Treva e Butrintit mund të konsiderohet si treva me vendbanime më të hershme. Këtë përfundim e nxjerrim jo vetëm nga arkeologjia, por edhe nga toponimia e këtyre vendbanimeve, e cila i përket kohës para zbritjes së dorëve në ballkan.(2000 vjet para Krishtit) Ja disa nga toponimet më kryesore:
Baikai – Tumulat e Baikait si dhe shpjegimi i fjalës etimologjike Baikë, fjalë indoeuropiane, sipas Nolit, është rrënja e fjalës “bakëti”) të çon tek toponimi i njohur nga miti i Odiseut: “Feaka”, fjalë e gjuhës indoeuropiane, e cila ka ndjekur proceset fonetike të shqipes
Krane – Toponim në rrethin e Sarandës, pranë Butrintit; fj.indoeuropiane. “Krainet” indoeuropiane, në shqip ka dhënë: kranjet, kranjerat, “vende burimesh rrjedhash”.
Dhiver – Sipas Çabejt, kjo është fjalë parahelene, rrjedh nga “Daksa” që do të thotë det.
Metoq – Fjalë indoeuropiane, vend ku ruheshin thesaret.
Vergo– Rrjedh nga rrënja “’Veiko”, vendbanim, fshat.”Veik” do të thotë “vis”.Vis i kanë thënë dikur ishullit të Korfuzit,i cili prej shumë historianëve konsiderohet ishulli i Alkinout dhe identifikohet me Feakën homerike.
Vagalat –Rrjedh nga një rrënjëindoeuropiane:”Veike”. Çuka e Ajtoit- Kështjella prehistorike e Aitoit.
Vrinë – Rrjedh nga një rrënjë indoeuropiane: “rein”. Në këtë formë dhe me këtë kuptim gjendet dhe në lumenjtë e Gjermanisë e të Zvicrës, “rein”,”Reni”. Kjo fjalë rrjedh nga perëndia Urani,”reja” sipas proceseve Vvrani-vrani…(u vran,u vrajt)
Siç vihet re, nga këto toponime nxirret lehtë përfundimi se banorët e parë të Epirit, madje të skajit të tij më jugor, në kufijtë me fiset greke, kanë përdorur një gjuhë paragreke, e cila ka lënë gjurmët e veta në toponiminë e këtyre vendeve. Fiset dorike të cilat populluan këto treva, flisnin një dialekt të përafërt me atë të akejve të vjetër. Një fakt të tillë e pranon dhe studiuesi italian Indro Montaneli. Përfundimet dalin nga toponimet e gjetura në këto treva. Mjafton dhe vetëm kaq për të treguar se banorët më të lashtë të kësaj treve ishin “kaonët diva, me pellazgë “, gjuha e të cilëve përbën një objekt studimi me vete.
Emërtimet e tjera : Butrint, Mesopotam, Rahulla, Rusan, Jerm, Mursi, Heremec etj., edhe nëse nuk janë të gjuhës sonë, nuk mund të jenë fjalë greke. Këtyre toponimeve do t’u shtonim dhe të tjera nga treva më në brendësi e Labërisë.
Vranisht – (Urani, ) Bolena, ( shtrembërim i fjalës Apolon.)
Luca dhe Luzat– Rrjedhin të dyja nga e njëjta rrënjë; “Lut”Lutsat , e që do të thotë: “Bëj përshpirtje”. Në Jug, në zonën e Labërisë, mbi Fterrë, kemi Malin e Lucës, pranë të cilit kemi toponimin Kretë. Në kufijtë Kapariel -Tatzat- Fterë- Borsh- Kudhës gjenden toponime të ngjashme me ato që gjenden dhe në Azinë e Vogël (Izrael-Palestinë), si: Lucë, Kapariel (Gabriel) Harapa, Gomarës, (Gomora) Kana, Galile , Kretë etj., të cilat nuk kanë ndonjë histori…Pse ndodhen të gjitha këtu, pranë e pranë?
