Shqipëria ishte rreshtuar krah Kinës në vitin 1967. Në një dokument që ka zbuluar Qendra Ndërkombëtare e Arkivave, “Wilson”, tregohen bisedat mes dy vendeve lidhur me revolucionin kulturor kinez. Shqipëria ishte në unison me Pekinin për spastrimet në politikë dhe administratë. 16 gusht 1967 Shënime nga biseda mes kryetarit të partisë kineze Mao Ce Dun dhe Vangjel Moisiu e Myfit Mushi në Shanghai. Mao Ce Dun diskuton me delegacionin shqiptar revolucionin kulturor në Kinë. Kryetari Mao Ce Dun i pyet shokët shqiptarë për vizitën që kryen në Kinë dhe punën e kryer me citimet e Mao Ce Dun. Ai përmend se disa mendojnë se citimet nuk vlejnë. Delegatët shqiptarë i thonë se citimet janë shumë të vlefshme. Mao Ce Dun: Edhe unë mendoj se ato nuk kanë vlerë. Ato nuk janë gjë tjetër përveçse një koleksion materialesh me studime historike për Kinën. Disa kohë më parë unë dhashë urdhër për botimin e citimeve nga Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini, por nuk u merakos njeri shumë për këtë. Jemi duke punuar dhe për përkthimin e citimeve të mia në shqip pas kërkesës së udhëheqësit tuaj Hoxha. Ato duhet të jenë me vlerë, pasi eksperienca e Kinës i shërben dhe vendeve të tjera por ju këtë duhet ta vlerësoni vetë. Eksperienca jonë është e kufizuar. Që kur disa vende socialiste u bënë revizioniste, mendoja se dhe vendi ynë do të kthehej në revizionist. Por ne u menduam për çështjen dhe morën shumë masa, si për shembull lufta ndaj tre djajve; lëvizja e spastrimit katërsh dhe të tjera. Por është gjithnjë i nevojshëm mobilizimi i gjerë i masave dhe ne ndoshta kësaj here e kemi gjetur mënyrën. Kjo është demokraci e bazës së gjerë, ose siç themi në ‘hongveibing’. Qëllimi ynë është ta mbajmë lëvizjen të gjallë për tre vjet, vitin e parë mobilizimin, vitin e dytë arritja e fitores së përgjithshme dhe të tretin konkluzioni. Kështu që ne nuk po nxitohemi. Aty ku gjërat janë qelbur fare, ne marrim masat efektive që do të thotë bëjmë përgatitjet përkatëse, kurse në rajonet nuk janë as mish as peshk gjetja e zgjidhjes është më e vështirë. Prandaj është e nevojshme zgjatja e lëvizjes. Gjatë 17 viteve, disa nga kuadrot tona kanë ndryshuar duke devijuar nga marksizëm-leninizmi, ose duke mos ecur përpara por duke qëndruar në vend numëro. Kjo është njëra kategori. Ne duhet të luftojmë kundër atyre kuadrove që bëjnë qëllimisht gjëra të këqija, pasi ata që mbeten në vend numëro mund të edukohen. Por dhe riedukimi i tyre nuk ka aq efekt sa frika nga Garda e Kuqe. Ne besojmë se shumica e popullit është e mirë, si në shkolla institucione apo në ushtri. Por gjithsesi mbetet pakica e të këqijve, që po të mos ekzagjerojmë, llogaritet në 3-4 për qind. Në fillim të vitit na vizituan këtu shokët Hysni Kapo e Beqir Balluku dhe prej atëherë mendimet e mia kanë ndryshuar. U thashë atyre se brenda tre muajve do të shihnim ndryshime, ose të paktën deri në prill. Ajo që dua të them është se do të shihnim një pamje të qartë të situatës dhe të rezultateve të punës sonë. Por tani çështjet kanë ndryshuar. Prilli erdhi e shkoi, e po ashtu maji e qershori dhe tani jemi në gusht. Në disa nga rajonet tona gjërat kanë shkuar mirë kurse në disa të tjera jo dhe aq mirë, kështu që besojmë se revolucioni mund të zgjatet ende. Arsyeja për këtë është se ky është një revolucion