Sistemi i diktaturës ishte në grahmat e fundit, por egërsia e saj ishte në tërbim. 33 vjet më parë u vranë në kufi tragjikisht në kohën kur rinia shqiptare kishte tendencën të shpërthente kundër diktaturës për liri dhe demokraci. Tre shokë rinie të qytetit të Cërrikut që kishin marrë një vendim: Ose të vdisnin, ose të arrinin lirinë e jetës së tyre. Sokol Hado, Enver Malko dhe Frederik Haruni e kishin vendosur që të kalonin kufirin për të shpëtuar nga mynxyra e jetës nën regjimin stalinist. Ata djem ishin nga familje të thjeshta, por me ndjenja patriotike, ishin moshatarë dhe me edukim të heshtur për liri dhe demokraci. Në atë kohë tentativa për arratisje nga Shqipëria u paguam me humbjen e jetës me pushkatimin e Frederik Harunit dhe Sokol Hado, ndërsa Enver Malko shpëtoi për një rastësi të çastit. Ishte 25 shkurt 1990, ende pa nisur shpërthimet masive të protestave dhe ikjeve nga Shqipëria. Në bisedë me të shpëtuarin Enver Malko që ishte edhe nga Çamëria me orgjinë dhe që sot jeton në Gjermani, më tregon për atë ngjarje, se edhe unë vetë isha banues në Cërrik.
Sokol Hado vinte nga një familje atdhetare dhe patriote. Kishte arsim të mesëm dhe pjesë e skuadrës së futbollit “Turbina” të Cërrikut… Babai i tij kishte mbaruar shkollën për veteriner në Itali. Për shkaqe të qëndrimit politik ai shikohej më syrin e keq të luftës së klasave, por në Cërrik të gjithë e njihnin dhe e thërrisnin “doktor Enver Hado”, se ishte një burrë me nderime në qytet.
Frederik Haruni ishte djali i Jaho Harunit. Kishte arsim të mesëm dhe i pasionuar për jetën e lirë dhe me ndjesi demokratike. I ati kishte marrë pjesë në luftën për çlirimin e vendit. “Xha Jaho”, siç e thërrisnin të gjithë, ishte një njeri i respektuar dhe punëtor. Frederiku ishte edhe vëllai i piktorit të mirënjohur Ylli Haruni, i talentuar dhe i njohur në Cërrik dhe më pas edhe në Elbasan në rrethin e intelektualeve, që sot jeton e punon në SHBA.
Enver Malko vjen nga një familje patriotësh nga babai, gjyshi e stërgjyshi të përgjakur me ultranacionalistët grekë, gjyshi Jasin Malko Çelua ishte shok dhe ndihmues i Muharrem Rushitit në luftën për pavarësi. Babai i tij, Malko, kishte derdhur gjak për Atdheun e tij, por diktatura kërkonte ta poshtëronte për shkaqet e njohura të origjinës nga Çamëria, por edhe pas dënimit që iu bë të ashtuquajturit “grupi çam” i Teme dhe Taho Sejko, Tahir Demi etj., edhe pse në shtëpinë e familjes së tij flitej për heroizmin e “Heroit të Popullit” Ali Demi. Këta djem u rritën me këtë frymë duke menduar se ishin ndryshe nga të tjerë. Kështu mendonin ata djem të rinj në moshë në atë kohë, se edhe mund të ishin ndryshe në të kuptuarit e jetës. Sokoli ishte i motivuar kundër sistemit për këndvështrimin negativ që i bëhej babait të tij, saqë edhe motrës së tij, Arjanës, nuk i dhanë të drejtë studimi për në shkollë të lartë edhe pse me nota të shkëlqyera. Sokoli me të vërtetë nuk e donte atë sistem diktatorial dhe shpesh u fliste shokëve të tij të ngushtë, Enverit dhe Frederikut, me shumë simpati për Amerikën, ndërkohë që idhullin e tij kishte Presidentin Truman.
