Femra te bukura, shtëpi e veshje që as i kishin imagjinuar se ekzistonin (veç atyre që fati i kishte çuar ndonjëherë jashtë shtetit), jetë plot aventura, lidhje dashurie nga më të pazakontat, ku partnerët shkëmbeheshin me njëritjetrin… E paimagjinueshme! Si nga një planet tjetër! Të izoluar prej vitesh brenda një jete gri, ku argëtimi ishte tejet i kufizuar, ku edhe televizorët ishin formatuar që të shfaqnin vetëm një kanal, atë shtetëror, shqiptarët ishin të etur për të mësuar gjithçka që ndodhte përtej klonit të frikshëm.
Të etur për të mësuar se ç’ndodhte përtej detit, ç’ishin ato sende që sillnin dallgët… Të vetmet dritare për të parë diçka ishin stacionet e huaja televizive, që siç thamë ishin të “prera”, por që me mjete rrethanore, me kanoçe, letër varaku mbështjellë në antenë, tapa kosi me pak zhivë, e gjithfarëlloj pehlivanllëqesh, shqiptarët ia dilnin t’i shihnin, edhe pse me miza. Të paktën, kanalet italiane e ato “sllave”.
Dhe mahniteshin shqiptarët edhe pas reklamave, emisioneve të lajmeve, spikereve bionde, por çka përbënin interesin më të madh ishin telefilmat, qofshin ata italianë apo amerikanë. (Një pasion i hershëm i shqiptarëve pas telenovelave, por që asokohe ishte i justifikueshëm). Një botë e çuditshme shpalosej prej tyre. Ju kujtohet seriali televiziv “Dinastia”, personazhet e tij Blak, Kristli, Adam, Felloon, Stiven, Amanda dhe Aleksis?
Ata që kanë jetuar në vitet ’80, pa dyshim që e mbajnë mend telenovelën amerikane, e cila u jepte pak ngjyrë jetës së shqiptarëve, të cilët prisnin me padurim të hënat kur ai shfaqej në ekranin jugosllav.
“Dinasty”, me ngjarjet e tij të jashtëzakonshme, ishte objekt diskutimi mes fatlumëve që mund ta ndiqnin, por edhe nxitësi i dashurive të fshehta, mes burrave e grave, të rinjve e të rejave, që mblidheshin në shtëpitë e sho-shoqit për të parë filmin. Sepse, sot duket e pabesueshme, por asokohe, ishin shumë pak ata që kishin një televizor bardhezi.
NË TVSH, SERIALE TELEVIZIVE TË KONTROLLUARA
Me filma televizivë serialë të transmetuar nga TVSH-ja, shqiptarët kanë qenë pak të ambientuar, pasi në raste sporadike u shfaqën disa të tillë, gjithmonë produkte të shteteve të huaja, pasi për një prodhim të kinematografisë vendëse as që bëhej fjalë.
Kështu, në fillim të viteve ’70, kur TVSH-ja nisi nga transmetimet eksperimentale, ato sistematike, bashkë me televizorët e prodhimit të URTDurrës, filloi shfaqja e disa serialëve me tema të lejuara e të pranueshme për publikun e etur televiziv, siç ishin ato lindorë “Në çdo kilometër”, “Kapiteni Klos”, “Katër tankistët”, “Vendimi”, pastaj “Giuseppe Verdi”, “Zhan Kristof”, për të ardhur në vitet ’80-’90, që kujtohen me filmat e famshëm serialë “Skllavja Izaura” dhe “Oktapodi”.
Gjithmonë me përkthim e të kontrolluar më parë nga zyrtarë të lartë shtetit, për mos u shpëtuar asnjë skenë, devijim apo edhe detaji më i vogël jashtë kontureve të lejuara politiko-sociale. NË
NDJEKJE TË IZAURËS
Është seriali i parë, më i gjati, më i ndjekuri nga shqiptarët, i transmetuar nga TVSH-ja në mesvitet ’80. “Skllavja Izaura”, i prodhuar nga kompania braziliane “Rede Globo” në vitin 1976, konsiderohet si një ndër telenovelat më të famshme dhe sipas një anketimi është prodhimi televiziv më i shitur dhe i dubluar, i transmetuar në 130 vende të botës. Në Rusi u bë kaq popullor sa fjala portugeze “fazenda” (fermë) filloi të përdorej në gjuhën dhe komunikimin e përditshëm.
“Skllavja Izaura’
Sipas romanit të Bernardo Guimares, me skenar të Gilberto Bragës e regji të Herval Rossano, interpretuar nga Lucelia Santos e Rubens De Falcon në rolet e Izaurës e Leoncio, telenovela me 100 seri shumë emocionante bazohet në historinë e një skllaveje të bardhë dhe lidhjes së saj me padronin Leoncio, që i kthyer nga Europa braktis gjithçka vetëm për dashurinë me Izaurën. Në Shqipëri është ndjekur me shumë interes, nga çdo moshë dhe çdo ditë të javës kur transmetohej, të gjithë të ndikuar nga ngjarjet, muzika tejet argëtuese, qëndronin para ekranit. Ndikimi i tij ishte i madh, sa emri Izaura ishte mjaft i preferuar për të sapolindurat.
“LA PIOVRA” (OKTAPODI) ME KOMISAR KATANIN
Ndërsa “La Piovra”, (Oktapodi) një produkt televiziv italian me dhjetë ministri, pati një shtrirje nga viti 1984 deri 2001. Me regjisorë D. Damiani, F. Vancini, L. Perelli e G. Batiato dhe Ennio Morikonen si formulues muzike, të gjitha miniseritë janë transmetuar në 80 vende të botës, me një fluks të madh audiovizv të jashtëzakonshëm, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Seritë e tij janë transmetuar me përkthim nga televizioni publik dhe janë ndjekur me interes, kureshtje dhe ankth deri në episodin e fundit.
