Më 2 dhjetor 1851, në përvjetorin e betejës së Austerlicit, me anë të një grushti shteti, Presidenti i Republikës Franceze, Luigj Bonaparti, i nipi i Napoleon Bonapartit, mbasi dhunoi opozitën, shpërndau Asamblenë Kombëtare, abrogoi ligjin elektoral, eliminoi lirinë e shtypit, aprovoi një kushtetutë të re sipas interesave të tij. Pak ditë më vonë, më 20 dhjetor 1851, zgjedhësit francezë u detyruan të votonin që mandati i Presidentit të bëhej 10-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Votuan kryesisht fshatarët pronarë të vegjël tokash, që ndiheshin të pasigurt nga “aventurat” e dhunshme demokratike dhe republikane. Mirëpo, diktatori i ri i “zgjedhur” nga populli, i kontrolluar prej strukturave të qeverisë, edhe kështu nuk ndihej i plotësuar, ndaj synonte një pushtet të përjetshëm dhe të trashëgueshëm. Më 2 dhjetor 1852, duke ndjekur hap pas hapi gjurmët e xhaxhait të vet, Luigj Bonaparti përmbysi republikën dhe u shpall perandor i francezëve. Dy referendume sanksionuan themelimin e perandorisë së dytë dhe kurorëzimin e Napoleonit III si perandor i francezëve. Vendosja e perandorisë u paraqit si triumfi i rendit, stabilitetit kundër anarkisë dhe rrezikut të revolucionit, që promovonte demokracia e një populli të pamësuar ende me institucione përfaqësuese. Gradualisht, zbatimi i referendumeve u bë elementi më karakteristik i regjimit. Zgjedhjet e paracaktuara shërbyen për konsolidimin e një regjimi autoritar. Studiuesit e historisë midis përkufizimeve të bëra për regjimin e dytë napoleonian kanë lënë përcaktimin e tij si diktaturë referendare, ndërsa formula që e përmblidhte gjithë politikën e tij, ishte “demokraci pa liri”. Institucionet politike në të gjithë harkun kohor të periudhës (1851-1870), ishin institucione autoritare të kontrolluara nga Napoleoni III; zgjedhjet administroheshin me kujdes nga prefektët, që ishin përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të perandorit ndër departamente. Ata kontrollonin përzgjedhjet e kandidatëve zyrtarë, manifestet propagandistike si dhe të gjithë prirjet e elektoratit të provincave departamentale. Edhe opozita lejohej aq sa nuk bëhej e rrezikshme për regjimin, kuptohet me kufiza dhe letra të përgatitura në zyrat e brendshme të qeverisë. Në këtë mënyrë, jeta parlamentare shkoi me shpejtësi drejt një zeroje absolute. Franca u vendos nën një diktaturë më demagogjike, më të stërholluar, më boshe dhe më moderne, se sa ajo që pat ndërtuar Napoleoni I. Mungesa më e madhe ishte mbrojtja e lirive themelore politike. Shumë prej kundërshtarëve të vërtetë politikë u burgosën, emigruan, u përjashtuan nga veprimtaria ose u internuan. Jeta politike franceze u vendos në një amulli të mbizotëruar nga një censurë shumë të rreptë nga zgjedhjet qesharake elektorale të manipuluara, nga një shfuqizim i plotë i organizmave përfaqësuese dhe nga një kontroll vertikal i të gjitha pushteteve nga lideri suprem. Natyrisht, në Francën e asaj kohe nuk ndodhi as mbivendosja e vulgut mbi elitën, as përdorimi i gangsterëve për të komanduar jetën e reduktuar politike të vendit, nuk pati as një organizëm ilegal të masonerisë të financuar drejtpërdrejt nga lideri ose sejmenët e tij për të kontrolluar shoqërinë, paranë, ekonominë, median, individët, etj.. Po ashtu, në vitet e perandorisë së dytë nuk iu mor fryma ekonomisë dhe biznesit dhe as nuk ndodhi që anonimët të gdhihen me porosi brenda një nate komisionerë dhe sipërmarrës. Përkundrazi, mungesën e lirive dhe shkatërrimin e institucioneve demokratike perandori i sajuar e kompensoi me një mbështetje të jashtëzakonshme të ekonomisë, sipërmarrja e rregullt përjetoi kohen e vet të artë si dhe një sistemim i jashtëzakonshëm urbanistik i kryeqytetit të vendit ndodhi në kohën e Napoleonit III. Por madhështia dhe arroganca e liderit çoi dhe do të çonte, në gabimin fatal, në tejkalimin e pamenduar prej tij, të vijës së kuqe së lojës diktatoriale, që shpinte në gjakderdhje dhe shkatërrim. I bindur se ishte tanimë lider i ri i Europës, ai kërcënoi, pa e matur forcën e vet, një shtet në pritje, Prusinë, që me hapa të matur, të përllogaritur nga një udhëheqës i jashtëzakonshëm si Bismarku, po ndërmerrte projektin nacional të bashkimit të kombit gjerman. Theqafja e Luigj Bonapartit tanimë nuk mund të ndalej, por problemi ishte se ai mori me vete edhe kombin në një greminë, në buzët e së cilës do t’i duheshin edhe 50 vite të tjera për t’u ringritur.
