Ka ditë që mjekët paralajmërojnë se vala e radhës e variantit Omicron nuk do të kursejë askënd. Piku, thonë ata, do të jetë në javën e tretë të Janarit. Lajmi i mirë është se Omicron shkakton shumë më pak vdekje se varianti Delta dhe nëse gjithçka shkon sipas parashikimit, kjo valë do të kalojë me pasoja të lehta, si të ishte një grip stinor. Ky variant i koronavirusit, sipas studimeve në disa shtete, po konsiderohet si drita në fund të tunelit ku na futi pandemia.
Marsi i vitit 2020 duket i largët. Në Italinë fqinje trupat e pajetë të të prekurve me Covid transportoheshin nga forcat ushtarake. Ishte koha kur në Tiranë mjetet ushtarake u nxorrën në bulevard për të luftuar koronavirusin. Muajt e parë, karantina ishte e fortë. Goditja erdhi pas hapjes së menjëhershme.
Situata katastrofike pati një seri arsyesh. Ishte mungesa e mjeteve mbrojtëse për mjekët, mosbesimi tek institucionet, padija e specialistëve që detyroheshin të gënjenin për fundin e shpejtë të pandemisë dhe mungesa e kapaciteteve spitalore që nuk u përgatitën në kohë për të përballuar pandeminë.
Të sëmurët prisnin nëpër ambulanca me orë. Krevatet ishin të zëna, ndërsa mjekët, të paktë në numër. Disa pacientë u vetëvranë duke u hedhur nga dritaret e spitalit. Pamjet e kufomave në morg që u publikuan në media ishin makabër.
Pikërisht tani, kur fundi i pandemisë shpresohet të jetë afër, “The Economist” ka kthyer kokën pas, për të lexuar shifrat dhe për të treguar se si u fshehën të vdekurit nga qeveritë që propagandonin përballimin e pandemisë dhe marrjen e masave të suksesshme kundër koronavirusit.
Nga 186 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, “The Economist” ka dalë në përfundimin se numri real i viktimave nga pandemia në botë nuk është 5.5 milion, por rreth 19.1 milion. Pra, gati katër herë më e lartë nga ajo që kanë raportuar zyrtarisht shtetet.
As Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë manipulim shifrash. Vdekjet e raportuara që nga marsi i vitit 2020 janë më shumë se 3200 të infektuar për vendin tonë. Sipas “The Economist” duhet të ishin 4 herë më shumë, diku mes 12 dhe 15 mijë të vdekur.
Pak ditë më parë, Monitor (Lexo KETU) raportoi të njëjtin rezultat për shifrat e vdekjeve gjatë pandemisë. Sipas një vëzhgimi të kryer mbi shifrat e INSTAT, rezultoi se “të dhëna të tjera të Eurostat, për vdekjet javore, ku raporton dhe Shqipëria, tregojnë se për periudhën 2 mars 2020-19 shtator 2021, fatalitetet shtesë u rritën me 34.6%, duke e renditur vendin tonë të tretin në Europë”.
Vendi ynë renditet pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për fatalitetet. Panorama është tjetër nga ajo që shpalosin zyrtarët e qeverisë, kur flasin për masat e suksesshme të përballimit të pandemisë.
Në fakt, alarmi për fshehjen e vdekjeve u dha që në nëntor të vitit 2020.
Të gjithë e kujtojnë denoncimin shokues të kreut të PD-së, asokohe Lulzim Bashës që nxorri dokumente për fshehjen e 414 jetëve të humbura nga Ministria e Shëndetësisë.
Basha tha se kishte listën me emrat e të vdekurve, të cilët kishin humbur jetën për shkak të covid, por nuk ishin raportuar si të tillë. Kryeministri Rama atëherë e mohoi duke e quajtur spekulim denoncimin dhe duke e trajtuar atë si një tentativë për të përhapur shqetësim dhe panik tek qytetarët.
“Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë” ishte reagimi me shpoti atëherë i kryeministrit Rama.
Rreth një vit më pas, Ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar qëndrim. Përballë shifrave që tregojnë se vdekjet gjatë pandemisë ishin disa herë më të larta, dikasteri që drejtohet nga Ogerta Manastirliu ka një teori tjetër për t’i shpjeguar mospërputhjet e shifrave.
Manastirliu ka përdorur formulën e përdorur nga kolegia e saj Elisa Spiropali, e cila kur u desh të komentojë përdhunimin në grup të një vajzë të mitur, tha “raste të tilla ndodhin edhe në vende të zhvilluara, bëhen edhe filma”.
