Bombardimet e para mbi qytet.
E mërkuere, 30 tetuer 1912.
Për herën e parë malazezët sod filluenë me hjedhë gjyle edhe përmbi qytet. Bombardimi ngjati, të thuesh, pa u këputë kurr, deri me 19 të nandorit, njashtu nja 3 javë. Kje një punë që i shtini tmerën Shkodrës! Nuk ishin mësue! Si mos me kenë mjaft, t’i a fi lluenë me e gjue rreptësisht me topa edhe Taraboshin prej së gjitha anësh. Kahë muzgu i natës Mali i Zi mësyni me furi të madhe edhe llogoret e Fushës së Shtojit. E tash qe këtu tekstualisht, si e difton fi llesën e bombardimit t’atyne ditve të fundit të tetorit 1912, një plak mysliman i qytetit: “Fillimi i bombardimit të Shkodrës ka nisë së parit te Ura e Maxharrit, te fusha e Rusit të Vogël edhe ka vazhdue andej kahë Xhamia e kësaj lagjeje (“Xhamia e Begos”). Bombardimi, zakonisht, zente fíll rreth orëvet të mbrames, mbas kumbonëvet t’akshamit, tue vijue ndër orët ma të vona të natës. Ma e shumta e banorëvet të këtyne lagjeve të bombardueme i lêjshin shtëpiat, sado natën për terr, i madh e i vogël; me ta edhe grát me fëmijët e vogjël ngrykë a për dore. Kah i a mbajshin ashtu atë kohë?… I a mësýjshin t’afërmvet e miqvet, n’atë krah ku asi shtegu nuk mësýheshin nga bombarduesët; d.m.th. kahë çinari i Hoxhës së Dheut, apo kah Rusi i Madh etj. Vargu i këtyne fatzezvet, të ngushtuem me marrë rrugat natën për terr nga bombardimet, mbërrîjte ndoshta deri në Tophanë, tue kërkue strehim shtëpi në shtëpi, kush t’u a çelte derën me i përbûjtë. Ky si thámë, ka kenë bombardimi i parë i qytetit prej anet së malazezvet; të cilët gjuejshin prej Vraket e Mesit e Myselimit. Menjëherë mbas, i a fi lloi bombardimi edhe prej Taraboshit. N’atë rasë popullsia myslimane, mbasi këta sidomos asi shtegu ishin ma në shêj, i a mbajtnë kahë Draçi, Vekshari apor kahë Tepja. Kryefamiljarët n’atë rasë merrshin me qirá kulla sanet e çka gjêjshin, veç si të mujshin me shpëtue gjallë me frymë. Por shumica e mashkujvet myslimanë, që ishin të zotët e pushkës, shkojshin t’armatosun, me qëndrue krah për krah me udhtarë, në báll të luftës. Sa për katolikë, këta, një shumicë, kanë mësý magazët e Pazarit të Vjetër. Po, pse aso kohe kanë kenë magaze të vjetra në pazár, që kanë mujtë me zanë mbrendë plot një vapor me máll. Le të merret me mendë tash, sa i madh ka kenë deri atë vjetë 1912 Pazari i Shkodrës; i cili kohën e turkut njehej ndër pazaret ma të bukurat e ma të përmendunat e Lindjes Europjane. Shumë u rrêjtën; edhe kujtuenë, se përnjëmend, e u paraqitën për me e marrë lêjen; por pasaporta nuk i kje lëshue në të vërtetë asnjenit. Simbas gjaset, kjo kishte kenë një dredhí, një pluhun sýsh. Qeveria, mësi dukej, donte me u shporrë nga të huajt, posaçe nga konsujt. Nuk i kandej me i pasë këta, gjalma nëpër kambë. Kishte në mendë edhe me u zanë shtëpiat e banueme prej sish; pse madje, i duheshin për spitale ushtarësh. E shtunde 2 nanduer.
Çudi! Malazezvet duket, se u ka anda ma fort, me luftue natën për terr; përse prap sonte kjénë mësý rreptësisht edhe njëherë llogoret e Fushës së Shtojit. Të shtieme topash e pushkësh e mitralozash prej së dyja anësh gati të tanë naten, thue po shembet shekulli. Por mandej ne e nesre rá në fashë gjithçkahja. E kështu për do dit rresht na pushuenë veshët. S’u ndienë ma për së gjallit as njena anë as tjetra; ndoshta edhe pse aso ditsh fali Zoti shí e mot, çmos kurr: Fushat u bane liqê.
Nanduer: Gjêja ekonomike e Shkodrës.
Ndërkaq, qeveria duel shtëpí për shtëpí, edhe mblodh gjithçka mund gjet ndër privat: Drû, voj të mirë, voj gurit, qira, grunë, elb, kallamboq, oriz, groshë, makarona, sheqer, hurma, tërshanë për kual e, shkurt gjithçka. Pronarët e shkretë u munduen kinse me i mëshehë. Por njerzit zyrtarë nuk lânë gjâ pa zhbirue e pa qitë në dorë. Veç ku mund të hasshin në ndonjë send, që mund t’u hinte në punë ushtarëvet! Për këto sende, që i a merrte kështu popullit, i a lëshonte secilit nga një dorë, kinse se do t’i a lante me sigurí dikur. Mandej, edhe këtê dorë dikuj i a jepte, dikuj jo. Pse disave u a merrte pa dorë, pa gjâ! E mjerë ai që diktohej, se kishte mëshehë ndonjë send. Ta diktuemen, atij rrezikziu, posë se i konfi skohej pa faleminderës, për ma tepër i vêhej pronarit me pague edhe një gjobë e mirë! Një orëprém kishte vojtë e mëshehë do qira, kun nja 6000 copë, të mëdhaj e të vogjël. Një tjetër rrezikzí prap, mbante mëshehë diku në shtëpí voj të mirë, me shumicë. S’dihet si i a diktuenë. Edhe, joveçse u a muerën pa pare pa pullë, por u vunë me pague edhe nga 40 lira të verdha gjobë për shoq. Përposë gjanavet të ushqimit, kërkoheshin atëherë fort edhe pëlhurë e peca gjithfarësh për ushtarë të varruemë, që lëngojshin spitalevet. Tue fi llue që prej ditvet të para të dhetorit 1912, në qytet nuk gjindej ma me u blé ndër dugajë, as voj të mirë, as voj gurit, as qymyr, as qira, as gati kurrnjë e mirë. Kështu që shumica e familjarëvet erreshin e ndjeheshin në terr. Drita e elektrikut në popull nuk njëhej atëherë çka âshtë.
Çashtja e drûvet.
