“… Ishte 27-dhjetori i 1981-it. Sapo kisha filluar punën kur vjen një nga funksionarët e regjimentit e buzagaz më thotë: – ‘Agim, vishu se na kërkojnë në komandën e Aviacionit. Më duket se kemi habere të mira… ngritje në detyrë’. Më erdhi e papritur, megjithatë u bëra gati e hipa në ‘Gazi’-n e komandës. Nuk kishim bërë as një kilometër rrugë nga reparti, sapo kishim kaluar urën, makina ndaloi. – ‘Defekt, foli shoferi. – Tani e gjeti, jemi dhe vonë’. Shefi i madh ‘i nxehur’ doli nga makina dhe nxitoi të ndizte cigaren. Dola edhe unë. Nuk kishim pirë as gjysmën e cigares kur një tjetër ‘Gaz’ ndaloi bri nesh. Keni nevojë për ndihmë? Dhe ne jemi për në Tiranë. Shefi im sikur u çlirua. ‘Hip Agim. Sa ta thith edhe një herë’.
Pa mbaruar fjalën shefi im, dikush zbriti nga dera e pasme e makinës. Sa hap e mbyll sytë unë u gjenda mes dy personave. Po bëhesha gati t’i falënderoja për ndihmën, kur njëri nga ata më hedh një thes në kokë, kurse tjetri duke më vënë prangat, më thotë – ‘Në emër të popullit je i arrestuar’! Shefi i tyre në krah të shoferit nuk foli asnjë fjalë. Skenari u luajt për bukuri.
Teksa më tregon “origjinalin”, Agimi, sot 80 vjeç e 6 muaj plot, buzëqesh hidhur. E njëjta buzëqeshje që i a njoh prej gjysmë shekulli. Vetëm se duhet t’ia deshifrosh mirë. Të dallosh se kujt i “dhurohet”.
– Po pastaj?
– Pastaj 5 muaj hetuesi intensive. Njëri dilte e tjetri hynte. “Ç’farë i the këtij e ç’farë të tha ai tjetri”. Madje po të them një diçka për të qeshur. Më nxorën para syve një foto pune, mes kolegëve e vartësve. Unë në atë fotografi po shihja rastësisht diku anash e të tjerët në një drejtim tjetër. Ai tundte fotografinë para syve të mi. – “Po kjo? Ç’do të thuashë – Hiç – i them – një foto e aq. Dhe buzëqesha. – Dhe më qesh pa le! Nuk të pëlqen të dalësh me këtë kolektiv të mrekullueshëm. Përse vetëm ti i shmangesh objektivitë”. Unë buzëqeshja e ngrija supet “Qenke aq i aftë sa të lexosh dhe aty ku nuk shkruhet asgjë. Pse atë kolektiv të mrekullueshëm kush e ka drejtuar deri dje? Kush firmoste që helikopterët të ngriheshin në ajër”?
Ç’të të them… ja me këto lloj idiotizmash kërkonin që të më bënin armik. Përmendnin emra shokësh, kolegësh, shefash e komandantësh… deri lart. Flisnin për ditë e ngjarje që nuk i kisha jetuar kurrë. Pyesja veten: Ç’bëhet kështu, a jam unë ky? Ai armiku i rrezikshëm për të cilin kishte investuar imperializmi dhe revizionizmi. A ka mundësi që ky apo ai emër të ketë deponuar kundër meje?
Aty-këtu më kujtohej si nëpër mjegull se disa fraza ishin të miat.
– Po, i kam thënë “x”-it, domosdo me shaka. Ishim shokë e kolegë që nga koha kur studionim në Odesë. Eh, njeriu i ndershëm… mund të “guxojë” pa keqdashje të bëjë shaka. Psh., ai “X” e kishte qejf atë të uruar raki. E kishin këshilluar e kritikuar disa herë. I thashë një ditë: “Po të përjashtuan nga Partia, ti del i fituar se me ato lekë që paguan kuotat do t’i pish raki”. Atë ditë qeshëm. Madje, më dha të drejtë.
