Nga Adam Taylor, Uashington Post
Narendra Modi do të shkruajë histori të enjten. Edhe liderë të tjerë indianë kanë folur në Kongres, por askush dy herë. Madje as tre kryeministrat indianë që kanë qenë në detyrë më gjatë se Modi: as paraardhësi i tij direkt, Manmohan Singh; as femra e vetme kryeministre e vendit, Indira Gandhi; as lideri i pavarësisë dhe kryeministri i parë i vendit, Jawaharlal Nehru.
Fjalimi i Modit është brenda kuadrit të një vizite të profilit të lartë në Uashington që përfshin edhe darkën e tij të parë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, në mbrëmjen e së enjtes. Pritja që i rezervohet është e jashtëzakonshme po të marrë në konsideratë distancën që liderët amerikanë mbanin dikur me të. Modit, dikur kryeministër i shtetit Gujarat në Indinë perëndimore, iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara më 2005 me akuzat të lidhura me dhunë të ushtruar nga turma besimtare.
Në atë kohë, kryeministri i ardhshëm i Indisë u përball me sanksione sipas një ligji që ndalonte marrjen e vizave për zyrtarë të huaj që shiheshin përgjegjës për “dhunime të ashpra të lirisë fetare”, pasi revoltat në Gujarat më 2002 çuan në vdekjen e rreth 1000 njerëzve, shumica myslimanë. Në një deklaratë të asaj kohe, Ambassdor David C. Mulford tha se vendimi i Departamentit të Shtetit ishte bazuar mbi një raport të Komisionit Kombëtar Indian për të Drejtat e Njeriut që thoshte se kishte pasur “dështim total nga ana e qeverisë së shtetit për kontrollimin e shkeljes së vazhdueshme të së drejtës së jetës, lirisë, barazisë dhe dinjitetit të popullatës së shtetit”.
Por gjërat ndryshuan me shpejtësi kur Modi u bë kryeministër i Indisë më 2014. Atë vit ai mbajti një fjalim në Madison Square Garden pas marrjes së vizës që dikur i ishte mohuar. Ai foli për herë të parë në Kongres më 2016 dhe, tre vjet më vonë, pas rizgjedhjes me një fitoreje të qartë, u takua me Presidentin Donald Trump në Houston. Darka shtetërore e së enjtes dhe fjalimi në Kongres konfirmojnë se Modi jo vetëm është rehabilituar, por edhe jashtëzakonisht i mirëpritur.
“Ka një besim të paprecedent” midis liderëve të Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, tha kryeministri për Wall Street Journal në një artikull të publikuar të martën.
Ndonëse revoltat në Guajarat kanë ndodhur më shumë se dy dekada më parë, debati për to vazhdon. Përkrahësit e Modit argumentojnë se ai ishte i pafuqishëm para masakrave në Gujarat dhe një ekip special hetimi i dërguar nga Gjykata e Lartë e Indisë tha se nuk kishte asnjë fakt për veprime të gabuara nga ana e kryeministrit të ardhshëm. Modi, një nacionalist i fortë Hindu dhe lider parlamentar i partisë së krahut të djathtë në pushtet, Bharatiya Janata, ka deklaruar se India është vend për njerëzit e të gjitha feve e besimeve.
Studiuesit thonë se ka pasur rritje në persekutimin e pakicës myslimane të Indisë që kur Modi mori pushtetin, përveç hapave të tjerë prapa në demokraci. Sivjet, autoritetet financiare indiane mësynë në zyrat e BBC dhe sekuestruan telefonat e gazetarëve. Incidenti ndodhi teksa qeveria mori masa të jashtëzakonshme për të censuruar dokumentarin “India: Pikëpyetja Modi Question”, i cili përmban komunikime diplomatike britanike të papublikuara më parë që thoshin se dhuna e turmës në Gujarat ishte e parapërgatitur “nën mbrojtjen e qeverisë së shtetit”.