Pak a shumë, ky thelbi i reagimit të Ogerta Manastirliut për shkrimin e The Economist, që denoncon manipulimet në raportimin e vdekjeve.
“Në të gjithë Botën, numri i vdekjeve shtesë nga Covid-19 dhe pasojave të tij, vlerësohet të jetë 4 herë më i lartë se numri i fataliteteve të raportuara nga Covid-19 (nga rreth 5.5 milion fatalitete në botë, vdekshmëria shtesë si pasojë e COVID-19 vlerësohet të jetë rreth 19.1 milion). Edhe në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi të bazuar mbi simulime statistikore, përcaktohet i njëjti koefiçient si mesatarja botërore” thotë ministria.
Pra, meqënëse në të gjithë botën, na qenkan fshehur vdekjet nga kovid, le të ndodhë në Shqipëri e njëjta gjë. Pas denoncimit të PD, SPAK nuk nisi asnjëherë hetimet për këtë çështje.
Fshehja e vdekjeve nga covid përgjatë viteve 2020/ 2021 i përshtatej qeverisë që i duhej suksesi në menaxhimin e pandemisë. Një nga kolonat e fushatës së zgjedhjeve të 25 Prillit ishte fushata e vaksinimit kundër kovid që u ndoq në veçanti nga drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe. Pavarësisht disfatës në pandemi, Ogerta Manastirliu u konfirmua në krye të Ministrisë së Shëndetësisë nga kryeministri Rama në qeverinë e mandatit të tretë./Lapsi.al
Shkrimi i plote nga The Economist
Sa persona kanë humbur jetën për shkak të Covid-19? Përgjigja varet si nga të dhënat e disponueshme, ashtu edhe nga shkaku. Shumë njerëz që kanë humbur jetën për shkak të SARS-CoV-2 nuk janë testuar kurrë dhe në këtë mënyrë nuk janë pjesë e të dhënave zyrtare.
Anasjelltas, disa njerëz, vdekjet e të cilëve i janë atribuar Covid-19, kishin sëmundje të tjera prej të cilave mund të kishin vdekur. Madje disa prej tyre vdiqën për faktin se spitalet ishin të tejmbushur me pacientë me Covid-19 dhe ata nuk mund të merrnin dot trajtimin e duhur.
Në vend që të përpiqemi të bëjmë dallimin midis shkaqeve të vdekjes, qasja e The Economist është të dijë shifrat e sakta. Metoda standarde e gjurmimit të ndryshimeve në vdekshmërinë totale janë “vdekjet që nuk janë regjistruar”.
Ky numër është hendeku ndërmjet numrit të njerëzve që kanë vdekur në një rajon të caktuar gjatë një periudhe të caktuar kohore, pavarësisht nga shkaku, dhe sa viktima do të kishim nëse do të kishin ndodhur në rrethana të tjera.
Megjithëse numri zyrtar i vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 është tani 5.5 milion, në fakt mendohet se numri i vdekjeve është 19.1 milion. Kjo për shkak se llogaritja e vdekjeve shtesë për të gjithë botën është komplekse dhe e pasaktë.
Duke përfshirë statistikat e publikuara nga njësitë nën kombëtare si provincat ose qytetet, midis 156 vendeve të botës me të paktën 1 milion njerëz, The Economist mblodhi të dhënat për vdekshmërinë totale nga vetëm 84 prej tyre.
Disa nga këto vende përditësojnë rregullisht të dhënat e tyre; të tjerët i kanë publikuar vetëm një herë. Për të plotësuar këto boshllëqe, The Economist ka ndërtuar një tabelë, i cili vlerëson numrin e viktimave shtesë për çdo vend çdo ditë që nga fillimi i pandemisë. Ai bazohet si në të dhënat zyrtare të vdekshmërisë së tepërt ashtu edhe në më shumë se 100 tregues të tjerë statistikorë.
Në grafikun e mësipërm, ju mund të vlerësoni shifrat ose për botën në tërësi ose të ndara sipas rajonit. Sa më pak të dhëna të disponueshme në një vend të caktuar, aq më pak të sigurt jemi se sa viktima shtesë janë regjistruar në atë vend. Shifrat totale janë gjithashtu të disponueshme më poshtë, në formatin e tabelës.
Vlerësimet e mësipërme rajonale janë grumbullime të të dhënave për vende të veçanta. Dallimet midis vendeve në shkallën dhe frekuencën e testimit për SARS-CoV-2 – të cilat, së bashku me ashpërsinë e pandemisë, përcaktojnë numrin zyrtar të viktimave nga Covid-19.