Sipas Çabejt, toponimin LUCA mund ta sjellim nga një “Lutsa”, pasi “c-ja” ka rrjedhur nga një “ts”. Kjo fjalë ka të bëjë me një majë mali që ka shërbyer si faltore pagane. Ndoshta shtegtimi i këtyre toponimeve mund të mos jetë rastësi. (Idenë e shtegtimit nga brigjet e Himarës në tokat palestineze e kanë hedhur më parë S.Konda, R.de Angeli dhe N.Falaski). Bor – Borea-Kulti i erërave. Kulti i erës së Veriut. (Borshi) Skerficë. (Sker vic-”veikos”)
Ky toponim të kujton menjëherë Skerinë homerike ku gjendej Feaka. Kompozita e dytë “vic”( ind. e vj.”veikos”) “veis” apo “vis”, do të thotë vend i banuar, katund ose grumbullim shtëpish. Është një fjalë e lashtë me derivatet e veta në shumë gjuhë të tjera të familjes “indoeuropiane” (pellazge).
Në Labërinë kaone me këtë emër kemi toponimin Mali i Skerficës.
Kandrevic – Fjalë indoeuropiane, kompozita e parë e së cilës rrjedh nga rrënja “kand”(i kandshëm, ma ka anda) “and”(andie ose kënaqësi), fjalë shumë e vjetër shqipe e cila gjendet në të njëjtën formë edhe në gjuhën angleze.
Tragjas – Ky toponim ka në qendër rrënjën “trag”, satirin prehistorik nga ku nis zanafilla e lojërave pagane. Simboli i dhisë, si totem, më pas, i flijimit të saj dhe simboli i dy brirëve të dhisë , që i përdornin në festa , i përkasin periudhës pagane.
Kanina – Ky toponim lidhet drejtpërdrejt me emrin e fisit kaon. Kanina ka ruajtur emrin e fisit të madh të kaonëve. Një toponim të tillë e gjejmë edhe në afërsi të Himarës në formën: KONI. Prej historianëve të antikitetit, kalaja e Kaninës është quajtur dhe Troni.
Mesapliku – Mesap ka kuptimin “Midis ujërave” Ky toponim, siç e përmend Çabej dhe gjuhëtarë të tjerë, ndër ta dhe R.Angeli, lidhet me emrin e fisit pellazg të mesapëve që emigroi që herët në Itali. Ndoshta Mesapliku ka qenë qendër e tyre apo stacion nga ku u shpërngulën për matanë detit.
R.d’Angeli shkon edhe më tej, kur gjenezën pellazge e lidh me vendbanimin Palas në bregdetin e Himarës, në shpinë të maleve Akrokeraune. Unë mendoj se toponimi “Palas” ka shtrirje më të vjetër. Ai lidhet me gjigantin Palas, me bisht të gjatë. Gjeneza e këtij toponimi lidhet me kohën paragreke, kur në këto troje jetonin Kikët (Giganët).
Një toponim tjetër në afërsi të Durrësit do ta gjejmë në formën Bishti i Pallas. Për toponimin e vendbanimit Plesat, Spiro Konda mendon se kemi të bëjmë me një mbeturinë të pelesëve. (Flitet për një vendbanim të pelesëve, pellazgëve.)
Po të shkojmë më në veri, tek emri i fshatit Damës, sipas filologes maqedone Fanula Papazoglu, duhen kërkuar gjurmët e minierës së lashtë të argjendit, minierës së Damaskionit. Labovë – Në rrënjën e vet ky toponim ka fjalën “lab” dhe është krijesë e përbërë me prapashtesën topike ilire “ovë”.
Lepenic Fshat në krahinën malore të Vlorës. Në rrënjën e vet është fjala “lapën” Drinos Lumin Drinos, poshtë qytetit të Gjirokastrës duhet ta lidhim me emrin e fisit ilir të adrianëve. Në Shqipëri, me këtë emër ka tre lumenj të mëdhenj: Drini i Bardhë, (në Veri) Drini i Zi (në Lindje) dhe Drinoja (në Jug).
