Në një bllokim trafiku në M4, një fuoristradë e zezë Mercedes vihet pranë meje. Nëpër xhamat e saj të veshur , shoh shoferin që mban syze të errëta. Ai duket disi i keq. Ndërsa më parakalon, vërej targat që e identifikojnë makinën si shqiptare. Ai mund të jetë kirurg ose profesor, por as unë nuk mundem t’i shpëtoj paragjykimit.
Më kujtohet vizita ime e parë në Shqipëri në vitin 1985. Udhëtimet ishin të ndaluara, ishte një nga vendet e fundit në Tokë ku mund të gjeje ende buste të Stalinit në sheshet publike.
Sot Shqipëria është një vend demokratik, kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe një anëtare e NATO-s. Por renditet në vendin e 110-të nga 180 vende të vlerësuara nga indeksi i perceptimit të korrupsionit të “Transparency International”.
Shqipëria është gjithashtu e njohur si një burim i një numri të madh refugjatësh. Argumentet janë të ndezura për numrin e tyre dhe statusin ligjor, por shqiptarët dhe kushërinjtë e tyre, kosovarët etnikisht shqiptarë, shpesh provokojnë zemërim në Britani.
“Asnjë shqiptari të vetëm nuk duhet t’i jepet azil dhe as të lejohet të aplikojë për të”, komenton një lexues i Telegraf: “Drejt në aeroport dhe në shtëpi”. Por unë pyes veten: A ka mes tyre njerëz normalë e të denjë?
I etur për të pasur një pamje më të rrumbullakosur për shqiptarët në Britani, udhëtimi im i vogël i zbulimit filloi në ‘Illyrian Grill House’, një restorant shqiptar në Palmers Green, në veri të Londrës. Një rrugë periferike që doli të ishte një lloj Shqipërie e Vogël.
Mësimi i parë ishte se bizneset shqiptare nuk ‘bërtasin’ për të qenë shqiptare. “Mesdhetar” është përshkrimi i zakonshëm. E dyta është se ‘Illyrian’ shërben një mëngjes masiv dhe të shijshëm shqiptar, me sallam të bërë vetë, djathë shqiptar, vezë të skuqura, ullinj dhe speca të skuqur që ‘zihen’ për hapësirën në pjatë.
Është plot me familje të këndshme. Staf simpatik, të gjithë shqiptarë, me kostum të pjesshëm kombëtar, shumë mikpritës. Atë mbrëmje, unë dhe partnerja shijuam një darkë të bollshme dhe takuam edhe bashkëpronarin, 33-vjeçarin Olti Bokçiu. Ne provuam pjata si levreku i pjekur në skarë i marinuar me vaj dhe djathë të bardhë dhe një pjatë të quajtur tavë dheu – mëlçi viçi e gatuar në një pjatë balte me speca, domate, hudhër – të gjitha të shoqëruara nga një verë e kuqe e shkëlqyer shqiptare.
Bokçiu, një i ri serioz, u habit që unë kisha qenë në vendin e tij para se ai të lindte. Ai ka një diplomë biznesi dhe gjithashtu zotëron një kompani ndërtimi. Ai preferon punëtorët shqiptarë dhe polakë, por më tregoi me krenari se kishte marrë një menaxher anglez dhe dëshiron t’u japë punë më shumë njerëzve vendës.
Restorantin e kishte hapur vetëm 18 muaj më parë. Shumica e klientëve janë shqiptarë. Në mure ka fotografi të shqiptarëve të njohur si Nënë Tereza, kostume kombëtare në vitrina të stilit muzeal dhe një bust prej druri të heroit kombëtar, Skënderbeut, një komandant lufte i shekullit të 15-të.
A e sheh Bokçiu të ardhmen e tij këtu? “Sigurisht që do të qëndroj. Unë kam edhe dy vëllezër këtu, ata kanë gra dhe fëmijë në shkollë. Gjithçka që kam, e kam për shkak të këtij vendi. Kjo është arsyeja pse në zyrën time kam flamujt e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë krah për krah. Në këtë vend ka punë sa të duash”.
Në dy orë bisedë, nuk dëgjuam asnjë ankesë. Pak njerëz të lindur në Britani mund të qëndrojnë kaq gjatë pa një ankim për Britaninë. Gjithashtu, ai nuk na la as të paguanim, – mbajeni mend këtë, shqiptarët janë shumë mikpritës.
Mungesa e ankimit ishte e njëjtë edhe në bisedën time të radhës, me Adelina Morinën, një kontabiliste 43-vjeçare për një kompani globale softuerësh. Morina ka lindur në Kosovë dhe ka ardhur këtu në vitin 1992, 13 vjeç. Kur shpjegoj dyshimin tim për Mercedesin me targa shqiptare në M4, ajo buzëqesh dhe ngre supet. “Ka të mirë dhe të këqij kudo”, thotë ajo. “Kam hasur paragjykime kur kam hyrë në vendin e punës. Njerëzit nuk kishin besim tek unë dhe gjërat ishin të vështira derisa unë u tregova dhe ata panë potencialin tim”.
Ajo pajtohet me pikëpamjen pro-britanike të Bokçiut. “Kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime këtu. Më pëlqen. Ky është një vend i mundësive. Ju mund të zgjidhni të mos i merrni ato, veçanërisht nëse pagesa nuk është e madhe. Prindërit e mi më mësuan të drejtën dhe të gabuarën. E kuptoj që ju nuk mund ta falni emigracionin e paligjshëm, por duhet të kuptoni pse njerëzit rrezikojnë kaq shumë për të ardhur këtu. Shqipëria është e bukur, por atje nuk ka garanci mbrojtje nga ligji, as sistem efikas shëndetësor, ende nuk ka infrastrukturën e duhur”.