“La piovra”
Me protagonistë komisarin e policisë Korrado Katanin, luajtur nga Mikele Plaçido, bankierin Tano Karridi, interpretuar nga Remo Xhirone, Patricia Miliardet në rolin e prokurores Silvia Konti, Florinda Bolcan në atë të Olga Kamatës, Barbara de Rosin në rolin e Titit dhe personazhet e tjerë si Antonio Espinoza, Terrazini etj., filmi ofronte skena dhe çaste emocionante shumë të forta, të cilat patën një impakt të jashtëzakonshëm mbi publikun televiziv shqiptar.
Multiseriali trajtonte temën e mafies siciliane dhe një komisar që tentoi t’i kundërvihej, por i vetëm gjeti vdekjen bashkë me familjen e tij. Aq i madh ishte efekti i filmit në mbarë botën sa në Moskë, gjatë një vizite të Mikele Plaçidos, nga një grup dashamirës të serialit iu kërkua qeverisë që nëse Katani-Plaçido nuk e kishte të sigurt jetën në Itali, t’i garantohej qëndrimi në Moskë.
MUNDËSI DHE DËSHIRË E KUFIZUAR
Bashkë me filmat televizivë serialë të shfaqur nga TVSH-ja, shqiptarët kuriozë ndiqnin edhe ato seriale që transmetoheshin nga kanalet e huaja, duke përdorur e tentuar të gjitha mënyrat për t’i parë, ndonëse format e mundësitë ishin të pakta dhe të ndaluara në Shqipëri.
Ishin të favorizuara ato familje, individë, zyrtarë e funksionarë të lartë, ambasada, qeveritarë e anëtarë byroje, që zotëronin një televizor të markave të huaja me grup të UHF-së, ose ata që kishin montuar brenda televizorëve të URT-së një mekanizëm apo pajisje të improvizuar që garantonte marrjen e frekuencave të ulëta. Po kështu, edhe disa qytete bregdetare si Shkodra, Lezha, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora, që në periudhë vere mundësonin kapjen e valëve televizive të stacioneve italiane.
KONTAKTI I PARË ME SERIALET AMERIKANE
Kontakti i parë, por që i lidhi në vite shqiptarët me serialet televizive amerikane, ishte “Dinasty”, ndonëse si ai të famshëm për kohën kanë qenë edhe “Dallas” e “Capitol”, disa prej të cilëve vazhdojnë edhe sot. Në veçanti “Dinasty”, i cili pati një efekt dhe ndjekshmëri shumëvjeçare sistematike nga teleshikuesit shqiptarë, duke filluar nga viti 1984 deri në vitet ’90. Ka qenë një komunikim i fortë si me ngjarjet, ashtu edhe me personazhet që “Dinasty” ofroi për admiruesit në të gjithë shtetet e botës, ku u shfaq gjatë një dekade.
I tillë për nga fama mbetet edhe “The Bold and Beautiful”, i njohur thjesht si “Beautiful”, madje regjisorja e njohur Vera Gravbocka solli në Tiranë në një nga spektaklet e saj aktorin Daniel MCVicar, Klarkun, një ndër personazhet protagonistë të serialit pa limite në kohë e ngjarje.
“DINASTY”, 220 SERI, NJË PAFUNDËSI
“Dinasty”, i gjatë me 220 seri, startoi më 12 janar të vitit 1981 në Shtetet e Bashkuara dhe vazhdoi deri në 11 maj të 1989. Në SHBA i transmetuar nga televizioni “ABC”, seriali kishte 57 skenaristë, bashkë me Esther Shapiro si autor, me 35 regjisorë, 1500 aktorë e 8 formulues muzike. Në pak kohë transmetimet e tij filluan të shfaqen në çdo vend të botës, duke përfshirë masivisht edhe Europën.
Në sezonin e parë me pak seri, jehona nuk ishte e madhe, por gjithçka do të ndryshonte në vitet që do të pasonin, kur “Dinasty” do të marrë shumë famë dhe do të jetë tejet i ndjekur në gjithë globin. Në Itali, pas krijimit të “Mediaset”, më 4 janar të vitit 1982, ishte “Rete 4”, i cili që nga 15 shtatori i atij viti do të niste me transmetimin e tij çdo të mërkurë e të premte në orën 14.00. Ndonëse me vonesë në vite, kohë dhe episode, shqiptarët filluan ta ndjekin “Dinastia” në vitin 1984, kur në kanalin e dytë, atë UHF, të televizionit jugosllav filloi transmetimi i serialit.
SKENAT PROVOKUESE
Një telenovelë me intriga dashurie në fokus dhe me ngjarje brenda një familjeje të pasur e të suksesshme në biznesin e naftës, ku protagonistë kryesorë janë Blake Carrington, Krystle, ish-sekretarja, gruaja e fëmijët e tij, nga të cilët Adam rezulton i humbur pas një rrëmbimi. Personazhe të serialit gjithashtu janë edhe Fallon, Steven dhe Amanda, e fshehur prej tij me ish-gruan e parë, Alexis.
Në episode të veçanta, seriali përfshihet nga konfliktet midis dy korporatave të mëdha, Denver Carrington Blake dhe Alexis ‘ColbyCo”, si dhe skenave, pabesive dhe dashurive pasionante midis personazheve. “Dinasty” regjistron për kohën serialin televiziv më të preferuar në “Top 30”, shfaqjet gjatë tetë stinëve, që u transmetua me një audiencë prej 21.2 milionë teleshikuesish për episod.
Blake Carrington luajti në 217 episode; Linda Evans në rolin e Krystle Carrington në 209; Joahn Collins në rolin e Alexis Carrington Colby në 204; Gordon Thomson në rolin e Adam Carrington në 182 episode; John Jemas në rolin e Jeff Coltby në 168; Michael Nader në rolin e Dex Dexter në 151; Jack Coleman në rolin e Steve Carrington në 149 dhe Pamela Anderson në rolin e Fallon Carrington Colby në 88 episode etj.