Ja! Si ky dolën dhe 4-5 të tjerë. Të gjithë vartës të mi. Por jo të gjithë i nxorën dëshmitarë në gjyq. U garantuan anonimatin. Por diheshin… edhe unë i dija.
– Si shpjegohet survejimi juaj nga vartësit tuaj?
– Kam pasur kohë të mjaftueshme të mendoj. Kujt dhe pse i duheshe ky inskenim dhe kurbani im. Kisha vartës dhe shokë të vjetër që nga shkolla ruse, specialistë të zotë, civilë e nënoficerë. Ja që dikush e gëlltit atë lugë çorbë të prishur sa të shesë dhe shokun e shefin, madje ka pasur raste që dhe vëllai u bë viktimë e kësaj çorbe.
– Mos vallë si tiranas i vjetër emri yt është futur në “rrethin e kuq”?
– Jo, jo! Nuk e besoj. Në rreth të kuq janë futur dhe ministra e funksionarë të lartë me origjinë nga krahina të ndryshme. Ju thashë më lart. Në Ballsh gjeta dhe ish-komandantin tonë të Aviacionit, Edip Ohrin. Dhe ai u survejua. Dhe dr. Lulëzim Bilbili, dhe Bardhosh Llanaj, njerëz dhe kuadro të mrekullueshëm, të cilëve i u sajuan alibira sa qesharake, aq edhe të turpshme.
Unë them se piketoheshin ata kuadro indipedentë, me reputacion, që nuk i thonë “derrit-dajë”. Partia në ato vite u kujdes të gjente armiq në çdo rreth, në çdo sektor, në çdo armë… ashtu siç u kujdes të “krijonte” dhe dëshmorë të luftës e të punës, heronj të gjallë e të vdekur. Ndryshe nuk mund të realizohej propaganda e saj.
– Ju ishit dhe komunist i vjetër.
– Më fal, isha anëtar Partie i vjetër.
– Pse ndryshon?
– Ndryshon shumë, them unë. Me këtë emër u abuzua shumë. Unë dhe bashkëkohësit e mi nuk u futëm në parti për përfitime, por për të sakrifikuar diçka nga vetja, të ishim shembull në punë e jashtë saj. Dhe e kam bërë.
Ishin të tjerë rreth meje e teje, në regjimentin tonë, në armën e Aviacionit, në dikastere apo në bazë që u futën në Parti për t’u bërë komunistë (fjalë e madhe, më përshtypjelënëse tek të tjerët), për lehtësira, përfitime. Pikërisht ata bërtisnin gjithë ditën në emër të Partisë: “Unë komunisti…”.
Unë, përkundrazi, nuk i kam përmendur kurrë këto togfjalësha..
-Jeta në organizatën tënde?
– Epo, ja ashtu… Bëja kritika pune, angazhohesha dhe… aq. Nuk merresha e nuk më pëlqente as t’i bija gjoksit tim e as kurrizit të tjetrit pa të drejtë.
– Më falni inxhinier, ju bëtë një rezyme tepër të saktë të degradimit të Partisë në ato vite. Por do të shtoj edhe një fakt tjetër dëmëthënës. Erdhën dhe ca vite (pas viteve ’70) që Partia u hapi dyert e saj të paaftëve, dembelëve, njerëzve me vese. Madje, këta populluan organizatat duke bërtitur “ne komunistët”. Vetëm pse ishin “komunistë” (e kishin për ofedim t’u thoshe – anëtar Partie) këta anonimë, të paaftë, kapterë që na e bënin biografinë, ty si inxhinier e mua si pilot. Madje, disa prej tyre ishin ca analfabetë, që kur shkonin në shtëpi nuk ishin në gjendje t’u korrigjonin detyrat as fëmijëve të tyre në klasën e pestë. E pra, ky kontingjent ishte skalioni i parë i të shiturve të Partisë e sigurimsa pa pagesë. Më e keqja ishte se Partia kishte më tepër besim tek ky kapteri apo anonimi (që sillej gjithë ditën kot, minimumi i veshur me kominoshe pune a një kaçavidë në dorë) se tek ju si inxhinier a unë si pilot, që ngrija në ajër avionë a helikopterë e kisha prestigjin e atdheut në dorë, jo një kaçavidë.
