Gjuha është mjeti themelor nëpërmjet së cilës realizohet një tekst letrar. Fjalët janë ato të cilat, të lidhura reciprokisht me sendet apo dukuritë e ndryshme krijojnë një tekst. Ky tekst na parashtron një botëkuptim të caktuar mbi botën reale.
Në shkrimet apo komentet, që bëhen për një tekst të vargëzuar, shpesh herë i mëshohet vetëm vlerësimit apo analizës së “përmbajtjes ideore”. Kjo do të thotë se vlerësohet vetëm përmbajtja e shkrimit duke mos e përfillur apo duke e anashkaluar analizën e “përmbajtjes artistike” të tij.
Kjo mënyrë interpretimi i paraqit lexuesit masiv një model të gabuar, të thjeshtëzuar të poezisë dhe të vlerava artistike të saj. Ky është një gjykim apo interpretim i mangët i një teksti poetik, mendim i cili dëmton, në radhë të parë, shijen e lexuesit ndaj vlerave të poezisë.
Një krijim poetik i vërtetë ka strukturën e vet, i cili përbëhet nga përshkrimi, meditimi, gjykimi. Kjo strukturë në tërësi realizohet nëpërmjet strukturimit dhe vëllimit kuptimor artistik të tekstit poetik.
Po marr si shembull poezinë e poetit Niko Kacalidha:
GJETHI PAGAN
Harroi perënditë e drurëve dhe bridhte në oborre.
U shkëput nga besimi i parë për perëndinë e blerimit.
Nyja e këputjes ishte kërthiza që e lidh me prillin.
Zgjohet natën në halucinacionet e yjeve.
Bie fle përmbys në të gdhirë në polenin e blirit.
Dhe këputet dhe vdes në dinastinë e drurëve.
Në të flenë vetëm gjarpërinjtë se perënditë kanë ikur.
Që në titull të poezisë të bie në sy antonimia, që ngërthen togfjalëshi “gjethi pagan”.
Fjalori na thotë se gjethi është pjesë e rëndësishme e bimës, që i shërben për funksionimin e saj; ai është i gjelbër dhe me forma të ndryshme.
Fjala “pagan” lidhet me paganizmin, me kultin e besimit të njeriut në lashtësi në shumë hyjni.
Kemi të bëjmë, pra, me një çift antonimik, me dy fjalë që nuk kanë lidhje organike me njëra- tjetrën.
Ky tekst poetik ka dy lexime krejt të ndryshme.
Po të marrim, thjesht, leximin “botanik” teksti na përcjell me kuptimin e vet të drejtpërdrejtë një fenomen natyror të zakonshëm nga “dinastia e drurëve”: çeljen, gjelbërimin, shkëputjen nga dega, endjen dhe tharjen e gjethit.
Leximi i dytë na sugjeron një lexim tjetër, lexim poetik.
Roman Jakobson shkruan: “Poetikja është e pranishme, kur fjala me kompozimet e saj, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përfton gjithçka edhe vlerën në vetvete – në vend që t’i qëndrojë në mënyrë indiferente realitetit”.
Fjala “gjeth” në këtë poezi ka fituar një peshë dhe një vlerë të re, “gjethi” e ka humbur funksionin e vet natyral.
Në leximin e parë kemi një parashtrim të një përmbajtjeje të thjeshtë dhe të rëndomtë, një tekst botanik, shkencor. Fjala perceptohet si fjalë e zakonshme e fjalorit, e të folurit tonë të zakonshëm aspak emocional.
Në togfjalëshin “gjethi pagan”, fjala “gjeth” ka përftuar një kuptim metaforik. Gjethi është “shpirtëzuar”. Kemi kështu përqasjen e procesi natyror me një proces shpirtëror, pra, shkëputjen nga një lidhje, nga një origjinë. Kjo na shpie në një tjetërsim kuptimor dhe emocional të fjalës “gjeth”.
Gjethi “shkëputet nga kërthiza”, “endet nëpër oborret”, kllapitet në “halucinacionet e yjeve” dhe “vdes”, “në të flenë gjarpërinjtë” dhe “perënditë (e tij) kanë ikur” prej tij.
Autori me këtë tekst të vargëzuar poetizon një fenomen shpirtëror, që ka ndodhur historikisht dhe pikërisht, tragjizmin, largimin e njeriut nga origjina dhe nga besimi i vet i mëparshëm.
Struktura e një teksti poetik, pra, është një strukturë e ndërlikuar, një strukturë komplekse krijuese. Teksti artistik është një diskurs, një arsyetim kompleks. Të gjitha pjesët e strukturës së tij ndërthurin elemente të arsyetuara dhe të gjykuara estetikisht dhe filozofikisht.
Filozofi strukturalist M. Fukault thekson se historikisht ka sisteme të ndryshme të ndërlidhjeve të gjuhëve të ndryshme. Një nga këto lidhje është ajo e gjuhës së filozofisë me gjuhën e filologjisë.
Teksti I kësaj poezie është shndërruar në një strukturë të organizuar semantike. Ai është shndërruar në një mendim kompleks artistik dhe filozofik. Teksri i poezisë është rikonstruktuar figurativisht dhe estetikisht.
Poezia “Gjethi pagan” është një krijim i vërtetë poetik.
Gjuha e veprave letrare dallohet thellësisht, jo vetëm nga gjuha e folur, por edhe nga gjuha e teksteve filozofike apo shkencore, e shkrimeve gazetareske ose teksteve të ndryshme devolguese.
Nuk është poezi një tekst i vargëzuar, që na përcjell thjesht një ngjarje apo një mendim a emocion të çfarëdoshëm.
Pa kundërvënien midis fjalës së thjeshtë dhe kuptimit të figurshëm të saj, nuk ka lëvizje, Poetikja lind vetëm kur ndërpritet vitaliteti i zakonshëm, natyror i fjalës dhe lind një cilësi e re e figurshme e saj.
Studiuesi J. M. Llotman, një përkrahës i analizës strukturaliste të tekstit poetik, shkruan: “Në qoftë se sasia e informacionit, që ngërthen gjuha poetike dhe gjuha e zakonshme është e njëllojtë, atëherë gjuha artistike e ka humbur të drejtën për të ekzistuar, ajo në fakt asgjësohet”.
Për poetin, por edhe për lexuesin, ka rëndësi dhe vlerë jo vetëm përmbajtja, por dhe forma, struktura dhe gjuha poetike e një krijimi letrar artistik.
Marrë nga ExLibris