“DINASTY”, FALË “KANOÇEVE” ARTIZANALE
Të ndiqje një film në stacionet e huaja në vitet ’80, sigurisht që ishte e ndaluar, por të gjithë ata që kishin televizor në shtëpi, nuk i rezistonin dot tundimit. Seriali jepej çdo të hënë në kanalin e dytë UHF të televizionit jugosllav dhe detyrimisht duhet të kishe televizor të markave të huaja për ta ndjekur. Por, janë vitet kur dalin në skenë kanoçet e famshme të ideuara në mënyrë artizanale nga inxhinierë e teknikë televizorësh, të cilat gjejnë një përdorim e përhapje të madhe në fillim të viteve ’80-të, si mjetet e vetme që siguronin marrjen e sinjalit të frekuencave të ulëta televizive, veçanërisht për Tiranën.
Një e tillë kushtonte nga 2500 deri në 3500 lekë. Ato tregtoheshin me miqësi e njohje dhe rekomandime te miq, shokë, familje e njerëz të sigurt. Kanoçja lidhej teknikisht me televizorët “Butrinti”, “Iliria”, apo “Dajti”, të cilët nuk e kishin këtë pajisje, pasi i hiqej në URT, kur ato vinin nga Jugosllavia, duke i adaptuar më pas për tregun shqiptar pa kanalin e UHF-së.
Një transistor BF 139, disa elemente brenda një llamarine, gati sa një paketë cigareje, ishin përbërësit e “kanoçes” së famshme, që garantonte shikimin pa problem në çdo çast të kanalit të dytë jugosllav dhe atyre italianë në periudhe vere. Zhurmuesi i famshëm nuk ndërhynte në këtë frekuencë.
Të apasionuarit pas “Dinasty” i gjeje të ulur përballë televizorit në orën 21:00 të çdo të hënë. Familje e komshinj, të afërm në grupe, do të “ngujoheshin” për 50 minuta. Ndërkohë, që të hënën në orën 21:30, në TVSH transmetohej Rubrika Sportive, që trajtonte evenimentet sportive të shumëpritura dhe e ndjekur nga pasionantët sportivë si e vetmja për kohën dhe tifozëve do t’u duhej që të zgjidhnin.
Dhomat e vogla të apartamenteve të ngushta ktheheshin në salla të improvizuara kinemaje, ku nuk mungonin edhe stolat që të uleshin fqinjët, të ardhurit. Pastaj në lojë futej përkthyesi. Duke qenë se në serial flitej anglisht dhe nuk ishte me dublim, por me titra në gjuhën serbo-kroate krijonte vështirësi ta kuptoje.
Këtu merrte rëndësi përkthyesi, i cili duhet të shpjegonte gjithçka ndodhte mes personazheve. Kjo ndikoi që shumë t’i futeshin mësimit të anglishtes, ndërkohë që të favorizuar ishin ata që njihnin rusishten e mund të kuptonin diçka nga gjuha serbo-kroate.
FILMI QË NXITI DASHURITË E FSHEHTA
Të dije vazhdimin e serialit, fatin e personazheve, ishte një privilegj, por të pakët ishin ata që e dinin. Një informacion vinte nga studentë, apo familjarë, që kishin njerëzit e tyre në Itali, ku telenovela ishte shumë seri para atyre që transmetonte televizioni jugosllav.
Kishte një interes të madh për të ditur rrjedhën e ngjarjeve, në veçanti të linjave dashurore. Do të ishin këto të fundit që do të ndiznin pasionet edhe të shqiptarëve, të ngjizjes së lidhjeve të fshehta të dashurive mes “publikut”.
KËSHILLI I LAGJES, PRANIM NË HESHTJE
Ndonëse për shumë vite, çdo e hënë në mbrëmje ishte kthyer në një ritual, duhet thënë se seriali është ndjekur, ndonëse shteti me strukturat e tij, kryesisht Këshilli i Lagjes, ishte tejet i informuar deri në hollësi për pasionin e familjeve, individëve për serialin amerikan.
Ata e dinin mirë edhe si funksiononte apo si grumbulloheshin familjet shqiptare, për të ndjekur “Dinasty” dhe mënyrat që përdornin deri edhe te kanoçja e famshme, apo antena me elemente të vegjël, që detyrimisht duhet të ishte drejtuar nga veriu. Ndonëse jemi ende në kohën e diktaturës, por ajo nuk është në kufijtë e saj ekstremë për forcën goditëse, kjo edhe për faktin se Hoxha ka ndërruar jetë.
Kështu, vetë shteti dukej sikur kishte dhënë një “OK” në heshtje për të ndjekur “Dinasty”, pasi asgjë nuk mund të fshihej kur vinte ora për të parë episodin dhe në përfundim të tij, kur teleshikuesit e “Dinasty” shpërndaheshin në apartamentet e tyre. Pastaj, të nesërmen, apo gjatë javës në vazhdim, diskutimet dhe komentet rreth serialit ishin të paevitueshme, në grupe, qendra pune, shkollë, kudo.
Kjo për shkak se marrëveshja përfshin edhe Presidentin e SHBA-së Donald Trump pas ndarjes së djeshme nga Paramount Skydance, e cila paraqiti një ofertë më të lartë me qëllim bllokimin e marrëveshjes së fundit me Netflix.
SHBA– Blerja e grupit amerikan shumëkombësh të argëtimit dhe medias Warner Bros Discovery po shndërrohet tani në një lojë pokeri afatgjatë për lojtarë të fortë dhe nerva të forta, me aspekte të rëndësishme financiare dhe politike. Kjo për shkak se marrëveshja përfshin edhe Presidentin e SHBA-së Donald Trump pas ndarjes së djeshme nga Paramount Skydance, e cila paraqiti një ofertë më të lartë me qëllim bllokimin e marrëveshjes së fundit me Netflix.
