Dita e dielë, dita e “vendimeve historike” apo siq jemi mësuar ta quajmë dita “D”, është bërë sinonim i lindjes së shtetit “multietnik” të Kosovës me 93 % popullatë etnike shqiptare, madje dita “D” po vazhdon të përdoret edhe për marrjen e vendimeve tjera (të dëmshme) për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Pas 10 ditëve të gjata të fushatës zgjedhore, të një fushate të qetë dhe dinjitoze, me plotë premtime dhe gënjeshtra, shpifje dhe trillime, dita “D”, e votimit shënon fillimin e numërimit të votave apo mbushjes së thasëve të “bereqetit” elektoral nga korrje-shirja e votave.
Se kujt i pagoi “gruri” më mirë kësaj radhe më shumë varet nga shkathtësia e komisionerëve partiak se sa nga vullneti i qytetarëve, e tëra mbetët të shihet nga mbrëmja e 11 qershorit e në ditët në vazhdim.
Pra, me 11 qershor 2017, disa qytetarë presin të fillon dita “D” e ndryshimit dhe e përfundimit të epokës së keqeverisjes, presin të filloj një kapitull i ri i qeverisjës së vlerave, presin që guximi ta mund frikën, shpresa të ngadhnjejë ndaj humbjes së besimit.
Mirëpo ka edhe të atillë që presin vazhdimësinë e sistemimit të dajëve e tezëve, nipave e mbesave, miqëve e kushërinjëve nëpër institucionet e vendit!
“Njerëzit që kanë tendencë për të premtuar shumë, njashtu kanë tendencën edhe për të harruar shpejt”.
Mbajtja e premtimeve të subjekteve politike fillon dhe përfundon nga (mos)mbajtja e vijave programore, profileve politike dhe ideologjike.
Subjekte serioze politike konsiderohen ato subjekte që mbrojnë parimet dhe pikëpamjet e tyre politike të deklaruara për 10 ditë rresht para elektoratit të tyre.
Poashtu poitikanë të sinqert dhe serioz mbesin ata që u qendrojnë besnik fjalëve të tyre, që sakrifikojnë poste e privilegje për mbrojtjen e interesave të popullit dhe vendit të tyre.
Nga e diela në mbrëmje fillojnë ethet e koalicioneve paszgjedhore
Lidhja e koalicioneve paszgjedhore do të vie jo si dëshirë, por si domosdoshmëri për marrjen apo mbajtjen e pushtetit,…edhe pse mbajtja e linjave programore është obligim ndaj elektoratit, përgjegjësi ndaj votës së lirë.
Përvoja e deritanishme e ka dëshmuar, se më e shendetshme për partitë e mëdha është të qënurit opozitë e shëndoshë se sa në një koalicion joparimor dhe i panatyrshëm mes dy forcave rivale me orjentime të kundërta programore.
Të qënurit opozitë e fortë është të qënurit kujdestar i përherëshem i gabimeve të pozitës, i mbrojtjes së ligjshmërisë dhe interesave vitale të qytetarëve të vendit.
Qytetarët e Kosovës mbesin më shpresën e madhe, se subjektet e preferuara nga ta, kësaj radhe nuk do t’i përserisin gabimet nga e kalura, e lidhjes së koalicioneve paszgjedhore me oponentet politik, por t’u qendrojnë besnik elektoratit të tyre, votës së lirë të dalë nga vullneti qytetar.
Respektimi i verdiktit të popullit është shprehje e nivelit të lartë demokratik dhe vlerave universale të të drejtave të njeriut. Parime këto, të respektuara në vendet e zhvilluara dhe demokratike.
Për politikanët aventurista, që politikën e bëjnë për para e jo për ideale po ua sjelli një thënje të Alan Tourner; “Politikanët që bëjnë politikën për para, janë sikurse dashuria që bëjnë prostitutat në zanatin e tyre”.
Andaj para ditës “D”, qytetarë të Republikës së Kosovës, bashkatdhetar të nderuar i keni në dispozicion 24 orët e heshtjes zgjedhore deri në momentin e votimit për të reflektuar pozitivisht. Vëni gishtin kokës e mendohuni mirë para se të votoni, vota e juaj me 11 qershor vlenë më shumë se; 20, 50, 100 apo 1000 euro, është votë që përcakton të ardhmën e fëmijëve tuaj nesër.
Nëse vërtetë e dëshironi një qeverisje ndryshe, nëse pretendoni shtet ligjor e të barabartë për të gjithë, nëse e mendoni një jetë të dinjitetshme për veten dhe ardhmërinë e fëmijëve tuaj, mos i votoni ata që iu mashtruan për 18 vite rresht , ata që ua kthyen shpresat në iluzione, por mundësisht zgjidhni kandidatët më të mirë, me moral të pastër dhe integritet njerëzor, ata që kanë dije dhe vizion për ardhmëri.
Edhe pse aspak punë e lehtë kjo, shkaku i sistemit aktual zgjedhor, i cili ka krijuar vakumin mes kandidatëve dhe qytetarit, të votimit të obliguar për subjektin politik para kandidatit. Ky është më tepër se diskriminim që ju bëhet qytetarëve, duke ua pamundësuar shprehjen e vullnetit të tyre të lirë.
Megjithatë mosvotimi (bojkotimi) i së keqës apo votimi i së mirës parandalon zhgënjimin e juaj nga rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit.
Edhe pse me 11 qershor nuk do të arrihet ndryshimi i pritur, mund të bëhet një hap para drejt ndryshimeve substanciale në zgjedhjet e radhës.
Komentet