– … Dhe inxhinier ti e tjetri i bëni pyetje vetes?
– Dhe ia kam bëra, me mijëra herë, jo vetëm ato 11 muaj… A mund të dënohet tjetri për shaka ordinereë Unë isha kuadër i lartë. Isha anëtar Partie që kalama. Vija nga një familje e fis, që ishte bazë e luftës. Kam drejtuar skuadrilje, ofiçina e uzina si inxhinier e drejtor. Madje, në një armë speciale. E në gjithë ato vite punë kisha pasur vetëm suksese… Ajo, partia ime kurrë s’më ka thirrur, të më bëjë një vërejtje apo këshillim….
Kështu i bie që të pushkatojnë, të çojmë në Spaç, të gjithë shqiptarët ose… hë…. ose të punojmë, vetëm të punojmë e të heshtim, si kinezët në kohën e revolucionit kulturor.
– Inxhinier! E fillojmë nga kreu bisedën e sotme. Dinastia Bylyku… Njëra nga ato që formuan tabanin e qytetarisë tiranase. Ç’mund të na thuashë Sa e njihni ju këtë trung gjigant?
– Ehuu! Të paktën pesë breza po. Patjetër nga tregimet e më të vjetërve. Le të themi që gjyshi im quhej Ismail e gjyshja Mereme, babai Hasan e nëna Sulltane.
– Ta shkruajmë Sulltone, ashtu tironçe…
– Po, tamam. Jam rritur jetim. Nëna më la 4 vjeç e babai 12… Mua dhe motrën e vogël na ka rritur gjyshja.
– Gjyshi, babai ku ka banuar, ju vetë ku keni lindur?
– Shtëpia e Bylykëve ka qenë në mes të Tiranës, ku është kafe “Flora” sot, në hyrje të Rrugës së Durrësit. Pas çlirimit (1947) tërë lagjes i ra plani i ri urbanistik. Unë atëherë isha rreth 10 vjeç. Një mik i babait na ofron një shtëpi dykatëshe pranë Rrugës Bardhyl. Tamam tek kthesa për në spitalin e fëmijëve. Atëherë quhej rruga e Çelëve. Këtë akt bamirësie miku i babait e bëri që t’i shmangej tatimit të shtetit për shtëpinë e dytë.
– Sa fëmijë lindi Sulltonia?
– Ta bëjmë si në matematikë. 3 + 3. Nga çunat më i madhi ishte Qemali, mbaroi për ekonomi; Bedriu për mjekësi dhe unë për inxhinieri, kurse gocat mbaruan vetëm shkollën e mesme. E madhja ka punuar në shtypshkronjën “Mihal Duri”, kurse dy të tjerat si infermiere.
Ja, kështu… po të gërmosh në fisin tim shkruan një libër voluminoz. Dhe Lym Allën e kemi tonin (djali i kushërirës së parë) dhe Nuriu (Bylyku), çun i xhajës, dhe dinastia tjetër tiranase “Mema” është pjesë e imja. Nënë Sulltonia ka dalë nga dera e tyre. Ata kanë pasur fushën “Ali Demi”. Ose Ibrahimi (çuni i xhajës), ka qenë qeleshepunuesi më i mirë i Tiranës. Mos qesh, atëherë ishte zanat e shkuar zanatit. Ose Hamiti, ka qenë rrobaqepës që kishte studiuar në Francë për këtë zanat.
– Inxhinier! Dalim nga kjo “xhungël” tiranase… Çfarë mban mend nga fëmijëria, nga lufta?