Duke u ofruar, drejtpërdrejt aksionarëve, një çmim më të lartë, në total 108.4 miliardë dollarë, ekskluzivisht në para të gatshme, për të gjitha asetet e grupit amerikan shumëkombësh të argëtimit dhe medias, duke përfshirë studiot e tij të filmit, HBO Max, platforma e tretë më e popullarizuar e transmetimit me abonim në botë – si dhe rrjetet televizive CNN, Discovery Channel dhe TNT Sports, Paramount, një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të filmave në Hollywood, po rihyn në lojë me ambicie të mëdha.
Oferta e Netflix, e cila u kualifikua të premten përmes një ankandi që çoi në një marrëveshje në parim, arriti në 72 miliardë dollarë, në para të gatshme dhe aksione, dhe kishte të bënte vetëm me HBO dhe studiot e filmit Warner Bros.
Nëse kjo “martesë” përfundon, Netflix do të bëhet sundimtari absolut i tregut global të transmetimit, duke marrë menaxhimin ekskluziv të të drejtave të autorit të një katalogu të madh që përfshin filma dhe seriale televizive legjendare, duke përfshirë Harry Potter, Lord of the Rings, Batman, Superman, Game of Thrones, etj.
Ky dominim absolut i një lojtari paraqitet si një rrezik i madh i konkurrencës së padrejtë – monopolit nga rivalët e Netflix, të cilët nuk janë vetëm Paramount, i cili po lufton me mish e me shpirt për ta ndryshuar situatën, por edhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili është qartësisht në favor të tij.
Marrëveshja që Netflix mbylli për blerjen e Warner Bros Discovery “mund të jetë një problem pasi Netflix tashmë ka një pjesë të madhe të tregut të transmetimit”, tha ai të dielën, ndërsa pranoi me guxim se do të marrë pjesë personalisht në vendimin e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së në lidhje me miratimin e kësaj marrëveshjeje të veçantë.
Ai mund të ketë folur me ngrohtësi për CEO-n e Netflix, Ted Sarandos, duke e përshkruar atë si një njeri të shkëlqyer për të cilin ka respekt të madh, por lidhjet e tij me Paramount janë qartësisht më të forta, më familjare, pasi dhëndri i tij, Jared Kushner, po merr pjesë në ofertën e blerjes së Warner Bros. përmes Affinity Partners, firmës private të kapitalit që ai drejton.
Nuk është rastësi që CEO i Paramount, David Ellison , djali i mbështetësit miliarder të Donald Trump, Larry Ellison, e konsideron mbështetjen e Presidentit të SHBA-së ndër pikat e forta të saj – ndoshta më të fortan e saj: Kemi pasur diskutime të shkëlqyera me Presidentin për këtë, por nuk dua të flas në emër të tij, tha ai dje, duke theksuar se nëse Warner Bros pranon propozimin e Paramount, miratimi i nevojshëm nga Komisioni i Konkurrencës i SHBA-së do të jepet në një kohë shumë të shkurtër.
Megjithatë, nëse Warner Bros. vendos të prishë marrëveshjen e saj me Netflix, do të detyrohet të paguajë një klauzolë prej 2.8 miliardë dollarësh.
Presidenti Donald Trump nderoi të shtunën një grup të yjeve më të njohur dhe më të vlerësuar të artit amerikan, teksa ndau medaljet për fituesit e këtij viti të Kennedy Center Honorees në Zyrën Ovale.
Trump i dhuroi medalje të arta aktorit dhe regjisorit të nominuar për Oscar, yllit të “Rocky”, Sylvester Stallone, anëtarëve të grupit legjendar të rock-ut KISS, këngëtares së famshme të disko-muzikës Gloria Gaynor, aktorit britanik Michael Crawford si dhe ikonës së muzikës country, George Strait.
“Ky është një grup ikonash, vepra dhe arritjet e të cilëve kanë frymëzuar, ngritur lart dhe bashkuar miliona amerikanë,” tha presidenti.
“Kjo është ndoshta klasa më e arrirë dhe më e famshme e Kennedy Center Honorees që është mbledhur ndonjëherë.”
Gjatë ceremonisë, presidenti vendosi personalisht medaljet e punuara posaçërisht nga Tiffany & Co. në qafën e secilit artist.
Ndryshe nga medalja tradicionale me shiritin shumëngjyrësh, versioni i këtij viti varej në një shirit blu dhe mbante nga njëra anë emrin e fituesit dhe nga ana tjetër logon e Kennedy Center me ngjyrat e ylberit. gsh
Aktori hollivudian George Clooney, ka komentuar me humor “të zi” grabitjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit, duke u “deklaruar krenar për autorët”.
Ylli i kinemasë e krahasoi grabitjen e fundit me grabitjet e filmave në serialin “Ocean’s”, ku luan dhe vetë rol kryesor. Duke folur të enjten në mbrëmje, më 23 tetor, në premierën e filmit të tij të ri “Jay Kelly” në festivalin AFI, Clooney tha duke buzëqeshur, se ndihej “krenar” për autorët.
“Nëse je një grabitës profesionist, si unë… Jam shumë krenar për këta djem”, bëri shaka ai, duke iu referuar rolit të tij si Danny Ocean, udhëheqësi i grabitësve të filmave në trilogjinë e famshme “Ocean’s”.
Kur u pyet nëse kjo grabitje mund të ishte një frymëzim për një film të ri, ai u përgjigj me të qeshur:
“Mendoj se duhet ta grabisim Luvrin”.