dhe një çështje serioze. Vendi ynë është disi ndryshe nga i juaji pasi ne kemi trashëguar shumë telashe nga e kaluara, si për shembull kapitalistët. Në të gjitha shkollat pa përjashtim, mësuesit janë arsimuar nga regjimi i mëparshëm i Kuomintang. Por ne pranuam t’i mbajmë pasi në atë kohë nuk kishim eksperiencë në administrimin e shkollave apo ndërmarrjeve industriale. Kështu edhe për programet e radios kemi mbajtur më të vjetrit, siç janë dhe aktorët e shkrimtarët. Unë për shembull nuk di të luaj në skenë dhe as të shkruaj dramë. Unë vetëm shkruaj poema të stilit të vjetër, nuk mund të jem profesor edhe pse kam dhënë mësim në shkollë fillore. Kështu që gjatë dhjetë viteve të fundit kemi përdorur këta njerëz në arsim, në industri madje dhe në fshatra. (Mao Ce Dun kthehet më pas nga përkthyesi i tij) A mos ka njerëz të tillë edhe mes jush përkthyesve? Edhe ministria e Jashtme është në kaos tani. Ata ende nuk e kanë mundur Çen Ji. Unë urdhërova që ta sulmojnë, por jo ta rrëzojnë. Kam parë disa materiale ku Çen Ji ka bërë autokritikë në janar, por më pas atij i doli në mbrojtje një grupi revolucionit kulturor dhe tha se autokritika e tij ishte e rreme pasi e kishin detyruar. Situata ushtarake Gjatë një takimi në Parlament për kritikuar Çen Ji, rendi e qetësia u mbajt nga ushtria. Në ushtrinë tonë, në forcat tokësore dhe ajrore ka disiplinë të mirë. Ka disa njësi në rajone që nuk janë të mira. Këto të fundit nuk i përkasin ministrisë së sigurisë. Kemi nevojë të përmirësojmë disa njësi. Garnizoni i Pekinit për shembull ka trupa të mira. Tani në Kinë kemi 2400 rajone. Ato më të mëdhatë kanë 1 deri në 2 milionë banorë, ndërsa më të voglat nga 70 000 deri në 100 mijë. Në ushtri kemi si elementë konservatorë dhe rebelë. Imperialistët thonë se në Kinë ka konfuzion dhe se lufta është e mundur. Por unë nuk e besoj. Sot në pesë provinca si Henan, Tianxhin, Tibet, Hunan, Hubei problemet janë zgjidhur ose janë duke u zgjidhur, por duhet kohë për të zgjidhur problemet përfundimisht. Hunan për shembull ka rreth 50 milionë banorë. Në disa rajone do të ketë përherë konfuzion dhe kjo nuk është detyrimisht diçka e keqe. Disa miq të huaj nuk e kuptojnë përse kjo na kënaq, por për ne, nuk është e mundur të zbulohen kontradiktat nëse nuk ka rrëmujë. Komunat e ndërmarrjet industriale kanë armë dhe milici të armatosur. Por çështja, cili i mban këto armë. Gjatë viteve të fundit tendenca ka qenë e favorshme. Në krahasim me kohën kur ishin këtu Kapo e Balluku, situata është më mirë. Përkthyesi i takimit shoku Fan, na informon sipas rekomandimit të Mao Ce Dun, se në takimin e përfolur të 11 gushtit ishin prezentë dhe Çu En Lai dhe Xie Fuzhi. Aty Çen Ji, pas kritikave të ashpra nga figurat prezente, bëri tre përulje ndaj portretit të shokut Mao, ndaj masave e rinisë, duke thënë: “Kam gabuar ndaj jush shoku Mao De Dun, shoku Lin Biao dhe shoku Çu En Lai dhe ndaj revolucionit kulturor”. Autokritika e tij u prit me duartrokitje. Shoku Fan tha se ky ishte një dush i ftohtë për Çen Ji, pasi para këtij kishte marrë vetëm “dushe të vakët”. Kryetari Mao Ce Dun vazhdoi më tej: Unë nuk e kisha ditur për disa gabime të Çeng Ji dhe as shokët Çu En Lai e Lin Biao nuk dinin gjë. Tani nëse Çeng Ji qëndron apo jo në detyrë kjo varet nga masat, pasi ai vuante nga