– Fëmijërinë e kam kaluar tek “Ali Demi” (siç quhet sot). Tek shkolla e kësaj lagjeje mbarova edhe filloren. Nga lufta mbaj mend se na u vra një djalë i lagjes, rreth 16-17 vjeç, mu tek dera e shtëpisë, e goditi një predhë që vinte andej nga Sauku. Ishte viti 1943 më duket. Kur kishte bombardime të tilla apo luftime në lagje, ne strehoheshim në bodrumin e familjes Topulli. Ata ishin një familje e arsimuar gjirokastrite dhe kishin një vilë trekatëshe, që ne fëmijët e lagjes i thoshim “pallat”. Kisha komshie dhe Xhanfize Kekon, atëherë Çipi. Edhe këta gjirokastritë. Nga tiranasit kishim komshinj familjet Zela, Bogdani, Ballvora… Ashtu si ne, edhe ata të lagjes ishin baza të luftës antifashiste.
Ah, po! E lamë tek shkolla… Shtatëvjeçaren e vazhdova tek shkolla “E Kuqe”, kurse gjimnazin në Rrugën e Durrësit (“Qemal Stafa” sot). Po, desh harrova! Pas shtatëvjeçares përfundova shkollën industriale. Atëherë quhej “Rezervat e Punës”. Në vitin 1953 fillova punën në uzinën “Enver”, por vazhdoja edhe gjimnazin natën.
Madje, mbaj mend edhe drejtorin sovjetik të uzinës në ato vite. Quhej Artion Spartak. Mbaj mend dhe… në uzinë më propozuan dhe u pranova anëtar Partie. Isha vetëm 17 vjeç.
Vitin e katërt të gjimnazit e vazhdova ditën që të mos më merrnin ushtar.
-E megjithatë do të vinte koha që t’i vinit kapelen kokës. Të bëheshit ushtarak. Si dhe kur ju “gjetën”?
-Sapo kisha përfunduar gjimnazin, në vitin 1957, Ministria e Mbrojtjes përzgjodhi mes maturantëve djem më të mirët (domosdo si biografi, fizik e në mësime). Unë nuk ia kisha idenë. Ishte koha për të shkuar ushtar. Pas një muaji na njoftuan se do shkonim në Bashkimin Sovjetik për studime, si kontingjent i Inxhinierisë së Marinës. Ata kishin nevojë për kuadro. Dhe më 30 dhjetor të atij viti u nisëm nga Durrësi me vapor. Madje, kujtoj se Vitin e Ri e festuam në portin e Pireut. Në vapor, ashtu shqiptarçe, me ato pak gjera që kishim nëpër çanta e valixhe. Në Sevastopul të Odesës mbritëm pas disa ditë udhëtimi nëpër det. Për të gjithë ne ky ishte udhëtim i parë e një kënaqësi e madhe. Më pas na nisën për në Universitetin e Inxhinierisë, në Leningradin e asaj kohe. Ishim 12 studentë me komandant kursi një gjirokastrit më të madh në moshë. Quhej Sadik Muho e ishte oficer. Akademia ishte 6 vjet, por me acarimin e marrëdhënieve politike, në fund të 1961-it, pra pas katër vitesh studimi, na rikthyen. Madje, na lanë kohë vetëm 3-4 orë përgatitje. Ishte urdhër urgjent i palës sovjetike.
– Po diploma?
– Dy vitet e fundit i përfunduam në Universitetin e Tiranës, ku dhe u diplomuam. Ne të Leningradit e kishim shumë të lehtë. Madje, pedagogët i kishim si shokë, si kolegë. “Ç’tu mësojmë juve!”, na thoshin. Nejse, duhej marrë diploma.
– Po rrugëtimi juaj në Aviacionë
– Në korrik të vitin 1963, pas diplomimit, na emëruam. Vetëm unë dhe Shyqyri Shahaj u caktuam në Aviacion, të tjerët në marinën detare. Unë përfundova në regjimentin e Rinasit, teknik katërshe, me komandant pilotin e klasit të parë, Kosta Dede dhe komandant regjimenti Niko Hoxhën.
– Po inxhinieri i skuadriljes dhe i regjimentit?