Raporti i tij erdhi disa ditë pas grabitjes që ndodhi në muzeun e Luvrit në Paris, kur hajdutët hynë me forcë mëngjesin e së dielës, më 19 tetor, dhe vodhën tetë xhevahire të paçmuara, me vlerë që shkon në 88 mln euro, bizhuteri të ish-perandorit Napoleon Bonaparti.
Clooney dukej i impresionuar nga mënyra se si ata arritën ta përfundonin grabitjen “në mes të ditës”.
“Ishte fantastike. Pyes veten nëse do t’i kapin. Duket se bënë një punë mjaft të mirë duke ikur”, tha ai.
Siç tha ai, skenari është gati dhe prodhimi është “në formë të shkëlqyer. Tani na mbetet vetëm të koordinojmë oraret tona”, tha ai. gsh
VOAL- Aktorja amerikane Diane Keaton vdiq të shtunën, më 11 tetor, në moshën 79 vjeç, njoftoi zëdhënësi i saj për revistën “People”. Keaton u bë e famshme në vitet 1970 falë rolit të saj në sagën “The Godfather” dhe bashkëpunimeve të saj me regjisorin Woody Allen. Në vitin 1977, ajo fitoi çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë për performancën e saj në “Annie Hall”.
Gjatë karrierës së saj të gjatë, ajo luajti në filma të suksesshëm si “The First Wives Club”, punoi disa herë me regjisoren Nancy Meyers dhe ishte pjesë e serisë së suksesshme “Book Club”.
Artistja vdiq në Kaliforni. Aktualisht nuk ka detaje të mëtejshme dhe të dashurit e saj kanë kërkuar privatësi, sipas një zëdhënësi të familjes për revistën People. Aktorja lindi si Diane Hall në Los Angeles në vitin 1946 dhe ishte më e madhja nga katër fëmijë.
Robert Redford, aktori karizmatik dhe regjisor i vlerësuar me çmime Oscar, i cili shmangu jetën tipike të një “ylli Hollivudi” për t’u përkushtuar kauzave që i kishte për zemër, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmin e konfirmoi publicistja e tij, Cindi Berger, kryetare dhe CEO e agjencisë Rogers and Cowan PMK.
“Robert Redford u nda nga jeta më 16 shtator 2025, në shtëpinë e tij në Sundance, në malet e Utah, vendi që e donte, i rrethuar nga njerëzit që donte. Do të na mungojë shumë,” thuhet në deklaratën për CNN, ndersa familja ka kërkuar privatësi.
Redford u bë i njohur për rolet kryesore në filma si Butch Cassidy and the Sundance Kid dhe All the President’s Men, ndërsa si regjisor fitoi çmime për filma si Ordinary People dhe A River Runs Through It.
Dashuria e tij për artin e kinemasë e çoi drejt themelimit të Sundance Institute, një organizatë jofitimprurëse që mbështet filmin dhe teatrin e pavarur dhe që sot është e njohur në të gjithë botën për Festivalin e Filmit Sundance, që mbahet çdo vit në Utah.
Por Redford nuk ishte vetëm një figurë e madhe në film. Ai ishte gjithashtu një aktivist i përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit, duke u shpërngulur në Utah në vitin 1961 dhe duke udhëhequr përpjekje për të ruajtur natyrën e egër të shtetit dhe të Perëndimit Amerikan.
Redford vazhdoi të aktronte edhe në vitet e tij të fundit, duke u ribashkuar me Jane Fonda në filmin e Netflix Our Souls at Night në vitin 2017. Një vit më pas, në moshën 82-vjeçare, ai luajti në The Old Man & the Gun, film që e quajti të fundit të karrierës së tij, megjithatë, ai kurrë nuk pranoi konceptin e “daljes në pension”.
“Në kuptimin tim, pensioni do të thotë të ndalosh diçka. Unë mendoj se sa kohë që ka jetë, pse të mos e jetojmë sa më shumë që të mundemi?” – tha Redford për CBS Sunday Morning në vitin 2018.
Në tetor të vitit 2020, gjatë zjarreve shkatërruese në Perëndimin Amerikan, Redford shkroi një editorial për CNN, ku kritikoi mungesën e fokusit ndaj ndryshimeve klimatike. Po atë muaj, ai humbi djalin e tij 58-vjeçar, David James Redford, nga një sëmundje e rëndë. David kishte ndjekur gjurmët e të atit si aktivist, regjisor dhe filantrop.
Nga një djalosh i trazuar, në yll ndërkombëtar
Redford lindi në Santa Monica, Kaliforni në vitin 1936. I rritur në Van Nuys, ai rrallë e shihte të atin, i cili punonte gjatë gjithë ditës si qumështor dhe më pas si kontabilist. Shumë kohë e kalonte në bibliotekë, ku u magjeps nga mitologjia greke dhe romake, por nuk ishte një nxënës shembullor.
“Nuk kisha durim, nuk isha i frymëzuar,” thoshte ai. Megjithatë, pasioni për artin dhe sportin e çoi në një bursë për bejsboll në Universitetin e Kolorados në vitin 1955. Po atë vit, nëna e tij ndërroi jetë në moshë të re, një humbje që e tronditi thellë.
Pas kësaj periudhe, Redford humbi bursën, u përjashtua nga universiteti dhe shkoi të punonte për Standard Oil, duke kursyer për të ndjekur studime arti në Evropë. “Jetova me pak, por doja aventurë dhe përvoja të reja,” tha ai.
Pas kthimit në SHBA, filloi studimet për aktrim në American Academy of Dramatic Arts në New York. I rezervuar dhe i mbyllur, Redford nuk përshtatej me studentët e tjerë të dramës. Por një mësuese e pa potencialin e tij dhe e inkurajoi të mos hiqte dorë.
Në vitin 1959, u shfaq për herë të parë në serialin “Perry Mason”. Roli që i hapi dyert e mëdha ishte në 1963 në shfaqjen e Broadway Barefoot in the Park, rol që më pas e interpretoi edhe në film, përballë Jane Fonda.