“Kur isha një nënë e re beqare në krizën financiare të vitit 2008, – shton ajo, – bëra tre ose katër punë në të njëjtën kohë për të rritur fëmijën tim”.
A shoqërohet ajo me shqiptarët këtu? Ajo është e afërt me motrën e saj në Hertfordshire, një menaxhere e lartë në farmaceutikë, dhe ndonjëherë shkon në një pijetore shqiptare – ‘Queen’s Arms’ në Kilburn, e cila, u habita kur dëgjova, është në pronësi të prindërve të Rita Orës, këngëtares me origjinë nga Kosova.
Lokali shërben ushqim shqiptar dhe ka muzikë live shqiptare. “Është një ambient komod”, thotë Morina, “dhe është bukur të flasësh shqip. Por jo shumë shpesh”.
Më pas, shkoj në Kings Road në Chelsea për të takuar Klentiana Mahmutaj, një avokate karizmatike 44-vjeçare e lindur dhe e shkolluar në Tiranë, dhe ndoshta – pas Rita Orës dhe koleges së saj këngëtare Dua Lipa – shqiptarja e profilit më të lartë në Britani. Është e martuar me një avokat britanik dhe ka një djalë të quajtur Uilliam.
Si avokate, ajo ka ndjekur penalisht organet zyrtare, duke përfshirë Agjencinë e Mjedisit, Zyrën e Mashtrimeve të Rënda dhe Policinë Metropolitane – dhe është krenare, si një grua e lindur jashtë vendit, që ka lejen e sigurisë që i lejon një punë kaq me përgjegjësi. “Në Shqipëri, nepotizmi është i lartë, nuk do mundesha të bëhesha kjo që jam këtu”, thotë ajo.
Si një konservatore qendrore aktive në të drejtat e njeriut, Mahmutaj është në konflikt me çështjen e emigracionit shqiptar. Ajo vlerëson se perspektivat për shqiptarët në vendin e tyre janë të kufizuara nga korrupsioni, por këmbëngul se Mbretëria e Bashkuar duhet të hapë kufijtë e saj.
Ajo favorizon një politikë pragmatike të të qenit të hapur ndaj shqiptarëve që vijnë, që mund të jetë e dobishme për një Britani me mungesë të fuqisë punëtore. Ajo kundërshton mediat dhe politikanët që nënkuptojnë se të gjithë shqiptarët janë kriminelë duke vënë në pah përkatësinë etnike të atyre pak të dënuarve.
“Ka kriminalitet, kjo nuk është e pasaktë, por të stereotiposh dhe të pikturosh të gjithë atë vend me të njëjtën furçë dhe t’i shash të gjithë, mendoj që është gabim”.
“Shqiptarët janë njerëz të talentuar”, thotë ajo. “Jemi vetëm 3 milionë banorë në Shqipëri, por ne kemi dhënë kontribute të mëdha këtu dhe në mbarë botën në akademi, në shkencë, në mjekësi, në banka. Secilit prej nesh na takon që ta themi me krenari se jemi shqiptarë në vend që ta fshehim atë”.
Ashtu si Olti Bokçiu, edhe Mahmutaj ka një flamur shqiptar në zyrë. “Britania është shtëpia dhe ky është vendi im, por është shumë e rëndësishme të kujtohesh se kush je dhe nga vjen”…
—–
Botuar në DITA, marrë me shkurtime nga gazeta britanike The Telegraph
Nga 11 janari, shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit, do të kenë mundësi të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet e përgjithshme.
“Duke uruar gjithë shqiptarët për një Vit të Ri 2025 me shëndet e mbarësi për ta, njoftoj se në datën 11 janar 2025, fillon procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025”, u shpreh kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Kreu i KQZ-së ka sqaruar edhe procedurën e regjistrimit.
“Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ, ose nëpërmjet faqes së internetit të këtij institucioni”, thotë Ilirjan Celibashi.
Në zgjedhjet e 11 majit do te jetë hera e parë që qytetarët shqiptarë me banim jashtë territorit të vendit do të kenë mundësi të votojnë atje ku ata e kanë vendqëndrimin e tyre. sn
Festa e Vitit të Ri në ‘Times Square’ të Nju Jorkut organizohet që prej 120 vjetësh. Pika kulmore e saj është rënia e një topi gjigand prej kristali dhjetë sekonda para përfundimit të vitit. Festa tani është kthyer në një nga ngjarjet kryesore artistike që përfshin interpretime nga disa prej emrave më të njohur të industrisë së argëtimit. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut tha të hënën se nuk ka ndonjë “kërcënim të besueshëm” për festën. Rita Ora është për të dytin vit radhas në krah të Ryan Seacrest, në drejtimin e koncertit.
Këngëtarja dhe aktorja e lindur në Prishtinë Rita Ora premton se festa e këtij viti ‘Dick Clark’s New Year’s Rockin Eve’ do të ketë diçka për të gjithë.
Ajo së bashku me një nga moderatorët dhe producentët më të njohur të Shteteve të Bashkuara, Ryan Seacrest do të drejtojnë festën më të njohur në botë për Vitin e Ri, në sheshin kryesor të Nju Jorkut.