(Buzëqesh ashtu, siç di ai) As inxhinieri i skuadriljes, as ai regjimentit, madje as kryeinxhinieri i Aviacionit nuk ishin të diplomuar si inxhinierë. Kishin mbaruar vetëm shkolla teknike në Bashkimin Sovjetik. Më pas e vazhduan Inxhinierinë pa shkëputje nga puna. Por duhet ta themi se ishin të gjithë kuadro që punonin me pasion e i shërbenin tenikës luftarake me dashuri.
– Sa punuat në Rinas?
– Pas një viti punë aty, komandanti Niko më thotë se do më transferonte në skuadriljen autonome të Laprakës, se nuk kishin inxhinierë të shkolluar. Mua më erdhi mirë se si tiranas, do isha më afër shtëpisë. Por të nesermen e rënies së Niko Hoxhës (1965) më transferuan…
– Ku, në Laprakeë
– Ç’Laprakë! Në regjimentin e Kuçovës. Madje, më kërcënuan me masë disiplinore se urdhri i transferimit kishte kohë që kishte dalë e unë nuk e kisha zbatuar. Më caktuan inxhinier i skuadriles së avionëve MIG-17 e dy vjet më pas inxhinier i regjimentit për avio-motor, me të nderuarin Stefan Kagjini si kryeinxhinier. Më fal, dua ta theksoj patjetër. Kuadër, inxhinier e njeri nuk ka të dytë si ai burrë. Jo vetëm se ishte akademiku i vetëm në Aviacionin tonë, mbaruar shkëlqyeshëm në Moskë, jo vetëm se ishte shkencëtar, por ai hante bukë veç. Ishte një model. Më pas punova për dy vjet si kryeinxhinier i uzinës së Aviacionit, në Kuçovë. Ishte një përvojë e mirë. Punova më specialistë të mirëfilltë, që e bënin punën me sy mbyllur.
Dhe në fund, tamam në fund, në vitin 1970, me krijimin e regjimentit të helikopterëve u transferova në Tiranë dmth., në Farkë. Ishte regjiment i ri e duhej plotësuar organika me kuadro me përvojë pune.
Edhe këtu provova disa vende. Në fillim inxhinier regjimenti për avio-motor, pastaj inxhinier i skuadriljes së parë e pas tri vitesh, inxhinier i ofiçinës së mirëmbajtjes e riparimit të helikopterëve. Ajo organikisht quhej edhe si skuadrilje teknike, pas tri skuadriljeve fluturuese.
Këtu vazhdova deri më 27 dhjetor 1981…
… Cigarja e harruar mes gishtave ishte fikur. Intensiteti i jetëtregimit e kishte bërë entuziast e sikur e kishte kthyer pas në vite. Por sapo erdhi tek fjalia e fundit dhe dora e majtë që mbante cigaren dhe cepi i majtë i buzës iu drodhën…
Para meje qëndronte si sfinks një tetëdhjetëvjeçar, tipik tiranas edhe “taban”, edhe modern, edhe i urtë dhe vullkanik. Por tiparet e dyta (modernin dhe vullkanikun) nuk i shprehte kollaj. Duhej të ishe vëzhgues i hollë, ta njihje nga afër e t’i a shquaje mes rreshtash. Vetëm nëpërmjet ironisë tepër të hollë e fine zbuloje dhe modernin dhe atë, llavën e vullkanit, që nuk shprehej kurrë me ngritje zëri e tone të larta. Madje, nuk ka burrë që ta mbajë mend të vetmin rast që ai të ketë ngritur zërin…
Në pamje të parë kishe përpara një babaxhan, që nuk ta mbushte mendjen kurrë për një moshë të tillë, madje mund t’i hiqje pa frikë një 10-vjecar. Në thellësi dalloje eruditin e mësuar në jetë e në shkolla, një profesionist të rrallë, që kurrë nuk e tundi diplomën si mburojë, paçka se shefat, të quajtur e të vetëquajtur inxhinierë e nxirrnin gjoksin gjithmonë në rreshtime apo e mprihnin lapsin mirë në mbledhjet e organizatës së Partisë. Këta ishin komunistë. Agimi ishte thjesht anëtar Partie, siç do ta theksojë me jo pak mllef gjatë intervistës së tij.