Kur s’patën ma ku me marrë drû për ushtrí, atëherë valia dha urdhën, t’u prejshin ullîjt e vëneshtavet, fi qtë, e të gjitha landët, që mund të gjindeshin ndër Bardhej e gjithkund rrethesh. Për këto qeveria nuk i lëshoi kuj dorë e dëshmí, kinse do t’i a paguente dikur. Do dit po, u dha lêjen skamnorëvet, të shkojshin e të mblidhshin, ku mund të gjêjshin, drû e cokla. Edhe mbrenda murevet të vorresavet, vojt e muer e mblodh kush mujt krande e rrema e cokla. Por, sa mund t’u shtynte me kaq gjâ? Populli kishte ngelë keq, lene se për bukë, po se po; por tash edhe për zjarm. Njëherë së parit doli urdhëni mos me guxue me vû dorë, as ndër pemët e kopshtit të shtëpiavet private. Por, si me i a bâ? Pa një gacë zjarm, a mund të rrihej, tash sidomos, që kishte nisë me u freskue moti? Shtynë sa shtynë njashtu tue hjekë keq. Por, për fund, valia e tërhoq urdhënin e dhànun njëherë, mos me pré landën e kopshtijevet. Ndërkaq, doli lêja me e pré për drû Çinarin e përmendun të Zef Zorbës, përmbi vorre të reja. Porsa u dha zani, se përnjëmend po prehej edhe ajo landë jetike, t’u lëshuen i madh e i vogël; kush me spata e me sakica, kush me thasë e me konopë, për me mujtë me marrë sa ma shumë. Britshin gjindja, as me kenë të dispruemë, edhe dajshin si bishë t’egra, që lëshohen mbë ndonjë coftinë!… Kështu duhet me thanë; pse lufta shoq me shoq, kush mund të grabitte ma shumë aso drûsh, kje përnjëmend e rreptë e e përgjakshme. Pikë së parit nja disa, ma se 10 burra, hypën mbë çinár, edhe fi lluenë me pré në tê rrema e degë gjithëfarësh, të mëdhaja e të vogla; gjithsa mujtën. Poshtë rrijshin gjindja gati me i pritë. Por njatëherë fi lloi edhe fjala e britma e kërcnimet e të shamet, kahë donte secili me kapë e me i a grabitë shoqit ndër duer copat ma të mëdhajat e drûvet. Aty veç, lum i forti!… Pse, për shpírt nuk i a lëshonte atij tjetrit, që mësynte me i a hjekë duersh, çka kishte mujtë me kapë. Thikën a këmesën, që mbante në dorë, rrinte gati me i a sjellë atij tjetrit, që kajherë merrte guxim me i a hjekë doret përdhuni. Edhe, tue e parapá rrezikun që me mbetë pa tê, ta shtiemen në dorë, ikte me tâ mbë krah e çante tue ngá kahë shtëpia. Sa ishin gjindja aty poshtë tue mbytë shoqi-shoqin për rreth atyne degëve qe, se një rremash së trashë, mbi të cilin gjindeshin tue pré nja 4 asi burrash, pa pritë e pa kujtue, u shkye edhe 4 puntorët e çinarit u rrëxuenë e ránë permbi grumbullin e gjindëvet që ishin tue mbledhë drû nën tê. Të krisi atëbotë edhe ma zí fjala e degama e mësýnë me i a xjerrë shoqi-shoqit. Të varruemë e të shëmbtuemë shumë prej popullit nga këmesat e spatat që kishin në dorë, u kullonte gjaku gjithkahë. Po; por kurrnjeni s’e çante kryet për atë punë. Gjithnjë të dyja palët siellshin njena më tjetrën, mbarë e mbrapshtë. Prej këtij grumbulli të pështjellun, tash e parë shihej njeni e tjetri tue u largue prej asaj lame luftimit me nga një degë çinarit mbë shpinë e tue i a mbajtë kahë shtëpia. Mbas do kohet, kur s’patën ma çka me ngarkue, gjindja i a fi lluenë me u shpërdá e me shkue në punë të vet. Mbetën aty, nën çinarin e prémë, vetëm nja disa asish së varruemësh, të cilët, prej varrësh e gjakut, nuk ishin të zott me i ngarkue e me i bartë mbë shpinë atë degë a atë ngarkicë drûsh që kishin mujtë me bashkue me luftë! Ata të Kryqit të kuq, apor, si thirreshin atëherë, ata të Hanës së kuqe, erdhën në të shpejtë e i mjekuen.
Lufta para furravet.
Por, çka diftueme tash, se ndodhi për rreth atij çinari të prém, nuk âshtë, të thuesh, kurrgjâ, krahas me britmë, degamë e pështjellim, që të tokon me pá e me ndie për rreth furrave të qytetit. Ndër disa këso furrash, shkaku i popullit të madh, që i kishte mësý, qyshë ndër orët e para të paradites u mbarue buka, s’patnë ma ç’me shitë. Edhe, kështu, tue mos pasë ç’me bâ, i mbyllnë xhamat e dyert nja disa orë përpara se e kishte zakon me i mbyllë ditët tjera. Zani, kinse furrëtarët nuk kishin ma miell me qitë bukë, u hap si vetimë në qytet; edhe me atë fíll mësýnë populli ato pakë furrat tjera, që i dijshin, se nuk kishin mbyllë endè. Shumica, friket kahë i a shihshin gjasën, se mund të mbetshin pa bukë, me grushta e me shkelma, shtýj e shtýj, kapeshin deri te teska e furrëtarit. Ata ma qyqarët, që s’ishin të zott me u qëndrue atyne që i shtýjshin përmbas shpinet, shpesh herë edhe pa marrë gjâ, ishin të ngushtuemë me u largue e me u a lëshue vendin atyne ma të fortëvet. Aso here gjithë puna ishte, kush ishte i fortë e shkonte ma i pari. Ai mund të merrte bukë; por edhe atê bukë të shkretë, me të peshueme, sa e kishte lêjen me i dhanë furrëtari, e jo sa kërkonte ai. Ndodhte edhe, që ai i mbrami jitte pa gjâ, megjithëse ishte aty tue pritë me orë e orë. Pse furrëtari shitte sa shitte; edhe kur s’kishte ma çka me shitë, mbyllte dritësoren e xhamit. Populli i shkretë, qitte e britte një herë gjithsa mujtte. Për fund, me váj në buzë, tue turfullue e tue namë plot gojën ata që ishin bâ shkaktarë me i sjellë atij gjithatë mjerim e zí buket, merrshin rrugën me u kthye kahë shtëpia. Hera-herë ata ma të fortët bâjshin si bâjshin tue shtý kê kishin para; i a mbërrîjshin tek e mbramja me u kapun te teska e furrëtarit. Kjo, por kaherë nuk ishte e mbrojtun ma as prej xhamash që ishin thye e bâ bluzhë. Ata ma trimat, gati si tue i u kërcnue, i kërkojshin furrëtarit, t’u jepte sa ma shumë bukë. I qitshin përpara të hollat e i a njehshin gjithsa mund të lypeshin. Por kot. Shitësi u dante nga një bukë për krye, njashtu si e kishte urdhënin: gjâ s’i a ndronte menden. Nuk e trandshin aspak as britmat e kërcnimet e atyne që britshin ndër rreshtat ma të largët, tue lypë bukë, bukë. I ishin mësue tashma veshët furrëtarit, e dukej si mos me e prekë ma as ankimet, as vaji, as lutjet dërmuese të popullit t’unshëm! Mirë mandej, se mbas sa mundit e luftet, mund t’i delte njerit me e marrë atë racjon buket; por ishte edhe tjetra; Nuk ishe kurr i sigurtë, se mund ta çojshe shëndosh te shtëpia. Jo, pse ata që ishin dá pa gjâ nga furrëtari, mësýjshin shpesh, si të dispruemë, me i a hjekë duersh atij që kishte pasë fat ma të madh se ata, edhe i kishte dalë me e shtie në dorë nemose njatë racjon. Për me pritë, mos të ndodhshin këso pështjellimesh aty për rreth furravet, dërgonte gati gjithmonë qeveria ndonjë xhandár. Mirë; por xhandari i shkretë, një njer i vetëm, çka mund të bante në gjithatë pështjellim?… Shum-shum mund t’i dante gjinden e diçka mund të pritte, mos të bâhej ma keq. Por vetëm kaq; pse ai, në mjedis gjithatij njeri, s’kishte ngae as mundsí aty për aty me pá e me dá, kahë ishte e drejta dhe kahë ishte e shtrembta. Para njenës këso furrash, andej kahë Dugâjët e Reja, ndodhi një ditë, që një grue, mbasi dha e muer, mujt tek e mbramja me e shtie në dorë një racjon buket. Keq, e vërtetë, kishte hjekë mjaft; por tash nëmose po kthente gëzueshëm kahë shtëpia, pse diçka po u çonte fëmijëvet me hangër.Tinës, ndërkaq, i vêhet mbrapa një djaloç; i cili i a grabitë së shkretës atë copë bukë, edhe ikë e zhduket me tê në pikë të vrapit. Nëmos tjetër por, kahë mori me ikë, kinse po e lâ një grimë burrní, i a lëshoi mbë tokë asaj qyqeje të hollat sa kushtonte ai racjon buket. Ajo e ngjyemja, bâ me plasë prej idhnimit; ndêji sa ndêji tue e përcjellë me bisht të synit grabitësin e pazemër, deri që nuk e pau ma. Ndërsa gjindja që ishin pranë qeshëshin për atë lojë të pabukur që i kishte luejtë asaj ai faqezí. Grueja shpërthei në váj… Atë natë nuk u çoi fëmijëvet t’unshën kafshatën e bukës te shtëpia. Për fund por, pa gjâ se pa gjâ, u ul e i mblodh mbë tokë ato të holla, që grabitësi i pafëtyrë i a kishte hjedhë në mjedis së rrugës. Por mjerisht, sod parja nuk ban pare; S’ka vlerë. Sod veç, si thonë disá, a jé i zoti me shkye e me grabitë me forcë e dredhí!… Qe; ata të ligshtët ka gjasë, se ma të parët tash po desin prej unit! Po; pse kështu e ka ligj drejtsija e shekullit !