Seacrest e organizon këtë koncert në qytetin më të madh amerikan prej 20 vitesh.
“Kemi mbi 60 këngë që do të interpretohen nga artistë të ndryshëm nga e gjithë bota, do të kemi lidhje të drejtpërdrejtë me Londren, Luis Fonso do të interpretojë nga Puerto Riko, Lenny Kravitz nga Las Vegasi. Rita është këtu në Nju Jork, më pas grupi TLC, Jonas Brothers…”, thotë producenti Seacrest.
“Për mua është ngazëllyese. Të gjithë janë shumë të emocionuar. Ka njerëz që janë këtu që nga mëngjesi. Të gjithë janë të lumtur që janë këtu dhe pavarësisht se është pak kaos, në të njëjtën kohë, është e mahnitshme”, thotë këngëtarja dhe aktorja Rita Ora.
Nga viti 1904, festa e Vitit të Ri në sheshin më të njohur të Nju Jorkut ka ndryshuar tej mase. Nga viti 1907 një top gjigand vendoset në maje të ndërtesës 25 katëshe ‘One Times Square’. Topi i mbuluar me kristale, fillon të bjerë ndërsa miliona zëra bashkohen për të numëruar sekondat e fundit të vitit dhe për të festuar fillimin e një viti të ri plot shpresë, sfida dhe ëndrra.
Ceremonia e zbritjes së topit nuk është mbajtur vetëm në vitet 1942 dhe 1943 për shkak të Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur qytetin nga sulmet e mundshme.
Policia e Nju Jorkut njoftoi se pavarësisht se nuk kanë ndonjë informacion të besueshëm për ndonjë rrezik, ajo ka marrë masa të ndryshme sigurie për të mbrojtur banorët.
“Publiku do të shohë një prani të madhe policësh në të gjithë qytetin. Kjo përfshin anëtarë të disa prej njësive tona të specializuara , duke përfshirë njësinë tonë të shërbimeve të urgjencës, të cilët do të vendosen në mënyrë strategjike në të gjithë zonën në çati”, tha ndër të tjera komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch.
Ajo shtoi se policia do të përdorë edhe dronë për të vëzhguar situatën dhe për më tepër, meqenëse pritet një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve në një hapësirë të ngushtë, policia do të angazhojë edhe ekipe të dedikuara për të ndaluar hajdutët e mundshëm të xhepave në ‘Times Square’.
‘Gjithashtu, të gjitha pusetat, kutitë postare, makinat shitëse dhe shportat e mbeturinave ose do të mbyllen ose do të hiqen fare nga zona e bllokuar. Do të krijohen korsi sigurie të ngrira rreth ngjarjes duke përdorur makina bllokuese dhe barriera betoni dhe si gjithmonë, do të ketë shumë masa sigurie që nuk do t’i shihni”, tha zonja Tisch.
Festa e Vitit të Ri, “Dick Clark’s New Year’s Rockin Eve”, transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin ABC.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka publikuar krijimin e platformës, e cila do të funksionojë si një mënyrë që emigrantët do u duhen të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Ilirjan Celibashi sqaroi se kjo platformë do të mbrojë çdo të dhënë mbi identitetin e personit të regjistruar, duke mos cënuar kështu sigurinë personale.
Kreu i KQZ-së u shpreh se Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER) ka dy faza dhe aplikantët mund të regjistrohen pa një dokument identifikimi të vlefshëm.
“Fazën e parë të krijimit të profileve të llogarisë të çdo aplikanti dhe në një moment të dytë kur ai e çmon mund të aplikojë për tu regjistruar në listën e votuesve nga jashtë”, tha Celibashi.
Ai shtoi se: “I japim kohën që gjatë kësaj periudhe 60 ditore çështja e vlefshmërisë së dokumentit të adresohet qoftë nga aplikanti, qoftë në një mënyrë tjetër.”
Ilirjan Celibashi: Kemi ndërtuar një platformë e cila siguron plotësisht mbi identitetin e atij që aplikon, krahasuar kjo me të ngjashmet e saj, mendoj se përmban standardin më të lartë të sigurisë.
Kemi konsideruar të gjitha aspektet që lidhen me përdorimin e të dhënave personale. Platforma është e tillë që ka dy faza, fazën e parë të krijimit të profileve të llogarisë të çdo aplikanti dhe në një moment të dytë kur ai e çmon mund të aplikojë për tu regjistruar në listën e votuesve nga jashtë.
E kemi ndërtuar në këtë mënyrë për ti krijuar mundësinë kujtdo votuesi nga jashtë, pavarësisht faktit që disponon apo jo një dokument identifikimi të vlefshëm, të ketë akses në platformë, të krijojë profilin e tij, të regjistrohet për të qenë zgjedhës nga jashtë për një periudhë 60 ditore edhe pse nuk ka një dokument identifikimi të vlefshëm. Duke i dhënë kohën që edhe gjatë kësaj periudhe 60 ditore çështja e vlefshmërisë së dokumentit të adresohet qoftë nga aplikanti, qoftë në një mënyrë tjetër.
Për mënyrën e krijimit të llogarisë. Nga personat që janë në moshë të thyer. Platforma do të ketë edhe një sistem të ndihmës nëpërmjet një chatbot, nëpërmjet një komunikimi të drejtpërdrejt me KQZ, me shërbimin e ËhatsApp apo e-mail.