Të dhënat për viktimat shtesë janë thelbësore për të bërë krahasime midis vendeve të ndryshme. Grafiku i mësipërm krahason vdekjet shtesë me kalimin e kohës në vendet që janë marrë në studim. The Economist ofron të dhëna të vdekjeve shtesë për çdo ditë që nga fillimi i pandemisë. Kjo e bën edhe më të qartë se Covid-19 ka shkaktuar më shumë viktima se sa është raportuar.
Shumë nga vendet më të prekura në botë janë në Amerikën Latine. Megjithëse raporti zyrtar i vdekjeve të Rusisë sugjeron që vendi ia ka dalë mbanë në luftën kundër pandemisë por sipas të dhënave të The Economist, Rusia është një nga vendet më të prekura.
E njëjta gjë vlen edhe për Indinë, ku besohet se numri zyrtar të jetë në miliona.
Megjithëse statistikat e viktimave shtesë janë matja më gjithëpërfshirëse e kostos njerëzore të Covid-19, ato janë të lidhura vetëm me numrin e njerëzve që janë infektuar me SARS-CoV-2.
Për shkak se virusi është shumë më vdekjeprurës për të moshuarit sesa për të rinjtë, numri i vdekjeve ndikohet shumë nga struktura e moshës së popullsisë së një vendi. Si rezultat, të dhënat e viktimave shtesë mund të përdoren vetëm si një tregues i mirë i përhapjes së Covid-19 nëse llogaritet edhe demografia.
Dy tabelat e mësipërme tregojnë disa nga implikimet e kësaj dukurie. E para tregon vdekjet shtesë si përqindje e popullsisë së çdo vendi me personat mbi 65 vjeç. E dyta përshkruan një vlerësim të përqindjes së njerëzve në çdo vend që janë infektuar.
Për ta llogaritur atë, janë ndarë vdekjet shtesë të një vendi me një rrezik më të lartë të infektimit dhe vdekshmërisë. Ky vlerësim nuk llogarit as ndryshimin midis grupeve të veçanta demografike, as dallimet në prevalencën e kushteve themelore mjekësore që rrisin rrezikshmërinë ndaj Covid-19.
Për shkak se mjekësia nuk është shumë e zhvilluar në vendet e varfra, numri i viktimave është më i lartë në këto vende. Në disa vende, kjo paraqet një vlerësim të rasteve totale që tejkalojnë popullsinë e një vendi – një skenar që është teorikisht i mundshëm, pasi riinfektimet ndodhin.
Kjo metodë gjithashtu nuk përfshin të dhëna për vaksinimet, të cilat kanë ulur ndjeshëm shkallën e infektimit-vdekshmërisë në vitin 2021 në shumë vende. Dhe i mungon informacioni për prevalencën e varianteve të reja të SARS-CoV-2 si Alpha dhe Delta, të cilat mund të kenë një shkallë të ndryshme virulence nga lloji origjinal. Pavarësisht nga të gjitha këto paralajmërime, kjo qasje ofron një pikënisje për të vlerësuar se sa njerëz janë infektuar nga virusi.
*Ka dy mënyra kryesore që shifrat rreth vdekjeve të tepërta mund të keqinterpretojnë realitetin.
E para është se ata mbështeten në supozimin se shifrat e publikuara zyrtarisht të vdekshmërisë janë të sakta. Duke pasur parasysh problemet që ka shkaktuar Covid-19, disa qeveri mund të kenë ndryshuar mënyrën se si përpilojnë të dhënat për numrin e viktimave gjatë pandemisë.
Kjo mund të na bëjë që të publikojmë shifra që nuk janë të sakta për vendet në fjalë. Sigurisht mund të ketë gabime edhe në vlerësimin e secilit vend.
E dyta, për arsye se shumica e vendeve që raportojnë numrin shtesë të viktimave janë të pasura ose me të ardhura mesatare. Kështu që këto modele nxjerrin në pah se të dhënat në vendet e varfra mund të mos jenë të sakta.
Një paralajmërim i ngjashëm vlen për vendet që mund të kenë regjistruar më shumë viktima se sa janë raportuar për arsye të tjera përveç pandemisë, të tilla si lufta ose fatkeqësitë natyrore. /Lapsi.al
Linku referuar Monitor: https://www.monitor.al/kosova-m-veriut-dhe-shqiperia-me-rritjen-me-te-madhe-te-vdekjeve-shtese-ne-europe-nga-fillimi-i-pandemise-deri-ne-shtator-2021/
Komentet