Buka, frikë e gjak.
Sod edhe çmimi i bukës âshtë çue: Âshtë bâ 3 grosh oka. Njatê që s’ka me çka me e blé, qeveria e shtje në punë. Si shpërblim, nuk i paguen gjâ, por i jep do duer, me të cilat shkruen aty, se mund të merret bukë nga furrëtari! Por puna ka vojtë aq shtrejtë, jo pse nuk ka miell. Thonë, edhe dihet me sigurí, se ndër depozita të qeverisë ka mjaft: Deri në 7 a 8 mijë thasë miell !… Por puna âshtë ma fort, pse nuk gjinden drû, për me pjekë bukën. Sa kjénë rrugët çelë, fushash për rreth u grumbullue gjithsa mujt me u gjetë. Por tash, që qarkimi ka ardhë tue u ngushtue, nuk âshtë ma e mùndunë, të delet kun për drû e qymyr. Përtej llogorevet të turkut, s’âshtë kush burrë me u shtý. S’ka luejtë kush mendësh, me shkue e me i hý ndër hundë anmikut! Ndërkaq, simbas urdhënit të Valís, âshtë mbledhë gjithsa mujt me u hetue kun në qytet, drû e trupa e dërrasa e gjithçka mund të hýjë në punë, për me ndezë furrat e me pjekë bukë. Policia nuk la kun birë as skutë pa kontrollue; edhe mblodh këso lande djegëse mjaft, mjaft. S’ka; kështu âshtë urdhëni i kryekomandantit; s’bâhet ndryshe: Buka nuk do t’i mungojë as ushtrís, as popullit. Prandej shihen para furravet grumbujt e drûvet, të trupavet etj; a s’me kenë kodra. E për rreth këtyne grumbujvet rri roja natë e ditë, thue se po ruen visaret e Shtetit!
E ejte, 14 nanduer 1912. Viktimat e bombardimit.
Sod, njaty pak mbas mjesditet, një gjyle rá andej kahë lagjet e myslimanëvet, edhe mbytë 4 vëllazën. Një herë së parit kujtuenë gjindja se predha âshtë shprazë gabimisht n’atë krah; I ka shkue dora topçís, e kurrgjâ! Po fíll mbas, tjera gjyle fi lluenë me rá gjithnjë n’atë krah. Britmë, panik, pështjellim e tmerrë. Mali i Zí e kishte sod me lagjet e myslimanëvet; e vetëm me këto! Banorët e krahut të bombarduem, tue lanë gjithçka kishin pasë mbas shpirtit, u çuen e iknë, qyshë ndër ato të gjuetjet e para, tue u strukë ka lagjet e të krishtenëvet. S’ishte lojë: Një minut me u pasë vonue, rrezikoheshin me mbarue me të tana. Me i pá ! Ishin shumica grá me fëmijë të vogjël për doret. Kush kishte mujtë n’atë pështjellim, kishte marrë e bartë me veti atë grimë bukë e atë fi je miell që u kishte qëllue te shtëpia: Kaq; sa mos me dekë unit. Disa grásh kishin ngrykë, pështjellë ndër shpërgâj, foshnjet e vogla; e shkojshin tue i shtrëngue për zemër, si me dashë me i pruejtë prej gjylesh s’anmikut. Zanë vend kajherë kudo mbë rrugë të madhe, sa me marrë pak frymë; ashtu shpejt e shpejt shoqe me shoqe, tue kallëzue çka kanë pá e çka kanë lanë; Shtëpia tue u djegë e tue u shkrumue prej fl akëvet; gjithkun mure tue u rrenue, gjithkahë veç të dekunë e të varruemë!… Njena thotë, se ka pá me sý të vet, jo ma pakë se 9 të dèkunë; ajo tjetra i kallëzon shoqes, se vetëm në shtëpí të vet ka lanë shtrî 6 të dèkunë!… Një nanë e shkretë difton se ka lanë trûq për tokë 3 fëmijët e vet, të mbytun prej topit!… Edhe, tue u a diftue shoqevet çka e ka gjetë, nuk kján ma as s’bërtet; thue se âshtë tue folë për të huaj; Kaq ka tretë prej tmerrit! Të vrámë e të varruemë prej topash e shrapnelash shihen gjithkahë. Prej kahmos ndihen tue britë prej disprimit, tue lëshue namë kundra anmikut dhe tue lypë ndihmë. Por, me shkue e me u ardhun në ndihmë atyne fatzezëvet nuk ka kush, mbasi secili dro për veti. Predhat e topavet e plumbat e shrapnelavet bien gjithnjë pa i a dá një minut. Kushedi, ndoshta njandej kahë muzgu i natës, bombardimi diçka ka me prâ. Porse deri atëherë ka me kenë tepër vonë. Edhe shumica e të varruemëvet, prejse s’ka me pasë kush me u rá mbrapa menjëherë, s’kanë për të kenë të zotët të qëndrojn gjallë gjatë, edhe tash desin prej dhimbash nën peshën e rrenojavet. Njandej prej mbramjet shihen së largut shkëndijat e flakëvet prej një ndërtese së madhe, që ka marrë zjarm. Shtëpia âshtë një shêj e një drejtim për anmikun, i cili vijon tue shprazë gjithnjë andej kahë sheh zjarmoret e natës, që vîjn përherë tue marrë ma hapët. Sa herë që shkrepin gjylet mb’ato fl akë njëherë së parit të duken, si me u fi kë. Por s’ngjatë e prap se prap fl akët shpërdahen edhe ma me furí; ndërsá ndihen tue rá pullazet, tue u rrenue muret, tue shpërda për rreth gjithkahë gjamë, tmerr e disprim! Kun nja mbas një oret e gjysmë, bombardimi shkon tue u rrallue. Atëherë veç i a nisë pushka e topi e mitralozi, pa mê një minut, që shkojn tue shtue frikën e panikun e popullit të ngujuem.
-Çka, morè? – i a bâjn shoqi-shoqit, – Këta, me gjasë, i a mbërrijtnë. A i ndien?… Jo; këta, si me kenë mbrenda këtu në qytet! Po, sonte, mbas gjithë gjaset, tek po na ardhkanë miq ! E lufta e pushka si breshni, nuk prâni një ças. E rreptë çmos kurr; por nuk ngjatë ma se një gjysmë oret. As s’mund të jetë ndryshe!… Natën për terr, me t’i shtie gishtat në sý nuk bâhen sprovë, për me pá palè… Por, nuk âshtë as urtí me mësý ashtu “kudo rafsha, mos u vrafsha!”… Pse madje ai tjetri për báll âshtë shtrëngue mirë për qëndresë; edhe gjithmonë anmiku âshtë në rrezik me mbetë mbrendë.
