjo tjetra. Punë këto që ndihen këtu dita me ditë. Aq ma, sa sod nuk u jep kush gjithatë randësí këtyne lajmeve, si përpara. Vetëm kur krisma e jehu i armëvet vjen tue u shtue, njatëherë diçka populli ngjallet; edhe shkojn tue pyetë gjindja shoqi-shoqin: «Morè ky, a thue i a mbërrijti përnjëmend?» Kështu njëherë diçka shpupurishen i madh e i vogël; por, kur e shohin se nuk âshtë gjâ, ulin veshët e bien në fashë. Tashma shkodranët, ma e shumta, këqyrin çka po bâhet këtu mbrendë në qytet, sesa u a vênë menden luftimevet, që bâhen me natë e me ditë gjithkun për rreth tyne; sadoqë e dijn mirë, se shì prej njatyne mvaret fati i tyne. Për shkodranë, të thuesh, sod ka ma randësí çâshtja e taksavet, që shkojn tue u shtue dita me ditë, sesa ka një luftim paksi i largët ndokun rrethesh së qytetit. E publiku, ndërkaq, rrêhet e kënaqet për ndonjë lajm të mirë, të shumtën e herës për një gënjeshtër, që s’dihet se kush e qet. U ngjallet të shkretëvet një grimë shpresa edhe marrin pak frymë në mjedis së gjithkëtij mjerimi e skami, që âshtë tue vuejtë. Komanda përnjëherë duket, si mos me pasë punë tjetër në qytet mbrendë, veçse me ndêjë tue shtue aso taksash. Qe b.f. tash e ka kapë me rruestarë. Po; sod nade ka dalë urdhëni me pague nga 10 pare, për secilin njeri që këta të rruejn, ashtu dhe nga 20 pare për një të qethme fl okësh! Tash bërberët, mbas këtij urdhëni të prémë, kanë ngrehë hundët. Protestojn kahë pak; por gjithmonë ashtu me fjalë të matuna edhe me frikë, mos t’u ndodhë edhe ma zí. Disa sish, si në protestë kinse kanë mbyllë rruestoret; por qeveria nuk e ka çá fort kryet për këtê punë. Policia ndërkaq u vêhet për gjurmë bërberëvet, të cilët, briskun rrues në xhep të pantallonavet, hîjn aty-këtu ndër shtëpia, ku e dijn se janë tue i pritë. Por policia u a ka zanë; edhe kështu, nuk i len me bâ çorap. Porsa dalin, po shì te dera e oborrit, ndeshin në policin, të cilit u duhet me doemos me i pague taksën e njerit që kanë rrue. Lê të thonë sa të duen, se kanë kenë për një vizitë te një mik, se kanë pasë një punë etj. Kot; berberi do të paguejë se do të paguejë njaqë sa i thotë polici. Mbi tjerë por, Hasan Rizaja e ka me pasanikë. Prej një tregtari çoi e muer jo ma pakë, se 40.000 korona pëlhurë e beze, tue i a blé për gjysmë çmimit, edhe tue i lëshue në dorë, në vend të të hollavet, një deklaratë, kinse do t’i paguhen ditën… e moskurrit ! N’atë idhnim tregtari tha, se do t’i jepte zjarmin duqanit, ma parë se me i a lëshue komandës ashtu për të shkretë, pa pare, pa pullë. Kur i vojti në vesh kryekomandantit kjo punë, çoi në të shpejtë e i a muer gjithçka kishte pasë tregtari në duqan; i zoti kje burgosë e i kjénë vû prangat. Tash e parë Hasan Riza Bej, si në shpërblim të gjithkësaj egërsie e shtrëngese, për me e marrë mêç popullin, shpallë do lajme të shkurta njëmend, por plot fi tore. Qe b.f. pardje qiti fjalën, kinse âshtë tue i a mbërrijtë Muktar Pasha me dý divizjone ushtarësh, s’di prej kahë. Âshtë kjo e katërta a e pêsta herë që e shpallë këtê lajm. Por, me gjithse gjindja presin, mjerisht s’po shihet kun as Muktar Pashë, as divizjone ushtarësh! Njëkështu kallëzojn edhe për Napoleon Bonapartin, i cili për me e mbajtë nalt moralin e ushtarëvet e të popullit, s’i a pritonte aspak me trillue e me shpallë këso lajmesh së rrêjshme! Krye për krye me rrenat e trillueme të Komandantit, edhe populli, posaçe krahu i krishtenimit, kahë s’ka ku merr ndonjë lajm të mirë e të sigurtë, shkon e qet për fushë për ditë gati nga një rrenë. Qe b.f. këso ditsh ka dalë fjala, kinse Mali i Zí postafat âshtë tue vonue e s’âshtë tue bâ një të mësyeme ashtu të rreptë, përse âshtë zanë me punime: Janë tue çelë nën dhé llogore edhe janë tue i u avitun Shkodrës. Veç kur një ditë, pa pritë pa kujtue, të shpërthejë prej dikahë e ta qesë kryet ushtria anmike kun në ndonjë skâj të qytetit! Prap edhe, këso ditsh doli fjala, kinse Mali i Zí i paska çue një ultimatum të ri turkut, me rá në dorë. Por, çudi, lajmin, megjithë vuejtjet e mëdhaja të popullit, nuk i a pat anda kurrkuj; për kundra, ka bâ një përshtypje të dobtë… Mali i Zí, sigurisht, që për me i u gërmbushë turkut me këso fjalësh e kërcnimesh së mëdhaja, do të kishte bâ diçka ma tepër, se ka bâ deri më sod. Një fi tore ashtu të fortë, ase, si thonë, një grusht hundëvet, me çka ka veprue deri tash. Malazezët Hasan Rizás dhanë nuk i a kanë, e vërtetë, ushtrín e turkut aty-këtu ka mujtë ndoshta me e zmbrapë; edhe turku, vende-vende ka shkue tue lëshue ndonjë pozicjon, për me bâ një qëndresë ma të fortë e ma të gjatë. Me kaqegjâ por, nuk mund të thuhet, se malazezët e kanë fi tue luftën. I a kanë pré, e vërtetë, gjithkahë turkut rrugën. Por, nuk mund të thuhet endè, se e kanë mujtë turkun. Ndërkaq, Hasan Rizaja këqyrë gjithnjë atë punën e vet. Kryekrejet ka para sýsh ushtarët, strategjínë e luftës, edhe diçka edhe popullin. Se sa për kërcnime e fjalë të mëdhaja të Malit të Zí, nuk i merr në dorë, as s’e çán kryet aspak. Anmiku e di mirë, se Komandanti, pushkë për pushkë, menden me e lëshue nuk e ka ! Po duen me thanë edhe, se parlamentarët e Malit të Zí i paskan prû Rizá Beut lajmin, kinse Turkia tashma e thyeme e e shpartallueme gjithkahë prej ballkanasvet, ka vû me ta armëpushim e një farë paqet. Por Kryekomandanti turk, as për këtê lajm nuk u thye, as s’desh me dijtë gjâ. Mendja e tij, gjithmonë një: Shkodra do të merret vetëm e vetëm me luftë! S’ka tjetër!…
E ejte, 12 dhetuer 1912. Një lojë strategjike e serbëvet