Po listoj, nuk po them që gjyshërit tanë janë të familjarizuar me teknologjinë e informacionit, e para do të duhet të pranojmë që ajo që është prezantuar deri tani është në përputhje të plotë me të gjitha parashikimet, si të kodit zgjedhor, ashtu edhe të aktit rregullator.
Jemi dakordësuar që krijimi i llogarisë kështu do të jetë, mund të implikojë vështirësi për një kategori votuesish dhe me siguri do të duhet të asistohen, por nuk ka mënyrë tjetër për të harmonizuar sigurinë mbi identitetin e tij që aplikon me lehtësinë për të aplikuar.
Mendoj se i kemi kombinuar në mënyrën më të mirë këto kërkesa.gsh
Kreu demokrat, Sali Berisha, u shpreh se pjesëmarrja e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në zgjedhjet e 11 majit do të jetë një faktor përcaktues në fitoren e opozitës.
Berisha tha se vota e mbi 1.5 milionë shqiptarëve se sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit, ka një rëndësi të jashtëzakonshme, së pari si ushtrim i të drejtës kushtetuese të mohuar në mënyrë antikushtetuese gjer sot, së dyti ka rëndësi për rolin e tyre në këto zgjedhje, të cilat janë zgjedhjet që ndajnë Shqipërinë nga narkodiktatura dhe është një fat i madh për çdo shqiptar kudo që ndodhet nga Afrika e Jugut, në Alaskë apo Kepin e Veriut.
“Nga Zelanda e re gjer në Kaliforni, kudo që banon të japë kontributin e tij për ndarjen e Shqipërisë nga diktatura e dytë dhe në disa aspekte edhe më shkatërrimtarja në tërë historinë kombëtare në sensin demografik.
Është përgatitur nga ekspertët tanë, uebin në të cilin aplikon çdo qytetar shqiptar jashtë vendit, regjistrohet për të votuar. Merr çdo informacion dhe është një lehtësi shumë e madhe, për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit që mund të aplikojnë dhe marrin të gjithë informacionin.
Regjistrohen në këtë ueb për të pasur të gjitha lehtësitë që meritojnë për pjesëmarrjen në votime, për ushtrimin e të drejtës së votës, të drejtës kushtetuese të votës.
Natyrisht ky është njëri aspekt i përpjekjes tonë, për të lehtësuar procesin e votimit. Përpjekje të tjera vazhdojnë. Ne jemi në një seri takimesh në vende të ndryshme dhe do të vazhdojmë këto takime intensive si për të bërë fushatë elektorale, po ashtu për ftuar, informuar qytetarët shqiptarë jashtë vendit për mundësinë e ushtrimit të të drejtës së tyre të votës.
Për ne, pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë vendit në këto votime është e një rëndësie shumë të madhe dhe llogaritim se do të jetë një faktor përcaktues në fitoren e opozitës dhe popullit opozitar në 11 maj 2025″, shprehet Berisha.BW
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në mesnatë ka përfunduar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90.860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është 18.244”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi bëri të ditur se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë 27 dhjetorit dhe më pas KQZ-ja do të ketë një raport përfundimtar për numrin e qytetarëve të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Më 26 dhjetor, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje tha se synonte që të zgjaste periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës deri të dielën. Por, mbledhja e KQZ-së dështoi për shkak se në të nuk morën pjesë përfaqësuesit e partive opozitare.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt 2025.
Në këto zgjedhje, shtetasit e Kosovës jashtë vendit do të mund të votojnë edhe në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Më herët gjatë dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se do të jenë 22 kuti postare në 22 shtete të ndryshme ku pjesëtarët e diasporës do të mund të votojnë. Ndërkaq, votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete.
Ku do të mund të votojë mërgata e Kosovës?
Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete:
Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Zvicër.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë për herë të parë janë përfshirë edhe shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë dhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ata janë rreth 550.000 persona.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008. REL
Ndërsa Shqipëria prej dekadash po vuan nga rrjedhja e trurit, shtetet fqinjë, Greqia dhe Italia, ku kanë shkuar pjesa më e madhe e shqiptarëve, kanë emigrantë të mbikualifikuar. Eurostat ka publikuar së fundmi të dhënat e integrimit të emigrantëve në shtetet e Bashkimit Europian. Greqia, është shteti që ka normën më të lartë të emigrantëve të mbikualifikuar në Europë, me rreth 70% të tyre, që duket se bëjnë një punë të një niveli më të ulët sesa ata kanë kualifikimin.
Ky shtet ka dhe diferencën më të lartë mes mbikualifikimit të emigrantëve dhe qytetarëve të vet. Më pak se 30% e qytetarëve grekë vlerësohen si të mbikualifikuar për punët që bëjnë. Në Greqi, Shqipëria është komuniteti i parë ma i madh i emigrantëve, sipas të dhënave zyrtare. Mbikualifikimi i emigrantëve në Greqi është shumë më i lartë sesa mesatarja e tyre në Bashkimin Europoian, prej rreth 40%.
E njëjta tendencë është dhe në Itali, ku rreth 64% e emigrantëve vlerësohet të mbikualifikuar, ndërsa vetëm rreth 20% e italianëve konsiderohen të tillë. Në Itali, shqiptarët janë komuniteti i dytë i huaj më i madh, pas rumunëve. Sipas Eurostat, ndër të gjitha vendet e BE-së me të dhëna të besueshme, normat më të larta të mbikualifikimit të vërejtura në vitin 2023 ishin në Greqi (69,6%) dhe Itali (64,1%), të dyja për shtetasit jo të BE-së. Në të kundërt, shkalla më e ulët ishte në Luksemburg për qytetarët e një vendi tjetër të BE-së (5,6%).