E prende, 15 nanduer 1912. Herojtë e arit
Mbramë vonë, pakëgjâ para mjesnatet artileria e Malit të Zí, gjithnjë andej prej verit, i a fi lloi me gjuejtë qytetin njashtu si ditën para. Kishin drejtue grykat e topit kahë do kazerma të vjetra andej në krahun e verilindjes së qytetit. Rojes që gjindej mbrendë, i u desh përnjëherë me u largue andej e me dalë e me e lanë. Njandej kahë ora 1 mbas mjesnatet t’i a nisi edhe një herë bombardimi ashtu mbarë e mbrapësht përmbi ndërtesat e qytetit. Prejse gjylet bijshin njena mbas tjetret, shpejt e shpejt, sonte s’ka mbyllë kush sý. A mujtte? Njeri i gjallë s’shihej rrugës.
Kështu njëherë. Por prap njaty ma vonë të bijshin në sý do si hije tue ngá aty-këtu, si me kenë tue ikë. Roja i shihte mirë; por, me u thanë gjâ, nuk u thonte. Ishin ma e shumta myslimanë të cilët, tue kujtue se përnjëmend kishte mê bombardimi, ishin rrêjtë e këthye prej llogorevet te shtëpia, me pushue. Por tash, tue gjetë zjarmin edhe ndër trojet e veta familjare, ishin të ngushtuemë me u kthye dalë. Nja dy zotní pasanikë myslimanë nuk kishin dashë kurrsi me u largue prej shtëpiet. Kishin mbrendë pare të ruejtuna edhe sende të kushtueshme. Iu dhimbshin me dalë e me i lanë në dorë të s’dij se kuj. Mjaft i ishin lutë e i kishin premtue ndonjë ma dorëholli, që të rrinte me ta. Por rob i gjallë nuk u kishte ndëgjue. Ata dy por, gjithnjë ndêjnë se ndêjnë! Iu dhimbte tepër gjithajo pasuní me dalë e me e lanë në dorën e një të pamunduemi, të një braci, që sigurisht do t’i kishte ndêjë gati. Sonte rá njëmend një gjyle shì në shtëpinë e tyne, edhe e mbyti njenin asish pasanikësh. Ai tjetri, tue drashtë për veti, s’pat kahë me i a mbajtë; edhe me të keq të zemrës, ngarkoi sa mujt me ngarkue; tjerat u çue e i la për dhuni. E ejte e e prende 14,15 nanduer. Lufta në frymë të qytetit
Qyshë prej oret 4 të nades vlon gjithnjë e rreptë e e përgjakshme lufta kahë Fusha e Shtojit, kahë Renci e deri ndër lagjet e Kiras. Nga qyteti ndihej batarja e pushkëvet, me t’u dridhë këmisha në shtat!… E ngjati që se bani dita, pa pushue një ças. U muzg, u err, e batarja gjithnjë s’dijti me prá. Dikur natën vonë, kahë të zbardhunit e ditës diçka nisi me u zhdavaritë. Andej prej Vraket vijon anmiku me gjuejtë me top lagjet e myslimanëvet; por, njashtu kajherë në të rrallë vetëm. edhe ndenjë gjithnjë tue gjuejtë n’atë drejtim e me njatë ritëm qëse bani dita. Kahë mbramja vetëm diçka fi lluenë me e lanë. Me gjithkëto të mësyeme të jashtëzakonshme e gjithkëto të shprazme topash të furishme, nuk kuptohej kjartë, ku e kishte menden me dalë anmiku. Ndoshta, mbas gjaset ai me këto të mësyme të pareshtuna, synonte ma fort, me e largue prej ledhevet të frontit të Taraboshit një pjesë të mirë t’ushtrís, që t’u ngitte në ndihmë shokëvet ndër lagjet e mësyeme. Një bataljon, vetëm një bataljon bashibuzukësh, jo ma, kje shkepë andej e kje dërgue në ndihmë shokëvet kahë krahi i verit të qëndresës së qytetit. Kaq; por anmiku nuk i duel në krye atij qëllimit të vet. Kurrgjâ s’fi toi me këtë manovër… Apor ndoshta ai kishte me këtë punë, t’i bante turqit me u lehtësue municjonesh, tue i ligshtue diçka atij krahu. Por prap, mbas gjaset u rrêjt; pse fi timi kje tepër i vogël. N’anën tjetër veç edhe Hasan Rizaja i a di mirë e si komandant i zoti, i ka para sýsh të gjitha. E di, se sod për sod nuk kanë kahë i vîjn municjone tjera, për të cilat ka gjithaq nevojë. Prandej Kryekomandanti pa dá, tash e parë, i porositë ushtarët, që t’i kursejn fi shekët sa ma fort e mos t’i shprazin arkët kot. «Sod – u thotë shpesh, – njëkështu të rrethuemë gjithkahë si jemi, do të mundohemi të qëndrojm me njata çka kemi; prandej, kursim, kursim !… Qëndresa, për mos me u lëshue në dorë t’anmikut, mvaret simbas municjonevet që kemi. Sa ma pak të dalin nga depozita, aq ma fort e ngjasim afatin e qëndresës».
E prende, 22 nanduer 1912. Serbët në Dajç të Zadrimës
Ndërsa veshët e të rrethuemvet ránë diçka në fashë, prejse përnjëherë u duk se prani gjithkahë bombardimi, sod prap fi lloi me u ndie pushkë e top andej kahë Bardhanjorët. Njëkohësisht, turku edhe prej kodravet të Bërdicës i drejtoi të gjuemet e topavet ushtrís s’anmikut, që synonte me i bá rrethin qytetit të Shkodrës kahë jugu. Artileria ngjati veprimet strategjike të vetat gati gjithë ditën e lume.
Moti i mirë, si pisha. Malazezët kambë-kambë njëmend, por shtýhen tue zanë pozicjone luftarake maje kodrinash, ku nemose s’janë në rrezik me u mbytë prej ujnash e kënetash e baltash. Mbramë serbët kanë mbërrijtë deri në Dajç të Zadrimës. Lajmin ma i pari e pruni në qytet telegrafi sti, i cili kishte pasë ikë si tinëz prej atij katundi. Njëherit ai bani me dijtë edhe, se telegrafa me Shkodrën kishte punue deri në ma të mbramin ças që e kishte lanë zyren. Mirë, se me Dajç; por telegrafa punonte rregullisht edhe me Lezhen, ku kishin hî malazezët, të cilëvet as në mendë nuk u kishte rá, me e izolue a me e këputë telegrafën me Shkodër. Ushtria e Malit të Zí sod nade ka vendue përmbi Malin e Shëldís nja katër topa, mjaft të mëdhaj, me të cilët kahë mbasditja t’i a nisën me gjuejtë llogoret e turkut, sidomos ato ma kryesoret e Bardhejvet. Kjo qandra e syprithanun përbâhet prej gati 700 çadrash, ku janë strukun kun nja 7.000 ushtarësh turq. Reparti në fjalë pati dame mjaft të mëdhaja nga bombardimet e fundit të Shëldís. Kaq ma, sa iu desh ushtarëvet turq t’u dyndshin andej e të ngulshin diku prej asaj maje, ku thámë se i kishte vendue topat, i përlante me sý e i kishte si shenj pushket vargun e çadravet të turkut. Sod prap, me 22 IX, ka kenë një ditë ndër ma të zezat, që i ka rá me sprovue qytetit të rrethuem. Uja në njenën anë e mungesa e gjithçkahes; shto në tjetrën anë frikën e panikun, që erdhnë tue u shtue, kur nisnë me u ndie së parit topat e Shëldís. Këto ishin shenje të kjarta, se anmiku vinte gjithnjë tue u afrue, e se rrethimi i qytetit shkonte përherë tue u ngushtue. Frika, e tmerra e ûs, si shauret i zí, vinte dita me ditë, tue i u kërcnue këtij populli të shkretë; i cili tashma âshtë marrë mendësh, kah s’di çka mund ta gjêj ditën e nesërme. Por prap, kush mban