Në vitin 1961, Redford dhe gruaja e tij Lola Van Wagenen u shpërngulën në Utah, ku blenë tokë për vetëm 500 dollarë dhe ndërtuan një kabinë.
“E kuptova sa e rëndësishme ishte natyra për mua. Doja të isha aty ku ajo është e fortë dhe e përjetshme,” tha ai.
Suksesi i madh erdhi me rolin në Butch Cassidy and the Sundance Kid (1969), përballë Paul Newman, me të cilin krijoi një miqësi të përjetshme dhe më pas u ribashkua në The Sting (1973), fitues i Oscar-it për Filmin më të Mirë.
Në vitet ’70, Redford luajti në disa hite: Jeremiah Johnson, The Way We Were (me Barbra Streisand), The Great Gatsby dhe All the President’s Men (1976), përkrah Dustin Hoffman.
Me Jeremiah Johnson, Redford sfidoi studion për të ruajtur vizionin e tij si artist, duke parashikuar fillimin e rrugës si regjisor dhe mbështetës i filmit të pavarur. Filmi u bë hit, duke fituar mbi 45 milionë dollarë, pavarësisht skepticizmit të studios.
Debutimi i tij si regjisor erdhi në 1980 me Ordinary People, film që fitoi Oscar-in për Filmin më të Mirë dhe për Regjinë më të Mirë. Ai vazhdoi me suksese si The Natural (1984), A River Runs Through It (1992), Quiz Show (1994) dhe The Horse Whisperer (1998).
Edhe pse shpesh i përshkruar si mashkulli romantik i përsosur, Redford ndjehej i kufizuar nga kjo etiketë. “Ishte nder që të quhesha i pashëm, por më kufizonte si aktor,” tha ai.
Trashëgimia që lë pas
Themelimi i Sundance Institute në vitin 1981 shënoi një pikë kthese, një vend për të mbështetur artistë të rinj që rrezikojnë dhe guxojnë.
Festivali Sundance është sot platforma më e madhe për kinemanë e pavarur në SHBA, vendi ku emra si Quentin Tarantino (Reservoir Dogs) dhe Steven Soderbergh (Sex, Lies, and Videotape) nisën rrugën drejt famës.
Në vitin 2002, Robert Redford mori një Oscar Nderi për kontributin e tij jetësor në industrinë e filmit.
Në vitet e fundit, nuk ndaloi së krijuari dhe së foluri për çështje që e preknin mjedisin, drejtësine, kulturën dhe rininë.
“Dua të bëj më të mirën me atë që më është dhënë,” tha Redford në një intervistë për CNN në vitin 2015. “Duhet të shtysh përpara, të provosh gjëra të reja, kjo është gjallëruese.” Panorama
Aktori dhe regjisori i madh amerikan, një ikonë kinemaje që përfshin gjashtë dekada, ndërron jetë në moshën 89 vjeç.
VOAL- Robert Redford vdiq në gjumë në shtëpinë e tij në Provo, Utah. Ai ishte 89 vjeç.
Lajmi për vdekjen e aktorit dhe regjisorit të madh amerikan u njoftua nga New York Times sot, të martën, pas konfirmimit nga Cindi Berger, drejtoreshë e agjencisë së komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun Rogers & Cowan PMK.
Një ikonë e vërtetë e Hollivudit, Redford arriti famë botërore nga fundi i viteve 1960 e tutje falë performancave të tij në një seri të gjatë filmash shumë të suksesshëm: “The Way We Were”, “All the President’s Men”, “Barefoot in the Park”, “Three Days of the Condor” dhe “Out of Africa”, ndër filmat e tij më të njohur dhe të vlerësuar.
Në vitin 1981, ai fitoi Çmimin e Akademisë për Regjisorin më të Mirë, dhe në debutimin e tij si regjisor, për “Ordinary People”. Ai ishte gjithashtu themeluesi i Festivalit të Filmit Sundance.
Shtëpia në të cilën Marilyn Monroe kaloi ditët e fundit të jetës së saj, në lagjen Brentwood të Los Anxhelosit, është në rrezik të shembet, pasi pronarët aktualë, Brinah Milstein dhe Roy Bank, kanë ndërmarrë hapa për ta rrënuar ndërtesën historike.
Sipas një raportimi të Bloomberg, plani i tyre ka shkaktuar kundërshtime ligjore dhe ndërhyrje nga autoritetet lokale.
Milstein, vajza e një manjati pasurish të patundshme nga Cleveland dhe Bank, producent i televizioneve reality, blenë pronën historike në adresën 12305 Fifth Helena Drive vitin e kaluar, duke paguar 8.4 milionë dollarë në vitin 2023. Kjo pronë ndodhet ngjitur me rezidencën e tyre ekzistuese, të cilën e zotërojnë që nga viti 2016.
Pas blerjes, çifti siguroi leje për prishjen e shtëpisë, por konservatorët kulturorë arritën të bindin autoritetet e Los Anxhelosit që të klasifikojnë ndërtesën si monument historik-kulturor, duke ndaluar përkohësisht çdo ndërhyrje ndërtimore.
Tashmë, Milstein dhe Bank presin një vendim nga Gjykata e Lartë e Qarkut të Los Anxhelosit, për të ditur nëse do të lejohen të vazhdojnë me planet e tyre për të bashkuar pronën me shtëpinë e tyre ekzistuese. Megjithatë, statusi i monumentit historik kufizon ndjeshëm të drejtat e tyre si pronarë.
“Shteti i Kalifornisë ka mijëra shtëpi ku kanë jetuar ose vdekur njerëz të famshëm,” deklaroi avokati i tyre, Peter Sheridan, për Bloomberg. “A do të thotë kjo që çdo ndërtesë e tillë duhet të ruhet si ‘monument’? Sigurisht që jo.” Në padinë e paraqitur, ata pretendojnë se “nuk ka asnjë provë konkrete që Monroe ka kaluar qoftë edhe një ditë aty”.