Italia dhe Greqia ishin gjithashtu vendet me hendekun më të madh midis shtetasve të BE-së dhe atyre jo të BE-së. Në Itali, ku diferenca ishte më e madhe, vlera minimale e vërejtur për shtetasit ishte nën mesataren e BE-së (20,0% kundrejt 20,8%), ndërsa vlera maksimale e vërejtur për shtetasit jashtë BE-së ishte shumë mbi të (64,1% kundrejt 39,4%). Në Greqi, norma të larta mbi mesataren e BE-së u vunë re si për shtetasit (31,1%) ashtu edhe për shtetasit jo-BE (69,6%).
Njerëzit kanë nevojë për aftësi dhe kualifikime për të marrë pjesë me sukses në fuqinë punëtore, thotë Eurostat. Të dhënat për kualifikimet, të matura me nivelin më të lartë të arritjeve arsimore, janë një tregues i rëndësishëm i aftësive të ofruara në tregun e punës. Arsimi i lartë në përgjithësi shoqërohet me perspektiva më të mira punësimi.
Personat me arsim të lartë, të cilët janë shtetas të huaj ose të lindur jashtë kishin një situatë më pak të favorshme punësimi gjatë periudhës 2014-2023, vëren Eurostat. Krahasuar me individët ose shtetasit e lindur në vend, ka më shumë gjasa që kualifikimet e tyre formale të mos përdoren plotësisht në tregun e punës.
Dallimet midis shtetasve dhe jo shtetasve, megjithatë, janë ngushtuar, vëren Eurostat: ndërsa norma për shtetasit mbeti relativisht e qëndrueshme (nga 20,7% në 2014 në 20,8% në 2023), shkalla për shtetasit jo-BE u ul nga 45,9% në 2014 në 39,4% në vitin 2023.
Të paktën 920 mijë shqiptarë jetojnë në vendet e BE-së
Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, nga viti 2008 deri në 2023-n, shtetet e Bashkimit Europian kanë dhënë rreth 920 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë.
Numri më i madh i lejeve është dhënë nga Italia, me rreth 445 mijë. Në vend të dytë është Greqia, me 284 mijë leje gjithsej.
Të dy këto shtete kanë dhënë gjithsej rreth 80% të lejeve të akorduara për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së për peruidhën 2008-2023./ Monitor
Dyqani i Ardianit ku tregtojnë mish dhe bulmet. Foto:Ardian Nerguti (Courtesy Photo)
Paratë e fituara nisi t’i investojë në fshatin e lindjes në Gjegjan të Kukësit.
Ai ishte i përgatitur për vështirësitë që ka çdo fillim i një sipërmarrjeje, por jo edhe për pengesat që do t’i dilnin në institucionet e vendit të tij për pronësinë e tokës.
Ardian Nerguti me bashkëshorten dhe vajzën.
Entuziazmi i fillimit thotë se u zëvendësua me zhgënjim, e madje deri diku edhe me pendim.
Nga qyteti çek në fshatin në Kukës
Ardiani emigroi fillimisht në Greqi për gjashtë vjet. Më pas u zhvendos në Angli, e së fundi në Çeki.
Aty krijoi familjen e tij me Pavlën – një vajzë e qeshur çeke dhe e dashuruar me natyrën shqiptare.
Çifti ka një vajzë 4 vjeçe e gjysmë.
Vajza e çiftit Nerguti në fermë.
Pas një çerek shekulli në emigrim dhe pasi mblodhi disa kursime, Ardiani vendosi të kthehej në Shqipëri në maj të këtij viti.
“E kishim diskutuar disa herë edhe me bashkëshorten dhe vendosëm të hapnim një fermë në fshatin tim të lindjes. Kështu u kthyem në Gjegjan të Kukësit dhe nisëm jetën tonë të re në Shqipëri”, rrëfen Ardiani për Radion Evropa e Lirë.
Ajo është një vajzë qyteti, tregon se ka lindur dhe jetuar në Shumperk të Çekisë, por se është përshtatur mirë me fshatin dhe punët e tij.
Ardiani me bashkëshorten dhe vajzën në Çeki, para kthimit në Shqipëri.
Toka e trashëguar brez pas brezi, por pa dokumente
Ardiani thotë se ishte i përgatitur për problemet që do t’i kishte në lidhje me fermën, pasi çdo fillim i ka vështirësitë e veta.
Në fshatin ku u lind dhe u rrit, ndërtoi një stallë, ku mban 18 krerë lopë dhe disa pula, dhe kështu nisi ta bënte realitet ëndrrën për të investuar në vendin e tij.
Aktualisht, ka edhe një dyqan me qira, ku tregton produkte të mishit dhe qumështit, si dhe vezë.
Pavla para dyqanit ku shet mish dhe bulmet.
Por, ajo që nuk e kishte menduar kurrë, doli të jetë problematika me tokën e trashëguar brez pas brezi.
Ajo sipërfaqe toke, për të cilën thotë se i gjithë fshati e dinte se ishte në pronësi të familjes së tij, rezultoi të mos jetë e gjitha e dokumentuar.
“Është tokë e trashëguar, por jo e regjistruar. U habita kur mësova se toka nuk ekzistonte fare në kadastër. Ka qenë tokë që e kemi përdorur dhe trashëguar tash e 300 e më shumë vjet”, thotë 42-vjeçari.