– Të arrestuan… pesë muaj hetuesi…
– Ehuu! Për të qeshur e për të qarë. “Ke fol me filanin… i ke thënë kështu e ashtu”. Ditën që do dilja në gjyq më thanë: “Ia arrite qëllimit. Dosjen e ke të bardhë. Firmos se sot do të lirohesh”. Dhe firmosa në fund të letrës së bardhë, duke e ditur se 99% kjo ishte një lojë e tyre.
Ca gjëra i mban mend edhe ti. Sidomos atë gjyqin e famshëm në regjiment. Gjyq ushtarak i hapur para kolektivit. Ishte një gjyq shembullor për t’u thonë të tjerëve: “Zini mend e mos flisni lart e poshtë kundër vijës së Partisë se do ta pësoni si ky”.
Vetëm dy dëshmitarë më nxorën. Të tjerët nuk i shitën. Në fund, 8 vitet e prokurorit m’i zbritën në 6. Me motivacionin: “Nuk i ka rezistuar presionit imperialisto-revizionist”.
– E mbaj mend gjyqin tuaj. Qëndruat aq dinjitoz sa as në një mbledhje kolektivikur të bëjnë ndonjë kritikë të pabazë nuk mund të qëndroje aq i qetë. Po “pushimet” ku i bëtëë
– Në “plazhin” e Ballshit. Më deshi fati. Kushtet ishin të mira. Aty gatuaje vetë, ose në grupe. Po t’i jepje një paketë cigare kapterit, mund të bëjë dush dhe dy herë në javë. Gjynah me u qa…
– Mbani mend ndonjë VIP nga bashkëvuajtësitë
– Ishte burg heterogjen ai i Ballshit. Gjeje nga të gjithë. Deri nga ata me 25 vjet. Turli lloj tipash e grupimesh. Që ditën e dytë, një i njohur më porositi: “Kujdes, mos fol e mos u përzi me të tjerët. Qëndro sa më larg”. Dhe unë thuajse “bëja muhabet me vetveten”. Aty gjeta Beqir Omarin (nipi i Bedriut), Ismail Farkën (nipi i Bije Vokshit), Gëzim Peshkopinë, Ahmet Golemin, Fatos Lubonjën (atëherë njihej vetëm si çuni i Todit). Madje, aty gjeta edhe komandantin tonë të Aviacionit, Edip Ohrin.
– Ç’qëndrim mbanin atyë A flisnin kundër sistemit, Partisë, Enveritë
(Qesh me ironi) – Nuk e imagjinon dot… Aty festohej 16 Tetori (ditëlindja e Enverit ) më me entuziazëm se në shtëpinë e Nexhmijes. Madje, shumica e tyre kishin biblioteka personale me veprat e Enverit. Ishte një kamp pushimi për inteligjencën “antiparti”.
– Dhe sa vazhdoi “kampingu”ë
– Fati me njërën dorë të hedh e me tjetrën të pret. Nga 6 vjet, bëra gjithsej 11 muaj (5 hetuesi + 6 Ballshi = 11 muaj). Në kuadrin e festave të nëntorit të vitit 1982, doli një amnisti për të gjithë ata të dënuar nën 8 vjet. Përfitova edhe unë. Partia mendonte për të gjithë e për gjithçka. Dhe për dënime e për amnisti, duhej t’i a dinim për nder Partisë.
– Si e përjetoi familja arrestimin tuajë
– është pak të them se i u shemb Dajti mbi kokë. Shkoi deri aty sa dhe vajzën e vogël, si nxënëse e dalluar, e heqin si kujdestare klase dhe djalin e heqin nga kuadrati i parakalimit me rastin e 1 Majit. Ishin fëmijë të armikut të klasës. E imagjinoni se ç’përjeton një fëmijë. Në familje e në rrethin tim ishte një gjendje…. kujt t’i besonin. Disa të njohur i thoshin gruas: “Kjo nuk është pa gjë. Partia nuk të arreston kot, kush e di ç’ka folur… Do ta hamë edhe ne… Po mirë ishte xhanëm dhe… dhe…”.
