Sikurse shumë ekipe të tjera sportive në Ukrainë, edhe Dinamo e Kievit lufton për t’u stërvitur dhe për të luajtur.
Së voni, ekipi i futbollit mori një ofertë që dukej shumë e mirë për t’u refuzuar.
Skuadra e njohur serbe, Cërvena Zvezda, u ofroi disa lojtarëve të stërviten në Serbi – falas. Por, Dinamo Kievi tha jo.
Arsyeja? Gjigantët e futbollit ukrainas shkruan në ueb-faqen e tyre se Cërvena Zvezda e Beogradit ka luajtur ndeshje brenda Rusisë – vendit që është duke pushtuar Ukrainën.
“Derisa vendi ynë është në luftë, parimi ‘sporti jashtë politikës’ nuk vlen për ne”, tha Dinamo Kievi.
Menjëherë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt, 2022, atletët dhe ekipet ruse u përballën me izolim global.
Si Federata Evropiane e Futbollit (UEFA), ashtu edhe Federata Botërore e Futbollit (FIFA) i kanë pezulluar të gjitha ekipet ruse – kombëtare dhe klubet – nga pjesëmarrja në garat e tyre.
Cërvena Zvezda mori pjesë në një turne të organizuar nga Zeniti i Shën Petersburgut në fillim të këtij muaji, së bashku me skuadrën turke, Fenerbahce, dhe atë Neftci të Azerbajxhanit.
Dinamo Kievi, përmes një deklarate, kritikoi edhe Fenerbahcen për pjesëmarrjen në turneun në Rusi.
“Ju shkoni në turne për të fituar para dhe për të luajtur së bashku me agresorin. Asgjë nuk mund ta justifikojë këtë hap”, tha ekipi ukrainas.
Klubi turk u ndëshkua nga UEFA sezonin e kaluar, pasi tifozët e tij brohoritën emrin e Putinit në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Dinamo Kievit.
Në korrik të vitit 2022, Cërvena Zvezda e Beogradit luajti me Zenitin në qytetin Soçi të Rusisë. Ndeshja u cilësua si një “përplasje e kampionëve”, pasi të dyja skuadrat i kishin fituar ligat e tyre vendase atë sezon.
Në atë kohë, Zeniti kishte një përfaqësi të regjistruar në Serbi, në adresën e Cërvena Zvezdës.
Dy palët ndajnë gjithashtu një sponsor, Gazpromin – gjigantin energjetik rus, që kontrollohet nga Kremlini.
Logoja e kompanisë nuk është e vendosur vetëm në fanellat e lojtarëve të Cërvena Zvezdës, por edhe në ulëset e stadiumit të klubit, Rajko Mitiq, në Beograd.
Gazpromi, drejtpërdrejt ose nëpërmjet filialeve të tij, është pronar i shumicës së aseteve të konsiderueshme energjetike në Serbi.
Edhe pse Serbia e ka dënuar vazhdimisht pushtimin rus në Kombet e Bashkuara dhe në forume të tjera ndërkombëtare, ajo, deri më tani, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
Më 12 prill, agjencia e lajmeve Reuters, duke u thirrur në një dokument të klasifikuar të Pentagonit, ka raportuar se Beogradika rënë dakord ta furnizojë Kievin me armë, ose i ka dërguar tashmë ato.
Një ditë më vonë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka mohuar këtë, duke thënë se armët serbe mund të kenë arritur në fushën e betejës përmes vendeve të treta.
Në komentet për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Ambasada e Ukrainës në Beograd tha se e kupton vendimin e Dinamo Kievit, duke pasur parasysh se fëmijët “kanë qenë nën bombardimet dhe granatimet ruse për një kohë të gjatë”.
Ambasada ukrainase, megjithatë, shtoi se ka vënë re përpjekje në rritje nga Serbia për të ofruar mbështetje për Ukrainën dhe qytetarët e saj.
“Shpresojmë se kjo tendencë do të rritet në të ardhmen, ashtu si edhe ndjenja për një të ardhme të përbashkët në një familje evropiane”, tha ambasada për REL-in.
Qeveria serbe, përfshirë Ministrinë e Sportit, nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar vendimin e Dinamo Kievit për të refuzuar ofertën e stërvitjeve.