në dorë shartet e qytetit, ai s’ka kurrkun menden me e lëshue. Kryekomandanti i ushtrís, Hasan Rizaja, i zoti i situatës, ecë kryenaltë në mjedis këtij populli të demoralizuem, të cilit përnjëmend, i ka rá zemra në fund të barkut. Riza Pasha, vetëm ky nuk trandet edhe e ka synin kokërr. Nuk dro; jo pse pret se po ndodhë ndonjë ndrim a ndonjë gjâ e papritunë; por pse ka besim të plotë në vetveti. S’pushon, me thanë, një minut, as ditë as natë. Ku përpara kishte zyren e zakonshme në qytet, aty ka lanë zâvendës sekretarin e vet; ndërsa atê vetë, tash e ké këtu, tash e ké atje; Gjithkun, me u gjetë gati, për me dhanë udhëzime e drejtime, kudo që parasheh, se anmiku e ka menden të bâjë ndonjë të mësyeme të jashtëzakonshme a të papritunë. Shpesh e ké me kahë 4 a 5 dit, tue vërtetue gjêjen e përgjithtë t’ushtrís; mbasi ai do me pá e me shqyrtue gjithçka; i ka anda me i studjue e me i zhbirue gjasët e sulmevet t’anmikut. Për fund duket tash e parë kahë rreshtat e llogorevet të qëndresës, edhe pse do me ia mbajtë nalt moralin ushtarëvet të vet. E shtunde, 23 nanduer 1912. Kafet e pijetoret
Ndërsa lufta ban atë punën e vet, posaçe andej kahë Mesi e Myselimi, sod këtu, për të gjatë të rrugavet kryesore të qytetit tallalli, qëse ka bâ dita, ka shkue tue britë të madhe, se deri sa të jetë lufta mbë kambë, as kafe, as pijetore nuk do të rrîjë çelë, tue fi llue prej nesret, që âshtë e dielle. Ndalimin lajmtari e mbyllte përherë gati tue bâ këtê arsyetim, fort me vend: Thonte: “Âshtë, me të vërtetë, marre e faqe e zezë për qytetarët e Shkodrës, me e kalue ditën, ndenjë kambë mbi kambë, kafeve e pijetoreve; ndërsa ushtarët rrijn me pushkë për faqe ndër llogore, dhe e shumta e tyne bâjn dekën, për me mbrojtun qytetin e rrethuemë!” Fjalë s’ka ma të bukura edhe fort t’arsyeshme. Por disi jo fort të sinqerta. Ndalimi në fjalë synonte, mbas gjaset, që mos të tretej prej popullit ajo sasí e vogël sheqerit, që gjindej në vend; por që të ruheshin sheqeri e pijet, të gjitha për ushtarë… Kështu, fjala e popullit. Ndërkaq, t’a dijn, se mund të gjêjn. Policët shkojn për ditë tue kërkue andej e këndej, për me hetue palè, a mund të ndeshin kun gjâna ushqimit. Edhe kështu populli i shkretë rrallëherë se mund t’u a mëshehë sýve të zhbiruesvet zyrtarë, ndonjë gjâ me sasi të vogël ushqimit, për me mbajtë gjallë n’atë ngushticë frymën vetit. Dje nade do qerre, do karro e karroca dolën jashtë, edhe u sollën, qëse bani dita ndër katunde për rreth të qytetit, për me mbledhun kinse miell e grunë. Shkuenë; por kahë mbramja vonë u kthyenë të tana shkarkuet, pa pasë mujtë me gjetë kun kokrrën e drithit. Intendancës ushtarake por, nuk i mbushej kurrsi mendja, se s’mund t’u gjindte kurrgjâ: Nuk e besonte. Prandej, fíll ne e nesret u nisën edhe një herë qerre e karroca edhe ma shumë me numër, të përcjelluna por, prej një numri edhe ma të madh ushtarësh. Kishin urdhën të prémë me kapë kêdo që u thonte mendja, se mund të kishte drithë e gjâna ushqimit të mëshehuna. Kahë muzgu i mbrames u kthyenë edhe këta, të thuesh, pa gjâ, krejt si ata të parët. D.m.th. gjithsejt kishin ngarkuet mbë qerre kun nja 1000 okë kollomoq: Një hundë burrnot për gjithatë morí ushtriet (30.000 vetë!). Ndërkaq, ka fi llue ûja me u ndie aty-këtu, edhe fort. Tashma po shihet, se i pasun i vërtetë nuk âshtë i zoti i 100 ase i 1000 napoljonavet arit. Jo, kush ka drithë, veç ai sod mund të thotë, se âshtë diçka. Sod njai që hîn në një dyqan, me mende kinse po bléj f.v. 3 okë oriz, atij fort vështirë, se i del me blé, shum me thanë, një okë; madje edhe në mujtë me gjetë tregtár që i a shet aq me shumicë.
E dielle, 24 kallënduer 1913. Të dèkunët e të varruemët e frontit
Mbramë ka shpërthye andej kahë Bardhejt, pa pritë pa kujtue, edhe një përleshje e fortë luftarësh. Deri njaty pak para mjesnatet, pushkë e top u ndie prej së dyja anësh, me një farë maset e rregullimit. Por ma vonë batarja erdh tue u bâ fort ma e shpeshtë edhe fi lloi me marrë ma haptas.
Në këtê luftën e soçme të Bardhanjorëvet turku kishte pengue, jo ma pak se 6.000 ushtarë. Porsa Mali i Zí i a nisi me bombardue kodrat e Rrencit, t’i a fi lloi edhe turku me e gjuetë anmikun prej kështjellit. U gjuejten, ata qit e këta qit, po nja dý orë të mira. Vlonte pushkë e top, të lumët na për Zotin! Aq ma, sa dukej se anmiku ishte shtý deri ndër lagjet e fundit të kristjanëvet të qytetit. Të dyja palët me mauzere: njena ruse edhe tjetra me të turkut. Të parat me një krismë diçka si të thatë, të dytat si ma tingëlluese. Turqit i përgjegjshin anmikut ashtu tak-tuk, por ma rrallë; sigurisht, pse ushtria kishte urdhën me kursye sa ma fort fyshekët! Malazezët n’uzdajë të territ të natës, e banë edhe një të mësyeme mjaft të furishme; por t’u ndêjën gati turqit e i smbrapën. E fi kën atë zjarm rreshtat e shokëvet, që u erdhën në të shpejtë në ndihmë, jo shumë, por disa qinda; të cilët qitshin mb’anmik vetëm kur e shihshin, se po mësýjn ashtu me shumicë. Për ndryshe, nuk u përgjegjshin, pse iu dhimbshin fyshekët. Kështu e lypte puna, kështu ishte urdhëni i Komandarit. Natën, rrugat e qytetit, shkaku i rrethimit jashtë gjatë rrugash, s’ndihet kush për së gjallit. Kështu njëherë; por njaty rreth mjesnatet u pánë çetat e ofi cerëvet të cilët, ndërsa artileria i a fi lloi e furishme prej së dyja anësh, shkojshin gjithnjë tue shkrue e tue mbledhë rekrutët e rij sa ma shumicë. Bashibuzukët i dajshin çetaçeta, edhe i nisshin fíll kahë fronti i ushtrís, që ishte tue qëndrue në Bardhej. E u shihshin m’atëherë, natën për terr, shumë prej myslimanësh, mauzeren në krah, tue u drejtue kahë llogoret e qëndresës; ndersa familjet e shkreta rrijshin tue i përcjellë, tue kjá e tue britë. Por edhe kësaj here turku qëndroi mirë; kështu që anmikut i u desh me u zmbrapë, tue lanë njerëz të mëdhaj. Ushtár i madh ka gjasë, se ka mbetë në këtê luftimin e fundit, kahë Bardhanjorët, si thámë, prej anet së turqvet. Për mos me i shtie tmerrin popullit, të varruemët turqit nuk i bijshin ndër spitale të qytetit. Gatuen smundtore së varruemësh, të vogla e provizore, atje ndër skundille ma të mëshehta mbas