HISTORIA E ARRATISJES SIPAS KUJTIMEVE TË ENVER MALKOS
“Një ditë folëm me Sokolin për të ikur, por nuk njihnim njeri. Menduam se mund të iknim nga deti, nëse nuk gaboj, kur ishte 1985, pas vdekjes së diktatorit. Siguruam një kamerdare. U nisëm drejt Sarandës. Një natë fjetëm në hotel “Apolonia” dhe të nesërmen në Sarandë. Aty fshehëm kamerdaren në një gëmushë në breg të detit në të djathtë përballë hotel ‘Butrintit’ ku kishte edhe ndonjë pishë deti aty. U prenotuam në hotel ‘Butrinti’. Kur dolëm në darkë po shikonim prozhektorin që ndizej e bënte ditë. Deti ishte i qetë, nata me hënë. Menduam se ishte e pamundur të kalohej sepse nga bregu dukej çdo gjë në sipërfaqe edhe drita e hënës që reflektonte. Ajo që nuk dinim atëherë ishte se edhe po të futeshim në det e të mos na shihte njeri, sigurisht do të vdisnim nga hipotermia ulje te temperaturës së trupit se ishte dhjetor. Zoti na ndihmoi në këtë raste.
Pas kthimit nga Saranda ndiheshim shumë të zemëruar sepse edhe rrugën e Ksamilit e menduam, por të ikje me kamerdare deri atje ishte e paimagjinueshme. Pas disa vitesh, Sokoli më tha se kishte folur me një shok shumë të besuar që po bënte ushtrinë në kufi. I thashë që të ikim, por Sokoli kishte një problem familjar dhe më tha se nuk mund ta bënte këtë gjë dhe ishte gati të sakrifikonte çdo gjë për këtë. Megjithatë, unë asnjëherë nuk e mora vesh kush ishte shoku me të cilin kishte folur Sokoli. Kur e vendosëm, Sokoli më prezantoi Frederik Haruni. Sokoli kishte një adresë të një familje hebreje që xhaxhai i tij i kishin shpëtuar jetën gjatë luftës. Kjo zonjë e moshuar banonte në Montreal në Kanada. Por s’ishte e thënë. Në diktaturë mundësitë për të shpëtuar nga kthetrat e saj ishin edhe më të vogla sesa të hebrenjve.
U nisëm të motivuar, duke e vlerësuar edhe rrezikun. Nuk biem gjallë në dorë të komunistëve, Sokoli dhe Frederiku ishin të bindur dhe shumë të vendosur. Ishin vërtet dy trima që u shndërruan në heronj. Edhe pse Frederik Haruni kishte folur me Kolin për t’u arratisur dhe ishte në kufi kur ka folur me të ai (Frederik Haruni) priti shokët e tij. E pashë të rënë para syve të mi, sesi ra ai djalë trim. Gjatë kalimit të kufirit arritëm në një pikë ku na u tha se po të kalohej matanë, ishe jashtë shtetit. Ishte një e përpjetë shumë e rrezikshme në Korab të Dibrës. U përpoqëm ta kalonim. Aty unë jam rrëzuar dhe jam plagosur, më ra të fikët, u çava në ballë. Më vjen Frederik Haruni dhe më përmend. I thashë se ishte e pamundur të kaloja, nuk mundesha, ndjeva shijen e gjakut në gojë. U mblodhëm edhe një herë të tre dhe vendosëm në liri të plotë dhe në emër të asaj që ishte më e shenjtë për ne. Koli vendosi të vazhdojë vetëm përpara, pikërisht aty ku unë u rrëzova dhe nuk u pamë më. Frederiku u kthye me mua për të gjetur një tjetër alternativë me Kolin. Thamë që do shihemi matanë.
