Meqë muaji Mars i çdo viti është muaji i heroit të kombit shqiptar, Bajram Currit, ja disa të dhëna që besoj se janë me vlerë.
Heroi i popullit Bajram Curri lindi në vitin 1862 në fshatin Krushë e Madhe në një karro i rrethuar prej bajonetave turke, kur prindërit e tij të njohur për tradita patriotike po dërgoheshin në burgun e Prizrenit në Kosovë. Heroi i vogël atëherë, 6 muajt e parë të foshnjërisë i kaloi në burg. Bajram Curri fëmijërinë e tij e kaloi në Gjakovë ku nuk kishte asnjë shkollë shqipe. Po ku është vendlindja origjinale e prindërve të Bajram Currit? Vendlindja e prindërve të B. Currit është fshati Koçanaj, lagjia Vukaj, Tropojë. Bajram Curri që në moshën 18 vjeçare u lidh me origjinën e prindërve të tij në Malësinë e Gjakovës. Luftoi përkrah Mic Sokolit, Sulejman Vokshit e mijëra luftëtarëve të tjerë për mbrojtjen e tokave shqiptare të Plavës e të Gucisë si trim e hero. Bajram Curri, në konflikt me sulltanin në vitin 1892 tërhiqet në vendin e tij, Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ku formoi një çetë luftëtarësh duke luftuar kundër Mustafa Pashës.
Bajram Currin e mbajtën dy familje në fshatin Margegaj. E mbajti familja e patriotit Shpend Bali ku prej aty u fillua edhe Revolucioni Demokratik i vitit 1924. Tjetra ishte familja e Ali Niman Osmanajt e fshatit Margegaj, ku në katin e tretë të kësaj shtëpie Bajram Curri kishte dhomën e tij personale. Në dhomën e B. Currit në shtëpinë e Ali Nimanit është vendosur një titull nderi për patriotizmin revolucionar, një pllakë me shkrimin: “Këtu jetoi e drejtoi Heroi i Popullit Bajram Curri”. Nga kjo familje ka qenë partizan i Brigadës së 25 edhe djali 18 vjeçar Hysen Maxhun Osmanaj. Bajram Currin e mbajti e gjithë Shqipëria. E mbajti Kosova, por e mbajti më shumë Malësia e Gjakovës. Në fshatin Koçanaj B. Curri jetoi e punoi, e drejtoi popullin në betejat e mëdha për çlirimin e kombit shqiptar nga zgjedha xhonturke.
Kush është familja e fshatit Koçanaj që mbajti B. Currin? Ajo është shtëpia e Hoxhë Dollapit. E vetmja familje në rrethin e Tropojës ishte kjo familje që mbajti gjithë rilindësit e kohës me vite të tëra. Në këtë shtëpi qëndruan gjithë heronjtë e Rilindjes së Kosovës si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Asim Vokshi, Imer Prizreni, Bajram Curri etj. Kudo ku ka ndenjur, ka jetuar e është strehuar, në periudha të shkurtra apo të gjata, populli i Malësisë së Tropojës ka kontribuuar në mbajtjen e heroit me të gjitha nevojat që ka patur, deri edhe në shoqërimin e përcjelljen në vendstrehime e sigurime për jetën.
Bajram Currin e mbajti trimëria e bujaria e gjithë fshatit të Dragobisë e konkretisht shtëpia e Tan Alisë e Dul Alisë. Aty jetoi, fjeti e hëngri bukën e gjithë dragobiasve, duke e ruajtur me pushkë e barot siç bëjnë trimat për trimin. B. Currin e ruajti edhe shpella e Dragobisë me trimat e Mulosmanëve. Më 29 Mars 1925 vritet Heroi i Popullit B. Curri. E vrau regjimi i Ahmet Zogollit me krye xhandarin Kadri Mehmetin. Kur B. Curri e pa veten të rrethuar nga xhandarët, nxori alltin (revolen) e i ra vetes. Kur i dolën zogistët para e i thanë: “A po lidhesh, apo don me vdekë?”, Bajram Curri iu përgjigj me këto fjalë: “Mua s’më ka lidh as Krajli, as Mbreti, e jo po më lidh Kadri Mehmeti…” Dhe në këtë moment, për të mos iu dorëzuar xhandarmërisë zoriste, B. Curri nxori alltinë e i ra vetes.
Kush ishin trimat që e shoqëronin B. Currin? Ata ishin: Shefqet Draga, Met Veseli, Qerim Balili, Isuf Rexha etj. Ish-komuna Margegaj, çdo 29 Mars në bashkëpunim me Kryesinë e Veteranëve të rrethit Tropojë e kemi organizuar popullin dhe kemi dalë tek lapidari ku u vra B. Curri dhe me këngë e valle e kemi përkujtuar rënien e heroit së bashku me shkollat e Valbonës e Dragobisë. Edhe këtë vit do ta organizojmë përkujtimin e heroit tonë B. Curri më 29 Mars 2016. Zona e ish-komunës Margegaj ka tre heronj populli, B. Currin, Ram Sadrin e Haxhi Zek Byberin. Lavdi paçin!/DITA
Komentet