– Ars Poetica, Dhjetor 2023
Lajm i mirë, deri në v. 2030 Mercedes-Benz AG 100% elektrikë – Gjiganti gjerman Mercedes-Benz AG zotohet se deri në v. 2030 do jenë 100% elektrikë, me gjithçka dhe me secilin proces varg e varg, simbolikisht në emër të “tokës, të ujit, të ajrit” (e që gjoja sikur janë 3 rrembat e yllit të logos së tyre rrethore), ata zotohen se deri në v. 2030 do t’i ndërtojnë makinat e pasagjerëve me 40% materiale të ricikluara, se janë orientuar që gjithçka të jetë nga burime të rinovueshme, deri në v. 2030 me gjithçka 100% elektrikë.
Nëse Mercedes-Benz AG ia del këtij zotimi të madh (si të thuash, “zotim shembullor” për gjithë botën, pasi Mercedes-Benz AG vërtet është një gjigant, për pothuaj 130 vjet… sëpaku gjatë gjithë shekullit XX ishte diç si “dinosaur i ndotjes”), atëherë ç’të thuhet tjetër pos “bravooo” – anise ende pa ardhur e 2030-ta ia vlen të theksohet se Mercedes-Benz AG për nevojat e energjisë elektrike të veta në Gjermani që tani shërbehet me energjinë “green”, nga 24 ferma me mbi 200 turbina të erës të instaluara nëpër gjithë vendin, po ashtu, që nga v. 2022 fabrikat e Mercedes-Benz AG, kudo që ndodhen në mbarë botën shërbehen me elektrikat “green”.
[ Dizajni si “bipolaritet” i ndjesisë kreative dhe i inteligjencës ]
“Nëse përsosmëria është themeli i trashëgimisë sonë, tani teknologjia dhe avancimet tona e përndezin ardhmërinë” – shprehet Gorden Wagener, Kryedizajneri i Grupit të Mercedes-Benz. “Filozofia jonë e dizajnit është Pastërtia Sensuale; një bipolaritet i ndjesisë kreative dhe i inteligjencës. Ne dizajnerët e Mercedes-Benz u qasemi ambicieve tona me këtë filozofi të dizajnit. Ne e ripërcaktojmë, e ridefinojmë veten në mënyrë konstante, për ta arritur të jashtëzakonshmen – ne e quajmë këtë X-Factor” – (Gorden Wagener, CDO – Chief Design Officer, Mercedes-Benz Group)
Studiot e dizajnit të Mercedes-Benz, me vizionin e tyre i sjellin impulset e reja të luksozitetit, dhe kështu për klientët plotësohen dëshirat e dimensionit estetik dhe parapritjet e të jashtëzakonshmes. Dizajnerët e Mercedes-Benz e kanë një vend “mitik”, ku vizioni bëhet realitet. Ata thonë “mirësevjen në kozmosin e kreativitetit, mirësevjen në botën e jashtëbotshme” (gjoja diç si botë “alienike” – qëkur dizajnerët thuase jetojnë diku në futurizëm, në kërkim të ideve dhe risive kreative sikur janë të shtrënguar të shohin gjëra dhe vizione që askush s’i sheh, sikur vërdallen horizonteve të parakohës, si avangardistë të kohës së tyre… andaj pandehin se janë paksa të përtejbotshëm, dmth. diç si krijesa artistike-alienike : )
Selia e dizajnerëve të Mercedes-Benz është në Sindelfingen, Gjermani. Por nga aty i drejtojnë dhe 3 Qendra Ndërkombëtare të Dizajnit (të ashtuquajtura, IDC – International Design Centers). Tri studiot tjera të dizajnit (nën mbikqyrjen e Sindelfingen) janë IDC Carlsbad, IDC Nice, IDC Shanghai. Këto studio të dizajnit të avancuar, duke qenë prezente në 3 kontinentet, i “ndiejnë” dhe i përcjellin vazhdimisht vibracionet e kulturave globale, kreativitetin dhe inovacionin. Nga studiot “pritet” t’i transformojnë impulset globale në dizajnin magjepsës për produktet e Mercedes Benz, si dhe për vizionet e luksozitetit të ardhmërisë.
