Ka kohë që emri diasporë pothuajse është hequr nga fjalori i përditshëm i gjuhës shqipe.Kjo fjalë ngjan sikur të jetë përdorur në librin e Buzukut, kur në fakt nuk ka më shumë se 1 shekull kur është shqiptuar për herë të parë në brigjet e përtejme të Oqeanit Atlantik. Ishte koha kur formohej shteti shqiptar dhe pa diasporën e Amerikës ne sot nuk do ta kishim këtë shtet, që e gëzojmë prej 104 vjetësh.
U ngjall dhe ringjall me çështjen e Kosovës dhe tashmë prej afro 1 dekade duhet të themi se diaspora nuk është më ajo e para. Ajo duket sikur ka rënë në gjumë, sikur nuk ka më kauzë, nuk ka më organizime dhe ka kohë që për median tonë prej andej nuk vijnë më lajme. Ajo është në rastin më të mirë është indiferente ndaj Shqipërisë dhe në rastin më të keq e përçarë dhe e përdorur politikisht nga Shqipëria. Lidhja e diasporës me Shqipërinë ka nisur të shkëputet dhe nuk janë të pakta rastet kur shqiptarët kanë humbur fare kontaktet, ose janë asimiluar në rrjedhën e jetës në tokë të huaj.
Aktualisht, fjala diasporë është zëvendësuar me fjalën emigrant, ose më së shumti në bashkësi e shoqata emigrantësh, që arritjen e tyre më të madhe e kanë reklamimin e disa abetareve dhe mësimeve falas për fëmijët apo ngritjen e flamurit shqiptar në ndonjë ndërtesë shtetërore, a thua se jemi ende në vitin 1912. Pjesa tjetër për ta vlen kur vijnë në gusht për të bërë plazh dhe ndonjë nevojë personale që në Shqipëri u del më lirë. Aq e theksuar është kjo situatë me diasporën emigrante sa në një “talk show”, humoristi i njohur Elvis Pupa thotë se emigrantët tanë vijnë në Shqipëri vetëm për dy arsye: Për të bërë pushime dhe për të rregulluar dhëmbët.
Thjesht fare, emigrantët vijnë në atdhe për turizëm veror dhe turizëm dentar. Por ç’ndodhi me faktin që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar që mbahet një samit i posaçëm për diasporën? A ishte Kryeministri Rama ai që kërkoi që ta ngrinte realisht emrin e emigrantëve në diasporë, apo ai kërkon t’i përdorë ata politikisht, siç janë shprehur kritikët ndaj tij. Dhe më e rëndësishmja fare: Pas formimit të shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, a quhet i përfunduar misioni i diasporës, apo ajo ka çështje të tjera kombëtare që duhet t’i kthejë në kauza?
Së pari, pavarësisht qëllimit, idesë dhe se kush e organizon dhe si e organizon, është e rëndësishme të themi se nisma për mbajtjen e këtij samiti duhet të përshëndetet.
Së dyti, përpos historisë së fillim viteve ’20-të, ku diaspora kishte deri deputetët e saj në Parlamentin shqiptar, autoriteti i diasporës në raport me shtetin shqiptar ka ardhur në rënie. Edhe ato përpjekje dhe mbështetje të kauzave kombëtare, individë të ndryshëm më shumë kanë dëshirë t’i bëjnë të shkëputura nga shteti shqiptar sesa të bashkëpunojnë me një takëm politikanësh, që për ta janë të korruptuar dhe që kërkojnë t’i përdorin. Mjafton që të bëjmë disa krahasime me të kaluarën për ta kuptuar se në cilën situatën jemi: A ka sot krahasim ajo që ka bërë për Shqipërinë shoqata “Vatra” për dekada me radhë me korifejtë e saj Mihal Grameno, Fan Noli, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, Kristo Kirka, Kostaq Kotta e të tjerë dhe që i dhanë Shqipërisë pjesën më të mirë të bijve të vet dhe që e deshën Shqipërinë atëherë kur nuk kishte fare Shqipëri, duke sjellë pavarësinë, formimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar? A krahasohen sot bëmat dhe dobitë e diasporës më atë që bëri Spiridon Ilo, korçari idealist që shkriu pasurinë e vet në SHBA dhe Rumani për ta vënë në dispozicion të pavarësisë?
A ka sot një rast të dytë me atë të Pandeli Evangjelit, që bashkë me vëllezërit lanë pasuri e katandi në Bukuresht dhe u vunë në dispozicion të shtetit shqiptar, duke kontribuar në administratën e tij deri kryeministër? A mund të krahasohet diaspora aktuale me atë që kanë bërë shqiptarët e Amerikës Antony Athanas, Ekrem Bardha, Van Christo e të tjerë për pavarësinë e Kosovës? Është shumë e gjatë lista e atyre që e deshën Shqipërinë që në krahasim me fodullëkun, kapardisjen dhe indiferencën e disave, që sot e quajnë edhe ata veten diasporë, zgjodhën idealizmin dhe kontributin konkret për tokën që e lanë pas. Por a është ky momenti kritik kur kjo diasporë e përgjumur duhet të zgjohet dhe të rinisë punën për një kauzë të re: Atë të ndihmës ekonomike, duke investuar në atdheun mëmë që prej 25 vjetësh vazhdon të jetë shteti më i varfër në Europë?
Besoj se çdo aplikant dhe pjesëmarrës në këtë samit duhet t’i bëjë vetes një pyetje të madhe: Çfarë ka bërë për Shqipërinë? Vetëm dhënia e përgjigjes së kësaj pyetjeje do të thotë shumë për atë vetë dhe për të gjithë. Ndonëse jozyrtare, sipas llogarive, sot në të gjithë botën jetojnë afro 15 milionë shqiptarë, autoktonë, shtetas, apo dhe ata me orgjinë. Pra, është rast unikal në botë që numri i atyre që jetojnë jashtë shtetit është pothuajse pesëfish më i madh se ata që jetojnë brenda tij. Dhe ashtu si në Shqipëri, shqiptarët e diasporës janë të mirë, të zotë që kanë bërë emër. Por ka edhe nga ata që si cilësi kanë të kundërtat e këtyre.
E mbyllim këtë koment me disa vargje therëse të Faik Konicës, një prej përfaqësuesve më “high class” të diasporës shqiptare. Për koincidencë, në start të Samitit, 270 libra nga biblioteka e tij e famshme mbërrijnë nga SHBA-të si një dhuratë e madhe. Me kulturën e vet, me formimin e vet, me diplomacinë që ushtroi në SHBA, është nga ata që ka bërë më shumë se shumica e diasporës për Shqipërinë afro 100 vjet më parë dhe që e tregoi pikërisht në këtë mënyrë atë që bëri për Shqipërinë.
“Ma shanë Atdheun, ma shanë nga nëna, Në një bar, mbushur me të bardhë e negër… Shtrëngova dhëmbët të mos më çahej zëmra, E mbi ta të lëshohej si bishë e egër…
Ma shanë Atdheun buzë detit Egje. Si m’u mbyll goja e nuk volla mallkime!? Po për kë t’i shaja!? Ata s’kishin Atdhe… Ma shanë Atdheun, në gjuhën time.” – Faik Konica, SHBA
Komentet