Na gjeti mëngjesi pranë kufirit, edhe pse i kishim kaluar rojet. Një banore i zonës na kish parë dhe kishte lajmëruar në postë. U dëgjuan të shtëna nga larg, të cilat bëheshin gjithmonë e më të afërta. Unë ende s’e besoja se mund të ishin ushtarë sepse i kemi parë gjatë natës dhe i kishim lënë larg. Frederiku e kuptoi dhe më tha lëviz se na zunë. Kisha humbur gjak dhe energji. E pashë në sy dhe i thashë ik Pete, ik, ik. Ushtari pas pak arriti dhe e goditi, edhe ashtu me plumba në trup vazhdonte të ecte drejt kufirit drejt “lirisë” që aq shumë e donte. Frederiku im i dashur, shoku im i shtrenjtë besnik i pashoq mbylli sytë duke thirrur emrin tim. Nuk flas për sjelljen e ulet njerëzore që u rezervua ndaj Frederikut dhe meje. Diktatura nuk kishte respekt as për të gjallë, as për të vdekur. Për shokun tim të shtrenjtë, shokun tim të fëminisë mësova që kishte vdekur edhe ai, por këtë e mora vesh muaj më vonë se gjithmonë mendoja se Koli e kaloi kufirin. Isha vërtet i gëzuar që Sokoli ia kishte dalë. Kur e mora vesh që edhe Koli kishte vdekur, kam qarë si fëmijë. Asnjëherë nuk fola për adresën që kishim me vete, e cila mund t’i kushtonte shtrenjtë familjes së shokut tim Sokol Hado. Jam me fat dhe i falem Zotit që më mbajti gjallë ashtu rastësisht, por lutem për shpirtin e dy shokëve të mi të shtrenjtë cërrikas që e sfiduan diktaturën dhe vendosën me vetëdije të plotë të jepnin edhe jetën për atë qe sot ndoshta shumë njerëz e mendojnë si diçka të llogaritur që nuk diskutohet”, shprehet Enveri, edhe pse e ndjen veten me fat.
Ishte 25 shkurti i vitit 1990, kur diktatura po përgatitej të dorëzonte pushtetin, por jo pa gjak, se janë 57 shqiptarë që vetëm në vitin 1990 u vranë në kufirin e Shqipërisë pse tentonin të iknin jashtë shtetit. Enver Malko edhe pse me fat që shpëtoi gjallë, i ka ende në sy barbarinë e goditjes vrastare të bijve të popullit. Të tre djemtë e Cërrikut ishin 25- vjeçarë që donin lirinë dhe të jetonin në një vend perëndimor europian mundësisht.
KISHTE RËNË MURI I BERLINIT, POR JO ISTIKAMET E KORABIT
Ishte fillimi i ‘90-ës. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe evropianët i gëzoheshin klimës së re. Tirana këmbëngulte në të vetën “As Lindje, as Perëndim”. “Ra muri i Berlinit, por jo karakollët e Korabit” stigmatizonin dibranët. Korabi ato ditë përcillte lajme me të vrarë e të plagosur. Ëndrra e dhjetëra fatkeqve mbyllej tragjikisht këtu. Emrat e tyre pastaj futeshin në raporte e shkresa, të cilat brenda ditës nga Korabi përfundonin në Tiranë.
Ëndrrat e tre të rinjve u prenë në mes, por demokracia erdhi një vit më pas. Ata guxuan për liri e demokraci kur të tjerët nuk guxonin as të flisnin. Ëndrra për t’i ngjarë Platinisë si futbollist e Sokol Hados u pre në mes, ëndrra e Frederikut për të gëzuar lirinë u vra, ëndrra e Enver Malkos për të jetuar në liri gjeti mundësinë vetëm në Gjermani ku shkoi për të jetuar me një dhimbje të madhe në zemër e me mendime të goditura nga ajo ngjarje e 25 shkurtit 1990. Epilog.
Ndoshta ka ardhur koha e nderimeve më të shumta të atyre që dhanë jetën për liri dhe demokraci, sepse demokracia erdhi përmes këtyre sakrificave sublime për të çarë shtetrrethimin e diktaturës staliniste të Enver Hoxhës.