Arrita deri aty sa t’i thosha gruas: “Kërko ndarjen! Të paktën shpëtoni ju dhe ata të tjerët. – Je në vete – më thoshte Vjollca. – Unë të njoh dhe të besoj vetëm ty”.
– Kur u riktheve, dmth. kur ta dhe “dorën” Partia, a takove ndonjë nga “informatorët që ta deshi të mirën”ë
– Po, thuajse të gjithë i kam takuar. Vetëm njerit i shkova në shtëpi që të nesermen. I thashë: “Ja ku jam. Po ti”ë Mbeti pa folur asnjë fjalë. “Harroi” dhe të më ftonte brenda, aty te pragu i shtëpisë. Kaq! U bë sa një grusht. Eh, ai gjithë jetën aq ishte, një grusht burrë. Për herë të parë desh dola nga natyra ime. Të ngrija zërin, ta mbërtheja nga jaka e këmishës, ta pështyja. Thjesht e mëshirova. Ika.
Të tjerët erdhen vetë. Më kërkuan falje, si para Perëndisë. Njëri thoshte: “M’i deformuan fjalët”, tjetri “Më bënë presion o ti, o ai do shkoni në burg, ai është kontingjent i armikut të klasës”. Eh si janë njerëzit. Ndërtojnë lumturinë e vet duke shkelur lumturinë e të tjerëve. Por Zoti është i madh. Atij i a kam lënë t’i gjykojë, unë i tillë jam gatuar.
– Po me shokët, ish-kolegët e tjerë, a takoheshe apo të qëndronin larg si ish…
– U godita keq. Nga hiçi. Ti më njeh, kam qenë njeri gazmor, i çiltër me të gjithë. Kur u riktheva në “bulevard”, vendosa të qëndroj indiferent me të gjithë. Shikoja vetëm përpara, jo anash. Por jo se nuk takohesha. Jam takuar edhe me ty, aty tek dera e uzinës, përballë “Qemal Stafës”, e mbaj mend edhe sot. Dhe Lulo Musai, ish-komandanti ynë i regjimentit më ndaloi në mes të rrugës: “Po ku je more Agimë Si na ndodhi të dyve kështuë Ngrije kokën e mos u jep sebep lapangjosëve”.
– Po më pasë
– Pas 2-3 muajsh më njoftuan për punë. Më emëruan inxhinier në uzinën elektro-mekanike, për remontin, kurse në vitin 1991 më emëruan drejtor të uzinës. Deri sa u mbyll si uzinë, në vitin 2003.
– Inxhinier! Nuk më thatë asgjë për familjenë
– Eh, familja… Pa të do të kisha lajthitur, megjithëse e quajmë veten burra. Jam martuar në vitin 1965 me Vjollcën. Edhe ajo është tiranase safi, nga Tabakët. Ka punuar gjithë jetën mësuese. Kam qenë me shërbim atë ditë, në regjimentin e Rinasit, kur më njoftuan me telefon se më lindi çuni, Adriani. Kurse vajza, Zajmina ka lindur në vitin 1970. Djali studioi për gjeologji (atëhere nuk i dhanë degë tjetër se babai… Nejse, sot punon në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit. Ka dy fëmijë, Enisën dhe Bjontin. Zajmina ka vetëm vajzën, Annis. Ajo jeton në SHBA. Ja, kështu shkurt…
– Si i kalon ditët një 80-vjeçar?
– Lëviz nga pak, takoj miq e shokë. Shyqyr Zotit i kam të shumtë. Fundjavat i kalojmë me Vjollcën tek djali. Ka një shtëpi andej nga TEG-u. Dhe një baçe, kështu më pëlqen ta them, jo kopsht, plot me pemë. Madje edhe perime. Më pëlqen shumë ambienti e qetësia. Kemi rrotull edhe fëmijët, që na zgjasin jetën.