Sod duel fjala nëpër qytet, kinse lypeshin prap ushtarë. Të gjithë ne e parë u çuditnë për këtê lajm; mbasi, tue shtue numrin e ushtarëvet, sod për sod do me thanë, me e detyrue me i mbajtë me bukë. Një randim ky i jashtëzakonshëm për qeverí në këtê krizë ku gjindet sod. Edhe, çudí!… Komandanti i pjacës lypi ushtarë deri prej elementit kristjan! Po u muer vesht ma vonë arsyeja e vërtetë e këtij rekrutimi. Tashti, tue kenë se kristjanët s’e kishin pasë zakon gati kurr me i shkue turkut, si ushtarë të rrègullt, kërkohej tash, që këta edhe ta jepshin atë kontributin e vet me të holla. Tash gati një muej i shkrou Valia një letër Arqipeshkvit, tue i njohtue këtij, se në këtê ngushticë, edhe prej së krishtenësh katolikë pritte me i u bâ krah; që të sigurohej kështu ma mirë qyteti. Arqipeshkvi, që ishte atëherë Imz. Ják Serreqi, i a bleu menjëherë, ku donte me dalë Kryekomandanti me atë shkresë: Dukej, se kishte nevojë për të holla! Edhe menjëherë shpalli urdhënin Prelati nëpër katolikë, se lypeshin ndihma nga qeveria, për t’i dalun zot qytetit në këtê orë strategjike. Zanit të Arqipeshkvit katolikët i u përgjegjën aty për aty. U mblodhnë vetëm n’atë shteg 1500 lira turkut, ár! Tue e pá Hasan Rizaja, se manovra i kishte shkue s’ka ma mirë, mbas do ditsh i shkrou prap se prap Z. Arqipeshkvit; por, jo ma tue i lypë të holla ashtu kjartë, por nën një shkak tjetër. Mirë tue dijtë Hasan Beu, se kurrnjë djalë pasanikësh nuk do të kishte rrokë pushkën, për me dalë e me luftue në báll të luftës, bani tjetrën. U vuni me lá kahë 30 lira turkut për krye secilit djalë së krishtenësh, i cili nuk donte me shkue në front, për me luftue krah për krah me ushtarë.
Spedicjoni i qerrevet në Zadrimë, për drithë.
Ndërkaq, Kryekomandanti çon ushtarë e qerre për me mbledhë drithë nëpër katunde kahë jugu i Shkodrës. I ka dalë deri më sod me bashkue kun nja 100 barrë drithë. Një çudí përnjëmend, si trimnohet e guxon me u shty deri aq kthellët me ushtarë, tue kenë se âshtë rrezik ku të ndeshën më anmik të mbesin të rrethuemë. Por ndoshta i dërgon natën për terr, për mos me u diktue prej anmikut. Tue marrë llasë këso doret, dje u shtynë pakegjâ ma përtej, se tjetra herë, por ranë në kurthë. Tashti ndër katundet e Zadrimës drithë atë vjet ishte bâ mjaft. Tue i besue vetes, Hasan Beu nisi për këtu shumë qerre, mbasi që edhe Drini nuk ishte fort i kthellët e kalohej më kambë. Kësi shtegu të zott e qerrevet nuk ishin të krishtenë; prandej nuk ishte frika, se tue u gjetë përtej Drinit, mund të hidheshin n’anën e Serbit. Jo; ishin të gjithë myslimanë, mauzeren mbë krah secili, edhe shtrëngue mirë me rrypa fyshekësh. Bashibuzukët në fjalë, të mbrojtun nga ushtarët e rrègullt, u shtynë kahë shtëpiat e katundarëvet; iu hudhnë kotecavet të drithit, edhe t’i a fi lluenë me ngarkue qerret gjithsa mujtnë. Por Serbët i diktuenë menjëherë; u lëshuenë fulikare mbë ta nga Kukli e nga Plezhja, u banë rrethin edhe nuk i lánë me u bashkue. Si i gjetnë të shpërdamë andej e këndej, të gjithë gati i mbytën apor i banë rob. Vetëm nja dy a tre vetëvet prej ushtarësh u duel me shpëtue me krye; edhe tue ngá, u kthyenë në qytet, për me u diftue shokëvet, çka i kishte gjetë. Fíll mbas Hasan Rizaja dërgoi edhe një herë në Zadrimë dy bataljona tjerë ushtarësh, me urdhën të prém, që t’u ndesheshin báll për báll me anmik, kudo që ta hasshin. Ndërkaq i porositi, që të ktheheshin në qytet, qerret mbushë plot e përplot me drithë. Ushtria, simbas urdhënit, u nis edhe u kap ku gjindeshin qerret e shtegut të parë. Por, çudí, nuk páu njeri të gjallë ngjat qerresh. Mbasi Riza Beu u kishte dhanë urdhënin që të ndesheshin e të kacafyteshin me serbë, e këta nuk shiheshin kun; prandej me doemos duheshin kërkue. Rreshtat e parë t’ushtarëvet ecën sa ecën, ku nja 20 minuta rrugë, kur po fi llojn e i gjuejn mbas shpinet. Atëherë veç u kujtuenë, se kishin rá në gojë t’ujkut, ishin rrethue. Serbët u kishin vû pritat, edhe tash u kishin bâ rrethin. Kur turqit nisnë me u zmbrapë, u ndeshnë në një pritë tjetër. Serbët u a kishin pré gjithkahë shtigjet; prandej, çdo qëndresë për të rrethuemët ishte e padobí. Komandanti, me një dorë ushtarësh provoi me u zmbrapë e me qëndrue mbi një sukë aty afër; por kot. Pse në të shpejtë kje rrethue e dyndë prej serbësh edhe s’andejmi. Mbasi që as fyshekë nuk kishin marrë me vete për një qëndresë aq të gjatë, kështu mund të thuhet, se e banë punën fort ngusht e se kanë mbarue me të tana! Në Shkodër i kanë pritë gjithë natën, se kur po kthehen; por sod nade u muer vesht, se kishin ngelë të rrethuemë. Thonë, se vetë Hasan Rizaja, në krye të tre bataljonavet, kenka çue e paska shkue, për me i librue shokët nga ngujimi. Për deri tash por, nuk ka mujtë me u marrë vesht gjâ, si u bâ puna e tyne. Nuk ka kthye ende kush prej andej. Ndërkaq, nëpër legatën gjermane të Cetinës i u bâ me dijtë Hasan Rizás, se nga Stambolla i kishte ardhë atij lajmi i armëpushimit të Turkís me aleatët sllavë; tue i dhanë njëherit edhe Kryekomandantit të Shkodrës instrukcjonet e dorëzimit. Mirë; por Rizaja, as për këtê lajm zyrtár nuk e çau kryet; Gjithnjë atë menden e vet! Konsujt e Fuqivet të Mëdhaja – t’Anglís, të Francës, t’Austrís, t’Italís e të Rusís, – banë edhe sod një mbledhje, për me u rregullue, si u duhej me u prû në këtê ndërkohë. Protestuenë sa protestuenë, sidomos për faktin, pse do të pësojn edhe ata bashkë me popull, pa mujtë me marrë e me dhanë me qeverít e veta. Protestavet të tyne por, asi shtegu nuk u vuni kush vesh!
