voal.ch – Organizata Press Emblem Campaign – PEC – pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ka lëshuar sot një Komunikatë për shtyp ku lajmëron se Covid 19 ka shkaktuar shumë viktima në mesin e gazetarëve. Më poshtë po e sjellim në mënyrë integrale këtë komunikatë:
“Gjenevë, 2 nëntor 2020 (PEC) Covid-19 vazhdon të shkaktojë shumë viktima në mesin e gazetarëve.
Të paktën 442 gazetarë ose punonjës të medias në 52 vende të botës kanë vdekur nga koronavirusi që nga fillimi i marsit, thuhet në Komunikatën për Shtyp të PEC, sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Mosndëshkimit për Krimet kundër Gazetarëve.
Përveç kësaj, 63 gazetarë janë vrarë që nga janari në rrethana të ndryshme, gjë që sjell numrin e përgjithshëm deri më tani këtë vit në më shumë se 500 fatalitete.
Është një çmim jashtëzakonisht i rëndë dhe i paparë. Siguria e të gjithë gazetarëve që punojnë në terren për të informuar mbi pandeminë është në rrezik. Shumë viktima janë të rinj. Ata janë infektuar në punë. Ndërsa vala e dytë sapo ka filluar, ne i nxisim të gjithë palët e interesuara të mbrojnë më mirë punonjësit e medias, pa i penguar ata të bëjnë punën e tyre “, tha Sekretari i Përgjithshëm i PEC Blaise Lempen.
Shifra aktuale është sigurisht më e lartë, pasi disa vende nuk raportojnë vdekjet e gazetarëve ose disa prej tyre nuk janë testuar para se të vdesin. Statistikat mund të jenë të manipuluara sepse vendet ku ka informacion janë në krye të statistikave me viktima, ndërsa në vendet e tjera nuk ka informacion të besueshëm.
Peruja mbetet vendi me taksën më të rëndë, me 93 punonjës të medias që kanë vdekur nga koronavirusi që nga marsi (sipas Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve të Perusë ANP). Rritja e numrit të viktimave të koronavirusit ka qenë veçanërisht e fortë javët e fundit në Indi, tani vendi i dytë më i prekur me 47 vdekje. Ekuadori është i treti me 41 vdekje, pastaj në vendin e 4-të ndjek Brazili me 36 gazetarë që vdiqën nga Covid-19, pastaj Bangladeshi me 35 viktima.
Ndër vendet më të prekura janë Meksika, me të paktën 26 gazetarë viktima të Covid-19, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës (22), Pakistani (11), Panama (11), Bolivia (9).
Në Britaninë e Madhe dhe Nigeri, tetë gazetarë kanë vdekur në secilin vend. Shtatë viktima u numëruan në Afganistan dhe Honduras, 6 në Nikaragua, 5 në Rusi, Venezuelë dhe Republikën Dominikane, pastaj 4 në Kolumbi, Francë dhe Spanjë.
Tre gazetarë kanë vdekur nga Covid-19 në Itali, si dhe në Kamerun, Egjipt, Guatemalë, Nepal dhe El Salvador.
Nga dy viktima ka patur në vendet e mëposhtme: Algjeri, Argjentina, Indonezia, Irani, Afrika e Jugut dhe Suedia.
Më në fund, PEC ka identifikuar të paktën një fatalitet në : Austri, Belgjikë, Kanada, Republika Demokratike e Kongos, Irak (Kurdistan), Japoni, Kazakistan, Kirgistan, Marok, Paraguai, Arabia Saudite, Taxhikistani, Togo dhe Zimbabve . Nga një fatalitet tani në listë i janë shtuar edhe në Gjermani, Izrael, Liban dhe Zvicër./EB
Komentet