Sot ishte një ditë e shënuar në çadër. Në mëngjes Luli erdhi shumë nervoz.
Disa lajme që kishim se policia do na hiqte çadrën, rezultuan fallco.
Përgjegjësi i çadrës ishte i dëshpëruar.
Ai na tha gjatë natës, se i kishin bërë ofertë t’ia falte çadrën një prej rojeve të Saimir Tahirit dhe ai të nxiste policinë t’i nxirrte me forcë.
Kështu mund të shpëtonin.
Por u muar vesh që ishin “fake news”.
Sapo erdhi Luli ja komunikoi. Luli u mërzit pak.
Pastaj i tha:
-E di unë si e duan këta! Po nuk i bëra të vijnë këtu për gjysëm ore të prishin çadrën, mos më thënçin më në emër.
Dhe u ngrit mori mikrofonin i egërsuar dhe filloi:
-Ata duan luftë, tha. Kanë dashur të na prishin çadrën, por nuk kanë guxuar. Luftë duan, luftë do t’u shpall. I bëj thirrje çdo të riu dhe të reje, të mbajë me vete kaçavidë dhe ku shikon makina luksoze të pushtetarëve, të shpojë gomat, ku shikon xhama makinash luksoze, t’i thyejë, ku shikon vila pushtetarësh, t’u hedhë napalm… Tym e flakë do ta bëjmë këtë vend, mos të dinë ku të futen…
Në çadër shpërthyen duartrokitje.
Pastaj u ngrita. Në emër të të rinjve në çadër deklarova themelimin e DEBATIB, që përkthehet “Djemtë e bashkuar të idealeve të Bashës”.
U prezantova shpejt e shpejt qëllimin e organizatës dhe aksionet e para që do bëjmë, dhe u shpërndamë.
Në orën 5 mbasdite, e lamë të mblidheshim për bilancin.
Në orën 5 djemtë ishin kthyer të gëzuar në çadër.
I pari u ngrit Amarildo nga Laçi:
-Shef, tha, gjeta aty afër një Benz S 3500 nga ata luksozët që bëjnë 150 mijë euro. Thashë me vete ndonjë hajdut do ta ketë këtë. Ja çava gomat dhe ja theva xhamin. Ai legeni për t’u maskuar kishte dhe ca stema të PD brenda. Me siguri ishte e ndonjë ministri të korruptuar.
Luli u turbullua dhe diçka i tha badigradit në vesh. Ai vuri duart në kokë dhe vrapoi jashtë çadrës.
-Dakord, i tha Luli. Ulu, po herë tjetër pyesni para se të dëmtoni makina. Anarshia nuk është gjë e mirë.
I dyti u ngrit Luçiano nga Mamurrasi.
-Kam gjetur një Range luksoz, i tha, ja bëra xhamat copë. Ai kushton 100 mijë euro. Ja shpova dhe gomat. Duhet të jetë e Saimir Tahirit, se kishte një tabelë të vjetër policie. Biles dyshoj se ndjekin Flamur Nokën, se kishin dhe foto të tij brenda makinës.
-Mos, tha Flamuri, dhe vuri dorën në kokë duke ja mbathur jashtë çadrës me vrap.
-Ja paskan thyer dhe Flamurit, tha badigardi i Lulit.
-Edhe unë i shpova disa goma, fillova të raportoj unë. Po kaloja përballë Piramidës dhe pashë një fuoristradë luksoze. Pyeta e kujt është, më thanë e një femre seksi, që zbriti këtu dhe shkoi në parukeri. Me siguri mendova e ndonjë minister, dhe e bëra copë. Brenda gjeta ca letra që thoshin Grida Dume, po me siguri i kanë për maskim.
-Mos, tha badigardi, ja paskan thyer dhe Gridës.
-Kam thyer dhe unë një BMW X5, dha Veleçiku nga Tropoja. Pyeta e kujt është, më thane e një deputeti që pi, po s’u kujtohej emri. Ja futa një Molotov, e dogja krejt.
-Ku ishte kjo makina, pyeti Ristani?
-Ç’aty mor burrë, pas Piramdës, i tha protestuesi.
-Mos se paske djeg makinën time, tha Ristani.
-Po ça me ba or burrë, a na thatë digjni makinat luksoze që gjeni këtu rrotull. Krejt tuajat qenkan.
-U thashë, tha Luli, por mos thyeni pa leje. Çdo veprim pa leje krijon anarshi.
-Mirë mo burrë s’po ngatërrohena më, tha laçiani im. Ne si laçianë zanat kena vjedhjen e vilave. Po dalim nga Gjiri Lalzit nesër, se aty janë gjithë këta pasanikët e qeverisë më kanë thënë.
Komentet