– Po me pronat e dikurshme, si tiranas i vjetër…
– Mos m’i zer me gojë pronat. Na e kanë sjellë qumështin e nonës në majë të hundës. Asgjë deri sot. Mjerë robi që troket në zyrat e shtetit për të zgjidhur një hall. Aq më tepër për pronat. Po hajt mo, shyqyr Zotit jemi mirë…
– Si tiranas është e kotë të të pyes. Thjesht po të ngacmoj se sivjet keni zbritur në të parën.
– Jo, jemi në të dytën. Unë jam me Dinamon. Habiten shumë vetë, por ja! Nuk e di. Mbase atëhere në vitet ’50 kur unë isha akoma kalamo, si i thonë, Dinamo e sapokrijuar fitoi disa kampionate rresht. U bo me emër. Kishte mbledh dhe lojtarë të famshëm.
Po më e forta. Vëllai i madh është tifoz i Partizanit, kurse çuni i xhajës, Nuriu, futbollist i Tironës së famshme flas në ato vite, se dhe Dinamo dhe Partizani kanë pasur vitet e tyre të arta).
– Na thuaj dy fjalë për ish-komandantët e shefat e tu…
– Shiko, edhe arra nuk i bën të tëra kokrrat njëlloj… Në punë e për punën ka e duhet të ketë debate, kritika, përplasje mendimesh e idesh. Madje janë të domosdoshme. Aty ku vartësit janë ‘OK’ për gjithçka që u vjen nga lart apo kur drejtuesi i çdo rangu qoftë me arrogancën e unin e tij mbyt kritikat e propozimet… Aty punën e ka marrë lumi..
Unë kurrë nuk i kam mbajtur mëri askujt. Ruaj kujtime nga komandanti i regjimentit të Rinasit (Niko Hoxha) si dhe nga ai i Farkës (Lulo Musaj) si drejtues të aftë e punëtorë, të cilët edhe nëse e ngrinin zërin ndonjëherë para apo për vartësit, në shpirt kanë qenë të pastër, se pas 10 minutash të hidhnin dorën në qafë. Për Stefan Kagjinin fola më lart, thjesht i heq kapelen. Po kështu respektoj punën e shoqërinë e Arqile Perit, Genc Lubonjës, Tajar Ramadanit, Dalan Birçes apo Vehbi Punavisë. I kam pasur shokë e kolegë në kohë të ndryshme.
– Inxhinier, para se t’ju falënderoj, a ju ka mbetur ndonjë peng… A mund të ndryshoje diçka në jetën tënde, nëse do e nisje nga e paraë
– Jetën jo! (Prit! Përveç atyre muajve të… Allahu na ruajt…) As familjen, absolutisht jo! E kam të mrekullueshme. Një e metë e imja, të cilën ma “kritikonte” shpesh Vjollca, (bashkëshortja) ishte se besoja shumë më tepër se ç’duhet tek të tjerët, tek ata rreth meje. Po ç’të bëja, i tillë jam gatuar. Kam qenë optimist nga natyra, nuk mendoja kurrë të keqen e askujt. Aq më tepër të keqen time të më vinte nga… Bëj mirë se…
(E ngacmoj për të fundit herë, me shaka) – Po kur bën mirë a ta kthejnë…
– E thamë, Zoti është i madh. Le ta gjejë kushdo nga ai.
……………………………………….
Ky ishte portreti i njërit nga dinastia “Bylyku”. Atij që e nderoi këtë mbiemër, me punën e zemrën e tij. Na takon ne, ish-kolegëve, por edhe atyre rreth tij që kësaj dege të fortë të “rrapit” përtej shekullor të Bylykëve t’i vënë një pllakat ku të përulemi me respekt, sot në të gjallë të tij. I nderuar qofsh gjithmonë, inxhinieri buzëgas.
Ndaj dhe Shoqata e Aviatorëve e ka në krye të listës për ta nderuar së shpejti me rastin e 50-vjetorit të regjimentit të helikopterëve, duke i uruar që sot: Jetë të gjatë e qofsh gjithmonë i lumtur!
Zoti Bylyku me vone rreth vitite 1988 ne Aviacion dolen armiqe te tjere te Partise.