“Nga kjo pjesë toke që unë besoja se e trashëgoja, hoqa dorë. Pastaj, duke kërkuar në dokumentet e babait që nuk jeton më, gjeta disa letra që tregonin se kishim të dokumentuar rreth 600 metër truall në dy zona të ndryshme dhe kërkova të bëhej kalimi nga emri i babait tek unë”, rrëfen ai.
Por, përgjigjja që mori thotë se ishte e çuditshme. Ai duhej të hiqte dorë nga njëri prej trojeve prej 300 metrash, për të trashëguar 300-metërshin tjetër.
Ofrohen fonde për investime, por me kritere të paplotësueshme
Zhgënjimi i kësaj familjeje, veç problemeve me pronësinë e tokës, lidhet edhe me mungesën e mbështetjes nga shteti për investimin që ka nisur në një qark, i cili është ndër më të prekurit nga emigrimi.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural në Shqipëri shpesh bën thirrje për përfitim të fondeve për të investuar në bujqësi.
Në një prej takimeve informuese mori pjesë edhe Ardiani, por thotë se mbeti shumë i habitur.
Stalla në fermën e Ardianit.
“Në takim na u tha se mund të përfitonim deri në 750 mijë euro, por kushti i parë ishte që toka ku do të investohej, të ishte e regjistruar me dokumentacion të plotë. Të vihet ky kusht kur dihet që më shumë se 90% e banorëve të fshatrave të Kukësit nuk e kanë tokën me dokumente, duket pa kuptim”, thotë Ardiani.
“Nëse shteti e di këtë problematikë, nuk mund ta ketë kusht për marrjen e një fondi mbështetës, por duhet ta zgjidhë fillimisht atë”, thotë ai.
Bashkëshortja e tij, Pavla, është gjithashtu e mërzitur nga kjo situatë.
Ajo thotë se problem i madh është mungesa e ndihmës nga shteti për planin e tyre të biznesit.
“I kemi investuar të gjithë paratë tona dhe nuk po gjejmë mbështetje për ta ristrukturuar shtëpinë e prindërve të bashkëshortit tim, për ta përshtatur për fëmijën tonë, e po ashtu kemi edhe probleme me pronësinë e tokës”, thotë ajo.
Shtëpia e çiftit Nerguti në fshatin Gjegjan të Kukësit, Shqipëri.
“Më lehtë të regjistrosh pronë në emigrim se në vendin tënd”
Ardiani thotë se e ka shtëpinë e tij në Çeki, ashtu si edhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke.
“Gjithë atë pasuri e kam arritur me punën time, e gjithashtu e kam dokumentuar shumë lehtësisht. Mendo ta bësh këtë në një shtet të huaj ku isha emigrant, e në vendin tënd nuk arrin ta dokumentosh pronën tënde, një pronë që familja ime e trashëgon ndër shekuj. Duket shumë ironike”, thotë Ardiani.
Shpesh thotë se ndihet keq, sepse “përpiqen ta bëjnë të duket edhe i paditur”.
“… por, pastaj them: kur kam arritur ta realizoj këtë në Çeki, nuk është tek unë problemi, por te sistemi, tek institucionet, por si zgjidhet”?
Kjo pyetje thotë se e mundon prej shumë muajsh dhe se zhgënjimi për vendimin që mori për t’u kthyer në Shqipëri, tashmë i ka kaluar në pendim.
“Do të vazhdoj ta bëj maksimumin për ta pasur në emrin tim atë tokë që rezulton e regjistruar… Por, nuk më ka mbetur gjë tjetër se i kam marrë institucionet me radhë, veçse t’i drejtohem kryeministrit [Edi] Rama me ndonjë letër”, thotë fermeri.
Pavla në stallën e fermës së saj.
Ai vazhdon të punojë fort me bashkëshorten dhe nënën e tij, por të ardhmen e sheh të zymtë.
“Në Çeki vijoj të paguaj detyrime për shtëpinë dhe tokën, ndërkohë që këtu jam në një udhëkryq. Sigurisht që në këto kushte, largimi duket zgjidhje optimale”, thotë i prekur Ardiani.
Qeveria – thirrje për kthim të emigrantëve për të investuar
Në takimet që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi muajve të fundit me diasporën, por edhe në zona të ndryshme turistike malore, ai u bëri thirrje emigrantëve të kthehen në Shqipëri për të investuar, duke thënë se Qeveria po përgatit Paketën e Maleve.
“Do të jetë një paketë me një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male, në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen. Dhe, me bukuritë e këtyre maleve, të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha Rama.
Paketa e Maleve synon, mes tjerash, turizëm malor 365 ditë në vit, rivitalizim të zonave malore dhe zgjidhje të çështjes së pronësisë.
Pamje nga fushat e fermës Nerguti.
Kjo çështje e pronësisë mbi tokën është pranuar nga Rama, i cili ka premtuar zgjidhje.
Kjo problematikë ka qenë vazhdimisht shqetësim i shprehur edhe në raportet për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, e po ashtu pengesë për investime të huaja në vend.
“Si mua dhe vajzës sime na pëlqen shumë. Natyra është e bukur, kemi përballë malin e Gjallicës, pamjen e bukur të lumit Drin, pamje fantastike… Ushqimet janë bio dhe ajri është i pastër”, thotë Pavla.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se në datë 23 dhjetor ora 15:30, shqiptarët e Britanisë së Madhe do të marshojnë në një protestë solidarizimi me shqiptarët e Shqipërisë, të cilët po në 23 dhjetor ora 17:00 do të protestojnë në Tiranë kundër narkoqeverisë së Edi Ramës.