Kështu pra, në historinë e Europës njihen raste, kur përmes fitoreve në zgjedhje të kontrollueshme nga pushteti, të instalohen tinëzisht regjime autoritare dhe diktatoriale afatgjata. Ndodh që pjesët më të prapambetura dhe lehtësisht të bleshme të shoqërisë të votojnë me gëzim dhe nënshtrim ruajtjen e pushtetit të vrasësve të lirisë.
Ndodh që liderë të pazhvilluar intelektualisht, rastësorë dhe manipulatorë të arrijnë të mbijetojnë, falë njëmijë kombinimeve të paparashikueshme, të brendshme dhe të jashtme, për të zezën e kombeve të tyre, duke sjellë pasoja vështirësisht të rikuperueshme.
Dua gjithashtu të vendos në dukje se fatet e kombeve, që i nënshtrohen diktatit të grupeve politike regresive, të korruptueme, janë jo të sigurta. Rrugët e stabilitetit të tyre institucional, legjislativ, social dhe përgjithësisht shtetëror, depërtojnë nëpër humbëtira që s’kanë fund për një brez të tërë.
Në gjithë këtë prezantim, unë nuk desha të bëj asnjë krahasim mes liderësh me nivele të ndryshme të aftësisë drejtuese dhe të dashurisë për njerëzit dhe atdheun; kontekstet e ndryshme kohore po ashtu ta heqin komoditetin e nevojshëm për të bërë analizë krahasuese; edhe krahasimi mes një vendi me histori të ndërprerë shtetërore, me rende të shkatërruara shoqërore, intelektuale, pronësore dhe një supershteti me traditë dhe vazhdimësi të lavdishme në Europë, nuk mund të konsiderohet i përshtatshëm. Unë në këtë rast meditimi, veç desha të tërheq vëmendjen e qytetarëve të vendit tim, posaçërisht elektoratit të majtë se pranimi me përulje, me kompromise të paprincipta dhe besnikëri të pafundme dhe të pakuptimta, i aventurierëve të paqëndrueshëm emocionalisht, i të korruptuarve të paskrupuj, i bashkëshoqëruesve të tyre përfitues, mund t’i sjellë vendit dhe popullit vuajtje të pafundme, trazirë të pandalun, ikje masive pa kthim, rrënim të pandalshëm të strukturave të unitetit kombëtar dhe shtetëror të pranuara në mënyrë komunitare nga rifillesa jonë bashkëkohore, krijim hapësire dhe terreni për gëlimin e strukturave, edhe më të përçudnuara se sa krijoi Kryemjeshtri i Sektit të Rilindjes.
Largimi sa më parë i së keqes që po na sundon, nuk do të thotë që e ardhmja sërish të jetë një improvizim i pastudiuar, që bartësit e ndryshimit të jenë diletantë që i shmangen vetingut, që diktatura me zgjedhje të zëvendësohet nga një demokraci dhe liri e kompromiseve të paprincipta, ku rendet e meritave dhe të ndershmërisë të ngatërrohen e ndërlikohen aq shumë sa elita të vendoset nën sundimin e vulgut të mbetun gjithmonë në pritje të rikapjeve.
Unë mendoj, se tranzicioni politik, nga regjimi depresiv i Rilindjes në shtetin e ristrukturuar konstitucional, me kompromis, duhet t’i besohet një ekipi të elitës intelektuale të vendit, të kryesuem nga më një prej më të shquarve. Mos mendoni se kam ndërmend ndonjë prej dekanëve sherrxhinj, dredharakë dhe shërbëtorë afatgjatë pushtetesh. Kam parasysh vetëm elitën e elitës së dijes së mbetun në vend, profesionistët e rinj të shkolluar qartë në Perëndim, ata që në këto ditë të zymta dhe të trishtueshme për njerëzit e thjeshtë, iu gjetën në krah, duke i dhënë shpresë dhe rrugëzgjidhje. Shqipëria, në vitin 2019, duhet të gjejë një Adolphe Thiers, që të stabilizojë sistemin kushtetues dhe politik, të shfuqizojë aktet e turpshme dhe antikushtetuese të ndërmarrë nga maxhoranca nga data 25 shkurt 2019, të rikthejë legjitimitetin e Parlamentit, që do punojë veç në funksion të rithemelimit të Republikës, stabilizimit të drejtësisë, kryerjes së Reformës Zgjedhore dhe rindarjes administrative dhe zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Historia e mashtrimit të Sektit të Rilindjes, që nis nga “fjalimi programatik” i Kryemjeshtrit të një milion shuplakave, i 11 shtatorit 2013, tanimë do të duhet të marrë fund. Së bashku me largimin e njeriut të kapur marrëzisht pas karriges kryeministrore, do të duhet të përfundojë edhe historia dramatike e Republikës së katërt shqiptare, që prodhoi autoritarizëm dhe sundim të oligarkisë.
Komentet