Prej ushtarësh së mbetunë, si thamë, rob në Zadrimë, ndër duer të serbëvet, nja disa prej sish, banë si bânë, edhe mujtën me u librue. Kanë mbetë tash edhe nja 500 sish, gjithnjë të ngujuemë. As s’patën çka u bâjn bataljonet e shokëvet, të cilët u ngánë kinse në ndihmë. Ndërkaq, këtu edhe Lufta për rreth furravet vijon gjithnjë njashtu si përpara. Mbramë për ma tepër furrëtarët kanë shpallë lajmin, se nuk kishin ma me çka me e qitë bukën, as grunit as kollomboqit. Vetëm me krunde! Populli prej kësi lajmi nuk u trazue gjithaq fort. Nuk i dhanë gjithaq randsí, mbasi që edhe ajo bukë që kishin qitë deri atëherë ishte për faqe të zezë, mos me e hangër as thít! Tjerët por thojshin: “Ani, të dalë një kafshatë, sido që të jétë: Mjaft që mos të na lánë ashtu krejt pa tê! Kaq zia e bukës së shkretë ka vojtë në kulm!”
Taksa mishtarëvet.
Për deri më sod qeveria u kishte vû taksa e pagesa edhe u kishte sekuestrue gjanat e ushqimit etj, vetëm tregtarëvet, të mëdhaj e të vogjël; por që me dje ka dalë urdhëni, që edhe kushdo privatësh e ka dëtyrë të shkojë e të diftojë në Bashkí gjithçka të ketë vû m’anesh e ruejtë për mbajtjen e familjes. Këtê punë, – thotë lajmi – po e bâjm, që t’u dahet secilit me racjon e me drejtësí; mbasi dihet, se njeni – njeni ka raditë për veti gjana ushqimit për së tepërtit, ndërsa ka në popull asish, që nuk kanë aspak. Sod nade grát e Gjymsës së Hanës së Kuqe, të cilat gatojshin deri lidhësa e peca për të varruemët e spitalit e të frontit, kjénë përcjellë të gjitha; për arsye, si thojshin, se nuk kishin ma, me se t’i paguejn. Por, kush donte, mujtte prap se prap me vijue në shërbim, rrogë veç me u dhanë ma, nuk kishin. Të punojshin d.m.th. vullëndetisht, për të mirën e atdheut ! E taksa mbi taksa u duhet me lá posaçe mishtarëvet. Këta, pikë së parit, e kishin si të preme, me pague nga një grosh për krye të berrit që prejshin. Posë kësaj, do t’i a dorëzojshin qeverís edhe lëkurën e baktivet të theruna, pse u duheshin ushtarëvet. Mirë; por sod duel edhe tjetra: Me pague nga 10 pare për secilën okë të mishit, që shitshin. Shkurt, mësi shihet, qeveria ka nevojë e âshtë ngusht për të holla. Prandej, ban çmos me gjetun kun ndonjë shkak, për me xjerrë ndihma prej popullit. Mirë e e arsyeshme çka ka bâ për deri më tash; diçka mund të hýjë në kllef. Por të duket krejt e çuditshme edhe e paarsyeshme puna e një takse, që ka trillue këso ditsh; Një ród takse e së dhetash, që nuk ndihet kun në botë! Qe: Tue u gjetun të rrethuemë tash gati dy muej natyrisht e tue u këputë tregtia, as dogana nuk qet ma gjâ. Atëherë pra, si i bâhet?… Qeveria u ka vû tregtarëvet të dhetta gjithnjë, si t’ishte tregtia në kambë! Edhe kështu b.f. një tregtár i madh, i cili ndër vjett e përparë dhe ka mujtë me pague in media kun pak me i a vû, nja 3000 lira turkut doganë mbrenda 12 muejsh shtetit, zêhet, se edhe tash i ishte dashë me pague rregullisht vjetët tjera, për gjana që suponohet, se kishin ardhë në doganë edhe atë vjet prej së jashtëmit. Mirë; se edhe kësaj takse qesharake tregtarët do t’i ishin shtrue; sado që nuk âshtë ndie kun në botë se do të parapaguhet një máll, që s’âshtë porositë endè, por që paska për t’ardhë dikur. Tregtarët ndoshta edhe do t’i ishin shtrue kësaj pagese së jashtëzakonshme, po t’ishte çâshtja e një parapagese; por, me ndodhë që, mbasi të paguhen këto taksa imagjinare doganore, turku del e shkon, mbas luftet, në punë të vet, e atëherë?… Ankimin e tregtarëvet të shkretë gjithkush e sheh s’ka ma t’arsyeshme; por ec e thueja Z. Hasan Riza Beut; i cili përherë gati, e mbyllte edhe këtê shpallje me frazën e zakonshme : “Njai që guxon mos me i u bindë këtij urdhëni, do të pushkatohet!” Pra, s’ka mbetë tjetër sod; por me mbyllë gojën e me pague! Për ndryshe, haps e xhezá; edhe fundi, me pague se me pague!