‘23 dhjetor, ora 17:00 marshojmë në Tiranë! 23 dhjetor, ora 15:30 Ambasada e Shqipërisë Londër, 33 St. George’s Drive, London, SË1V 4DG’, thuhet në njoftimin e bërë publik në Facebook-un e PD-së.
Postimi i plotë:
Protestë solidarizimi me Shqipërinë kundër qeverisë kriminale të drejtuar nga krimi!
23 dhjetor, ora 17:00 marshojmë në Tiranë
23 dhjetor, ora 15:30 Ambasada Shqipërisë Londër, 33 St. George’s Drive, London, SË1V 4DG
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mërgata e Kosovës do të mund të votojë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në ambasada dhe në konsullata në shtetet ku jeton.
Në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të mërkurën, Kurti ka thënë se kjo është bërë e mundur pas ndryshimit të ligjit.
“Do të jenë gjithsej 22 kuti postare, në 22 shtete të ndryshme. Kurse votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete”, ka bërë të ditur ai.
“Po i drejtohem mërgatës sonë, nga mbledhja e Qeverisë, sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie. Siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktues për fatin e mirëqenien e vendit tonë ndër vite”, është shprehur ai.
“Votimi përmes postës brenda vendit, dhe nëpër ambasada e konsullata, është fitore e madhe për mërgatën tonë punëtore e patriotike”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, “deri më tani, padrejtësisht, mërgata është ballafaquar me vështirësi burokratike e barrë financiare, e cila herë ua ka pamundësuar votimin, e herë e ka dekurajuar pjesëmarrjen në votim”.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.
Ndonëse partitë politike në Kosovë kanë nisur prej javësh takime dhe tubime me diasporën kosovare, por edhe me qytetarë brenda Kosovës, me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve periudha e fushatës së zgjedhjeve fillon 30 ditë para ditës së zgjedhjeve.
Në rastin konkret, sipas KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, fillon zyrtarisht më 11 janar, 2025.
KQZ ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas një njoftimi për media, pas mbylljes së afatit zyrtar, në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.
KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.REL
Nga 11 janari deri në 11 mars të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë dhe që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në 11 maj mund të regjistrohen në platformën e ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve i pranishëm në nënkomisionin parlamentar të diasporës siguron se vota e emigrantëve është mbrojtur pasi janë një sërë mekanizmash të ngritura që garantojnë transparencë dhe numërim të drejtë. Ilirjan Celibashi njoftoi se para Krishtlindjeve do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, me qëllim që në datën 11 janar 2025 kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Në fjalën e tij në nënkomisionin e Kuvendit për diasporën dhe migracionin, në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët jashtë Shqipërisë, Celibashi tha se, procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe në kuptim të afateve që ky kod ka përcaktuar, për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë. Procesi merr 60 ditë, teksa qeveria ka garantuar buxhet të plotë, duke llogaritur 100 mijë votues emigrantë, por është shprehur e gatshme ta mbulojë postën e dërgimkthimit edhe nëse do të jenë më shumë votues në Diasporë. Ai shtoi se janë një milion e ca votues jashtë Shqipërisë dhe ka shumë pa dokumente të vlefshme, ndaj duhet bërë përjashtim për ta, që të shtyhet afati i dokumenteve të pavlefshme me rastin e zgjedhjeve. Celibashi u shpreh pro shtyrjes së afatit për dokumentet e emigrantëve, por jo për ata në Shqipëri.
“Tashmë Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore normuese me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”,- u shpreh Celibashi. Pyetja kryesore e ligjvënësve të nënkomisionit ishte nëse KQZ e garantonte këtë proces dhe afatet që kërkoheshin për realizimin e tij apo nëse mund të finalizohej para datës 11 maj, kur edhe votohet. Deputetët kërkuan sqarime dhe detaje nëse afati është i mjaftueshëm, që nga hartimi i dokumenteve, si pasaportat biometrike, regjistrimi, dërgimi i postës dhe kthimi i përgjigjes. Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku, shprehu pasiguri dhe dyshime, duke kërkuar garanci nga Celibashi nëse ky proces realizohet pa u cenuar dhe brenda afateve.
“Po ekspozoj shqetësime reale që publiku dhe opozita ka, që garanton mbarëvajtjen e procesit, sepse cenimi i tij do ketë dëm të jashtëzakonshëm, ndaj a ka garanci ky proces”,-tha Çollaku. Lidhur me kostot e shërbimit postar, Celibashi pohon se qeveria i ka parashikuar në buxhet paratë si për dërgimin e fletës së votimit ashtu dhe për kostot e kthimit të saj në KQZ, por për këtë të dytën kërkohet ndryshim në Kodin Zgjedhor./Gazeta Panorama
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të votojë edhe diaspora. Emigrantët që duan të futen në histori si të parët shqiptarë që votuan nga jashtë vendit, duhet ta përdorin këtë kohë për të grumbulluar dokumentet e nevojshme.
KQZ është duke e përfunduar aplikacionin PER, i cili mund të shkarkohet në telefon apo kompjuter. Përdorimi i tij është e vetmja formë që diaspora të marrë pjesë në zgjedhje. Hapi i parë është regjistrimi si votues nga jashtë. Ky proces do të hapet në 11 janar dhe do të mbyllet më 11 mars.