ballit të luftës. Këso dore të varruemët mjekoheshin aty në vend, shpejt për shpejt; ndërsa as populli as të huajt nuk mund të dijshin, sa njeri ka mujtë me i mbetun turkut në këtê ase n’atë tjetrën luftë. Por, mësi shihej, numri i të varruemëvet do të ketë kenë fort i naltë, qyshse spitalet mbrenda qytetit ishin mbushë plot, dhe nuk zêjshin ma. Sod nade, shkaku i ngushticës së lokalevet, kjénë zanë e marrë për të sëmundë edhe shkollat normale e teknike Italjane. Sa për shtroje e mbloje e mobilje, këto ka dëtyrë t’i bijë populli. Kështu, kush ka pasë një dyshek ma shum se i nevojitej për familje, i a ka çue komandës ushtarake, bashkë me çarçafa, jorgana, jamullia e faqe jestekësh, etj. Po, populli tash një herë së parit âshtë tue dhanë pa dhimbë gjithsa mundet. I a hjekë vetit, për me u ardhë në ndihmë ushtarëvet të varruemë… Shihen rrugës deri fëmijë nga 8 a 9 vjeç, lidhë në krah të djathtë rrypin e bardhë me kryqin e kuq apor me hanën e kuqe; e ngasin andej e këndej, kinse po u shërbejm të varruemëvet të luftës! Për tash njëherë, e vërtetë, të varruemët nuk i lanë me hjekë keq. Për kurrgjâ ma tepër se për bare shihet gjasa se tash po vuejn të shtruemët ndër spitale prej varrësh. Ajo pakicë baresh që ka ndodhë në shtëpí, doemos fi lloi me u mbarue shpejt; tjera s’kanë kurrkahë vîjn! Populli ndërkaq âshtë marrë mêndësh faret e nuk di aspak, si qëndrojn punët. Natë e ditë me pushkë, e top në vesh, sheh tue u bartë pa dá asish ushtarësh së varruemë në qytet; kaq! Por nuk mund ta marrë me mendë, si âshtë gjêja e luftimevet; nuk e di kush âshtë tue mujtë e kush âshtë tue bjerrë; âshtë faret në terr! Prej fjalësh që ndihen aty-këtu mundohet njeri me mbledhë ndonjë lajm; por, ashtu i sigurtë për çka ndien, nuk âshtë kurr. Prej ndonjë shenjë që sheh a prej ndonjë lajmi që i bje me ndie si në besë, rri e bluen vetë me veti, si ka ma fort gjasë të jénë punët.kenë fort e madhe; vargjet e municjonet dhe të mjetevet ushqimore, disa kilometra gjatë. Për këtê fi tore kaq të jashtëzakonshme përfl itej edhe, se Mbreti i paska pas’ dhanë Kryekomandantit t’atij operacjoni Kolanën me brilanta: Një çmim ky, që u jepej vetëm atyne të mëdhajvet, herojvet të Mbretnís! Por prap edhe, kur mendon njeri, se këso farë lajmesh aq të bukura nuk lêjohen me u shpallë lirisht nëpër qytet, e cila punë do të kishte kenë n’interesën e qeverís, – kjo të bân disi me dyshue a janë këto lajme të verteta, apor të shpalluna ashtu për me i a rritë moralin popullit e ushtrís!
E dielle, 24 nanduer 1912. Lufta kahë Bushati e Bërdica
Anmiku sod prej Barbullushit mësyni Bushatin. Por duket se kishte ndeshë në pritë të fortë t’ushtrís turke, së cilës i erdhën në ndihmë njëmijë e ma bashibuzukë. Prej Bushatit topat mund t’i rrihshin kodrat e Bërdicës. Kjo, mbas Taraboshit mbahet edhe âshtë njëmend qëndra ma e forcuemja. Këndej, turku ban çmos, me e shpëtue, mos t’i a hjekë anmiku doret. Por âshtë frika, se malazezët së bashkut me serb mund t’i shtien në dorë sonte, mbasi nuk u duel me i marrë ditën. Sod, prap se prap, duel lajmtari (tellalli) nëpër lagjet ma të rrahunat e qytetit. Të gjithëve u a muer mendja, se ai një fjalë të mirë, sigurisht, nuk do t’u binte. Prandej, populli lajmtarin nuk e shikjon kurr me sý të mirë. E tash, çka thonte? Urdhëni i dhanun para do ditve, për me mbyllë kafet e pijetoret, ku shitë-blemjet bâheshin zakonisht si nën dorë, i kishte djegë popullit. Dukej prandej, se mbas protestash e vajit të vendasvet, tek e mbramja duel lêja me i çelë edhe një herë. Do të dihet edhe, se posë kësaj këto ambjenta ishin edhe si qëndra, ku mblidheshin gjindja gjithë ditën e lume, për t’i diftue shoqi-shoqit ndonjë lajm të rrallë, që eventualisht kishte me dëpërtue e me hî në qytet. Këto bashkime, kohën e luftës, këto shushurime vesh në vesh mund t’ishin të dyshimta e të damshme. Edhe njëmend; po shì sod nade duel edhe një herë lajmtari zyrtár, i cili shpallte tash urdhënin që mos të shiheshin ma se 4 vetë të bashkuemë kun, përposë se ndër familje të veta.
Gjithnjë çashtja e drûvet!
Leni tjerat; por rá edhe çashtja e drûvet, kjo e ka lodhë fort popullin, posaçe ata dorëhollët, të cilët nuk janë të zott, ta blejn ngarkicën e drûvet kahë një mixhidë të bardhë; edhe s’dijn, si do t’i bâhet punës për ma vonë. Populli me shumicë, të gjithë gati skamnorë, shkojn e e rrethojn dita me ditë zyrën e bashkís edhe kërkojn ndihmë, bukë, zjarm!… Sod nade lajmtari zyrtár shkoi tue britë nëpër rruga kryesore të qytetit, kinse ne e shtune e ne e dielle, edhe ne e hane, kush të donte, mujtte, e kishte lêjen me dalë e me mbledhë nder kodra përtej Kirit krande, cokla të thata, apor edhe me pré landë të njoma, kudo t’i hasin, në daçin ne e qeverís, në daçin edhe ne e privatëvet. Kështu njëmend duel tellalli; por fjalëvet të tij kush i ndjeu, u vuni gazin: Tepër vonë i kishte dalë gjumi! Ndër Bardhaj tashma s’ka mbetë në kambë kurrnjë rranjë hardhiet, ashtu edhe s’shihet kun një ulli, një fi k, një arrë a ndonjë landë tjetrë në kambë. Shumicën i kishte pré për drû ushtria, jo veç për me i djegë, por edhe për të ndërtue baraka e llogore. Ndërkaq, merret me mendë, vëneshtat e shkreta janë bâ, s’ké çka sheh me sý. Pak me thanë, kun nja 40.000 rranjë hardhia janë zhgulë e bâ drû për zjarm. As s’ka mbetë kun në kambë gardh as gjâ, që dajshin përparandej vëneshtat prej vëneshtash. Vëneshtat e Shkodrës! Këto qëndra zbavitëse, këto shetina të bukura, këto gurra të pasuna të katolikëvet të qytetit, janë bâ sod, me t’u dhimbtë! Ka prekë mbë to, ka marrë e rrenue e pré e djegë mbë to gjithkush ka mujtë: Ushtarë e popull; mik e anmik! Kahë Zalli i Kirit shihen tash e parë skamnorët të cilët, shpesh edhe me rrezik të jetës dalin, për me mbledhë cunga e rrema e cokla, copa dërrasash e trupash e drûsh, që bje me veti lumi i turrshëm. Shpesh gjindja me një kallam të gjatë në dorë, t’i hetuemen drût tue u endë permbi ujë, marrin e i ngrehin dalë nga dalë prej vetit, deri që t’u ngjesin dorën e t’i bâjn të vetat. Ndodhë ndonjë herë por, që preja e synueme u shpëton duersh; edhe atëherë bien më not, edhe pa e marrë, nuk e lánë.