E hane, 16 dhetuer 1912. Përsrí, fytafytas!
Lajmet që vîjn nga Zadrima janë përnjëmend të tmershme. Katundet, lagje për lagje, të shtrueme më gjak e plojë; shtëpí për shtëpí, plaçkitë e djegë. Janë ngujue gjindja ndër banesa të veta, mbyllë me dekë! I gjuejn shtëpiat e u japin zjarmin, edhe katundarët e shkretë qëndrojn sa qëndrojn; për fund i djegin mbrendë. Një ushtár serb u lëshue fulikare në pikë të vrapit e i a ngjiti më dhambë një ushtari turk e i a këputi dellin e qafës. Por, ndërsa ishte tue e krye këtê vepër egërsiet, i ránë disa plumba shpinës! Tash aty nuk ka të thuesh, ma kun báll luftet. Âshtë përzie lamshi; e veç këqyrin me i a xjerrë shpirtin shoqishoqit me thoj. Po; me thoj a me ndonjë thikë brêzit mëshojn njeni mbë tjetrin; përse nuk punon tashma as pushka as bajoneta! Hasan Rizaja ka dhanë urdhën, që serbët të dëbohen me doemos nga Zadrima, të cilët kishin mbërrijtë deri n’Ashtë; prej kahë s’kanë shum, për me u kapë te Kodrat e Tepes. N’atë lajm u çue në kambë edhe vetë Kryekomandanti me ushtarët e vet ma besnikët edhe u lëshue mbë serbë, për me i pritë, mos të shtýheshin ma ngjat, tue e vû qytetin ma në rrezik. Andej kahë Ashta ka zanë vend ushtria e Turkut. Pakëgjâ ma përtej janë edhe serbët, të cilët mbajn të ngujuemë nja 500 ushtarë t’anmikut, të dàlunë, si kemi çekë ma nalt, prej qytetit, për me mbledhë nëpër Zadrimë kun drithë. N’anën tjetër bataljonat e Rizá Beut, të cilët patën kenë nisë, për me u ardhë në ndihmë shokëvet të vet të rrethuemë prej serbit, e kanë shtý këtê një herë e dý e trí, tue i bâ báll trimnisht anmikut. Por gjinden në rrezik me mbetë të rrethuemë edhe ata vetë nga serbët. N’anën tjetër nuk mund të shtýhen ashtu fort kahë Zadrima, tue i u largue Shkodrës; mbasi nuk mund t’u vijn ndihmët e nevojshme për qëndresë nga qyteti.
Një zâdhanje e ré.
Sonte duel fjala, se qeveria u jepte lêje gjithatyne që ishin t’ikun prej Zadrimet, të mund të ktheheshin ndër vende të veta. Populli e muer këtê lajm, si me u marrë vesht me kaq, kinse turku kishte bâ një fi tore të madhe kundra serbit. Por, tellalli, fíll mbas shpalljes, shtonte edhe këtê. Të gjithata që kishin në mendë me u kthye ndër katunde të veta, do të merrshin me veti pushkën e gjatë edhe njai që s’kishte pushkë, mund të shkonte me e marrë në komandë! Puna e pushkës, që thuhej aty në shpallje, se do ta merrte secili me veti, kjo e qiti në mendim gjinden; edhe thojshin, se kjo kondita e të marrunit t’armëvet ishte një shenj, se t’a kaluemen urën, do t’i kishin detyrue përdhuni me u vû ndër rreshtat e ushtrís, për të përballue serbin.
E mërkure, 18 dhetuer 1912. Një rrethim i papritun i turqvet në Babë
Riza Beu, i rrêjtun, mëzi duket, nga lajmet e pathemelta, mendësh së veta hartoi një plan tjetër luftet, ku gaboi edhe ma zí, tue rá me të dyja kambët mbrendë! Atë natë, si u err mirë, dha urdhën të shkepeshin nga mbrojtja e Bërdicës dy bataljona ushtarë; të merrshin me vedi katër topa me qitje të shpejta, edhe kështu t’uleshin e t’u bashkoheshin me shokët tjerë të Zadrimës. Gjithsejt tash bâheshin këtu, 8.000 ushtarë, me 12 topa të mëdhaj e të vogjël. Për këtê operacjon komanda i kje lëshue në dorë Kolonelit të garnizonit të Bërdicës; i cili edhe ky si Hasan Beu, i kishte krye këndimet ushtarake në Gjermaní. Porsa e muer Koloneli këtê urdhën prej Hasan Rizás, d.m.th. që me e mësýe për me e shtie në dorë pa tjetër Dajçin, i a diftoi Kryekomandantit vështirsín e atij ekspedicjoni, tue i qitë para sýsh faktin, se aty në Dajç përmbahej qëndra e ushtrís serbjane, d.m.th. 20 bataljona. E kundra këtyne ishte një punë, si me i rá murit me krye, po të provoheshin me i përballue vetëm me një ushtrí 8.000 vetësh. Shtoi, se ishte gati ta çonte urdhënin në vend, mund t’i ndeshte; veç mund t’ishte i sigurtë, si 2 e 2 bâjnë 4, se do ta lêjshin të gjithë kryet mbrendë. Komandanti i Bërdicës mandej, i bante me dijtë eprorit të vet, Hasan Rizás, se nuk kishte kurrkun gjasë, që serbët Dajçin, një qëndër qëndreset aq me randësí, po e lanë të ligshtueme, tue i zhbartë disa pjesë ushtarësh e tue i vendue ndër do logje randësiet së dytë. Edhe pse e ndjeu Kryekomandanti këtê vërejtje fort me vend të Kolonelit, prap se prap i ndêji se i ndêji asaj mendes së vet. I a përsriti edhe një herë urdhënin: Me e mësý Dajçin! Uli kryet Koloneli edhe s’i bani ma fjalë këtij urdhëni të guxueshëm e të rrezikshëm të Kryekomandantit; me gjithëse ai në mende të vet ishte i sigurtë, se do ta bierte luftën. Edhe kështu, simbas urdhënit, bataljonat e turkut dje nade u nisën prej Ashtet. Në Pistull u bashkuenë me dy bataljona tjerë, të cilët kishin urdhënin me mësýe ndër ma të