Gjatë këtyre dy muajve, emigrantët duhet ta kryejnë procesin, duke krijuar një profil në aplikacionin PER. Regjistrimi kërkon dy dokumente bazike:
1. Një mjet identifikimi i lëshuar nga shtetit shqiptar, që mund të jetë pasaportë apo kartë identiteti. Në momentin e regjistrimit pranohen edhe dokumente që ju ka skaduar afati i vlefshmërisë.
2. Së dyti, do t’ju duhet një dokument që provon se emigranti banon në atë adresë që ka deklaruar. Këtu, KQZ-ja ka lënë dorë të lirë, ku qytetarët mund të ofrojnë ç’u gjendet, mjaft të jetë zyrtare. Nga kontratat e qirasë, tek ato të abonimeve apo faturat e ujit, dritave e gazit.
Adresa është e rëndësishme, sepse zarfet me fletën e votimit KQZ do t’i dërgojë pikërisht aty. KQZ do ta njoftojë emigrantin nëse aplikimi i tij u pranua me sukses dhe do t’i kërkojë plotësime kur është e nevojshme. Pas regjistrimit, emigranti do të hiqet nga lista e zgjedhësve në Shqipëri. Për 11 majin, do të prodhohet një listë votuesish nga jashtë dhe një tjetër lista e zgjedhësve brenda vendit.
TË DHËNAT
Socialistët prej disa muajsh kanë nisur një proces për krijimin e një baze të dhënash për të gjithë emigrantët, regjistër i cili do të jetë gati në fund të këtij muaji. Mbështetja me votë nga shqiptarët që jetojnë jashtë është një betejë e re mes dy kampeve në zgjedhjet e 11 majit, ndaj socialistët duken shumë të angazhuar që ta marrin këtë mbështetje.
Gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë së PS-së, të gjithë drejtuesit politikë kanë raportuar për të gjithë situatën në qarqet e tyre, si për regjistrimin e emigrantëve, ashtu dhe problematikat që hasen në zonat e tyre 5 muaj përpara zgjedhjeve. Në dalje, interesit të gazetarëve për diskutimet në mbledhjen që zgjati më shumë se 2 orë, kreu i mazhorancës, Edi Rama, iu përgjigj me ftesën e tij të përsëritur: “Anëtarësohuni në PS”! Por mësohet se, edhe pse me strukturat e Dibrës u prezantua të shtunën si drejtues i ri politik i këtij qarku, zyrtarisht kryesia e Partisë Socialiste e ka miratuar këtë të hënë emrin e Blendi Klosit, sekretarit të përgjithshëm, i cili zëvendëson Blendi Gonxhjan. Ky i fundit do t’iu shtohet tre drejtuesve të Tiranës, Veliaj, Manastirliu dhe Spiropali, me fokus zonën e Kombinatit.
Arsyet e kësaj lëvizjeje zyrtarisht lidhen me angazhimin e madh që ka Gonxhja si ministër i 3 dikastereve, çka sipas drejtuesve të PS-së nuk i lë kohë për një impenjim maksimal dhe për detyrën e drejtuesit të një qarku të vetëm. Por kjo ishte vetëm një nga pikat e mbledhjes së forumit drejtues të selisë socialiste, pasi vëmendja e anëtarëve të Kryesisë dhe kryetarëve të bashkisë që morën pjesë virtualisht ishte organizimi për votën e emigrantëve.
Kreu i Partisë Demokratike ka premtuar gjatë konferencës për media mbajtur në selinë e partisë së tij se do të zhvillonte takime në diasporë dhe në të gjithë Shqipërinë.
“Është betejë në kushtet e narkoshtetit”. “Betejë për të përmbysur diktaturën dhe për të fituar”, tha Berisha.
Berisha: Mosbindja civile në emër të fitores, mund të vazhdojë gjer ditën e zgjedhjeve, ditën para zgjedhjeve. Të harrojë kush se ajo ndërpritet pa firmosur opozita, fitoren e merituar.
Beteja është betejë.
Nuk krijon Edi Rama qeverinë teknike, atëherë të përballet me mosbindjen civile. Le ti marrë ti emëroj këta banditë që ka, se këta që ka emëruar janë të gjithë ushtarë të bandave, por ti nxjerrë nga kthinat ku rrinë ata dhe ti sjellë nëpër komisariate. Forcë në botë që ndalon PD, nuk ka. Edi Rama është e shkuara, e shkuara e zezë e këtij vendi. E shkuara e zezë e këtij vendi.
E ai mendoi se duke më shpallur non grata, duke më privuar nga liria do mund të ja dilte. Nuk ja del dot kurrë, ka marrë fund. Ua them unë ju. A do të dal unë në diasporë, pa diskutim. Do të dal në diasporë, do të dal në Shqipëri, do të dal kudo dhe do të ketë një lëvizje të fuqishme, se kjo fitore do të jetë e të gjithë shqiptarëve. Nuk është fitore vetëm e PD, jo, është e shqiptarëve në radhë të parë. Nuk mund të durojnë ata, jetojnë në vende të lira, të pranojnë një narkotrafikant, një narkodiktator në vendin e tyre.
Jo, kështu që të gjitha. Është betejë në kushtet e narkoshtetit. Betejë për të përmbysur diktaturën dhe për të fituar.
Statuti i përcaktuar, do të zbatohet statuti. Të gjitha në funksion të betejës. sn
Komentet