mentaliteti i vjetër, edhe më parë kishte fituar rritje në parti. Ne jemi të përgatitur për konfuzion në të gjithë Kinën, sepse konfuzioni është i mirë për ne. Vetëm një numër i vogël njerëzish do të rrëzohen. Për shembull në Shangai, në nivel qyteti apo periferie do të spastrohen vetëm një numër i vogël zyrtarësh. Jao Venuan: 8-9 për qind. Mao Ce Dun: Pasi të kenë bërë një banjë të nxehtë disa prej tyre do të rehabilitohen. Trazirat nuk janë katastrofike. Ne duhet vetëm të eliminojmë formalitetet borgjeze në fushën e diplomacisë, pasi një numër i madh diplomatësh kinezë pasi kthehen nga vendet e huaja tentojnë të bëjnë revolucione. (Delegacionit shqiptar) Po ju ai i miratoni masat tona? Delegacioni shqiptar: Ne aprovojmë tërësisht revolucionin e madh kulturor kinez. Kjo është çka na mëson partia jonë dhe udhëheqësi Enver Hoxha. Mao Ce Dun: Faleminderit ju dhe faleminderit shokut Enver. Kur të ktheheni në Shqipëri tregojini për situatën në Kinë dhe përshëndeteni nga unë. Përshëndetni gjithashtu shokun Mehmet, Hysni, Ramiz Beqir e të tjerët. Konservatorët më pëlqejnë më shumë mua sesa shokun Enver. Ndoshta dhe shokut Enver duhet t’i vëmë epitetin “i madh”. Ne i kemi parë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur te Jugosllavia e Bashkimi Sovjetik, pot gjithashtu dhe te Sharkey në Australi, që më parë sillej mirë me ne të dy. Edhe Partia Komuniste e Japonisë që më parë ka luftuar Hrushovin, tani është bërë revizioniste. Që kur i është bashkuar pellgut revizionist ata nuk e luftojnë më BRSS dhe “comprador-ët” kapitalistë të Japonisë. Në Kinë revolucionarët po ngrihen në fuqi nga një provincë në tjetrën. Disa elementë në ushtri janë demaskuar, si për shembull Luo Ruiqing dhe He Long. Demaskimi i tyre ishte i mirë pasi sikur të kishin fituar pushtet do të kishte qenë një katastrofë. Slogani ynë është: “Poshtë elementët që mbajnë poste zyrtare dhe kalojnë në rrugën kapitaliste!” ky slogan është lëshuar në fund të 1964, në një dokument me 23 pika, dhe nisi me luftën kundër Liu Shaoqi. Problemi me të nuk ishte i thjeshtim pasi edhe kur punonte në zyrat e regjimit të Koumintang ishte arrestuar katër herë. Ka edhe sot dëshmitarë që tregojnë dëshminë e Liu te armiku. Nuk ishte një koinçidencë që në vitin 1936 kurishte sekretar i byrosë rajonale të Kinës, inkurajonte tradhtarët e kapur nga armiku të dilnin nga burgu. Tani Garda i ka zbuluar këto materiale nga gazetat dhe i ka publikuar. Këta të Gardës janë të tmerrshëm! Mes tyre ishte zv. kryeministri Bo Jibo, An Ziuen, Jang Xianzhen dhe të tjerë, rreth 60 individë. Peng Zhen ishte gjithashtu tradhtar. Ju nuk jeni informuar për këtë?Delegacioni shqiptar i përgjigjet se është informuar për ngjarjet kryesore me anë të shkrimeve të Renmin Ribao. Mao Ce Dun: Vetëm Renmin Ribao nuk është i mjaftueshëm, është e nevojshme të lexohen edhe gazetat e vogla dhe Hongveibing. Si shkon udhëtimi me anije nga Shqipëria në Kinë? Delegacioni shqiptar përgjigjet se lundrimi është zgjatur pak prej gjendjes mes Egjiptit dhe Izraelit, prandaj anijet që udhëtojnë drejt Shqipërisë duhet të bëjnë disa zig-zage për të arritur në destinacion. Me tej dy të dërguarit nga Shqipëri i urojnë atij jetë të gjatë dhe mbyllin takimin. Shoku Mao Ce Dun përgjigjet: Jetë të gjatë të keni ju dhe shoku Enver!
Komentet