E marte, 26 nanduer 1912. Ploja e përgjakshme e Bërdicës
Kahë jugu i qytetit malazezët bashkë me serb, kambë-kambë, natën për terr, shtýj e shtýj, por gjithmonë me të ndeshuna të përgjakshme, tinzisht kishin zanë kodrat për rreth. Drinin, prejse s’kishte gjithaq ujë, e kishin kalue kambë. E veç, kur duel hana të besëlidhunit ndjehën, si befas, mbi kodrat e naltësinat për rreth; në një fjalë, aty ku kishin dashë m’u gjetë. Kështu që tash ata kanë në dorë gati krejt krahun e djathtë të Drinit; mandej, me atë fíll edhe Kuklin e Plezhën. Shkurt, prej Bërdicet nuk janë ma larg, se nja 5 kilometra. U mbajttë në mendë gjaku e tmerri i asaj nate! N’atë pështjellim e terr erdhnë e u përzienë dý ushtrít. Edhe kështu ndodhte tash, që ushtari luftonte e mbytte shì shokun e vet, kahë prej territ nuk mund ta njëhte! E ngjati pështjellimi për do kohë mjaft të gjatë; mësýjshin e qitshin mbë shoqi-shoqin, deri që u kujtuenë e i lëshuenë zâ njenitjetrit, me e ndalë pushkën. Por edhe n’atë anën e sulmuesit ndodhnë, si këndej pështjellime e pamarrëveshtje, posaçe një natë tue kalue Drinin. N’atë terr, me t’i shtie gishtat në sý, disa çeta serbjanësh, tue i hetue si hije do ushtarë, që ishin n’atë anë të Drinit, pa e mendue se ishin shì shokët e vet, të kaluenë përtej pak përpara, qitën mbë ta, mbë ushtarët serb! S’di kush gjâ me thanë, sa kanë mujtë me mbetë atë natë prej së dyja anësh. Turqit po thonë, se n’atë natë fatale kanë shtrue ma se 300 të varruem ndër spitale të Bërdicës. Të zmbrapunit e rreshtavet ushtarakë të turkut nuk e lodhë asnjë grimë Rizá Beun. Për tê këta janë një ndihmë e vlershme, që u shtohet ushtarëvet të rreshtuemë ndër llogoret rreth qytetit, pa mendue por, se me kaq rrethi bâhet ma i ngushtë përherë. Kryekomandanti duket, se gëzohet në zemër të vet, kahë sheh se vîjn tue u forcue ushtarët e llogorevet rreth Shkodrës. N’anën tjetër por, do ta mendojë Rizaja edhe, se për anmikun âshtë gjithmonë ma mirë. Po; pse sa ma fort të ngushtohet rrethi, aq ma ngusht u a çon të rrethuemëvet, e aq ma tepër i lirohen atij duert.
E mërkure, 27 nanduer 1912. Buka, buka, buka!
Ka fi llue të përhapet në popull fjala: Tak, tuk: Shkodra pa bukë! Tash nja trí dit moti âshtë tue mbajtë s’ka ma mirë. Po, por këtê gjâ qyteti për shpírt nuk kishte me e dashë. Nuk dëshrohet sod moti i mirë, ma parë e ma dalë, pse kështu mullìjtë nuk mund të bluejn. Njata dy a tre mullìj të qytetit, s’dij çka mund të bâjn ma parë. Sadoqë nuk pushojn së bluemit as ditë as natë, prap, nuk mund të mjaftojn për popull njëherit e për ushtrí. Ku puna e mullìjvet, ku edhe pse ka fi llue me mungue drithët, ndërkaq, janë mbyllë sod edhe 5 furra tjera, në pazár e në qytet. Natyrisht populli tash kahë s’ka ku mbytet, mësýen me ma shumicë ato pak furra, që kanë mbetë çelë endè. Por furrëtarët e këtyne furrave fatlume, kanë rá ngusht edhe fort keq kanë hjekë prej popullit, për arsye se ata dojshin me ndreqë ma para ata klientat (myshterít) e vet. Grátë sidomos, me qinda kanë shkue sod nën dritësoret e Bashkís, tue britë si të disprueme, se kishin û e dojshin bukë, bukë!… Ndërkaq dy polic mbë kual kjénë dërgue te furrat që ishin çelë endè. Këta u dhanë urdhën furrëtarëvet, që t’u jepshin bukë të gjithëve, pa dallim; por âshtë e dijtun, me një farë maset; simbas urdhënit d.m.th. nga një bukë për krye. Sa për atë ditë, ishte tepër vonë; Buka ishte shitë e s’kishte teprue kafshata ma. Kështu që ma shumë se 400 vetë mbetnë atë ditë pa gjâ.
E mërkure, 27 nanduer 1912. Lojë spekulimit rreth furravet
Sod duel urdhëni, që furrëtarët kurrkuj mos t’i shitshin ma tepër se kahë një bukë për njeri të gjithëve, pa këqyrë klient e pa klient. Por çka, se ka gjithfarësh! Ata që, tue vjerrë shpirtin në gozhdë, s’këqyrin veç si me fi tue në çdo mënyrë, tue kenë se furrëtari nuk mund ta mbante në mende, kuj i a kishte shitë racjonin e bukës e kuj jo, ata faqezez, çka bâjshin! Shkojshin e e blejshin gjithku mujshin ndër furrëtarë të ndryshëm nga një bukë. Kështu që, kur kanë mujtë me bashkue nja 8 a 10 bukë, i çojn e i ruejn njëherë në shtëpí. Mandej, me ndonjë këso bukësh në dorë, kthehen prap rreth furrëtarëvet e u aviten atyne që janë kushdi qyshkur tue pritë ndër rreshtat e mbramë. Këtyne qyqarëve u thonë: “Morè, a do bukë veç a?… Qe, se po t’a jap vetë, njetash, edhe nuk ké nevojë të rrijsh tue pritë këtu mbë kambë kushdi edhe sa kohë, më rrezik të dahesh madje edhe pa gjâ. Qe, bukën po ta jap vetë, veçse çka, e due edhe unë atë fi timin tem!” Madje n’atë rasë gjinden asish, të cilët në vend që me pritë Zoti e di sa kohë, siellen e i a blejn atij dý a trí herë ma shtrêjtë, sa t’u lypë shitësi nën dorë! Po thomi, nën dorë! Pse madje, bani e i hetoi policia këta matrapaza të pashpírt, e dijn edhe ata, çka i gjên. Por, njashtu rezikohen, n’uzdajë se nuk i dikton kush !
E ejte, 28 nanduer 1912. «Arapi i Beledies!»
Tash njëherë, sa âshtë lufta mbë kambë, rojen e rendit publik e ka në dorë vetë komanda ushtarake. Ushtrí e policí tashma janë bâ një. Urdhënime mbas urdhënimesh, ligje mbas ligjesh, sod s’këqyret, veçse si me e rjepë popullin prej çka mund të ketë endè; por për ma tepër policia diftohet e shtrënguetë e e rreptë jashtëzakonisht. Për do e çkado, për kurrgjâsend të mbetë mbë qafë; tue dhanë ndëshkime të mëdhaja tejèt, e tue gjobitë fort randë. Kryetár policiet, për rrezik âshtë një kolonel prej Arabiet. I zí në fëtyrë si qulli, u a ka shtie tmerrin të gjithëve: I madh e i vogël dridhen prej si. Mjaft me të këqyrë me ata sý, pse të shtje frikën, me pasë për të rá-ruejna Zot!- ndër duer të tija. Shi pse âshtë njashtu, Riza Beu e ka vû kryetár n’atë zyre. Fëmija, për gaz, qesh e ngjesh, të gjithë e thrrasin: Rrapatulja! S’dij se në ç’dyqan ky i rá n’erë edhe e zuni me dorë në tê një çikrrimtár, kahë po i shitte një blesi trí kile oriz përnjëherë, në vend të një kilje, simbas urdhënit. I vuni gjobë me lá aty për aty 10 lira të verdha. I zoti i dyqanit bani si bani, edhe i bishtnoi. Ishte mbrame; edhe nëpër atë muzg i duel me u zhdukë e kështu me u shpëtue thojvet t’Arapit të Beledies. Një ditë tjetër kryekomandanti i gjyqit ushtarak u çoi fjalë derë për derë gjithë tregtarëvet ma në shenj të qytetit, të dukeshin te ai n’orën e caktueme. Tashti njeni, s’dihet, a pse nuk kishte pasë kurrsi, apor pse s’e kishte pasë lajmue kush, nuk u duk në mbledhje simbas urdhënit. Gjyqi ushtarak s’i muer në dorë arsyet e dalëzotsit e tij. S’desh me dijtë gjâ; por e dënoi tue e gjobitë me 20 lira turkut, me një muej burg edhe me 30 shkopíj shpinës.
