Janë arrestuar dy policët kufitarë malazezë të cilët dhunuan në doganën e Muriqanit profesorin Petraq Milo, ish-këshilltar i Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Ngjarja ndodhi në janar të këtij viti, ndërsa autoritetet malazeze dhe ato shqiptare u vunë në lëvizje pas publikimit të pamjeve të reja.
Media publike malazese “RTCG” njofton masat e marra nga autoritetet e Podgoricës, duke vënë pranga dy efektivët malazezë.
Një prej policëve është identifikuar si Dragan Shqekiç i cili shihet në video duke goditur Milon dhe e nxjerr me forcë nga automjeti.
“Ushtruesi i detyrës së prokurorit në ZDT në Ulqin, siç mësohet jozyrtarisht, ka urdhëruar arrestimin e dy policëve të cilët dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më 15 janar në pikën e përbashkët kufitare Sukobin – Muriçan, në të cilën ndodhi keqtrajtimi i një shtetas shqiptar. Në fjalë, siç mësojmë, janë policët D.Š. dhe N.B”, thuhet në komunikatë.
Petraq Milo, Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Partinë e Lirisë, po udhëtonte me familjen e tij drejt Malit të Zi në 15 janar të këtij viti, kur u përball me dhunën e policisë kufitare malazeze.
Ndërsa sot gjatë ditës, kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha se videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar një shtetas të huaj në kufi me Shqipërinë, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe sipas tij “janë ndërmarrë masa”.
Ai tha se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate.
Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.
“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviç.
Sakaq, një ditë më parë u pezullua nga detyra zv/drejtori i Sektorit të Policisë Kufitare të Malit të Zi, Dragan Klikoovac.