[ Trashëgimia si frymëzim – Dizajn dedikuar vetë dizajnit ikonik, UFO-ristik ]
(…dizajni dhe eleganca e futurizmit minimalist i hap dyert për të ardhmen e luksit ikonik mobilistik – thonë dizajnerët e Mercedes-Benz)
Sipas Mercedes-Benz (teksti në faqen ku është prezantuar “Vision One-Eleven”) viti 1969 nuk pati hyrë në histori vetëm për shkak të uljes së njeriut në Hënë, por dhe sepse Mercedes-Benz C 111 atëbotë u shfaq në ekspozitën e IAA të Frankfurtit. Bota desh qenë mahnitur, vetura e re dukej si një UFO-veturë, i ngjante një mahnitjeje UFO-ristike ardhur nga ndonjë galaktikë e largët : )
Projektuar nga dizajneri Bruno Sacco, bota s’kishte parë kurrë deri atëherë një makinë si Mercedes-Benz C 111.
Prandaj në Shtator 2023, gjatë autoshow-eventit të IAA (Internationale Automobil-Ausstellung), me një elegancë të hollë të futurizmit u prezantua versioni i ridizajnuar “Vision One-Eleven”. Frymëzuar nga ikona e v. 1970, pamja e re e “Vision One-Eleven” e përshfaq një gjuhë dinamike të dizajnit dyzuar me teknologjinë inovative, kuptohet tërësisht elektrike.
Me dyert dalluese që hapen si flatra, versioni futuristik “Vision One-Eleven” duket i njëjtë me versionin paraardhës, C 111. Tani vjen si përzierje harmonike e elementeve klasike të dizajnit dhe të inovacioneve ose risive më të fundit. Madje dhe vetë dritat e pasme – thoshte “lëvdata zyrtare” e Mercedes-Benz : ) kanë një dizajn të përjetshëm që vazhdon t’i magjeps entuziastët e veturave, duke e ndriçuar trashëgiminë e inovacionit dhe të elegancës mobilistike. Dizajni i “Vision One-Eleven” i hap dyert për të ardhmen e luksit ikonik.
[ IAA Mobility – Spektakli automotiv në “stilin” gjerman ]
(IAA – Internationale Automobil-Ausstellung – Panairi Ndërkombëtar Automobilistik, Frankfurt, Hanover – Gjermani)
IAA është ngjarje e rëndësishme për prodhuesit e automjeteve nga e gjithë bota. Është panair i madh, thuhet se ky spektakël automotiv i tërheq nga 750.000 deri 850.000 vizitorë. Psh. kur mbahet në Frankfurt, panairi i okupon deri dhe 12 ndërtesa, rreth 200.000 m2, i strehon rreth 1000 ekspozues nga 40 vende të botës.
IAA qe themeluar në v. 1897, sot është njëri nga show-spektaklet më të mëdha të automjeteve në botë. Organizatori i panairit është VDA-ja gjermane (VDA – Verband der Automobilindustrie – Shoqata e Industrisë së Automobilizmit). Panairi është i mirëorganizuar dhe i popullarizuar, vizitorët, entuziastët e automobilizmit mund t’i shohin drejtpërdrejtë risitë më të fundit, automjetet më të reja dhe teknologjitë më të avancuara të industrisë automotive.
Ekspozitat speciale të makinave klasike (IAA Heritage, dhe IAA Masterpieces) shfaqin dhe automjete unike, bie fjala veturat e rralla sportive të së kaluarës por dhe shumçka tjetër, të cilat përndryshe vizitorët s’do mund t’i shihnin ndokund tjetër.
Ndërsa ekspertët, biznismenët, profesionistët e industrisë e shfrytëzojnë si vendtakim oportunistik, psh. marrin pjesë në Konferencën e IAA që i kushtohet vizioneve të transportit dhe të mobilitetit të ardhmërisë. Konferenca e IAA i tërheq bie fjala CEO-t e prodhuesve të makinave nga mbarë bota, sikur dhe vizionarët e teknologjive që lidhen me gjithçka rreth kësaj industrie.