Me sa duket, ky është një emërtim ilir (ngjizje e dy fjalëve “don”, që do të thotë lumë, dhe “rein”, që do të thotë “rrjedhje” dhe që, në një kuptim më të gjerë, është përdorur për emërtimin e shumë lumenjve, si nga ilirët, ashtu edhe nga keltët. Një lum i madh me emrin Don gjendet në Rusi. Dy lumenjtë e mëdhenj të Rusisë janë Doni dhe Danubi. Në Jug të Zvicrës, krahas “Rein”, gjejmë dhe”Doron” apo “Doire”, emërtime lumenjsh që shprehin të njëjtin kuptim me atë të fjalës shqipe “Drin” .
Ka mundësi që ky toponim të jetë përcaktues dhe për vendet ku ka banuar fisi ilir i ardianëve. Lumenjtë i kanë pagëzuar ardianët apo ardianët të jenë pagëzuar nga lumenjtë?
Fjalën ardia (adria) Çabej e sjell nga një “ardas”. Të jenë quajtur vallë ardianë para se të popullonin këto vende, apo këtë nofkë: ardas (ardhas), ua vunë autoktonët për t’i diferencuar nga vendësit?
Kufijtë e Kaonisë
Në kohët e mëvonshme, trevat e Kaonisë morën tjetër emër, Labëri. Labanët përmenden qysh në vitin 629 para Krishtit, nga Tukididi, si fis ilir i Epirit. Sipas studiuesit Rrok Zojzi, treva e Labërisë, e cila i përket Kaonisë së lashtë, kufizohet nga tri ura ( domethënë ndahet nga tre lumenj): në perëndim, ura e Drashovicës; në lindje, ura e Kalasës; në jug, ura e Tepelenës. Treva kaone ka nënndarjet e veta më të vogla gjeografike: Kurveleshin, Rëzomën, Rrëzën e Tepelenës, Kardhiqin, Bregun e Detit (Himarën), lumin e Vlorës, grykën e Dukatit (sipas studimit të prof. Ismet Elezi).
Ndërsa Çabej, Labërinë e vendos në koordinata të tjera me të përcaktuara gjeografike. Në konceptin Labëri përfshihet: Lazarati i Gjirokastrës, si kufi, Mali i Gjerë, mali i Picarit, perëndimi i lumit Vjosë dhe vija bregdetare gjer në fshatin Kudhës. Jashtë kufirit lab mbeten katunde të cilat do të kenë qenë banuar nga fise labe, si Labova e Tepelenës, Labova e Kryqit…
Nga elementet gjuhësore të kësaj treve vërehet që jo çdo gjë është e pastër. Popullsia e saj është marrë me blegtori dhe, si e tillë, nuk ka qenë e ngulur në troje të caktuara. Të dhëna të mëvonshme bëjnë fjalë për fisin ilir të albanëve apo të labanëve, në Jug. Dëshmitë më të vjetra nga fusha e etnografisë janë elementet e veshjes, bruci lab apo labania (llabane, siç e quajnë vendësit) dhe qylafi lab me majë.
Labania labe është gjetur në numizmatikë dhe dëshmohet si e epokës homerike. Ndërsa qylafin lab me majën karakteristike e gjejmë në Mozaikun e Mesaplikut.
Në këtë mozaik kemi portretin e një burri “me kapelë konike me majë” që ngjan me qylafin e sotëm të lebërve.
Sipas prof. Çabejt “lab” është metatezë e emrit “alb”. Pederseni emërtimin lab e konstaton si më të lashtë se emrin tjetër të shqiptarëve, arbanë, që shfaqet në mesjetë vetëm në krahinën e Kaonisë (Labërisë). Po kjo trajtë ruhet dhe në gjuhet fqinje. Te fjala “alb” Jokli sheh një paraindoevropianishte dhe e lidh këtë fjalë me albanët e Kaukazit.
Nëse do të pranonim tezën e Joklit, atëherë duhet të pajtohemi edhe me tezën e S.Kondas , i cili dëshmon se në këto troje janë ngulur fiset iliro-dardane të kaonëve, fjalë që na duket e përafërt me fjalën”Kauk-az” dhe me fjalën tjetër “Kaninë”, e cila në fillim të herës do të ketë qenë ndoshta një “Kaon-inë”.