parët. Ecën sa ecën, për pa pasë farë pengimit prej kuj. Kur banë por me i u avitun Babës, kun nja 3 km larg prej Dajçit, rreshtat e parë t’ushtrís kjénë pritë e gjuejë nga një batare pushkësh së anmikut. Punë kjo, që ngjati nja pak minuta; pse mandej fíll kjénë vû në rol nja 50 ushtarë serbë tue ikë asajt ndër sý të turqvet. Ndërkaq, ushtria e turkut u kap në Babë edhe muer me kalue përtej kur, pa pritë pa kujtue po ndiejn, se dikush po i gjuen në krah të djathtë njëherit edhe në krah të rrëmakët. Veç njatëherë turqit u kujtuenë, se kishin rá ndër prita e se ishin të rrethuemë gjithkahë prej serbësh. Hangrën buzën më dhambë, kur e pánë veten aq ngusht. Kahë veri, vetëm njandej kahë kishin kalue ata vetë pak para, asajt kishte mbetë një shteg i çelun. Ndërkaq, serbi prej kahmos rreth e për qark, padá, qitte mb’ushtrí të turkut, me qëllim, që me i shtý sa ma fort andej kahë kodrat, për me i pasë nën vete. Këtyne të mbramëvet një shpresë e vetme u kishte mbetë: Kujtojshin, se serbët nuk do t’ishin asajt aq shumë me numër. Po, s’kje gjâ; edhe ushtria e turkut, atëherë vetëm u kujtue për ngushticën e vet, kur hetoi ndër të gjithë kreshtat e kodravet për rreth ushtarë serbë me qinda, me mija, të cilët kishin ardhë prej Dajçit, për me u lëshue si të tërbuemë mbë ta. Megjithkëta, komandarët e ushtrís turke mundoheshin gjithnjë edhe për fund i a duelën, me i mbajtë ata të vetët grumbull, pa u shpërdá. Edhe banë si banë; e nëpër atë furín e pushkëvet mujtën me u kapë deri te një kodrinë aty afër, ku zjarmi i anmikut nuk kishte çka u bante. Pushkët njëmend nuk patën ç’u bâjn; por serbi u suell me i gjuejtë më shrapnela. Me këta po, m’atë shteg bani gjakun e plojën e pafarë mbë gjithata morí gjashtëmijë e ma ushtarësh turq. Nja dymijë kësish prap, ishin zanë tue mësýe do grumbuj serbësh, të cilët ishin tue bâ çmos, për me u a mbyllë turqvet rrugën kahë veri. Një herë e dý n’atë të veten turku u mundue e dha me gjithë shpírt, për me e shtie në dorë një kodrinë asajt; me qëllim kinse, për me vendue mbë tê topat. Por serbi nuk e la. Kështu që të parit i u desh me u zmbrapë, tue e lanë tokën të mbulueme me të dèkunë e të varruemë. Mbi një kodrinë tjetër, e vërtetë, u duel turqvet ma vonë me vendue topat. I venduenë, edhe qitën sa qitën n’anmik. Por 25 grykat e topavet serbjanë nuk dijtën me prâ një ças. Qitshin e vritshin! Ndërkaq, Koloneli mënjë u çonte ndihmë ushtarëvet të vet, të cilët ishin tue luftue me serbë në fushë të lame. Edhe kështu, balli i luftës pak kahë pak erdh tue u zgjanue përherë e ma fort kahë veri; d.m.th. atij krahu, kahë kishin ardhë turqit. Prandej këta, mëzi kishin kenë në fi llim, tash gjindeshin fort ma mirë.
Tashma disa mija turqish ishin, të thuesh, krejt të sigurtë; e tjerët, të mbrojtunë prej shokësh, ishte gjasa, se do të mujshin me i shpëtue qarkullimit, që mundoheshin me u bâ serbët. I u kujtue Komandanti serb lojës, që dojshin me u bâ Turqit, edhe dau vetë me vete, mos ma i lanë kurrsi ta çojshin në vend planin e vet. Kështu, një herë. Ma vonë por e pau edhe ai, se 8.000 ushtarë turq nuk mund t’u qitshin faret ashtu menjëherë. Prandej, çka bani ?… I dha urdhën të prém kalorsís, të bante një të mësyeme të furishme mb’anmik. N’atë pështjellim njëmend, edhe ushtria turke u shpërdá. Plot trimijë sish, nëmos ma, kjénë shkëputë prej shokëvet; edhe, si pa u kujtue ata, u a mbyllën rrugën andej kahë e kishin qitë cekën me u drejtue. Kështu furia e luftës u ndez e rreptë e e përgjakshme, një çmos. Turqit kishin mbi krye gjylet e shrapnelat e anmikut, që s’mêjshin, me thanë, një ças, ndërsa si të dëspruemë kërkojshin me i çelë shteg vetes. Por serbët u a kishin pré rrugën, tue i pritë me bajoneta në dorë. Ndërkaq, ndërsa këtu vlonte lufta e rreptë e e tmerrshme me bajoneta, tue mbetë të dèkunë e të varruemë prej së dyja anësh njeri i pafarë, kush prej thikash e tungësh pushkësh, qe se do zanë grásh u ndienë tue britë në kupë të qiellës. Këto, ndie kushtrimin e zhurmën e luftës, ishin lëshue më vrap vetëm, apor kambë për kambë me burrat e armatòsunë, për me u a marrë huan turqvet; të cilët, pak përpara u a kishin plaçkitë shtëpiat edhe prishë e çue dam të mbjellunat e arat e bashtinat. N’ata të përziem shumë prej grásh mbetën të dekuna e të varrueme; por edhe shumë sosh qitën e mbytën plot ushtarë turq. Të varruemët, ma vonë, kallëzojshin për një grue, se nuk i ishte dá kurrkun, por kishte luftue kambë për kambë me të shoqin. Si e pau se i rá dekun i shoqi përpara, kjo burrneshë i a muer pushkën e gjatë, ngjeshi rrypin e fyshekëvet, e qiti m’anmik gjithsa mujt. Edhe, për gjithsa herë që e shihte mizorja tue u rrëxue