Megjithatë, faktet historike tregojnë ndryshe. Monroe e bleu shtëpinë për 75.000 dollarë në atë kohë, vlerë që sot do të barazohej me rreth 800.000 dollarë dhe ishte prona e parë që bleu vetë pas divorcit me Joe DiMaggio dhe Arthur Miller.
Gjatë qëndrimit të saj atje, ajo fitoi një Golden Globe dhe dha performancën e famshme “Happy Birthday, Mr. President” për John F. Kennedy. Që nga vdekja e saj, shtëpia ka kaluar në duart e 14 pronarëve të ndryshëm, ndërsa janë bërë shtesa të shumta, përfshirë një dhomë rekreacioni dhe një studio.
Përballë presionit publik dhe interesit të madh turistik, çifti Milstein dhe Bank janë shprehur të hapur për të ruajtur ndërtesën, por kanë propozuar që ajo të zhvendoset në një vend publik. Ata theksojnë se privatësia e tyre është cënuar rëndë për shkak të fluksit të turistëve dhe përdorimit të dronëve, që mbërrijnë vazhdimisht për të fotografuar shtëpinë e ikonës së Hollywood-it. gsh
VOAL- Taylor Swift, Mbretëresha e Popit, do të martohet. Dhe njoftimi në mediat sociale e ka çuar të gjithë internetin në një tërbim. Me një postim të përbashkët, ata ndanë njoftimin e dasmës së tyre në Instagram me 281 milionë ndjekësit e saj dhe gati 8 milionë të tij.
Pesë foto, e para më baritore, me yllin e futbollit amerikan Travis Kelce të gjunjëzuar nën një hark lulesh para këngëtares, shkaktuan shpërthimin e internetit, duke lënë në hije gjithçka tjetër. Dhe lajmi ishte i pritshëm; mori një dimension publiciteti, pasi shumë u përpoqën ta shfrytëzonin njoftimin.
Dhjetëra marka amerikane, duke përfshirë zinxhirët e ushqimit të shpejtë, zinxhirët e picave, zinxhirët e petullave dhe zinxhirët e kopshtarisë, ofruan të organizonin pritjen. Disa tashmë kanë fituar shumë, si Ralph Lauren, fustani i të cilit prej 400 frangash, i veshur nga 35-vjeçarja në fotografi, u shit në 20 minuta. Nuk dihet se si shkuan shitjet për Cartier dhe orën e saj prej 35,000 frangash në kyçin e dorës së këngëtares.
Diskutimi më pas u zhvendos te unaza, një prerje antike, e bukur apo e shëmtuar: a përputhet me stilin e Taylor? Pati disa komente negative (është një veprim promovues; mbretëresha e popit njoftoi publikimin e albumit të saj të ri rreth dhjetë ditë më parë): madje edhe Donald Trumpi, i kritikuar hapur nga Taylor Swift, e cila nga ana tjetër u denigrua nga presidenti, i uroi ata për dashurinë e tyre: “U uroj fat të mbarë. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe një djalë i shkëlqyer, ajo është një person fantastik, iu uroj shumë lumturi.” RSI
… Në vitin 1958, në restorantin e famshëm, Romanoff, në Beverly Hills, Natalie Wood kaloi pranë tavolinës së Frank Sinatrës kur ai bëri një koment të lartë dhe vulgar për të.
Pa hezitim, Natalie u kthye, shkoi drejt e te tavolina e tij dhe e goditi në fytyrë – para elitës së Hollivudit.
Zhurma e mprehtë e shuplakës së saj, në faqen e tij preu ajrin. Bisedat u ndalën. Buzëqeshja e Sinatrës u zhduk.
Natalie nuk tha asnjë fjalë. Ajo thjesht e shikoi, pastaj u kthye dhe u largua me qetësi dhe dinjitet, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Gazetat nuk shkruan kurrë, por historia u përhap si zjarr në të gjithë Hollivudin.
Romanoff, nuk ishte thjesht një restorant – ishte streha e aktorëve, producentëve dhe manjatëve të studiove.
Po Sinatra?
Ai ishte i paprekshëm. Me një Grammy pas vetes dhe me një reputacion të pushtetshëm ai mund të shkatërronte ose të ndihmonte në fillime karrierash me një pëshpëritje.
Megjithatë, me një gjest të vetëm, Natalie Wood, bëri diçka që askush nuk e priste.
Ajo ishte rritur në sistemin e studiove – që projektonin kukulla porcelani, modeluar për kamerën, dhe të stërvitura për të buzëqeshur.
Por në fund të viteve 1950, pasi luajti përkrah James Dean në “Rebel Without a Cause”, Natalie po ndryshonte.
Ajo mori role më komplekse, kërkoi më shumë respekt dhe foli hapur për mënyrën se si trajtoheshin gratë pas skenave.
Shuplaka nuk ishte një shpërthim zemërimi.
Ishte shprehja fizike e një gruaje që kishte duruar mjaftueshëm – dhe nuk ishte më e gatshme ta toleronte atë.
Ata që e njihnin Sinatrën prisnin hakmarrje. Ai ishte i njohur për mbajtjen e mërisë.
Por diçka e habitshme ndodhi.
Pas një momenti heshtjeje të pabesueshme, Sinatra u mbështet në karrigen e tij dhe thuhet se murmëriti,
“Ajo ka guxim. Ajo vajzë do të shkojë larg.”
Ai nuk foli kurrë publikisht për incidentin, dhe shumë thanë se ai në heshtje filloi ta respektonte atë.