“Shtegtimi i toponimeve, i hidronimeve apo i emrave të vendbanimeve është dukuri shumë e shpeshtë’’. (M.Zeqo, ‘Panteoni ilir”, f.171)
Emri Kaoni përmendet edhe nga gjeografi grek Skyllaksi (shek. VI-V para Krishtit). Në veprën “Periplus”, ai nënvizon: “Ilirët banojnë që nga kufijtë e liburnëve e deri në Kaoni. Kjo ( Kaonia) ndodhet përballë Kërkyrës, ishullit të Alkinoit”. Është atje një qytet helen, i quajtur Hereaklea.” (M.Zeqo,”Panteoni ilir”) Në “Eneidën” e Virgjilit jepet një tjetër e dhënë: “Emri Kaoni vjen nga emri i heroit trojan, Kani”. Kjo tezë nuk besoj se qëndron, mbasi kaonët përmenden në kohë edhe më të lashta.
Arkeologu me famë europiane, Q.Truhelka, thotë : “Shqiptarët (dhe baskët në Pirene) janë pasardhësit e popujve më të vjetër, të cilët në kohë shumë të lashta, parahistorike, kanë jetuar në kontinentin europian.” Ndërsa studiuesi M.Zeqo thotë se ky truall “trashëgon diçka nga trualli i paditur dhe i panjohur për grekët”.
Studiues të lashtë dhe të rinj janë marrë me deshifrimin e miteve dhe të toponimisë ilire, si:
Liopes: Toponim, vendbanim në fisin e mollosëve. Mund të ketë lidhje me “lopesiet” që përmenden tek Homeri, ose, siç do t’i quanim ndryshe, “plakat e tempullit të Dodonës”.
Himera: Sipas legjendës, është përfytyrimi legjendar i vullkanit . Himera paraqitet si një qenie me tri kokë e cila nxjerr zjarr nga goja.
Pilur: Emër fshati, që ndodhet mbi Himarë. Me rrënjën e fjalës shqipe “pyll” në Greqi ka 20 toponime, qyteza vende dhe fshatra.
Keraune:- Mal mbi Himarë, që do të thotë perëndi ( në hindisht: “perjangeas”, në lituanisht: “perkunas”, në galisht: “ceanunas”, në sllavishten e vjetër: “perunë”, në greqisht: “ceraunos”).
Badhra:– Kalaja e lashtë e Borshit. Kjo fjalë ka në rrënjën e vet ilire”barth” (bardhë), dhe lidhet me hyjninë e Jupiterit, Jupiter Parthinus. Ky është hyu kryesor i fisit ilir të partinëve (bardhinët). Ka mendime se “parthin” i përket gjuhës egjiptiane…(?)
Krise ( Krizë): Vendbanim pranë Borshit të vjetër. Me prejardhje nga emri i një prej titanëve, Kri-osit. Mendimi i shumë prej albanologëve të huaj është se kjo fjalë ka lidhje me shqipen, me emrin “krie”(kokë).
Rezomë dhe Boreas: Të dyja këto toponime janë me prejardhje nga emrat e erërave: “rizon” dhe “borea”, emërtime kultesh të erërave . Rizon e gjejmë tek ilirët, po mund të jetë edhe një mbeturinë e popullsisë etruske, e cila quhej “reze”?!…
Terna : Mbi fshatin Fterë. Është fjalë e lashtë shqipe që vjen nga fjala Tirinth. “Jeta në Tyrinth,- thotë studiuesi i njohur italian P.Dukali, – nis nga 10000- 8000 vjet para Krishtit”. Toponime të tilla, si :Terna, Ternovë, Turan, etj. gjen në Korçë, në Maqedoni, në Kosovë, në Itali, në Greqi e gjetkë… “E ata që zotëronin Argosin dhe Tyrinthin me mure.”(Homeri)
*VOAL po boton “Disa toponime të vendbanimeve të Kaonisë” e cila vijon librin studimor “Në kërkim të rrënjëve” të shkrimtarit dhe diejtarit të shquar Sulejman Mato.
Komentet