dekun mbë tokë ndonjë turk, britte të madhe: “I a mora gjakun burrit!” Por, edhe ajo e kishte qitë cekën me dekë në luftë. Ndërsa ishte tue vrojtë me të kënaqun të zemrës një turk, tue u rrëxue e tue u rrokullisë, dekun, në një hendek, – e lëvdohej kjo bishë1, se ky ishte i katërti, që po mbytte me dorë të vet! – njatëherë u pá edhe ajo vetë tue çue duert përpjetë edhe tue rá dekun mbas një stomi aty afër! N’ata të kacafytun të dý ushtrivet s’di kush me thanë, sa njeri mbet, si prej serbësh si edhe prej anet së turqvet. Merret vesht, se sigurisht ma shumë ránë fl ije n’atë rasë prej kësi së mbramësh; të cilët, tue dashë me ngrehë mbas vetes edhe topat, nëpër balta, rrugë e pa rrugë, shkuenë tue e lá gjithkun vendin me gjak. Edhe prap se prap, me gjithëse u munduenë e dhánë me shpírt, nuk u duel me shpëtue, veç nja katër kësi topash. Nja disa iu desh me shkue tue i lanë rrugës, por, përpara se me u a lëshue në dorë serbëvet, turqit i damtojshin, tue u a hjekë topavet çelsat a ndonjë vegël të domosdoshme. Shum së varruemësh turq kjenë zhbartë n’atë rasë e kjénë shtrue ndër spitalet e qytetit edhe ndër ato të çadravet. Po; por edhe shumë, sa bari u gjetën kësi rrezikzezësh, që kishin mbetë të shpërdamë aty-këtu nëpër Zadrimë. Reparti i ekspedicjonit të turkut, që përmendëm ma sypri, nuk ka kthye endè në qytet; por janë përqandrue njandej diku ndërmjet Pistullit e Ashtës. Ndërkaq, malazezët mbajnë anën e djathtë të Drinit dhe janë tue përforcue llogoret e ballevet që kanë shtie në dorë andej kahë Barbullushi e Bushati. As s’i a shohin gjasën tash për tash njëherë me e mësýe Shkodrën; mbasi në këtê luftën e fundit serbët kanë djerrë po nja 5.000 ushtarë. E kjo s’iu duket një punë e vogël!
1 Bishë, ktu në kuptimin trimneshë, e fortë, e guximshme.
E marte, 24 dhetuer 1912. Të dèkunët unit!
Mbramë, rreth muzgut të natës, turqit, ata ma të parët mësyen njëkohësisht llogoret e Shtojit, kahë Kodra e Bardhanjorëvet edhe në krahun prej Liqenit.
N’atë të parën të mësyeme të turkut andej kahë Shtoji, t’i ndêji gati e t’i a dha gjithsa mujt, me top e mitraloz edhe Mali i Zí prej Mesit e Shëldiet. Si zakonisht, lufta pra, fi lloi njandej rreth mbramjet n’orën 6.30 edhe vijoi gjithë atë natë të pahanë, por vetëm në dritë të hyjvet, që lêjshin me u pá mjaft mirë grumbujt e ushtarëvet, vendi i topavet si edhe lëvizjet strategjike e manovrat e anmikut. Lufta u shtýe deri njaty dý orë para mjesnatet; jo ma. Në qytet por, këtu mbramë mbretnoi një frikë, një panik e një pështjellim i jashtëzakonshëm. Gjithë shkaku i atyne 100 e ma topavet e shrapnelavet që shkrepnë përmbi popullsín e qetë, qëse bani nata. Të gjithë gati edhe sonte ndêjën e pritën, palë a po lot gjâ; por jo. Hasan Rizaja, ndërkaq, ka rá në mendim, pse atë natë kanë çue dam nja një miljon fyshekë. Se, sa për të dèkunë e të varruemë, nuk u banë shumë vetë dam; gjithsejt thonë, nja 50; s’dij a po, a jo! Llogoret e turkut mbramë, megjithëse nuk i duel Malit të Zí, me i thye e me i shtie në dorë, prishë por, e damtue i ka edhe fort. Ndërsa malazezët me top e mitraloz i rrihshin furishëm e pa dá llogoret e anmikut, malsorët, me gërshanë të mëdhaja në dorë, shtýheshin deri kthellët, edhe shkojshin tue zhgulë hûjt hekurit e tue pré telat e llogorevet të turkut. Prandej u hap fjala sonte nëpër qytet, kinse malazezët, mbasi i a kanë prishë e damtue aq fort llogoret turkut, njandej ma vonë duket, se e kanë menden me e bâ edhe një të mësyeme të rreptë.
Thika m’asht.
Si prej anet së kristjanëvet, si edhe prej anet së myslimanëvet, gjindja përgjithsisht janë mërzitë e u ka ardhë shpirti në fyt tashma prej topash e pushkësh, edhe tue pasë para sýsh gjithë ditën e gjithë natën të vramë e të varruemë. Mandej, edhe njatë piç të holla, që kanë vû m’anesh për ditë të ngushtë, ato tashma hiq e mos ven! – ato janë tue u mbarue.
-E sa për kështu, – i a bâjnë disa – nuk jetohet. Kushdo të vîjë e ta marrë këte vend; pse kështu s’qitet ma! Shtý prej unit, gjindja dalin fushavet e aravet për rreth qytetit, shpesh edhe ngjat llogorevet, kërkojn barishta e rrâjça gjithfarësh. Marrin e presin deri kallëzat e grunit n’arë, ashtu pjekë e papjekë: Veç sa me u mbajtë gjallë me frymë. Malazezët i shohin e i dallojn mirë. Por, herë i lanë e s’u thonë gjâ; herë madje edhe qesin mbë ta. Atëherë t’unshmit e shkretë bâjn kin po mëshehemi mbas ndonjë stomi; herë edhe trimnohen e kthehen dalë në pikë të vrapit. Por shpesh nuk janë të zott me i a bâ shpejt; Edhe kështu mbesin rrugës, kush i varruem, kush edhe i vrám e rrëxohet me ata dy duej grunë të shkretë, që âshtë rrezikue me grabitë ndër ara.
Dy pleqtë e rrugavet.