Rehabilitimi i Modit nga Shtetet e Bashkuara ka të bëjë më tepër me Indinë se sa me të personalisht. Vitin e kaluar, India ia kaloi Kinës duke u bërë vendi me popullsinë më të madhe në botë. Ndryshe nga Kina, shumica e 1.4 miliard banorëve të Indisë janë të rinj, kështu që vendi pritet të vazhdojë rritjen për dekada. Tregtia me SHBA ka lulëzuar nën drejtimin e Modit, me Indinë që tani shihet shpesh në Uashington si një fortesë e mundshme tregtisë globale, teksa ajo i largohet Kinës me prirje brenda vendit dhe Rusisë së izoluar.
Prezenca globale e liderit indian merr shtysë nga diaspore gjigante e vendit, që përfshin shumë edhe në Uashington. Kur Modi të flasë para anëtarëve të Kongresit, ai do të shoqërohet nga kongresmeni indiano-amerikan Shri Thanedar (PD-Michigan). Zëvendëspresidentja Harris do të jetë një nga duzina e zyrtarëve indiano-amerikanë të pranishëm. Pritet të jenë edhe dy kandidatë presidencialë nga Partia Republikane, Nikki Haley e Vivek Ramaswamy.
Por nuk është gjithmonë e mundur të ndash liderin nga vendi. Vetë Modi e bashkon shpesh historinë e tij vetjake me atë të Indisë. Ndryshe nga shumë liderë të tjerë indianë, ai ka një background të profilit të ulët dhe është kryeministri i parë indian që është lindur pasi vendi u bë i pavarur. “Unë ia prezantoj vendim tim botës ashtu siç është dhe veten ashtu siç jam”, tha Modi për WSJ.
Siç ka vënë në dukje media indiane, me vizitën e tij Modi bëhet një nga pak liderët botërorë që flasin më shumë se një herë në një seancë të përbashkët të Kongresit, me pjesëmarrjen e Dhomës së Ulët dhe Senatit. Winston Churchill, kryeministri britanik i kohës së luftës, ka folur tri herë. Nelson Mandela foli një herë para fundit të aparteidit, si lider i opozitës i liruar nga burgu pas 27 vjetësh, dhe një herë më pas, kur ishte president i Afrikës së Jugut. Benjamin Netanyahu ka folur tri herë, ndonëse hera e fundit e kryeministrit të Izraelit ishte më 2015. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur dy herë, njëra prej tyre virtualisht.
Duke folur për vizitën, administrata Biden fokusohet më tepër te e ardhmja e Indisë se sa te e kaluara e Modit. Jake Sullivan, këshilltari i presidentit Biden për sigurinë kombëtare, iu tha gazetarëve këtë javë se ishte një moment kyç për Shtetet e Bashkuara dhe Indinë, duke shtuar se lidhja mes tyre “do të jetë një nga marrëdhëniet përcaktuese të shekullit të 21-të”.
Modi, i cili me gjasa do të rizgjidhet vitin tjerë, ka ende shumë ambicie. Ai kërkon një rol shumë më të rëndësishëm për Indinë në skenën globale, që mund të përfshijë potencialisht edhe një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara. Por një Indi me influencë më të madhe globalisht mund të mos jetë ajo që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë.
New Delhi ka refuzuar të dënojë Moskën për agresionin në Ukrainë, kryesisht për shkak të mbështetjes historikisht te Rusia për pajisjet ushtarake, të cilat përbëjnë rreth 85% të arsenalit të Indisë, sipas kërkimeve nga Instituti i Paqes i SHBA. Dhe ndërsa India mund të ketë mosmarrëveshjet e veta kufitare me Kinën, pak ekspertë mendojnë se ajo do të marrë pa u shqetësuar anën e Uashingtonit dhe aleatëve të tij kundër Pekinit, sidomos kur bëhej fjalë për luftën për Tajvanin.
Në një artikull në Foreign Affairs këtë javë, Daniel Markey i Institutit të Paqes argumentonte se Shtetet e Bashkuara “duhet të bashkëpunojnë me Indinë për realitetin e interesave të përbashkët, jo për shpresën e vlerave të përbashkëta”. Duke mirëpritur simbolikisht Modin në selinë e demokracisë në Uashington, edhe administrata Biden por shkruan histori. Por, mund të mos i pëlqejnë pasojat.