Nga Julian Roepcke, BILD
Një surprizë e keqe Krishtlindjesh për forcat ajrore të Vladimir Putinit në një mision të paligjshëm bombardimi në Ukrainë.
Në mënyrë të papritur, ushtria ukrainase rrëzoi të premten tre bombardues ultramodernë rusë Sukhoi Su-34 në jugun e pushtuar nga Rusia.
“Sot në drejtim të jugut- minus tre gjuajtës-bombardues rusë Su-24,” raportuan Forcat Ajrore të Ukrainës në median sociale X.
Sipas tyre, bombarduesit rusë ishin të armatosur me bomba rrëshqitëse FAB-500 dhe synonin objektet e Ukrainës në brigjet e lumit Dnjepër në rajonin Kherson.
Ndërsa propaganda ruse fillimisht pretendoi se ishin ata që kishin rrëzuar avionë luftarakë ukrainas mbi Kherson, ushtria dhe blogerët e saj u desh të pranonin menjëherë më pas se tre nga avionët e tyre me vlerë 40 milionë euro u qëruan nga qielli nga një ‘sistem modern i NATO-s’.
Pasdite në Ukrainë pati një gëzim shumë të madh për këtë sukses ushtarak.
Dhe shumë ekspertë ukrainas spekuluan se një sistem antiajror i teknologjisë së lartë ‘Patriot’ që sapo kishte ardhur nga Gjermania ishte përgjegjës për rrëzimin e avionëve luftarakë rusë.
Sepse siç raportoi ekskluzivisht BILD më 25 nëntor, sistemi i dytë gjerman ‘Patriot’- pas rajonit të Kievit, ishte vendosur në rajonin e Odesës në jug të vendit. Nga atje, me rrezen e tij deri në 160 kilometra, ai mund të mbulojë gjithashtu rajonin e Khersonit, madje edhe bregdetin verior të Krimesë së pushtuar nga Rusia.
Ndoshta jo krejtësisht rastësisht, Forcat Ajrore Gjermane postuan pothuajse njëkohësisht me raportimet për rrëzimin e avionëve luftarakë rusë: “Kemi përfunduar raundin e dytë të trajnimit të ushtarëve ukrainas me Patriotin tonë dhe kemi dorëzuar sistemin e dytë”.
Mesa duket, ushtria ukrainase i bëri forcave ajrore të Putinit një surprizë të keqe për Krishtlindje me sistemin fringo të ri gjerman.