S’ka shumë dit e andej kahë lagjja e Rusit diqën dy pleq. Mund të thomi, se ata pa farë dyshimit mbaruenë prej unit e vetëm prej unit. Ishte një kohë e gjatë qëse hiqshin të zitë e ullinit, për me shtýe sa gjallë me frymë. Shiheshin gati gjithë ditën e lume tue lypë derë në derë: U shtrîjshin dorën bamirsëvet që hasshin rrugës, apor zêjshin vend kun në ndonjë skâj të sheshevet, tue ndêjë pa çelë gojë gjithë ditën njaty, në shí e në diell e n’erë. Njashtu me lypa piç-piç mundoheshin me mbledhë ndonjë metelik, sa me blé një kafshatë bukë të shkretë. Por, si mujshin ata qyqarë me i bâ shteg vetit n’atë luftën e furishme, që zhvillohej dita me ditë para teskës së furrëtarit? Nuk i a panë gjasën, se mund të shtýejshin ashtu. Lypën sa lypën; kjánë e u lutën deri që mujtën. Por, kur e panë, se s’po u a ven veshin kush, mbasi, di Zoti, atëherë secili ishte ngusht për vete, qitën e e lanë edhe ata atë punë. I u shtruenë pa fjalë vullëndesës së Zotit e fatit. Kurrkush nuk i rá ma veshit për punë të tyne; edhe kështu, kjénë gjetun të dy dèkunë sod nade njaty mjedis rrugës.
E shtune, 28 dhetuer 1912. Mungesët e ushqimit vîjn tue u shtue
Ka mbërrijtë puna e ushqimit ke s’ve’ma; për ditë e ma zí! Gjithçkahja pikë e gjak, edhe nuk gjindet me u blé. Por, edhe me u gjetë, mungon parja. Mandej, kuj me i u sjellë sod, që të gjithë janë bâ një, i madh e i vogël, i pasun e i papasun, tregtár e lypës? Për fund i siellen për ndihmë edhe qeverís; por edhe kjo e ka punën ngusht për vete e s’ka çka i ban kuj! Në gjithkëtê ngushticë Hasan Rizaja u bje punëvet për shkurt. U ka çue fjalë atyne ma pasanikëvet të qytetit, se u duhen 10.000 lira turkut, huá! Ka çue e i ka thirrë të gjithë kryetarët e lagjevet (myftarët), myslimanë e të krishtenë. Të parën fjalë këtyne u a ngarkoi barrën, të bâjshin një listë, ashtu mendësh së veta. D.m.th. tue i a vû secilit me pague, tue fi llue prej ma të kapunvet e deri n’ata që janë në gjendje t’apin për këtê hua diçka; por jo ma pak se 10 lira. Simbas kësaj liste së vume në letër, të gjithë janë të dëtyruem me pague. Lypen me doemos, që 2.000 lira turkut të paguhen nga elementi kristjan; ato 8.000 tjerat e listës do t’i japin myslimanët. Atë natën e parë nuk u duk aspak Myftia, kryetár fetár i myslimanëvet. Nuk u pá në mbledhje, për mos me marrë mbi vete mënínë e popullit të vet, tue u vû me lá atyne, çka madje secili i a pritonte. Merret vesht, se nuk donte me pasë, mërzí e të çame krejet. Ne e nesret mbrama prap u bâ mbledhja. Rishtas i çuenë fjalë Myftís, të dukej me doemos; por ai i qiti fjalën policit, se nuk kishte si me ardhë, mbasi ishte i sëmundë. N’ato fjalë të myftís Hasan Rizaja i çoi këtij në derë Drejtorin e spitalit ushtarak, përcjellë nga një kompaní bashibuzukësh, të cilët, punën ma të parën, i rrethuenë shtëpín Myftís, ndërsa kryemjeku i vojt n’odë, për me i bâ një vizitë shëndetsore. I sëmundti ishte… shëndosh si molla. Tue folë e tue qeshë, u ul poshtë edhe i duel para doktorit.
Pa u bâ fjalë aspak, gjithnjë buzën në gaz, u nis me shkue, i përcjellun prej sish, fíll kahë zyrja e gjyqit ushtarak; Bashibuzukët ndërkaq, të gjithë me bajoneta ngrehë. Mbaroi mbledhja; edhe komandanti i kompanís e pyeti eprorin e vet, n’a ishte i lirë Myftia me u kthye në shtëpí. -Po po; sa për sonte – i a ban Hasan Rizaja – mundet me shkue. Mandej, mbasi i a lëshoi një sý listës së liravet, për t’u pague, dha urdhën, që t’i çohej fjalë secilit Zotní, të vinte vetë e ta binte në zyren e bashkís së qytetit sasín e të hollavet, që ishte shenjue me lá. Për fund shtoi edhe këtê: “Listën e emnavet t’atyne që s’kanë ndëgjue me pague ma falni mue! Dij vetë, mandej, si i a bâj”! U a ka shtie tregtarëvet të Shkodrës, ndërkaq, të dyja kambët në një këpucë. Prandej, mund të thuhet me sigurí, se të gjithë, pa fjalë e urtisht, kanë me shkue për të dorëzue huán e kërkueme njashtu si t’u a kênë caktue. Kush âshtë burrë sod me i bâ fjalë urdhënit të Kryekomandantit të luftës?