Bombardime të rrepta në qytet.
Myslimanët, kalue ajo furia e bombardimit të sod dý javëve, njeni mbas tjetrit i a fi lluenë me u kthye ndër shtëpiat e veta, n’uzdajë se tashma anmiku nuk do të gjuente ashtu si përpara. Frikën e vërtetë e kishin gjithnjë, e anmiku mund t’i mësynte prap me topa e mitraloza; porse n’anën tjetër nuk iu bante me u largue e me i lanë shtëpiat e kolibat e veta, oborret e veta, rrugat e rrugicat e veta, ku ishin mësue tashma me e kalue, keq a mirë, jetën. Edhe kthyenë! Kthyenë e panë, çka me pá !… trojet e banesat e veta shkatërrue, djegë e rrenue në fund e në krye, kulm e temel!… Mos me u njohtë, se janë ato. Thue se një dorë njerit, jo topat, e kishin krye atë shkatërrim e plojë. Në mjedis të rrenimevet gjetën edhe të dèkunë, plot; të cilët u orvatën diçka me i vorrue ashtu shpejt e shpejt. Mandej u vunë, kinse po mirametojn a po godisim ndonjë kësollë sido, njashtu sa me thanë. Tue shtie në punë asi trenash e dërrasash e mërtekësh, xjerrë prej rrenojash. Ndërtesa, ndihmo Zot! Por sa veç me shtie kryet mbrendë! Njashtu; edhe, si me e dijtë, nuk i lanë as sod topat me ngulë. T’i a dhánë edhe një herë e t’i a dhanë si mos, Zot, ma keq! Edhe me kaq erdhnë e u shpartalluenë gati krejt ato rrenoja t’arnueme, prap se prap, tue i hjedhë e tue shkapërdá andej këndej ato landë a materjal baneset, mos me iu gjetun kun fara a gjurma. Kaq ma, sa qyqarëvet iu desh me doemos me u a sjellun shpinën prap se prap e me u vû me kërkue kun ngjeti për mbrojë e shpëtim. Edhe kështu, fíll mbas fi lluenë me u pá çeta-çeta në krye të rrugëvet kahë kështenimi; të gjithë të tmeruemë, shpesh edhe të përgjàkunë. Edhe, me lot për faqe, posaçe grania shkojshin tue kallëzue kujdo që hasshin rrugës, sa shtëpiat e rrenueme që kishin lanë përmbrapa, sa të dèkunët e të varruemët, të cilëvet, me disprim të zemrës, u ishte dashë me u a sjellë shpinën; sa të smundët, deri ndër grahmat e fundit, tue dhanë shpirt, u ishte dashë n’atë disprim me dalë e me i lanë vetëm! Britshin e rrihshin kryet më grushta grát e shkreta e kjajshin të madhe, për çka i kishte gjetë. Përmbi të gjitha por, ta këputshin shpirtin fëmijët sa grima, njome të pafaje, ato fl ie e viktimë të luftës, shumica ngrykë ase kapë për doret prej atyne fatzeze nanash, shkrehë gjithnjë në váj ato bashkë me fëmijët e vet sa grima, të cilët tue britë e tue ankue, ecshin zharg mbas tyne! Por sod, as lagjet e të krishtenëvet nuk ishin, si me thanë të sigurta prej predhavet t’anmikut. Po nja 15 herë ky i gjuejti edhe sod, tue përhapë gjithkahë tmerr, frikë e váj. Një gjyle rá edhe n’oborr të shkollës së Jezuitvet, ku ishin fëmija tue luejtë. Një tjetër shpërthei afër konsullatit t’Austrís, sikurse një tjetër prap rá kun nja 100 metra ngjat konsullatit t’Italís. Kje gjue shenj pushket e ránë një mbas një gjyle edhe rreth hotelit “Europa”, i cili nuk ishte fort larg prej palacinët, ku banon Kryekomandant Hasan Rizaja. E bombardimi ngjati, të thuesh, gjithë ditën e lume, deri që fi lloi me u errë e s’shihej ma. Vetëm në këtê bombardimin e jashtëzakonshëm të sodit, mbetën të dèkunë e të varruemë gjithsejt po nja 150 vetë! Zakonisht, kur Mali i Zí gjuen qytetin, ushtria rri pa zâ, strukë ndër llogore të veta. Malazezët n’atë ndërkohë kur bombardojn qytetin, nuk i lanë m’anesh as ushtarët anmiq mbrenda ledhevet. Njashtu, në këtê ndër kohë bombardimesh së civilëvet, edhe ushtria e turkut nuk e çán fort kryet përsa bâhet mbrendë nëpër lagjet e qytetit. Kështu duket, nemose. Kanë para sýsh rojen ma fort e mbrojevet të veta.
Vizita zyrtare e konsujvet.
Riza Beu, si e kemi çekë edhe ma nalt, nuk pushon as ditë as natë. Atê e ké ma fort ku e mësymja e anmikut âshtë ma e furishme. Sod, për kundra, gjindej në zyre te shtëpia e vet.
Konsujt e qytetit, të cilët kahë dit kërkojshin me e ndeshë kryekomandantin njëherë, porsa e mornë vesht, se sod nemose mund ta gjêjshin te shtëpia, t’i ndêjnë gati, edhe i a behën të gjithë së bashkut në zyre. Por, çudí, as sod nuk e patën fatin me e gjetë aty, apor nemose kështu u a qitën fjalën. Kjénë pritë, për ashtu, e qitë me shumë njerëzí e korrname prej Sekretarit: Kafe mbas kafesh, cingare mbas cingaresh etj. Kur erdhi puna mandej, edhe miqtë sollën bisedën përmbi tagrin që reklamojshin ata, konsujt e ngujuemë, me marrë e me dhanë lirisht secili me qeverín e vet, Z. Sekretari u përgjegji: gjithmonë me shumë pohí e tue u dhanë arsye të plotë Z.Z. Konsujvet për këto tagre që përmendshin. Aq ma, sa ai Z. Sekretari, prej fjalësh me t’u dukë, se ishte njeriu ma i arsyeshmi e ma i njerëzishmi i kësaj bote!
E dielle, 1 dhetuer 1912. Bashibuzukët e Shkodrës
Sonte prap vloi çmos kurr gati bombardimi i qytetit; por vetëm andej kahë krahu i myslimanëvet. Ndërkaq, daheshin edhe me sý malazezët përmbi majen ma të naltën e Malit të Shëldís, tue punue e tue zgjanue rrugën për me mujtë me çue topa edhe ma të mëdhaj e me e gjuejtë ma mirë qytetin. Edhe turku natyrisht, tue i hetue, nuk i la të punojshin qetësisht. Iu gjet gjak, tue i gjue pa dá. Kaq ma, sa anmiku nuk i pau shteg tjetër, veç se dau me punue natën, e vetëm natën për terr. Mirë; por prej shêjevet të rrugës, ku kishin mbërrijtë me punime, si shiheshin ditën, turku i u kujtue dredhís. Merrte shêjin përpikënisht ditën, ku anmiku kishte mbërrîjtë me punime të rrugës, edhe i gjuente pa i pá njëmend, por gjithmonë i sigurtë, se nuk gabonte drejtim.
Komentet