Brenda pak ditësh, historia ishte bërë legjendë pëshpëritej vesh më vesh – në dhomat e zhveshjes, në sheshet e xhirimit…
Emri i Natalie Wood mori një peshë të re.
Ajo ishte ende një bukuroshe, ende një yll – por tani ishte edhe një grua, që nuk iu përul rregullave të heshtura të Hollivudit.
Aktore të tjera e lavdëruan privatisht.
Shumë prej tyre kishin jetuar momente të ngjashme, të detyruara të heshtnin, për të mbrojtur karrierën e tyre.
Natalie bëri atë që të gjithë kishin ëndërruar – jo me një fjalim, por me një gjest të vetëm, të paharrueshëm.
Ajo nuk foli kurrë publikisht për atë natë.
Asnjë intervistë. Asnjë anekdotë nëpër talk show.
Ajo nuk kishte nevojë për to.
Atë natë te Romanoff, Natalie Wood dha një mesazh më të fortë se çdo fjalim.
Trilleri hakmarrës i regjisorit disident iranian Jafar Panahi, “Ishte vetëm një aksident”, fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë të shtunën, duke ia dhënë çmimin kryesor të festivalit një regjisori të cilit i ishte ndaluar të largohej nga Irani për më shumë se 15 vjet.
Kana
Pas çmimit që iu dorëzua nga aktorja e njohur Kate Blanchet, regjisori disident iranian Jafar Panahi u shpreh se “është koha t’u kërkojmë të gjithë iranianëve në mbarë botën: le t’i lëmë mënjanë problemet, dallimet, gjëja më e rëndësishme është liria e vendit tonë.”
“Kinemaja, nënvizoi ai, është një kompani, askush nuk ka të drejtë të na tregojë çfarë të bëjmë, çfarë jo”.
“Është vërtet e vështirë të flasësh: përpara se të them diçka, më lejoni të falënderoj familjen time për gjithë kohën që nuk isha me ta”, tha Panahi i emocionuar.
“Dhe pastaj të gjithë ekipin që më shoqëroi dhe më lejoi të realizoja këtë film me ta. Dhe gjithashtu falënderoj të gjithë ata që më shoqëruan në Francë për post-produksion dhe distributorin tonë ndërkombëtar. Nuk do të kishte qenë e mundur të realizohej ky film pa një ekip të përkushtuar.”
Regjisori e mbylli fjalimin e tij të shkurtër, por intensiv, duke falënderuar “Festivalin e Filmit në Kanë dhe të gjithë të pranishmit”. bw
Me një tapet të kuq të mbushur me yje të njohur dhe një ceremoni hapjeje që bashkoi kinemanë dhe politikën, edicioni i 78-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë u çel të martën në Rivierën Franceze. Të pranishëm ishin emra të mëdhenj të ekranit si Robert De Niro, Leonardo DiCaprio dhe Quentin Tarantino, ndërsa festivali pritet të zgjasë 12 ditë, duke ofruar premiera të shumëpritura dhe diskutime të zjarrta.
Në ceremoninë hapëse, Robert De Niro u nderua me Palmën e Artë për karrierën e tij, një çmim që iu dorëzua nga Leonardo DiCaprio.
Tapeti i kuq u mbush me yje të tjerë si Quentin Tarantino dhe Juliette Binoche. Tarantino, i cili bëri një hyrje dramatike për të shpallur festivalin të hapur, do të nderojë të mërkurën regjisorin amerikan George Sherman. Ceremonia përfshiu gjithashtu një homazh për Ukrainën dhe shfaqjen e një versioni të restauruar të klasikës “The Gold Rush” të Charlie Chaplin.
Një moment i rëndësishëm i ditës ishte edhe njoftimi i dënimit të aktorit francez Gérard Depardieu me 18 muaj burg me kusht për sulm seksual ndaj dy grave, një rast i lidhur me lëvizjen #MeToo në Francë. Lajmi tronditi komunitetin artistik dhe solli në vëmendje tensionin mes artit dhe sjelljes personale të artistëve.
Juria e këtij edicioni kryesohet nga aktorja franceze Juliette Binoche dhe përfshin emra të njohur si Halle Berry, Jeremy Strong dhe regjisori koreano-jugor Hong Sang-soo. Ata do të vendosin për çmimin më të lartë të festivalit, Palmën e Artë, që do të dorëzohet më 24 maj.
Në garë janë 22 filma nga regjisorë të njohur si Wes Anderson, Richard Linklater, Julia Ducournau, Jafar Panahi dhe Joachim Trier. Festivalit i pritet t’i japë një tjetër impuls botës së kinemasë, duke e kthyer qytetin e Kanës edhe një herë në qendrën globale të artit filmik. bw
Val Kilmer, aktori i njohur për rolet e tij ikonikë në filma si “Top Gun”, “Batman Forever”, dhe “Tombstone”, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Mercedes Kilmer, përmes një deklarate të lëshuar për New York Times. Shkaku i vdekjes ishte pneumonia, pas një periudhe të gjatë betejash shëndetësore.
Kilmer ishte diagnostikuar me kancer në fyt në vitin 2017 dhe kishte kaluar një trakeotomi që i kishte ndryshuar plotësisht zërin. Pavarësisht sfidave të shëndetit, ai vazhdoi të qëndronte aktiv në industrinë e filmit dhe pati një rikthim të madh në vitin 2022, kur ai përsëriti rolin e tij si Tom “Iceman” Kazansky në Top Gun: Maverick.
Një nga figurat më të dashura të Hollivudit, Kilmer ka lënë një trashëgimi të paharrueshme në kinemanë ndërkombëtare.
Kilmer u shfaq gjithashtu në role të tjera të paharrueshme, duke krijuar një profil të fortë dhe të shumëpërfolur në industrinë e filmit. Kilmer, përfundoi një nga karrierat më interesante dhe më të vlefshme në historinë e Hollivudit.bw
Komentet