Sipas një studimi të ri gjenetik, nga Irlanda në Turqi, evropianët janë të gjithë të lidhur, duke ndarë së bashku një lidhje me paraardhësit që ishin gjallë vetëm një mijë vjet më parë, shkruan në një artikull të së enjtes, International Herald Tribune.
Studimi nga shkencëtarët e Kalifornisë është provë e mëtejshme se dallimet e vogla mes popujve të ndryshëm evropianë janë kryesisht artificiale dhe se ata janë të gjithë një familje e madhe – edhe pse jo domosdoshmërisht e lumtur.
“Madje edhe njerëzit që gjenden larg si në Britani të Madhe e Turqi, ndajnë të njëjtën pjesë gjenome (sekuencë gjenetike) të materialit në 20 për qind të rasteve”, pohojnë autorët.
Peter Ralph dhe Graham Coop nga Universiteti i Kalifornisë kanë përdorur të dhëna gjenome për 2 mijë e 257 evropianë, për të kryer studimin e parë të tillë të një kontinenti të tërë.
Në vitet e fundit, shkruan IHT, gjenetika është kombinuar me arkeologjinë dhe studimet gjuhësore si një mjet për të ndihmuar në përgjigjet në pyetjen e përjetshme se prej nga kemi ardhur.
Një studim i veçantë, bazuar në gjetjet e ADN-së të nxjerra nga skeletet e lashta, zbuloi muajin e kaluar se gjenetika moderne e Evropës është themeluar nga një valë e të sapoardhurve në kontinent 6 mijë e 500 vjet më parë, kohë kjo më e afërt sesa që mendohej.
Hulumtimet e fundit janë përqendruar në trashëgiminë e përbashkët të evropianëve për dallim nga teoritë e mëparshme që përqëndroheshin në dallimet – dhe në fakt kishin të bënin me konfliktin racor. (Për shembull: procesi gjyqësor i kësaj jave në Gjermani ku neonazistët akuzohen për një vale vrasjesh të turqve dhe grekëve nga viti 2000 deri në vitin 2007).
Jo më larg sesa në vitet e ’50-ta, nxënësit britanikë studionin ende në tekstet shkollore të para Luftës së Dytë Botërore, ku evropianët ndaheshin në gjermanë, alpinë dhe latinë, “lloje” të përcaktuara sipas formës së hundëve të tyre, theksohet në artikull.
Një faqe akademike e internetit e Australisë “The Conversation” citon Maciej Henneberg, një antropolog të Universitetit Adelaide, të ketë thënë se shkencëtarët ka 50 vjet që argumentojnë se të gjithë njerëzit janë aq ngushtë të lidhur mes vete sa s’mund të ndahen në raca.
“Disa dallime të dukshme nga jashtë si ngjyra e lëkurës apo forma e hundës nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar ndarjet”, ka thënë ai.
As hulumtimi i fundit nuk ofron ndonjë ngushëllim për ultra-nacionalistët racistë të cilët do të kërkojnë që të kundërshtojnë emigracionin jo-evropian në një Evropë mitikisht homogjene.
Shkencëtarët e Kalifornisë thonë se hulumtime të tjera sugjerojnë se të gjithë njerëzit e gjallë në botë kanë një paraardhës të përbashkët të para 3 mijë e 500 vjetësh.
Studimi i Kalifornisë solli disa përfundime befasuese, si ajo se britanikët ndajnë paraardhës më të përbashkët me njerëzit në Irlandë sesa me popujt tjerë në Britani.
Ndërsa, një gjerman ka më shumë kushërinjtë të largët në Poloni sesa në Gjermani.
Prejardhja nuk është e ndarë në mënyrë të barabartë, vlerëson IHT.
Italianët modernë dhe spanjollët i kanë më të përbashkët paraardhësit krahasuar me popullatat e tjera evropiane dhe kjo mund të shpjegohet nga pikëpamja e gjeografisë dhe historisë së tyre.
Është joshëse të mendohet se provat e mëtejshme mbi prejardhjen e përbashkët mund të kontribuojnë në një epokë të re të vëllazërisë – ose të paktën të kushërinjve – dashurisë midis popujve të Evropës përballë sfidave që dalin përpara.
Disa megjithatë janë skeptikë.
“Ka pasur shumë studime në të cilat jemi përfshirë, e të cilat na tregojnë se grupe të cilat gjatë gjithë kohës luftojnë njëra-tjetrën janë jashtëzakonisht të lidhura ngushtë gjenetikisht”, thotë Mark A. Jobling, një gjenetist në Universitetin Leicester të Anglisë.
“Kështu për shembull popullsia hebarike dhe jo-hebraike në Lindjen e Mesme është jashtëzakonisht e ngjashme gjenetikisht, por t’iu thuhet atyre se sa janë të afërm gjenetikisht, nuk do të ndryshojë pikëpamjet e tyre”, citohet në IHT Jobling.
Komentet