E hane, 30 dhetuer 1912. Redifët e Esat Pashës
Ka disa dit, qëse malazezët nuk ndihen për së gjallit. Përgjegjin po, kur i ngucin. Por për ndryshe rrijn urtë e s’bâjn zâ. Duket mandej, se serbët për tash njëherë nuk kanë punë tjetër veçse me e mbajtë Shkodrën të rrethueme gjithkahë. Pse, edhe në Zadrimë njekështu: Nuk mësyejnë ata ma të parët. Po mos t’i kishin ngucë turqit, ata s’kishin luejtë vendit. Këtê gjâ u a ka thanë trûq turqvet edhe njeni prej ofi cjerash së varruemë serb. Ndër tjera fjalë, edhe këto: “Jo, jo; mos pritni prej nesh, se po ju mësýejm; Shkodra do të na bijë në dorë prej unit. Kështu; nëmos na ardhtë ndërkaq madje ndonjë fjalë tjetër prej së rrethuemësh vetë. D.m.th. tue lypë me na u dorëzue!” Porse Riza Pasha ma se njëherë i ka çue fjalë anmikut, se menden me rá në dorë nuk e ka kurrkun!… T’a marrin Shkodrën me luftë, në kjofshin të zott! Kryekomandanti i qytetit të ngujuem tash e parë shkon e i ngucë anmiqtë, si me dashë me i çue prej gjumit, e mos me i lanë kaq gjatë pa zâ. Edhe kështu Hasan Rizaja, jo, pra, për arsye se diçka po bâj, shkon tue e nxitë anmikun për luftë; por ma fort, pse e sheh se ushtarët vetë janë mërzitë tue pritë, sidomos redifët, që Esat Pasha ka prû prej Durrësit, të cilët pa prâ lypin, që të bâhet njena dýsh. Redifët e sypripërmendunë, gjithësejt nja 15.000 vetë, kanë ardhë këtu vetëm për t’i dalë zot Shkodrës: Punë, si u kanë thanë, kun nja 3 a 4 javësh. Mirë; por shpejt tash po mbushen 12 javë, edhe gjâ nuk shihet. Për këtê punë këta kanë vojtë e i janë ankue ma se një herë ofi cjerëvet, edhe vetë Esat Pashës. Tash nja disa dit, për ma tepër, këta ushtarët e Esat Pashës kanë marrë e i kanë shkrue letër vetë Hasan Rizás, tue e lutë, që të bante një të mësyeme të përgjithtë kundra anmikut; “Të mbesë kush të mbesë ! – i shtojshin aty në letër – apor, për ndryshe, t’i lêjshin me u kthye ndër katunde të veta; ku, me të ndieme, kishte fi llue me hý serbi”! Rizaja u çoi fjalë redifëvet nëpër Esatin, se të mësyemet nuk mund t’u bâjshin kur t’u tekej ushtarëvet; por kur t’u shihte nevoja. Edhe ushtarët nuk kanë tagër ta çojn zanin e të lypin të mësyeme; por detyra e tyne âshtë, me ndêjë gjithmonë gati. Mandej, sa për këtê gjâ, i këshillonte redifët, të mos nguteshin e mos të mërziteshin; pse shpejt do t’u a çonte dëshirin në vend! Megjithkëta, nuk iu mbush mendja ashtu fort rezervistëvet të Esatit për fjalët e kryekomandantit; ankesat prap se prap fi lluenë me u ndie aty-këtu ndër ta. Edhe kështu Hasan Rizaja, shì për me i pajtue pak e për me u a ulë nervat këtyne bashibuzukëve, tash e parë qet ndonjë çetë të vogël sish, kun nja 100 vetësh, për me e bám ndonjë të mësyeme të vogël. Kështu f.v. mbramë u ránë malazezvet andej kahë Bardhanjorët. T’i a dha atëherë pushkë e top, të lumtë na për Zotin, prej së dyja anësh. E mësyemja nuk ngjati ma se një orë.
Edhe turqvet iu desh me u kthye dalë me nja 60 burra ma pak! Në këtê ndërkohë predhat e topavet s’anmikut gjuejtën e rrenuenë disa shtëpia në qytet. Nade këso ndërtesash u zhbìnë e u banë rrah, kulm e temel. Në një tjetër shtëpí gjylja mbyti 6 vetë. Muri i naltë i një kopshti kje gjetë ne e nesret rrëxue për dhé e rá krejt një cope, si me e pasë sharrue dora e njerit. Një këso predhash rá edhe shì n’odën ku fl êjshin fëmijët e jetimores. Shtretën e dyshekë e çka gjet i bani zhubul. Deshi Zoti por, rreziku ndodhi pak minuta para se të shkojshin fëmijët me rá. Edhe kështu, nuk u bâ dam kush. Kinse për mbrojtje e për ma sigure, mbi pullaze të shumë shtëpiavet private kishin ngrehë fl amuj mbretnísh së huaja. Një Zotni shkodran, tue e pá, se as puna e fl amujvet nuk ishte gjâ, çka bani?… Një prej ditësh e hoq krejt prej pullazit të shtëpís së vet. Përpara, mëzi dukej, prej njatij flamuri ma fort anmiku e kishte vû shenj edhe i a gjuejtnë shtëpínë pa dá. Por tash, mbas zhdukjes së fl amurit, ndërtesa ka rá në fashë, e s’i bje kuj në mendë ma me e gjuejtë. Sa për punën e Hasan Beut, rrallë se e gjén në shtëpí. Nuk ka ngae. Tash, si kemi thanë, atê e ké në njenin krah të qëndresës, tash në një tjetër, sidomos aty ku ma e furishme âshtë e mësyemja. Gjithkun i ka anda atij njeri me u gjetë vetë aty ngjat, për me pá e me drejtue gjithçka vetë.
E ejte, 3 kallënduer 1913. Urdhëna mbas urdhënash!
Lajmtari zyrtár (tellalli) ka dalë sod e ka britë dý heresh. Së parit, ka shpallë urdhënin e qeverísë, tue thanë se ata mishtarë, të cilët këndej e mbrapa s’kanë me ndëgjue me u shitë ushtarëvet mish, kanë për t’u ndeshkue rreptësisht. D.m.th. një herë, së parit, me nga 7 shkopîj shpinës; mandej ka për t’ iu sekuestrue gjithë mishi, që t’u gjindet në dyqan; posë kësaj edhe kanë për të pague një gjobë të mirë, simbas raset.
Së dytit, lajmtari i bante me dijtë popullit, se kush të gjindet jashtë mbas oret 7 të mbrames, ai ka për t’u vû më plumb. Bani përshtypje të madhe në popull ndryshimi i kësaj shpalljeje së soçme prej një tjetre si kjo që u lajmue para disa ditve. N’atë shpalljen e përparshme thuhej, se kush xêhej rrugës mbas shtatësh së mbrames, ai do të kapej pa tjetër edhe do të burgosej. Mirë; por tash, ndryshe. Lajmtari sod thonte, se kushdo të gjindet n’atë orë të mbrames jashtë, pa tjetër do të pushkatohej ! Mbas kësaj shpallje sahati ka një randsí kryesore. Po; ata që s’kanë sahat, prej friket ndrýhen në shtëpí qyshë heret, ma se një orë para kohës së shenjueme. S’ka gjâ, – thonë – ma mirë para, se me u vû në rrezik! Por, as ata që kanë sahatin me vete nuk janë të sigurtë, nuk i besojn sahatit. Shkojn tue thanë vetë me vete: “A thue e kam mirë, a keq?… Po bani e më mbet?… Nuk i dihet këtij! Mund të rrêhem; mund të më marrë mbë qafë! E ndërkaq i tingëllojn në vesh ato fjalët e mesme të tellallit: “… Pikërisht n’orën 7 të mbrames; jo një minut mbas shtatësh!”
Komentet